Vdekje në katror

Kur flasin për krimin në familje juristët dhe sociologët në Shqipëri ndonjëherë kanë parasysh efektet e Kanunit – këtij sistemi normash që synon të rregullojë bashkëjetesën brenda komunitetesh të caktuara. Në rast se kjo qëndron, atëherë çdo përpjekje për t’iu kundërvënë Kanunit (edhe) nëpërmjet dënimit me vdekje nuk mund të likuidohet me një referendum popullor, ose me miratime gjysmë-fashiste nga bark-dhjamurit. Unë nuk jam në gjendje ta analizoj këtë profesionalisht, prandaj më shumë dua të ngre një numër problemesh, me shpresë se dikush do të marrë mundimin të më përgjigjet.

Së pari, a ka kuptim që dënimi me vdekje të konsiderohet si armë e një shteti të dobët që orvatet të shtrijë autoritetin në treva ku banorët priren t’i binden një autoriteti tjetër dhe pikërisht Kanunit? Pra, a ia vlen të zbatohet dënimi me vdekje për të penguar jo këtë apo atë krim, por një sistem të tërë ndëshkimor tradicional dhe të pavarur nga shteti, që vepron paralelisht me kodin penal?

Për ta thënë troç: a kemi kurajo ta dënojmë Kanunin vetë me vdekje?

Përndryshe, kodi penal konvencional nuk më duket se bën dallim midis një krimi i cili parashkruhet edhe në Kanun, dhe një krimi formalisht të ngjashëm i cili në të vërtetë është zbatim i Kanunit në përgjigje të një krimi të mëparshëm. Mirëpo në zonat ku Kanuni ka ende autoritet më të madh se ligji i Tiranës, ky dallim është themelor!

Të mos harrohet se Kanuni është një sistem shumë kompleks normash, dhe “gjakmarrja” përfaqëson vetëm aspektin më të dukshëm, për shkak të sensacionalitetit që sjell me vete. Këto norma rregullojnë bashkëjetesën brenda komunitetesh të cilat nuk janë mësuar ende me idenë e një shteti të centralizuar, ose thjesht e injorojnë këtë organizëm sepse mendojnë se nuk ia kanë nevojën. Ky sistem është i tillë që – më duket mua – nuk mund të mbijetojë as të funksionojë “pjesërisht”: pra duke e privuar nga administrimi i krimeve ndaj personit, por duke e lejuar të trajtojë, bie fjala, krimet ndaj pronës private.

Një shtet që mendon t’i kundërvihet Kanunit, duhet të ketë këllqe ta zëvendësojë këtë me normativa të vetat, dhe të sigurojë instrumentet e përshtatshme për zbatimin e përditshëm të këtyre normativave. Nuk më duket se shteti shqiptar i tanishëm i ka mundësitë për t’u imponuar si i tillë në trevat ku gjëllon Kanuni.

Në këto rrethana, ripranimi i dënimit me vdekje si përgjigje rutinore ndaj krimit në kuadrin e një shoqërie të rregulluar me Kanun nuk më duket se do të mund të zgjidhë asgjë; komunitetet kanunore, të cilat në thelb ia detyrojnë vetë ekzistencën e tyre këtij kodi tepër autoritar, nuk mund të shpresohet të pranojnë autoritetin e një institucioni si shteti, i cili kërkon ta manifestojë veten thjesht duke vrarë njerëz lart e poshtë sipas ritualesh të tjera, të cilat komunitetet nuk i njohin. [2001]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin