IDENTITETI KOSOVAR (II)

Po i kthehem përsëri çështjes së identitetit kosovar dhe marrëdhënieve të këtij identiteti me identitetin shqiptar.

Po ta pranojmë identitetin kosovar si manifestim konkret të identitetit shqiptar, atëherë duhet të pranojmë, dashur pa dashur, edhe identitetin “shqipëritar”, term që e kam dëgjuar të përdoret ndonjëherë. Në këtë rast kosovarët do të ishin shqiptarë të Kosovës njëlloj sikurse shqipëritarët janë shqiptarë të Shqipërisë.

E kam fjalën që identiteti kosovar, sa kohë që përkufizohet, do të kërkojë ripërkufizim edhe të identitetit të të gjithëve ne, në pajtim me rrethanat.

Ata që e kundërshtojnë me forcë idenë e një identiteti kosovar, duke e parë si kërcënim për unitetin kombëtar, i druhen në thelb mundësisë që ky identitet t’i kundërvihet vetë identitetit shqiptar, mundësi që përjashtohet në qoftë se vjen në vështrim identiteti shqipëritar.

Këtu s’është puna vetëm për lojëra fjalësh. Identitetin e mbrun eksperienca individuale dhe kolektive; bashkësia ekonomike, gjuhësore dhe kulturore; praktikat administrative dhe institucionet e përbashkëta publike dhe private. Faktin që gjatë shekullit XX Kosova dhe Shqipëria kanë jetuar veçmas nuk mund ta kundërshtosh me deklarata për flamurin ose për pellazgët.

Se ç’gjurmë ka lënë kjo ndarje në në institucionet, në kulturë, në gjuhë, në etikë dhe në jetën publike kjo mbetet për t’u hulumtuar.

Dallimi më i dukshëm mes këtyre dy realiteteve shqiptare ka qenë se, për një shekull, shqipëritarët kanë pasur shtetin e tyre dhe nuk janë ndier të kërcënuar si komb; ndërsa kosovarët kanë qenë, në një mënyrë ose në një tjetër, të sunduar prej serbëve. Për kosovarin çdo akt riprodhimi i identitetit kulturor ka qenë edhe akt rezistence, ose sfide ndaj dhunës serbe; për shqipëritarin i njëjti akt ka qenë, përkundrazi, rutinë, meqë këtij nuk ia rrezikonte kush identitetin kulturor.

Ja një tjetër dallim: identiteti kosovar si diçka e fituar (conquered), përballë identitetit shqipëritar, të marrë për të mirëqenë.

Më në fund, dallimi i tretë që më duket tepër kritik e që ka të bëjë me qëndrimin ndaj diversitetit.

Kur u krijua si shtet në 1912-ën, Shqipëria u detyrua – me hir e me pahir – ta bëjë të vetën formulën e Vaso Pashës, ose ta pranojë heterogjenitetin fetar dhe kulturor në institucionet dhe në jetën publike. Për afërsisht 20 vjet, midis 1920-ës dhe 1939-ës, të tri fetë përfaqësoheshin paanësisht në elitat me dhe pa pushtet: myslimanë, ortodoksë dhe katolikë. Pas 1945-ës, elementi katolik vërtet u diskriminua keq, por kjo u krye nën maskën e luftës kundër fesë në përgjithësi, dhe identiteti shqipëritar nën totalitarizëm u konsolidua si një identitet që ngrihej jo vetëm mbi dallimet krahinore Jug-Veri, por edhe mbi dallimet mes myslimanëve dhe të krishterëve.

Nga ana tjetër, dihet se një pjesë e Rilindësve ishin vllehë nga origjina; dhe prania e vllehëve ka mbetur gjithnjë e spikatur në politikën dhe sidomos në kulturën shqipëritare; them e spikatur për të gjithë ata që kanë dashur të marrin vesh.

Pas Luftës II Botërore, për 45 vjet, profilin identitetit shqipëritar ia përcaktoi Tirana; si qytet ku bashkëjetonin gegë dhe toskë, vendas dhe të ardhur, myslimanë e të krishterë; për t’i dhënë Shqipërisë një shtresë kryeqytetare që nuk identifikohej më me origjinën e vet krahinore, sikurse nuk identifikohej as me tiranasit vendës.

Unitetin historik Shqipërisë ia siguruan dy faktorë: ideologjia kombëtariste e Rilindjes, e themeluar në Skënderbeun dhe në gjuhën shqipe; dhe myslimanët shqiptarë, të cilët i gjeje edhe në Veri edhe në Jug (njëlloj sikurse turqizmat në shqipen e folur). Dialektika e marrëdhënieve midis këtyre dy faktorëve u zhvillua në mënyrë të tillë që Shqipëria e shekullit XX të përftohej si një truall i bashkëjetesës midis diversiteteve kulturore. Praktikisht të gjitha arritjet shqipëritare në kulturë i detyrohen fertilitetit që solli kjo bashkëjetesë në të gjitha nivelet e komunikimit: Naim Frashëri dhe Gjergj Fishta, Lasgush Poradeci dhe Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi dhe Mustafa Kruja, Pater Anton Harapi dhe Branko Merxhani, Fan Noli dhe Ernest Koliqi, Andon Zako Çajupi dhe Ali Asllani, Ndre Mjedja dhe Asdreni, Haki Stërmilli dhe Mitrush Kuteli, Gasper Pali dhe Migjeni, Ismail Kadareja dhe Jakov Xoxa, Dhimitër Shuteriqi dhe Kolë Jakova, Sali Shijaku dhe Kel Kodheli, Aleks Buda dhe Eqrem Çabej, Dhimitër Anagnosti dhe Rikard Ljarja, Sandër Prosi dhe Kadri Roshi, Margarita Xhepa dhe Tinka Kurti, Feim Ibrahimi dhe Pjetër Gaci, Dritero Agolli dhe Sterjo Spasse…

Po të përqasim tani këtë tablo me mënyrën si u përftua identiteti në Kosovë, do të shohim se atje diversiteti u shpreh në trajta të tjera, shpesh të pabashkëmatshme me ato të Shqipërisë. Kosovarët, nga pikëpamja kulturore, janë vetvetiu më homogjenë se shqipëritarët – jo vetëm sepse janë të gjithë gegë verilindorë (në kuptimin etnografik, jo gjeografik), por edhe sepse janë kryesisht myslimanë – me gjithë një pakicë katolike që, për nga pesha demografike dhe sidomos kulturore, nuk krahasohet dot me përbërësen e krishterë të identitetit shqipëritar.

Kosovarëve diversiteti iu shpreh në dy mënyra kryesore: (1) diversiteti shqipëritar dhe (2) diversiteti jugosllav. Këto dy mënyra janë edhe skaje të një aksi të tendosur vlerash, sa kohë që Shqipëria zakonisht përfaqësonte për Kosovën një dëshirë, ndërsa Jugosllavia një kërcënim. Do pasur parasysh edhe se, për shumë e shumë vjet, komunikimi kulturor – ose qarkullimi i memeve – mes këtyre dy realiteteve ka qenë i padrejtpeshuar, pse informacioni ka lëvizur kryesisht nga Shqipëria drejt Kosovës, jo anasjelltas.

Shpesh kam ndeshur në kosovarë që e kanë të vështirë ta rrokin natyrën e bashkëjetesës ose të barazpeshës që ekziston në Shqipëri midis myslimanëve dhe të krishterëve; ose në kosovarë të tjerë që i shohin me dyshim e keqbesim shqipëritarët e fesë ortodokse, duke i gjykuar si kontingjent i ekspozuar ndaj ndikimit grek. Aq më i rëndë vjen e bëhet ky paragjykim kur është fjala për shqipëritarët me origjinë vllahe, të cilëve kjo origjinë po u kujtohet tani vend e pa vend, si të ishte handicap, ose diçka për të cilën vllehët duhet të shfajësohen, ose të ndihen të paktën fajtorë.

Natyrisht, këtë lloj katundarizimi të identitetit kulturor e ndesh rëndom edhe në Shqipëri; kohët e fundit deri edhe publicisti Sadik Bejko ia kishte përmendur origjinën vllahe kolegut të vet Aurel Plasari, thuase kjo shpjegokësh disa qëndrime të Plasarit që nuk përputheshin me ato të Bejkos vetë. Megjithatë, kam përshtypjen se shqipëritarët e përballojnë këtë lloj diversiteti brenda vetes më mirë sesa kosovarët, të cilët janë mësuar tashmë me një konceptim më të njëtrajtshëm të shqiptarësisë së tyre.

Tani, nëse kjo nuk është dallesë e rëndësishme në identitet, unë nuk di ç’mund të quhet dallesë e rëndësishme.

Kosovarët e kanë kaluar praktikisht krejt shekullin XX si shtetas të Jugosllavisë, çka don të thotë se identiteti u sfidohej përditë në ballafaqimet me identitetet sllave të Jugut, të cilat jo rallë merrnin trajtën e ballafaqimeve të Islamit (shqiptar) me Ortodoksinë (serbe). Edhe sot e kësaj dite kosovarët e vuajnë, politikisht, praninë e ortodoksisë në trojet e tyre si gozhdë të Nastradinit: në trajtat e monumenteve të kujtesës kolektive historike-mitologjike të serbëve. Në këto rrethana, ndjeshmëria fetare e shtuar ose stereotipizimi sipas prejardhjes fetare nuk ka pse të habitë kënd; sepse feja aty shërben si katalizator i identitetit kolektiv, pavarësisht nga shkalla e pjesëmarrjes shpirtërore të individëve në komunikim të përditshëm me Hyjninë.

Këtu ia vlen të hapet edhe një diskutim për jugosllavizmin – si dukuri politike dhe kulturore. Jugosllavizmi zakonisht na është paraqitur si një orvatje e serbëve për t’u imponuar diktatin e tyre popujve të tjerë të Jugosllavisë dhe ndoshta ashtu ka qenë vërtet; mirëpo ideja e popujve etnikisht të ndryshëm që jetojnë së bashku sepse ndajnë mes tyre vlera dhe interesa të ngjashme më duket e admirueshme në vetvete, siç e ka shembëllzuar edhe Europa e Bashkuar. Vetë Shqipëria, që në zanafillën e vet si shtet, u themelua si ideal bashkëjetese mes shqiptarëve të feve të ndryshme, që donte të thoshte edhe e traditave të ndryshme kulturore, dhe pikave të ndryshme të referimit politik, ekonomik dhe etik. Nga kjo pikëpamje, unë shoh një ngjashmëri strukturore midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Pa përmendur, pastaj, idenë ose vizionin europeist, të cilit të gjithë i falemi, sepse vetëm nën ombrellën magjike të unitet-diversitetit kontinental do të mund të bashkohemi përnjimend, kosovarë e shqipëritarë.

 

25 Komente

  1. “Jugosllavizmi zakonisht na është paraqitur si një orvatje e serbëve për t’u imponuar diktatin e tyre popujve të tjerë të Jugosllavisë dhe ndoshta ashtu ka qenë vërtet; mirëpo ideja e popujve etnikisht të ndryshëm që jetojnë së bashku sepse ndajnë mes tyre vlera dhe interesa të ngjashme më duket e admirueshme në vetvete,”

    Fatkeqesisht, jugosllavizmi nuk kishte asgje te perbashket me “idene e popujve te ndryshem qe jetojne se bashku sepse ndajne mes tyre vlera dhe interesa te ngjashme.” Historia e faktet jane aty, per t`a kundershtuar me kokefortesi kete pandehme.

    Ngjashmeria strukturore qe ti Xha Xha po gjeke mes Shqiperise e Jugosllavise mbetet vec ne realmin teorik, e me duket e kerkuar dhe spekullative.

  2. Dakord me Lostin. Ne qofte se do barazosh identitetin fetar me ate kombetar nen shenjen e memeve, (vej re gjithmone e me shume se je i terhequr prej kesaj teorie te artikuluar nga Dawkins) rrezikon te japesh nje pershkrim aq gjeneral te dy strukturave te ndryshme sa qe nuk eshte veshtire t’i barazosh keto struktura. Gje qe mbi te gjitha, bie ndesh me kete premise: “Nga ana tjetër, dihet se një pjesë e Rilindësve ishin vllehë nga origjina.” Ne qofte se struktura e Jugosllavise perbehet nga identitete te ndryshme kombetare, por me fe dhe origjine te njejte, (me perjashtim te Kosoves, dhe Vojvodines) duhet te qartesosh qe pavaresisht origjines se ndryshme, identiteti kombetar i vlleheve te Shqiperise ishte dhe eshte i njejte me ate te shqiptareve te Shqiperise, per te mos thene se eshte faktor themelor, ne artikulimin e ketij identiteti kombetar. Kjo per mua eshte nje dallim strukturor qe nuk mund te shpjegohet me meme. Ne se po, atehere kemi te bejme me meme te ndryshme.

  3. Lulian, ka një supozim që e bëjnë shpesh shqiptarët mes vedi: që çdo shqiptar është edhe nacionalist, ose e identifikon veten para së gjithash nëpërmjet kombit të cilit i përket. Nuk them se e bën ti këtë supozim, por vetëm që e bëjmë të gjithë. Mirëpo ka edhe forma të tjera identiteti, që konkurrojnë me atë kombëtar: identiteti fetar, identiteti klasor, identiteti profesional… Një komunist i kulluar do të ndihet më i afërt me proletarët në Sri Lanka sesa me pronarin e vet të cilin mund ta ketë edhe kushëri; një mysliman i kulluar mund të ndihet më i afërt me bashkëfetarin e vet në Sana të Jemenit ose në Izmir të Turqisë, sesa me komshiun e vet të krishterë, e kështu me radhë. Unë nuk shoh ndonjë hierarki të vetvetishme midis identiteteve, as ndonjë epërsi morale të njërit ndaj tjetrit. Për dikë që është tepër fetar, marrëdhëniet me dikë që i përket një komuniteti tjetër fetar janë më delikate sesa marrëdhëniet me dikë tjetër, që i përket një kombësie tjetër. Prandaj edhe shoh disa paralele ose ngjashmëri strukturore midis një bashkësie komunitetesh të etnive të ndryshme dhe një bashkësie komunitetesh të feve të ndryshme. Nga ana tjetër, ky s’është thjesht diskutim teorik, as akademik; sepse në pavarësinë e Kosovës një palë shohin triumfin e nacionalizmit shqiptar, të tjerë triumfin e europeizmit si supra-nacionalizëm (ose mohim të nacionalizmit, serb ose shqiptar). Flamuri i Kosovës dhe deklaratat zyrtare të udhëheqësve të zgjedhur me votën e lirë i japin të drejtë vizionit të dytë; fryma dhe humori në forumet publike anojnë për nga vizioni i parë. Cili mem do ta fitojë luftën për ekzistencë? E meqë flasim për memet, unë e përdor këtë si stenografi për një formë virale të komunikimit të ideve në hapësirë dhe të transmetimit të tyre në kohë – se përndryshe për Dawkins nuk është se e çaj shumë kryet.

  4. Delikat do thoja eshte perkufizimi i identitetit kur referohesh faktoreve si p.sh. Kosovaret kane qene nje shekull nen jugosllavine, pra jane shqipetare por ndryshe, si te tille, ata trajtojne edhe shqiptaret e shqiperise sikur i mungone dicka. Ky kend veshtrimi mund te krahasohet keshtu; si pesdhjete vjetet e sistemit komunist ne Shqiperi krijuan shqipetar te ndryshem, si rrjedhoje ne jemi shqipetare po ndryshe nga ata te komunizmit te se njejtes Shqiperi, dhe ketu takohen dallimet e te dy paleve.
    Jo, Shqiptari Kosovar eshte Shqiptari Shqiptar sic eshte Shqiptari i shqiperise komuniste po aq sa shqiptari i sotem Shqipetar.
    Dikush eshte ne gjendje te dalloje ngjarjet dhe efektet e ngjarjeve ne kurriz te c’do pjese te popullesise ne kohe te ndryshme, ashtu si mund te jete cdo shqipetar edhe qytetar i qytetrimit te sotem kozmopolitik (nese konsiderojme nje te tille) pa qene me pak Shqipetar se eshte me kozmopolitik.
    Nuk bene ndryshim esencial brenga e te dy paleve per te qene Shqipetar. Shqipetari i tyre duhet t’i shohi keto si brenga shqiptare.

  5. “Unë nuk shoh ndonjë hierarki të vetvetishme midis identiteteve, as ndonjë epërsi morale të njërit ndaj tjetrit.”

    Nuk mund te bie dakord ne qofte se keto identitete vendosen ne nje kontekst teorik strukturash apo memesh, pasi te parat implikojne nje qendrim me qellim vertikal, apo qender/periferi, nderkohe qe te dytat implikojne nje perzgjedhje kulturore qe siguron avantazhe te krahasueshme me luften per mbijetese, dhe shfaqin nje hierarki identitetesh te ngjashme me zinxhirin ushqimor.

    Sa per Nacionalizmin, apo Kombetarizmin, une e kam shpallur dhe e shpall qe jam antinacionalist dhe antikombetar, dhe nuk ka goje askush me kete rast te me akuzoje per antishqiptar.

  6. Nuk te akuzon njeri per antinacionalizem dhe antikombatar, ti je Lulian, sipas teje.

    Shembull sygjeroj: Dikush vrau, dhe dikushi u vra, futet avokati dhe gjyqtari per te vendosur statusin e fenomenit. Kush eshte pala qe vendos, ajo e atyre qe kryen aktin, apo e atyre qe po e gjykojne ate?

    Mos bej me faje ate qe gjykone se po te njejtin faje e kane bere ata qe kryen aktin ne first place.

    Te berit me faje eshte si te paturit nje plage. Mundohesh t’a sherosh sa me me efekt, pamvaresishte se le gjurme, ato sjane vetem per keq.

  7. “Prandaj edhe shoh disa paralele ose ngjashmëri strukturore midis një bashkësie komunitetesh të etnive të ndryshme dhe një bashkësie komunitetesh të feve të ndryshme. Nga ana tjetër, ky s’është thjesht diskutim teorik, as akademik; sepse në pavarësinë e Kosovës një palë shohin triumfin e nacionalizmit shqiptar, të tjerë triumfin e europeizmit si supra-nacionalizëm (ose mohim të nacionalizmit, serb ose shqiptar).”

    Xha Xha, analiza qe i ben ketyre dy identiteteve duke i vendosur perballe njera tjetres ne fakt perben pikerisht dilemen me te cilen perballet shoqeria shqiptare. C’eshtja shtrohet nese kjo dileme eshte ekzistenciale apo jo? Ose e thene ndryshe a e perjashtojne ato njera tjetren? Shoqeria shqiptare nuk eshte se i ka fare te panjohura sfida te tilla, dhe fakti qe ka ruajtur deri diku ekzistencen e vete, edhe keshtu me pranine e tyre, tregon se diku ne kemi trupa imunitare ndaj nje dukurie te tille (te fshehur apo edhe te shfaqur). Por ndoshta ne rrethana te reja duhet te shtrohet me pyetja:

    – Kush eshte karakteri i nacionalizmit (cilitdo nacionalizem) ne strukturen e supranacionalizmit europian?

    Nderkohe nje mardhenie tjeter e identitetit nacionalist eshte edhe ajo me pushtetin. He per he ne politiken tone nuk duket te kete ndonje dominim ideologjik nacionalist, por kjo nuk do te thote patjeter qe ne do dime c’te bejme kur ky dominim te jete prezent. Duhet theksuar se ne i kemi patur dhe i kemi mardheniet e pushtetit me ideologjine te parregulluara, do thosha edhe problematike; ose ideologjizem total, ose mungese vizioni totale. A eshte sistemi demokratik qe po ndertojme ne gjendje t’i rregulloje keto mardhenie?

  8. “ka një supozim që e bëjnë shpesh shqiptarët mes vedi: që çdo shqiptar është edhe nacionalist, ose e identifikon veten para së gjithash nëpërmjet kombit të cilit i përket”

    Me duket se shembellen te njejtin paragjykim qe po gjen ke ‘supozimi qe bejne shqiptaret shpesh mes vedi,’ me nje fjale, nese shqiptaret jane ‘biased’ per kete supozim, po ashtu edhe ti je ‘biased’ qe po i gjen te tille, keshtu duke i hyre psh ne hak Lulianit, fv.

  9. Ok, por megjithese citati mund ti hyje ne hak Lulianit, mund ta marrim si nje pohim qe vihet re bindshem ne raste specifike dhe te shpeshta.Pergjithesimi i Xha Xhait eshte analitik; asocimi i te qenurit shqiptar me nje hierarki identitetesh eshte i tjeter natyre/specieje.

    Kjo puna e identiteteve dhe nacionalizmit me merzit sepse kthehet sa hap mbyll syte ne diskurs te mbyllur e vete-referues. Pjesa me e rendesishme nuk mu duk paraleli mes Shqiperise dhe Jugosllavise (qe solli menjehere reagime per “mbyllje,” jo hapje apo konsiderate; pse?) por kjo ketu:

    “Se ç’gjurmë ka lënë kjo ndarje në në institucionet, në kulturë, në gjuhë, në etikë dhe në jetën publike kjo mbetet për t’u hulumtuar.”

    Ku eshte Jugosllavia ne keto diskutimet tona? Ka 2 jave qe flitet per Kosoven sikur Jugosllavia ishte thjesht nje ndalese ne vijen e pandare nga Skenderbeu tek 2008-ta. Po si do mund te hulumtohet kjo trashegimi kur thjesht perpjekja (dhe kete e kam provuar vete) denoncohet si gati-tradheti? Ne hapesiren shqiptare sferat intelektuale do vijne e do behen akoma me te ndara e te kontestuara se sa jane sot. Nuk di a do jene ne gjendje studiues te atjeshem te merren me keto pyetje.

  10. Jane sa e sa perralla qe dogmatikishte flasin per fundin e botes (apokalipsi) dhe per cudi me pesvjecare (per pese vjete do behet qameti etj…). Natyrshem jo gjithnji njerzit mbeshtesin njeri tjetrin, marrdhenja e individeve s’eshte prone e as kujt, ajo eshte motivim per te dy palet nga pika te ndryshme referimi, dhe ka kufij ky relativitet brenda llojit (ne kete rast Kosovare dhe Shqipetar) po kur fut ne sken Sebit ke te beshe me nje tjeter sistem referimi.

    Nuk duhet te ngaterrohet qe ne fund te fundit njerzit jane njelloj para jetes, por me personalitet dhe kulture te ndryshme.

    Dihet qe injoranca i bie me sopate, kur sterhollohet situata deri ne zhdukjen e kufijve te sistemeve te referimit, dhe eshte nje e keqe e domosdoshme, sic eshte edhe urtesia nje e mire me durimin e domosdoshem kur injoranca verberisht marshon.

    Vazhdimi sigurishte qe do kete element te se kaluares edhe ne te ardhmen, por jo si keto te kohes moderrne, mbase sa me thelle ne kohe te shohesh aq me shume mundesite jane te gjejne aplikime ne te ardhmen e Kosove-Shqiperi.

  11. Minator, mund te pyes se ku e bazon kete:

    “Ne hapesiren shqiptare sferat intelektuale do vijne e do behen akoma me te ndara e te kontestuara se sa jane sot. “

  12. Në vijim të konstatimit të Xha Xhait se shekulli i XX vijoi për shqiptarët në të dy anët e kufirit shqiptar-shqiptar në mënyra të ndryshmë unë do ta gjeja me vënd t’i kushtoja më shumë vëmëndje pikërisht ndikimit të kushteve të ndryshme politike, ekonomike, sociale të këtij shekulli në profilizimin e identitetit të ri.

    Gjithashtu duhet dalluar që në fillim nëse analizës së identitetit kombëtar je duke ju afruar me një mbingarkesë emocionale apo nëse je thjeshtë dukë kryer një vrojtim. Identiteti kombëtar në kuptimin e sotëm (shqiptar) të fjalës është një koncept i mbingarkuar me pathos patriotik dhe ndoshta për ta trajtuar cështjen me një farë objektiviteti do të duhej (aq sa të qe e mundur) ta zhvishje konceptin nga romantika nacionaliste. Më pas ndoshta u dashka zhveshur edhe vetja (aq sa edhe kjo të jetë dot e mundshme) nga të gjitha komplekset kombëtare të inferioritetit, se identiteti kombëtar lakuriq nuk mund të na bëjë të ndjehemi të barabartë më fqinjët apo me oksidentitn.
    Sigurisht që gjëndja e lakuriqësisë së mësipërme është një e tillë ideale, por sidoqofte nëse vetë-analiza e identitetit kombëtar shikohet si një proces i cili u dashkërka ndjekur kokëfortësisht nga procesi i distancimit nga vetëvetja, ndoshta u arritkërka dot një farë gjykimi objektiv lidhur me identitetin kombëtar. Fiksimi i konceptit të identitetit kombërar është një proces i cili nuk mbaron asnjëherë, pasi edhe identiteti është një dukuri me një dialektikë relativisht dinamike, funksion kjo e kushteve shoqërore në të cilën gjëndet e jeton grupi i shqiptarëve. Këtu mund të konkludohet, që pavarësisht nga opinionet e ndryshme të përfaqësuara lidhur me këtë argument do të duhej të ndahej qartë midis procesit të kërkimit të identitetit kombëtar dhe atij të skicimit të tij.

    Fatkeqësisht këto ngatërohen shpesh dhe ndërsa kërkohet për atë identitet asnjëherë të humbur përshkruhet në fakt si i mirëqënë ai që lakmohet. Procesi i dytë (ai të lakmuarit) është në vetvete pjesë e identitetit kombëtar, por nuk është ky vetë. P.sh. në pohimin se shqiptarët mund të identifikohen nga pikpamja kulturore edhe për faktin se një pjesë të mirë të shekullit të XX e kanë kaluar duke ravijëzuar një identitet kombëtar sic nuk e kanë patur; por që do të donin ta kishin, tregon një të vertetë të madhe, e cila është një pjesë e identitetit kombëtar. Kam përshtypjen se në këtë diskurtim nuk synohet edhe shumë analiza e fantazisë kombëtare të identitetit kombëtar, që kryesisht vihet në lëvizje nga një literaturë relativisht e dobët nacionaliste romantike (tashmë që gjithkush ka hyrje në internet dhe di të shtypë qoftë edhe më dy gishta, mund ta ndjejë veten për rilindas), por analiza e gjëndjes konkrete të identitetit kombëtar.

    Në këtë kuptim unë i sugjerova atij njeriut të quajtur Ilir që të ikte nga ky bllog sepse kontributi i tij ishte mizerje, pavarësisht ai u mundua te artikulojë gjatë bindjet e tija, madje duke tradhëtuar edhe të vërteta familiare, që megjithë kuriozitetin e pashoqë nuk mund të binin dot ndonjë kontribut të vecantë për të murosur bindjen e tij. Në këtë kuptim ftesa për të dalë nuk do duhej parë gjë si ndalesë për t’u shprehur por si një lutje të pushuar së foluri marrina e për më tëpër të fyejë shkruesit e këtij bllogu.

    Që të kthehem atje ku doja të shkoja kur u nisa; shekulli i XX mua më duket shumë domethënës për përcaktimin e identitetit kombëtar; ai më shumë i ndau se mbajti të bashkuar shqiptarët dhe këtu pa dashur të përsërit cka shkroi Xha Xhai do ta shikoja të nevojshme t’i lihej hapsira e duhur e nevojshme edhe gjykimit të fenomenit të përkatësisë së Shqipërisë në Evropën Lindore si dhe përvoja staliniste të përjetuar atje, ndërkohë që Jugosllavia e Titos ishte një shtet liberal dhe një shoqëri relativisht e lirë. Eksperiancat kolektive të mbledhuara në këtë përiudhë janë shumë të frskëta dhe si të tilla e kushtëzojnë në mënyra të ndryshmë identitetin kombëtar.

    Ka edhe dicka, që mua më duket jo fort e parëndësishme. Si rregull kërkimet lidhur me konsistencen dhe përmbajtjen e identitetit kombëtar bëhen duke ju referuar analizës se fakteve të shkuara. Unë do të mendoja që një fakt relatisht domethënës për identitetin kombëtar është edhe ajo paltformë kombëtare lidhur me zhvillimet kulturore të kombit në të ardhmen. Nëse analiza e të shkuarës është më komplekse (faktet janë, ato duhen vetëm mbledhur) analiza e të ardhmes, apo më sakte e projekteve të së ardhmes tregojnë shumë predispozicionet konkrete e të tashme lidhur me identitetin kombëtar. Por a ka një platformë të vërtetë mbarëkombëtare shqiptare lidhur me kanalizimin (aq sa ky është i mundhsëm) të identitetit kombëtar në një drejtim të përbashkët, për arterizimin e shqiptarizmës sot ende kapilarike? Nuk e kam fjalën për forume qeveritare të institucionalizuara e me karakter kryekëput celebrativ, të burokratizuara e dopiopetizuara përfundimisht pashpresë; si dhe nuk e kam fjalëm për forume vullnetare dashamirëse-naive-patriotike të formatit te Lidhjes se Dymbëdhjetë të Prizrenit. E kam fjalëm për dicka tjetër, për një platformë komunikimi ndërshqiptar për probleme të përditshmërisë. Dhe që të lindë nevoja e një diskutimi panshqiptar për problemet e përditshmërisë, sa përditshmëri të përbashkët kanë shqiptarët sot? A can kush kryet për këtë? A ka gjq një predispozicion për unifikimin e përditshmërisë së shqiptarëve, përderisa paska kaq shumë predispozicion për ta gjetur mbarë-shqiptarizmën në cdo spec të mbushur nga Camëria deri në Sanxhak. Nëse shqiptarët mblidhen sot së bashku vetëm për të kujtuar Nënë Terezën dhe Skënderbeun, por nuk nuk shikojnë asnjë domosdoshmëri për unifikimin e rregullave të jetesës, pra për mënyrën se si rripet e shitet një dhi në pazar, apo se si martohesh apo ndahesh me gruan, ky është një indikator, që optimizmi për ekzistencen dhe mbizotërimin e një identiteti kombëtar shqiptar është një vetëmashtrim dashamiras naiv.

  13. GH:
    “Nëse shqiptarët mblidhen sot së bashku vetëm për të kujtuar Nënë Terezën dhe Skënderbeun, por nuk nuk shikojnë asnjë domosdoshmëri për unifikimin e rregullave të jetesës, pra për mënyrën se si rripet e shitet një dhi në pazar, apo se si martohesh apo ndahesh me gruan…”

    Hmmm, ja nje ide interesante. Vertet, po sikur legjislatori kosovar, ndersa do filloje me intensitet te promulgoje legjislacion, bashke me tendencen per ta perafruar ate me acqui-te e BE ta perafroje edhe me legjislacionin e RSH, a nuk do te ishte nje gje shume e mire (pertej problemeve qe ka legjislacioni i RSH, sidoqofte ai eshte shume me i konsoliduar dhe i hollesishem se ai i RK, ndonese edhe keta te fundit nuk kane jetuar ne boshllek)?
    Do te ishte nje menyre qe vozitesi-tregtar-turist i Kosoves ta gjente veten ne shtepi ne te gjitha kuptimet kur te hynte ne RSh dhe anasjelltas.
    Po ashtu edhe studenti-i diplomuari-punekerkuesi, krimineli-krimberes, bukuroshi-zemerthyes-nusedashes, etj.

  14. Po më duket shumë i frytshëm ky diskutim.
    Jam dakord me GH: objektivisht kombëtarizmi u vlen shqiptarëve më tepër si projekt, sesa ngushëllim. Skënderbeu dhe Nënë Tereza, figura të shtrydhura, e kanë humbur magjinë paralelisht me diskreditimin e të gjithë atyre që i kanë tundur si flamuj e i kanë parakaluar rrugëve si figurat e shenjtorëve në procesionet fetare të provincës; pellazgët dhe ilirët, në gojë të miletit, po përfundojnë në barcaleta. Nëse këto fjalë të miat tingëllojnë të hidhura, provoni të shkoni për ndonjë hall shëndetësor në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, për ta kuptuar që vreshti nuk bëhet me urata.
    Ujk i Zi, Ortega y Gasset, në mos gabohem (se po citoj nga kujtesa), ka hedhur dikur një tezë sipas së cilës i vetmi nacionalizëm që mund të përligjet në shek. XX është nacionalizmi europian; çka pajtohet edhe me vërejtjen e GH-së më lart, për kombin si të themeluar në bazë të një projektimi, jo si një tempull ose kishë për adhurimin e rrënjëve. Edhe historikisht po ta marrësh, Europa e Bashkuar është edhe një përgjigje ndaj qorrsokakut ku e kish futur kontinentin nacionalizmi romantik i shek. XIX.
    Minator, edhe unë pres më shumë sqarime për gjurmët e eksperiencës jugosllave në realitetin e sotëm të Kosovës si shtet dhe të kosovarit si identitet; Shqipëria kaloi 45 vjet nën totalitarizëm dhe sot nuk ka aspekt të jetës shqiptare që të mos ia gjejmë zanafillën, herë drejtpërdrejt herë tërthorazi, në ato vite; mirëpo edhe Kosova kaloi po aq vjet në Jugosllavi, pjesë e një entiteti mbikombëtar. Ka pasur Rankoviç, por ka pasur edhe Tito; nuk futen të gjithë në një thes, sepse kjo do t’ia shterpësonte leximin historisë. Studiuesit e atjeshëm ndoshta kanë frikë të merren me këto çështje, sepse nuk i lënë kapadaijtë kombëtaristë, të cilët e reduktojnë çdo problem në dikotominë mitike shqiptarët vs. serbëve. Mirëpo Jugosllavia ishte edhe një orvatje për ta moderuar agresivitetin serb, megjithë politikat jashtëzakonisht dritëshkurtra të kroatëve gjatë Luftës II (po nuk është vendi këtu t’i hapim këto muhabete). Serbët në Jugosllavi ishin – gjithnjë nga pikëpamja strukturore, jo etike, prandaj mos m’u indinjoni – të barasvlershëm me toskët e veçanërisht lebërit në Shqipëri: kishin përballuar në kurriz luftën dhe kishin fituar!

  15. Xha Xhai thote:

    “Edhe historikisht po ta marrësh, Europa e Bashkuar është edhe një përgjigje ndaj qorrsokakut ku e kish futur kontinentin nacionalizmi romantik i shek. XIX.”

    Dakort! Nderkohe kjo lloj krijese i mban te ndrydhura shume identitete, dhe ka nevoje per nje lloj dekonstruktimi te vazhdueshem. Ose – nje perqasje tjeter – identitetet e dobeta kane nevoje vazhdimisht per mbeshtetje strukturore, pak a shume si ajo perqasja e GH-se – nje lloj moderniteti i interpretuar dhe filtruar permes interesave te identiteteve lokale. Si te thuash, duhet gjetur menyra per ta bere projektin (post)modern (aka Europian) terheqes edhe per identitetet lokale.

    Ne teori duket sikur identitetet qe synojne te dominojne shkojne kunder rrymes, sepse ne projektin e madh nuk jane supozuar qe ta bejne kete. Porse ne realitet, ato grupime qe idntifikohen edhe si inicuesit e projektit modern sigurisht qe jane ne krye te hierarkise, duke vazhduar pastaj me ata qe kane ditur ta perqafojne ate me heret se te tjeret.

  16. Minatori thote: “Kjo puna e identiteteve dhe nacionalizmit me merzit sepse kthehet sa hap mbyll syte ne diskurs te mbyllur e vete-referues.”

    Qe do kthehet ne vete-referues, vete-perserites, etj, as qe nuk ka dyshim, pasi identiteti fillon tek vetja, e hapet pastaj me rradhe tek perkatesia, tjetri, dhe atributet e ndryshme. E kuptoj qe ka nje moment qe solipsizmi behet i merzitshem, madje i padurueshem, sic edhe eshte, por ideja eshte qe te mos mbetet solipsizem, vetem une e s’ka tjeter. Une nuk do merzitesha. Shqiptaret nuk para shquhen per solipsizem, madje as per nje sens te forte te vetes, per te ardhur keq. (Qeme te fundit qe u ndame nga Perandoria Osmane dhe te fundit qe u ndame nga Jugosllavia). Ne kete sens, iu jap pak te drejte tipave si Iliri, apo arrogances nacionaliste, e cila te themi te drejten na ka munguar historikisht. Mirepo e keqja e ketyre eshte qe jane trima pas pilafit, ky lloj nacionalizmi eshte pasqyrim i nacionalizmit me te cilin jemi perballur, eshte traume, efekt shokues i vete-referimit te tjetrit. Ne qofte se kishte nje moment ne historine tone kur ne duhet te ishim treguar nacionaliste, ky moment ishte menjehere pas shkeputjes prej Perandorise Osmane dhe gjate fillimit te L1B. Ne kete moment ne u treguam dipllomate. Kosova e fitoi pavaresine me dipllomaci gjate ketyre 20 vjeteve te fundit, do te ishte nje perseritje e kthyer permbys e gabimit te 12-14es ne qofte se do te tregoheshim nacionaliste.

    Sa per kendveshtrimin se duhet kuptuar Jugosllavia ne keto diskutimet tona, mua me duket se nuk ka shume rendesi. Do ishte me interes historik, por vetem aq. Pavaresia eshte nje lloj tabula rasa, ne te cilen projektimi institucional i shtetit te ri nuk shikon nga e kaluara, ne fakt, e kaluara, shekulli XX, nuk ekziston. Ajo qe duhet kuptuar, eshte Serbia dhe sjellja e Serbise ndaj Kosoves. Ajo qe duhet kuptuar jane te gjithe fqinjet, perfshi edhe Shqiperine, perfshi edhe Europen. Ajo qe eshte me e rendesishmja qe duhet te kuptohet, shkalla e pare, eshte qe cka nevojitet ne marredheniet me kete fqinjesi te behet ligj, pa harruar sidoqofte kushtin me te nevojshem qe solli pavaresine e Kosoves: drejtesia eshte mbi ligjin.

    Kjo eshte e rrezikshme, e di, sepse mund te behet vegel e gjesteve politike. Por eshte pathos i nevojshem.

    Sidoqofte, per shkak te pjesmarrjes ne eksperimentin jugosllav, dhe per shkak te hapjes me boten qe i lejoi Tito ketij eksperimenti, une nuk ia qaj hallin fare identitetit kosovar, ne krahasim me ksenofobine qe kemi te trasheguar prej Enverit ne te Shqiperise. Konservatorizmi klanor dhe i papergjegjshem i Shqiperise kam frike se do vije gjithnje e me i theksuar perballe pergjegjesise multikulturore qe do dine te shfaqin Kosovaret. Mbi te gjitha kjo vihet re ne iniciativen qe shfaqin, nderkohe qe ne Shqiperi vetem sa lyhen pallatet me boje. Qofsha i gabuar e me mire u befte.

  17. Aplikimi i nje shteti nuk eshte vetem teori e strukturuar mire (si modele te permendura nga G.H), por fillone dhe mbarone jeten me mentalitetin e njeriut, dhe ky njeri eshte territorial, si ky shqipetar, grek, malazes, serb etj. Ky njeri me duket me me imunitet per kohe te veshtira, prandaj c’do teori organizimi do kete perballe alternative te frikshme ‘veshtiresine’. E mira per te influencuar vende te vogla si ballkani eshte se dominohen lehte nga nje investim i madhe i c’faredo lloji, por ka dhe nje pike te dobet, se durimi ka kufi per “investimin” e madhe, te humbasi ne tribalizmat e rajonit, durimin dhe interesin e projekteve te Shtetit moderrn.
    Per t’u theksuar eshte fakti qe: Shqipetaret per here te pare jane perballe alternativave te nje shteti ne kompromise jo te demshem ne politiken e tij, perjashto te pa njohuren nga kendi im i veshtrimit.

  18. Lulian Kodra shkruan:

    Sa per kendveshtrimin se duhet kuptuar Jugosllavia ne keto diskutimet tona, mua me duket se nuk ka shume rendesi. Do ishte me interes historik, por vetem aq. Pavaresia eshte nje lloj tabula rasa, ne te cilen projektimi institucional i shtetit te ri nuk shikon nga e kaluara, ne fakt, e kaluara, shekulli XX, nuk ekziston.

    Lulian, po eksperienca politike jugosllave është e vetmja eksperiencë që kanë elitat e sotme politike në Kosovë – e kam fjalën për ata që kanë eksperiencë, jo për të tjerët. Si s’paska rëndësi atëherë? Nëse shpërfillet ajo eksperiencë, atëherë grupet politike do të fillojnë ta administrojnë veten dhe krejt vendin me mënyra tribale ose mafioze (larg qoftë).
    Për fat të keq, shumë njerëz atje më duken të zënë me gjuetinë e shtrigave. Paska ndodhur një incident me fotografinë e Rugovës që e kanë hequr nga kuvendi ose dëmtuar; çka është shoqëruar pastaj me gjyqin që ia kanë bërë ish liderit kosovar në forumet përkatëse në Internet. Mua më duket se tani që u sigurua pavarësia, mesazhi i përcjellë prej mitit politik të Rugovës është më i rëndësishëm sesa mesazhi i përcjellë prej mitit politik të Adem Jasharit.
    Meqë ra fjala, për këtë të fundit lexoj:

    Rrëfimi mbi bëmat dhe qëndresën e Adem Jasharit, në mënyrë vegimtare është prezantuar edhe në parashikimet profetike të Mishel Nostradamusit, i cili ka paraparë me saktësi shumë nga rëniet e ngritjet në historinë e njerëzimit.
    Në një katrenë të Nostradamusit për Njeriun e Madh, thuhet:
    Veprat e vjetra do të përfundojnë
    Dhe nga çatia e keqja do të bjerë mbi Njeriun e Madh.

    (Parashikues të mëdhenj, OMSCA,Tiranë, 1999, faqe 145.)
    Po t`i analizojmë me vëmendje këto dy vargje, në kontest të kohës dhe hapësirës sonë historike, do të zbërthejmë enigmën parashikuese të Nostradamusit. Me aktin luftarak e vetëflijues të Adem Jasharit dhe të JASHARËVE, më 7 mars të vitit 1998 në Prekaz, përfunduan veprat e vjetra, përfundoi skllavëria dhe rrojtja zvarranike, përfundoi deliri i rrojtjes nëntokë, i jetës së ngjashme me jetën e urithit.
    Dhe, për të përfunduar përgjithmonë e vjetra shekullore skllavëruese:
    Nga çatia e keqja do të bjerë mbi Njeriun e Madh. Çatia e Kullës së Adem Jasharit ishte përshkuar me zjarrin e të gjitha armëve shfaruese të artilerisë së Mabusit, (Milosheviqit). Zjarri i predhave armike ra, jo vetëm mbi çatinë e kullës së Njeriut të Madh, por edhe mbi të gjithë Jasharët që qëndruan në Kështjellë.
    Gjithnjë duke analizuar profecitë e Nostradamusit do të hasim edhe në vargje të tjera mjaft kuptimplote:
    Një vrasje aq e egër, sa askush nuk mbeti i gjallë!
    Edhe ky konstatim vegimtar, sado që duket i përgjithësuar dhe mund të korrespondojë edhe me shumë ngjarje të tjera të mizorishme, që kanë ndodhur dhe ndodhin kudo në botë, të përkujton të veçantën e profecisë, së Nostradamusit, faktin real se, më 7 mars të vitit 1998 në Kullën e Qëndresës historike shqiptare, në Prekaz, asnjë kështjellar nuk mbeti i gjallë, mirëpo pikërisht atë ditë, filloi shembja e përgjithmonshme e sundimit të satanait serb në vendin tonë.

    Ca gjëra janë aq të vjetra, sa të befasojnë (tha).

  19. Xhaxha, mos harro eksperiencen 9 vjecare nga 99ta e sot, eksperience qe mori persiper pergjegjesine e shpalljes se pavaresise. Nuk eshte pak. Keta politikane qe jane, kete eksperience kane. Ose eksperience lufte prej 20 vjetesh, ose kete te fundit. Nga Jugosllavia nuk kane mesuar asgje mbi shtetformimin, perkundrazi, mbi shtetshkaterrimin. Titoja eshte aq larg ne histori, sa qe mund te konsiderohet si nje model tjeter, larg ne Zvicer apo Belgjike, bie llafi. Plus qe dinamikat apo struktura e Jugosllavise multikombeshe nuk kane asgje te ngjashme me dinamikat dhe strukturen e Kosoves. Ne qofte se mund t’a terheqesh paralelin mes Shqiperise multifetare dhe Jugosllavise multikombetare ne strukture aq sa mos keputet, me Kosoven e cila eshte 90% shqiptare, dhe me shume se 90% muslimane nuk e heq dot kete paralel.

    Bo, cfare marrezirash ato qe po thuhen per Ibrahim Rrugoven, lexova nja dy tek peshku dhe mua me vjen turp. Harrojne qe qendresa paqesore e tij fitoi repsektin, simpatine dhe miqesine e gjithe botes. Harrojne qe ishte pikerisht sjellja e tij shembullore qe e beri te justfikueshme nderhyrjen e NATOs, se me nje lider rebel nuk do ia mbyllnin dot gojen Serbeve kur bertisnin “terroristat shqiptare”, por do iu binin shpatullave per luften kunder terrorizmit.

  20. Xhaxha, qe t’i kthehem edhe njehere anes teorike, me duket e pamundur mungesa e hierarkise se identiteteve e pare nga ana strukturore. Keshtu psh per greket, perkatesia fetare duket se vjen e barabarte me ate kombetare, per, Irlanden, Suedine, Italine, Polonine, Spanjen, Gjermanine, po ashtu. Dyndjet islamike ne Evrope konsiderohen si outsiders, ose nga vetja ose nga shtetet perkatese. Nga ana tjeter, ne Arabine Saudite, Iran, apo Izrael duket se identiteti fetar eshte me i larte se ai kombetar. Nderkohe qe vende si Egjipti, Shqiperia, India, SHBA, (kjo e fundit pavaresisht se shumica kristiane, ka nje krisje mes katolikeve dhe protestanteve), i japin perparesi kombit ne raportin e identiteteve. Belgjika dhe Zvicra hane buke me vete nga njera ane, nderkohe qe vendet e Amerikes Latine hane buke me vete nga ana tjeter. Keto konkluzione vijne si rrjedhoje e shperndarjes demografike neper keto vende, dhe ne formim, strukture, apo mem, rolet qe luajne identitetet e ndryshme nuk jane te barabarta.

  21. Lulian, mos ji aq i sigurt qe ne Kosove nuk kane mesuar asnje gje nga Jugosllavia te pakten ne menyren se si drejtohej shteti. Tabula rasa e nisi edhe Miloshevici, duke e injoruar menyrat se si qeverisi Tito. Ndonjehere nuk te besohet qe Jugosllavia perfundoi ne kete fare feje, po te konsiderosh ndikimin politike dhe diplomatik qe ushtronte.
    Nga ana tjeter me duket se te gjithe politikanet ne Kosove per fshi edhe Thacin apo Surroin si me te rinjte, duket se e kane nje kembe nga ish-Jugosllavia. Une do shkoja edhe me tej e te thosha se per te rregulluar mardheniet me serbet brenda Kosove, atyre mund t’u sherbej pak nga ajo politika e ish-Jugosllavise – “Titizem revival”.

  22. Ne kete diskutim interesant nuk duhet harruar qe identiteti shqiptar i krijuar nga levizja rilindase ka qene dhe identiteti ne emer te mbrojtjes se te cilit eshte bere ne Kosove rezistenca kunder serbeve. Rilindja kombetare shqiptare nuk pati ndikim vetem ne territoret shqiptare brenda Shqiperise se sotme por edhe ne Kosove duke qene se u krye ne nje kohe kur shqiptaret jetonin te gjithe nen te njejtin entitet shteteror (perandoria osmane). Rilindasit kane pra per Kosoven te njejten rendesi sic kane patur per Shqiperine ne perceptimin dhe identifikimin kombetar.

    Pervec kesaj, gjate kohes se periudhes se saj nen Serbi e Jugosllavi Kosova ka qene nje entitet kompakt me kufij te pervijuar pak a shume sakte dhe shumice etnike te perhereshme shqiptare. Kjo kompaktesi ka patur rolin kryesor qe ne Kosove perceptimi mbi shqiptarizmin dhe identitetin kombetar ti mbetet pak a shume besnik shqiptarizmit te rilindasve. Me kete dua te them qe ne Kosove nuk ka qene asnjehere e nevojshme te perdoret feja si element dallues kombetar pasi Kosova ishte aq kompakte sa te ruante e te zhvillonte perceptimin mbi shqiptarizmin qe trashegoi nga levizja rilindase.

    Per ta mbeshtetur argumentin e fundit me disa fakte duhet thene qe gjate te gjithe valeve te rezistences ndaj serbeve kerkesa nr. 1 e shqiptareve ka qene perdorimi zyrtar i gjuhes shqipe dhe shkollimi qofte ne shkolla apo universitete ne shqip. Pra gjuha (element i identitetit kombetar i ardhur nga rilindasit) ishte kerkesa kryesore e jo liria fetare apo ku ta di une. Elementi i tolerances fetare nga rilindasit mund te mos jete zhvilluar ne Kosove ne menyre aq direkte e te dukshme sa ne Shqiperi sepse pas ndarjes me Shqiperine ky element nuk mund te kishte perdorim praktik ne Kosove. Megjithate thelbi i shqiptarizmit te rilindasve qe gjuha eshte elementi kryesor dallues i shqiptareve e jo feja ne Kosove ka mbetur dhe eshte forcuar per mendimin tim.

    Nder shqiptaret e Maqedonise mungon ajo kompaktesi qe eshte e vetekuptueshme ne Kosove. Dhe me te vertete ne Maqedoni mund te shihet qarte qe feja eshte bere element i rendesishem i identitetit kombetar te shqiptareve.

    Per keto aresye mendoj qe boshti i asaj qe ka dashur te thote xhaxhai tek ky artikull nuk qendron per Kosoven.

    Per te prekur pak dhe te ardhmen mendoj se urbanizimi qe po ndodh ne Kosove aktualisht dhe kontaktet gjithnje e ne rritje me Shqiperine do te forcojne tek shqiptaret e Kosoves elementin e tolerances fetare.

  23. Me fal por dua te bej nje pyetje: si mund te mos te te besohet qe Jugosllavia do te perfundonte ashtu kur shteti i sllaveve e jugut kishte jo-sllave brenda tij?

    Ndonjehere nuk te besohet qe Jugosllavia perfundoi ne kete fare feje

  24. Kreshnik, shume dakort me ju! Llogjika, por edhe duke u nisur nga menyra se si trajtoheshin shqiptaret nen Jugosllavi, te con ne perfundimin e ndarjes. Ne komentin tim thjesht desha te vija theksin ne politikat e shkathta te Titos. Kuptohet Kosova tashme eshte krejt tjeter gje, por kam pershtypjen se nje lloj nostalgjie rreth federates se dikurshme ndermjet sllaveve eshte ende e forte. Referencat ndaj saj mund ta ndihmojne Kosoven ne mos me serbet, me fqinjet e tjere qe nuk jane aq armiqesor. Nje lloj aleance ballkanike qe Kosova mund te krijonte rreth vetes do e ndihmonte pa mase. Si te thuash gjithe zerat se Kosova e pavarur nuk mund te jete faktor paqeje, duhet gradualisht te bien poshte.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: