Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi

LLOGJE

nga Albert Riska

Të gjithë ata që kanë ndjekur një nivel të çfarëdoshëm studimesh, kudo e në çdo fushë, duhet ta kenë krijuar idenë se shumica e disiplinave shkencore kanë një titull që përmban si pjesë të dytë një –logjia: Biologjia, Morfologjia, Arkeologjia e tjera pa fund. Të gjithë, gjithashtu, kanë dëgjuar gjithmonë që profesorët të nisin leksionin e parë duke shpjeguar përmbajtjen e titullit të lëndës, duke thënë, normalisht, se pjesa e dytë e termit, –logjia, do të thotë “dije”. Kështu, biologjia do të thotë “dije mbi jetën”, morfologjia “dije mbi formën” e me radhë.

Thuhet, gjithashtu (ndoshta me pak bezdi, sepse është përsëritur kaq herë nga të gjithë), se kjo pjesë e emërtimit lidhet me fjalën greke λογος [logos], që do të thotë “fjalë” (apo “arsye”), por, për të mos hyrë në detaje të tjera, thuhet edhe se në këto emërtime λογος është përdorur me formën e numrit shumës, λογια.

Nuk do të ishte aspak e tepruar që të pranohej, pa pasur frikë se po zgjatet hyrja e leksionit, se në këto emërtime kemi diçka nga gjenialiteti i popullit të vjetër grek dhe një prurje të mrekullueshme nga gjuha greke.

Është me të vërtetë një perlë: në qoftë se logos do të thotë “një fjalë”, sepse është në numrin njëjës, kur bëhen “shumë fjalë” ato shndërrohen në “dije, njohuri”: si dije për kafshët, Zoo-logji – dije për njerëzit, Antropologji

Veçse magjia nuk përfundon këtu…

Le të kthehemi në leksion. Për të formuar emërtime të disiplinave shkencore, gjithmonë mbi bazë të greqishtes, përdoren edhe mjete të tjera, që qëndrojnë, gjithashtu, si element i dytë i kompozitave. Kështu, në emërtimet Gjeometria, Stereometria, Trigonometria etj. kemi një metria, të cilën mund ta veçojmë lehtësisht me ndihmën e fjalës së njohur metër, gati identike me burimin e vet meter “masë”. Bëhet e qartë se nga Trigonometria, po të veçohet kjo metria, do të na mbetej një trigono (greqishtja τριγωνο), që do të thotë “trekëndësh”. Me dy fjalë, Trigonometria do të ishte shkenca që merret me “përmasat e trekëndëshit”, ndërkohë që të gjithë e dinë se Gjeometria është shkenca që merret me “matjen e tokave”. Ai Llobaçevski çuditi gjithë botën kur krijoi Gjeometri në hapësirë. Ç’do të thotë kjo!? Si u matkan tokat në hava!?  Gjithsesi nuk do të ishte pa vlerë edhe termi Stereometri.

Por jo vetëm kaq. Në disa tituj lëndësh gjejmë si përbërës të dytë edhe një tjetër element që duket shumë më i ngurtë se masa apo matja: është fjala për νομος [nomos], që do të thotë “rregull, ligj”. Kështu kemi, për shembull, Agronomia, Ekonomia etj.

Më interesante akoma duket të jenë fushat që përmbajnë në emërtimin e vet elementin grafia. Falë këtij mjeti, përveç Gjeologji e Gjeometri, ne kemi edhe Gjeografi, dhe kjo është më e bukura, shkruaj, përshkruaj tokën…, megjithëse, po të ngrihej nga varri një grek i vjetër, do të na thoshte se Gjeografi, burimisht do të thoshte “kruarje e tokës”…

Me siguri që tani bëhet e qartë se disiplinat shkencore duhet të dallojnë, në thelb, shumë njëra nga tjetra dhe, siç shihet, do të mund të kategorizoheshin shumë lehtë vetëm mbi bazë të elementit të dytë që kanë në përbërje të emërtimit të tyre.

Megjithatë, nuk do të ishte e tepërt dhe pa vlerë të pyesnim: “Po ku qëndrojnë dallimet!?”

Sërish greqishtja na i bën të lehtë problemin, duke na e dhënë zgjidhjen me një çift të vetëm emërtimesh.

Të gjithë duhet të kenë dëgjuar për një fushë interesante të dijes njerëzore që quhet Astronomi. Po të përkthejmë fjalë për fjalë, në gjuhën shqipe do të kemi “yll” dhe “ligj”. Është një shkencë rreptësisht rigoroze. Veçse, kemi, nga ana tjetër, edhe një fushë, mbase edhe më interesante se kjo, sepse tërheq shumë më tepër njerëz, që quhet Astrologji. Po të përkthejmë fjalë për fjalë, në gjuhën shqipe do të kemi “yll” dhe “fjalë”.

Pra, kemi një shkencë që do të kategorizohej si “fjalë për yjet”.

Më lart thamë se, kur bëhen “shumë fjalë”, ato shndërrohen në “dije, njohuri”, por nuk ndodh gjithmonë kështu, madje as vetëm në greqisht. Sikurse mund ta kuptojmë shumë mirë që ta logja nuk do të përkthehej aspak “dije” në gjuhën shqipe.

Në këtë mënyrë, duke qenë shqiptar, nuk mund të lexoj “yll” dhe “dije” te Astrologjia, dhe kam vërtet një arsye shumë të fortë.

Jam i prirë, si shqiptar, pra, që t’i përkthej termat me mendësinë time, me atë që më ofron gjuha ime: “shumë fjalë” në gjuhën time mbeten po fjalë dhe nuk do të thonë “dije”, madje me keq akoma, shumë fjalë në gjuhën time janë pallavra…, thjesht llogje.

E çuditshme, dhe nuk mund të kalojë pa u vënë re…

Fjala greke λογος, kështu në formën e vet të numrit njëjës, edhe pse mund të jetë ndër fjalët më bredharake dhe që nuk ka lënë vend të botës pa u përhapur (si logo e reklamës, për shembull), nuk ka lënë gjurmë në gjuhën shqipe, pavarësisht nga kontaktet e gjata e të drejtpërdrejta me fqinjët tanë jugorë; ndërkohë që forma e saj e shumësit ka hyrë në gjuhën shqipe dhe ndihet si në shtëpi të vet. Vërtet një rast “i mëparshëm” (siç etiketon ndonjëherë Konica), huazohet forma e shumësit dhe nuk huazohet ajo e njëjësit…

Normalisht kemi huazuar atë për të cilën kemi pasur nevojë, shumësin llogja, ngurosur aq bukur në togun llogje Kavaje. Nëse llogjet janë apo jo prej Kavaje, kjo nuk ka shumë rëndësi, por, që llogjet nuk janë një gjë e mirë, këtë e dinë të gjithë…

Në këtë mënyrë punët e këtyre shkencave sikur na ngatërrohen pak, “llogje mbi…”

Atëherë, Astrologjia është “llogje mbi yjet”, shkenca që tjerr fjalë (muhabete) për yjet, njësoj si Filxhanologjia e Kartologjia, apo, siç mund t’i themi ndryshe, Letralogjia.

Ndryshon puna me Astronominë, ajo është shkenca që merret me ligje, e jo me llogje.

Ç’është e vërteta, me llogje i takon Leksikologjisë të merret. Ajo duhet të ishte “fjalë/dije mbi fjalët” ose “fjalë/dije mbi llogjet”, pra, si term, Llogjologjia.

Po Morfologjia ç’lidhje ka me llogjet!? Llogje mbi formën, apo llogje mbi format!? Duhet të ishte Morfonomi, le që, kur flitet për format, mendja të shkon te përmasat…, kështu që duhet të kishim një Morfometria.

Nuk është aspak e rastit që, duke nisur që nga reçipetat, të gjitha veshjet e grave janë me numra. Në botën e modës do të parapëlqehej Morfografia. Në këtë përbërje pjesa grafia lidhet me kuptimin më të bukur të foljes grafo, “(për)shkruaj”.

Këtu shmangemi nga ai kuptimi i vjetër… E ç’kuptim do të kishte “kruaj format”, morfografia!?

© 2024 Albert Riska. Të gjitha të drejtat janë të autorit. Imazhi në kopertinë krijuar me AI.

5 Komente

  1. Do të ishte me interes vetë etimologjia në shqip e “llogje-s”, që përcjell edhe idenë e shkrimit “të marrurit me llafe/fjalë” të çon ndoshta vetvetiu, padashje në një drejtim pexhorativ (përkeqësues) në të kuptuarin e aktivitetit të fushës.

    E duket se leksikologjia është një fushë, ku shumica e gjejnë veten të thonë diçka, sepse nga që ndoshta, nuk i referohet “ligjeve” por thjeshtë “llogjeve”.

  2. Haha, e lezeçme. Duke lexuar kete shkrim, me shkoi ne mend qe sic e permend edhe autori, ne shqip ne perdorim edhe “pallavra” si sinonim i “llogje”. E pra, spanjisht “palabras” dmth “fjale” (ne shumes edhe kjo). Mos valle shqipja ka aftesine e rralle te mare “fjalet” e gjuheve te tjera e t’i ktheje ne “llogje” per vete. Ndonje kontribut nga turbo-etimologet?

  3. Janë dy fjalë në gjuhën shqipe: log e logori dhe i gjejmë te “logu i burrave” dhe “qajnë gratë me logori”. Kur themi “qajnë gratë me logori” kuptojmë dhe “qajnë gratë me ligje” e që në gjuhën më të thjeshtë kuptohet si “qajnë gratë me fjalë”. Nëse bëjmë anagramën LOG => GOL na del se “qajnë gratë me LOGori” është e njëjtë me “qajnë gratë me GOLori” e ku GOLA është GOJA dhe GOLori = GOJori.
    Gjuhësia krahasuese gjen lidhje edhe te hamendjet me një yll (…*) kur është puna për ta shkombëtarizuar një fjalë të shqipes, por “nuk gjen dot” lidhjen mudis LOGut të burrave dhe LOGorisë së grave shqiptare me fjalën GLUhë të shqipes. Nëse shqipja e ndan fjalën GLU në GJ-LU = GJë që LUhet ashtu si ndan fjalën LËNGJE në LUN-GJË.
    Nga sa më sipër fjala LOG e shqipes është anagramë e fjalës shqipe GOL (gojë) dhe GOL = GL = GLU = GJ’LUhë, që d.m.th. se shqipja e ndan fjalën e saj në dy kuptime më minimale, ndërsa gr. LOGos as që mundet të ndahet brenda greqishtes në kuptime më minimale, vetëm nëse prof. Riska mund ta bëjë çudinë e ta ndajë.
    Nga sa më sipër, përsa shqipja e ndan fjalën LOG në dy kuptime, ajo i takon shqipes.
    Prof Riska sjell një sërë morfesh “të greqishtes” që shqipja i ndan dhe i kthen në fjali embriomorfesh të shqipes.
    Ironia nuk hyn te shkencat. Prof. Riska jo vetëm nuk mund të na habisë me klishetë “greke” që sjell në shkrimin e tij, por edhe duhet të kuptojë se greqishtja nuk është e aftë të etimologojë asnjërën prej fjalëve që ajo ka në përdorim dhe vetëm shqipja mundet për të tilla punë.

    1. Agron, përshëndetje, meqë autori i këtij shkrimi, Riska, ndjek një metodë analize të papajtueshme me tënden, nuk ka kuptim që të diskutohet për raste individuale dhe zgjidhje të veçanta. Nuk dua ta gjykoj këmbënguljen tënde për t’i bërë publike këto që mendon dhe thua, por ki parasysh se nuk mund ta bësh këtë në hapësirën e komenteve tek ne, përveçse kur u përgjigjesh kritikave që mund të jenë bërë ndaj teje në shkrimin kryesor. Ti e bën këtë gjetiu dhe mirë. Të lutem mos iu përgjigj këtij komenti moderues.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin