KUR MUNGON HARPA

Muaj më parë, kur ndiqja aventurat e dy muzikantëve austriakë që kishin ardhur të vinin në skenë në Tiranë operetën “Die Fledermaus” të Strauss-it, më pat bërë përshtypje vështirësia e tyre për të gjetur një harpist e sidomos një harpë lokale, të cilën e kërkonte pjesa.

Shkruanin austriakët:

Që drejtoria më tha, se do ishte më mirë të kisha luajtur pjesën origjinale (e cila natyrisht bëhet vetëm me Frosh-in), është vërtet shumë e çuditshme. A kishte një harpë, e cila tek Strausi është instrument kryesor? Jo, sepse unë ja bëra këtë gjë të ditur drejtorisë që përpara një viti dhe, edhe pse m’u premtua një zgjidhje, kërkesa kaloi nga një tavolinë në tjetrën. Dhe duke qenë se unë nuk mund t’i bie harpës, shfaqja nuk kishte harpë. Eshtë një shqiptare e cila i bie harpës e që studion në Vjenë. Do të kishte ardhur me shumë kënaqësi, vetëm se duhej pyetur dy muaj përpara dhe jo dy ditë (siç ndodhi) para shfaqjes.
Në Tiranë u shfaq versioni i stërvjetër i “Lakuriqit të natës”, pa rolin kryesor të Froshit dhe pa instrumentin bazë harpën…

Nëse nuk gjendet dot një harpë në kryeqytetin e një shteti të Europës, kjo nuk i komprometon shanset e atij shteti për t’u futur në NATO ose për suksese të tjera kontinentale të kësaj natyre; por janë mungesa të tilla, ose detaje të tilla anësore, të papërfillshme prej filistinëve, që të dëshpërojnë për të ardhmen e kulturës në Shqipëri, përtej televizionit dhe argalisjeve gjysmë folkloristike.

A është vallë e domosdoshme harpa? A mund të ekzistojë qytetërimi perëndimor pa harpë dhe pa muzikën e shkruar për harpë dhe të luajtur me atë instrument? Pyetje që s’u jap dot përgjigje, por që më kujtojnë një përkufizim diku të kulturës si ‘mjeshtëria për të përdorur pikëpresjen’.

Në SHBA, një harpë koncerti kushton diçka midis 15 000 dhe 40 000 dollarë; në një kohë që me një fraksion të kësaj shume mund të blesh një sintetizator tingujsh, i cili të riprodhojë zërat e të gjithë instrumenteve të orkestrës me një besnikëri të tillë që të gabojë rreth 90% të publikut.

Për austriakët do të ishte natyrisht e pamendueshme që t’ia shtonin një tastierë Yamaha ose Roland violinave dhe oboeve të orkestrës së operas në Tiranë; sepse ashtu mund të vazhdosh t’i zëvendësosh të gjitha instrumentet një nga një, derisa në vend të orkestrës të mbetet vetëm një kompjuter të cilit i duhet vetëm energji elektrike për të luajtur i vetëm Simfoninë e Nëntë të Beethoven-it.

Megjithatë, për ndjeshmërinë e një profesionisti të muzikës klasike në Europë, ta riprodhosh tingullin e harpës me një instrument elektronik do të ishte diçka e barasvlershme me urinimin në publik – e mundshme, por për t’u shmangur me çdo kusht. Arsyet për këtë janë të shumta, dhe nuk mund të likuidohen si euro-kitsch; sepse në të vërtetë arti fillon atje ku mbaron dobishmëria, ose nevoja për një një cilësi minimale.

Sot në Perëndim neveria ndaj riprodhimit elektronik të instrumenteve akustike është shtrirë deri në ndjeshmëritë pop standarde dhe përbën një nga arsyet për të cilat përbuzet muzika e viteve 1980, kur ishte e modës t’i shoqëroje këngët me një sfond harqesh, ose me ritëm (beat) elektronik. Pak dekada më parë, tingëllimi elektronik ishte një risi për t’u eksploruar; ndërsa sot ka gjetur një niche të vetën dhe funksionon ende vetëm sa kohë që nuk përpiqet të maskohet si ndryshe nga ç’është realisht.

Natyrisht, avantazhi i tastierës elektronike është se kushton pak. Kur mbërritën në Shqipëri tastierat e para në vitet 1980, me një diapazon akustik dhe harmonik qesharak, ishin orkestrinat e vogla që falimentuan – sepse muzika e prodhuar në mënyrë artizanale nuk konkurronte dot me ritmet e prodhuara në seri prej super-muzikantëve elektronikë. Sot e kësaj dite, muzika shqiptare pop që më qëllon të dëgjoj është e mbushur me tinguj të tillë sterilë, të përftuar në mënyrë numerike e të shoqëruar nga tempot aritmetike të kompjuterit. Këtë ndoshta e dikton ekonomia e tregut, prandaj nuk ka vend për të vënë duart në kokë. Kur muzika e tastierave vjen e depërton në kolona zanore filmash, atëherë çështja bëhet pak më serioze, sa kohë që filmat nuk janë të destinuara për YouTube. Ndonjë ditë, ndonjë drejtor artistik me më pak skrupuj se austriakët e Fledermaus-it, do të nxjerrë një harpë butaforike në skenë, me një fotomodelë që t’ia pickojë telat shurdhe; në një kohë që tingujt përkatës do të prodhohen industrialisht prapa kuintave, ose edhe më mirë akoma, në playback.

Po kujt i bëhet vonë? Vallë mund t’i kërkosh të vrasë mendjen për një harpë një kryeqyteti që vuan për drita, për ujë, për trotuare, për gjelbërim, për ajër të pastër, për transport publik, për shkolla të sigurta e cilësore, për shërbim mjekësor dinjitoz?

Jo, nuk ia kërkon dot; por një kryeqytet pa kulturë nuk është më kryeqytet, por garnizon në shkretëtirë, ose pazar mushkash. Harpa nuk duhet të mungojë pikërisht sepse nuk është e domosdoshme për asgjë. Njëlloj mund të shkruash deri edhe një trilogji pa përdorur asnjë pikëpresje, por pikëpresja mbetet delikatesa e gjuhës.

Ka një shprehje në shqipe, për dikë që punon mirë: “ia qan qoshet”. Është një shprehje që e ka origjinën, pas gjase, nga mjeshtëria e ndërtimtarisë; meqë qoshet e mureve kanë kërkuar gjithnjë prej mjeshtrave diçka më tepër. Muratori i mirë shquhej prej të tjerëve jo thjesht ngaqë ngrinte shtëpi të forta e të qëndrueshme, por ngaqë ua qante qoshet – edhe pse një shtëpi me qoshe të shtrembra mund të banohet për bukuri.

Mbaj mend, nga fëminia, një dyqan artikujsh muzikorë në Rrugën e Barrikadave në Tiranë. Shkoja shpesh, sepse më pëlqente të shihja instrumentet atje: violinat, kitarat, mandolinat, gërnetat, fizarmonikat e mrekullueshme si prej sedefi, ndonjë daulle të rastit, me kompensatë të lëmuar e të pirografuar. Ishte dyqan i qetë, me shitësen që gjithnjë merrej me ndonjë punë tjetër, bënte triko ose lexonte ndonjë roman të përthyer më dysh, ose hante bukë me gjizë e me domate.

Në atë dyqan më intrigonte shumë një korno franceze, e florinjtë e llamburitëse, në valixhen e vet të zezë, të veshur nga brenda me kadife; më intrigonte, sepse ishte një objekt që nuk i përkiste botës bardhezi të Tiranës “proletare”; sa e komplikuar dhe madhështore, aq edhe krejtësisht e padobishme; më e kotë edhe se një stoli e çmuar e dikurshme, që kish përfunduar tashmë në Thesarin e Shtetit; ose ikonostasi i një kishe të shndërruar në palestër volejbolli. Jo se më pëlqente t’i bija atij instrumenti, meqë mendjen e kisha te kitarat; por më mahniste kotësia e tij e lavdishme, ose vetëdija se kornoja franceze kish mbetur atje nga një kohë tjetër, kur mund të ndodhte që dikush të hynte në dyqan një ditë rrogash dhe ta blente, për vete ose për t’ia dhuruar dikujt për Krishtlindje.

Nuk po dua të tingëlloj patetik, por ai instrument i rrallë e ndoshta i paftuar, në raftet e dyqanit muzikor me qarkullim tmerrësisht të ngadalshëm më jepte pak shpresë; më dukej imi edhe më shumë se ç’do të kish qenë imi sikur të ma kishin dhuruar. Kjo edhe pa ia dëgjuar tingullin, thirrjen ose fanfarën; meqë instrumenti i fshihte brenda vetes, si në magji, të gjitha meloditë që mund të luheshin me të, në përjetësi.

Prandaj edhe më hidhëroi tani ajo puna e harpës në Tiranën e shekullit XXI.

4 Komente

  1. “A është vallë e domosdoshme harpa?”

    Art is not essential to survive, but, does give value to survival.

  2. Kurse mua me perlqen te mendoj si Nietzche, i cili thote se “arsyet e ekzistences jane estetike”. S’do mend se duke humbur harpen, mbase nuk kemi humbur ekzistencen ne kuptimin fizik te fjales, por arsyen e saj e kemi humbur me siguri…

  3. E mbaj mënd atë dyqanin e veglave muzikore. Shkoja për të blerë kollofon (kur kishte, se përndryshe shkoja i lutesha violinistit tek Lulishtja Sahati.) Tani më duket sikur mbaj mënd edhe kornon, në kuti te zezë me kadife të kuqe.

    Harpa, pikëpresja janë finesa, delikatesa. Në përgjithësi ju mungojnë atyre që ose janë mësuar me to, ose të paktën dinë ti vlerësojne.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin