RIKTHIM NË LETËRSINË E LUFTËS SË FTOHTË

 

I want you to stay a bit more in the Cold.
John le Carré

nga Idlir Nivik

Në mes të luftës së artilerisë (attrition war) që vazhdon në Ukrainë, disa detaje anësore dolën në skenën qendrore. Lufta e artilerisë po zhvillohet tani në zemër të Bakmutit, në parkun e madh të qytetit. Kjo luftë është përplasje matematike. Raporti mes numrit të predhave të lëshuara dhe i humbjeve në trupa nga secila palë përcakton fitoren ose disfatën.

Analistë ushtarakë shpjegojnë ‘mosnxitimin’ e ushtrisë ruse për të avancuar shpejt në këtë qytet. Pjesërisht, për shkak të terrenit moçalor në pllajën ukrainase, rezultat i shirave dhe dimrit relativisht të butë. Por, sipas ish-lejtnantit të CIA-s, Tony Shaffer, strategjia e zymtë ruse krijoi një lloj “dare të hekurt” përreth Bakmutit. Ndalesat konstante në avancim synonin ta detyronin ushtrinë ukrainase të mësynte më shpesh, me forca shtesë në ofensivë. ‘Taktikë e vjetër mongole kjo, për ta mbajtur zonën pjesërisht të rrethuar, duke nxitur kundërshtarin të fusë në sulm forca të reja, të cilat i shkatërron mandej sistematikisht’, nënvizon ushtaraku Douglas Macgregor.

(Si paralele të largëta, kujtojmë manovrën e Ronald Reagan-it në fund të viteve 1980-të. Ai e përshpejtoi rënien e Bashkimit Sovjetik, duke e nxitur të zhytej dhe më thellë në investimet e kota për Luftën e Yjeve. Vetë Reagan-i s’i besonte asaj lufte, por taktikisht arriti të shkërmoqë ekonominë e kundërshtarit).

Beteja e Bakmutit është pasqyruar në media çdo ditë, prej muajsh. Herë ato e paraqesin si betejë ‘simbolike’ e herë ‘strategjike’. Por, ndërkohë që rusët kanë avancuar përtej vijës hekurudhore në qendër, 15 mijë forcat ukrainase po përgatisin kundërofensivën.

Ofensivë kjo më se e nevojshme, sipas Kievit. Që të mbajë sa më gjallë imazhin e rezistencës. Sidomos pas qëndrimit të tërhequr të Uashingtonit në Samitin e fundit të NATO-s. SHBA duket ngurroi t’i hapë konkretisht udhën Ukrainës drejt anëtarësimit në organizatë. Samiti i fundit në Bruksel, sipas Financial Times, duket thelloi divergjencat mes anëtarëve të NATO-s (1) lidhur me këtë çështje.

Por, cilat ngjarje “anësore” ndodhën së fundi? Dy arrestime: së pari, ai i Sergej Cikosov-it, agjent i FSB (ish-KGB). Ky u arrestua në Amerikë, çuditërisht i maskuar si futbollist brazilian! Dhe i dyti, arrestimi në Rusi i Evan Gershkovich-it. Ky gazetar i Wall Street Journal u ndalua nga sigurimi rus në afërsi të një zone industriale ushtarake. E. Gershkovich, reporter i njohur për artikujt e ashpër ndaj Rusisë, sapo kishte botuar më parë një shkrim mbi mungesën e efekteve të sanksioneve ndërkombëtare.

Këtyre dyve iu shtohet dhe rasti gazetarit spanjoll me shtetësi të dytë ruse Pedro Gonzàles. Edhe ky, i akuzuar për spiunazh, mbahet prej një viti në paraburgim (detention). Pa shpjegime shtesë nga qeveria polake. E paparanueshme për një vend të B.E., sipas Reporters Sans Frontières.

Këto lëvizje agjenturash kanë prejardhje direkte nga Lufta e Ftohtë. Papritur të dy shfaqen si aktorë në skajet e fushëbetejës mes Rusisë e NATO-s. Dhe risjellin atmosferën e zymtë të Luftës së Ftohtë dikur. Ndërkohë vërehet sot bashkkzistenca paralele e luftës “taze” në terren (në Ukrainë) dhe reminishencave të Luftës së Ftohtë dikur, mes SHBA e Bashkimit Sovjetik. Duket kjo në rikoshetat e deklaratave politike, mes SHBA-së e Kinës, mes Rusisë me SHBA-në, por dhe mes BE-së e Kinës.

Çfarë do të ndodhë me këta dy personazhe? Me këta dy “spiunë” që dolën në skenën e luftës si idiosinkraci e kësaj situate paralele luftë zjarri/luftë e ftohtë puqur?

‘Tit for tat’ (‘shkëmbim i njërit me tjetrin’). Këtë slang të zanatit ofron Ray Mcgovern, ish-oficer i CIA-s në Europë, sot aktivist antimilitarist. Ndërsa Gerkovich-i rrezikon 20 vjet burg në Rusi, McGovern-i kujton ‘pazaret’ e Luftës së Ftohtë, kur një agjent këmbehej në lirim të agjentit tjetër që kapte pala kundërshtare. McGovern-i i justifikon të dyja arrestimet, për sa ‘mundet’ të kenë marrë informacione strategjike. Fokusi në lëvizjet e spiunazhit duket u picërrua papritur, ndërkohë që vetë fuqitë politike shprehen shpesh për ‘rreziqe ekzistenciale’: territoriale, ekonomike, gjeopolitike, që mendojnë se iu kanosen. Sapo menduam se shtetet u bënë diç më të padukshëm në këtë shekull, ato po veshin kostumet gri të Luftës së Ftohtë.

Në një sfond të këtillë prej raison d’Etat e pat vënë John le Carré personazhin e tij, Leamas, në romanin Spiuni që u kthye nga e ftohta (The spy who came in from the cold). Le Carré shkruan nga skaji i kundërt i Ian Flemming-ut. Leamas është e kundërta e James Bond-it, pehlivanit të Mbretërisë Britanike.  Le Carré e shihte madje krijesën e tij si njëfarë Mersoje (personazhi i romanit I huaji të Camus-së)! Një i huaj, një mërgimtar, brenda vetë vendit e jetës, por dhe brenda komunitetit të Intelligence Service-it, ku shërben. Leamas-i krijon fije agjenture në zonat e së Ftohtës (the Cold, metaforë kjo e bllokut socialist asokohe). Stofi i zgjyrtë nëndhesës i agjentit është një aneks i botës ku ai operon duke ndenjur në hije. Edhe në atë botë, të sapodalë nga Lufta II Botërore, Leamas-i ndien të pranëvëna: plagët e pambyllshme të luftës dhe iluzionin e paqes afatgjatë; kopshtet e harlisura të planit Marshall dhe fijet e para të shthurjes së triumfit gjoja final të rendit botëror! Le Carré, me një roman zhanri, stis një kryevepër të letërsisë ekzistencialiste. “Në rënie e sipër, ai dalloi një veturë të vogël, të shtypur mes dy kamionëve gjigandë, prej dritareve të saj do fëmijë tundin krahët me hare”. Fraza e fundit e romanit në fjalë paraqet një gazmend absurd mes rrangallave. Na mbetet të pranojmë se, jashtë ekzistencës, as ato qeshje s’do të ishin.

Tipik prej atmosferës ekzistenciale, ajo që e dëshpëron më shumë personazhin Leamas nuk është aq jeta jonormale që detyrohet të bëjë. Por konstatimi se shumica e ngjarjeve, të paktën ato politike (e kulisat e saj të spiunazhit në servis të tyre), duken të parafabrikuara. Këtë ndërgjegjësim Leamas-i e shpreh, kur e gjen veten ‘në skajin e lig të një zinxhiri të fëlliqur’ (lousy end of the filthy lousy chain).

Efekti i tyre gjeopolitik i hallkave të zinxhirit dhe dalja në sipërfaqe e konflikteve direkte kushtëzohen nga shumë ministrategji. Çojnë në modifikim të ekuilibrave mes fuqive. Nën trysninë e kujtesës (e kusureve) historike. Ndeshja aktuale, as e nxehtë, por as dhe e ftohtë, Kinë-SHBA, është shembull i trajektoreve të ‘luftërave të padukshme’ deri dje (2).

Disa prej tyre natyrisht (e fatmirësisht) nuk i binden krejt rendit të imponuar të gjërave. Dhe i anashkalojnë kurdisjet e kontrollit. Çka i lë mandej terren filozofisë të ngrejë në koncept Ngjarjen (Evenimentin). Si dhe terrenin e ushtrimit të revoltimit qytetar.

Pjesët e tjera, mbetjet e drekave gjeopolike e ushtarake, hyjnë në harresë. Ose, siç e konstaton me ironi tipike Graham Greene-i (tjetër autor i dalë nga shërbimet sekrete): aparate militare, që s’kanë mundur të konkretizohen, përfundojnë në tregun e lodrave për fëmijë (Në romanin Njeriu ynë në Havanë personazhi sheh në tregun ambulant në rrugë një lodër, të modeluar sipas një rakete bërthamore, që s’u realizua dot!).

Logjika e dikurshme e luftës së ftohtë nxiti prodhimin kinematografik në tisin e ndeshjes manikeane, beteja e së Mirës ndaj së Keqes absolute. Karakteristikë e pjesës më të madhe të produksionit Hollywoodian të filmave me spiunazh të Luftës së Ftohtë. Një investim i marrë ideologjik propagandistik, që duket i zbret heronjtë homerikë nën lëkurën e Rambos apo të 007. Imazhet klishe e stereotipat prej këtyre filmave dukshëm kanë përpunuar mentalitetin euroatlantik. Dhe mjafton një konflikt i ri që ato të qarkullojnë sërish. Ndihet kjo në etiketimin e Putinit “spiun komunist”, ndërkohë që ai shfaqet më shumë si makiavelik oligark pasanik nacionalisto-ortodoks.

Nga ana tjetër, nuk dimë se ç’filma të Luftës së Ftohtë do të kish propaganduar Bashkimi Sovjetik nëse do të kish zotëruar një industri gjigande si MGM, akses botëror, si dhe vullnetin për të ndërkallur femra “sexy” në lojën policore botërore.

Gjuha e ish-Luftës së Ftohtë po përdoret dhe më shpesh këto kohë. Nën hutimin që kanë sjellë shenjat e rënies graduale së supermacisë amerikane sot në botë, të dyja palët, demokrato-republikane amerikane, ndërakuzohen për defekte aktuale në demokracinë e vendit (3).

Politologët theksojnë se: kristalizimi i bllokut të BRICS-it (Brazil, Rusi, Iran, Kinë, Afrikë e Jugut); suksesi diplomatik kinez me marrëveshjen Iran-Arabi Saudite; krijimi i boshtit diplomatik, ku sauditët me Omanin të ndërmjetësojnë për të shuar luftën civile 8-vjeçare në Jemen; akordet e shumë vendeve për të dalë nga zona e shkëmbimit të dollarit; sipas FMN-së, rezerva në dollarë në bankat qendrore në botë kanë rënë nga 70 në 59% këto dy dekadat e fundit – këto e kanë turbulluar ‘me të drejtë’ Uashingtonin lidhur me rrezikun eventual të reduktimit të supermacisë amerikane. Samiti i fundit për demokraci, organizuar posaçërisht nga presidenti Biden, mishëroi ndasi të reja. Meksika anuloi pjesëmarrjen e saj, në protestë ndaj mënjanimit që iu bëri Uashingtoni disa vendeve amerikolatine. Presidenti brazilian Lula, pas një ngurrimi, nënshkroi, me Rusinë e Kinën, një projekt ku i kërkohej OKB-së hetim ndërkombëtar lidhur me plasjen e Nordsteam 2 (OKB e refuzoi). Ministri indian i diplomacisë shpalli së fundi se ‘Perëndimi duhet të kuptojë se problemet e tij nuk janë më problemet tona’. Një precedent diplomatik u pa këtë javë mes dy aleatëve historikë: akuza e Izraelit ndaj SHBA-së për ‘ndërhyrje në punët e brendshme dhe për financim të protestave në Tel Aviv’, sipas gazetës The Times of Israel. Tashmë çdo ditë e më tepër diskutohet për ‘lëvizje tektonike’ në gjeopolitikën botërore.

Ndërkohë, ligjërimi prej lufte të ftohtë nuk ka munguar nga palët në lojë. Shumë shpesh, politika amerikane ngre lart rrezikun nga ‘të kuqtë’. Ndërkohë vetë Kina shfaqet me orientime ultraliberale brenda sferës së kapitalit (4). Kujtojmë fjalimin aq të duartrokitur nga fuqitë financiare botërore të Xi Jiping në Forumin Ekonomik Botëror (2017). Ai u shpreh copë në mbrojtje të ‘rendit liberal të tregut’. Ky fjalim u konsiderua simbolik: hera e parë që një lider komunist fliste ‘brenda tempullit spiritual të kapitalizmit’ në Davos, komentonte prapë Financial Times.

Asokohe, u duk jo e përshtatshme të vihej në pyetje aliazhi e kësaj logjike suprakapitaliste kineze me një bosht ideologjik monist. ‘Xi e përdor marksizmin si vegël për të centralizuar pushtet’, shprehej Henry Kissinger në Asia society. Sipas tij, kjo dallon nga Maoja, i cili shihte te marksizmi ‘një bosht besimi’ (‘a religion apart’). Universitarë të tjerë vërejnë se Xi, i persekutuar si familje nga Revolucioni Kulturor, i përmbahet gjithsesi ideologjisë së paraardhësve. Ai eviton ta cenojë vijueshmërinë e historisë moderne kineze, çdo fragmentarizim që mund të cenojë planet e Kinës për fuqi globale.

Para luftës së nxehtë me zjarr në terren, statusi i luftës së ftohtë, vestizhet e saj, krijojnë atmosferë hutimi afatgjatë, lëngatë sociale, por më pak e sertë. Madje shumë më tepër “shpresëdhënëse” kur del në tryezë rreziku bërthamor. Natyrisht, kjo mbetet dhe karta kryesore e fuqive për t’i mbajtur popujt në globalizmin e vetëm aktual: rreziku ekzistencial. ‘Fatkeqësisht ne nuk kemi hequr dorë nga modeli konkurrencial, d.m.th. bindja se unë fitoj nëse tjetri patjetër humb’, argumenton Bertrand Badie, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Tani po bëhet e qartë që konfliktet paralele me Ukrainën do të jetë e vështirë të gufosen. Njollat e Luftës së Ftohtë (gjë krejt e re për brezin e lindur pas viteve 90-të) të paktën sikur krijojnë diç largësi nga lufta direkte, shfarosëse. Por pakkush ka tani bindjen për ekzistencën e vullnetit që shmang konfliktin ushtarak direkt. As Rusia, por as SHBA-ja nuk duken se po rreken ta evitojnë.

(c) 2023 Idlir Nivik. Të gjitha të drejtat janë të autorit


Shënime:

1. SHBA-ja, Gjermania e Hungaria refuzuan këmbënguljen e Vendeve Baltike, që lypnin masa më konkrete për aderim të Ukrainës në NATO. Sërish hasim një krisje qëndrimesh mes vendeve të ‘Europës së re’ (pra ish-vendeve të Lindjes, në Nato) dhe ‘Europës së vjetër’, përcaktim ky i ish-Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, D.Rumsfeld. Veçanërisht Polonia ka kritikuar shpesh qëndrimin ‘e butë, jo shumë aktiv’ të Gjermanisë, si dhe ‘varësinë e saj’ ekonomike nga Rusia. I ngucur nga qëndrimi jo fort solid i aleancës, Zelenski shpalli se nuk do të marrë pjesë në samitin e NATO-s në korrik, pa marrë garanci për këtë aderim. Por dhe brenda Polonisë shfaqen objeksionet lidhur me llojin e mbështetjes së NATO-s ndaj Ukrainës. Gjenerali Waldemar Skrzypczak shpreh dëshpërimin se ‘Ukraina s’mund të fitojë në fushëbetejë’. Ai mendon se disa tanke shtesë as mund ta ndryshojnë ekuacionin e luftës. Sipas tij, sanksionet ndaj Rusisë s’kanë efekt, ‘për sa Rusia po shton industrinë e luftës’. Dhe konstaton se NATO-ja ‘po përdor furnizimin me pikatore të Ukrainës. Kjo a mban Ukrainën në front, por pa mundur të fitojë’. Ai ka hedhur mandej idenë e mobilizimit. Dhe udhëzon krijimin e një ushtrie ukrainase me qytetarë të saj, që banojnë tani jashtë vendit. Shih:

https://vpk.name/en/677768_polish-general-called-the-only-way-to-help-ukraine.html

dhe   https://www.ft.com/content/c37ed22d-e0e4-4b03-972e-c56af8a36d2e

2. Në studimin Luftërat e padukshme (Guerres invisibles) Thomas Gomart-i bën dallimin mes zhvillimit historik modern në Europë e ShBA, përkufizuar kryesisht nga dy luftërat botërore; ndërsa pjesa më e madhe, joperëndimore, përjetonte kryesisht zgjimin politik të Azisë. Sa për “kunjat” historike, ai nuk harron këtë detaj: ‘Opsionet e gjeneralit MacArthur për të futur në rol ushtrinë vullnetare të Çan Kai Shisë, të bombardonte Kinën, e të përdorte armën bërthamore, nuk u morën parasysh nga shtatmadhoria amerikane. Sipas tyre, kjo do të çonte në luftë të gabuar; se nuk ishte as vendi, as koha e duhur, e kundër armikut që s’duhej. Pas gjithë këtyre viteve, liderët kinezë ende nuk i kanë harruar’.

3. Në fjalimin në Mar-a-Lago, pas seancës së gjyqit ndaj tij, Trump-i deklaroi se Amerika ‘po shkonte drejt ferrit’ (‘going to hell’). Përgatitja dhe besueshmëria e procesit ndaj tij u denoncua shpesh (dhe nga të dyja kampet politike) në SHBA. Avokati Mark Levin theksoi se “Amerika sapo kaloi Rubikonin” në keqpërdorimin e drejtësisë. Sidomos, ai i referohej anashkalimit të « Presumtion of innocence » nga ana e Nancy Pelosi-it, gjatë deklaratës: ‘Trump është fajtor për sa s’ka dhënë prova për pafajësinë e tij”. Të tjerë analistë dallojnë shenja jo fort të neglizhueshme të përplasjes së mundshme civile në SHBA.

https://www.timesofisrael.com/source-close-to-netanyahu-accuses-us-of-funding-rallies-against-judicial-overhaul/

4. Një nga triumfet kokëforta (kokëgdhe!) të ligjërimit postkomunist në shqip mbetet fakti se, duke nënvizuar dëmet e pamohueshme të asaj periudhe, i ka dhënë termit “kapital” një bekim shenjtërues, ndërkohë që termi thjesht bën fjalë për një shumë parash që hidhen në qarkullim, me synim parësor (kapital) të sjellë fitim.

 

6 Komente

    1. Edhe unë e dallova influencën; më tepër të r/chomsky, do të thoja, se sa të Noam-it vetë. Ama, ndonëse Chomsky është në anën më delikate, në atë anë që të bën të shtrëngosh dhëmbët, indinjata dhe kritika e tij ndaj rolit dhe gabimeve të perëndimit te ky konflikt është në anën e duhur të historisë. Në kohën tonë nuk ka vend për sinergji; duket se dy të vërteta mund të jenë në antitezë, a tërësisht në kundërshtim, me qëllimin ekzistencial të rezistencës ukrainase.

      1. Si te kete vend per ‘sinergji’ ?? Në kohën kur nje vend pushton një tjeter ‘sinergjia’ do quhej Munih 1938

        “E VERTETA ULËRITËSE”

        Mund të evokojmë të gjitha teoritë e botës
        për të shpjeguar arsyet e kësaj lufte,
        të kujtojmë të gjitha krimet e kryera
        në të shkuaren e afërt apo të largët
        nga gjenociduesit, skllevëruesit dhe kolonialistët
        kundër popujve të botës,
        por nuk mund ta mohojmë
        të vërtetën e thjeshtë
        verbuese e të pakundërshtueshme se,
        në luftën pët të cilën flasim,
        Ukrainasit mbrojnë tokën e tyre,
        lirinë e tyre,
        dhe,
        ushtarët rusë
        veprojnë si skllevër të verbër
        të një tirani”

        Abdellatif Laâbi

        (marre nga artikulli qe postoj në komentin tim të melartem)

        1. kjo poezi disi soc-realiste, me duket, i nderuar Sokol, dialog i juaji me veten mes dy komenteve.
          une thjesht konstatoj, si shume te tjere, se po ndodhin levizje gjeopolitike faktike ne bote. dhe kam bere, besoj, nje renditje te burimeve e komenteve. nuk e kam komoditetin te dij ne do fitoje shba apo kina apo dikush tjeter nw kwtw histori. lidhur me skutat e trurit tim “kampist”, nuk besoj se keni depurtuar aq, edhe stalker me qene. por duhet aje i tille per ne pentagon, po.

        2. Absolutisht që ukrainasve i’u është bërë padrejtësi dhe ata janë viktima kryesore e luftës. Por lufta i përlloç të gjithë aktorët e saj, qofshin këta të përfshirë në mënyrë direkte apo jo. Parë kështu, është e vështirë ta vendosësh gishtin diku pa e djegur. E ndonëse nuk ka vend për impotencë, nisur nga disa premisa të mirënjohura, s’është çudi që të pranohen edhe vendimet e gabuara, apo jo më optimalet, nga kahu perëndimor, hem si pasojë e ndonjë neglizhence trashanike, e hem si pasojë e brishtësisë së situatës.

          Nuk mendoj se pranimi i fakteve bie ndesh me mbështetjen, që Ukraina meriton. Përkundrazi, e shoh se potencialisht dhe faktikisht kontribuon tek qëllimi madhor, nëpërmjet agjitacionit dhe shkaktimit të vetëdijes, që “skllevërit” rus kanë përftuar në lidhje me tiranin e tyre.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin