AUTOKRITIKA NË LIGJËRIMIN TOTALITAR

Nga Arbër Shtëmbari

Gjatë regjimit komunist autokritika ka qënë jo vetëm një teknikë e vlerësimit të vetvetes, por në Shqipëri (si në të gjitha vendet e tjera ish komuniste), ishte edhe një kulturë sjelljeje, që e kishte burimin në teorinë marksiste-leniniste. Në Historinë e PPSH, faqe 220, nënvizohej, se «Për të revolucionuar edhe më tej jetën e brendshme në Parti, Kongresi V i PPSH kërkoi thellimin e mëtejshëm të kritikës dhe të autokritikës…”

Sipas PPSH, kritika dhe autokritika janë motorë të zhvillimit të luftës së klasave. Ato veprojnë për formimin e figurës së njeriut të ri dhe kontribuojnë për shkatërrimin e «shfaqjeve të huaja» apo të «mbeturinave të së shkuarës» dhe e ndihmojnë individin që të progresojë. Sigurisht, autokritika nuk ishte një teknikë që mësohej në shkolla apo në kurse speciale; ajo përfitohej prej skemave paraekzistuese të atij realiteti të indoktrinuar. Duke pasur parasysh faktin, se autokritika bënte pjesë në atë realitet, ajo integrohej brenda tij si një detyrim moralo-politik që duhej të trupzohej për t’iu përgjigjur atij realiteti.

Siç edhe dihet, autokritika bëhej me shkrim, por edhe me gojë përpara superiorit individ apo përpara kolektivit, në mjedis zyrtar, por edhe publik. Në më të shumtën e rasteve Partia kërkonte që ajo të bëhej me gojë, në publik, para kolektivit.

Si një formë e rrëfimit politik, autokritika zhvillohej në gjithë hierarkinë e Partisë dhe të Shtetit. Për shembull, pasi kishte ndodhur një gabim në një qëndër pune, punëtori i thjeshtë duhej të bënte autokritikë para kolektivit të tij, ndërsa superiorët e tij, nëse gabimi problematizohej, duhej ta bënin këtë në hallkat e ndryshme të forumeve të Partisë. Dhe formula e autokritikës thuajse ishte e njëjtë për të gjithë: «Ne jemi, gjithashtu, përgjegjës për atë që ndodhi», «Ne nuk kemi qënë vigjilentë me punëtorin x», «Ne nuk kemi krijuar një kolektiv të mirë», «Ne premtojmë se këto nuk do të ndodhin më kurrë». Në autokritikën që bënte, individi manifestonte edhe biografinë e vetë, sigurisht për ta shfrytëzuar si një katalizator për të ulur peshën e fajit të mundshëm. Me autokritikën e bërë individi provonte «ndjenjën e fajin që aktivizohej prej distancës që krijohej mes idealit militant dhe qënies militante» (Pennetier, Pudal), me fjalë të tjera, midis atij që ai duhej të ishte dhe atij që ai ishte në fakt. Kësisoj, autokritika, ky mekanizëm autoriparues, duhej të provonte ekzistencën e një koherence midis idealit militant dhe vetë militantit.

Viteve të regjimit komunist autokritika prodhohej pas konstatimit të problemeve apo gabimeve, si një normalitet moral. Pasi ishte mësuar gabimtari apo fajtori, pritej, krejt natyrshëm, të bëhej autokritikë. Nga kjo pikëpamje, autokrtitika ishte bërë një refleks i imponuar, deri «detyrë shpirtërore”. Bëhet fjalë si për një pjesë teatrale, kur përballë kolektivit – spektator teatron autokritikuese, shpeshherë duke lexuar “autokritikën”: që i kanë përgatitur të tjerë!

Bernt Carlzon – Critical Eye

Të autokritikoheshe donte të thoshte të autoakuzoheshe, donte të thoshte të vije në lëvizje atë “mekanizëm moral”, që do të shërbente si kartë besimi për siprorët apo nomenklaturat e ndryshme. Në vazhdim të kësaj logjike, autokritika shndërrohej në një formë mortifikimi, pasi individi ushtronte ndaj vetvetes një dhimbje morale, e cila nuk e linte trupin indiferent, me qëllim faljen (clemence, në sensin fetar) apo ngritjen shpirtërore (cf. Ascensionis Domini). Është një tentativë e trupit për t’u shkëputur nga tentimi, nga «mëkati» i cili, sipas logjikës së kohës, mund të dëmtonte Partinë apo kolektivin! E realizuar në këtë mënyrë, autokritika vepronte si një gjest pendese, që synonte faljen prej «priftërinjve dhe komunitetit të kishës».

E interpretuar disi më thellë, autokritika bënte pjesë në logjikën e dhënies – kundërdhënies (potlatch), sepse individi insiston në faktin, se edhe kjo pronësi private (trupi dhe historia e tij), i përkasin komunitetetit dhe «kishës së tij» –  Partisë. I konceptuar kështu, diskursi autokritik konformohet me normat sociale, me qëllim që të legjitimohet trupi social dhe ai fizik. Ky proces i legjitimimit provokon mbrojtjen e tij, sepse autokritika është, mbi të gjitha, një strategji mbrojtjeje që individët përdorin, qoftë për t’i shpëtuar implikimeve të pafavorshme, qoftë për të siguruar ngritjen e tyre sociale.

Të bërit autokritikë ishte një ushtrim, që duhej bërë me detyrim, madje edhe atëherë kur s’kishte asgjë për t’u kritikuar! Kishte shumë falsitet në këtë deklarim publik. Ishte si një spektakël, një mise-en-scène që duhej bërë për t’i shpëtuar dënimeve të mundshme. E bukura ishte, se ata që bënin autokritikë ishin të ndërgjegjshëm që po luanin vetëm një rol, kurse ata që e dëgjonin atë  autokritikë ishin po ashtu të ndërgjegjshëm se autokritika që dëgjonin ishte vetëm një maskaradë. Pra, edhe këta të fundit, dëgjuesit, luanin një rol.

Theksi vihej, pra, më shumë në shfaqjen (apparition), domethënë në sinjalizimin e prezencës së të autokritikuarit, sesa në thelbin e asaj që ai kishte për të thënë. Si rregull, autokritika vjen pas kritikës. Autokritika prezantohet më shumë si një mashtrim (imposture) për t’u katapultuar mbi pushtetin. Kjo formë e rrëfimit (konfesion) publik, që duhej të ishte e sinqertë, e ndjeshme, me princip, e plotë, synonte dhe të manifestonte besnikëri totale ndaj Partisë.

Disa autorë insistojnë në faktin, se autokritika është «një bashkësi praktikash të njohjes së vetvetes, njohje të koduara prej referencialit dhe të orientuara prej dëshirës për t’ia falur vetveten një institucioni» (Pudal). Në fakt, nuk mund të jetë saktësisht kështu. Në Shqipërinë ish komuniste shumë shpesh individët ishin të paracaktuar si fajtorë për faje që nuk i kishin bërë asnjëherë. Pra, bënin  autokritikë mbi fakte për të cilat nuk kishin arsye të ndiheshin fajtorë. Shkurt,  bënin autokritikë për autokritikë, por pa e humbur orientimin e tyre apo kodin e tyre përkundrejt referencialit komunist.

Kanë kaluar dy dekada nga përmbysja e regjimit komunist dhe atavizmat e së shkuarës jo të largët vazhdojnë të marrin jetë. Vërtet sot nuk bëhet autokritikë, e shprehur kjo në formën e saj klasike, si vetërrëfim politik, por ka mënyra të tjera të të shprehuri. Si? Me fjalor politik që dëshmon besnikëri të pafund ndaj shefit. Me patundshmëri veprimesh politike ndaj Partisë. Me servilizëm klasik ndaj eprorit, servilizëm që nënkupton autokritikën e heshtur për ndonjë korrupsion të mundshëm, servilizëm që garanton “çertifikatë” korrigjimi dhe mirësjelljeje për të ardhmen! Ish mocionistët e djeshëm, që u larguan me bujë nga Partia Demokratike, rierdhën pranë partisë – mëmë jo thjesht duke bërë autokritikë, por duke i bërë elozhe shefit të madh, se gjoja qënkej ky i fundit që paskej ndryshuar!

Janë disa ministra në kabinetin qeveritar aktual që akuzohen për korrupsion, por atyre nuk po iu bëhet transparenca moralo-publike. Janë disa deputetë që akuzohen për afera të ndryshme, por ndaj tyre nuk po qendron askush, sepse ata “dijnë se si të sillen”, duke nënkuptuar “përulsinë” dhe “premtimin” që bëjnë heshturazi, sipas të cilit” kam qënë i yti dhe do të mbes deri në fund po i yti”!

Natyrisht, autokritika nuk shlyen faje dhe as nuk zëvendëson dëmtime në pronën publike dhe atë private. Kur “karriken” e autokritikës e ze ligji dhe vetëm ligji, atëhere një gabim apo një faj i bërë nuk do të mund të matet me peshoren e moralit, por vetëm me atë të drejtësisë.

Por, a do të ndodhë kështu?!

Botuar tek gazeta “Shqip”, 22.08.2010, me titullin “Autokritika – një rudiment i regjimit komunist”. [Titulli i këtushëm është i PTF.]

© Arbër Shtëmbari (Nuk lejohet kopjimi, botimi apo çdo lloj riprodhimi pa lejen e autorit)

Shënim: Edhe një shkrim tjetër i Shtëmbarit, në lidhje me një formë ligjërimore tipike për shoqëritë totalitare. Po e sjellim në PTF me kënaqësi, për të plotësuar bibliotekën e shkrimeve për shqipen publike dhe vlerat e saj të përdorimit gjatë periudhës komuniste. [2Xh]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin