Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Albanologji / Botime / Histori / Kulturë / Nacionalizëm / Përkthim / Politikë / Shkencë / Sociologji / Totalitarizëm

ETHER SOVJETIK

nga Arjan Shahini

Në vazhdën e tre-në-një sjell këtu në vëmendjen e lexuesit dy artikuj interesant mbi raportin e inteligjencies me regjimin totalitar dhe një poezi të Vladimir Sukov, ish-strategut të Vladimir Putin (aktuale pas akuzave për helmim të një opozitari rus).

Raporti i inteligjencies me regjimin totalitar është problematizuar disa here te Peizazhet. Sidomos së fundmi në lidhje me Albanologjinë. Kësaj tematike i përkasin edhe diskutimet e F. Lubonjës mbi ndikimin e I. Kadaresë. Por meqë në publicistikë janë të rralla trajtimet shkencore, paraqes këtu dy artikuj shkencor që hulumtojnë mbi këtë çështje. Por do të përqendrohem më shumë te problematikat që has unë si lexues kur lexoj kësi studimesh.

Doriana Matraku Dervishi dhe Marianne Johnson. “Isolation in Albanian Economic Thought.” In Research in the History of Economic Thought and Methodology: Including a Symposium on Economists and Authoritarian Regimes in the 20th Century. Emerald Publishing Limited, 2020. [Titulli në shqip: Izolimi në mendimin ekonomik shqiptar.]

Sokol Lleshi dhe Teuta Starova. “The Autonomisation of the Cultural Field in Late Socialist Albania and the Emergence of Early Sociological Research.” Stan Rzeczy2 (13) Sociology Under State Socialism (2017): 119-144. [Titulli përshtatur në shqip: Mvetësimi i fushës kulturore në socializmin e vontë në Shqipëri dhe fillesat e kërkimit sociologjik.]

I. Të përmbledhura, Dervishi e Johnson (më tej autorja) paraqesin në artikull pesë teza kryesore:

  1. Ideologjia politike përcaktonte politikat ekonomike. Teoritë vetëm sa i justifikonin ato dhe ishin kryesisht irrelevante, ose thelbësisht bosh.
  2. Për pasojë, ekonomistët ishin në shërbim të propagandës, shkollimit të brezit të ri dhe ndihmës teknike për realizimin e planit.
  3. Realiteti ekonomik i pasqyruar gjatë periudhës së izolimit dallonte nga ai vërteti.
  4. Izolimi ekonomik, politik dhe intelektual krijoi një dhomë ku kumbonte e njëjta ide.
  5. Kjo situatë krijoi efekte negative mbi mendimin ekonomik, studimet e ekonomistëve dhe gjatë tranzicionit në ekonominë e tregut pas viteve 90.

Studimi mu duk me disa probleme. Në tezën e parë, që është marrë kryesisht autorja, ka një kontradiktë: nëse teoritë shërbenin për të arsyetuar ad apo post hoc politikat ekonomike, nuk ishin dhe aq pa thelb. Tezat dy dhe katër janë trajtuar cekët. Teza numër tre dhe pesë nuk argumentohen bindshëm; mungesa e citimeve sikur do e shohim nuk do të thotë patjetër mungesë dijesh. Por do të merrem kryesisht me problemet që shoh unë në trajtimin e temave të tilla, duke marrë si shembull këtë punim. Problemet me vetë-plagjiaturën e autores së dytë, le ti shohë vetë autorja.[1]

Problemi 1: Mungesa e një studimi të mirëfilltë empirik mbi politikat ekonomike gjatë regjimit, fokusuar sikur edhe në një sektor të caktuar, nuk krijojnë një bazë të qëndrueshme për argumentime teorike. Në këtë punim p.sh. autorja jep një pasqyrë të periudhës së izolimit dhe mendimit ekonomik zotërues (theksi te industrializimi, autarkia, mbështetja në forcat tona etj.), por ka disa pasaktësi pse mungon baza empirike. P.sh. thotë se pas shkëputjes nga aleanca me Kinën, Shqipëria thuajse nuk ka marrë ndihma të huaja. Në fakt ka marrë nga Gjermania Perëndimore prej vitit 1987. Përvec kësaj, edhe pse Kushtetuta e 1976 kishte parashikuar mosmarrjen e borxhit nga vendet kapitaliste e revizioniste (që i lihej e hapur për interpretim Partisë), autorja nuk cition ndonjë studim të Bankës së Shqipërisë që e konfirmon këtë.

Problemi 2: Përqendrimi te veprat e E. Hoxhës dhe mendimi ideologjiko-politik i tij për t’i dhënë koherencë argumentit është rrugë e shkurtër e më pak e mundimshme për studiuesit, por aspak bindës për lexuesin. P.sh. kur autorja kalon te teoritë e izolimit, mbështetet kryesisht te E. Hoxha. Ky citohet të jetë shprehur për pavarësinë ekonomike prej 1966, gjatë aleancës me Kinën, prej së cilës vinin kësi iderash. Hasan Banja, kryetar i Institutit të Studimeve Ekonomike, që nuk citohet gjëkundi në këtë punim, referohet nga akademikë perëndimorë në 1969 pikërisht për të kundërtën, duke u shprehur kundër autarkisë e vetë-izolimit, me argumente historiko-ekonomikë (me siguri me miratim).[2] Ndërsa vetë E. Hoxha e ka kundërshtuar gjithmonë idenë se Shqipëria ka qenë e izoluar, dhe sikur e përmend autorja, vetë Enveri përdor të njëjtat fjalë të H. Banjës. Autorë perëndimore që citon Dervishi madje e kuptojnë se mbështetja në forcat tona nuk nënkupton autarki, apo izolim ekonomik. Kjo veç idesë që përkufizimi i së parës është në varësi të zhvillimit aktual ekonomik të vendit, sikur vëren një studiues perëndimor. Në fakt, në katër raste që e përdor Hoxha në veprat e tij fjalën autarki (nr. 25, 63, 68 e 70), distancohet nga kjo lloj politike, dhe këtu dallohet mendimi arsyetues i H. Banjës.

Disa fjale kyce ne veprat e E. Hoxhes.

Frekuenca e disa fjalëve kyçe në veprat e E. Hoxhës, si tregues për rëndësinë e tematikave në ligjërimin politik për periudha të caktuara. (Përgatitur nga unë).

Shkurtimisht, vështirë të përftohet diç sistematike nga analiza e deklaratave politike, pa e mohuar se një tog idesh ka qenë gjithmonë të pranishme dhe janë përzgjedhur në varësi të situatës.  Së paku të shpresojmë që Dervishi ta vazhdojë këtë studim, e të shohë sa korrespondojnë këto ide me ndryshimet në lidhje me politikën e jashtme, të brendshme etj. P.sh. në fillimet e viteve 70 e gjithë Ballkani, sikur edhe Evropa Perëndimore dhe Lindore po kalonin krizë ekonomike. Përgjigjet ndaj krizës ishin të ndryshme. Autorja në trajtimin e saj merret vetëm me gjendjen e brendshme ekonomike, pa shqyrtuar p.sh. nëse ka pasur ekonomistë shqiptarë që kanë arsyetuar se Shqipëria në kohë krize mund të përmirësonte pozicionin konkurrues në tregun e jashtëm.  Në vitet 70 rriten treguesit nga eksporti i mineraleve, kalohet në bilanc pozitiv, që sjell tjetër lloj varësie; një përqendrim që më pas bëhet shkak për raprezaljen në sektorin e naftës kur nuk plotësohen pritshmëritë e planit.

Problemi 3: Kur jepet mendimi ekonomik, pa ekonomistë, sepse tezat e autores e përjashtojnë këtë që në fillim, nuk dimë sesi ta interpretojmë Gramoz Pashkon, me të cilin autorja me të drejtë merret ca më gjatë. Ky konsiderohet si ekonomisti neo-liberal par excellence. Por a ka shkruar njeri për evoluimin e mendimit të tij ekonomik? Nuk e emëruan profesor në Universitetin e Tiranës për idetë e tij liberale. Si e gjykonte ky funksionin e tij? Autorja nuk ka mundur të gjejë materiale personale mbi formimin intelektual të G. Pashkos. Me siguri diku, tek Instituti Pashko i H. Çilit, duhet të ketë diçka.

Në një koment, ekonomisti Zef Preçi, ish-punonjës shkencor në Institutin e Studimeve Ekonomike, përmend te Peizazhe rolin e Institutit të Marksizëm-Leninizmit, e si burim frymëzimi kopjet e revistave sovjetike, dhe pse askush nuk guxonte t’i citonte. Ndërsa autorja tregon se nuk ka citime të veprave të huaja në disertacionet e universitetit për periudhën 1978-1989, çfarë dëshmon sipas saj, se formimi ekonomik i ekonomistëve ishte i mangët. Por burime të huaja kishte në fondin rezervat në institute dhe universitet. Diku duhet të jenë protokollet për frekuentimin e tyre. Përveç që ka pasur vepra autorësh shqiptarë plagjiaturë, të evidentuara nga kontrollet e Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, dhe nga kolegët e tyre që i përgojojnë nëpër kafene. P.sh. Vasillaq Kedhi dhe Edmon Luçi nuk e shpikën matematikën lineare dhe përdorimin në planifikimin ekonomik nga hiçi (Programi linear në problemet ekonomike, 1970). Ndoshta te bibliotekat e Institutit të Studimeve Ekonomike dhe ajo e Marksizëm-Leninizmit duhen gjetur rrënjët e formimit të G. Pashkos, … dhe te dërgimi i një grupi intelektualësh jashtë vendit.

II. E mbërrijmë këtu te artikulli i dytë dhe kritika e A. Dojës ndaj një grupi të caktuar intelektualësh të favorizuar gjatë regjimit totalitar. Ndërsa Doja merret me albanologjinë, që së paku duket të jetë disiplina më e afirmuar në trevat shqiptare, Lleshi dhe Starova merren me sociologjinë. Artikulli përmban edhe një qasje teorike (tre teori: një diakronike dhe dy kulturore), që mua më duket se i ri gallosh pjesës empirike.

Teza është: Në periudhën e vontë të socializmit, roli tradicional i inteligjencies socialiste zbehet, ndërsa del në pah roli i studiuesve të shkencave sociale. Në vitet e fundit të socializmit kjo inteligjencë akademike konkurron me kadetët e partisë (për të mbrojtur praktikat e pakta të lira akademike).

Për ta thjeshtuar për lexuesin, supozimet kryesore janë: (1) Me inteligjencie socialiste Lleshi dhe Starova (me tej autori) nënkuptojnë ata që ishin arsimuar jashtë vendit gjatë kohës së stabilizimit të regjimit, qëndronin afër qëndrimit politik e ideologjik (nacionalist-komunist) të tij etj. Përfshin këtu edhe albanologët si A. Kostallari. (2) Periudhat që krahasohen në lidhje me dobësimin e grupit të parë dhe forcimin e studiuesve, janë vitet 1950-70 përkundër 1985-1990. (3) Supozimi kryesor është se sociologët nuk ishin në konflikt me regjimin, pasi i përkisnin inteligjencies ideologjike. (4) Mohon që në Shqipëri të ketë pasur një “fushë të prodhimit kulturor” (gjermanisht: Kulturbetrieb), për shkak se nuk gëzonte autonomi nga regjimi. (5) Ndryshe nga p.sh. Çekosllovakia, në Shqipëri nuk u ngrit një klasë inteligjencie e teknike, elita manaxheriale, pasi qeveria e pengoi. (6) Kjo ndodhi vetëm në fund të viteve 80, me krijimin e inteligjencies kulturore. (7) Epërsia e inteligjencies kulturore i dha krahë më pas zhvillimit të sociologjisë pas viteve 90.

Kam ca rezerva në lidhje me disa prej këtyre supozimeve. Së pari grupimi i inteligjencies në këta dy  breza është disi problematik. Besoj se mund të kenë qenë tre: para lufte, pas lufte deri në mes 1970 e pas viteve 80. E kjo lidhet me supozimin Nr. 5, mbi mungesën e klasës së teknokratëve revolucionarë (shkolluar në Perëndim por pjesëmarrës në luftë), që autori e kundërshton më pas (fq. 122), duke përmendur edhe vrasjen e K. Theodhosit dhe A. Këllezit. Të tilla rokada pati në Rumani dhe në Gjermaninë Lindore, ku garda e revolucionarëve luftëtarë morën sërish frenat në dorë. Është për tu diskutuar gjithashtu nëse lufta ndaj burokracisë mund të njësohet me atë ndaj inteligjencies. Veç faktit që deklaratat publike të disa personave kyç, si p.sh. A. Kostallari, dyshoj që përbëjnë gjithmonë dëshmi bindëse për qëndrimin e tyre. Duhen ndoshta parë në kompleks dhe plotësuar me përshtypjet e personave që i kanë njohur nga afër.

P.sh. sipas autorit, roli i Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste u zbeh në vitet 80, dhe e fitoi davanë Universiteti i Tiranës. Një pohim interesant, që kërkon një studim empirik dhe lidhet me tezën nr. 4, të cilën besoj se albanologët do e kritikonin me prova. Këto gjenden jo vetëm në reflektime, sikur paraqiten në shkrimet e Bardhyl Demiraj e A. Vehbiut (edhe të A. Dojës nëse do të fokusoheshim te partikulariteti i disiplinës së albanologjisë), por edhe në raportet zyrtare. Në aspektin dokumentar ka raporte qeverie mbi punën e Akademisë e Shkencave, apo raporte përgjimi nga organet e Sigurimit që i kishin veshët e ngritura për çdo pakënaqësi. P.sh. kritikat e qeverisë për angazhim të pamjaftueshëm të studiuesve me ideologjinë e regjimit, apo konfliktet e disa studiuesve me ata të favorizuar nga regjimi (Kostallari vs. Riza, shih R. Ismaili, “Pasionet dhe Pësimet e Selman Rizës.”), e zgjidhja e tyre nëpërmjet vetë institucionit, mund të interpretohen se albanologjia ka pasur një lloj autonomie, sistem vetë-rregullimi që e klasifikon atë si një fushë të mvetësuar të gjenerimit të kulturës dhe dijes.

Ky kuadër mund të plotësohet me dëshmi gojore të personave që i kanë njohur nga afër disa prej këtyre individëve. A. Vehbiu ka treguar këtu disa ndodhi personale që tregojnë mbi qëndrimin privat të njërit apo tjetrit studiues. P.sh. nga kujtimet mbi profesorin Sh. Demiraj, nga një student(e) mësojmë se ka pasur seriozitet së paku nga një grup pedagogësh sa i përket metodave shkencore. Studenti tregon se profesori ishte rigoroz në hulumtimin shkencor dhe gjatë diskutimeve nuk i referohej autoritetit si argument. Ai/ajo shprehet se pedagogu “gjithashtu thoshte shpesh, sidomos kur dikush nga ne i rezistonte ose ishte i pakënaqur me pamjaftueshmërinë e argumenteve për tezat mbi origjinën e shqipes: „Këtë mund ta zgjidhni ju! Hë, jepini, o burra! Shkenca do njerëz kuriozë e punëtorë!””

Këto diskutime na çojnë te problemet me trajtimin kritik të burimeve. P.sh. autorët Lleshi dhe Starova përdorin si narrativë historike një artikull të vitit 1978 nga World Today, Royal Institute of International Affairs, Chatham House. Si revista edhe institucioni janë instrumente të politikës së jashtme të Britanisë së Madhe, e më saktë të asaj perandorake, të kishës anglikane dhe kozmopolitanizmit liberal (financuar nga World Street etj.). Dmth. këndvështrimi analitik i World Today dhe i autorit, F. S. Larrabee, prej 1984 në Rand Corporation, duhet shqyrtuar edhe nga pikëpamja ideologjike kritike. Artikulli i F. S. Larrabee duket se ka qenë i porositur në kuadër të disa diskutimeve të qeverive angleze dhe shqiptare për një vendosje të mundshme të marrëdhënieve diplomatike. E mendoj këtë, sepse ky autor nuk ka shkruar asnjë artikull tjetër për Shqipërinë, edhe pse specialist i Ballkanit dhe Evropës Lindore.  Ndërsa artikulli i tij bazohet mbi disa raporte të Radio Free Europe, një zgjatim i shërbimeve sekrete amerikane (dyshimi im është që Larrabee ka pasur kontakte me shërbimet dhe i ka vendosur disa burime të open intelligence për diversion). E megjithatë, nuk duhen fajësuar autorët që në vitin 2017 citojnë një analizë të situatës politike aktuale të asaj kohe. Unë, p.sh. nuk kam lexuar ende diçka shkencore e argumente bindëse mbi vrasjen e Theodhosit, Këllezit, Shehut etj. Nga ana tjetër nuk duhet përjashtuar, se ajo çfarë ne mundohemi ta arsyetojmë brenda Shqipërisë, mund t’i ketë rrënjët jashtë, e këta që u persekutuan të ishin viktimë e shërbimeve angleze apo amerikane (kujtoni këtu se spastrimet e liberalëve në Evropën Lindore u nxitën nga këto shërbime për të dobësuar regjimet staliniste).[3]

Përndryshe është shumë mirë që studiuesit tanë kanë filluar t’i qasen këtyre temave të koklavituara dhe Peizazhe besoj se ka dhënë një kontribut në të tilla diskutime, edhe pse jo gjithmonë citohet.

III. Ether Sovjetik – Vladimir Sukov, 2020

(përkthyer nga rusishtja në anglisht me Google Translate. Titulli nga unë)

Prapë qyq i vetëm
më dhanë liri,
e përse kokainë?
po se është në ajër

merre e thithe
kaq – prite të të vejë në shpirt
kështu është edhe parajsa
shkretëtirë e lirë

merre e thithe
me gjithë shpirt e mendje
çdo natë, e çdo ditë
në çdo tokë, e çdo yll
kjo mund të jetë
e tërë gremina e shpirtit

dhe mos e nxirr frymën,
mbaje, mos e nxirr.

 

(c) 2020, Arjan Shahini. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


 

[1] Marianne Johnson and Alexander Kovzik, “Transition of ‘The Economics Industry’in Albania: A Bibliometric Approach,” Available at SSRN 3074406  (2018).

[2] Wolfgang Ruß, Der Entwicklungsweg Albaniens: ein Beitrag zum Konzept autozentrierter Entwicklung, Transfines, (Meisenheim am Glan u.a.: Hain, 1979).

[3] Steven, Stewart. Operation splinter factor, (Lippincott, 1974).

9 Komente

  1. Gramoz Pashko ekonomist par excellence ?! Nuk dua te hyj ne gjynah duke marre ne goje te vdekmit por merhumi desh I vdiq shqiptaret me idiotesine e terapise shock.

  2. Autorja : 1- Ideologjia politike përcaktonte politikat ekonomike. Teoritë vetëm sa i justifikonin ato dhe ishin kryesisht irrelevante, ose thelbësisht bosh.

    Autori : Në tezën e parë, që është marrë kryesisht autorja, ka një kontradiktë: nëse teoritë shërbenin për të arsyetuar ad apo post hoc politikat ekonomike, nuk ishin dhe aq pa thelb.

    Une nuk e shoh kontradikten, perndryshe do e quaja pohimin e autores si tautologji, ne kuptimin qe kjo eshte e vertete universale per cdo sistem ekonomik, te pakten qe prej sumereve e ketej ( epoka parasumere nuk ka asgje te shkruar, prandaj nuk mund te ekzistoje siguri e ketille).
    Realisht gjithe baza argumentuese thelbesore ekonomike perdoret ne formulimin e ideologjise politike, m’andej gjithe nyjetimi teorik ekonomik eshte nje qepje-shqepje qe te justifikoje politikat e orientuara.

    Nqs keto qepje-shqepje jane te nevojshme nuk do te thote qe jane doemos me thelb, dikush mund te dale e te brockullise me 700 formula, pa thene realisht asgje, kjo sepse premisat qe duhet t’ia marrim per aksiomatike, nuk vlejne asnje grosh. Psh, ne fiziken teorike njehere qe pranon x,y,z premisa,atehere del me model matematikor qe provon se ekziston multiversi, por fare mire dikush tjeter ia cmonton premisat dhe gjithe modeli matematikor perfundon ne kosh bashke me multiversin.

    Pra, gjithe puna le te themi eshte si te merremi ( pranojme ose hedhim poshte) me premisat ekonomike qe formojne ideologjine politike, pjesa tjeter eshte keshtjelle ranore.

    Gjithsesi, thene e pranuar tne parim autologjia ne fjale, vizioni i krijuar per sistemin komunist eshte iluzion, sepse Shqiperia ishte vend i militarizuar, me teper edhe se Bashkimi Sovjetik e cdo vend komunist ( ndoshta me perjashtim te shtetit te dinastise Kim) dhe ideologjia politike ishte shume e koklavitur per t’u perkufizuar me manualin qe shpjegon marksizem-leninizmin. Pushteti nga udhetimi drejt diktatures se proletariatit kaloi ne diktatura personale dhe evoloi ne diktaturen e oligarkive, ku cdo hallke sjell edhe evoluimin e nevojshem te ideologjise politike dhe perfaqeson stade qartesisht te dallueshem ekonomike e sociale.

    Pra, keto analizat dhe studimet alla liberale dhe liberiste, gatuhen njefaresoj qe te thjeshtojne shquarjen e armikut te mundur dhe te riprodhojne nje fitore te imagjinuar, por qe u jep ne konkret perfitimet e pritura sistemike ( pra edhe keto, si pasoje, doemos i takojne kategorise se irrilevantes dhe thelbesisht boshes, sepse prej kohesh ideologjia politike i ka percaktuar politikat ekonomike dhe teorite vetem sa i justifikojne ato).

    1. Jane disa aspekte metodologjike ketu: autorja merret me aspektin praktik Te teorise, sa informon teoria politikat ekonomike. Autori thote, se edhe nese nuk informojne, por justifikojne, nuk jane pa thelb. Kjo sepse ne nje moment, ligherimi kushtezon aletrnativat per te ardhmen. Ndersa ti kam idene se merresh me qellimin epistemologjik te teorise, te shpjegoje (erklären) apo te na nxise te kuptojme, verstehen.

      Ne keto aspekte, praktik, justifikues, informues, sqarues apo kuptues, teorite nuk jane pa thelb, e nuk mund te ngaterrohen me llafet kot. Marsizmi ishte ne thelb teori ekonomike, qe me filozofine e praxis i permblidhte te gjitha keto aspekte. Sic thote Adriani me poshte, keto artikuloheshin nga specialiste. Une them se duke importuar nga jashte ide, teoricienet dhe specialistet ofronin alternativa politike qe nuk jane medoemos koherente, se praxis dhe dialektika marksiste e mirepresin mungesen e koherences ne praktiken e perditshme, te ndoturin, por kjo nuk do te thote qe praktika apo ideologjia nenshtron mendimin teorik te specialistet.

      Sa i perket ndikimit te idelogjise mbi politikat ekonomike, shume dakord. Edhe ne aspektin teorik ka ndikim. Ne ekonomi eshte interesant per tu ndjekur se ketu kushtezimet e fakteve teorikisht nuk lene vend per interpretime te kota.

      1. Duke vijuar me shembullin e autarkise, forcave tona, fashizmit, proteksionizmit etj, specialisti i kohes gjendej perballe nje justifikimi qe lidh nje koncept kaq historik sa autarkia ( praktikisht per mijera vjet, e vetmja tregti e konsiderueshme jashte sendeve te luksit, ishte tregtia e grurit nepermjet lumit e detit, per shkak te kostove ndaluese te transportit) me marksizem-leninizmin dhe nevojen qe kishte pushteti personal i Hoxhes per te mbijetuar pa qene zedhenes apo i mbeshtetur tek nje fuqi e huaj.

        Pra, ketu nuk kemi me nje specialist ekonomie qe do nxjerre nje teori ekonomike , por nje gje shume te koklavitur, biles do thoja qe perfaqeson me shume nje pjese doktrine qe hyn drejt edhe tek ideologjia e pushtetit, dmth tek evoluimi qe peson ideologjia ne vitet 70.

        Nuk eshte se Shqiperia ne vitet 70 u izolua, se ishte e izoluar, thjesht humbi fuqine kujdestare dhe huate e ndihmat perkatese. Shqiperia mund te bente gjithe tregtine e jashtme qe deshironte, kishte mjaftueshem marredhenie diplomatike qe te blinte, por edhe shiste gjithcka qe deshironte.

        Nga ana e ideologjise politike humbja e fuqise kujdestare ishte edhe fillimi i fundit te autokracise ne favor te principit oligarkik. Kjo sepse fuqia kujdestare nepermjet huave e ndihmave financiare ( e jo vetem) eshte edhe garante e autokratit ( sa diktator eshte pak rendesi ka), pasi keshtu autokrati potencialisht zoteron fonde e fuqi shume me te medha sesa mund te prodhohen brenda vendit, njefaresoj eshte garantuesi i mbijeteses se popullit ( psh Bashkimi Sovjetik na nderpreu jo vetem huate, por edhe dergesat e grurit).

        Shqiperia pa nje fuqi kujdestare nuk kishte ndonje nevoje te madhe per autokratin si ndermjetes mes popullit dhe Fuqise se Madhe, nje element me shume per te shpjeguar nevojen e spastrimeve te fundit, te dy elementeve me turbullues te qetesise oligarkike, Shehu dhe Hazbiu.

        1. Kendveshtrim interesant. Na con ndermend se prej viteve 70 nuk ka pasur jetese per ideologji, por mbijetese te oligarkise packa ideologjise.

        2. “.. Shqiperia pa nje fuqi kujdestare nuk kishte ndonje nevoje te madhe per autokratin si ndermjetes mes popullit dhe Fuqise se Madhe, nje element me shume per te shpjeguar nevojen e spastrimeve te fundit, te dy elementeve me turbullues te qetesise oligarkike, Shehu dhe Hazbiu…”
          Te kam rixha a ka mundesi ta shtjellosh kete deduksion ?

        3. Alba, mos te t’ngele qejfi po rixhalleku nuk rezulton as i domosdoshem, as i ndersjellte a i nderkembyeshem ne qellimin e fundem te diskutimit.

          Cfare e kercenonte pushtetin e Hoxhes ishte individi qe fuqia kujdestare do te zgjidhte si ndermjetes me popullin shqiptar ( Koci Xoxe psh ishte armiku i mirefillte). Nuk u zhvendosem nga BRSS tek RPK, per arsye te marksizem-leninizmit, por sepse Hrushovi nuk e shihte Hoxhen si njeriun e duhur ne krye te Shqiperise ( Enveri ua ngeci sovjetikeve derrin mac ashtu si Zogu italianeve ne vitet 30, sepse keto fuqi mbivleresuan pushtetin e tyre dhe nenvleresuan pushtetet personale te Zogut e Hoxhes – dicka qe ndodhi edhe ne ulje-ngritjet e Berishes me Ameriken-).

          Ne kushtet kur nuk kishte me fuqi kujdestare dhe Enveri nuk e strukturonte dot pushtetin si dinastik ( ne shembullin e Korese se Veriut), atehere struktura e se ardhmes do te ishte oligarkike.
          Shqiperia duke u pozicionuar si shtet sovran e jodinastik, pati ate oligarki qe rezultoi edhe ne BRSS pas Stalinit e ne Kine pas Maos, nderkohe qe vendet e mirefillta satelite komuniste, kishin nga nje pushtetar qe caktohej ne Moske, ne baze te teorise sovjetike te ”sovranitetit te kufizuar”.

          Nga pikepamja praktike e shtetit satelit, nje fuqi e madhe kujdestare preferon si ”default”, nje autokrat qe e ka njeriun e vet, pastaj preferon oligarkine dhe ne fund demokracine, meqenese populli nuk eshte i kontrollueshem. Nuk ben ndonje dallim te madh as Amerika, e cila ku mundi te kishte autokratin e kishte, ku mundi oligarkine e ne Europe nuk mund ta zhbente dot demokracine ( Japonia, i vetmi vend aleat ne Azi, qe ishte demokraci, realisht ka qene oligarki nen pushtimin amerikan deri ne 1952 e mandej kolapsi psikologjik i kombit japonez pas humbjes prodhoi gradualisht nje demokraci, si mjet mbijetese e jo si dicka e kerkuar apo e mire).
          Praktikisht edhe Amerika veproi sipas vendit edhe kuvendi, duke preferuar si default autokracine. Bashkimi Sovjetik apo Kina, padiskutim autokracine, ashtu si edhe sot, Rusia e Kina. Po ashtu ne ish kolonite e tyre, Anglia e Franca preferuan autokracite e ku per vete kontekstin ishte e pamundur, psh India, oligarkine.

          Nga ana tjeter, si e thote psh Konica, ai vete bashke me gjithe shoqatat e Vatres, ishin per doren e forte dhe si e thote ne Apologjine e Zogollit, te shkruar ne 1925 a 1926, kur Zogu e beri minister fuqiplote ne Amerike, ishte identifikuar Zogu si autokrati i domosdoshem qysh kur doli nga shpergejte politike ( ne 1912, kur beu i Burgajetit ishte 13 vjec). Kjo menyre ayrsyetimi ishte e vlefshme edhe per vendet afro-aziatike qe dolen nga kolonializimi.

          Tani, te vijme tek Mehmet Shehu, i cili sigurisht synonte pushtetin e plote personal. Ky lloj pushteti do te mundesohej ne rast se ai vete do te behej ndermjetes i nje fuqie kujdestare. Pra, nuk eshte per t’u perjashtuar qe Mehmeti vete, te kete luajtur ndonje gur ne kete drejtim, meqe Enverit qysh prej 1973 i ishte keshilluar prej mjekeve te mos punonte me shume se 4 ore dita.
          Lloji i robit, nuk ishte si ai i Ramiz Alise apo Adil Carcanit, Simon Stefanit e me radhe qe gjendeshin shume mire ne nje sistem kolegjial ose oligarkik ( prandaj edhe mbijetuan per bukuri).

          Pra, Shehu ishte nje figure pothuaj e pamundur oligarkike, i cili per te perforcuar pushtetin e vet pas vdekjes se Hoxhes, mendoj qe me siguri do te kalonte nga domosdoshmeria e nje fuqie kujdestare. Ose do te lidhej me amerikanet ose me sovjetiket, per te pasur garancine e autokracise vetjake.

          Gjithsesi, per te mos u larguar nga tema dhe ideja, kur flasim per ideologjine ne kohen e sistemit komunist, nuk mund ta shohim kurrsesi vetem me lupen e marksizem-leninizmit, sepse zhvillimet vareshin shume me teper nga aspekti historiko-pragmatik.

          Pervoja shqiptare e fazes se trete te komunizmit ( nga prishja me Kinen deri ne Revolucionin Kleptokratik) tregoi apo ilustroi ne kendveshtrimin teorik, se asnje vend i vogel nuk mund te jete realisht sovran, por edhe qe asnje Fuqi e Madhe, qofte edhe superfuqi nuk i ka kapacitetet qe te kontrolloje pushtetin ne vendet satelite pa negocim me pakicat sunduese vendore ( ne keto negociata, aspekti i huave dhe ndihmave eshte jetik, ku eshte leku eshte besa).

  3. Shkruan:

    [K]ur autorja kalon te teoritë e izolimit, mbështetet kryesisht te E. Hoxha. Ky citohet të jetë shprehur për pavarësinë ekonomike prej 1966, gjatë aleancës me Kinën, prej së cilës vinin kësi iderash. Hasan Banja, kryetar i Institutit të Studimeve Ekonomike, që nuk citohet gjëkundi në këtë punim, referohet nga akademikë perëndimorë në 1969 pikërisht për të kundërtën, duke u shprehur kundër autarkisë e vetë-izolimit, me argumente historiko-ekonomikë (me siguri me miratim).

    Do të thoja se përpjekjet për t’u shprehur kundër autarkisë dhe vetizolimit tradhtojnë vetëdijen se politikat ekonomike të Shqipërisë, në atë kohë, ISHIN në fakt autarkike. Është manovër tipike, e ligjërimit totalitar, që ta zëvendësojë një term kyç me një sinonim të vetin, por me konotacion negativ, në mënyrë që edhe ta pranojë, edhe ta sulmojë.

    Që para se të bëhej marksist, Enveri do të kish dëgjuar për autarkinë fashiste të Mussolinit – si politikë e pavarësisë ekonomike kombëtare. Por për brezin e tij, fjala “autarki” gjithnjë i referohej realitetit fashist, që këtej edhe zëvendësimi i saj me togfjalëshin “me forcat tona”, “me forcat e veta”. Dhe sapo ndodh zëvendësimi, menjëherë “autarkia” bëhet e kundërta e ekonomisë me forcat e veta – magji semantike tipike e ligjërimit totalitar.

    Ngjashmëritë me Italinë shkojnë edhe më tej – p.sh. te këmbëngulja për të siguruar “bukën në vend”: kush i ka jetuar vitet 1970, do ta mbajë mend mirë. Vetëm se, ndryshe nga Mussolini, Hoxha i kishte edhe mjetet për ta realizuar autarkinë në terren, sepse e kontrollonte krejt tregtinë e jashtme dhe bankat.

    Kushtetuta e re, që ndalonte në mënyrë eksplicite marrjen e kredive nga jashtë, u miratua në vitin 1976; por neni përkatës duhet të jetë i vitit 1975, besoj.

    Ai nen (28) thotë:

    Në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë ndalohet dhënja e koncesioneve, krijimi i shoqërive dhe institucioneve të tjera ekonomike e financiare e të huaja ose të përbashkëta me monopolet dhe me shtetet kapitaliste, borgjeze e revizioniste, si edhe marrja e kredive prej tyre.

    Dikush me siguri do ta ketë analizuar nga afër kontekstin politik praktik të këtij neni: të ketë pasur presion nga jashtë (nga Kina?) për hapje ekonomike, nga brenda (Këllezi, Theodhosi, Ngjela?), apo edhe ashtu edhe kështu?

    Me sa kam parë, në Kushtetutë nuk flitet për “ndihma” – prandaj marrja e ndihmave nuk përbënte shkelje të kushtetutës.

    Në përgjithësi, mendimi i Enver Hoxhës, për çështjet ekonomike, përpunohej nga specialistët përkatës – të cilët pastaj, kur dilnin me tezat e tyre në publik, citonin në thelb veten – sa herë që e fillonin me “Shoku Enver Hoxha ka thënë…”; meqë Shoku Enver Hoxha kish lexuar materialin e përgatitur prej tyre. Në fusha të tilla delikate, ka pasur vetëm një njeri që fliste, dhe ky është edhe thelbi i ligjërimit totalitar. Mund ta quajmë këtë Enver Hoxha pa gabuar shumë, me kusht që të mbajmë parasysh se tekstet vinin nga burime të ndryshme.

    Aq më tepër, le të mbajmë parasysh se tekstet e Hoxhës, ashtu siç dalin në Veprat e Plota dhe materialet e tjera zyrtare, u janë nënshtruar tashmë shumë filtrave, për t’i nxjerrë nga konteksti imediat dhe për t’u dhënë relevancë edhe “teorike”. Ka pasur ekipe që merreshin me këtë punë – specialistët e këtyre proceseve optimizuese i gjen akoma në qarkullim, duke vazhduar të lundrojnë me vela.

    1. Shume dakord per ndikimin fashist. Autorja madje flet per protektionizmin qe ishte i pranishem ne mendimin ekonomik ne Ballkan nefillimet e shek. 20. Por sic them, te pranishme ka pasur shume ide, zgjedhja i takonte specialisteve, sikur edhe roli ti mbanin keto relevante e aktuale.

      Me pelqeu kjo fjala: procese optimizuese.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin