ÇËSHTJA PUBLIKE (III)

Elsa Demo shkruan në “Shekulli” për gjendjen e filmit dokumentar në Shqipëri; dhe pikërisht për financimin publik të këtij zhanri.

Që prej vitit 1997 kur është krijuar Qendra Kombëtare e Kinematografisë, shkruan Demo, janë prodhuar mbi 80 filma dokumentarë.

Sa kushton një film? Diçka që lëviz nga 100 mijë, në 5 milion lekë për film, gjithnjë sipas autores.

Shumica e dokumentarëve janë me temë historike: “albanologji, histori, rilindje, pak fe, pushkë dhe penë,” thotë Demo, për të vazhduar me fjalë të hidhura:

Çfarë provash ka dhënë dokumentari shqiptar në këto 12 vjet? Prova të cilat vetëm shenjtërinë e sakrificës së fondeve publike për kinematografinë nuk dëshmojnë. Rezulton: distribucioni, zero; territoret e shitjes së filmit brenda apo jashtë vendit, zero; pjesëmarrja në festivale, zerozero çmime të fituara; bashkëprodhimet me të huaj, zero. Janë prodhime njëqind për qind shqiptare, nuk konkurrojnë as jashtë dhe as brenda, dokumentarë që do duhej të kishin një treg shpërndarje, një treg qarkullimi si televizionet.

Nuk jam ndonjë ndjekës i rregullt i filmit dokumentar, edhe pse herë pas here më qëllon të shoh ndonjë. Kam përshtypjen që, kur është i bërë mirë, filmi dokumentar ka vlerë informative të jashtëzakonshme; edhe pse nuk di sa mund të quhet art i mirëfilltë – është më tepër diçka midis gazetarisë dhe historiografisë së aplikuar.

Dikur, filmin dokumentar e identifikonim me të ashtuquajturat “kinoditare”, të cilat shfaqeshin me detyrim e përcaktim para një filmi artistik në kinema. Kinoditaret, si nga forma si nga përmbajtja, u zëvendësuan nga televizioni; kush do të pranonte sot të shihte lajmet në kinema, kur mund t’i shohë deri edhe në telefonin e vet celular?

Sa kohë kam jetuar në Perëndim, filmin dokumentar e kam ndjekur nëpërmjet televizionit; edhe pse do të ketë patjetër dallime edhe jofinanciare mes një prodhimi televiziv dhe një prodhimi për ekranin e madh.

Kur lexoj për disa dokumentarë që janë financuar si QKK-ja, si ata për Zef Valentinin (një albanolog), Marko Boçarin, Hasan Tahsinin, Edith Durhamin, kodikun Beratinus, Konicën, Shuteriqin, etj., më shkon mendja se këto produksione ndoshta duhej t’i kishte financuar Ministria e Arsimit ose Muzeu Kombëtar, jo QKK-ja.

Disa tema, si ato për natyrën ose kafshët e egra ose etnografinë ose urbanistikën ose sportin ose teknologjinë i ofrohen më mirë gjuhës vizuale të filmit dokumentar; të tjera tema kërkojnë zotësi të madhe nga autorët, sepse vizualisht nuk ofrojnë pothuajse asgjë, përtej të zakonshmeve të zanatit (shtëpia e lindjes e heroit, pamje të filmuara bardhezi autentike, karrocë me kalë, qitje pushkësh, rapsodi Gjok Doda me lahutë, flamuri që valëvitet, intervistë me historianin e nderuar prof. dr. Tupe Pulli, një top i vjetër që shtie dhe lëshon tym, faksimilja e Deklaratës së Pavarësisë me këngë patriotike korale në sfond, një sqifter pezull në hava, Allegretto nga e 7-ta e Beethoven-it ose ndonjë uverturë e Wagner-it, Reshat Arbana që reciton në gegnishte).

Parvjet në Shqipëri më qëlloi të shihja një film dokumentar të Roland Sejkos, Il paese di fronte, të shfaqur në kinema Millenium. Deri edhe kryeministri Berisha gjendej atë mbrëmje në sallë. Të njëjtin film e kisha parë në laptop para pak javësh – dhe më kish pëlqyer shumë; por projeksioni në Millenium linte shumë për të dëshiruar nga ana teknike.

Në rrethanat kur publiku shqiptar nuk po shkon më në kinema dhe nuk tregon ndonjë interes as për filmat artistikë të financuar nga QKK-ja, nuk mund të shpresohet që t’u shesësh njerëzve bileta për filma dokumentarë, përveçse po të shfaqësh ndonjë gjë investigative për aventurat seksuale të politikanëve.

Përndryshe, temat historike janë më të përshtatshme për televizionin publik të pasdrekës, ose ndonjë kanal të posaçëm didaktik.

Në artikull, Demo përmend edhe një fakt shqetësues:

Më 4 prill 2011 Këshilli Miratues i Projekteve të Filmit Artistik dhe Dokumentar, shqyrtoi 15 projekte të filmit artistik me metrazh të shkurtër. Pothuajse të gjithë konkurrentët ishin të rinj. Këshilli në mënyrë unanime vendosi të mos miratojë financimin e asnjë prej projekteve.

Në të vërtetë, filmi i shkurtër mund të ishte edhe rruga më e mirë që kineastët e rinj shqiptarë të formoheshin artistikisht, duke eksperimentuar me gjuhën filmike. Madje me pak përpjekje nga ana e institucioneve, filmat e shkurtër mund të transmetoheshin edhe nga televizionet komerciale (përkundrejt një lehtësie fiskale, ose edhe me detyrim).

Kështu do të mund të rivendosej një raport, sado i brishtë, mes kinematografisë dhe publikut shqiptar; raport i cili tani për tani nuk ekziston më, përveçse në forma nostalgjike.

Shumë filma që financohen nga QKK-ja, plotësisht ose pjesërisht, prodhohen për një audiencë të zgjedhur dhe elitare në festivalet ndërkombëtare. Autorët jo vetëm kërkojnë sukses personal (çka vetëkuptohet) por edhe shpresojnë se, një çmim ndërkombëtar, do t’ia jepte një shtysë vendimtare kinematografisë shqiptare, në të gjitha drejtimet që ngrenë peshë.

Frika ime këtu është se, duke mos pasur një publik të mirëfilltë, në kuptimin klasik të fjalës, filmi shqiptar po e humb autenticitetin; duke u katandisur në një produkt sa të konfeksionuar për t’u lëvizur telat kritikëve, aq edhe të pasigurt në mesazhin e vet artistik.

Një konfirmim të tërthortë, por grotesk të kësaj frike e mora nga dështimi i Aurela Gaçes në festivalin europian të këngës. Tani, e kam të qartë që Eurofestivali është një karneval pothuajse ultraviolet, por edhe këtë herë Shqipëria kish shkuar aty të komunikonte vetveten, nëpërmjet abuzimit me brand-in e shqiponjës: që nga metaforat e videos prezantuese, te kostumi i këngëtares vetë.

E kam thënë tashmë deri në mërzi – ne po kërkojmë ta zëvendësojmë konsumin e kulturës me konsumin e vlerave patriotike në  vetvete; duke i ofruar publikut jo art, por variacione të varfra rreth pak temave të lodhura të Rilindjes: qëndresa, shqiponja, kështjellat, gjuha shqipe, malësorët, mustaqet, folklori. Ndoshta dokumentari, bie fjala, për Zef Valentinin do të jetë kryevepër – nuk e paragjykoj dot; por pse të mos bësh vallë një dokumentar për një mësues katundi sot, që ka mbetur pa nxënës? Kodi Beratinus u intereson pak specialistëve të fushës, por një film dokumentar për trafikimin e ikonave ndoshta mund ta tërhiqte publikun më shumë…

E keqja me filmin dokumentar, me sa kuptoj unë së largu, është se ne vazhdojmë ta konceptojmë zhanrin si kremtues; nuk dokumentojmë, por glorifikojmë; nuk hetojmë, por ripërtypim të vërteta bajate; nuk zbulojmë me delikatesë, por veç i biem daulles. Spektatori mund të mësojë fakte dhe detaje të reja sa të duash, por mesazhi i filmit vetë, i transmetuar që në titull (Marko Boçari, Faik Konica) nuk përmban gjë të re.

Ky lloj koncepti, gjithnjë nëse kam të drejtë, e ka të shkruar dështimin në ballë; siç del edhe nga ato zerot që ka renditur Demo më lart.

Nuk ka komente

  1. Xha xha me duket se po abuzon me fjalen publike, se kjo vjen si çeshtje private.

    Qe dokumentari shqiptar me investime nga ”’Diçka që lëviz nga 100 mijë, në 5 milion lekë për film”’ te gjeje treg eshte vertet diçka utopike, apo per me teper te fitoje ndonje çmim nderkombetar.

    Cka per tu hidheruar ne kete mes vetem ti dhe Elsa Demo e dini.

    E di kur do hidherohesha une, nese do ishin hedhur parate qe hedh National Geographic apo History Channel dhe s’do ishte shenuar ndonje sukses.

    Me 100 mije lek, History Channel blen letren higjenike per stafin e dokumentarit, ndersa 5 milione leke i duhen per kostumet e 10 ‘aktoreve’ qe dalin.

    Parate jane ‘a fondo perduto’ o jepen o nuk jepen, perndryshe te gjykosh me metrin e ekonomise se tregut, i bie te pretendosh te nxjerresh dhjame nga pleshti.

    Nga ana tjeter shprehje si kjo e Elsa Demos ”’shenjtërinë e sakrificës së fondeve publike”’ mund te qendrojne mire ne ndonje liber artistik mundesisht poezi.

    Meqe ra llafi ka kohe qe ne Itali temat historike dhe te natyres, neper dokumentare jane zevendesuar me temat e komploteve, hap televizorin dhe te del robi e te flet mbi fundin e botes me 2012, profecite e nostradamusit apo te Fatimas, per Medjugorjen, Sitchinin e me the e te thashe.

    Dokumentaret e tipit superquark, deri diku i jane pershtatur kahut per te mbijetuar, se po merren kryesisht me gjera ‘mistike’, komplotet historike etj.

    Me pak fjale o ke fondet e History Channel e National Geographic (po edhe e para mezi po mbijeton, se i eshte futur edhe ajo rrymes se komploteve, e dyta terheq gjithnje me kafshet gjahtare) o hap rrugen.

    Deshtimin ne balle e kane te shkuara te gjitha dokumentaret ku nuk luhet para e madhe, ndersa suksesin e kane te garantuar dokumentaret e komploteve.

    1. Hyllin, unë besoj se ne s’mund të konkurrojmë me gjigantët, sa i përket vlerave dhe kostos së produksionit; as besoj se dështimet e dokumentarëve shqiptarë dhe indiferenca e publikut ndaj tyre ka të bëjë me realizimin teknik. Siç jam përpjekur ta shpjegoj edhe në shkrim, është koncepti i gabuar që e ka fundosur zhanrin, jo perfeksioni teknik. Ideja e Demos (besoj) dhe e imja është që këto pará “a fondo perduto” të shpenzohen më mirë për filma artistikë të shkurtër.

  2. Po nese e ve si premise qe s’mund te konkurosh çkuptim ka te flasesh per dokumentare ne kinema apo ne qofte edhe ne blockbuster (ku edhe ato nderkombetare shesin po njesoj, zero)?

    Hiq nje pjese qe mund te quhen ‘addetti ai lavori’ per dokumentarin shqiptar nuk i intereson a priori un ‘fico secco’, askujt tjeter.

    Nuk eshte çeshtje tematikash sepse te njejtat tematika ne Itali , po te gjykojme nga prestigjozja Quark apo ne Amerike nga History Channel, te garantojne defiçitin.

    Tani kur History channel katandiset tek seria Nostradamus Effect, ketu ka diçka universale qe nuk shkon me tematikat.

    Dokumentaret me te ndjekur ne Itali, kane qene rreth Medjugorjes, Fatimas, alieneve, rratheve ne grure, kafkes se atij femijes gjysem-ufo.

    Dokumentaret si zhaner lidhen me ane te shume fijeve me ate kategori studiuesish qe quhet ‘perhapes shkencore’, te pakten ne Itali lidhjet jane shume te forta.

    Tani hajde gjeje se çlidhje kane me shkencen shumica e dokumentareve qe permenda me siper.

    Tani dokumentaret lidhen me perhapjen e pseudo-shkences, komploteve, ufologjine e çdo lloj misteri e pseudo-misteri qe mund te ekzistoje.

    Emblematike eshte kalimi i prestigjit brenda 10 vjeteve, nga emisioni Quark ne emisionin Mistere.

    Nga ana tjeter, nuk duhet harruar qe shume nga keto dokumentare behen e paguhen me parate e televizioneve, pra parate e privatit, te cilit i intereson audienca dhe nese audienca thote dua pseudoshkencoren keta ia japin.

    Dokumentari shqiptar ka nevoje ne radhe te pare per keta perhapesit shkencore, si ka pasur dikur TVSH-ja, kishe qejf ti shikoje ca dokumentare( tani me shpetojne emrat e tyre, po ti duhet ti mbash mend mire) por edhe cikli politik i Robert Papes ne filimet e viteve 90 ishte shume terheqes.

    Nuk eshte se dokumentari behet , mjaft te kesh nje telekamere e te filmosh.
    Por ato dokumentaret e vjeter te TVSH, me çmimet e sotme sot do kushtonin shume, jo keto shuma xhepi qe permenden ketu.

    Pra, nga pikepamja organizative mungojne gjerat me esenciale, parate, televizionet e interesuara dhe perhapesit shkencore.

    Kur te kemi keto, mund te flitet per dokumentarin shqiptar, pa keto ti trajto ç’tematike te duash, zero do ngelesh.

  3. “The Cove” eshte nje film shkurter, documentar i cili fitoi cmimin Oskar para disa vjetesh. Paraqet vrasjen e delfineve ne menyre metodike ne nje fshat te humbur te Japonise. Eshte nje film informativ, dhe teper i dhimbshem. Mendoj se tema te tilla mund te gjenden shume lehte ne Shqiperi. Por e keqja qendron tek shterpesia e e mendjes, e cila e kerkon temen jo qe te zgjidhe problemin, por qe te krijoje sensacion e te fitoje materialisht.

  4. Edhe lajmi, sado sensacional që të jetë, pas dy-tre ditësh është bërë i njohur prej publikut (mrekullia zgjat veq tre dit)… kështu që, për filmin dokumentar, që kërkon edhe kohën materiale për t’u realizuar/kompletuar/perfeksionuar ashtu siç duhet, nuk ngelet gjë tjetër përveçse të konsiderohet si “lajm i konsumuar”.

    Suksesi i filmit dokumentar sot, mvaret nga aftësia e prodhuesit për të kapur temat që prekin ndjeshmërinë e publikut. Mvaret nga aftësia e prodhuesit për ta analizuar e spieguar fenomenin shkencërisht&historikisht, duke paraqitur (pa tifozllik) pro&kundra e fenomenit.

    Është e vërtetë ajo që thotë Hyllin-i për suksesin gjithnjë e në rritje të programeve (ish)shkencore që transmetojnë vetëm mistere dhe spiegimet e mundshme të tyre, por është po aq e vërtetë që, egzistojnë edhe programe të tjerë informativë e divulgativë (p.sh , ‘Report’ në Itali http://www.report.rai.it/dl/Report/Page-8200206a-0877-46c1-ab57-c774db2c6d38.html ), ku gazetarët investigativë për realizimin filmik të skedës teknike të programit, realizojnë paraqitje filmike, të tilla që mund të konsiderohen dokumentarë të mirfilltë… që në Shqipëri nuk besoj se do të mund të realizoheshin apo edhe thjesht, të lejohen të transmetohen.

  5. Edrus me fal per nderhyrjen po Hyllin lakohet sipas ligjeve te mirefillta te shqipes, Hyllini, i/e/te/se Hyllinit etj.
    Tani po ta shpjegoj gjeresisht psene qe te mos e shtremberosh me (edhe pse ne buona fede nga ana jote), natyrisht nese xha xhait nuk i vjen keq, nga kjo dale nga tema.

    Per here te pare gjendet ne formen greke hyllinoi (ne tekstin anglisht ‘hyllinoi the byllinoi’), ka qene nje fis ne Dalmaci, emri i te cilit dhe legjenda e te cilit lidhet me Hyllin djalin e Heraklesit. Greqishtja e vjeter shkruhej sipas qejfit, mund te gjendet ne format illios o illeos o ilus, h me kalimin e kohes e humbi kuptimin si bashketingellore dhe u kthye ne zanoren i (nje nga disa i-te greke), psh ‘Ilion’ (Troja) eshte forme e mevonshme e Hyllion, emri i vertete i qytetit kushtuar Hyllusit, sternipi i Dardanit dhe gjysh i Priamit.
    Dardani ishte Patriarku i gjithe mbreterve trojave dhe dyerve pricerore si ajo e Aeneas (Enea), gjithnje sipas mitologjise.

    Emri gjendet me se shumti i korruptuar ne formen ilus, sipas me te guximsheve ky shtremberim nuk ka qene pasoje e ndryshimeve fonetike ku H kaloi nga bashketingellore ne zanore , por e komplotit greko-aziatik dmth e skribaneve te mevonshem joniane.
    Ne fakt kalimi nga ll ne l, eshte vertet i dyshimte, meqe nuk mund te jete fonetik, pasi ne greqishten e lashte ll ruhej mjaft mire.

    Nderkaq per Hahn hyllin eshte emri i vertete, dmth si do e shkruanin iliret emrin e tyre, pra jo si ‘illyri’ i por si ‘hyllini’.

    Teza ime prej konspiracionisti eshte se illyrioi eshte shtremberim i qellimshem i hyllinoi, po aq sa kalimi i ll ne l nuk mund te mos jete shtremberim i qellimshem.
    Skribanet joniane ishin kryesisht nen ndikimin babilonez dhe egjiptian, te dyja palet kane qene spektakolare ne manipulimin e historise ( vetem te verberit e sotem besojne se manipulimi i historise eshte produkt i nacionalizmit romantik).
    Megjithate me qene me pak konspiracionist duhet pranuar se etimologjite popullore gjithnje kane ndikuar ne modifikimet e emrave, pra qe shtremberimet te jene produkt edhe i interpretimeve popullore ose i etimologjive qe ndonjehere njerezit e letrave perpiqen te gjejne.

    Nje shtremberim te tille e gjejme tek Odysseus, i cili ne formen ne antike gjendet si Olytteus, qe duket qarte se eshte me afer formes latine e cila pranohet se eshte futur nga iliret.
    Jo vetem kaq por ‘x’ tek latinet quhet i huazuar nga greket, tingull shume i koklavitur me histori te gjate, keshtu qe dyshimet mbi tingullin e vertet qe haset si ‘tt’ ‘ss’ e ‘ks’, vazhdojne te ngelen edhe sot e kesaj dite, ne kuptimin qe nuk ka asnje shpjegim te bindshem gjuhesor, ka vetem shpjegim te pranuar .

    Sipas http://www.dromo.info/ulyssesbio.htm

    ULYSSES, (Lat. Ulysses, Ulixes, Olixes, Athen., Bœot., Corinth. Gk. Olysseus, Olytteus, general Gk. Odysseus, probably of lllyrian origin, influenced by popular connection with odyssesthai, to be hated).

    Me pak fjale, i njejti tingull ‘i panjohur’ ne greqisht ka dhene ‘tt’ (me pas ‘ss’) ndersa ne latinisht eshte identifikuar me nje tingull te huazuar nga greqishtja X (ks).

    Pra kjo puna e teorise se shtremberimit eshte legjitime, thjesht kerkon nje pune kolosale ne njohjen e greqishtes se lashte, latinishtes, historise e mitologjise per tu formuluar bindshem.
    Kete pune i vetmi shqiptar qe mund ta bente po ti futej ka qene Cabej, por asokohe Shqiperia kishte probleme me te mprehta.

    Me pak fjale qe te mos e tjerr me , Hyllin eshte koncentrat i nje teorie, nje fjale mbi te cilen mund te besh nje liber, tip bombe berthamore.

    Natyrisht e marr si shqip per shkak te teorise se vijueshmerise iliro-shqiptare dhe ka etimologji te thjeshte per çdo shqiptar.
    Ne fund te fundit shqipja eshte e vetmja gjuhe qe mund ta zbertheje dhe shqiptaret duam s’duam i perkasin grupit ballkanik, me pak fjale 1+1=2.

    1. Kur pashë një replikë kaq të gjatë, u pendova që kërkova të ruaja formën reale të nick-ut të përzgjedhur, por, pasi lexova gjithë komentin, të premtoj që do të jem më i kujdesshëm që… gabime të tjera, ti bëj me qëllim.

      I bashkohem edhe unë, të kërkuarit falje ndaj Xhaxhait për këtë ekskursion jashtë teme.

  6. Kam një dëshirë shumë të madhe të shikoj një realizim vizual, pikturë, apo photoshop… një shqiponjë, që vë përposh vetes dikë të veshur me kostum kombëtar, duke i bërë seks anal, kundër dëshirës.

    Sinqerisht, kjo do ishte e vetmja formë artistike ku do më pëlqente përdorimi i shqiponjës si simbol.

    1. Rroftë Shqipe-ria! Tani le të kthehemi në temë, ose të merremi me ndonjë punë tjetër më të sojme.

  7. Që t’i kthehemi temës (dhe J mund të na flasë edhe më tepër), përsa i përket filmave dokumentarë: Mund edhe të realizohen me financime të grumbulluara nëpërmjet internetit.

    Rasti grek është shumë simpatik: http://www.debtocracy.gr/ që është financuar nëpërmjet internetit (rreth 8000euro) dhe i parë deri më tani nga rreth gjysëm milioni shikuesish.

  8. Une mendoj se shume artiste sot gjate krijimit te tyre i tuten “provokimit”, qofte nepermjet temave “tabu” ose nepermjet trajtimit te pazakonte te nje teme te rendomte.

    Ndonje syresh mundohet te provokoj, porse vetem per ceshtje komerciale, pasi trajtimi ne te tilla raste eshte teper i ceket.

    Besoj se menyra e “komunikimit shqiptar-gazetaresk” dhe kronologjike e rrefimit te “ngjarjes” ne shume media (TV, libra e revista), e lyer ndoca edhe me nje qendrim te qarte politik, aspak ideologjik apo filozofik, porse thjeshte pushtetar, e ka rrenuar perfundimisht artin e te rrefyerit ne vendin tone.

    Sic verehet nga temat e zgjedhura, pa i paragjykuar zgjedhesit dhe te perzgjedhurit, keto jane krejtesisht historike, ndersa aktualiteti yne ofron histori te dhimbshme qe “bertasin” te rrefehen.

    Trajtimi i temave, edhe kur jane interesante, eshte teper i vaket. Per hir te se vertetes ka stacione qe japin doku te mire, por rralle. Top Channel realizon ndonjehere ndonje doku te mire, edhe pse te ceket ne informacion e shume pretendues. Ose TV Klan (Histori me Zhurmues, – edhe pse jo ndonje merite direkte e regjizorit). Ne te shumten e rasteve dokumentaret pretendojne me shume se c’realizojne te percojne.

  9. Druaj se një llokëm e madhe e fondeve që jepen për dokumentaret harxhohet me udhëtime dhe xhirime jashtë Shqipërisë.

    Një dokumentar për Hoxha Tahsin do të xhirohet në Stamboll; një për Faik Konicën në Bruksel dhe në ShBA; një për Nënë Terezën në Indi.

    Ashtu trupat xhiruese edhe bëjnë pak turizëm të merituar me llovet e taksapaguesve.

    Prit ndonjë ditë kur të aplikojë ndonjëri për dokumentarin kushtuar astronautit me origjinë shqiptare William Gregory.

    Do ta financojë QKK-ja daljen e ekipit tonë të kineastëve në orbitë rreth Tokës?

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin