Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Përkthim

BABEL FISH

Alisa Velaj, poete dhe studiuese e letërsisë, veçanërisht e poezisë, kish sjellë këto ditë në Facebook poezinë “Epigram”, të poetit danez Niels Hav, në përkthimin e Kujtim Morinës, duke e cilësuar si “një nga poezitë më të bukura që kam lexuar ndonjëherë”.

Më nxiti ky vlerësim që ta lexoj “Epigramin” shqip dhe pastaj ta rilexoj:

EPIGRAM

Ju mund të shpenzoni tërë jetën
në kërkim të një fjale
pa e gjetur asnjëherë atë

Tamam si ai peshku fatkeq
i paketuar në letër gazete hungareze
Për dikë ai është i vdekur
për dikë tjetër ai thjesht nuk kupton
hungarisht.

Imazhi dhe sugjerimet që e ndiqnin më tërhoqën, por shqipja e përkthyesit nuk më pëlqeu.

Po sjell këtu edhe versionin anglisht (përkthyer nga danishtja prej P.K. Brask dhe Patrick Friesen):

You can spend an entire life
in the company of words
not ever finding
the right one.

Just like a wretched fish
wrapped in Hungarian newspapers.
For one thing, it is dead;
for another, it doesn’t understand
Hungarian.

Që shqipja e përkthimit nuk më pëlqeu, kjo nuk do të thotë që është e pa-arrirë; më poshtë po shpjegoj ku më ngeci leximi, dhe pse; gjithnjë me dyshimin se zhgënjimi im mund të jetë idiosinkratik, ose t’i referohet një shqipjeje që sot nuk e gëzon më favorin e shkruesve.

Nuk më bindën, mes të tjerash, vetorët pleonastikë: “ju mund të shpenzoni tërë jetën…” në vend të “mund të shpenzoni”; “pa e gjetur asnjëherë atë”, në vend të “pa e gjetur asnjëherë”; e ndonjë tjetër.

M’u duk e ngathët shprehja “peshku… i paketuar në letër gazete hungareze”; për mua, peshku në shqipe është “i mbështjellë me gazetë”, jo “i paketuar”; e paqartë është edhe kjo “letër gazete hungareze”, (anglishtja ka “wrapped in Hungarian newspapers”) – meqë peshku mund të paketohet (mbështillet) me letër gazete, që është një lloj letre (khs. letër varaku, letër muri, etj.); nga ku “letër gazete hungareze” do të thotë, për shqipen time, që letra është prodhuar në Hungari; ndërsa imazhi i një gazete në hungarishte do të jepej më mirë me “i paketuar me (një) gazetë hungareze”, ose edhe “i paketuar me një gazetë hungarisht”; shqipja e bën dallimin mes “hungarez” dhe “hungarisht(e)”, me të dytën që i referohet vetëm gjuhës.

Më tej, në leximin e parë, ngeca te këto tre vargje:

Për dikë ai është i vdekur
për dikë tjetër ai thjesht nuk kupton
hungarisht

Sepse nuk e lidha dot vetorin “ai” me peshkun; më duket sikur shqipja e ka një vështirësi, një stepje, për t’i përdorur vetorët ai/ajo me antecedentë që shënjojnë kafshë ose gjëra të pagjalla.

Këtu ndoshta ndikoi edhe ajo që mbiemri i vdekur për një kafshë si peshku (të destinuar për t’u ngrënë) kërkon arsye të fortë për t’u përdorur; shqipja thotë peshk i ngordhur, jo peshk i vdekur; prandaj edhe ai është i vdekur m’u lexua sikur po i referohej ndonjë personi, çfarë edhe më pështjelloi.

Kur shkova pastaj të shoh versionin anglisht, gjeta vargjet e mëposhtme:

For one thing, it is dead;
for another, it doesn’t understand
Hungarian.

Që unë do ta përktheja “Nga njëra anë, ai është i ngordhur/ Nga ana tjetër nuk e kupton/ Hungarishten”

Çfarë mbase i përgjigjet më mirë origjinalit danisht:

For det første er den død,
for det andet forstår den ikke ungarsk.

Një përkthim prozaik i këtyre vargjeve do të ishte: “në radhë të parë është i ngordhur” (for det første) dhe “në radhë të dytë nuk kupton hungarisht” (for det andet), ose duke përdorur diçka si “së pari… së dyti” ose “pikësëpari…” etj.

Përkthyesi e ka parë me vend ta sjellë këtë si “për dikë ai është i vdekur”… “për dikë tjetër ai thjesht nuk kupton hungarisht”, që i paraqet dy këndvështrimet paralele si të dy personave çfarëdo; por kjo sërish nuk më bind, sepse besoj që, kur dikush sheh një peshk të mbështjellë në gazetë, nuk është se mendon menjëherë që peshku është i ngordhur; kjo vetëkuptohet – peshku i gjallë nuk të lë ta mbështjellësh me gazetë. Origjinali thotë “nga njëra anë… nga ana tjetër”, dhe përsiatja që peshku është i ngordhur shërben për të kontrastuar përsiatjen tjetër, të figurshme, që peshku nuk di hungarisht.

Këto ishin pak a shumë arsyet që më lanë të pakënaqur me shqipen e përkthimit – por shënimet e mia nuk duhen marrë, sepse nuk janë, këshilla të tipit “si ta shkruajmë shqipen”, dhe as synojnë të japin ndonjë gjykim përgjithësues për cilësinë e përkthimeve nga Kujtim Morina (të cilat nuk i njoh). Mbase një lexues tjetër do t’i gjejë si normale, në mos mbresëlënëse, këto që mua më vranë syrin; mbase unë nuk e kam kapur dot thelbin e poezisë së Niels Hav-it. Mbase të gjitha sa thashë shumëve do t’u duken çikërrima. Por parashtrova më lart vetëm ato gjëra për të cilat jam i sigurt: përshtypjet e mia.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading