Mëshirë me pahir?

Një sqarim që më duket i nevojshëm në lidhje me dosjet, raportimet dhe dhunën nën totalitarizëm: marrëdhënia midis raportimeve dhe persekutimeve nuk ka qenë aq drejtvizore sa mund të na duket tani.

Dhuna totalitare as ka ekzistuar vetëm në Shqipëri, as turbullon etikën post-totalitare vetëm në Shqipëri. Vende të tjera e kanë provuar, madje në përpjesëtime shumë më të rënda: kujtoj BS e kohës së Stalinit, sidomos midis viteve 1929-1940.

A ka pasur një logjikë të persekutimit? Po, përderisa dhuna, skllavërimi i shpirtrave, nënshtrimi i plotë, i shërbenin përjetësimit në pushtet të subjekteve të dhunës. Në një kuptim, dhuna sistematike dhe masive ishte e nevojshme jo për mbrojtjen, por për riprodhimin e raporteve të pushtetit, brenda shtetit totalitar.

Por objektet e persekutimit nuk përcaktoheshin dhe aq nga organet “e rendit”, sesa nga orientimet e Partisë: dihej se kush do të goditej, pse dhe në ç’masë. Kush do të internohej dhe kush do të falej. Dosja e Ismail Kadaresë do të ketë qenë pa dyshim shumë më e trashë sesa e Ibrahim Uruçit; por i pari nuk u prek nga organet, ndërsa i dyti u internua gjatë fushatave antiliberale. Jorgo Bllacin dhe Visar Zhitin i rrasën brenda për nuk di ç’çikërrima, ndërsa Xhevahir Spahiun e lanë jashtë, edhe pse në një vëllim – që më pas u çua në karton – kishte shkruar për Enver Hoxhën me tone të ngjashme me ato të Mandelstam-it, në poezinë e tij për Stalinin, që i hëngri edhe kokën.

Nuk duhet të na gënjejë mendja se dhuna totalitare e kishte origjinën në denoncimet dhe raportimet e hafijeve, dhe se shteti ishte vërtet në përgjim të qytetarëve për të gjetur “armiq” ose “fajtorë”. Historia e totalitarizmit në Shqipëri tregon se armiqtë rregullisht janë fabrikuar në përputhje me nevojat e momentit.

Po atëherë pse gjithë ky mekanizëm i dosjeve? Kujt i ka shërbyer dhe pse?

Pyetje që kërkojnë përgjigje të studiuara. Dosjet natyrisht përmbanin materiale që mund të përdoreshin kundër personave të ndryshëm, kur këtyre t’u kishte perënduar ylli. Në kuptimin që, sikur të kishte vendosur Enver Hoxha ta dënonte Kadarenë, prokurori do të kishte se ç’materiale të shfrytëzonte për pretencën.

Ishin edhe një formë për të mbajtur popullin nën kontroll; ose njëfarë kafazi simbolik për të ndryrë vetëdijen. Intuitivisht, njerëzit kishin frikë, për shembull, të “llapnin”, sepse kjo eventualisht do të raportohej, dhe do të përfundonte e regjistruar diku, për t’u përdorur kundër tyre në rast nevoje.

Njëlloj intuitivisht, të gjithë e dinin se dënimi që u rrinte varur mbi kokë ose tmerri i persekutimit politik dhe i ostracizmit social nuk vareshin aq nga ç’po bënin ose ç’po thonin, por nga klima politike e momentit.

Raportimet e hafijeve, në këtë kontekst, kanë shërbyer si instrumente të krimit, por nuk e kanë provokuar atë, madje as e kanë ndihmuar kushedi çfarë. Të mos harrojmë se raportuesit, hafijet, denoncuesit, shkruesit e letrave anonime, dëshmitarët e rremë e të parremë dhe e gjithë skota shkatërraqe që ndiqte qerren e karamanjollës totalitare kanë qenë edhe ata viktima, në një kuptim, të sistemit.

Por përgjegjësia për krimin totalitar u bie të gjithë atyre që kanë qenë në krye të Partisë, të shtetit dhe të organeve të diktaturës së proletariatit; në radhë të parë të Enver Hoxhës vetë dhe bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, të cilët formulonin politikën e persekutimeve, dhe kontrollonin përpikmërinë e zbatimit të saj.

Nëse vetë mënyra e funksionimit të shtetit dhe e ushtrimit të dhunës totalitare ishte e tillë, që të favorizonte pjesëmarrjen e masave në persekutim, ose shpërndarjen e bashkëfajësisë në popull si një mjet të kompaktësimit social, atëherë edhe katastrofa etike e raportimeve do parë më shumë si një efekt i mbrapshtësisë së sistemit, sesa si pasojë e degradimit moral të raportuesve.

Është e vërtetë se shembuj të virtytit gjithnjë gjenden, dhe është mirë të bëhen publikë. Ka njerëz që i kanë rezistuar diktaturës, qoftë edhe pasivisht. Por nuk di të ketë njerëz që t’u kenë rezistuar presioneve edhe kur i kanë kërcënuar se do t’u torturojnë fëmijët, përdhunojnë gratë dhe motrat…

Ajo që dua të them është se, në shumicën e rasteve, ata që ndihen sot “të larë” nuk duhet të harrojnë se janë të tillë ose ngaqë u përkisnin klaneve që i ruajtën deri në fund lidhjet prioritare me pushtetin, ose ngaqë regjimi policor totalitar nuk kishte nevojë për shërbimet e tyre.

[2004]

2 Komente

  1. Do kisha shume deshire qe kete shkrim ta lexonin te gjithe ata qe ndihen sot “te lare” dhe te kuptonin me te vertete permbajtjen e ketij shkrimi. A munden valle…?

  2. Dakort qe fajin e kishte sistemi, por sistemi nuk eshte entitet aq abstrakt sa ç’mund te mendohet.
    Dua te kujtoj ketu fjalet e Martin Camajt: “Sistemi jemi na”.
    Jemi ne qe e beme te mundur dhe e ushqyem katallanin sistem. E kote te kerkojme alibira.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin