PAPAGALLI I TOLD YOU SO

Tani që shqetësimi i gjallë për COVID-in duket sikur ia ka lënë vendin një shqetësimi “të vdekur”, nuk kalon ditë që mediat – dhe jo detyrimisht tabloidët – të mos lajmërojnë ndonjë gjetje a zbulim, që sikur u jep post factum të drejtë në mos konspiracistëve, të paktën atyre që dolën në publik e refuzuan politikën e autoriteteve të shëndetit publik në Perëndim. Të tipit “maskat rezultuan jo-efektive në parandalimin e epidemisë”, “koronavirusin e kanë lëshuar kinezët” ose “ja se Fauci… dhe vaksina…” etj. Disa reagojnë ndaj këtyre të rejave me batutën epike: I TOLD YOU SO.

Që nga momenti kur pandemia u bë realitet, pati specialistë të fushës që i kundërshtuan masat e sugjeruara për kufizimin e përhapjes së COVID-it: që nga maskat, te lockdown-i, te mbyllja e hapësirave publike dhe ndalimi i grumbullimeve të njerëzve, e deri te detyrimi për t’u vaksinuar. Ca prej këtyre rrezikuan deri edhe reputacionin e tyre profesional dhe e paguan shtrenjtë mospajtimin. Me shumë gjasë, kanë pasur të drejtë, të paktën pjesërisht, me paralajmërimet dhe ndërhyrjet e tyre, dhe i kuptoj mirë, kur irritohen me ata që u thonë T’IA LËMË HISTORISË TË VENDOSË.

Janë pastaj ata të lagjes tjetër, që fituan vëmendje ndaj pandemisë me kuturisjet e tyre në media, si influencues të masave, qetësues të panikut dhe përhapës të një epidemie tjetërlloj: të paranojës. Një pjesë e mirë e historive që këta tregojnë dhe kundërshtimeve që artikulojnë janë marrë hua prej argumenteve të ekspertëve antikonformistë, atyre që rrezikojnë dhe mirëfilli i kundërvihen autoritetit – por në gojën e këtyre të tjerëve, zakonisht amatorë dhe inkompetentë, edhe argumentet e mira fillojnë të hollohen fort. Paçka se edhe këta, tani, dalin dhe të thonë: I TOLD YOU SO! Por me një dallim të vogël – këta “e dinin” që në fillim, se koronavirusi ishte sajuar në laborator, se vaksina nuk punonte, e kështu me radhë, deri te shënjimi i të vaksinuarve me microchip dhe illuminati.

Konspiracistët e mediave, që janë shtuar në mënyrë virale, i mban gjallë e shëndoshë edhe sekreti që rrethon politikën zyrtare kur vjen puna për punë të mëdha strategjike; edhe prirja tipike e politikanëve për të gënjyer; edhe skandalet jo të pakta, kur ekspertët kapen me presh në duar, duke e nxjerrë ekspertizën NË SHITJE. Ofrojnë një shërbim, për masën e traumatizuar të publikut, që nuk ka më fuqi të besojë, por nuk ka më fuqi as të vërë në dyshim.

Ndoshta falë këtij shërbimi – qoftë ky edhe vetëm i perceptuar – konspiracistët po i ftojnë rregullisht në televizion; edhe pse impakti i këtyre në Perëndim as mund të krahasohet me impaktin që kanë ndaj publikut ende naiv në Shqipëri. Në Perëndim, konspiracistit i duhet të luftojë me thonj e me dhëmbë për një hapësirë qoftë edhe minimale a simbolike në vëmendjen e publikut, brenda një sistemi mediatik që – megjithë veset e njohura – nuk i pranon kollaj mysafirë të tillë nga pylli. Ndërsa tek ne janë mass mediat që vijnë nga pylli, me çakej e arinj e baldosa e gjinkalla e dhi të egra; dhe jo vetëm në lëmin e shëndetësisë publike.

Në Shqipëri nuk më rezulton të ketë, të paktën në fushën e shëndetësisë publike, ekspertë kontrarianë mirëfilli, njerëz me kualifikimet e duhura, që kryejnë hulumtime TË PAVARURA dhe arrijnë në përfundimin se politikat zyrtare në këtë apo atë fushë – p.sh. në epidemiologji ose në praktikat e imunizimit – janë të gabuara, ose frymëzohen nga interesa private. Ata që njihen si “konspiracistë” dhe dalin të kapardisur me megafon në dorë, për të kundërshtuar versionet “mainstream” të ngjarjeve nuk janë më shumë se gazetarë divulgativë në rastin më të mirë, që përpiqen t’i shpëtojnë parazitizmit; dhe “entertainers” në rastin më të rëndomtë, aktorë që zbavitin publikun me monologët e tyre të tipit I TOLD YOU SO. Më seriozët prej tyre, përpiqen që të përkthejnë (herë-herë me Google) dhe sjellin materiale nga shtypi në Perëndim, duke kujtuar se po ndihmojnë për të nxjerrë në dritë mashtrimet e establishmentit. Të tjerë e kanë konspiracizmin thjesht hobby.

Janë pastaj edhe ata – prej nesh – që i marrin seriozisht. Frika, ankthi, paniku, si reaksione normale ndaj një sëmundjeje aq të rëndë sa COVID-i, ia ulin publikut imunitetin ndaj fantazive dhe përrallave me pretendime shpjeguese; dhe këtë imunitet të dobësuar e shfrytëzojnë për bukuri mass mediat, në kërkim të shikuesve dhe klikimeve. Më duket ironike që një epidemi e mirëfilltë, si ajo e COVID-it, pati si efekt anësor dëmtimin serioz të imunitetit të publikut, dobësimin e skepticizmit dhe një epidemi të një lloji tjetër – atë të konspiracive.

Sa herë që shoh a dëgjoj për ndonjë konspiracist të ftuar në televizionet e Tiranës, më kujtohet një anekdotë që na e rrëfenin në leksionin e linguistikës teorike: një fis i rrezikuar, që jetonte thellë në xhungël, dihej se fliste një gjuhë të gjykuar si unike, por ende të panjohur; ia behu një ekspeditë gjuhëtarësh nga metropoli, që ta “shpëtonin” gjuhën nga vdekja; këta i priti në stacion guvernatori i provincës, për t’u dhënë lajmin e keq, se ndërkohë një epidemi fatale e kish vrarë edhe plakën e fundit të fisit, por se shpresa nuk duhej humbur, sa kohë që forcat lokale të rendit kishin gjetur, në një nga kasollet, një papagall në gjendje të mirë shëndetësore, që e fliste gjuhën rrjedhshëm.

(c) 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Photo by David Vives on Unsplash (detaj)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin