KUSH ASHT ZOTNI SHYTI?

nga Don Mehaj

Mbasditen e vonë të së premtes (12 Maj), mora pjesë në takimin letrar në librarinë “Tirana Times” ku promovohej cikli i tretë – Qortimet e zotit Shyti – i trilogjisë së shkrimtarit Ardian Vehbiu mbi kyt personazh. Dy librat e maparshëm të këtij “cikli” titullohen Ndërhyrjet e zotit Shyti dhe Kusuret e zotit Shyti. Nji prej enigmave që u parashtrue për diskutim gjatë ligjëratave dhe pyetjeve, ishte identiteti i personazhit. Kush asht zotni Shyti? Pyetjen së pari e shtroi botuesja e librit (e cila drejtonte edhe takimin); e zgjanoi autori Vehbiu në prezantimin e shkurtër ku trajtoi motivet dhe tematikat e librit; e preku edhe ma gjanësisht zonjusha entuziaste (që studionte në lamin e letërsisë) e cila kërkonte me dijtë thelbsisht dhe plot pasion natyrën e vërtetë të personazhit, apo funksionet e tij mbrenda dhe jashtë letërsisë. Gjithashtu, kyt element e prekën edhe të pranishmit e tjerë me mendimet e tyne, madje aty kah fundi i takimit nji prej tyne mbasi i doli hakut mos-njoftunisë me personazhin, pohoi se “zoti Shyti asht Ardiani” duke iu referue shkrimtarit.

Përgjigjet ishin të ndryshme, gjithsecila simbas leximit e optikës vetjake, ku herë mbizotëronte roli shoqnor i zotni Shytit dhe herë roli i tij letrar për me e identifikue personazhin. Mirëpo, nji prej paraleleve që u hoq dhe që më tërhoqi vëmendjen, ishte krahasimi i zotni Shytit me ef. Nasredin Hoxhën (shpeshherë i thirrun Nasradin apo Nastradin këtej kah ne). Botuesja e përmendi si pjesë përbamëse të tekstit, gja që tregon përdorimin eksplicit e implicit të tij. Tue pa natyrën humoristike a satirike të veprës, analogjia asht legjitime, gjithmonë duke iu referue dy teksteve pararendëse të ciklit. Por pyetja “Kush asht zotni Shyti?” a asht legjitime në vetvete?

Legjitimiteti në letërsi vlerësohet simbas kanunit letrar. Ka prej atyne që thojnë se në letërsi lejohet gjithçka. Ka prej atyne që thojnë se letërsia ka karakter utilitar e që lejohet vetëm ajo letërsi që i shërben kauzës (psh. soc-realizmi) ku bajnë pjesë edhe armiqtë e zotni Shytit. Ka prej atyne që thojnë se letërsia e ka qëllimin në vetvete e që lejohet vetëm ajo ç’ka asht e bukur – pra vetë të bamunit letërsi (të krijumunit përmes letraritetit, ose ndryshe l’art pour l’art) përmes parimit estetik asht qëllimi i letërsisë. Cilidoqoftë kanuni letrar i vlerësuesit, ai lidhet pashmangshmërisht me finalitetin. Ku mbrrin personazhi? Ku mbrrin lexuesi? Ku mbrrin autori? Ku mbrrin vepra? Nëse letërsia asht mjeti artistik për me kodifikue çdo lëvizje shpirtnore – sado e imtë qoftë ajo – atëherë mundemi me thanë se ajo nuk ka nji finalitet të përcaktuem, përveçse bashkimit me të pafundmen, tue kenë se shpirti asht i pafund. Tue pa nga ky pikëvështrim, mundemi me thanë se finaliteti i nji vepre apo personazhi letrar, i shërben ma së tepërmi pasurimit shpirtnor, apo ma saktë d’lirjes shpirtnore (pastrimit, purifikimit). Ky asht kuptimi metafizik i artit në përgjithësi, dhe i letërsisë në veçanti. Bash në kyt aspekt pyetja fiton legjitimitet sepse me pyet se kush asht zotni Shyti asht si me pyet kush asht ef. Nasredin Hoxha?! Ndërsa pyetja që e ka merakosë ma së shumti vetë ef. Nasredinin asht: “Kush asht njeriu?” pra me njoftë vetveten.

Për me iu kthye edhe nji herë përngjasimit midis personazheve. Së pari, ef. Nasredin Hoxha nuk dihet a asht personazh letrar folkloristik apo person real, prej mishi e gjaku. As historianët, as studiuesit e folklorit nuk kanë mbrrijtë me e zgjidh njizani kyt dilemë, ndonëse të dhanat arkeologjike flasin për nji tyrbe të tij në qytezën e Akshehirit në Anadoll. Kah ana tjeter, zotni Shyti asht produkt i penës së z. Vehbiu, që semantikisht mund t’i referohet ndonji infeksioni ngjitës që përhapet mes spërkalave të pështymës (kryesisht përmes të folunit). Të dy personazhet janë të angazhuem në fatet e shoqnisë, madje misioni i tyne asht me vue në pah veset njerzore dhe të miletit ku gjallojnë (shtirjen, injorancën, fanatizmin, interesin etj.) përmes rrëfenjave të shkurtra satirike. Këtij qellimi fisnik ata duhet me ia mbrrijtë, edhe tue ba veten për të marrë, paçka se z. Vehbiu shtoi në shpjegimin e tij gjatë takimit se “ndonëse situatat e zotit Shyti janë qesharake ai e merr veten e tij shumë seriozisht”. Dallimi kryesor midis dy personazheve asht ambjenti ku ata formësohen. Ef. Nasredin Hoxha, luen rolin e mbajtësit të urtisë (hikma) në botën islame, kryesisht në territoret ku asht shtri davleti osman por edhe ma gjanë, prej Ballkanit e deri në Kinë. Ai asht interpretuesi i nishaneve (shenjave) hyjnore në kushtet e përditshmënisë, dhe përcjellësi i mësimeve të fesë përmes anekdotave satirike dhe humorit thumbues. Madje vetë emni i tij e tregon kyt gja; ku Nasredin përbahet nga emni nasr që në arabisht domethanë ngadhnjim/triumf por në të njëjtën kohë edhe ndihmë/mbështetje, dhe nga emri din që domethanë fe. Pra, në të njëjtën kohë ai asht dhe ndihmë e fees – ai që përmes ndihmës së Zotit i ndihmon njerëzit me e kuptue atë – dhe ngadhnjim i fesë; me fjalë të tjera ngadhnjim i virtytit mbi vesin. Qëllimi i tij kryesor asht me e ba të ndërgjegjshëm robin për veset e tij dhe me e largue prej tyne, pra me e pastrue shpirtnisht, çka në thelb asht edhe roli i fesë dhe porosive profetike. Por, përcjellja e këtij mesazhi nuk bahet përmes rolit të moralistit, por përmes rolit të nji hoxhe që i hyp gomarit mbrapsht. Tash, kushdo që ka nji fije njohuri mbi përshpirtshmërinë islame (tesavvufin) e din që ef. Nasredini asht mistiku (arif) i cili përmes humorit dhe “përmbysjes” së realitetit, e afron njeriun me nji realitet tjetër metafizik, shumë ma i vërtetë se ai i kësaj dynjaje. Prandaj dhe letrariteti bahet fuqia e tij shprehëse. Ja nji rrëfenjë e shkurtër për ilustrim:

“Nji ditë prej ditësh, Nasredin Hoxha po i thoshte dikujt: – A e din ti që unë mundem me pa edhe në errësinë?

– Ka mundësi Hoxhë, – ia ktheu tjetri – por po t’ishte e vërtetë, pse del mbramjeve në rrugë tue mbajt nji kandil në dorë?

– Kyt e baj vetëm për me u kujdes që të tjerët mos të përplasen me mue! – ia priti Nasredini.” [1]

Nga ana tjetër ambjenti ku asht formësue zotni Shyti asht ai i nji shoqnie shqiptare në kushtet e regjimit komunist dhe të tranzicionit pas viteve ‘90. Doemos edhe modelet jetësore mbi të cilat asht bazue shkrimtari janë bartës të frymës, halleve dhe ngjarjeve të kësaj kohe. Shqiptari laik, modern e post-modern, i luhatun mes tallavasë politike dhe ekzilit masiv, nuk asht se nuk mundet me e kuptue gjuhën e figurshme të ef. Nasredin Hoxhës – ajo asht pjesë e memories kolektive të popullit tonë – por e kupton ma mirë gjuhën e zotni Shytit, sepse edhe hallet e tij, si reale edhe virtuale janë ma të afërta për të. Prandaj edhe zotni Shyti e merr seriozisht veten e tij. Përcjellja e një të vërtete metafizike përmes mjeteve artistike të letërsisë, për shoqninë tonë shqiptare bahet nji domosdoshmëri për me e thye “këmishën e gjuhës” që na mundon prej kaq vitesh. Kujtoj që edhe z. Vehbiu pohoi në takim se përgjatë shkrimit të librave, cikli i parë ishte ma filozofik, i dyti ma narrativ dhe i treti ma gjuhësor. Ndoshta edhe për nji gjuhëtar, takimi me të pafundmen bahet përmes derës së letërsisë. Ndoshta edhe takimi i zotni Shytit me efendi Nasredinin, bahet përmes nji dere që nuk ka nevojë as për nji gjuhë të caktueme, as për kandilin e mbramjes.

© 2023 Don Mehaj. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] N. Hanif, Biographical Encyclopaedia of Sufis: Central Asia and Middle East, 2002, fq. 343.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin