SHQIPJA TOTALITARE (XXIII)

Propaganda totalitare bënte shumë zhurmë për luftën, mbrojtjen, gjakun, agresorët, rrethimin imperialisto-revizionist dhe vringëllimat e armëve, por jeta në Shqipërinë komuniste i ngjante më tepër rutinës të një kampi gjigand përqendrimi, ku të dënuarit e përjetonin ekzistencën e tyre të përditshme si punë.

Nëpërmjet një semantike sa fëminore, aq edhe të frytshme, regjimi kishte arritur të vendoste e të mbante gjallë një lidhje midis diktaturës së proletariatit, shtetit të klasës punëtore, masave punonjëse, Partisë së Punës, dhe mobilizimit të popullit mbarë në punë për ndërtimin e socializmit. Deri edhe fshatarësia cilësohej si punonjëse, sado që nuk ishte e qartë se ç’mund të bënte tjetër fshatari, përveçse të punonte… sidomos në rrethanat kur bejlerët dhe agallarët e djeshëm i kishin dërguar të thanin kënetat, kur nuk i kishin plasur burgjeve ose pushkatuar e varur.

Edhe pse ligjërimi publik totalitar mbështetej në kryemetaforën e luftës si mekanizëm semantik bazë për krejt strukturën e vet retorike dhe konceptuale, por krahas luftës edhe puna luante rol të dorës së parë në konsolidimin e sistemit totalitar të vlerave kuptimore, në të gjitha rrafshet e regjistrat e ligjërimit. Nëse edhe lufta edhe puna ishin përpjekje për të kapërcyer pengesa gjithfarësh e për të arritur rezultate të caktuara, diferenca mes tyre kishte të bënte më tepër me natyrën e pengesave – meqë lufta si rregull drejtohej kundër njerëzve dhe faktorëve shoqërorë e kulturorë, ndërsa puna kishte të bënte më tepër me shndërrimin ose përvetësimin shoqëror të natyrës dhe të sendeve.

Në shoqërinë totalitare, puna ishte detyrë, jo e drejtë. Teksa mediat e regjimit i jepnin hapësirë të madhe papunësisë në vendet “borgjezo-revizioniste” dhe rolit të të papunëve në përgatitjen e revolucionit proletar, brenda Shqipërisë papunësi nuk kishte; ndërsa ata pak individë që nuk punonin sepse nuk mundnin ose nuk donin, quheshin parazitë nëpërmjet një akrobacie orwelliane tipike, sikurse quhej papunësia parazitizëm. Antonimi i punoj në këto kontekste është rri, folje përndryshe e vështirë për t’u përkthyer në gjuhët perëndimore. Në Shqipëri, thoshte “populli”, puna është nder; dhe kush nuk punon, dheut i rëndon. Thënie që nuk do të kishin bërë figurë të keqe, edhe sikur të ishin afishuar në hyrje të kampeve naziste të përqendrimit, krahas të njohurës “Arbeit macht frei” (“Puna të bën të lirë”).

Për çfarë punonin njerëzit? Në fund të shekullit XIX, poeti kombëtar Naim Frashëri shkruante: “Punë punë natë e ditë, që të shohim pakëz dritë.” Kjo fjalë e urtë e Naimit, edhe pse lexohej në kapakët e të gjitha fletoreve për nxënësit e shkollave, nuk i përgjigjej më realitetit; sepse shqiptarët e epokës totalitare nuk punonin më për të parë dritë, por për të ndërtuar socializmin. Gjithsesi, edhe Rilindja edhe Komunizmi e zhvendosnin qëllimin e punës drejt së ardhmes, çka i afronte ideologjitë me njëra-tjetrën, dhe të dyja bashkë me botëkuptimin filozofik të krishterë.

Një nga shndërrimet ose falsifikimet ideologjike të konceptit të punës, kishte të bënte me parapëlqimin masiv të përdorimeve jokalimtare të foljes punoj (tërthorazi, edhe të emrit punë).[1] Në një fjali të tillë si bujku punon tokën, veprimi përcillet ose kalon nga autori (bujku) te objekti (toka); përkundrazi, në fjalinë tjetër të ngjashme bujku punon në arë folja punon është jokalimtare, sepse arë tani shenjon vetëm vendin se ku po kryhet veprimi, ndërsa veprimi vetë mbetet pezull ose i varur në qafë të subjektit (kryefjalës), nuk i kalon ndonjë objekti tjetër.

Problemi me punoj si folje jokalimtare është se, kur i abstragohet objekti, veprimtaria e të punuarit vjen e kthehet në një veprimtari abstrakte, të ngjashme me lutjen ose meditimin ose pendesën. Një nga strukturat ligjërimore më të rëndomta që ndeshej në shtypin totalitar kishte këtë pamje:

Punonjësit e ndërmarrjes ushqimore po punojnë me vendosmëri për të realizuar objektivat e Planit IV Pesëvjeçar.

Le ta krahasojmë këtë fjali me fjalinë tjetër:

Furrëtarët po pjekin bukë.

Të dyja fjalitë i referohen të njëjtit realitet; vetëm se në shembullin e dytë puna jep një rezultat konkret e të menjëhershëm, bukën; ndërsa në shembullin e parë rezultati ‘internohet’ në të ardhmen, duke u shkëputur nga objekti dhe duke u veshur me një ngarkesë ideologjike pothuajse mistike:

Ta lëmë shokun Enver të punojë.

Ligjërimi totalitar i jepte, me fjalë të tjera, përparësi përmasës abstrakte të punës, si veprimtari të finalizuar drejt një pike pak a shumë abstrakte në të ardhmen. Përndryshe, të dy objektivat konkrete të punës: sendet e prodhuara dhe paratë e fituara, merrnin vlerë shoqërore vetëm në atë masë që i shërbenin objektivit madhor të ndërtimit të socializmit – duke i mbajtur skllevërit të ngrënë, të pirë e të kënaqur (por jo aq sa të kalohej në vetëkënaqësi). Edhe pse adhurohej në trajtat e saj më fizike e të drejtpërdrejta, puna në totalitarizëm dematerializohej nëpërmjet mekanizmash ligjërimorë.

Mistika totalitare e punës do të gjente shprehje jo vetëm në emrin e vetë urdhrit pseudo-religjioz që drejtonte vendin: Partia e Punës, por edhe në të tjerë urdhra e tituj shenjtorësh në kalendarin totalitar shqiptar: Hero i Punës Socialiste, Urdhri i Punës i Klasit të Parë.

Puna ishte pjesë integrale e trekëndëshit revolucionar mësim, punë prodhuese, edukatë fizike e ushtarake; dhe fëmijët mësoheshin, që në fillore, ta konceptonin jo vetëm shkollën si punë, por edhe punën si shkollë. Për këtë ndihmonin edhe lëndë e veprimtari të posaçme si punë dore, punë me dru, punë me metal, punë në prodhim, punë vullnetare.

Nga ana tjetër, përsëri nëpërmjet një kapërcimi semantik fatlum, punë quhej edhe veprimtaria indoktrinuese ose propagandistike me masat: punë kokë më kokë, punë sqaruese, punë bindëse, punë edukative; puna me rininë, puna me fshatarin, puna me masat, puna me gruan, etj. Kësisoj, edhe vetë emërtimi Parti e Punës merrte një kuptim të dytë, më të përligjur…

Paralelizmit luftë-punë, i përgjigjej paralelizmi gjak-djersë, siç duket nga shembujt e mëposhtëm:

dje derdhëm gjak për liri – sot derdhim djersë për të ndërtuar socializmin

e kemi fituar me gjak – e kemi fituar me djersë

Edhe gjaku edhe djersa janë simbole mistike të sakrificës përkatëse si sakrificë fizike; çka fton përsëri për përqasje me etikën e arritjes së shelbimit nëpërmjet vuajtjes ose mundimit trupor (agjërimi, vetëmundimi, vetë-kamzhikimi, martirizimi); sikurse janë edhe shenjat më sublime të virtytit. Në ligjërimin publik totalitar lufta dhe gjaku i derdhur i referoheshin, përgjithësisht, së djeshmes, ndërsa puna dhe djersa së sotmes; por paralelizmi mjaftonte për ta paraqitur aktualitetin si rimarrje ose mishërim besnik i mitit primordial të Luftës Na-Çl. Djersa sot, sikurse gjaku dje, i legjitimonte pushtetin kastës në fuqi. Edhe ata fatkeqë që u qëllonte të humbnin jetën në punë e që, për arsye ideologjike, kanonizoheshin si shenjtorë të Punës Socialiste – Adem Reka, Shkurte Vata – i nënshtroheshin së njëjtës hagjiografi si edhe të rënët e Luftës: u kushtoheshin biografi të letrarizuara e filma dokumentarë e artistikë; teksa shkollave u viheshin emrat e tyre dhe fëmijët çoheshin rëndom për pelegrinazh te biga “Adem Reka”, ose në vende të tjera shenjtëruar nëpërmjet vdekjes.


[1] Folje kalimtare janë ato folje që kërkojnë kundrinë të drejtë, ose objekt.

1 Koment

  1. Kur lexoj rreshtat e mesiperme, kujtoj se me lakimin e fjales “pune”, diktatura e bastardoi fare permbajtjen e vertete filozofike qe ka ajo fjale, duke e bere ate fjalen me te urrejtshme ne kohen e Enverit ne Shqiperi. Aq sa ia hoqi deshiren, qejfin dhe motivin e njerezve te punonin dhe me kete ne njefare menyre i beri varrin vetvetes, regjimit te tij. Shqiperia ishte vendi me papunesine me te madhe pasi te gjithe benin sikur punonin (me perjashtim te Partise se Punes) dhe shteti bente sikur i paguante. “Po shkoj ne pune” nuk duhej te kuptohej sikur me te vertete do te beje ndonje pune. Puna me e mire ishte ajo ku nuk duhej te bëje gje. Kishte edhe pune te zgjedhura te mira, ato te jepnin mundesine te shkoje jashte shtetit dhe te sillje ndonje çamçakez qe perbente lluks ne Shqiperi, por per kete duhej te ishe i paster (biografikisht) ose shume i piset (moralisht: kupto spiun ose fuks, sarhosh), pasi vetem kjo shtrese i pergjigjej midese se regjimit.
    Sidoqofte, doja te shtoja se puna me e madhe qe arriti te realizoje Partia e Punes ishte lufta e klasave. Ketu ajo arriti seksese te lakmueshme.
    E çliroi Shqiperine nga shume armiq te rrezikshem, madje edhe nga shoket e tij (Enverit), ajo na shoqeroi jeten tone rinore “si nje fill i kuq” , ne çdo moment duhej te ishim vigjilente se mos na shpetonte ndonje llaf edhe prane shokeve.
    Me kujtohet nje rast kur Partia shpartalloi grupin e pucisteve ne ushtri (vitet ’73-74), ne gjimnaz (viti II.) erdhi sekretarja e org. partise dhe na informoi per fitoren dhe te na mobilizonte rinine te reagonim. Por ne mbledhje u hodh fjala se si kane reaguar familjet tona dhe se a ka prezente persona qe jane prekur familjarisht nga ngjarja. Ne klase ra heshtje varri, asnje nuk foli, me ne fund sekretarja iu drejtua nje shoqes tone, e shkreta edhe normalisht i mbahej goja, dhe e pyeti si si ka reaguar familja.
    Kkkkka mmmmbbbbajtttur qqqqqqendrim- tha e shkreta.
    Sa me siper i shkruajta vetem per te theksuar se prane fjales “pune” jeten tone te perditshme e rendonte si peshe e paevitueshme edhe “lufta e klasave”. E para, puna, ishte me e gelltitshme, se edhe po s’punove quhej si nder, kurse kjo “lufta e klasave” nuk varej prej teje, ate e komandonin nga lart dhe nuk dihej se ne çforme do te godiste koken tende: armik, burokrat, sabotator, çfaqje e huaj etj.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin