ANALOGJI E GABUAR

Gazeta shqiptare boton një intervistë të Ministrit alternativ të Punëve të Jashtme të Greqisë, Dimitris Droutsas, dhënë televizionit “SKAI”.

Nuk është e qartë se si ka përfunduar te GSh kjo intervistë, nëse është përcjellë nga ndonjë agjenci lajmesh, apo e kanë zbardhur këta vetë dhe më pas përkthyer me forcat e brendshme.

Gjithsesi, nga intervista më bëri përshtypje paragrafi i mëposhtëm, i cili, me sa arrij të kuptoj, është shqiptuar nga intervistuesi i SKAI-t, jo nga Droutsas:

Ka pasur kritika të ashpra z. ministër…
Po.
…Nëse shtetasi i një prej vendeve fqinje, le të themi, një shtetas turk apo një shqiptar do të ishte vrarë këtu (Greqi), në vendet e tyre do të kishte reagime kundër nesh. Por nga ana e Greqisë ka pasur një reagim shumë të ftohtë, sipas mendimit tim, ose reagim të një profili të ulët, sipas të gjitha kritikave…

Dhe si përgjigjet Droutsas?

Si më poshtë:

Kritika është gjithmonë e mirëpritur, por ne duhet ta marrim atë në konsideratë nëse ajo është me të vërtetë serioze dhe e mbështetur në argumente. Nuk mendoj se të tilla kritika duhet të kenë ndikim tek ne, sepse ky është një incident tragjik, shkaqet e kësaj vrasjeje nuk kanë vend në ditët e sotme, ato janë të papranueshme dhe kjo është arsyeja pse ky incident është i papranueshëm, dhe ne e kemi thënë këtë që në fillim në mënyrë të qartë se incidenti është i papranueshëm.

Këtu unë nuk kuptoj se ç’do të thotë shprehja “shkaqet e kësaj vrasjeje nuk kanë vend në ditët e sotme”; as këmbënguljen e ministrit se incidenti vetë është i papranueshëm (se kush vallë ka thënë të kundërtën? kush e ka pranuar incidentin?).

Por para së gjithash nuk kuptoj si arrin ky burrë shteti të gëlltitë miun e ngordhur që i servir intervistuesi i SKAI-t pa thënë as gjysmë fjale për ta kundërshtuar.

Po i kopjoj sërish fjalët e intervistuesit:

…Nëse shtetasi i një prej vendeve fqinje, le të themi, një shtetas turk apo një shqiptar do të ishte vrarë këtu (Greqi), në vendet e tyre do të kishte reagime kundër nesh. Por nga ana e Greqisë ka pasur një reagim shumë të ftohtë, sipas mendimit tim, ose reagim të një profili të ulët, sipas të gjitha kritikave…

Ky nis të ndërtojë një argument, ose një analogji, duke marrë për shembull një vrasje të ngjashme, të një shtetasi turk ose shqiptar në Greqi.

Dhe pasi e ngre premisën, vazhdon me sugjerimin se reagimi në Greqi, ndaj vrasjes së Gumës, ka qenë i ftohtë ose i një profili të ulët…

Nuk më habit fakti që intervistuesi i SKAI-t mund të ketë qëlluar pak i vonuar nga ana mendore; për njerëz të tillë duhet pasur para së gjithash mirëkuptim dhe mëshirë.

E kam parasysh edhe se fjalën “shtetas” mund ta ketë futur në përkthim ndonjë prej tanëve; dhe se intervistuesi mund të ketë përdorur një term më pak komprometues.

Por, megjithatë, e sido që ta rrotullosh, kjo analogji nuk qëndron.

Dhe nuk qëndron pikërisht se, kur në Greqi i ndodh diçka një shtetasi shqiptar, atëherë shteti shqiptar e ka për detyrë të interesohet për fatin e tij, sipas rastit të kërkojë hetime, të protestojë, të ofrojë ndihmë të gjithfarshme, etj.

Një shtetas shqiptar, në Greqi, është mysafir; dhe nuk gëzon të drejta të njëjta me ato të një shtetasi grek, sa kohë që mban pasaportë shqiptare. Këtë diferencë në të drejta e plotëson institucioni i përfaqësisë konsullore shqiptare pranë vendit fqinj.

Tani, intervistuesi i SKAI-t ndoshta është aq kokëtrashë, sa të mos e dijë se himarioti i vrarë, edhe pse grekofon dhe, pse jo, grekofil, nuk është shtetas grek; prandaj nuk ka asnjë arsye që vrasja e tij, e papranueshme në vetvete, të krahasohet për nga pasojat me vrasjen e një shtetasi shqiptar në Greqi.

Himarioti i vrarë është shtetas shqiptar.

Tirana nuk mund t’ia diktojë vendit fqinjë si të sillet me banorët grekofonë të Bregut; por këta të fundit shtetësinë shqiptare e kanë gjithnjë, s’ua ka hequr as mohuar kush. Interesimi i qeverisë greke dhe i institucioneve greke, në rast të një incidenti të tillë, është si të thuash kulturor dhe humanitar; meqë Greqisë – me sa di unë – nuk i është njohur ndonjëherë ndonjë rol i veçantë kujdestarie ose proteksioni ndaj banorëve grekofonë të Bregut.

Nëse intervistuesi i SKAI-t – që tek e fundit mund edhe të paguhet nga policia sekrete greke, ose edhe nga vetë organet e zbulimit shqiptar për të provokuar – kërkon vërtet të bëjë një analogji, atëherë duhej të sillte në vështrim vrasjen e ndonjë arbërori (arvanitasi) në Greqi.

Po kur ka qenë hera e fundit që është ngritur Tirana zyrtare të protestojë për vrasjen e ndonjë arbërori në Greqi?

Përndryshe, shteti grek mund të paguajë disa pensione në fshatrat e Bregut, por kjo nuk i jep atij shteti ndonjë prerogativë ndaj banorëve të atjeshëm, në krahasim me banorët, bie fjala, të Fushë-Krujës ose të luginës së Drinit të Zi.

Prandaj, prej ministrit alternativ Droutsas duhej pritur, të paktën, kundërshtimi i menjëhershëm i analogjisë disinformuese të SKAI-t.

Ministri mund të kishte thënë:

Më falni, por kur në Greqi ndodh diçka me një shtetas turk ose shqiptar, qeveritë përkatëse e kanë për detyrë të interesohen për fatin e shtetasit të tyre; ndërsa në rastin e Himarës, çështja ndryshon, meqë himariotët nuk janë shtetas grekë, por shqiptarë. Madje e përsërit për publikun e televizionit tuaj, që të mos ketë më keqkuptime në të ardhmen: himariotët nuk janë shtetas grekë, por shqiptarë. Qeveria ime është e interesuar që komuniteti grekofon në Himarë t’i gëzojë të gjitha të drejtat dhe do të luftojë që asnjë diskriminim të mos i ndodhë për arsye etnike ose kulturore ose fetare; por analogjia juaj, z. intervistues, nuk qëndron; madje e shtron problemin shtrembër, dhe duke e shtruar shtrembër, ia heq çdo shans për zgjidhje racionale.

Natyrisht, për ministrin nuk vlen alibia e idiotizmit, të cilën e përsiata për intervistuesin e SKAI-t. As kam arsye të mendoj se ky njeri është inkompetent; ose nuk arrin ta njohë diferencën midis vrasjes së një shtetasi shqiptar në Greqi dhe vrasjes së një shtetasi, sërish shqiptar, në Shqipëri.

Prandaj heshtjen e z. Droutsas, i cili përndryshe në intervistë mban qëndrim të arsyeshëm ndaj kësaj çështjeje, nuk mundem veçse ta shpjegoj me trysninë e madhe psikologjike të shovinizmit grekomadh ndaj institucioneve në vendin fqinjë.

Për fat të keq, analogji të ngjashme janë ngritur dhe vazhdojnë të ngrihen edhe në anën këtej të kufirit; nuk po shkoj më tutje se të citoj Ekrem Spahinë, e sjellë nga Kapedani, që përmend, ndër të tjera, vrasjen e të riut Gramoz Palushi, si provë që shqiptarët kanë rënë viktima të urrejtjes etnike të të tjerëve.

Mirëpo vini re: Gramoz Palushi dhe shqiptarët e tjerë që keqtrajtohen në Greqi ishin shtetas shqiptarë; ndërsa Guma, që sipas disave është keqtrajtuar në Shqipëri, nuk ishte shtetas grek!

Prandaj, ky lloj argumentimi, që nxjerr kokën nga të gjitha anët, në të vërtetë e nënkupton njohjen de facto të kujdestarisë greke mbi Himarën dhe Bregun.

Dyshimi im ka qenë dhe mbetet se faktori kryesor i greqizimit të asaj zone, sidomos në epokën post-komuniste, është papërgjegjësia e autoriteteve qendrore shtetërore shqiptare, në Tiranë.

Le të mos i shtojmë kësaj papërgjegjësie edhe budallallëkun.

Tirana është e detyruar (me ligj ndërkombëtar) të kujdeset për emigrantët shqiptarë në Greqi, që kanë akoma shtetësinë shqiptare.

Por Tiranën nuk e pyet kush, as ka pse ta pyesë kush, për arbërorët.

Uroj që ndonjë yni, bie fjala ambasadori shqiptar në Athinë, t’ia shpjegojë këtë, me durim po të jetë nevoja, ministrit alternativ Droutsas; sepse ashtu edhe e ndihmon që t’i kryejë më mirë detyrat e veta diplomatike, si dhe t’i japë më profesionalisht intervistat, kur t’i bjerë rasti në të ardhmen.

Nuk ka komente

  1. “””Nuk është e qartë se si ka përfunduar te GSh kjo intervistë, nëse është përcjellë nga ndonjë agjenci lajmesh, apo e kanë zbardhur këta vetë dhe më pas përkthyer me forcat e brendshme.”””””

    Prej cilësisë së intervistës, edhe disa kollotumbave në shprehjen e frymës të të intervistuarit dhe intervistuesit, mendoj se është e dyta.

    “”””Këtu unë nuk kuptoj se ç’do të thotë shprehja “shkaqet e kësaj vrasjeje nuk kanë vend në ditët e sotme”; as këmbënguljen e ministrit se incidenti vetë është i papranueshëm (se kush vallë ka thënë të kundërtën? kush e ka pranuar incidentin?).”””””

    Tek e para, ministri merr përsipër të bëjë rolin e drejtësisë, duke dhënë që më përpara shkaqet e vrasjes së ndodhur.

    Vërejtja e dytë, është qëndrim politik. Ne nuk do të lejojmë që … etj … pallavra të ngjashme për një politikan, të nevojshme në këtë rast që të ngrejë peshë zemra e ftohura të grekëve, – si pasojë e reagimit të qeverisë së tyre.

    Përsa i përket vërejtjes kryesore, prej nga merrni shkas për titullin e temës…

    Së pari, përkthimi i GSH, ka lënë disa paragrafë pa përkthyer.

    Ka keqpërkthyer togfjalëshin “reagim gjakftohtë”, në “reagim shumë të ftohtë”. Si dhe, ndër kryesoret, fjala “shtetas”, në origjinalin grek rezulton të jetë “grek homogjen”.

    Ndërsa për analogjinë… gazetari grek, ia heq vetes përgjegjësinë e saj, kur thotë (paragraf i munguar te GSH) A doni tju them zoti ministër disa prej kritikave (nënkupton të opinionit të përgjithshëm, jo të tijat).

    Dhe vazhdon më pas me analogjinë, duke e vendosur këtë të fundit nën pronësinë e opinionit të përgjithshëm, apo shkurt – popullit grek.

    ***
    Përfundimi është që deri diku intervista është keqpërkthyer sidomos në termat e mësipërm siç u shpreha, por edhe në autorësinë e argumentit. Gazetari në fjalë, merr përsipër të transmetojë tek ministri, vërejtjet/kritikat e popullit.

    Por nga kjo intervistë, mua më del gjithashtu një përfundim ironik: Në Shqipëri, u dashka të mos jesh apo të mos deklarohesh shqiptar, për tu respektuar dhe vlerësuar më shumë. Ky përfundim është shumë i dhimbshëm. U vranë, nuk e di sa vajti numri 28-30? shtetas shqiptarë në Gërdec, pa qënë homogjenë, edhe askush nuk e vuri ujin në zjarr, “drejtësia” shqiptare, nuk dënoi asnjë përgjegjës – të rangut të lartë e kam fjalën.

    Ndërsa një homogjen grek, ndër të tjera shtetas shqiptar, humbet jetën në rrethana të paqarta akoma, dhe incidenti tenton të shndërrohet në incident diplomatik mes dy vendeve.

    Mbase është disi cinik krahasimi im… se bëhet fjalë për jetë njerëzish, por më rezulton se më të mbrojtur në Shqipëri, janë shtetasit e huaj, sesa shqiptarët vetë.

    Situata është tragji-komike… ndërsa presim të bekuarit e politikës shqiptare të premtojnë se po e mbajnë premtimin e premtimit të vizave, dikush me një kartë homogjeni, mundet të sigurojë lirisht lëvizjen e lirë në mbarë Evropën, madje siç po duket situata ka më të sigurtë jetën, pronën dhe integritetin njerëzor të tij.

  2. Turp i madh, për Gazetën Shqiptare, që i jep publikut të vet këtë farë përkthimi paçavure.

    Gabimi në përkthim – nga “shtetas” në “homogjen” – është fatal, për integritetin e asaj gazete.

    Megjithatë, unë përsëri mendoj se krahasimi mes të vrarëve nuk mund të bëhet sepse nuk qëndron, as duhet të bëhet.

    Shumë e drejtë kjo që thua, J., që jeta e të huajit vlen më shumë në Shqipëri se e vendaliut.

    Dhe nuk ma merr mendja që ta bëjnë këtë për kanun; se unë e shoh më shumë si një orvatje për t’ua shitur të huajve deri edhe statusin.

    Në shumë anë, sillemi si një vend që nga një anë u lutet të tjerëve ta kolonizojnë, nga ana tjetër të vëmë thikën në fyt po na preke Skënderbeun.

    1. Ja edhe versoni në anglisht i intervistës së Drucës:

      Journalist: There has been fierce criticism, Mr. Minister.

      Mr. Droutsas: Yes.

      Journalist: … that if a citizen of another neighbouring country – let’s say a Turkish or an Albanian citizen – had been killed here, then their entire country might have risen against us. But on the part of Greece, there was a very cool reaction, in my opinion, or low-key reaction, according to all the critics.

      E vërtetë, Gazeta Shqiptare duhej ta kishte marrë nga greqishtja, por edhe shumë faj nuk ka nga përkthimi në anglisht.

  3. Më thotë dot njeri se cili është ekzaktësisht qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj popullsisë greqishtfolëse të Himarës?

  4. Qendrimi i Tiranes ndaj popullsise grekofone te Himares eshte: Leje ate muhabet!

    Kjo nga ana politike. Ndersa nga ana ekonomike eshte dicka me shume.
    Nje shoku im, me origjine nga nje fshat (shqipfoles) i Bregut me ka treguar nje episod qe i ka ngjare te jatit – zyrtar i mesem ne te larte i shtetit shqiptar ne administraten para 2005-ses.
    Kish vajtur ky miku te kerkonte leke per shkollen e fshatit dhe ia kishin thene cope: He se ju ndihmon greku juve, ne mezi kemi per keta qe nuk i ndihmon njeri.
    Kjo, ne Ministrine e Arsimit te Shqiperise!
    Leje ate muhabet, me nje fjale!

  5. Xhaxha, ka shumë fusha ku mund të krahasohen shtetasit shqiptarë vs atyre që kanë ose nënshtetësi të huaj, ose janë homogjenë. Po fajësia e argumentit, që të shprehem më drejt, vjen se u bë pikërisht shkas kjo ngjarje tragjike, për të bërë krahasimin.

    Neglizhenca e autoriteteve shqiptare, mungesa jo vetëm e kujdesit, por edhe e vullnetit për të pasur kujdes, është shumë kriminale. Gjithë kjo indiferencë, po paguhet dhe ka për tu paguar në të ardhmen. Të fundit për tu quajtur fajtorë do të jenë ata që do heqin dorë prej shtetësisë së tyre, për të pasur një të ardhme më të mirë.

    Shqipëria, nuk më duket më se është e të gjithëve. Shqipëria është shndërruar në odën e klanit që ka pushtetin dhe shfrytëzon vulën dhe stemën, emrin dhe statusin për të avancuar interesat e veta të ngushta. Kush nuk gjen strehë brenda këtij klani, ka për ta braktisur Shqipërinë dhe bashkë me të idenë e një kombi, një nënshtetësie.

    Unë parashikoj që situata siç ndodhën në Himarë, të ndodhin edhe në krahina të tjera. Si shembuj për këtë mjaftojnë ato të Hamallajt, Dukatit dhe Kakomesë. Të gjitha kanë për bazë çështjen e pronësisë së tokave. Dhe për mua të gjithë këta kanë moralisht të drejtë, të mbrojnë atë çka është e tyrja dhe të ngrihen kundër selektivitetit që ushtron qeveria e Tiranës. Diku dmth pronat legalizohen, diku tjetër prishen dhe diku tjetër pronësia nuk njihet. Nuk e kuptoj dot si mund të funksionojë ky shtet pa respektuar një ligj moral të përgjithshëm dhe pa dallime, për të gjithë.

    Nga ana tjetër, mendoj se himarjotët kanë një shkallë tjetër të vetëdijes sociale, duke marrë si shembull atë të shtetit grek. I cili, duhet thënë është më i avancuar në politikat e veta sociale dhe u përgjigjet më drejt-përdrejt kërkesave të shtetasve të tij. Kështu përveç konfliktit “etnik”, kemi dhe konflikt social. Madje do të thosha, konflikti është parësisht social. Ata emigrantë himarjotë, vijnë nga një shtet i konsoliduar që u përgjigjet interesave të tyre më mirë se në Shqipëri. Sigurimet shëndetësore, fjalori politik, hallkat e burokracisë, mënyra si trajtohen problemet etj, kanë ndikuar për të protestuar ndaj interesit primitiv elektoral që po kryen Tirana ndaj tyre.

    Nuk kalohet më lumi duke premtuar një shkollë aty, një rrugë aty më tutje, sa herë ka fushata! Masat ndoshta me vonesë po e kuptojnë se ky nuk është interesim gjenuin. Është interesim fallco, është maskë.

    Për të mirën e të gjithëve dhe nëse duam të ardhme nën këtë shtet, do duhet t’i kërkojmë politikës të modernizohet të angazhohet realisht në problemet që ka marrë përsipër të zgjidhë.

    Po t’i bëhet një skanim këtij blogu, do të shikohet se situata është e pritshme nëse lidhen me hallka llogjike bëmat e politikës kohët e fundit.
    Unë psh vërej se gjithë ato lehje midis palëve se “filan politikan nuk do x qytet” apo fisteku nuk do y komunë”, po bëjnë efektin e tyre në ndarje mes popullatës. Kushdo që i mëshon asaj mënyre të foluri, po bën krim ndaj shtetit, të cilin ironikisht e përfaqëson po vetë!

  6. Te dy krahet e asaj zone, ku ben pjese shteti Shqipetar dhe Grek, jane te zhurmuar nga te semurit nacionalist, ose semundja populiste nacionaliste.

    Xha ve re zyrtaret qe jane koka e semundjes.

    Me aktive jane semundjet, por nuk duhet mohuar se kushtet e nji dialogu te civilizuar krijohen, dhe civilizimi ka mbeshtetje nga zera qe sgjejne rrugen ne propagandim, ne media.

    Sa me teper demokracia shihet te aplikohet ne Shqiperi, aq me teper sheh te shoqerohet me vjellje botkuptimore te shtypjes nga sistemi i kaluar. “Demokratet” mund fare hapur te jen anti cdo gje, por jo pro te ndonji te mire nga ato qe vinte nga sistemi i dogmave, pervec atyre te urra Skenderbe apo tjeter, ne vend te Enver.

    E perseris nje histori te vjeter, nga nje intelektual grek ne bisedat e para te viteve nentedhjete. Thonte; ” Degjonim, ne vitet tetdhjete, dhe dridheshim se nje dite do te pushtoheshim nga Shqiperia.

    Natyrisht ne te trembnim se si po e vdisnim veten, por ka nje te vertete per sakrifice te njeriut me karakter ne kete histori komike trimerore tonen ahere. Tani, te kthyer ne prodhim efekt-vdekje prures me lirine idiote ne duart e te forteve, frnojme dhe pengojme jo me pak emancipimin, qytetarine, e cila duket e destinuar ne te njejten rrjedhe, ate te vjetren, por tani nga “liria”.

  7. Ne faqen zyrtare te Ministrise se Jashtme greke, ne versionin anglisht te intervistes, perdoret fjala ‘citizen’, pra shtetas. Nderkohe qe nese ne greqisht eshte thene homogjen, atehere ndoshta ja kane futur kot ne perkthim. Megjithate terminologjia ne kete rast ka nje domethenie te brendshme qe nuk ka pse te nxise keqkuptime; Tirana zyrtare ne marredheniet dypaleshe perdor emrin Maqedoni, kurse ne arenen nderkombetare FYROM. Kjo nuk ka nxitur ndonje reagim te Greqise, politikanet e se ciles ne Athine u referohen minoritareve te Shqiperise si vorioepirote. Nderkohe, intervista e Droutsas eshte paraprire nga qendrimi zyrtar i Greqise per ngjarjen, i cili mban daten 13 gusht dhe eshte percjelle nga zedhenesi i Ministrise se Jashtme, Delavekouras. Sikurse deklaron ky i fundit, motivet nacionaliste ne vrasjen e grekut etnik, Arsitotel Guma jane te qenesishme pse jane sherbyer ne ambasaden greke ne Tirane nga policia shqiptare. Nje deklarate kjo e papergenjeshtruar nga policia jone, c’ka i jep te drejte mandej Droutsas te shprehet se “shkaqet e kësaj vrasjeje nuk kanë vend në ditët e sotme”. Pra permes qendrimit zyrtar shqiptar, pala greke flet per vrasje te qellimshme me motive nacionaliste, te cilat edhe njehere citoj “kane turbulluar minoritetin etnik grek ne Shqiperi”.

    Nese me lejohet mund te them dicka, si e mendoj, per sa i perket qendrimit te Tiranes rreth problemit te Himares.

    Kur dikush pyet se “Më thotë dot njeri se cili është ekzaktësisht qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj popullsisë greqishtfolëse të Himarës?”, atehere pergjigja ne kushtet e tanishme eshte se: Ky eshte thjesht dhe vetem nje provokim.
    Mund te flitet per menaxhim politik te situates dhe jo per qendrim.
    Hapja e shkolles greke “Homiros” ne Himare ne vitin 2006 eshte nje hap konkret ne kete drejtim, i cili per shkak te realitetit eshte vetem formal. Kemi komunitet bilingual dhe jo minoritet. Prova e kesaj qe po them jane zgjedhjet lokale te vitit 2000, kur bashkimi PS-PD, e nxori PBDNJ ne qoshe. Eshte nje prove force, e cila sa po vjen dhe po e nxjerr ne periferi Greqine. Ky spostim gradual eshte flagranca e identitetit te genjeshtert grek te disa himarjoteve, qe pergjithesohen si Himara, pse nuk do te duhej forca e Athines per te konsoliduar cilesite e tyre.
    Thene kjo, Tirana deri me tani ka patur vetem nje opsion te vertete; Heshtjen, por edhe vendosjen e Kufirit aty ku duhet.
    Duhet te pranojme se ata qe luajne ne Himare nuk kane hallin e te drejtave, por krijimin e nje harte te re administrative. Ne vitin 2004, kur diskutohej reforma zgjedhore, aleati i PS, Vangjel Dule, ish-perkthyes i Janullatosit dhe qe mbahet ne politike prej ketij, propozon ndryshimin e kufijve te zonave zgjedhore. Ideja e tij? Nje zone e vetme per minoritetin, qe te niste nga Permeti e te vijonte deri ne Himare. Saliu pranoi, socialistet e Fatos Nanos thane JO. Beteja vazhdoi me mbrapa me debatet ne Prefekturen e Vlores, ku Bollano kerkoi nga prefekti Kreshnik Alimerko qe edhe Himara te njihej si minoritet. Edhe ky tha JO. Tabelat greqisht te cuara deri ne Llogora u hoqen me vendim gjykate. Keshtu qe ajo qe citonte Konica per gjykimin e italianeve per ne, te permbledhur ne thenien “Far l’albanese”, rezulton e vertete pjeserisht. Do te doja te nenvizoja qendrimin shume interesant te Keshilltarit aktual te Presidentit te Republikes, Spiro Peci, ish-deputet i PBDNJ ne zonen zgjedhore 98 qe perkon me Bregun, i cili ne asnje rast nuk ka folur me gjuhen e Vangjel Dules. Dhe kurrkush nuk i ka vene ne dukje identitetin dhe as e ka paragjykuar. Integriteti i atij njeriu ka marre respektin e duhur. Loja ka nevoje per njerez te mencur dhe te rafinuar si i ndjeri Vasil Melo, ne menyre qe ta ndjekesh me interes dhe te mesosh se cfare eshte durimi dhe jo per ushtare qe po ekranizojne nje politike per te cilet nuk ka me asnje aktor.

    1. Theollogos:

      Pra permes qendrimit zyrtar shqiptar, pala greke flet per vrasje te qellimshme me motive nacionaliste, te cilat edhe njehere citoj “kane turbulluar minoritetin etnik grek ne Shqiperi”.

      Unë pikërisht për këtë arsye pyeta. Se si e konsideron pala greke këtë apo atë komunitet në Shqipëri, kjo nuk më intereson shumë; por më intereson, përkundrazi, si e konsideron pala shqiptare.

      Prandaj pyeta.

      E kam të qartë që pala greke e konsideron komunitetin grekofon të Bregut si minoritet etnik. Dua të di si e konsideron pala shqiptare: (1) minoritet apo jo dhe (2) çfarë lloj minoriteti dhe (3) nëse kjo është formuluar gjëkundi ligjërisht.

      Këtu ka edhe një asimetri, më duket mua – sepse pala shqiptare ka sovranitet mbi ato territore, ndërsa pala greke jo; dhe në këto rrethana, pala greke mund të këputë ç’të dojë pa ndonjë përgjegjësi, ndërsa pala shqiptare jo.

      Prandaj pyeta. Nuk është provokim politik, por nevojë për të pasur premisa të sigurta në debat.

      Dëgjova edhe që në varrim sot ishte kënduar himni grek nga të pranishmit. Kushedi sa turp duhet t’u ketë ardhur të mëdhenjve në Tiranë! Diplomatëve të paepur, që sapo deklaruan, me të madhe, se qenkan kategorikisht kundër ndarjes së veriut të Kosovës…

      1. Realiteti në Zonën e Bregut është më kompleks dhe para së gjithash shumë më dinamik se sa mund të perceptohet vetëm nga perspektiva shqiptare. Substanca e përkatësisë nacionale të asaj popullsie në këto 100 vitet e fundit i është nënshtruar një dinamike tjetër, që vijon më vete nga politikat kombëtare të shtetit shqiptar.

        Dallimet midis bregasve (maritinëve) dhe kontinentalëve (për të mos bërë dallimin në grekofonë dhe shqiptarë, që nxit në perceptime të gabuara ndoshta) janë thelbësore. Të parët janë të vetmit në llojin e tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë ngjajnë në këtë cilësi shumë më tepër me grekët e Greqisë sesa me bashkështetasit e tyre, qoftë edhe një mal më tutje në thellësi të territorit. Në kushtet e shekullit të XX ku pozita gjeofizike ka përcaktuar gjithnjë e më shumë qenësinë e popullsive bregdetare metamorfoza e bregasve ka që shumë më dinamike nga ajo që mund t’ju pëlqejë politikave shqiptare centraliste. Pavarësisht se çfarë mund të kenë qenë ata banorë përpara 600 apo 300 viteve të shkuara, ata sot si masë kompakte i janë nënshtruar një procesi helenizimi, i cili në mënyrën e vet po ndodh në kë formë e masë për herë të parë dhe është i pakrahasueshëm.

        Këtu nuk mund të shikohet detyrimisht një komplot helen anti-shqiptar, nëse grekët shpërndajnë pasaporta apo pensione për ata mjeranë, pasi është në logjikën e gjërave dhe në natyrën e fenomeneve që kombe vetvetiu zgjerohen në kurriz të fqinjëve. Ky zgjerim ndodh aje ku është i mundshëm. Nuk janë grekët që kanë po invadojnë Bregun por janë shqiptarët që po ua lënë. Shteti shqiptar në këto 100 vjet të ekzistencës së tij nuk ka qenë asnjëherë social me popullsinë e vet dhe kjo përforcon tendenca centrifugale në periferitë relativisht të pangjizura mirë etnikisht.

        Banorët e Bregut janë quajtur rëndom “grek i mutit” dhe nuk duhet parë aspak me habi, nëse ata edhe pa qenë grekë të fillojnë e të sillen si të tillë. Dje ishte relativisht e vështirë të mbahej apo të krijohej një lidhje kulturore apo edhe administrative me kombet fqinje në një aksion aneksimi etnik, sot ky nuk është fare problem. Për ta përmbledhur jashtëzakonisht shkurt, një herë që doja të shkoja nga Berlini në Himarë fluturova thjeshtë për në Korfuz. U nisa në 06:00 dhe arrita në 10:00.

        Realiteti social banorëve të Bregut është shumë më kompatibël me atë provincial të Republikës së Greqisë se asaj shqiptare.

        Bregu është ndërgjegjësuar se politikat e Tiranës Zyrtare karshi asaj popullsie janë inekzistente. Pushtetarët e Tiranës janë të interesuar vetëm në shfrytëzimin e pasurisë bregdetare por jo në zhvillimin e popullsisë lokale. Në këtë situatë ata po i kthejnë kurrizin Tiranës dhe shikojnë diku tjetër për një patronazh politik e kulturor.

        Parë nga interesat e popullsisë lokale ndoshta për ata është më mirë të bëhen një provincë periferike e një shteti me struktura sociale të ngjashme, i cili në plan të parë nuk është i interesuar për shfrytëzimin irracional të pasurive natyrore, por thjeshtë të zgjerojë territoret e vete pak në kurriz të fqinjëve, se sa të mbetet në mëshirën e një kaste politike të babëzitur dhe para të gjithash të paskrupullt, e cila do ta shtyjë në një rrënim të sigurt social, kulturor dhe ekonomik.

        Nuk duhet mbishikuar edhe dominimi politik gegë i politikave zyrtare të Tiranës sot. Veriorët që qeverisin politikisht në mënyrë absolutiste sot Shqipërinë përfaqësojnë për popullsinë e Bregut, ndoshta edhe vetëm në perceptimet e tyre të gabuara, një rrezik, të cilët këta e shmangin duke shkuar në distancë nga Tirana.

        Edhe unë ashtu do të kisha vepruar, sikur të ndjehesha i lidhur nga pikëpamja kulturore sado pak me një etni tjetër, por ja që unë jam shqiptar dhe e rri e shkruaj mirë apo keq në këtë blog dhe e lë me kaq këtë punë.

        Përkatësitë etnike të popullsive mund të përcaktohen teorikisht në një formë të vetme dhe analiza shkencore e tyre niset dot vetëm nga faktet ekzistuese. Sigurisht që kriteret për këtë punë janë të unifikuara dhe shkenca lipset të zbatojë kritere të ngjashme për konstatimet e fakteve. Por këto fenomene, veçanërisht kur ndodhen në një fazë tejet dinamike, mund të jenë një sfidë edhe për standardet vetë, pasi kërkund nuk janë parapara konstante të tipit “Berisha në pushtet”, “moratoriumi i skafeve”, “gegë myslimanë të kamur me pushtet politik e ekonomik të pakufishëm” karshi “grekofonë, popullsi e krishterë, me të ardhura simbolike karshi elitave politike të plotfuqishme në pushtet”.

        Grekët dhe shqiptarët po luajnë një lojë për Bregun dhe loja është e hapur. Edhe nëse ka parime për mos-përzierje në politikën e brendshme të shteteve fqinjë, loja për dominanca kulturore mbi popullsitë e fqinjëve është e moralshme dhe legjitime. Rezultatet e kësaj loje çojnë dikur ndoshta edhe në nevojën e ndryshimit të kufijve dhe edhe kjo është legjitime dhe e moralshme. Të gjitha këto hapa, të ndërmarrë vetëm njëri pas tjetrit, janë veprime të përfaqësueshme dot, dhe lënë pak vend për ankim, e shumta e shumta vetëm për shkak të pazotësisë për të ndërmarrë vetë lëvizjen e duhur në momentin e duhur.

        Shqiptarët po e luajnë lojën e tyre prej një shekulli keq dhe do ta humbasin Bregun.

        Bregu është Kosova e Shqipërisë.

        1. me pelqeu krejt analiza juaj, po nuk e kuptoj si perfundoi me “Bregu eshte Kosova”. Gjithe ajo mprehtesi e gjithe ai lexim qe beni, sikur nuk e justifikojne nivelin e analogjise, per sa kohe Kosova me Bregun, pervec nje shprehjeje teknike te perbashket te deshires per mevetesi apo “enosis”, nuk duken te kene paralele te tjera ne te kaluaren e tyre administrative, kulturore, demografike. Jo cdo territor i tehuajzuar prej shtetit e kultures qe e mbeshtjell eshte i barazvlefshem, mendoj, por po ashtu jam gati te kuptoj se krahasimin e keni kerkuar sa me afer, per ta bere me urgjent e te prekshem. Duke mbetur serisht afer me krahasime, mbase mund te thoshim se Bregu ne fakt, eshte Rebublika Serbska.

          Mund te jem edhe une gabim ne analogji, por tek e fundit, me shpeton harmonia me titullin e artikullit kreysor qe nxiti gjithe keto komente

          1. E kisha fjalën më tepër, që kur konflikte perceptohen gabim që në fillim, atëherë pavarësisht nga natyra e tyre dhe raportet midis palëve, zgjidhja është paracaktuar. Bregu e ka nisur shkëputjen haptazi prej vitesh, sepse shteti shqiptar nuk i ofron asnjë perspektive, sikundër edhe nuk i ka ofruar asnjëherë.

  8. ””Këtu unë nuk kuptoj se ç’do të thotë shprehja “shkaqet e kësaj vrasjeje nuk kanë vend në ditët e sotme”; as këmbënguljen e ministrit se incidenti vetë është i papranueshëm (se kush vallë ka thënë të kundërtën? kush e ka pranuar incidentin?).””

    Termi ‘i papranueshem’ perfaqeson nje kercenim, legjitimon ne nje çast te dyte apo ndodhi te ngjashme ndonje nderhyrje. Po ashtu ‘e paprekshme’ perfaqeson nje kercenim per nderhyrje.

    Himarioteve u njihet zyrtarisht kombesia shqiptare, nuk perfaqesojne asnjefare minoriteti, i vrari rezulton shqiptar si nga shtetesia ashtu edhe kombesia, njefaresoj mund te cilesohen ‘shqiptare grekomane’ dhe grekomania eshte semundje e vjeter; e denonconte haptazi para 100 vjetesh nder te tjere edhe Mihal Grameno.

    Per Tiranen zyrtare, nje shqiptar etnik ka vrare nje shqiptar etnik.

    Himariotet njihen si shqiptare edhe nga shqiptari mesatar, prandaj ky i fundit kur shkon per pushime, habitet ose edhe irritohet nese degjon greqisht. Megjithate Bollano ka bere pune te madhe ne perceptimin e himarioteve si greke.

    Ne vija te trasha himariotet grekomane, perceptohen si puna e emigrantit qe kthehet ne Shqiperi e flet greqisht , qe kafeneve i quajne me tallje ‘Jorgo’; erdhen Jorgot.
    Jorgo eshte bere gjitheperfshirese per emigrantet ne Greqi.

    Himara eshte zjarr i ndezur, po te ishin te gjithe grekomane do e kishin marre statusin e minoritetit etnik, po ka edhe himariote qe s’jane semure ende por jane shqiptare dok.

    Persa i perket analogjise, Gramoz Palushi e shume te tjere si ai jane shqiptare qe vuajne urrejtjen greke ne Greqi, himariotet jane shqiptare qe nese vuajne ndonje gje, eshte urrejtja shqiptare per grekomanine.
    Himariotet s’jane si arvanitet, keta jane shqiptare te merguar ne Greqi e te grekomanizuar, kurse himariotet shqiptare vendas grekomane. Te dyja palet jane shqiptare grekomane. Nuk qendron as analogjia e Tiranes qe fut hundet ne çeshtjet e arvaniteve.

    ”’Nga ana tjetër, mendoj se himarjotët kanë një shkallë tjetër të vetëdijes sociale, duke marrë si shembull atë të shtetit grek”’

    U bere edhe ti Jorgo me duket 😀

    ”’Kështu përveç konfliktit “etnik”, kemi dhe konflikt social. Madje do të thosha, konflikti është parësisht social. Ata emigrantë himarjotë, vijnë nga një shtet i konsoliduar që u përgjigjet interesave të tyre më mirë se në Shqipëri.””

    Po ka nje permase sociale grekomania e himarioteve, ne vija te trasha himariotet jane ne nje mase te madhe te gatshem te blihen me laçka e plaçka prej grekut dhe sikur te mos nxirrnin fitime te medha prej plazhisteve gjate veres do kishin bere ndonje proçke.

    Politika e greqizimit nepermjet ‘sociales’ eshte e suksesshme, po kete asimilim nepermjet ‘sociales’ e kemi vuajtur prej shekujsh, here nga njeri e here nga tjetri, si fisi i himarioteve kemi fisin e Kuçit, gjys shqiptar e gjys malazez.

    Me gallate ne kete muhabet jane kozmopolitet shqiptare por besoj edhe ata greke, as mish as peshk, perpeliten majtas-djathtas, ngjajne me socialistet europiane ne prag te Luftes I Boterore dhe po ashtu si ata do silleshin po te ndodhte ndonje e pabere.

    1. Nuk është çështje e të bërit a të qënit “Jorgo”, është më e thellë se aq. Do të më vinte keq që të banalizohej në këtë mënyrë debati.

      Së pari unë këtyre njerëzve (himarjotëve, atyre që kanë marrë karta minoritari pa qënë me origjinë greke), ua heq krejt fajësinë për një akt të tillë.

      Dhe nuk po shkoj as që t’i justifikoj. Ata veprimet që kanë bërë, i quaj krejt të llogjikshme.
      Kush do të rrijë në rradhë si qeni kur mund të kalojë lirshëm nëpër pika kufitare me ato dokumenta?

      Kush do të priste të “liberalizoheshin vizat” dhe të mos preferonte që pa përfillur politikanët tanë, të ishte i lirë të udhëtonte nëpër Evropë, madje edhe në Amerikë? E di që sipas një marrëveshjeje të fundit, shtetasit grekë mund të shkojnë në Amerikë pa vizë?

      Kush do të zgjidhte të rrinte në Shqipëri pa ujë e drita, pa drejtësi, mbytur në korrupsion kur mund të siguronte një punë diku tjetër dhe dinjitetin njerëzor?

      Unë atë pikëpamje sociale e kam mbajtur gati në çdo temë këtej pari.
      Kur bëheshin privatizime, kur hiqej shërbimi i detyrueshëm ushtarak, kur kishte tema për mangësi në shërbimin shëndetësor etj.

      Dhe kam thënë pikërisht kështu: Në botën siç po ndërtohet sot, “pa kufij” shteti shqiptar është në konkurrencë të drejt për drejt me fqinjët në lidhje me nënshtetasit e vet, për tu siguruar këtyre të fundit siguri, integritet, punësim, shërbime sociale etj.

      Është e llogjikshme për mua, përsa kohë shteti shqiptar hyn në lojën e globalizmit pa kushte dhe pa brekë, që nënshtetasit e tij, të bëhen nënshtetas të një shteti tjetër.

      Është shumë e llogjikshme. As i vë faj hiç po fare himarjotit që refuzon të mbajë mbi shpinën e vet papërgjegjshmërinë e pushtetit të Tiranës. Fare nuk i vë faj.

      Vetë unë të kisha mundësi, do të doja të dorëzoja që nesër pashaportën time shqiptare, bashkë me detyrimet, përgjegjësitë dhe të drejtat që më jep kjo nënshtetësi.
      Nuk i dua më.

  9. LUFTA PËR HIMARËN

    http://rrokum.tv/?page=1,9,1252

    Olsi Jazexhi

    Incidenti që ka ndodhur në ditët e fundit në Himarë, kur një i ri vlonjat shtypi me makinë një shtetas shqiptar – minoritar grek, Aristotel Guma, dhe reagimet që kjo vrasje ka krijuar në Shqipëri dhe në Greqi, tregojnë edhe njëherë sesa të tensionuara janë marredhëniet shqiptaro greke, kur vjen puna të çështjet e minoritetit greko-ortodoks në vendin tone. Reagimet e nxehta nga bashkiaku i Himarës, Vasil Bollano dhe himariotëve për protesta dhe kërkesën nga shteti shqiptar që të marrë masa për të ndërshkuar fajtorin, dhe ndërhyrja e Peshkopit Janullatos në favor të Aristotel Gumës, tregojnë qartë mentalitetin e rrethimit që minoriteti grek ka në Shqipëri kur përballet me presionin e shqiptaristëve. Këto reagime tregojnë në të njëjtën kohë edhe shpirtin e fortë të mobilizimit që kanë greko-ortodoksët për të ruajtur identitetin e tyre, dhe që janë për t’u patur zili nga muslimanët shqiptarë të cilët përbuzen, ofendohen, dhunohen dhe katoliçizohen nga establishmenti laik i Tiranës, ndërsa këta rrinë urtë dhe si të vdekur.

    Edhe pse shkruesi i këtij shkrimi nuk ka ndonjë simpati të veçantë për politikën helenizuese greke në Shqipëri, dhe rolin jo-pozitiv që peshkopi Janullatos ka përçuar në këto vitet e fundit çfarë dua të vë në pah në këtë shkrim është reaksioni histerik që vjen nga pala nacional-komuniste shqiptare në rastet kur minoriteti grek i Himarës proteston për mbrojtjen e të drejtave të tij. Në këtë shkrim dua të tërheq vërejtjen e katër shkrimeve që kam lexuar në gazetën Panorama, Start, Metropol dhe Shekulli. Reagimet që dua të vë në pah, kanë ardhur nga katër shqiptarë, muslimanë apo me origjinë muslimane: Pëllumb Xhufi (“Historiani Pëllumb Xhufi: Deklaratat e Janullatosit mbajnë erë myk “Bollano e përdori vdekjen për helenizmin e Himarës”); Agron Tufa (“Neuroza e të konvertuarit”); Ergys Mërtiri (“Nga se kërcënohet në të vërtetë minoriteti grek”); dhe, Dritan Egro (“REAGIME TE EGZAGJERUARA, PRETENDIME TE PAMBESHTETURA NE HISTORI”). Të katërt këta pasi kanë sulmuar himariotët për identitetin e tyre grek, pretendojnë se Himara është dhe ka qënë shqiptare. Pëllumb Xhufi p.sh., ndërsa sulmon Bollanon për “patriotizmin” e “helenizmin” e tij, pretendon që Spiro Spiromilo, të ketë qenë shqiptar “me rrënjë të largëta në Progonat dhe që thoshte se ishte grek, shpenzoi një jetë të tërë duke luftuar për Greqinë, shpeshherë edhe kundër atdheut të vet, Shqipërisë.” Agron Tufa shkruan që “Shqiptarëve të vjetër himariotë, bashkëluftëtarëve të princërve shqiptarë dhe të Skënderbeut, do t’u vinte turp për pasardhësit e tyre, që nuk e tejkaluan dot nivelin e barkut, nivel, i cili u tjetërsoi gjuhën dhe, siç pretendojnë udhëheqësit e tyre, identitetin. Sindroma masive dhe autosugjestive e të konvertuarit, është burimi paradoksal i neurozës himarjote.” Dritan Egro shkruan se “Për mua si njohës i historisë së rajonit këto reagime më duken disi të ekzagjeruara, aq më tepër kur në dokumentacionin historik që lidhet me historinë e këtij rajoni e kam shumë të vështirë të gjej elementë etnikë grekë në këtë rajon bregdetar shqiptar. Himara pas rënies së qëndresës së Skënderbeut, duke filluar nga fundi i shek. XV e më pas, ka qenë një vatër shumë e rëndësishme e qëndresës anti-osmane. Por ndryshe nga viset e tjera shqiptare, ky rajon ra nën sundimin osman me një shkallë të caktuar autonomie. Dokumentacioni osman dëshmon se kurrsesi nuk mund të bëhet fjalë për ndërprerjen e lidhjeve dhe kontakteve të këtij rajoni me viset mesdhetare fqinje, dhe veçanërisht me ato të Italisë, ku veçanërisht Papati dhe Venediku janë konsideruar si fuqitë e vetme politike të afta për ta shpëtuar Ballkanin nga sundimi osman. Në kushtet e një sundimi të fortë perandorak dhe falë pozicionit të ekspozuar ndaj detit, Himara ishte gjithashtu një ndër hapësirat shqiptare më të ekspozuara ndaj ndikimit venedikas në të gjitha rastet kur kjo e fundit vendoste të prishte paqet me Shtetin Osman.” Kurse Ergys Mërtiri sulmon Bollanon për deklaratat e tija në mbrojtje të minoritarit të vrarë grek, duke e quajtur “provokator sistematik”, “i interesuar për një klimë konfliktuale”, “përpiqet të stisë skenarë të errët” etj.

    Çfarë të bie në sy në prononcimet e katër shkruesve në fjalë në lidhje me konfliktin e Himarës dhe reagimin e Bollanos dhe Janullatosit në mbrojtje të grigjës së tyre është territorializmi imagjinar dhe historik që këta shkrues i bëjnë Himarës, të cilën e tregojnë si “tonën”, “shqiptare”, si pasardhëse të luftëtarëve të Skëndërbeut, anti-osmane, të lidhur me Italinë, Papatin dhe Venedikun, me rrënjë të largëta në Progonat etj. Barazimi me shqiptarizëm i Himarës meqë ajo ka komunikuar me Vatikanin, është njësoj siç bënte para ca muajsh në Kosovë Shaban Sinani i cili tregonte Pjetër Bogdanin si shqiptar kurse Qyprilijtë si jo-shqiptarë, meqë i pari ishte me Vatikanin, ndërsa i fundit me sulltanin. Në shkrimet që kam lexuar për këtë punë më ka lënë përshtypje edhe Agron Tufa, i cili për të degraduar himariotët, citon fondamentalistin hindu, V.S. Najpol, të cilit administrata Bush ndikoi që t’i jepet Cmimi Nobel gjatë fushatës histerike anti-muslimane të pas 11 shtatorit, për t’i portretizuar himariotët si grekë ekstremistë “të konvertuar” dhe si pasojë jo grekë të vërtetë. Ndërsa Ergys Mërtiri sulmon himariotët edhe për arsyen pse në faqen zyrtare të bashkisë së Himarës, ata tregojnë versionin e tyre të historisë, ku sipas tyre, Himara u çlirua nga osmanët nga Spiro Spiromilo në 5 nëntor 1912, por në “9 shkurt 1914, himarjotët kundërshtuan planet e fuqive të mëdha për t’i përfshirë brenda kufijve të shtetit shqiptar.”

    Konflikti i himariotëve me shqiptaristët mund të shihet edhe kur dikush viziton dy faqet alternative të Himarës që gjenden në internet. Njëra me adresë: http://www.himara.gov.al e tregon Himarën si shqiptare, dhe është vetëm në shqip dhe ka informacion shumë të pakët, por mban domainin gov.al, ndërsa tjetra që mund të lexohet në http://web.archive.org/web/20071030074018/www.himara.eu/index-en.html dhe më parë në himara.eu e tregon Himarën si greke, ka shkrime në tre gjuhë, tregon për aktivitetet e himariotëve grekofonë, për shoqatën “KOMUNITETI HIMARIOT” me kryetarë Thedhori Bollanon e Stavri Markon, jep informacione të detajuara, tregon logot e tyre në greqisht dhe në shqip, dhe e bën lexuesin të kuptojë që kjo trevë është grekofone.

    Për lexuesit jo-nacionalistë të historisë, dhe ata që e kanë vizituar dhe njohin Himarën mirë, grekofonia e saj është e lexueshme dhe e vulosur nga historia. Shkruesi i këtij shkrimi është i mendimit se shkrimet histerike që lëshohen kundër himariotëve sot, të cilat kërkojnë t’i shqiptarizojnë me pahir ata, jo vetëm që janë jo të-drejta, por janë historikisht të gabuara dhe janë pak a shumë ana tjetër e medaljes së histerisë nacionaliste që grekët tregojnë kundër shqiptarëve në Greqi apo serbët në Serbi dhe maqedonët në Maqedoni. Ndërsa shqiptarët nuk duan dhe refuzojnë helenizimin dhe ortodoksizimin apo disa të tjerë edhe katoliçizimin dhe italianizimin që i bëhet atyre në Greqi dhe Itali, nëse duan të jenë të drejtë, ata duhet të shohin me sy kritikë histerinë nacionaliste që demonstrohet nga pala shqiptare sa herë që himariotët duan të theksojnë identitetin e tyre grek në Shqipëri. Himariotët kanë të drejtë të jenë grekofonë, për sa kohë që kjo grekofoni nuk shkakton konflikte shtetesh. Ndërsa shqiptarët muslimanë kanë qenë historikisht filo-turq, himariotët ashtu si edhe arvanitët e Napoleon Zervës, Marko Boçarit, Bubulinës dhe herojve të tjerë të revolucionit grekë, kanë qenë anti-muslimanë dhe anti-turq. Në 1914 me majorin Spiro Spiromilo himariotët deklaruan autonominë e Himarës dhe nuk donin të ishin pjesë e Shqipërisë, në të njëjtën mënyrë siç edhe çamët nuk donin të ishin pjesë e Greqisë, apo muslimanët e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë së Mesme dhe Kosovës nuk donin të ndaheshin nga Perandoria Osmane. Drama e Himarës, ashtu si edhe drama e Çamërisë dhe e shumë popullatave muslimane dhe ortodokse në Ballkan erdhi si pasojë e nacionalizmit dhe politikave laike që Fuqitë e Evropës luajtën me Ballkanin Osman, duke krijuar shtete sipas fantazive të tyre romantike dhe shqiptarizuar më dhunë grekomanët, e grekizuar e bullgarizuar me dhunë muslimanët.

    Një faj të rëndë në dramat fetare dhe etnike në Ballkan kanë edhe historianët nacionalistë si ata grekë, bullgarë, serbë por edhe shqiptarë. Në rastin e Shqipërisë, hordhia e historianëve nacional-komunistë shqiptarë ka bërë shpifje të atilla historike që jo vetëm që pretendonë që himariotët janë shqiptarë meqë kanë luftuar kundër turkut (kur turku në shumë raste ishin shqiptarë muslimanë), por kanë bërë edhe herojtë arvanitë të revolucionit grek që nga Marko Boçari e deri te Kollokotroni shqiptarë. Historianët në fjalë jo vetëm që gënjejnë (ndoshta nga ethet nacionaliste) por për mendimin tim janë thelbi i vërtetë i konflikteve që ndodhin sot në Ballkan. Pretendimet e historianëve nacional-komunistë shqiptarë që i shohin himariotët si shqiptarë meqë ata ishin me Skënderbeun, Vatikanin dhe Venedikun dhe luftuan kundër turkut dhe muslimanëve – janë fantazi të stisura nga austro-hungarezët dhe italianët në Shqipëri; fantazi që synonin de-islamizimin dhe de-ortodoksizimin e miletit Rum dhe Islam dhe katoliçizimin kulturor të shqiptarëve. Falë këtyre politikash të çmendura dhe pretendimesh historike absurde, pas vitit 1920, himariotët ashtu si edhe muslimanët dhe ortodoksët e tjerë të Shqipërisë vuajtën pasoja të rënda në identitetet e tyre. Atyre iu ndalua gjuha, iu mbyllën shkollat, kishat e xhamitë, u ndanë nga Kalifati dhe Patriarkana e Kostandinopojës dhe u laiçizuan, skënderbegizuan, ilirianizuan e pellazgizuan dhe katoliçizuan kulturalisht me dhunë.

    Për mua sulmi që i bëhet himariotëve sot është i padrejtë. Himariotët nuk duhet të sulmohen për ndjenjat e tyre grekomane, për sa kohë që këto ndjenja nuk shkaktojnë konflikte ndërshtetërore. Shqiptarët duhet të mësohen të jetë tolerantë, të pranojnë që muslimanët shqiptarë mund të kenë heronjë të tyre sulltan Muratin e Mehmet Fatihun, Musa Qazimin, Haxhi Qamilin dhe Esat Pashë Toptanin, ndërsa himariotët Spiromilon, Marko Boçarin dhe Venizelosin, dhe të mos i sulmojnë komunitetet e tjera etnike dhe fetare që jetojnë në Shqipëri nga ethet e sëmura nacionaliste.

    Mua më shqetëson shume edhe fakti që sulmet kundër himariotëve sot lexohen edhe në disa faqe Islamike që mbahen nga besimtarë muslimanë, siç është faqja http://vizion-islam.com/ dhe http://www.gazetastart.com/. Allahu i porosit muslimanët në Kuran që të jenë të drejtë me popujt e tjerë dhe që në fe nuk ka dhunë. Por kur në këto faqe unë shoh shkrime si ai i Agron Tufës apo Ergys Mërtirit që sulmojnë himariotët pse ata ndjehen grekë dhe jo-shqiptarë, që ndjehen si pasardhës të Spiromilos dhe Bizantit dhe jo të Skënderbeut, Romës dhe Vatikanit, e konsideroj një gjë të këtillë gjynah të rëndë fetar dhe veprim që shkon kundër urtësisë së Kuranit. Profeti Muhamed i tregon muslimanëve që nuk ka dallim ndërmjet arabit dhe jo-arabit, dhe të ziut dhe të bardhit. Nëse himariotët e shohin inkorporimin e tyre në Shqipëri si pushtim, përse duhet që faqja vizion-islam.com apo gazetastart.com të botojnë shkrime nacional-shqiptariste që mbrojnë këtë pushtim laik? Feja Islame dhe në veçanti hanefizmi otoman i ka toleruar minoritetet etnike dhe fetare në Perandorinë Osmane për 600 vjet. Vetëm nacionalizmi i egër turk, grek dhe shqiptar i sulmoi dhe shkatërroi këto minoritete, siç shkatërroi edhe fenë në vendin tonë dhe i bëri shqiptarët popull si jexhuxh–maxhuxhët e Dhulkarnejnit, që në 1967 i shpallën luftë edhe Allahut. Të sulmosh himariotët sot pse ata ndjehen ortodoksë dhe grekomanë, është gjynah i rëndë që bie ndesh me urdhëresat e Kuranit dhe është njësoj siç edhe kur nacional-komunistët shqipfolës sulmojnë femrat muslimane për hixhabin që ato mbajnë në kokë dhe i imponojnë shqiptarëve nëpër shkolla që të adhurojnë katoliken me hixhab Nënë Tereza. Himariotët ashtu si edhe muslimanët, duhet të jenë të lirë të besojnë çfarë të duan në Shqipëri dhe mësojnë historitë e tyre alternative të të kaluarës. Të bësh muslimanët shqiptarë të besojnë se Nënë Tereza është heroinë e tyre, dhe himariotët se janë shqiptarë, është dhunë shtetërore që shkel liritë e besimit dhe njeriut.

  10. Edhe njehere. Himara nuk eshte ceshtje diplomatike per Shqiperine. Nuk ka pale diplomatike shqiptare ne trajtimin e situatave qe krijohen ne nje zone te caktuar te territorit te Republikes se Shqiperise. Ka vetem probleme te rendit publik, te cilat jane kompetence e Ministrise se Brendshme dhe Policise se Shtetit.
    Konkretisht, Greqia reagoi zyrtarisht per ngjarjen e Himares duke lene nentekstin e qarte se kemi te bejme me Probleme ne Minoritetin Etnik Grek ne Shqiperi. Nuk ka asnje reagim zyrtar te Shqiperise ndaj ketyre deklaratave dhe nuk ka sesi te kete. Ka vetem deklarata te ministrit te Jashtem dhe Kryeministrit te cilet kane shprehur besimin se organet hetimore dhe Gjykata do te vendose drejtesine. Deklarata te dhena jo posacerisht, por kur jane pyetur nga gazetaret. Thjesht nuk ka ceshtje te Himares per Shqiperine. Ndoshta ka per opoziten e tanishme e cila ne te vetmen deklarate te veten per situaten e krijuar tha se “Qeveria ka humbur kontrollin mbi territorin”. Po opozita jone dihet se ku eshte katandisur ndaj edhe sic thote dikush me lart “lere ate muhabet”.
    Nuk ka minoritet ne Bregdet dhe zgjedhjet lokale te vitit 2000, ku PS dhe PD bashkuan votat duke fituar mbi perfaqesuesin e PBDNJ, vertetojne kete gje, si per Ne ashtu edhe per Ata. Komuna Lukove qe thyen gjeografikisht vijen prej Himares deri ne Sarande drejtohet nga PD, sikurse edhe Bashkia Sarande.
    Para disa kohesh Droutsas deklaroi se “se bashku me OSBE Greqia do te vere ne zbatim nje projekt per regjistrimin e pronesise ne Bregdetin e Jugut te Shqiperise”. Reagimi? Zero. Asgje. Ka me mijera ministra ne kete bote qe mund te deklarojne shume gjera, nuk mund te reagohet per cdo gje. E mira e kesaj pune eshte se pas velos demokratike qe ne Shqiperi perkthehet “une them c’te dua”, synimet e verteta dhe te supozuara dolen ne siperfaqe zyrtarisht. Shqiperia per minoritetet ka siguruar te gjitha te drejtat kushtetuese dhe kjo eshte pranuar nga te gjithe. Referenca e Athines se problemet qe dalin here pas here ndikojne ne rrugen e Shqiperise per ne Evrope, jane shantazhi i fundit qe detyron kafshimin e gjuhes apo edhe vetekufizimin. Regjistrimi me vetedeklarim eshte nje cedim qe behet edhe pse nga informacionet qe kam, disa prova konkrete ne terren, si ne Narte apo ne Dropullin e Poshtem kane sjelle disa te paprituara.

  11. ”’Të sulmosh himariotët sot pse ata ndjehen ortodoksë dhe grekomanë, është gjynah i rëndë që bie ndesh me urdhëresat e Kuranit”’

    Ja nje gjakprishur tjeter me shkolle. Ketij i ka ngelur ora tek kozmopolitizmi etik dhe Perandoria Osmane.

    ””Këtu nuk mund të shikohet detyrimisht një komplot helen anti-shqiptar, nëse grekët shpërndajnë pasaporta apo pensione për ata mjeranë, pasi është në logjikën e gjërave dhe në natyrën e fenomeneve që kombe vetvetiu zgjerohen në kurriz të fqinjëve. Ky zgjerim ndodh aje ku është i mundshëm.””

    Po si qenka ne logjiken e gjerave zgjerimi ne kurriz te fqinjeve dhe njekohesisht nuk paska komplot grek anti-shqiptar? Si u beka zgjerimi me ane te asimilimit pa ndjekur nje politike anti-shqiptare ? Mos ke shpikur ndonje lloj logjike qe s’gjendet ne manualet e logjikes ?

    Sigurisht qe zgjerimi behet ne kurriz te fqinjit, kjo eshte ne logjiken e gjerave po ne Shqiperi ska vetem kozmopolite qe jane dakort qe Himara te quhet greke e nese ka takat greku le ta marre, ka edhe shqiptare, nga ata qe u verbojne syte kozmopoliteve, nga ata qe duhen arrestuar pse flasin si shqiptare.

    ”’Rezultatet e kësaj loje çojnë dikur ndoshta edhe në nevojën e ndryshimit të kufijve dhe edhe kjo është legjitime dhe e moralshme.”’

    Hajde mendje hajde, qenka legjitime dhe e moralshme qe toka shqiptare ti kaloje te huajit.
    Edhe pastaj kategorise tende i djeg kur e cilesojne antishqiptare, te shitur,gjakprishur,tradhtare etj.

    Ja çthoshte Mihal Grameno:

    – Shumë keq më vjen të përdor fjalë si «trathëtar» e «i shitur» edhe aqë më shumë për vëllezër shqipëtarë, po faji është i atyre, të cilët janë berë vegla e të huajve edhe armikët e kombit të tyre. Qysh munt ta nemëronj e quanj klikën ose kamarillën e Mitropolisë me Efrem Gjinin nga Elbasanin edhe Jani Dardhën me &-inë?1

    Nukë se s’janë korçarë pa flas për këta, po këta janë shkakëtarë e gjithave ç’kanë ngjarë e ngjasën në Korçë. Qysh mundet njerës të mbaruarë në shkollat e larta të jenë kundra kombit tyre, përveç se janë të shitur?

    Një komp pret shërbime nga të këtillë njerës e jo intriga e armiqësi. Në thënçin se me këtë mënyrë duan t’i sjellin dobi kombit, këjo i lakuriqëson edhe më tepër që s’janë tjatër gjë përveç propagandistë të grekomanisë, se tjatër soj qysh munt të mbushin qëllimnë, kur kërkojnë të ndajnë orthodhoksët nga muhamedanët e nga katolikët?

    Po veçoj:
    – Qysh mundet njerës të mbaruarë në shkollat e larta të jenë kundra kombit tyre, përveç se janë të shitur?

  12. – Nexhiip, c’thote Kurani kur nje rebel ngre doren kunder
    ushtareve te Padishahut?
    – Rebelit i pritet koka
    – Po kur rebelet jane 10, 100, 1000?
    – Njesoj eshte per te gjithe. Gjakun e keq vetem shpata dhe
    shushunja i zhduk
    – Bilbil je Nexhip, Bilbil.

  13. Ne Shqiperi nuk eshte nevoja te lindesh bregas per te ndjere qe je i paperfillur nga shteti yt. Provoni te hyni (ne) apo dilni nga Memedheu me nje pashaporte shqiptare. Pike respekti nga punonjesi i aeroportit qe te drejtohet ne vete te dyte sikur te ka prere kerthizen. I buzeqesh njekohesisht Adolfit bjond austriak 14 brezash, qe pret te paraqese pashaporten e tij ne kabinen fqinje, per te huajt. Ti rri e pret shqiptarce, ne rradhe me brryla sic e do zakoni, deri sa (sic e kerkon vete riti i rradhes) te hypin nervat e hop, nxjerr ATE, pashaporten tjeter. Tash Shaba te buzeqesh dhe ty, te thote dhe nje po pse s’e qite qysh n’fillim mi goce !, na lodh kot me kte tonen-me perkedheli. Se ajo shqiptarja kontrollohet nga te kater anet, paskerka plot te huaj qe mundohen te fallcifikojne pashaporten shqiptare. Kur ti ne gjuhen e nenes ia del te marresh dhe bagazhet, shikon qe Adolfi me gjuhen e nenes se tij i ka hypur me kohe taksise e rreshqet mbi autostrade.
    C’tradheton sjellja e Shabes :
    1. Shteti as e ka pasur e as ka ne plan te informoje punemarresit se cilat jane karakteristikat e sherbimit publik. Me sa me kane zene syte, vendet e lindjes kane nje problem me sjelljen e sherbimit publik.
    2. Mirepo lindoret e tjere jane noprane si me pakistanezin dhe me belgun dhe me vendasin. Qello ne Budapest te nderrosh avionin. Kulla e Babilonit mblidhet ne nje korridor te ngushte qe te shpie ne dy kabina kontrolli. Korridori mbikqyret nga ca kamera qe s’bezajne e ca hungareze e hungareze qe gulcojne duke nderruar shiritat qe kufizojne nje pjese te papercaktuar te turmes nga tjetra sipas nje plani qe ti s’arrin t’ia gjesh dot kuptimin. Madje te duket qe gjithe mundimi hungarez eshte nje mundim Tricluajtesi. Uhetari te mos kuptoje se ku do vije e shpaloset shiriti i kuq rradhes tjeter. Kerko te nderrosh dy fjale te vetme me nje nga punonjesit. Shikimi te ben te pendohesh qe s’ke lindur memec.
    Dua te them me gjithe kete zgjatje per te cilen iu kerkoj ndjese, qe edhe une qe s’jam bregase, edhe ju qe si une keni nej pashaporte te dyte ne xhep, c’te drejta dhe detyra te jep qytetaria i kemi ndjere per here te pare ne dhe te huaj, ne gjuhe te huaj. Lidhja jone me Atdheun mbetet thjesht sentimentale. Gjithe Shqiperia eshte Himare, ne gjetem nje shtet qe na adoptoi,Olsi Jazexhiu gjithashtu, Himara eshte akoma ne kerkim. Te hapte Roma gojen e te thoshte qe Kruja eshte me origjine italiane e te shikonit kur te harronin Skenderbeun krutanet.
    Mendimi im eshte qe Greqia po luan nje loje kryekeput te papjekur, pavaresisht se e shtetit tone s’mund te jete vecse e pandergjegjshme, sic e do zakoni.

  14. “,,,loja për dominanca kulturore mbi popullsitë e fqinjëve është e moralshme dhe legjitime.”- Pifto

    Edhe nese kjo loje bazohet mbi incidente banale duke i kthyer ne konflikte etnike apo fetare?

    Mua me duket se i gjithe thelbi qendron pikerisht ketu. E thene me thjeshte pjesa e Himarioteve te cilet e shohin veten te asimiluar ne kulturen greke per arsye kryesisht pragmatike po e kuptojne se po e humbasin gradualisht kete”loje”. Pse?

    Sepse ka disa vite qe balanca e ndikimit kulturor dhe ekonomik ne Himare po ndryshon. Himariotet po fillojne te shohin interes ekonomik tek shqiptaret te cilet vijne si pushues gjithmone e me shume. Nese deri dje ne Himare nuk kapej asnje TV shqiptar sot te pakten mund te shihen dy apo tre te tille. Pushuesit nuk sjellin thjesht leket por edhe shqiptarine, kulturen e tyre. Te pakten ky ishte perceptimi im ato dite qe isha atje (kur edhe ndodhi ngjarja). E thene thjesht si vezhgues i paperfshire nga ndonje ndjenje nacionale: aty shqiptaria dominonte. Kuptohet se kjo ndodh vetem per disa muaj por mjafton qe te jete nje goditje e forte ne kete bicim “loje”.

    Ne kete prizem grekofilet fanatike (ne dallim nga ata jofanatike) shtrengohen te perdorin menyra me kreative sesi mund ta fitojne lojen. Psh. te ngrihen ne kembe per nje ngjarje banale dhe te bllokojne rrugen (lexo ndikimit financiar dhe kuturor shqiptar) te nxjerrin ne shesh nja 30 adoleshente per te protestuar me pllakata greke (edhe pse akoma nuk ishin zbardhur faktet). etj etj.

  15. Agron TUFA

    http://www.gazetastart.com/analiza/analist/Agron_TUFA/1068/

    Neuroza e të konvertuarit

    I
    Tensioni midis Himarës dhe shtetit shqiptar përbën një nyje nervozizmi, që shpërthen herë pas here me mllefe, që në thelbin e origjinës, nuk janë veçse artifica të mbishtresuar në kohë të ndryshme.

    Është gjithsej një autosugjestion i formuar pak me dashje, pak me imponim e pak me strategjinë e ndikimit, stimulimit dhe alibisë, për gjoja tjetërsinë etnike të këtij regjioni, duke u nisur nga dygjuhësia e shekullit të fundit. Mjafton një incident apo një provokim, që të shpërthejë ajo që është maskuar keq, si çështje e ftohtë identiteti. Si është formësuar ky realitet i nervozuar midis himarjotëve dhe shqiptarëve të zonave përreth? Pak t’i kruash koren kësaj “lufte të ftohtë” dhe rrënjët të çojnë në konjuktura historike, ideolologjiko-shoviniste e, njëkohësisht, religjioze.

    Përfaqësuesit e shtetit shqiptar, deklaratat dhe opinionet e nënshtruara dhe vetëposhtëruese të politikës shtetërore kanë ndikuar, me dobësinë e tyre, në krijimin dhe pranimin e një hiper-realiteti “minoritar” në Himarë, çka ka bërë tashmë, që “legjenda” minoritare e Himarës, e nisur si artificë mashtrimtare, të përfundojë e pranuar si një realitet i njëmendët “demokratik”.

    U desh të ndodhte një tragjedi, që për shkaqe banale, i mori jetën një të riu, për të parë se në çfarë humnere të mjerueshme ka rënë dinjiteti i shtetit. Nuk është fjala për jetën njerëzore, që është një dhe e pakthyeshme, pasi me vdekjen e një njeriu, n’akord me çdo urtësi, është vrarë gjithë njerëzimi. Por meqenëse vdekja tragjike e të riut himariot po shfrytëzohet për propagandë të madhe politike, religjioze e nacional-shoviniste, a nuk është më mirë të mos i ngatërrojmë gjërat dhe të shohim esëll në zemër të problemit?

    Me shkaqet le të merret drejtësia, sikundërse për çdo shtetas shqiptar, por përtej kësaj tragjedie personale, përse u dashkan fryrë retorikat e simbolikave politike ndërnacionale e religjioze? Reagimi i Ministrisë së Jashtme greke dhe, njëkohësisht, reagimi i kryepeshkopit grek që kryeson Kishën e Autoqefale shqiptare, fyejnë çdo shqiptar me tonin e tyre shantazhist. Thjesht toni urdhërues i deklaratave greke përbën një fyerje të papranueshme për dinjitetin kombëtar të shqiptarëve.

    Shteti grek dhe politika e tij gjenocide i ka tejkaluar përgjatë shekullit të fundit të gjitha rekordet e krimeve masive ndaj shqiptarëve, duke shfarosur e shuar krahina të tëra me shqiptarë etnikë autoktonë, deri në realitetet e fundit ksenofobike, plot epsidode të përgjakshme midis emigrantëve. Indiferenca me të cilën i ka përcjellë politika greke këto tragjedi shoqërore e individuale, ka qenë “meritë” e mefshtësisë së turpshme të shtetit shqiptar.

    II
    Nëse rrënjët e incidentit që i mori jetën djaloshit nga Himara kanë të bëjnë me kundërvënien e përkatësisë nacionale, në një sherr banal plazhi, atëherë përse duhej reaguar në mënyrë kolektive, duke thyer ligjet e shtetit shqiptar në protesta me bllokimin e rrugës? Kush e frymëzon dhe e udhëheq këtë histeri kolektive dhe çfarë parashikon ligji për ndëshkimin e tyre? Këtë pyetje është e arsyeshme ta shtrojë çdo qytetar dhe takasapagues, që të mos ndjehet i fyer në vendin e vet.

    Nga ana tjetër përkrahja, solidarizimi dhe shndërrimi në simbol protestash masive i një viktime fatkeqe të një sherri banal, flet mjaft qartë për shkallën vetëhelmuese të këtij komuniteti, i cili jep pashmangshëm frutat e tij të helmëta. Prandaj është abuzuese dhe e pabazë t’i njohësh “minoritetin etnik” një treve vetëm e vetëm pse zotëroka dygjuhësinë, apo vetëm e vetëm, pse nën ndikimin e propagandës nacionaliste greke të vorioepirit dhe stimulimeve materiale – u interesoka këtyre banorëve ta quajnë veten “minoritet grek”.

    Mund të çmendesh e sugjestionohesh sa të duash, madje mund të vetëshpallesh e ta perceptosh veten si të duash – kjo ka të bëjë me dinjitetin tënd – por mos prit, që vetmashtrimin tënd ta blejnë si të vërtetë të padiskutueshme. Të vërtetën nuk e fabrikon dot sipas qejfit, pasi ajo është e pavarur dhe lehtësisht e vërtetueshme. Askush nuk do të ma pranojë, fjala vjen, marrëzinë time, nëse dal e vetëshpallem indigjen, me të vetmen arsye, se ditkam gjuhën e ndonjë fisi indigjen. Autosugjestioni im ka lidhje me mua dhe për mua, por jo me të vërtetën jashtë meje. Kështu dhe autosugjestioni himarjot për, gjoja, prejardhjen greke.

    Dygjuhësia dhe mllefet konjukturale ekonomiko-politike në Himarë, nuk mund ta zhbëjnë dot prejardhjen e tyre etnike jo greke. Fakti që Himara, tradicionalisht, për karakterin e izoluar të komunikimit rrugor me pjesën tjetër të Shqipërisë, përcaktoi tregtinë dhe punësimin nëpërmjet rrugës së vetme detare me botën greke, – çka solli prej më se një shekulli zotërimin e dygjuhësisë – nuk është aspak argument i përkatësisë së tyre greke. Nisur nga kjo pikëpamje, sot dugjuhësa janë rreth një milion shqiptarë që punojnë prej kohësh në Greqi. Edhe ata, po të duan, kanë po aq të drejtë sa Himara e himariotët të vetëquhen dhe vetëshpallen “grekë”.

    Dhe para se t’i besojmë himariotët e Vasil Bollanos, Janullatosit – himariotët e tutelës greke, si grekë – ata kanë një problem të madh me zbardhjen e identitetit të tyre, pasi pema e tyre e origjinës, duke u hapur nga ati, gjyshi dhe stërgjyshi, do të na çojë nga fshtrat e Labërisë e Kurveleshit deri në Veri. Dokumentet e regjistrimeve kadastriale të banorëve të Himarës përgjatë pesë qind vjetësh, tashmë janë të gatshme, të përkthyera e të përpiluara prej arkivave të Stambollit dhe vendeve të tjera, sa përbëjnë një rast unikal në ballafaqimin e himariotëve me idenë e tyre autosugjestionuese për etnicitet grek. Këto dokumente, sigurisht, nuk mund t’i zhbëjnë më as frymëzuesit e politikës bizare të megaloidhesë. Krerët e shtetit shqiptar duket se lexojnë pak ose aspak, e më për dreq, përveçse nuk lexojnë, s’duan as të pyesin, as të këshillohen. Prandaj dhe heshtja, dhe deklaratat nënshtruese bëhën palë me autosugjestionin grek të Himarës.

    III
    Në veprën e tij “Republika” Platoni dallon tre nivele të shpirtit njerëzor: shpirti dëshirues, që përbën nivelin e barkut; shpirti guximtar, që përbën nivelin e diafragmës; shpirti i arsyeshëm, i cili përbën jetën e mendjes dhe që gjendet ne kokë. Çdo niveli të shpirtit i korrespondon një cilësi e veçantë: shpirti dëshirues duhet të zotërojë vetinë e vetëpërmbajtjes; shpirti guximtar, vetinë e trimërisë; shpirti i arsyeshëm, cilësinë e urtësisë. Kur të gjitha këto cilësi gjenden në harmoni me njëra-tjetrën, atëherë virtyti më i lartë është Drejtësia, e cila i zotëron të gjitha nivelet, si kur bëhet fjalë për njeriun, ashtu edhe për Shtetin.

    Nga përvoja e vetshpalljes së himariotëve “minoritet etnik grek”, shihet qartë se ata i kanë larë hesapet me dy nivelet e fundit, duke u mbyllur përfundimisht në nivelin e barkut dhe duke u identifikuar me të. Shqiptarëve të vjetër himariotë, bashkëluftëtarëve të princërve shqiptarë dhe të Skënderbeut, do t’u vinte turp për pasardhësit e tyre, që nuk e tejkaluan dot nivelin e barkut, nivel, i cili u tjetërsoi gjuhën dhe, siç pretendojnë udhëheqësit e tyre, identitetin. Sindroma masive dhe autosugjestive e të konvertuarit, është burimi paradoksal i neurozës himarjote.

    Në një intervistë të tij, nobelisti i Karaibeve V.S. Najpol, rrëfen se si, pikërisht, provincat më të largëta që u konvertuan në islam, nga Pakistani në Indi, shfaqen më agresive e më ekstremiste në aktet terroriste, krejt ndryshe nga vendet arabike të islamit tradicional. Diç e ngjashme me neurozën e çifutëve të konvertuar e gjysmë të konvertuar, të cilët avancojnë në falangën e parë të antisemitizmit të egër, siç kanë qenë nga Lenini, Lev Trocki e deri tek Vladimir Volfoviç Zhirinovski. Mirëpo sindroma apo pandehma e të kovertuarit, që shoqërohet me zellin e tepëruar radikal, është një sëmundje, ndonëse të sëmurët e konsiderojnë mendjemprehtësi.

    Thuhet e proklamohet, se demokracia parakupton shprehjen e vullnetit të lirë të zgjedhjes dhe vetëpërcaktimit. Është e drejta e himarjotëve të zgjedhin e të vendosin çfarë u pëlqen. Bukuri. Por a nuk është dhe e drejta ime (e gjithkujt si unë) të jem koherent, të kërkoj arsyen, faktet dhe argumentin? Nëse dikush ka zgjedhur të çmendet, kjo vlen për të, por çmenduria nuk mund të jetë një normë e imponueshme dhe as e pranueshme. Sepse dikush e zgjedh ushqimin e marrëzisë së vet, duke shfrytëzuar kolektivisht, fjala vjen, një fatkeqësi banale, për ta shndërruar në apoteozë marrëzie, ndërsa dikush tjetër, kërkon të jetë i esëllt, duke bërë apel për njohjen e sëmundjes… si fillim i domosdoshëm në etapat e gjata të vetëshërimit, gjithë duke harmonizuar nivelet shpirtërore të barkut, diafragmës dhe kokës.

  16. ”’Kush do të rrijë në rradhë si qeni kur mund të kalojë lirshëm nëpër pika kufitare me ato dokumenta? ”’

    Po pse te rane tulet ty duke pritur ? Po ne jemi rritur duke mbajtur radhe o derezi…

    ”’E di që sipas një marrëveshjeje të fundit, shtetasit grekë mund të shkojnë në Amerikë pa vizë?”’

    Edhe? Po nese i heqin vizat per Shqiperine do rimerrje pashaporten shqiptare ? Pse breke e kanatjere jane identiteti e pashaporta?

    ”’Kush do të zgjidhte të rrinte në Shqipëri pa ujë e drita, pa drejtësi, mbytur në korrupsion kur mund të siguronte një punë diku tjetër dhe dinjitetin njerëzor? ””

    Ca argumenti eshte ky, pse per t’ja hedhur bythes jeton zotrote. Mos valle do qe ata qe jane ne Shqiperi te rregullojne Shqiperine e pasi ta kene bere ata Shqiperine te vish ti e te jetosh per bukuri.
    Kjo eshte mendesi emigranti jo mendesi vendasi, shkoj atje ku te tjeret i kane rregulluar gjerat dhe perfitoj nga puna e djersa e atyre qe kane sakrifikuar per te rregulluar vendin.

    ””Është e llogjikshme për mua, përsa kohë shteti shqiptar hyn në lojën e globalizmit pa kushte dhe pa brekë, që nënshtetasit e tij, të bëhen nënshtetas të një shteti tjetër. ””

    Ore behu kush te thote jo, ama mos me bej gerr-verr per tokat shqiptare. Ato jane tokat e etnise shqiptare jane PRONE E PERBASHKET e shqiptareve. Do te jesh i huaj, ske te drejte pronesie te plote mbi tokat shqiptare, biles mund te hash edhe ndonje nacionalizim te prones e ta shikosh ish-pronen me TELESKOP.

    ””Është shumë e llogjikshme. As i vë faj hiç po fare himarjotit që refuzon të mbajë mbi shpinën e vet papërgjegjshmërinë e pushtetit të Tiranës. Fare nuk i vë faj. ””

    Epo mire rebelohu dhe prit forcat ushtarake. Fajin e ka Berisha qe kur bllokuan rrugen ata, nuk dergoi forcat e nderhyrjes se shpejte ti ngrinin zgupthi, dmth te zbatonin ligjin.

    ”’Vetë unë të kisha mundësi, do të doja të dorëzoja që nesër pashaportën time shqiptare, bashkë me detyrimet, përgjegjësitë dhe të drejtat që më jep kjo nënshtetësi.
    Nuk i dua më.”’

    Qenke bere Jorgo me verte, gjynah.
    Gjeja me e mire e emigrantit qe se do me pashaporten shqiptare eshte qe nuk jeton ne Shqiperi. Halli eshte i himariotit qe jeton ne Shqiperi, se te ikte ne Greqi apo diku tjeter do e percillja me hosana.

    Nuk eshte hiç problem qe shqiptaret jashte asimiliohen, problem i vertete eshte per ata qe jetojne ne Shqiperi.
    5-6 milione turq thuhet se kane origjine shqiptare, kjo nuk perben asnje problem. Problem jane shqiptaret ne Shqiperi te cilet turqizohen si puna e atij Jazexhiut.

    Gjeja e mire ne Shqiperi eshte se te gjithe e kane mendjen tek leku dhe nuk e vrasin shume per çeshtje identiteti apo globalizmi etj. Ama i ke gati te zihen se kush eshte shqiptar me i mire. Biles edhe ti vete po te thoja se je shqiptar kot, skarco, vl, si shqiptar s’vlen nje grosh si do reagoje (po te kapercesh ironine fillestare qe ka funksion mbrojtes) ?

    1. Po lëre mos e bëj banale, se nuk është çështja e imja personale në fund të fundit.

      Që ta bëjmë të denjë për tu diskutuar le të japim shpjegimin dhe arsyetimin mbi ata 100-150 mijë shtetas shqiptarë (apo më shumë) që kanë marrë letrat e homogjenit dhe së shpejti mbase mund të marrin edhe nënshtetësinë greke.

      Unë për ata dhashë shpjegim më lart. Ti ke ndonjë të tillë apo të duket më interesante të merresh me mua vetëm?

      Për punën e pronave që përmend, e ka provuar Berisha, pa merak. http://www.peshkupauje.com/2010/07/qeveria-anuloni-vendimet-nuk-kemi-para-p

      Ia kanë thy turinjtë siç e shef.

      Ti vetë po e projekton padashur nënshtetësinë shqiptare si barrë që duhet mbajtur në kurriz (jo rri në rradhë, jo duro, jo ju që refuzoni jeni oportunistë…); dakort ky është një këndvështrim. Shif atë temën e pronave. Gjykatat evropiane po duan të gjobisin shtetin shqiptar dhe për pasojë edhe mua si nënshtetas.

      A duhet unë të toleroj sipas teje budallëkun dhe oportunizmin e qeverisë që ka bërë një faull jashtë mase të madh duke mos dëmshpërblyer ish pronarët; dhe ky akt ka pasur të fshehur pa asnjë dyshim fare oportunizmin e tyre, korrupsionin, dritëshkurtësinë dhe përpjekjen për të bërë sa më shumë para?

      Po sa të tilla akte duhet të toleroj? Dhe në emër të kujt? Të shqiptarisë?
      Çka është shqiptaria vetë?
      E kam thënë diku tjetër, po të shofësh duke ta përdhunuar kush, nuk do më nënën që të ka bërë kokën, lëre një koncept abstrakt siç është “shqiptaria”, që pa bukë në sofër e pa dorë në zemër nuk vlen një grosh.

      Më vjen mirë që e çove diskutimin në pak a shumë “kush është shqiptar i mirë”.

      Kush korruptohet, nuk është shqiptar i mirë
      Kush mashtron nuk është shqiptar i mirë.
      Kush vjedh, nuk është shqiptar i mirë.
      Kush siguron një vend pune duke u çjerrë nëpër mitingje, nuk është shqiptar i mirë.
      Kush klanizon shtetin, nuk është shqiptar i mirë.

      Dhe meqë modeli i si duhet të jetë shqiptari – qëndron tek pushtetarët, atëherë këta të parët nuk janë shqiptarë të mirë.

      Nuk mund të mbijetojë as Shqipëria, as shqiptaria me prdhë. Kush nuk do tua ndjejë më erën, del nga dhoma dhe mbyll derën.

  17. ”’ Ti vetë po e projekton padashur nënshtetësinë shqiptare si barrë që duhet mbajtur në kurriz (jo rri në rradhë, jo duro, jo ju që refuzoni jeni oportunistë…); dakort ky është një këndvështrim. Shif atë temën e pronave. ””

    Spo e bej padashur, fshati qe duket s’do kallauz, po une jam shqiptar, keshtu deshi Perendia a fati a rastesia a Ufoja, do heq vuajtjet si shqiptaret e tjere dhe do gezoj si shqiptaret e tjere, kur u ndane keto na rane, bota ka rendin e vet te gjerave, skam pse te mbaj barren e kompleksit identitar, boll komplekse na ka veshur a priori psikologjia.

    Ti ça ben, gjene me te thjeshte, e sheh veten si qenie njepermasore e mbrujtur me nihilizem, ndryshe konsumator dhe me sjell argumentin e konsumatorit, ky dyqan e ka mallin te shtrenjte do shkoj tek ai tjetri te qoshja.

    Tek e fundit po them qe kush do te asimilohet le te asimilohet po jo brenda trojeve shqiptare se aty ka Ceçua biçak. Se ato toka ti i gezon fale trashegimise,historise,identitetit keshtu qe ne çastin kur ti i mohon ato, atehere s’ke me te drejta mbi token.

    Atje jashte ti je i shendetshem si i asimiluar(ose me sakte gjendja jote eshte e injorueshme), brenda je i semure, biles luan edhe rolin e virusit si po bejne grekomanet e Himares. Keto lojra njihen mjaft mire, i kemi vuajtur dhe s’duhet ti heqim me.

    Sa per tokat ajo ka te beje me gjithe tokat ne Shqiperi, nuk ka vlere kerthizore per çeshtjen.

    ””Po sa të tilla akte duhet të toleroj? Dhe në emër të kujt? Të shqiptarisë?
    Çka është shqiptaria vetë?””

    Esenca e te qenit shqiptar eshte, ç’mund te jete tjeter?
    Kush asimilohet gjeja e pare qe ben eshte mohimi i shqiptarise, ashtu si himariotet psh. Ai qe asimilohet e di fare mire ç’eshte perderisa mohon pikerisht paraqitjet e saj qe njeh tek vetja.

    Ky miti e bukes ne sofer eshte bere bajat fare, s’kam pare njeri te vdese urie ne Shqiperi, do ishte lajm sensacional.
    Si ne çdo vend te BOTES edhe ne Shqiperi ka varferi dhe biles edhe te madhe ne krahasim me Perendimin, po vend pa varferi ska, barbona ka plot kudo, pertace e lypes e te papune ka kudo, njerez qe mezi shkojne ne fund te muajit ka plot kudo.

    Shih serbet ti, kaluan 3 luftera rane pertoke fare ekonomikisht dhe kur vjen puna me kokrra jane serbet jashte. Po kane ndjenje kombetare ata nuk jane rrembythje si shqiptaret, do punojne e do e ngrene Serbine.
    Kombet ngrihen me pune, po jo duke punuar jashte dmth nje perqindje e vogel mund te punoje jashte e te sjelle valute.

    Shiko gjermanet, aleatet pothuajse i vune plugun Gjermanise si Roma Kartagjenes dhe deri ne 1949 ka pasur raste te njerezve qe vdisnin urie ( dhe jo metaforikisht) ama per 20 vjet u bene prape fuqia me e madhe ekonomike ne Europe.

    Kurse ne dime te ankohemi dhe t’ja mbathim nga Shqiperia, popull qurravec, biles brez qurravec . Ja puna e radhes apo e Esterit qe do me se s’ben pluralis maiestatis, jane paraqitje te ketij qurraveclleku.

    ”’Nuk mund të mbijetojë as Shqipëria, as shqiptaria me prdhë. Kush nuk do tua ndjejë më erën, del nga dhoma dhe mbyll derën.””

    Posi kjo eshte sjellja, hajt mirupafshim e ne hale te gomares te vene te tjeret. Ti po paraqet nje ndjeshmeri te madhe sociale e denje per nje te majte.

    1. Hiqi vllai hiqi. Me ato që heq ti e do të heqësh, do vënë dhjamë ata që ke në krye të shtetit. Po je i gatshëm ta bësh, bëje.

      Unë refuzoj ta bëj. Refuzoj t’i nënshtrohem autoritetit të njerëzve pa moral që shofin vetëm interesin personal. Ndërsa ti refuzon që amoralitetin e tyre ta shikosh si arsye për tu revoltuar. Po ja që kështu është.

      Pas çdo budallëku që pohon një politikan, një apo disa shqiptarë, nuk ndjehen më të tillë pasi e dëgjojnë.
      Pas çdo afere që bëhet publike, ta garantoj unë se ka shqiptarë që nuk duan të ndjehen më të tillë.
      Pas çdo padrejtësie ndaj tyre, ka shqiptarë që nuk ndjehen më të tillë.

      Po të ishin shumica shqiptarë me mend dhe sinqerisht të interesuar për veten dhe shqiptarinë, nuk e linin veten të qeveriseshin nga ky farë shteti. Kur e kemi lënë deri këtu, unë skam arsye të besoj për ndreqje, as e marr mundimin.

      Ti thuaj çfarë të duash, aq më bën. Preferoj të jem nën shoqërinë e të huajve të ndershëm sesa të shqiptarëve halabakë, makutë, interesaxhinj dhe karieristë.

      Një shtet normal dhe me mend u paraprin situatave dhe nuk futet nëpër moçale identitare të tilla siç ka bërë shteti ynë, që ska as bythë të regjistrojë popullsinë e vet, se mos i dalin gjysma të huaj. Nga një anketë e fundit dilte se 60% e shqiptarëve do të donin të jetonin dhe punonin jashtë. Kaq duhet të të thotë diçka sesa shqiptarë ndihen, sipas kutit tënd të paktën.

      Për punën e asimilimit, ajo nuk besoj se është çështje që vendoset nga ty. Ajo vendoset nga dritëshkurtërit e politikës, ka dhe ligje ndërkombëtare për atë punë, dhe koncepti i pronës nuk është safi shqiptar. Ekziston në të gjithë botën.
      Sipas teje, nëse do të aplikoje të njëjtin ligj moral, atëherë çamët nuk do të kishin asnjëherë të drejtën dhe mundësinë të merrnin pronat e tyre. Madje edhe shqiptarë të tjerë, në vende të tjera të botës.

      Ti nuk ke përballë një njeri që papritur me tu gdhirë u bë “Jorgo”, por kur lexon se me urdhër të kryeministrit, çdo gjë përveç shkollave, digave dhe spitaleve do të privatizohet, atëherë mentaliteti i konsumit del që promovohet prej vetë shtetit. Prej atij shteti që do akoma të përfaqësosh.
      Duke iu nënshtruar një mentaliteti të tillë, atëherë vetë nënshtetasit do të ndjekin rrugën, apo nëse preferon – rrugëdaljen të cilën ua ofron shteti i tyre.

      Në rast se çdo gjë mund të shitet edhe të blihet, atëherë pas jo shumë kohësh shqiptarët do të përfundojnë jabanxhinj në vendin e vet. Po sa tëndi do mund të jetë një vend në të cilin ndihesh jabanxhi? Dhe zgjidhja llogjike do të ishte: përse të mos provoj të ndërtoj të ardhmen time në një vend në të cilin do ndihem njësoj jabanxhi, por me kushte më të mira jetese?

      Shqiptaria nuk është koncept abstrakt, madje ti dukesh se i njeh mirë të dhënat të cilat mbrujtin shqiptarinë. Dhe një ndër to është prona. Kujt i është marrë prona, ndihet më pak shqiptar. Atëherë një pyetje: Përse shteti antishqiptar nuk po e zgjidh problemin e pronave, po vë përpara sfidës ekonomike nënshtetasit e vet që detyrohen të paguajnë me taksa gomarllëqet që bën po shteti?

      Po një komponent tjetër i shqiptarisë (ndër të tjera), mos nuk është integriteti personal dhe ruajtja e tij?
      Nëse është kështu, degradimi i këtij integriteti prej nëpunësve që kanë të stampuar shqiponjën dykrenare, në sportele, mos nuk është antishqiptare?

      Të jesh shqiptar, mos do të thotë se duhet ta kesh në gen durimin dhe mosrevoltimin sa herë të trajtojnë si bagëti? Sepse mua nuk më argëton shumë ideja e trajtimit si bagëti për shkak të pashaportës time, me thënë të drejtën…

      A thua se koncepte të tilla si edukata, mirësjellja, mirëkuptimi, respekti, kanë ngel të denja vetëm për tu lexuar në libra moralistë si punë e biblës psh dhe shqiptaria spo ua gjen akoma se çfarë kuptimi kanë të fshehur.

  18. ””Refuzoj t’i nënshtrohem autoritetit të njerëzve pa moral që shofin vetëm interesin personal. Ndërsa ti refuzon që amoralitetin e tyre ta shikosh si arsye për tu revoltuar. Po ja që kështu është. ””

    Po nuk jam i tipit, per inat te vjehrres do shkoj me mullixhine.
    Ne ke ndonje gje me Parine e Tiranes merru me politike dhe ndeshu ne fushen politike, po ti zgjedh te gjymtosh identitetin(vetveten) se keshtu e zgjidh problemin me politikanet shqiptare. Mos kujton se duke gjymtuar vetveten i bere qametin Shqiperise ?

    ””Sipas teje, nëse do të aplikoje të njëjtin ligj moral, atëherë çamët nuk do të kishin asnjëherë të drejtën dhe mundësinë të merrnin pronat e tyre. Madje edhe shqiptarë të tjerë, në vende të tjera të botës. ””

    Po pse ty te genjen mendja se çamet do i marrin ndonjehere tokat pa lufte ? Prit gomar te mbije bar i thone kesaj pune.

    ””Ti nuk ke përballë një njeri që papritur me tu gdhirë u bë “Jorgo”, por kur lexon se me urdhër të kryeministrit, çdo gjë përveç shkollave, digave dhe spitaleve do të privatizohet, atëherë mentaliteti i konsumit del që promovohet prej vetë shtetit. Prej atij shteti që do akoma të përfaqësosh.””

    Ja prape puna e nuses me mullixhine. Kryeministrin e zgjedh populli, ai ka nje program liberist, gjithçka do privatizohet, me pak shtet e me shume shoqeri.
    Ku eshte ketu lidhja me shnderrimin ne Jorgo? Ti nuk pranon pluralizmin politik, privatizimi eshte tipik i se djathtes liberiste. Je kunder? Voto per ate tjetrin, po ky eshte problem i mirefillte politik nuk ka lidhje fare me identitetin apo pashaporten.
    Skam degjuar ndonje te huaj, qe refuzon pashaporten e vet se Kryeministri do te zbatoje program liberist.

    ””Në rast se çdo gjë mund të shitet edhe të blihet, atëherë pas jo shumë kohësh shqiptarët do të përfundojnë jabanxhinj në vendin e vet. Po sa tëndi do mund të jetë një vend në të cilin ndihesh jabanxhi? ””

    Jabanxhilleku nuk vjen nga fakti qe cdo gje shitet dhe blihet, ja shiko Ameriken apo Angline ku çdo gje shitet e blihet, sa angleze e amerikane zgjedhin t’ja mbathin nga vendet e tyre meqe çdo gje shitet e blihet?

    ””Përse shteti antishqiptar nuk po e zgjidh problemin e pronave, po vë përpara sfidës ekonomike nënshtetasit e vet që detyrohen të paguajnë me taksa gomarllëqet që bën po shteti? ””

    Se politikanet duan te vjedhin apo te mbajne tokat e grabitura. Perseri problemi eshte i rrafshit politik dhe jo i atij ontologjik.

    ”’Të jesh shqiptar, mos do të thotë se duhet ta kesh në gen durimin dhe mosrevoltimin sa herë të trajtojnë si bagëti?”’

    Revoltohu, po me mjete politike dhe brenda institucioneve.

    ””A thua se koncepte të tilla si edukata, mirësjellja, mirëkuptimi, respekti, kanë ngel të denja vetëm për tu lexuar në libra moralistë si punë e biblës psh dhe shqiptaria spo ua gjen akoma se çfarë kuptimi kanë të fshehur.””

    I ke parasysh rendjet drejt arit (gold rush,corsa all’oro), ne jetojme ne nje kohe te ngjashme, rendja drejt lekut.
    Nuk eshte koha per te kerkuar qiqra ne hell. Ethet e arit dhe te dollarit jane me te forta se etika, estetika eshte me e forte se etika ne keto çaste historike.

    Me sa po marr vesh ti thjesht po ngaterron rrafshin politik me rrafshin ontologjik, argumentet politike po i perdor per te justifikuar tezen ontologjike. Kur te nevojitet futesh edhe ne rrafshin etik.

    Nuk mund te besh asnjehere nje argumentim logjik duke u hallakatur mes rrafsheve, deshmon vetem qe s’di ku te kapesh.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin