KËMBËT E PULËS (III)

Nuk ka përkthyes të shqipes, profesionist dhe amator, që të mos jetë përballur, gjatë përpjekjeve për të ndërmjetësuar midis teksteve dhe gjuhëve, me tundimin për të krijuar fjalë të reja, ose neologjizma.

Ekziston një opinion, në thelb folklorik, se neologjia, si veprimtari e krijimit të fjalëve të reja, është shenjë e gjallërisë së gjuhës dhe duhet përkrahur; shpesh lexon kritikë letrarë që lavdërojnë këtë apo atë shkrimtar, për fjalët e reja që ka krijuar.

Ky opinion, si edhe shumë opinione të tjera në lëmë të kulturës, i ka rrënjët në ideologjinë e Rilindjes; si dhe në orvatjet masive të atyre kohëve, për të zëvendësuar fjalët e huaja të shqipes me fjalë vendëse, si dhe për t’ia dhënë shqipes librore një leksik të nevojshëm për të funksionuar.

Natyrisht, çdo gjuhëtar e di se jo çdo krijesë leksikore që shfaqet në një tekst mund të quhet fjalë; meqë, në një kuptim, krijimi dhe hedhja në qarkullim e fjalëve të reja ngjan me krijimin dhe hedhjen në qarkullim të parasë. Kjo do të thotë edhe se shumë nga këto fjalë të reja janë të barasvlershme me paratë false dhe e dëmtojnë komunikimin njëlloj siç dëmtojnë paratë false financën e një sistemi ekonomik.

Neologjia është më tepër problem i terminologëve, të cilët janë të detyruar të plotësojnë kolonat shqipe në listat e mijëra e mijëra termave që hyjnë në përdorim së bashku me teknologjitë dhe nomenklaturat përkatëse; por rrethpritet edhe me përkthimin, sa kohë që përkthyesit janë në vijën e frontit, kur vjen puna për t’u bërë ballë gjuhëve me leksik libror shumë më të pasur se shqipja.

Të marrim shembullin e një përkthyesi të cilit i del përpara fjala anglishte serendipity, e cila ka të bëjë me atë dukuri, kur dikush zbulon diçka fatlume rastësisht, ose kur është duke kërkuar për diçka krejt tjetër. Bie fjala, ti mund të jesh duke studiuar një metodë për identifikimin e defekteve në fletët e turbinave të hidrocentraleve dhe, krejt pa dashur, zbulon një metodë për diagnostikimin e emfizemës.

Fjala serendipity e ka prejardhjen nga një emër i vjetër i Sri Lankës (Serendip), dhe është përdorur për herë të parë nga shkrimtari anglez Horace Walpole në 1754, pasi ky lexoi një përrallë për “udhëtimet dhe aventurat e tre princave nga Serendipi” për të cilët thuhej se “gjithnjë bënin zbulime të reja për gjëra të cilat nuk ishin duke i kërkuar.”

Si do ta japë përkthyesi këtë fjalë të vështirë?

Rruga më e lehtë këtu do të ishte huazimi: serendipity bëhet serendipitet, njëlloj sikurse në të kaluarën university është bërë universitet, dhe faculty është bërë fakultet dhe intensity është bërë intensitet etj. Modeli i adoptimit ekziston dhe emri integrohet mirë morfologjikisht në grupin përkatës.

Një rrugë tjetër do të ishte parafrazimi, ose përpjekja in extremis për ta dhënë fjalën me mjete të shqipes: kështu serendipity mund të përfundojë në shans, fat ose rastësi; çka jo vetëm i mbingarkon kuptimisht këto fjalë shqipe, por edhe e mjegullon kuptimin e fjalës fillestare, i cili përndryshe është krejt specifik.

Një rrugë e tretë do të ishte përshtatja në shqipe, nëpërmjet shqipërimit të prapashtesës; kështu serendipity do të përfundonte në serendipësi ose serendipëri në rastin më të mirë (ose serendipje, serendipim, në rastin më të keq). Këtu përkthyesi përpiqet të gjejë një prapashtesë shqipe funksionalisht të ngjashme me anglishten –ity, dhe pastaj ia ngjit këtë prapashtesë temës serendip-. Fjala serendipësi është, gjithsesi, fjalë e re në shqipe, prandaj ky lloj shqipërimi përfshihet edhe ai në neologji.

Një rrugë e katërt do të ishte parafrazimi i plotë, ose mënjanimi i fjalës nga teksti shqip. Për shembull, fjalinë:

We all have experienced the serendipity of relevant information arriving just when we were least expecting it.

Një përkthyes i shkathët do ta shqipëronte si:

Të gjithë na ka qëlluar të marrim informacion të vlefshëm pikërisht kur nuk e prisnim.

Këtu, kuptimi i serendipity është tretur e holluar, njëfarësoj, në kuptimin e kallëzuesit “na ka qëlluar”. Në duart e një njohësi të mirë të shqipes, rruga e katërt jep, pa dyshim, rezultatet më të këndshme për lexuesin.

Rruga e pestë, më në fund, do të ishte krijimi ad hoc i një fjale shqipe, për të zëvendësuar anglishten serendipity. Le ta zëmë, për hir të argumentit, se një përkthyes do të propozonte fjalën fatlumësi, të krijuar sipas një modeli morfologjikisht të rregullt, nga tema fatlum (njëlloj si, p.sh. zemërgjerësi nga zemërgjerë, ose shpirtmadhësi nga shpirtmadh).

Në parim, fjalë të reja, të krijuara ad hoc, kalke ose jokalke, mund ta pasurojnë gjuhën; por gjuha zakonisht u reziston këtyre fjalëve, ose më mirë “fjalëve”; sepse shqipja, sikurse të gjitha gjuhët indo-europiane, kërkon që krijimtaria e folësit të manifestohet në sintaksë, jo në leksik; megjithë kontradiktën e pashmangshme midis funksionimit të leksikut si sistem relativisht të mbyllur në sinkroni dhe pasurimit që i bëhet po atij leksiku në diakroni.

Këtu duhet vërejtur menjëherë se një fjalë e krijuar rishtas ende nuk është fjalë e gjuhës, por vetëm e ligjërimit, madje vetëm e atij ligjërimi ku është përftuar. Nga kjo pikëpamje, askush nuk mund të krijojë fjalë shqipe, por vetëm mund të sugjerojë njësi kandidate për t’u bërë fjalë; sepse fjala bëhet e tillë vetëm kur integrohet në kompetencën gjuhësore të një numri kritik folësish, dhe sa kohë një gjë e tillë nuk ka ndodhur, mbetemi në nivelin e krijimtarisë poetike.

Diçka e ngjashme ndodh me metaforën si dukuri kuptimore, e cila ndeshet edhe në leksik edhe në poezi. Një folje si zgjidh do të thotë “liroj një nyje ose një lidhëse”, por përdoret edhe me kuptimin “gjej rezultatin ose zgjidhjen e një problemi etj.”, si në togfjalëshin zgjidh ekuacionin; këtu përdorimi i dytë është metaforë e të parit, por një metaforë që pothuajse nuk ndihet më si e tillë, sepse është trupëzuar në gjuhë, është bërë pjesë e kompetencës së folësit. Përkundrazi, kur një poet thotë ”hëna shuan etjen në pellgjet”, kemi një metaforë poetike, ose një përdorim qëllimisht krijues madje befasues të fjalëve shqipe, për të dhënë një përshtypje unike; prandaj në asnjë fjalor nuk do gjendet ndonjëherë togu shuaj etjen si sinonim i pasqyrohem, reflektohem.

Me fjalë të tjera, përtej terminologjisë, e cila duhet trajtuar veçmas, neologjia ose krijimi i fjalëve të reja nuk duhet marrë thjesht si veprimtari artizanale; meqë e ruan gjithnjë aspektin mirëfilli artistik. Kjo duket edhe në mënyrën si e pret lexuesi ose publiku fjalën e re; duke e cilësuar, sipas rastit “të bukur” ose “të shëmtuar”, ose gjithnjë duke reaguar ndaj neologjizmit në mënyrë estetike, madje edhe më parë akoma se në mënyrë pragmatike. Vetë shprehja fjalë e bukur shqipe, që u referohet zakonisht neologjizmave e ndonjëherë edhe arkaizmave ose krahinizmave, funksionon prej kohësh si një nga klishetë më të preferuara, në gojën e të gjithë atyre që duan t’i ruajnë të paprekura lidhjet midis lëvrimit të shqipes dhe adhurimit të shqipes si atribut të kombit hyjni.

Më anë tjetër, fjalë të reja në ligjërim nuk janë vetëm ato që krijohen rishtas, por edhe huazimet e freskëta, ose fjalët e qëmtuara në fjalorë etnografikë ose dialektorë; në shembullin tonë, edhe serendipitet ose serendipësi do të funksiononin si neologjizma. Këtu, dallimi mes serendipitet dhe neologjizmit fatlumësi ka të bëjë me një dukuri që leksikologët e quajnë motivim të fjalës, ose lidhjeve eksplicite të një fjale me fjalë të tjera, si ndihmë për t’ia deduktuar kuptimin. Kështu, serendipitet është fjalë në thelb e pamotivuar, ndërsa fatlumësi e referon lexuesin te fjalët e njohura shqipe fat dhe fatlum, duke i sugjeruar se fjala e re fatlumësi ka diçka të bëjë me fatin e mirë. E gjithë kjo duket si diçka për t’u përshëndetur dhe inkurajuar, por në fakt motivimi i tepruar e bezdis lexuesin (publikun), duke ia zhvendosur vëmendjen nga komunikimi në mediumin përkatës (kujt nuk i kujtohet fjala dyrrotak, si neologjizëm kinse i propozuar për të zëvendësuar fjalën e huaj biçikletë?).

Për fat të keq, historia e shqipes së shkruar është e pasur me autorë që kanë krijuar me qindra, në mos me mijëra fjalë të reja, të bindur se ashtu po e pasuronin gjuhën: që nga Papa Kristo Negovani e Petro Nini Luarasi, e deri te Mati Logoreci, Asdreni e të tjerë. Një pjesë e këtyre fjalëve – edhe pse jo të gjitha – janë formuar sipas rregullave të shqipes, por megjithatë nuk kanë arritur dot të hyjnë në leksik; përtej funksionit mirëfilli poetik që kryejnë, mund të thuhet se kanë lindur të vdekura.

Nuk ka komente

  1. Jemi mesuar qe punime te tilla t’i shohim te shkruara me llogjiken e ftohte te kerkuesit ne gjuhesi dhe nuk me kishte qelluar te shoh e as kisha menduar se trajtesa te kesaj fushe qe mund te shkruhen me aq frymezim.

    Veçanerisht kjo pjese me duket nje lloj traktati per perkthyesit dhe per shkrimtaret, ne perpjekjet qe bejne per te persosur mjetin kryesor te punes qe kane, gjuhen.

    Edhe pse kam si formim baze gjuhesine, qendrova nje kohe te gjate mbi kete paragraf:

    … shqipja, sikurse të gjitha gjuhët indo-europiane, kërkon që krijimtaria e folësit të manifestohet në sintaksë, jo në leksik;

    E kisha ndjere nje gje te tille, por nuk kisha arritur ta formuloja ne kete forme. Ne te vertete kjo ide duket sikur ta lehteson disi punen, duke te keshilluar te mos llapashitesh se koti ne argjile e te drejtohesh aty ku eshte damari. Por per levruesit e gjuhes, per ata qe e kane ate mjet pune, shkrimtaret, gazetaret etj, kjo do te thote se nuk mjafton me vetem pergatitja gjuhesore, duhet edhe pak… talent.

  2. “… fjalës, ose lidhjeve eksplicite të një fjale me fjalë të tjera…”

    ‘eksplicite’

    Me duhet te sigurohem ne se eshte fjale qe tenton apo eshte futur ne perdorim gjuhe praktikisht per shqipen, Xha!?

    1. Më pëlqen si fjalë dhe gjithnjë e kam përdorur; besoj se i duhet shqipes diturore, së bashku me antonimin e vet implicit.

    2. Fjalën “eksplicite” e kam parë për të parën herë në një libër shkollor të matematikës të viteve të 80-ta. Autor i librit ishte, nëse nuk gaboj, Ahmet Mumxhiu.
      Këtë fjalë nuk e gjeta në “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” të vitit 1980.

  3. Te blogu juaj shqipologji.wordpress.com nuk mund te regjistrohesh per te pyetur per dicka […]

    Theollogos, pyetjes iu përgjigja në fund të shkrimit përkatës atje.

    Sa për komentet në atë blog, duhet të regjistrohesh paraprakisht në wordpress.com (proces që zgjat një minutë vetëm); e kam vënë këtë kusht për të mënjanuar komente prej lexuesish që u bie rruga rastësisht nga blogu (të tipit: “kush të paguan ty, more, që të hedhësh baltë mbi shqipen e pellazgëve”).

    Nga përvoja, e di që këta farë neandertalësh kanë një attention span jo më të gjatë se 5 sekonda [2Xh].

  4. Ky ilustrimi ne fakt duhej per kemben e pare e jo te treten, po gjithsesi. Behet fjale per lajmin e shqiperuar mbi kerkesen e faljes nga SHBA-te per masakren kirrugjikale te tipit ”Wounded Knee” qe keto u kishin shkaktuar indianeve lekurekuq: precizioni i masakres selektive kishte per qellim si duket te pamundesonte nje valle te shenjte, ne dhjetor te vitit 1890.

    “SHBA kërkon falje për masakrën e 1890-s ndaj indianëve
    Shtetet e Bashkuara kërkojnë zyrtarisht falje për masakrën e kryer ndaj popullsisë indiane në kontinentin amerikan, në dhjetorin e vitit 1890.

    Një nga faktet më rrëqethëse të historisë janë plagosjet që u janë bërë lëkurëkuqve në gju.

    Qeveria amerikane e vitit 1890 ushtroi një masakër të paprecedentë ndaj popullsisë vendase në Amerikë, pikërisht gjatë një ceremonie të shenjtë kërcimi për lëkurëkuqtë. ”

    http://www.gazetastart.com/lajme/Bota/16000/

  5. Si mund të arrihet numri kritik i folësve të një fjale të re?
    Besoj se mund të arrihet me kapërcimin e pengesave psikologjike. P.sh. një fjalë e re e krijuar ose e përdorur nga një autoritet siç është Ismail Kadare, ka më shumë gjasa të bëhet fjalë e gjuhës se një neologjizëm i krijuar nga një shkrimtar mediokër. Në ShBA emri Silvester nuk ishte fare i dëshiruar për pagëzimin e fëmijëve nga prindërit – derisa dual në skenë i famshmi Silvester Stalone.
    çdo gjë është psikologji,tha.

  6. It is widely held misconception […]

    Kuhne, nëse sjell citat në blog, duhet (1) ta përkthesh në gjuhën shqipe dhe (2) të shpjegosh pse e ke sjellë. Ky është rregull i vjetër i PTF – citatet gjithnjë duhen shqipëruar. Falemnderit për mirëkuptimin. 2Xh.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: