STRATEGJIA E TABELAVE

Pas fushatës kundër regjistrimit të popullsisë, emrave të përveçëm me prejardhje të huaj dhe toponimeve jo shqiptare, Aleanca Bardhezi ka njoftuar se do të ndërmarrë një fushatë të ashpër kundër tabelave në Shqipëri që përmbajnë fjalë të huaja.

Specialisti i posaçëm i Aleancës, dr. Bardh Ziu, etimolog popullor i shquar, me një sërë veprash shkencore, është shprehur: “Nëpër qytete e fshatra po përhapet gjithnjë e më shumë zakoni antikombëtar i përdorimit të fjalëve të huaja, ose më mirë i barbarizmave në gjuhën shqipe”. Sipas etimologut të njohur, toponimet e tabelat kanë diçka të përbashkët sepse u referohen vendeve fizike. Rreziku mund të jetë që tani përdoren thjesht për të treguar një shitore a një zyrë shërbimi, në të ardhmen mund të shndërrohen në toponime të mirëfillta. “Është detyrimi ynë kombëtar për t’i çliruar brezat e ardhshëm nga zgjedha e toponimeve me prejardhje të huaj”, tha dr. Ziu, i cili komunikoi se fushata do ta priste shiritin e vet në Velipojë, për të vazhduar në vise të tjera të Shqipërisë.

Për t’u njohur nga afër me realitetin e Velipojës, vendosëm ta paraprijmë Aleancën Bardhezi, duke shkuar para fillimit të fushatës, për të verifikuar tezën e mësipërme. Që e drejta qëndron nga ana e Aleancës, çdo njeri e kupton porsa arrin në stacionin qendror të lokalitetit të njohur për pushimet verore, buzë detit të lashtë Adriatik. Tabela kryesore që të jep mirëseardhjen, mu në qendër të qytetit, përbën një skandal të vërtetë. “Komuna Velipojë”, kështu fillon tabela. Nuk duhet me kenë etimolog me përvojë për të kuptuar se as fjala “Komuna” (lat. communem) e as toponimi “Velipojë” (sl. veliko+polje) nuk përbëjnë fjalë të pastra shqipe. E para me origjinë latine, e dyta me origjinë sllave, e bëjnë edhe më urgjente ndërhyrjen zyrtare për spastrimin e plehrave gjuhësore.

Shokuese janë fjalët e tjera të tabelës: “Stacioni i fugonave”. Të dyja janë italianizma të fëlliqura, që të vrasin veshin. I pari rezulton më i hershëm (lat. stationem), ndoshta më pak i rrezikshëm se i dyti, që vjen nga fjala e huaj “furgone”, sipas gjasës e futur fshehtazi, si diversant, pas ardhjes së pluralizmit, kur së bashku me transportin privat u importuan edhe fjalë të tilla. Nuk është e vështirë të dallosh mungesën e “r”-së në fjalën “fugonave”. Kjo mungesë nuk është aspak e rastit, me siguri pasojë e veprimit atdhedashës të dikujt që nuk e ka duruar praninë e madhe të fjalëve të huaja në tabelën kryesore të qytetit. është atentat dashamirës për të nxjerrë në pah e për të sabotuar kakofoninë e fjalë të huaja.

Ç’kuptim ka që tabelat e shitoreve të shkruhen në gjuhë të huaj? Përse shkruhet gjithkund fjala “pizza”? A thua nuk kemi fjalën tonë të bukur shqipe “pite”? Vihen re përnjimend shumë shërbime në qytet që përgatisin pite (për fat të keq) me emërtime të huaja. Përse piceri e jo piteri? Edhe loja që bëhet me fjalët tona, që u ngjasojnë atyre të huaja, nuk është e hijshme. Mbiemri “speciale”, për shembull, është fjalë shqipe, por është përdorur pranë fjalës “pizza”, ndaj nuk kuptohet në ç’gjuhë është, meqë kështu shkruhet edhe në italisht. Është vallë keqdashje e paramenduar? E padurueshme duket përzierja me fjalë të tjera shqipe: “furre me dru”; në fakt dru duan të gjithë ata që fusin kolona të pesta në gjuhën shqipe.

Për më tepër vihet re se fjalët e huaja shkruhen gabim. “Pizzeria” shkruhet me dy “z”, jo me një siç e ka bërë ky këtu djathtas, gabim i pafalshëm në rast se nuk është marketing modern për t’i tërhequr vëmendjen klientëve, ose për të shprehur indinjatën civile kundër përdorimit të fjalëve të huaja nëpër tabela. Një farë mosbindje civile për të kundërshtuar modën e re antishqiptare.

Bindja se aleanca Bardhezi ka të drejtë, forcohet me kalimin e kohës e gjatë shëtitjes sonë në qytetin e vogël bregdetar. Tabelat në shqip nuk mungojnë, por ka plot në gjuhë të huaja. Më të parapëlqyerat janë anglishtja e italishtja, por ka edhe të tjera që e nxjerrin kokën nëpër tabela sa andej këtej, duke e shëmtuar plazhin e bukur. Ç’kuptim ka tabela në gjuhë të huaj pikërisht sipër misrave në pritje për t’u pjekur? Kontrasti është vërtet i fortë, pra midis tabelës “moderne”, si mish i huaj, dhe misrit shqiptar, si ushqim tradicional. Ata që thonë se kjo ka të bëjë me strategjinë e turizmit për të tërhequr turistët e huaj nuk e njohin siç duhet sektorin. ABZ (Aleanca Bardhezi) ka të drejtë kur thotë se të huajt që vijnë do të vetëdeklarohen si vendas e më pas do t’i paraqesin tabelat si toponime të mirëfillta. Hapi i mëtejshëm është aneksimi i trojeve shqiptare me vende të tjera. Pushtimi në kohët moderne nuk bëhet me ushtri e tanke, por me tabela, fjalë e toponime. Këto janë armët moderne të armiqve të kombit.

Aleanca Bardhezi i shikon gjërat qartë, pa ngjyra marramendëse, ndaj edhe e denoncon strategjinë e tabelave. Historia përsëritet sërish. Edhe toponimet e vjetra shqiptare, që e kanë prejardhjen e huaj, e kanë zanafillën në tabelat që kanë vendosur dikur të tjerët. Sot kemi fshatra e qytete me emra të huaj. Dikur ishin vetëm tabela, ose emërtime të pakonsoliduara, thjesht etiketa të pangjitura. Ndërsa aktualisht na shfaqen si kuaj Troje, pa turp, nëpër harta e globe. Nga ana tjetër, tabelat me fjalë të huaja, shkruar me gabime, synojnë që shqiptarët ta harrojnë gjuhën e tyre.

Ka ardhur koha të ecim kudo me gomë fshirëse në dorë.

P.S. Fotografitë janë të miat.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin