NOKTURN TIRANE

Muaj më parë, një e njohura ime në Tiranë më pat thënë se kishte blerë, fare lirë, një sasi librash të vyer të bibliotekës private të akademikut B. L., vdekur për shkaqe natyrale dikur në fillim të viteve 1990.

Më pat thënë edhe se vetëm duke lexuar dedikimet në faqet e para, autografet, vulat dhe të tjera shenja admirimi ose autoriteti, mund të ndiqej nga një këndvështrim i veçantë historia e degës së dijes ku B. L. kishte sunduar i pakundërshtuar për dhjetëvjeçarë.

E kotë të shtoj se B. L. ishte nga ata baronë të shkencës shqiptare të cilëve librat gjithnjë ua dhuronin; ose e shumta, që harronte t’ua kthente bibliotekave publike dhe të institucioneve.

Nuk di pse kish përfunduar trotuareve biblioteka e tij private, as e kam idenë se ku kanë përfunduar tani pjesa e mbetur e familjes (me siguri jo trotuareve). Ndoshta këta në krye janë përpjekur t’ia falin ndonjë institucioni, por ky ka refuzuar, me arsyen se kostoja e transportit do të jetë gjykuar si më e lartë se vlera e librave vetë.

Ekonomia e tregut: e ashpër, por e drejtë.

Pas vitit 1990, shumë familje tiranase, sidomos intelektuale, kanë pasur dava për të ndarë me bibliotekat e tyre; veçanërisht me gurët e veprave të Enver Hoxhës, të cilat përgjithësisht tani kanë përfunduar plehrave. Nuk kam qenë në Tiranë në atë kohë dhe nuk di se ç’fat kanë pasur libra të këtij kallëpi në bibliotekën time; por më vjen keq vetëm për një botim të bukur të veprave të zgjedhura të Marksit dhe të Engelsit, me një përkthim të përsosur në shqipe, e që tani nuk e gjej dot më.

Gjithsesi, zemra bibliotekës sime private i rreh ende mirë; dhe ime më nuk pranon të hedhë asgjë nga biblioteka profesionale e tim eti, madje as enciklopedinë sovjetike të viteve 1950, aq toksike, sa as krimbat nuk e hanë dot më.

Përkundrazi, po t’i besoj asaj shoqes sime, biblioteka e B.L.-së përmbante vepra albanologjike të vyera, botime të rralla e botime të vjetra, që do ta bënin krenar çdo bibliotekë. Që të ketë përfunduar rrugëve, më trishton disi.

Tani që ndodhem në Tiranë, më qëllon shpesh të kaloj përmes Parkut Rinia ose tek Urat e Lanës dhe t’u hedh një sy librave të ekspozuar përtokë ose në parapetet: të gjithë të vjetër, të vjetëruar, të përdorur; me kapakë ndonjëherë të përdredhur prej lagështirës.

Çuditërisht, nuk arrij dot ta heq nga koka mendimin absurd se edhe këta libra mund të jenë të bibliotekës së B. L., të përzgjedhur negativisht, ose të mbetur pa u shitur, për shkak të mungesës së interesit.

Shoh mes tyre fjalorë të shqipes, dispensa universitare, botime të Akademisë së atëhershme, gjëra njëkohësisht me vlerë dhe shumë të shëmtuara estetikisht; produkte të shtypshkronjave ushtarake të dhuruara bujarisht nga Bashkimi Sovjetik, me letër të verdhë, acide, që mban erë pluhuri të athët.

Them me vete se B. L. gjithsesi nuk i ka blerë këta libra, madje ndoshta as që e ka ditur se i ka pasur në bibliotekë; thjesht i ka sjellë në shtëpi nga zyra, pasi ia kanë dhuruar në konferenca, simpoziume, sesione shkencore, inaugurime, takime festive.

Më tërheqin vëmendjen veprat e plota të disa autorëve: D. Agollit, I. Kadaresë, A. Xhuvanit, Dh. S. Shuteriqit; dikur krenari e tipografisë shqiptare, sot të mbuluara në zgjyrën e trafikut të qendrës.

Më tërheqin vëmëndjen edhe botime pompoze, në frëngjishte, të disa materialeve albanologjike si Le chansonnier épique albanais. Këtë të fundit nuk dua ta marr në dorë dhe ta shfletoj, nga meraku se mos lexoj ndonjë autograf në hyrje dhe më prishet gjaku.

Më tej, shoh një fjalor të termave të ekonomisë: në shqip, frëngjisht dhe rusisht. Për një moment ndiej një si zbrazëti, pastaj e kuptoj menjëherë psenë: ndër gjuhët e renditura në kopertinë, mungon anglishtja.

Profesori B. L. kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik – por libra rusisht në trotuaret nuk sheh. Po të kesh parasysh historinë e tij familjare, është e arsyeshme të supozosh se rusishten ky e kishte dëbuar prej kohësh nga biblioteka e vet shtëpiake, për të shmangur ndonjë keqkuptim të mundshëm me organet vigjilente të Sigurimit të Shtetit.

Përkundrazi, biblioteka e tim eti është ende e fundosur nën peshën e librave rusisht, gjithfarë manualesh dhe traktatesh mjekësore, që tashmë janë vjetëruar dhe ndoshta nuk i hyjnë në punë kujt, përveç ndonjë koleksionisti objektesh pa vlerë përdorimi. Të gjithë këta libra, bashkë me të gjitha cirilicat që kanë brenda, veç konotojnë vjetërim, zverdhje, zvjerdhje, erë të rëndë tutkalli, kapitullim.

Koleksioni rusisht në bibliotekën e B. L. mund edhe të jetë shpërbërë vetvetiu në duart e hamejve, si afresket romake në katakombet e Romës së Fellini-t, në kontakt me oksigjenin e depërtuar rishtas ose edhe thjesht prej ndërrimit të klimës politike.

Pastaj më shkon në mendje se, edhe sikur librat që ofrohen trotuareve dhe parqeve të mos vijnë drejtpërdrejt nga fondi privat i albanologut të njohur, me siguri që ky i ka pasur këta tituj në zyrë dhe në shtëpi. Disa syresh edhe do t’i ketë redaktuar, kryeredaktuar, komentuar, shkurtuar, keqtrajtuar, miratuar, censuruar, vonuar, manipuluar, shtrembëruar; si çdo mamí kulturore që e merr seriozisht profesionin e vet.

Tekste universitare të folklorit, letërsisë shqipe, drejtshkrimit; akte të konferencave albanologjike dhe të kuvendit të studimeve ilire; botime për Skënderbeun, të vitit 1968; numra revistash Studime Filologjike dhe Studime Historike; revista Studia Albanica; një vepër e vetme e Enver Hoxhës për superfuqitë, që duhet t’i ketë shpëtuar asgjësimit pse është në portugalisht; materiale të Institutit të Folklorit, këngë epike dhe lirike të popullit shqiptar, këngë të Luftës Nacional-Çlirimtare; madje edhe një botim fotostatik i fjalorit Petit Robert të frëngjishtes, të cilin e përdornim të gjithë në vitet 1980.

Tani e kuptoj pse më shqetësojnë këto fragmente, ndoshta reale ndoshta imagjinare, të bibliotekës private të profesorit B. L.: këto janë librat me të cilat kam studiuar unë atëherë, librat e bibliotekës virtuale që unë ruaj ende në kujtesë; librat e albanologjisë akademike të viteve 1980.

Titani i djeshëm B. L. tani prehet i qetë 2 metra nën dhé, në varrezat e Kombinatit, së bashku me prestigjin e kulturës që administroi ex cathedra. Çfarë gjej dhe i jap të njohur në trotuaret është, përkundrazi, biblioteka ime virtuale, ose fondi kulturor i një epoke që po zbërdhylet e po shkërmoqet, brenda dhe jashtë meje, aq sa tani s’mund të flas më as për kujtesë, por vetëm për pluhur dhe jashtëqitje insektesh.

Nuk ka komente

  1. Pa dashur te prish hermetizmin e inicialeve qe nuk i deshifroj dot ne emer konkret, nje rast “tjeter”(?) qe e shohin te gjithe rrugeve eshte ai i akademikut I, vdekur edhe kjo. Thuasje, e gjithe seria e librave te tij ne italisht, botime te para 1940-s, shiten lirshem ne uren e re te Lanes, mbi borduren e saj te dekoruar. Jane te vulosura dhe firmosura nga vete autori. Pyetjes sime per librashitesin ambulant, se perse te gjithe keto libra gjenden ne shitje, pergjigja erdhi e menjehershme: i ka nxjerre i biri. Nuk e di nese kjo eshte e vertete, por them se kjo eshte nje dukuri shume me fisnike sesa ajo tjetra qe lidhet serish me librat e vjeter, por qe per shumekend mund te jene edhe te Vjeteruar. E kam fjalen per libra te periudhes se Diktatures- e quajtur keshtu edhe me Kushtetute- libra te ideologjise, te cilet gjenden padyshim rrugeve, por ku pervec lidhjes cilesore bie ne sy edhe gervishtja apo mbulimi me korrektor i ish – poseduesit te dikurshem. Me ka rene ne dore Lenini si prone private e profesoreve universitare, Marksi si kapital i cmuar i emrave apo me sakte Mbiemrave te njohur. Nuk e paragjykoj kete distancim jo dhe aq akademik, por thjesht them se me “dyautoresine” me duket se libri fiton nje vlere dyfishe; ate informative dhe ideore, por edhe si deshmi e nje kohe me sa duket po aq trullosese sa kjo tani. Te pakten per me te vegjlit.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: