Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Letërsi / Libri Shqip

ZOTI SHYTI I KAPUR NË ANTIFRAZË

nga Ilir Yzeiri

(Për dy vëllimet me proza të shkurtra “Ndërhyrjet e zotit Shyti” dhe “Kusuret e zotit Shyti”, të Ardian Vehbiut)

“Ndërhyrjet e zotit Shyti” (Botimet Dudaj, 2016) dhe “Kusuret e zotit Shyti” (Botimet Dudaj, 2017) janë dy vëllime me proza të shkurtra të Ardian Vehbiut që organizohen si rrëfime të një personazhi të vetëm të shenjuar nga llagapi i tij, sepse shqipja e mundëson paraqitjen formale të politesës duke shenjuar mbiemrin me ndajshtimin – zoti/zonja; pra gjithë veprimi vërtitet rreth zotit Shyti.

Këta dy libra janë një sprovë e re në letërsinë shqiptare dhe mund të përfshihen në një lloj letrar të veçantë. Ato janë rrëfime të shkurtra që kanë përdorur ligjërimin bisedor si mjet për të shtresuar mbi të argumente filozofike, nganjëherë edhe enciklopedike, gjuhësore, por edhe pedagogjike në mënyrë që tavolina e barit në një rrugë të Tiranës të kthehet në një lloj katedre ose në skenën e një dialogu nga të Platonit. Institucioni i kafesë së mëngjesit ose i paradites, biseda me miqtë në këtë areal, i ka shërbyer autorit për të riprodhuar, me anë të ligjërimit, Shqipërinë postdiktatoriale duke treguar formën që ajo dhe banorët e saj kanë marrë në ligjërim, pra, shfaqjen e saj si një spektakël të artikuluar nga heroi kryesor, që është zoti Shyti dhe që luhet në skenën e teatrit mediatik të përcjellë në atë tavolinë ose përmes gazetës së ditës që zoti Shyti e mban nën sqetull, ose nga detaje të shumta që mbushin bisedën e tij me miqtë që gjenden çdo mëngjes në të njëjtën tavolinë të së njëjtit bar.

Autori e sqaron që në hyrje të librit të parë, te “Ndërhyrjet…” se “doja t’i shkruaja këto fragmente, që përkohësisht i quaja aforizma narrative, pa e ditur ende se çfarë ishin; dhe më pas e kuptova se kisha krijuar një nga ato emisione që, në televizionin amerikan i quajnë situational comedies, ose sit-coms; dhe të cilat i mban të lidhura vijueshmëria e personazhit dhe e skenës”.[1]

Por libri, megjithëse, siç e thotë Vehbiu, është produkt i kohës posttelevizive, të kujton, gjithashtu, edhe “Banketin” apo “Symposiumin” e Platonit, por edhe dialogët e Sokratit me studentët e tij. “Banketi” është një vepër e Platonit e shkruar rreth vitit 380 para Krishtit dhe përmbledh dialogët mbi Erosin dhe dashurinë. Në Athinën e asaj kohe ishte traditë takimi mondan për një darkë dhe për të pirë një gotë verë në shtëpinë e dikujt. Ndërkaq, këto takime shndërroheshin në një lloj simpoziumi, sepse aty diskutoheshin probleme thelbësore filozofike. Pjesëmarrësit rrinin shtrirë në divanet e pallatit dhe, me gotën e verës në dorë, merrnin fjalën sipas hierarkisë dhe rëndësisë që kishte personazhi i tyre në publik.

Vehbiu ka zgjedhur një tavolinë në një bar me zotin Shyti në qendër dhe miqtë e tij, të cilët, bashkë me rrëfimtarin, e vënë veten në rolin e dishepujve të zotit Shyti sepse ata, jo vetëm e ngacmojnë atë me pyetje që rrahin të kuptojnë filozofinë apo shenjueshmërinë e kohës ku jetojnë, të dukurive që shfaqen në të dhe të përditshmërisë, po ashtu, por edhe e shtyjnë veprimin duke e vënë zotin Shyti në rolin e drejtuesit të tavolinës, që menjëherë kthehet në katedër.

Zoti Shyti shfaqet si zëri sipëran në këtë ligjërim, pra, ai ka zëvendësuar autorin e tekstit total të kohës së socializmit apo edhe të kohës postdiktatoriale, atë që në komunikim njihet si zëri off. Por edhe këtu, ashtu siç bën me ligjërimin bisedor, Vehbiu e modifikon këtë instancë të thënies dhe fut atje gjithë larushinë e zërave autoritarë që shfaqen në arealin e shqipfolësve duke vizatuar me këtë rast edhe naivitetin, satirën, por edhe karikaturën e asaj dijeje totale që shfaqet në disa personazhe butaforikë që mbushin arealin shqiptar me patosin e të gjithëditurit. Argumentet që diskuton zoti Shyti, merren nga mediat dhe nga shfaqjet publike, përgjithësisht, dhe këtu lexuesi kupton se një nga qëllimet e tij ka qenë të riprodhojë amalgamën ironike dhe disa herë butaforike të shfaqjes sonë në realitetin e mediatizuar. Shpjegimet e zotit Shyti për këto dukuri janë përpjekja për t’i gjetur kuptimin dhe shenjueshmërinë një realiteti që thuajse nuk ekziston në të vërtetë, por që shfaqet vetëm si formë e mediatizuar.

Në të gjitha rrëfimet, përgjithësisht, i pari e merr fjalën zoti Shyti, i cili duket se i përgjigjet një dialogu të munguar me një autoritet tjetër që këtë radhë nuk është ai shtetëror, totalitar, por autoriteti i pushtetit që ka fituar media, zërat që artikulojnë kuptimin e ri për gjithçka që ndodh në jetë. Foljet që tregojnë këtë veprimin të kryer ose kohën historike, disa herë janë të tipit: “thonë” apo “na thonë”, me të cilat kur e kur e nis ligjërimin zoti Shyti.

Rrëfimi i parë, nëse do ta quanim kështu, është një intervistë në një media lokale ku zoti Shyti rrëfen se si u krijua grupi i kafenesë që ishte bërë edhe fenomen mediatik. Të krijohet përshtypja se këta dialogë tashmë janë bërë edhe tekst i njohur për publikun e gjerë.

Për zotin Shyti dimë fare pak në fillim. Për të, në formë alegorike, na flet autori në kopertinën e pasme të librit “Ndërhyrjet…” duke shënuar aty një kinse deklaratë të zotit Shyti, e cila të krijon përshtypjen se personazhi i librit është identifikuar me njeriun real dhe ky i fundit ngjan sikur po i përgjigjet vëmendjes së opinionit. Këtu, në këtë pasthënie, nëse do e quanim kështu, është rikrijuar riprodhimi i njëpasnjëshëm ose i pandërprerë i personazhit i cili vijon të jetë trillim i trillimit të parë ose trillimi në katror sepse këtë, siç e thotë vetë zoti Shyti in personam, e mundëson kjo formë letrare. Ja çfarë thotë ai:

“Prandaj dua të theksoj e ta përsërit se individi në qendër të kësaj vepre nuk ka gjë të përbashkët me mua edhe pse mund t’i afrohet imazhit tim njëlloj si pasqyrimi; do të mjaftonte fakti që unë jam ende në gjendje të shpreh një gjykim për librin dhe të përballem me personazhin që më përfaqëson, për të larguar dyshimin që ne, unë dhe zoti Shyti në libër, jemi tashmë dy persona të ndryshëm, që nuk komunikojnë dot mes tyre. Ka gjithnjë diçka të përbindshme në këtë lloj letërsie kinse vëzhgimore që njëlloj sikurse pasqyrat dhe ndërzimi, për ta thënë me Borges-in i shumëfishojnë njerëzit…”[2]. Kështu e përfundon përgjigjen e tij ndaj një pyetjeje të imagjinuar zoti Shyti, ose kështu e përfundon letrën e imagjinuar që i dërgon redaksisë së botimit të librit nëse do të vazhdonim edhe ne rrëfimin sipas logjikës së vetë zotit Shyti.

Ndërkaq mësojmë se ai ka shkruar vetëm një libër, “Gjakimi”-n, dhe pastaj është frenuar. Në këtë libër ai ka përshkruar gjithë mundimet e tij për ta botuar atë vepër. Kjo shenjë mjafton për të kuptuar personazhin që do të na drejtojë këtej e në vazhdim. Por kjo nuk e ka penguar të japë shpjegime dhe interpretime për gjithçka që vërtitet në ligjërim. E nis me tabutë dhe, sapo dikush thotë se është botuar një libër i ri që thyen tabutë e seksit, zoti Shyti, që ngjan si rojtar i mendimit puritan dhe elitar, bën një inkursion të lehtë dhe na tregon se tabutë nuk i zgjedhim ne, por i gjejmë të gatshme si mure qelqi.

Tani ne duhet të përgatitemi se në arsyetimet e zotit Shyti do të gjejmë një mënyrë tjetër për të shpjeguar botën. Aty përzihet dija, formimi i spikatur, përgatitja e dukshme gjuhësore dhe letrare dhe aftësia për të stilizuar dhe për të ndërtuar tekste që kanë brenda ironinë, sidomos, por dhe vështrimin gati tallës për veten dhe për botën. Zoti Shyti bëhet hera-herës alterego e autorit, por ai identifikohet edhe me ne, lexuesit, sepse, pas arsyetimeve të tij, shpeshherë, ne gjejmë veten tonë. Ligjërimi i zotit Shyti është një dekonstruksion i mitologjisë së gjithë asaj që diskutohet në këtë tekst. Mirëpo ky dekonstruksion bëhet me notat e theksuara të ironisë dhe vetëpërqeshjes, disa herë, dhe si format përdoret stili i lojës gjuhësore. Këtu, mua më është kujtuar Sterjo Spasse dhe romani i tij “Pse”. Nëse atje, në formë ditari, Spasse dekonstrukton gjithë botën tradicionale dhe, i mbytur siç është nga ankthi ekzistencial, zhvlerëson gjithçka, këtu, Vehbiu e ka kthyer ankthin ekzistencial në një çelës për të vënë në lojë një mënyrë jete ose një realitet që atij i shfaqet me të gjitha cilësitë e ngjyrave që të shtyjnë të luash me to, të vësh veten dhe botën si në një kaleidoskop, për të përftuar që andej një vështrim disa herë cinik dhe, në të shumtën e herëve, sarkastik.

Dhe le të ndjekim tani dialogët ose seminaret që zhvillohen në barin e famshëm që mund të jetë kudo në Tiranë mes zotit Shyti dhe atyre që gjerbin espresson apo ndonjë capuccino më të rrallë, në një tavolinë rrëzë dritares që sheh nga rruga. Në këtë dekor lëviz veprimi i rrëfimeve apo dialogëve të dy librave që po analizojmë. Argumentet nuk janë filozofike si në “Banket”-in e Platonit, por ato kanë gjithmonë kënaqësinë e kërkimit të filozofisë që fshehin shfaqjet e jetës së mediatizuar. Dija apo intelekti bëhet një argument diskutimi pasi dikush përmend një emision televiziv të një nate më parë. Dhe këtu rrëfimtari, që është një personazh tjetër aty, nis një inkursion të gjatë në kulturën e shkencës dhe të shahut për t’ia lënë në fund sfidën zotit Shyti, i cili e zgjidh dilemën mes intelektit dhe dijes në një formë paradoksale, sepse paradoksi është mjeti që shquan idiolektin e protagonistit. Më pas, z. Shyti hidhet në argumente psikologjike dhe shpjegon agorafobinë apo ankthin nga hapësirat bosh dhe këtë e ilustron me udhëtimin në urban natën dhe vetëm. Ai vuan kur në urban nuk i ngjishet një njeri, sepse kështu mund të çlirohet nga kjo patologji. Prej këtu, z. Shyti hidhet te letërsia dhe autori përmend shkrimtaren vizuale dhe librin e saj “Vëllath”. Emërtimi i librave si “Gjakimi” apo “Vëllath” bëhen forma të vënies në lojë të kujdesit naiv për lirizmin romantik gjuhësor. Pastaj, zëri i këngëtares së famshme Amy Winehouse e hedh zotin Shyti në viset e Homerit dhe kuptimin për zërin. Parodia këtu është e bukur pse autori luan me paraqitjen playback, pra me zërin e regjistruar dhe përqasja me Circen dhe veshët e zëna të marinarëve nga Odiseu që të mos të dëgjonin zërin e tyre, krijon lojën e bukur ligjërimore që ne zërin nuk e dëgjojmë, por e shohim me veshë.

Zoti Shyti nuk e mësoi kurrë violinën se ajo i ngjiste gjithmonë me një arkivol të vogël. Të ulur në barin e zakonshëm dhe me sytë në tv, grupi sheh herë pas here dhe videoklipe. Njërën prej tyre e kanë realizuar te klubi “Orhan Pamuk” që gjendet në Bllok. Kaq mjafton dhe z. Shyti bën zbulimin se jeta jonë nuk është gjë tjetër, por një shaka e sajuar enkas për publicitet. Ndërkaq, biseda, herë pas here, ikën larg edhe në diktaturë dhe sipas zotit Shyti, Enver Hoxha e drejtoi vendin duke qenë vetë jashtë sistemit. Ramizi, fjala vjen, ishte ai që lëvizi sistemin, ndërsa Enveri e drejtonte atë, por duke qenë vetë jashtë tij. Rikujtimi i kohës normative të socializmit e hedh zotin Shyti në viset e largëta të kohës kur gazetat përdoreshin edhe si letra higjienike në tualet. Ndërkaq, galeria “Mulla” ka realizuar veprën e fundit me elemente nga arti bashkëkohor me titull “Shokun Enver e mbulon zbokthi”.

Nëse i lexon me kujdes, rrëfimet janë gati si një kronikë e kthyer përmbys edhe e delireve apo ekstravagancave të jetës së sotme në kryeqytet. Parodia e çmimeve letrare shkon deri aty sa Evriadh B. refuzon Çmimin e Madh të Kancelerisë së Kont Uranit, të cilin sapo ia dha Presidenca Shqiptare, njësoj siç pati bërë Zhak Prever. Dilema pastaj shkon te një lojë gjuhësore. Pse duhet të themi ikën dritat kur ato fiken, arsyeton zoti Shyti, apo i ikën veshët ? Ku ikin vallë ?! pyet ai.

Tirana që sheh zoti Shyti, është plot paradokse dhe personazhe që duket sikur kanë dalë nga komeditë apo nga ndonjë teatër absurd. Të gjithë ata hyjnë dhe dalin në barin ku z. Shyti dialogon me miqtë e tij, herë si kujtime dhe herë të tjera si kalimtarë të rastit. Ja, kaloi aty pranë zoti Fejzi. Ai është i famshëm sepse seleksionon dorëshkrimet e pabotuara ose ato që refuzojnë shtëpitë botuese dhe dërgon për botim vetëm pjesët e mira. Kjo, thotë zoti Shyti, është higjienë botuese. Pastaj vijnë telenovelat, ushqimi ynë standard. Ato janë ndërtuar mbi arbitraritetin e fatit dhe historisë. Zoti Shyti ka aftësinë gjeniale që të pranëvërë jetën reale me telenovelat dhe shpjegon se, ashtu si në jetë që një krim e ndërpret veprimin e një njeriu, edhe në telenovelë, autori vendos të largojë një personazh duke e helmuar në aktin e tretë.

Mirëpo biseda në tavolinë ka nevojë edhe për pak çlodhje, relaks. Dhe zoti Shyti hidhet në krahët e proverbave. “Fshati digjet, kurva krihet”, kjo sentencë zbërthehet si një pjesë teatrale me disa akte. Dhe të gjithë vihen në garë të zbulojnë kronikën e ngjarjes që lindi këtë proverb. Si ka mundësi që femra për të cilën bëhet fjalë në proverb, nuk shihte fshatin që po digjej, mos kemi këtu vënien e interesit individual mbi atë të përgjithshëm apo ndoshta një formë ideologjike të dënimit të prostitucionit jo si akt, por si shtesë morale përballë detyrës komunitare ?!

“Çështja se cilës duhet t’i japim përgjigje, në këtë pikë, është nëse proverbi kërkon të dënojë prostitucionin duke inskenuar një situatë alarmi komunitar, dhe pikërisht të djegies së fshatit. Kam frikë, tha zoti Shyti, se ky ambiguitet i pështjelloi edhe të gjithë ata që u fyen me shpjegimin tim të parë, dhe ata të tjerët që u fyen pa e ditur edhe vetë psenë, Megjithatë, mesa kuptoj unë nga kontekstet ku ndeshet sot thënia në fjalë, përsiati z. Shyti, populli me të nuk dënon prostitucionin, por vetëm ngarkesën morale të së qenit prostitutë ia rimorkion dukurisë së mosangazhimit në komunitet, ose – siç e formulonin dje ideologët totalitarë – të vënies së interesit të përveçëm mbi atë të përgjithshëm.”[3]

Ndërsa proverbi tjetër se “Nuk ka dasmë pa mish” ngërthen makabritetin e therjes me gëzimin e dasmës dhe e transferon veprimin e brendshëm nga hareja te kasaphana, vëren z. Shyti.

Në rrëfimet ka edhe shumë stërvitje gjuhësore. Vehbiu ka shfrytëzuar formimin e tij të thellë gjuhësor, kulturor dhe enciklopedik për të ndërtuar episode që mbështeten vetëm në lojën me kuptimet gjuhësore dhe shenjueshmërinë e disa fjalëve. “Viktimat” apo “vdekja” janë dy prej tyre ashtu si dhe loja gjuhësore me dëshiroren duke shkuar deri të shndërrimi kuptimor i sentencave përmes lëvizjes së gjymtyrëve si “Pilafi i mediave që nuk mban ujë” kur diskutohet e vërteta dhe gënjeshtra (f. 92) për të zbritur pastaj te anekdotat historike të Nastradinit aq të dashura për një publik të caktuar, një prej të cilave ilustron më së miri aktin e manipulimit të mediave. Dhe z. Shyti sjell ndërmend këtu ditën kur një fshatar i shkon në shtëpi Nastradinit dhe i kërkon gomarin. Nuk e kam këtu, thotë Nastradini. Gomari pëlliti në atë çast. Ja, i tha fshatari, këtu e ke. Po ti i beson gomarit apo mua, përfundon Nastradini. Kjo anekdotë e përdorur nga zoti Shyti ilustron në mënyrë të thjeshtë të vërtetën dhe manipulimin e atij që përdor fjalën në publik. Të gjitha këto disa herë ndërthuren me komentet për emisionin me opinione “Ndërprerja”.

Zgjidhjet e zotit Shyti për dijen janë origjinale. Sipas tij, inflacioni në këtë lëmë, mund të drejtohet nëse sistemi i promovimit të titujve shkencorë do të vepronte në sens të kundërt, jo duke dhënë grada e tituj, por duke i hequr ato (f. 99). Dhe ja, aty pari kalon Rezar L., OJQ-isti profesionist dhe një nga qeniet më të pështira në këtë krah të Tiranës (f. 101) i cili, si pa dashje, iu kujton tavolinasve një ministër, i cili ka spikatur sidomos me patosin e ndërrimit të kateve. Ndërsa loja me kuptimin e fjalës “maskë” dhe me shprehjen “çjerrja e maskës” duket sikur ka parashikuar vendin dhe rolin që ka marrë maska në jetën tonë tani në kohën e pandemisë.

Bisedat në bar janë të shpenguara dhe ato vënë në provë fantazinë dhe paradoksin. Nëse do të të kërkonin se çfarë libri do të merrje me vete po të kishe fatin e Robinson Kruzosë, z. Shyti ka një zgjidhje origjinale, unë do të merrja librin e telefonave, thotë ai. Dhe atje, në vetmi do të shëtis mbi emrat, lokalet, baret, qendrat e masazhit duke sjellë ndërmend atë që më mungon. Këtu, autori ka shfrytëzuar me mjeshtëri nocionin e imazhit që sjell fjala, apo atë të skenarit që mbart një nocion i caktuar. Të duket sikur zoti Shyti i paraprin kënaqësisë që provojnë disa duke vizituar qytete e shtete të largëta me aplikacionin “Map”. Nostalgjia që zakonisht vjen kur je në gjendje refleksioni si në barin e miqve tanë, e çon zotin Shyti te kafja e famshme Kursal që ka qenë diku në Tiranë, në krah të Muzeut Historik. Por zoti Shyti vë në punë kulturën enciklopedike të tij dhe u tregon dishepujve të tij që Kur Saal ka qenë një lokal brenda sanatoriumit dikur. Eh, nostalgjia, si petalet e luleve në sënduk. Pastaj vëmendja shkon te terrorizmi dhe te hierarkia e makabritetit e, pak më vonë, zoti Shyti u tregon miqve të tij se ka takuar një faktor. Faktori është figura groteske e opinionistit abstrakt (nomen agentis). Në bar ka hyrë opinionisti Dhori që shkëlqen te emisioni “Ndërprerja”, dhe zoti Shyti i qaset afër dhe i thotë :

“…ua kam bërë të qartë edhe këtyre, tha pastaj, duke treguar me kokë nga ne, edhe atyre atje, dhe bëri me kokë nga ekrani, se në këtë vend ka vetëm një opinionist, që shumëfishohet i klonuar në hapësirë dhe në kohë – madje ne kot vazhdojmë të thërrasim me emër sepse ti je shndërruar tashmë në faktor, në emër vepruesi, ose në nomen agentis siç e quajnë në gramatikat. Ti sekreton opinion, i dashur. Dhe pastaj, duke u kthyer nga ne, z. Shyti shpjegoi: doni t’jua tregoj tani të fshehtën e Dhorit? Çelësin që ia hap këtij të gjitha dyert e studiove televizive, shenjën sekrete që ia shtron faqet e gazetave te këmbët si qilima?… E fshehta e këtij është se artikulon të kundërtën… Mos e ekzagjero tashti, ia priti ky i fundit, dhe rrëmbeu telekomandën për të ndërruar kanalin; por edhe te KLIK TV ishte duke folur sërish Dhori, këtë herë për ngrohjen globale… Po ç’bëhet kështu, tha z. Shyti ti qenke në të gjitha kanalet. Mos ke vdekur gjë dhe nuk e kemi marrë vesh. E ç’rëndësi ka, i tha Dhori. Ti e pranon vetë, mua më kanë reduktuar tashmë në emër vepruesi, në kategori gramatikore, në merimangë që thur rrjeta opinionesh, ku të ngecin viktimat e radhës.”[4]

Tani kam dëgjuar, thotë zoti Shyti, se shumë njerëz refuzojnë të flenë pa marrë para gjumit një tabletë “opinion”. Pastaj, parodizimi i emërtimeve që fitojnë kuptime të reja në Shqipërinë e mediatizuar, bëhen objekt i argumentimeve të zotit Shyti. Loja me “pakicat” dhe “shumicat”. Një pakicë janë ata që bëjnë krime jashtë, por shumica është e papërfaqësuar. Vdekja publike dhe emisioni “Ndërprerja” që e riprodhon vdekjen live në formën e vdekjes me dyer të mbyllura. Këto pasohen nga afshi për lartësimin e origjinës së shqiptarëve dhe sozitë në politikë apo ridimensionimi i tyre në demokraci. Ndërkohë, dikush e pyet zotin Shyti se ç’po ndodh me daljen e bibliotekave në rrugë (para disa kohësh në trotuaret e Tiranës gjeje libra të vjetër të bibliotekave personale me kushtime, – I.Y.). Edhe kjo shkërmoqje e memories nuk u shpëton argumenteve të zotit Shyti. Më tej biseda bëhet më interesante dhe dishepujt e z. Shyti kërkojnë të dinë më shumë për rolin dhe funksionin e parashikimit dhe përhapjes së kumtit. Mediatizimi i sotëm e ka origjinën te shikimi i jetës dhe i fatit në kraharorin e pulës apo në trupin e ullirit, por edhe në rectum. Dikur lajmi riciklohej nga gazeta në rectum dhe këtu zoti Shyti parodizon kohën kur gazetat shërbenin për higjienë dhe rectum-i, thotë ai, ishte si një fotokopje që riciklonte lajmin. Duke satirizuar lehtësinë dhe kotësinë e informacionit apo lajmit, zoti Shyti thotë me elegancë se edhe sot kemi riciklim të lajmit nga rectum-i në gazetë. (f. 143). I lodhur nga bisedat në bar, zoti Shyti reciton disa haiku.

E përmenda edhe më sipër, por kur e kam rilexuar librin së fundi, jam befasuar me zotin Shyti, sepse ai duket se e ka parashikuar veshjen dhe përdorimin e maskës. Duke arsyetuar për fshehjen e identitetit, zoti Shyti dhe miqtë e tij po shihnin në tv një protestë diku në Spanjë mes policisë me helmeta dhe protestuesve me maska Guy Fawkes, si në V for Vendeta. Pastaj vijon interpretimi i formës së re të ndeshjeve me maska apo i vjedhjes me maska dhe vijon e zgjerohet fusha kuptimore e fshehjes së identitetit në të gjitha anët, aq sa të ngjan se jeta është shndërruar në një karnavale. Dhe zotit Shyti iu kujtuan fyerjet që kishte marrë online pas botimit të një editoriali në gazetën SHKUMËSI dhe shtoi se, përballë gjithë këtij anonimiteti, njeriu nis të dyshojë edhe për identitetin e vet. E pas kësaj, ai bën parashikimin gjenial:

“Të jetë kjo një parapamje e së ardhmes, pyeti ai; ose e ditës kur do të qarkullojmë të gjithë të mbuluar, në mos me maska Guy Fawkes, helmeta policësh dhe passamontagna, të paktën me maska kundërgaz a biologjike? Vallë do të vijë një kohë kur për të ruajtur respektin për veten dhe për të mbetur njerëz, do të na duhet të maskohemi në publik njëfarësoj?”[5]

Pastaj vijnë zbavitjet gjuhësore apo loja me termat. Fjala “shkrimtar” shënjon atë që shkruan dhe që nuk ia botojnë, apo atë që thjesht shkruan. Edhe gjetja e semiologut të shquar R. Bart është pjesë e ligjërimit në bar. Vdekja e autorit që pati shpallur Bart, bëhet një argument që shtjellohet me mjetet e ligjërimit bisedor. Por zoti Shyti ka një propozim. Po të mundte, ai do të kishte hequr të ardhmen si kohë foljeje sepse premtimet që bëhen nga të katër anët, po e rëndojnë atmosferën. Ndaj, sipas tij, e ardhmja duhet të shpallet jashtë ligjit.

Më tej parakalojnë shpejt argumente të karakterit sociopsikologjik si totemi i atëvrasjes apo tabuja e Enver Hoxhës, jeta e ndërtuar si spektakël që luhet në media. Adulteri që nuk bën dot dallimin mes trupit dhe turpit, kamerat në qytet dhe shndërrimi i habitatit në një Big Brother. Një aksident i zotit Shyti në banjë vizaton parodinë e respektit, ndërsa ëndrra me Kafkën dhe procesi apo dënimi me vdekje sjellin atmosferën e memories kulturore në bisedë dhe, po ashtu, zgjerohen duke pranëvënë lojën e aktorëve sipas parimit të Brehtit dhe Stanislavskit për të kaluar në parashikimin e Umberto Ekos që zhvillimin e shtypit e shihte si fundin e dijes. Zoti Shyti i bën këto paralele ndërsa shfleton gazetën “Shkumësi”(f.202). Relativizimi etik, në kuptimin që jeta përmblidhet në kush je dhe çfarë je, të duket sikur aktualizon paranojën e përgjimit.

Edhe libri i dytë, “Kusuret e zotit Shyti”, ka të njëjtën mënyrë ndërtimi, vetëm se këtu kopertina e librit me një faturë dhe disa qindarka, e sjell më afër atmosferën e vendit ku zhvillohet veprimi. Aty, në bar, biseda vijon. Zoti Shyti pyet se përse nuk provoni t’i shihni me volumin e zërit ulur këto talk shows-t. Dhe më tej ai vizaton imazhin që do të krijohej duke parë atë skenë pa zë. Pantomima që imiton një orkestër pa zë, do të mundësonte që të shijohej spektakli i debateve me kacafytjen e të ftuarve, ngritjet e vetullave, shtirjet, gjestet me duar dhe me këmbë, cirkat e pështymës që fluturojnë në ajër si shrapnel, lëvizjet prej dirigjenti të drejtuesit të emisionit. Heshtja e bën pamjen shumë të zhurmshme, përfundoi zoti Shyti (f.7). Më tej lexohet ndryshe një episod urban dhe pastaj ajri i kafenesë freskohet nga ligjërimi i Henrietës, që ankohet se po mbyllet emisioni i saj Trash Talk dhe zoti Shyti e përjashton mundësinë që intelektualët të ekzistojnë si grup. Por Henrieta ia hedh poshtë këtë ide duke i kujtuar peticionin e 40 intelektualëve të Drishtit që ishin kundër restaurimit të një hamami. Parodizimi i aktualitetit mediatik vijon edhe me lojën e fjalëve në anglisht trash dhe talk.

Ashtu si në librin e parë, edhe këtu leximi semantik i proverbit është një pasion i zotit Shyti. “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara,” është një tjetër kronikë që, këtë radhë, zbërthehet edhe me ndihmën e një personazhi tjetër, i cili, në këtë libër, është më shumë i pranishëm. Ai është Qemoli i Institutit. Gjetja e shenjueshmërisë së proverbit, pra zbërthimi i nënkuptimeve të saj duke nxjerrë në pah vigjilencën e qenve dhe heroizmin e karvanarëve, ose të kryekarvanarit, shndërrohet në një dialog gati-gati semantik dhe, në fund, Qemoli i Institutit pendohet që u përfshi në këtë hamendje sepse qentë për të cilët bënte fjalë zoti Shyti, nuk ishin të tijtë, karvani jo e jo.

Paradokset nuk kursejnë asgjë dhe nostalgjia e disiplinës e shtyn ligjërimin tutje në kohë. Anekdota për Musolinin sjell në vëmendje një detaj. Të paktën në atë kohë trenat niseshin në orar. Ndërsa zgjidhja është diku tjetër: trena le të ketë, por të mos ketë orare. Ndërsa imitimi i thënies së famshme të Hamletit “Të rrosh a të mos rrosh”, që këtu është bërë “Të flasësh apo të heshtësh”, sipas narratorit, që përmbyll analizat e zotit Shyti, është një pauzë utilitare.

Shpesh, e vërteta historike mund të bëhet edhe qesharake ose simptomë e patologjisë për një sëmundje mendore. Kur Estonia u pushtua nga rusët, presidenti i saj u tërhoq fillimisht, pastaj rusët e futën në burg, pastaj e mbyllën në një spital psikiatrik. Mirëpo, ai, fatziu, protestonte vazhdimisht dhe thoshte që unë kam qenë president i Estonisë. Merreni me mend se ç’mendonin të shtruarit në atë spital për atë fatkeq kur ai u thoshte se kam qenë president, – thotë zoti Shyti.

Moda e re e kujdesit ndaj qenve dhe qentë e rrugës e habisin zotin Shyti, ashtu sikundër edhe moda e letërsisë së krahinave. Ringjallja e krenarisë krahinore e bën zotin Shyti që të tregohet pak ofensiv me një çermenikas të madh që kishte zënë vend në një botim ku shfrynte afshin për të nxjerrë në reliev një krahinë të nderuar. Por, nëse karvani dhe qentë nuk e kanë shënjuar imtësisht burimin e kuptimit, ata janë më të qartë kur është fjala për opinionin publik, sepse brenda një metafore të tillë, mendon tavolina e zotit Shyti, ky proverb bëhet më transparent.

Të joshur nga vaniteti, dishepujt e zotit Shyti dhe vetë ky i fundit, ngjiten e zbresin në viset e larta të shijes që të jep një profesion që thuajse nuk e di askush. Akorduesi i pianos, në një farë mënyrë, është mirëmbajtësi i mirëqenies, njëlloj si pikëpresjet në një tekst. Ashtu si Bart me vdekjen e autorit, në rrëfimet e zotit Shyti, nuk mund të mungonte as Borgesi ose trajektorja e tij e suksesit. Duke u marrë me demokracinë, ata vënë re se qysh në Athinën e lashtë, mes ligjvënësit dhe aktorit ka një lidhje. Ndaj demokracia, edhe sot, është më shumë teatrale sesa ligjore. Më ka bërë përshtypje, thotë më tej zoti Shyti, duke folur për pronësinë intelektuale të aktorit, se ai shkëlqen duke recituar një tekst tjetër. Ndërsa fantazia e tyre me emrat e rrugëve shtyhet më tej. Të mbështjellë me letërsi dhe me fjalë e gjuhë, ata ëndërrojnë një ditë kur emrat e rrugëve do të mbusheshin me emrat e personazheve të romaneve. Përfytyroni rrugën “Besnik Struga”, – thotë njëri prej tyre. Nuk e di a e keni vënë re, pyet më tej zoti Shyti, pasi rrufit espresson e tij, zë-dhënësi i kryetarit jep fytyrën borxh, jo zërin. Ndërsa dikush, në bisedë, i shqetësuar, pyet zotin Shyti nëse e ka vënë re rrezikun që na kanoset nga shkronjat e mëdha. Përfytyroni sikur letërsia të shkruhet me germa kapitale dhe teksti të riprodhohet i gjithi në format parullash. Pse e gjithë kjo, pyet zoti Shyti. Dikush kujton se kjo paranojë, ndoshta, vjen nga ajo thënia e Enver Hoxhës për fletë rrufetë, që secili me shkronja të mëdha të shkruajë atë që mendon. Një tjetër thotë se kështu fjalët do të dukeshin si të veshura me uniformë.

Rrëfimet e zotit Shyti dhe bisedat në tavolinën e barit, zakonisht në mëngjes, transferohen në sferën e ligjërimit refleksiv, ndonjëherë. Ata të krijojnë përshtypjen se po dekodojnë një tekst që u shfaqet në formën e kujtimeve nga koha e socializmit, pastaj nga jeta si në film që rrjedh me shpejtësi dhe që fiksohet, qoftë në tv, qoftë në gazeta. Por edhe personazhet që kalojnë aty pari, ngjajnë me artefakte apo shihen si telenovela të lëvizshme. Nganjëherë biseda nis për një argument në dukje ideologjik, siç është shqetësimi i zotit Shyti për të denoncuar formalizmin. Që këtu kuptimi zgjerohet dhe denoncimi bëhet një skenar ose një rrëfim më vete. Aty vjen figura e denoncuesit profesionist dhe zoti Shyti, që vetë nuk kishte qenë denoncues në kohë të socializmit, krijon një figurë tjetër – atë të këshilltarit ligjor për denoncimin. Historia që ai tregon se si e kishte ndihmuar një denoncues të hiqte qafe dashnorin e gruas, është një parodi e bukur dhe analogjia me zhurmën dhe kaosin e kësaj dukurie te ne duket qartë. (f. 80).

Nëse grabitja e Bankës është një lajm që zë faqet e para në gazeta, për grupin e zotit Shyti ajo mund të përkufizohet edhe si qarkullim i parave jo në kanalin standard.

Në tavolinë është shtuar tani edhe Qemoli i Institutit dhe zoti Shyti kridhet në të shkuarën e tij në vitet e shkollës, atëherë kur lufta mes fëmijëve për të mësuar emrat e nënave të njëri-tjetrit ishte gati si një ngazëllim dhe triumf erotik. Të dije apo të zotëroje emrin e nënës të një shoku, ishte si të kishe fotografinë e saj lakuriq. E çuditshme, thotë dikush aty, kjo tabu seksiste që përfshihej në emrin e nënës.

Zoti Shyti nuk është edhe aq i qetë. Njëherë atë e kapën duke debatuar me një rebel pa ide dhe pa kauzë duke na kujtuar të gjithëve mitin e heroizmit pa ide që, siç dihet, ka në themel historinë e atij çiftit që, për t’i treguar botës fytyrën e vërtetë të kanibalit, i kërkoi ta pikturonte. Në këmbim, Kanibali u vuri një kusht: t’i jepnin djalin e tyre si ushqim.

Dhe ja, vjen dita që zotin Shyti e godasin në publik. Gazeta Albanian Pet (që, kuptohet, është një gazetë që merret me kafshët shtëpiake), i kushtonte një editorial zotit Shyti. Por edhe këtu, ai e kapërceu gjendjen e krijuar duke e vështruar kuisjen e qenit si metaforë të kritikës.

Dikush vuri re se duhet të kujtohemi për kalimin nga kafja turke në espresso dhe zoti Shyti bëri nënvizimin e rastit duke përqasur shikimin e fatit në kafe me imazherinë e sotme ose të parën si prijëse të së dytës.

Sa vjen dhe personazhet apo ngjarjet që ushqejnë dialogët e zotit Shyti me dishepujt e tij, vijnë më në qendër dhe argumentet albanologjike, veçanërisht, zënë një vend të posaçëm. Dikush jep sihariqin se në një fshat të Afganistanit, një studiues i njohur kishte mbetur i mahnitur se aty shumë fjalë shpjegoheshin me shqipen. Parodia vazhdon dhe të gjithë mësojnë se shkrimtari Rodon Meme ka botuar romanin “Priftëreshat e Ilirisë së Poshtme”. Ndërsa një leksikograf i ri ka zbuluar fjalën “peshtall”. Zoti Shyti përfiton një çast dhe i jep hakun një leninisti të respektuar.

Të duket se je në Tiranën e këtyre viteve dhe karikatura e paraqitjes së kulturës së kohës posttelevizive në këtë qytet, të çliruar nga të gjitha tabutë e shtrëngimit shkencor, e ka kthyer atë në një panair karnevalesh. Dhe në këtë panair, mu në mes të sheshit, takohen Maks Gjerazi dhe zoti Shyti. I pari është personazhi i famshëm i librit “66 rrëfimet e Maks Gjerazit” të së njëjtit autor dhe të dy kujtojnë historinë e Çaçit, atij të shpenguarit që nuk i rrinte goja rehat. Kishte takuar një ditë një fshatar me një gomar dhe, pasi përshëndeti fshatarin, i ishte drejtuar gomarit: si je shoku Enver? dhe ishte zgërdhirë. Aq u desh dhe fjala mori fjalën, pastaj përfundimi në çmendinë dhe përgjigjja fatale kur e pyesnin se nga e pësove. Po, ja, pse përshëndeta një gomar.

Nëse deri tani zoti Shyti lundron në ajrin e kthjellët të ligjërimit sipëran ku shënjohen nocione e ngjarje të jetës filozofike ose ideale të njeriut, tani duhet të përgatitemi se zotin Shyti dalëngadalë do ta tërheqin në baltën e zezë të antifrazës. Dikush kujtohet për analogjinë e mbiemrit Shyti me Shit-n në anglisht. Diku në libër, edhe zoti Shyti bie në ngasje më Henrietën dhe loja me llumin e kafesë turke dhe asaj ekspres sjell paralelen mes qiellit ku shihen yjet dhe qiellin e zënë nga retë. Që këtej, miqtë në tavolinë e provokojnë dhe zoti Shyti përdor pohimin mohues kur zihet ngushtë dhe nuk di të përgjigjet për lidhjet e tij me Sigurimin e Shtetit. Kalon në një shteg tjetër dhe e provokon tryezën teksa dikush flet për debatin që ka dëgjuar një natë më parë për legalizimin e prostitucionit. Nuk jam dakord, thotë zoti Shyti dhe sjell shembullin e atij që për 200 euro porositi në hotel një lojtar shahu, jo një eskortë.

Dhe ja, vjen fundi. Xuxi, një shok i vjetër i zotit Shyti, e ka zakon të përdorë fjalë të ndyra me përkëdheli për të shprehur intensitetin e afrisë emocionale. Po ku je o mut muti. Kaq duhet dhe në lokal të gjithë kujtojnë pasurinë që ka shqipja për ndërtime të tilla. Nuk përmbahet as zoti Shyti dhe përmend, sidomos, ndërtimet me fjalën derr përpara. Ndoshta pa e patur mendjen, ndoshta i rrëmbyer nga entuziazmi i të gjithëve, zoti Shyti tha se si ka mundësi që për të vlerësuar një femër përdorim shprehjen derr p… . Kimetja, pastruesja e barit u çmerit dhe vuri duart e po shkulte faqet kur dëgjoi çfarë tha zoti Shyti.

Më në fund, edhe zoti Shyti është fundosur në antifrazë dhe ty të duket se ai është viktimë e sqimës së thellë për gjuhën dhe ligjërimin. Duke dashur ta vështrojë botën vetëm në imazhet që sjellin fjalët apo vetëm në konstruktet e proverbave dhe të ndërtimeve që paraqesin një botë si në një film dhe ti je në qendër të saj si rrëfimtar, zoti Shyti, pa e pasur mendjen, pengohet edhe vetë dhe bie në honet e errëta të antifrazës, duke u bërë kështu një personazh jo vetëm tërheqës, por edhe i papërsëritshëm.

Këta dy libra të Ardian Vehbiut së bashku edhe me “66 rrëfimet e Maks Gjerazit” janë si një galeri me piktura nga jeta jonë në dy kohë. Aty secili mund të gjejë veten e tij të marrë peng nga ligjërimi gjithë kolorit i zotit Shyti. Kjo prozë që mbështetet mbi metaforën dhe leximin semiologjik të jetës, është një traditë e re në letërsinë shqiptare që ndërthur në një të vetme talentin e shkrimtarit me kulturën enciklopedike të autorit dhe të dyja këto të vëna në punë me një stil që ndërtohet i gjithi mbi paradoksin dhe që ngrihet mbi notat e mrekullueshme të satirës filozofike dhe të ironisë së thellë. Pasuria gjuhësore dhe njohja e variacioneve që mund të marrë gjuha në përdorim, është një karakteristikë e frymëzimit të Ardian Vehbiut, i cili, në rrëfim, niset nga fjala për të mbërritur te i shënjuari ose te bota. Dhe në fund, këta libra të Ardian Vehbiut të japin një kënaqësi të thellë në lexim, jashtëzakonisht të thellë…

 

(c) 2021 Ilir Yzeiri. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Ardian Vehbiu, Ndërhyrjet e zotit Shyti, botimet Dudaj, 2016, Dy fjalë lexuesit, f. 5.

[2] Po aty, shënimi në kopertinën e pasme.

[3] Po ai, po aty, f. 57

[4] Po, ai, po aty, f. 116-117.

[5] Po ai, po aty, f. 156

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin