PËRPLASJE QË JEP DRITË

Dy poezi dhe një polemikë për dinjitetin me poetin Visar Zhiti

nga Marsela Neni (Haxhimusai)

 Parantezë

Të shtunën, menjëherë sapo doli numri i ri i Gazetës javore letraro-kulturore “Nacional” (Nr. 630, dt. 9-16 prill 2022), rreth orës 1:42 të natës (me orën shqiptare) më vjen një mesazh në mesenxher nga poeti Visar Zhiti.

Në këtë numër të gazetës kryeredaktori, z. Mujo Buçpapaj, kishte botuar një cikël poetik timin prej tetë poezish, ndër të cilat dhe poezinë me titull “Unë e di si shkohet në Kosovë”, titullin e së cilës e kishte përzgjedhur si emërtim të ciklit poetik, por që për arsye të vendit të pamjaftueshëm të kuadratit në ballinë (faqen e parë të gazetës) e kishte shkurtuar në “Si shkohet në Kosovë” çka përkonte plotësisht me titullin e një vepre të njohur të poetit Visar Zhiti, botuar dy herë në Tiranë, në vitin 2000 dhe në Prishtinë më 2014. Pasi lexoj mesazhin, unë menjëherë komunikoj me kryeredaktorin dhe ai i kërkon ndjesë z. Zhiti duke i shpjeguar dhe arsyen e shkurtimit të titullit. Por z. Zhiti nguli këmbë që unë të jepja shpjegime pse këto dy poezi ngjasojnë, ose ta citoja, duke më kujtuar disa herë përballjen me ligjin që dënon plagjiaturën.

QASJE NJERËZORE (Lexuesit)

Si e gjykoj unë reagimin e z. Zhiti? Në një vend ku vjedhja është ulur këmbëkryq, ku subjekte apo individë e më së shumti media online dhunojnë vazhdimisht individin në të drejtat autoriale dhe ku krimi ndaj dhunimit të së drejtës së autorit të krijimit letrar-artistik, intelektual dhe shkencor është më i përhapuri dhe më pak i dënueshmi, kur edhe vetë kam qenë viktimë e këtij krimi, unë veçse e mirëkuptoj reagimin e z. Zhiti.

Ne patëm një debat përgjatë gjithë ditës me tone dhe ngjyra të ndryshme, nga ato debate që e nxit si dinjiteti i poezisë, edhe dinjiteti njerëzor.

Unë e njoh ligjin e mbrojtjes së të drejtave autoriale, se vërtet nuk kam ende një botim letrar timin në duart e lexuesit, por jam bashkëautore në shumë tekste shkollore, me të cilët punojnë nxënës e mësues në të gjithë Shqipërinë, megjithatë e lexova dhe një herë me vëmendje dhe duke reflektuar rreth Nenit 8 Pika 2 që thotë: “2. Çdo pjesë ose element tjetër i një vepre, përfshirë titullin e saj ose një personazh të shprehur aty, që në vetvete përfaqëson krijimin intelektual, mbrohet gjithashtu nga e drejta e autorit. ” dhe pika 3 “3.Titulli i krijimit, i cili nuk plotëson kushtet për të qenë objekt i së drejtës së autorit dhe tashmë është përdorur për një vepër të caktuar, nuk do të përdoret për të njëjtën lloj vepre, nëse ky titull krijon konfuzion për autorin e krijimit“, po kështu Neni 12 Pika 1 a sipas së cilës: “Nuk janë objekt i së drejtës së autorit dhe nuk gëzojnë mbrojtje nga ky ligj: a) idetë, teoritë, konceptet, zbulimet dhe shpikjet në një vepër krijuese, pavarësisht nga mënyra e marrjes, e të shpjeguarit ose e të shprehurit; …“, unë pranova se do të ndryshoj titullin e poezisë sime, i cili është pjesërisht i njëjtë me titullin e poezisë së z. Visar Zhiti dhe vargjet 2 dhe 14 në të cilat përsëritet titulli, sepse, pavarësisht se ka plot poezi, madje dhe vepra letrare me të njëjtin titull, përderisa kjo gjë është e papëlqyeshme nga z. Zhiti dhe sepse unë besoj se një poet mund ta sjellë një poezi në disa variante, madje edhe ta përsosë më tej në aspektin artistik, (pavarësisht se do të humbë pak nga ’naiviteti’ i poezisë burimore), unë pranova të bëj këto ndryshime që përmenda më sipër. Por pranimi im për të bërë këto ndryshime, veçse e bindën z. Zhiti që “poezia nuk qenkërka aq imja“.

E ndier e fyer në të drejtën time e në punën time krijuese, por jo aq me dëshirën time, shkrova këtë artikull, së pari në respekt të vetes dhe të lexuesit tim, i cili, sipas z. Zhiti “mund të ketë të drejtë të dyshojë edhe për krijime të tjera të miat“, së dyti, për të përcjellë një mesazh edukues dhe dëshmi të një etike profesionale, së treti, sepse guxoj ta pranoj sfidën për të dëshmuar ndershmërinë, integritetin tim artistik, por më së pari njerëzor, PASI S’MUND TË JESH POET PA QENË MË SË PARI NJERI, dhe, sepse, mendoj që poezia që shkruaj është një dëshmi ekzistenciale e pakorruptuar që buron nga thelbi i shpirtit tim, i cili ka nevojë të flasë me gjuhën e tij dhe jo të një tjetri.

Poetin Visar Zhiti, edhe pse nuk kam lexuar asnjë vepër të tij (për fatkeqësinë e turpin tim), më mjafton edhe vetëm fakti që ai ka shkuar në burg prej poezisë, për ta vlerësuar dhe për ta respektuar e për të pasur veç dashamirësi për të. Gjatë tri javëve, para se të shkruaja këtë shkrim, kam lexuar ç’kam mundur rreth z. Zhiti dhe krijimtarisë së tij dhe çdo herë e më shumë kam ndjerë respekt dhe vlerësim për këtë personalitet të letrave shqipe, i cili, siç gjykoj si lexuese dhe studiuese, brenda kufijve është lënë paksa në hije dhe nuk i është dhënë vendi që vërtet meriton në letërsinë shqipe. Por ajo çka vërtet më ka nxitur ta admiroj, është personaliteti i tij njerëzor.

Me besimin e pastër si kristal, se dikush, që ka parë ferrin e burgjeve komuniste, dikush, që është dënuar 13 vjet për të vuajtur në atë ferr (13 vjet që përjetohen si përjetësi) vetëm për disa poezi të pabotuara në dorëshkrim, nuk do donte kurrë të shqetësonte dikë – aq më tepër një vajzë të re, të panjohur në fushën e letrave që prej vitesh mban në sirtar disa dorëshkrime- pa e menduar si diçka të drejtë dhe të dobishme. Gjithashtu me besimin se një përplasje drite, nga ato që ndërtojnë, mund të burojë veçse nga përplasja e dy shpirtrave të dëlirë, plotësisht të vërtetë, së pari, me vetveten, pas kësaj me të tjerët shkrova këtë shkrim jo mes pak ndërdyshjesh.

Pse ndërdyshjesh?

Së pari, sepse përballë z. Zhiti, unë jam askushi. Një askush ama i formuar me integritet moral e etik, integritet kulturor dhe poetik, një njeri i përgjegjshëm dhe i pajisur me forcë të brendshme që thellë në vete e refuzon ta “përdorë” këtë rast fatkeq a fatlum për t’i bërë publicitet vetes.

Së dyti, teksa shkruaj këto rreshta ndihem pjesë e absurdit, pasi nuk i takon autorit të japë domosdoshmërisht shpjegime për veprën e tij e aq më tepër të bëjë një “shfaqje” si ajo e “provës së virgjërisë letrareʺ përpara lexuesve, për të qenë e besueshme e për t’u pranuar në ʺRepublikën e letraveʺ. Lexuesi është i mençur. Ai vëzhgon përtej. Ai përjeton në mënyrë unike dhe poezinë e dobët, atë që s’i përcjell asgjë, ai e hedh shpejt në koshin e harresës. Në qoftë ky fati i poezisë sime, ashtu qoftë!

Së treti, sepse vetë procesi krijues ndodh vetvetiu. Ai është sa i pakuptuar aq edhe intim, aq më tepër ai poetik, i cili, teksa përpiqet ta kapërcejë pragun e vetes për t’iu dhënë botës, shkëputet nga realja për t’iu dhënë trillimit në rrugë e mënyra të mahnitshme e nga ana substanciale zor të shpjegueshme. Shkrimtari Maria Vargas Losa në “Letër një shkrimtari të ri” thotë: “… të copëzosh tekstin (për ta analizuar a interpretuar atë), është përherë, madje dhe në rastin më të mirë, një formë vrasjeje.” Nuk do më pëlqente ta bëja këtë me poezinë time, sepse “një kufomë është një zëvendësuese e pajetë dhe e rremë ndaj një gjallese që merr frymë, mendon…(ndjen) dhe është ende jashtë pushtetit të vdekjes.” [i]Këtë do parapëlqeja t’ua lija në dorë kritikëve letrarë. Di veç t’ju them që unë nuk i kërkoj elementet artistike, unë veç u jepem atyre dhe e lejoj veten të përfshihem në shtjellën magjike të procesit krijues pa vetënxitje, por e bindur përmes durimit, thjesht i dorëzohem diçkaje që është më e fortë se unë, diçkaje që më nxit të shkruaj. Ndonjëherë më ndodh që përmes përfytyrimit, empatisë dhe inteligjencës emocionale, që besoj se zotëroj, të hyj në shpirtin e një tjetri e të rrëfej atë çka përjetoj e shoh përmes syve të tij, por më së shumti çfarë shkruaj është kredhje në përjetimet e në kujtimet e mia të hershme të gdhendura e strukura në skuta shpirti me synimin për t’i nxjerrë në dritë, për të krijuar dritë.

Së fundmi, ju rrëfej se, dikur, kam bërë një krim që më bën të ndihem keq edhe sot: kam vrarë një poezi, e kam shfarosur, jo vrarë, më detyroi frika ime ta bëja këtë. Rreth nëntë vite më parë, shkruaj një poezi me titull “Mësuesi në kryq”. Ishte një kohë reformash në arsim. E publikoj poezinë në facebukun tim dhe brenda pak orësh poezia ishte shpërndarë në disa mediume online (në atë kohë nuk ishte aq e lehtë sa sot të qarkullonte në rrjet një shkrim i një të panjohure). Të nesërmen në punë, menjëherë në mëngjes, u bë një mbledhje e shkurtër në sallën e mësuesve dhe, e udhëzuar “nga lart”, drejtoresha më kërkoi ta hiqja poezinë nga rrjeti, sepse po luaja me vendin e punës, në të cilin ende nuk isha emëruar me vendim. Unë sapo kisha filluar punë në një shkollë të mesme në fshat dhe njëkohësisht punoja si lektore e jashtme në universitetin e Elbasanit. Bashkëshorti im ishte i papunë dhe sapo ishim bërë me fëmijë. U frikësova aq shumë sa përveçse e fshiva poezinë në rrjet, e fshiva edhe nga kompjuteri edhe nga kujtesa ime. E kam vuajtur për shumë kohë brenda vetes frikën e atij çasti dhe dobësinë time, derisa mora vendimin për të mos u frikësuar më, nëse kjo i shërben të vërtetës dhe të drejtës.

Vetëm me anë të guximit për të shkruar të vërtetën, ne mund t’i arratisemi jo veç burgjeve me mure e hekura, por dhe burgjeve që janë kaq të sofistikuara sa s’kanë nevojë për to.

Unë mund ta kisha shmangur këtë polemikë, sikur të kisha pranuar ta citoja z. Zhiti.

Duhet ta bëja këtë nëse kjo do të ishte e vërteta.

Por unë nuk e kisha lexuar kurrë këtë poezinë e tij, as poezi të tjera nga “përmendorja e madhe poetike” kushtuar Kosovës, as e kam dëgjuar të recituar diku atë baladë të mrekullueshme, përpara se të shkruaja poezinë time të vogël të shkruar me zemër për Kosovën. Unë nuk jam e papërgjegjshme. Aq më tepër e pandershme. Moscitimi është thjesht qëndresë në mbrojtje deri në fund të së vërtetës sime, sepse në fund të fundit ajo së cilës i frikësohem më shumë nuk është ligji, por gjykimi nga vetja dhe nga Zoti. Shpresoj që të lexohet ashtu siç është shkruar ky shkrim- tërësisht i sinqertë.

PËRQASJE LETRARE

Poezia “Unë e di si shkohet në Kosovë”, është një përjetim vetjak me elemente të qarta autobiografike. Kjo poezi bazohet në dy dëshmi të vërteta të jetës sime.

Dëshmia e parë është pohimi në vargun e parë të poezisë /Në Kosovë nuk kam qenë kurrë./ një sentencë e plotë e verifikueshme nëse i referohemi sistemit Tims. Unë nuk kam qenë kurrë në Kosovë dhe ky është një fakt që më trishton shumë, por edhe më gëzon, sepse unë tashmë i kam zbuluar përgjigjet për pyetjet, që çdokujt që e ka të përzemërt atdheun, i burojnë së brendshmi. Unë tani di se si shkohet atje: në Kosovë shkohet “si drejt gjysmës së zemrës lënë mat-anë”, një udhëtim brenda zemrës që për mua ka qenë i gjatë gati 30-vjet.

Dëshmia e dytë është një ngjarje reale në jetën time, mikpritja e një familjeje kosovare në shtëpinë e gjyshes sime, pjesë e eksodit të vitit 1999, e cila kalon kufirin shqiptar për t’i shpëtuar genocidit serb, qëndron për një kohë të shkurtër në Elbasan, derisa arrijnë të kapërcejnë brigjet e Adriatikut për në Itali. Ne nuk i kemi ruajtur dot lidhjet me këtë familje dhe nuk do mund t’i njihnim edhe sikur t’i shihnim. Për mua fytyra e tyre është fytyra e çdo kosovari e kosovareje. Fytyra e tyre është vetë Kosova. Mbresat nga e gjithë kjo ngjarje në kujtesën time janë të pakonturuara dhe aspak të qarta, si të ishte tablo e një pikturë impresioniste në mendjen e një fëmije, por ajo çfarë e ka mbajtur gjallë këtë kujtim është një dhuratë mirënjohjeje: një batanije treçerekëshe (që nuk dihet nëse ata e kishin marrë prej shtëpisë së tyre para se ajo të digjej apo ua kishin dhënë bashkë me ndihmat humanitare në kufi, në Kukës. Por kjo nuk ka kurrfarë rëndësie.) Me të  unë jam mbuluar për shumë vite dhe pasi jam martuar e kam marrë “pajë”. Atë batanije të vjetëruar e përdor ndonjëherë edhe sot për të mbuluar bijën time. Kështu lindi edhe kjo poezi. Teksa “bisedoja poetikisht” vetëmëvete me këtë send të çmueshëm për mua teksa e palosja për ta futur në një çantë, po mundja më në fund të rrëfeja ato çfarë ka mundur ky gjest i vogël dhe i ngrohtë vëllazërie të më mësojë për dashurinë njerëzore, për dashurinë vëllazërore, për dashurinë që na lidh e na bashkon dy shtete në një, një mësim i ildisur me kujdes e me durim për vite e vite me radhë, çka besomëni, asnjë mësim në shkollë e asnjë libër a gjësend tjetër nuk do mundej dot të ma mësonte kurrë. Një ngjarje e vogël, por domethënëse për një vajzë të vogël që e absorbon këtë rreze të ngrohtë drite brenda vetes e mbart atë në terr e stuhi, gjersa një ditë ajo kupton se ajo mbresë e vogël drite i ka shpëtuar shpirtin. Ani ndjehet gati ta ndërmarrë udhën e kthimit mirënjohës për dhuratën e dhënë, udhën që duhet ta ndërmarrë çdo shqiptar dhe vetë Shqipëria me 28 mijë metra katrorët e saj, të çohet në këmbë e ta rrokë në grykë motrën e saj të vogël, por të madhe, Kosovë, e t’i thotë me gjuhën e të parëve “Të falem nderit që më ke mbajtur ngrohtë!”.

A ka qenë Kosova gjithnjë aty për ne shqiptarët? Poezia ime nuk i përgjigjet kësaj pyetjeje. Ajo është një poezi e vogël, por e pastër kristal si loti i një fëmije. Por, balada e mrekullueshme e Visar Zhitit i përgjigjet kësaj pyetjeje. Po, Kosova është gjithnjë me ne edhe kur ne nuk jemi në të. Kosova është e ka qenë gjithnjë, përderisa për të ke mall edhe pa e parë kurrë. Madje në një poezi tjetër poeti thotë: “Çdo njeri/ ka Itakën e vet, thonë poetët,/ por dhe një Kosovë ka brenda vetes / çdo njeri…”

Në shkrimin e poezisë “Unë e di si shkohet në Kosovë”, përtej faktit që është ngjizur si mbresë çasti e shkruar me një frymë, ashtu si përfytyrimi im poetik ma dëften me shumë pak ndryshime në detaje të vogla nga shkrimi fillestar (ashtu siç janë shkruar në fakt pjesa më e madhe e poezive të mia), nëse ka një ndikim në stil, ai ka ardhur nga nobelistja amerikane Louise Glück, një poete krijimtarinë e së cilës e vlerësoj dhe që prej një viti po punoj të sjell një libër të saj me poezi në shqip. Vetë mënyra e shprehjes së vargut që shërben si lajtmotiv e njëkohësisht titull i poezisë është frymë e rrëfimit të drejtpërdrejtë, të sinqertë e vetjak që më vjen edhe prej kësaj poeteje, por edhe pse vetë poezinë e konsideroj si mënyrën më të lartë e më të ndershme për të rrëfyer qenësinë time, atë çfarë përfaqësoj, të kohës e të vetë jetës sime.

Megjithatë, edhe pse poezia “Unë e di si shkohet në Kosovë” është shkruar me një diferencë kohore prej afërsisht 26 vjetësh dhe pa e njohur “paraardhësen e saj”, gjithashtu pa marrë parasysh teorinë e qarkullimit të ideve në letërsi, më duhet të pranoj që, çuditërisht, të dyja poezitë kanë një frymë deri diku të ngjashme dhe një përfundim të përbashkët të zbuluar ndërvargjesh: Në Kosovë shkohet veç përmes dashurisë, veç përmes dhimbjes që realizon katarsasin , pastrimin e shpirtit nga e keqja.

Mënyra se si është shprehur ky mesazh i madh në të dyja poezitë është i ndryshëm në shprehje gjuhësore, në imazhe poetike dhe në përjetimin dhe emocionin që zgjon secila te lexuesi.

Kam sjellë për lexuesit dy poezitë përballë njëra-tjetrës, për t’i lexuar e për të krijuar dhe ata vetë opinionin e tyre.

 

VISAR ZHITI

 

SI SHK-OH-ET NË KOSOVË

             -baladë-

– Ti, kalë i bardhë, Pegasi im,
si shkohet në Kosovë, tregomë!
Malli më ka marrë pa qenë kurrë.

– Përtej varrit të atit tënd
varret e tjerë u rritën dhe u bënë male.
Pas maleve ka varre prapë si retë
nëpër luginë.
Shtegtojnë varret në qiejt e ulët
dhe ta ngatërrojnë udhën.
Avionët kthehen pas të hutuar
nëpër mjegull nate.
Karvanët e veturave janë kthyer në shkëmbinj
si kuajt e krushqve në mallkimin e lashtë.
O Zot! Dardhat dimërore dhe mëllenjat
janë bërë fushë me ofshama
të gjuhës time!

– Ti, yll blu i fatit mbi ballë të Atdheut,
si shkohet në Kosovë, tregomë!
– Kur të kesh një plagë tjetër të re në trup,
ndiq udhën e rrëkesë së gjakut,

që gjithmonë arrin para meje
dhe më pret atje – gurgullimë jete.

Marr dy pishtarë të shuar dardanë,
i ngjyej në gjakun tim
dhe ndriçoj udhën. Ndizen krahët,

flakët bëhen flatra,
unë bëhem shqiponjë prej dheu
dhe ndiej ciklonet e stepave
si duan të ma brejnë emrin prej guri.

 

Tiranë, 18.1.1995

MARSELA NENI (HAXHIMUSAI)

 

UNË E DI SI SHKOHET NË KOSOVË

 

 

Në Kosovë nuk kam qenë kurrë.

Por unë e di si shkohet në Kosovë.

Në këmbë.

Si pelegrini

drejt një vendi të shenjtë.

Zbathur.

Si drejt gjysmës së zemrës

lënë mat-anë.

Me një batanije kruspull,

mbledhur pas shpine,

ku vigjëlojnë dy zogj

me degë ulliri në sqep,

engjëjt e ëndrrave të mia fëminore.

 

Unë e di si shkohet në Kosovë,

e do ta gjej atje atë Kosovar,

që një natë kosove në flakë,

me shpirt të krrusur prej dhimbjes, bujti te ne

e nana ime më të e ndau bukën e pakët

e ngjyer me kripën e lotëve…e ai shtegtar

i fali batanijen që krahëhedhur mbante.

……………………………………………………….

Kur ta gjej atë Shqiptar, në grykë

do ta rrok, e do t’i them veç dy fjalë:

“Vllau em’, falem nderit

që m’ ke mbajtur ngrohtë!”

 

Elbasan, 28.10. 2021

 

*Publikuar për të parën herë më 4 nëntor 2021 në Gazeta Letrare.

 

 

Struktura e poezive

  1. “Si shk-oh-et në Kosovë”

Arkitektura e kësaj poezie është “një monument gjuhësor me shumë kate”, me strofa jo të njëtrajtshme, e cilësuar nga vetë autori ‘baladë’ dhe është ndërtuar mbi bazën e një dialogu imagjinar të heroit lirik fillimisht me një kalë të bardhë, me Pegasin, figurën e njohur të mitologjisë antike greke, i cili është simbol i lirisë dhe ndihmës në përmbushjen e sfidave më të vështira a në misione të pamundura dhe, së dyti, me yllin blu të fatit që qëndron në ballë të atdheut, i cili mund të jetë përdorur po ashtu nga autori si simbol në kundërvënie me yllin e kuq bolshevik që mbante ushtria shqiptare që nga shumë interpretohet si ylli i gjakut, i dhunës, i programimit dhe nënshtrimit të njeriut. Ylli blu mund të jetë ylli i lirisë, i qiellores, i fatit hyjnor të atdheut.

Të dyja këto detaje poetike janë të lidhura me elementin e gjakut.

I pari, sepse Pegasi, sipas legjendës, lindi nga gjaku që rrodhi nga koka e prerë e Meduzës.

I dyti, sepse rruga drejt lirisë dhe vëllazërisë, ajo që të çon në Kosovë, a siç e quan poeti (në një tjetër poezi) “në Itakën brenda vetes”, është pastruar përmes gjakut gurgullues të jetës, gjakut të derdhur që shkon atje më parë sesa heroi dhe ia përgatit udhën. Pikërisht kjo rrugë të shpie në Kosovë, drejt vendit për të cilin poeti ka mall edhe pse nuk ka qenë kurrë.

Nga ana përmbajtësore në themel të ngrehinës së poezisë qëndron një pyetje, apo thënë më mirë një dilemë poetike në formën letrare të një pyetjeje retorike, e cila përbën dhe thelbin poetik të poezisë, çka e tregon edhe përzgjedhja si titull i poezisë. Nga ana drejtshkrimore këtij vargu-titull i mungon pikëpyetja, por gramatikisht, si fjali e ndërtuar me përemër pyetës në fillim të fjalisë dhe në aspektin shqiptimor intonacioni ngjitës që e karakterizon, e bën atë të tingëllojë si pyetje me një pohim krejt origjinal brenda saj, ku pohimi nuk qëndron në tërësinë e frazës, por në një detaj poetik vërtet të gjetur të autorit: shkëputja e një pasthirrme –oh- nga mesi i foljes ‘shkohet’ (detaj mjaft i gjetur), pasthirrmë që personifikon dhimbjen: në Kosovë shkohet përmes dhimbjes. Më pas në përdorimin e titullit brenda poezisë autori përdor fjalinë nxitëse thirrmore, duke shtuar pikëçuditësen si shenjë pikësimi dhe përdorimin e foljes ‘tregomë’ që nxit rrëfim-bashkëbisedimin imagjinar.

Motivi i pengesës ose gjetjes së udhës së duhur: Heroi lirik kërkon ndihmën e Pegasit për të gjetur udhën e duhur, mënyrën e duhur për të shkuar në Kosovë. Detajet poetike, si: varri i atit, varre të tjerë që bëhen male, pas maleve prapë varre, qiejt e ulët, retë në luginë që ta pengojnë orientimin drejt udhës së duhur, veturat e kthyer në shkëmbinj, mjegulla e natës që i bën avionët të kthehen pas, karvanët e veturave si krushq të ngrirë, fushat me ofshama të gjuhës etj., shërbejnë si enumeracion kuptimor-figurativ të shumësisë së pengesave, të cilat mund të kapërcehen vetëm nëse shqiponja ngrihet në fluturim duke gjurmuar rrjedhën e gjakut të një plage të re, çka jepet në pjesën e dytë të poezisë dhe ofrohet si zgji/edhje poetike.

Motivi i mallit: Kjo poezi përshkohet tejpërtej nga ndjenja e mallit, mallit të pakuptuar e të vetvetishëm për një vend ku heroi lirik nuk ka qenë kurrë /Malli më ka marrë pa qenë kurrë./

Malli si ndjenjë, por dhe si shprehje e dashurisë njerëzore për të shkuar në copën e mohuar të atdheut, ku kufijtë e pengesat nuk janë veç malet por dhe varret, dhe mbi varre nuk shkelet, nuk kalohet përmes tyre, heroi lirik përmes një malli-zjarr krijon flatra e bëhet shqiponjë prej dheu (zjarri nënkuptohet përmes foljes ‘ndizen’ që së bashku me dheun përbëjnë dy elemente kozmogonike të krijimit ). Përmes detajit poetik të shqipojës autori e ngre poezinë në një tjetër nivel kuptimor, sepse shqiponja është simbol i shqiptarit dhe duke kapërcyer nga konteksti i përjetimit individual në atë kolektiv, ai i jep vlerë universale e gjithëkohore poezisë.

  1. “Unë e di si shkohet në Kosovë”

Arkitektura ideore-gjuhësore e poezisë së dytë është tri-katëshe, me dy ndarje ngrehinore të shkruara monokolonë që mbyllet me një katrenë.

Në pjesën e parë pohohet se poetja i ka tashmë të gjitha përgjigjet për të gjitha pyetjet që ka pasur në shpirt. Ajo e di që ka vetëm një mënyrë për të shkuar në Kosovë: siç shkon njeriu në pelegrinazh drejt një vendi të shenjtë, pa ngarkesa të kota, pa bagazhe, zbathur, veç me veten e vet, e në shpinë të mbajë veç paqe e dashuri vëllazërore, (ashtu siç udhëtohet nga njëra anë e zemrës në tjetrën).

Në pjesën e dytë përmes procedes poetike të retrospektivës, jepet më tepër informacion përmes një kujtimi të pastër fëminor, një kujtim që qëndron në thelbin krijues të poezisë, ai që nxit krijimin e saj, një kujtim që ka ushqyer e mbajtur gjallë dashurinë vëllazërore me dikë që e ka parë veç disa çaste në jetën e saj dhe që me siguri nuk do ta njihte edhe po ta rishihte, por që për t’i kthyer një dhuratë dashurie do ta kërkonte në fytyrën e çdo kosovari, sepse ai kosovar është vetë Kosova.

Në pjesën e tretë poetja rrëfen poetikisht se çdo të bëjë pasi të shkojë në Kosovë: Do ta rrokë në grykë atë kosovar, do ta falenderojë që me anë të një dhurate i mbajti gjallë në zemër dashurinë për një vend motër që s’e kishte parë kurrë, do t’i flasë në dialektin e tij (në gegërisht), duke përdorur atë gjuhë-motër “të censuruar” në familjen e gjuhës shqipe. Do ta falenderojë dy-fish.

Nga ana përmbajtësore dhe e përfytyrimit poetik kjo poezi ndërtohet mbi bazën e tri pyetjeve që kanë grishur prej kohës autoren dhe më në fund, duket që ajo i ka gjetur përgjigjet. Tri pyetjet të ndërmendura që përbëjnë dilemat poetike janë:

Pyetja e parë, përgjigjja e së cilës krijon pjesën e parë të poezisë është: Si shkohet në Kosovë? Poezia lind si një shqetësim i përditshmërisë: Duhet shkuar një ditë në Kosovë. Si shkohet? Dhe këtu përgjigjja nuk është: Siç shkojnë të gjithë njerëzit, përmes rrugës së Kombit. Nuk ka pengesa më për të shkuar në Kosovë. Ajo ndodhet mat-anë, si përtej gardhit, shumë afër, por në përfytyrimin poetik të poetes, ajo ndodhet shumë larg. Kosova të ndjell me shenjtërinë e saj, me shenjtërinë e gjakut që të thërret, ndaj drejt vendeve të shenjta shkohet me mundim, ashtu si drejt shpëtimit të shpirtit, por edhe me një lehtësim që realizohet si katarsis, një proces i mbështjellë me një tis magjie, një vello e pakuptuar e misterioze. Drejt një vendi të shenjtë shkohet i pamëkatë ose i falurmëkatesh, proces që bëhet përmes vuajtjes e mundimit, (detajet poetike: në këmbë, zbathur) dhe përmes dashurisë: dhurata është një nga gjuhët e dashurisë, po kështu përmes faljes, pranimit, paqes (detajet poetike: dy zogjtë që vigjëlojnë udhën që prej batanijes së mbledhur kruspull pas shpinës, s’janë veçse dy pëllumba që mbajnë në sqep dy degë dafine, simbole të paqes dhe fitores shpirtërore lirisë së të dy shteteve të krijuar nga popuj të të njëjtit komb, nga njerëz të të njëjtit gjak).

Pyetja e dytë, përgjigjja e së cilës krijon pjesën e dytë të poezisë është: Pse duhet të shkoj në Kosovë? Për të gjetur Kosovën, Kosovën që asnjë tur turistik nuk mund të ta japë, krahasuar me Kosovën që përmes një kujtimi e ke mbajtur gjallë, dashurinë e pastër vëllazërore dhe pa interes që veç me shpirt fëmije mund ta perceptosh, dashurinë që pa këtë detaj retrospektiv do tingëllonte paksa absurde ose e pabesueshme në kohët që jetojmë.

Katrena përmbyllëse i jep përgjigje pyetjes së tretë: Çfarë do të bësh në Kosovë? Do të kërkoj, do të rrok (përqafë), do të them dy fjalë, fjalët e mirënjohjes, fjalët më magjike të gjuhës shqipe “ Të falem nderit! Të rikthesh një dhuratë me vlerën e një kujtese historike jo veç personale është një shkëmbim dashurie, respekti dhe mirënjohjeje.


Dhe, në mbyllje… (që u ngjiz në fill)

(Drejtuar poetit dhe shkrimtarit Visar Zhiti)

I dashur Visar,

Nëse do të ishim bashkë përmbi një re në botën e trillimit, atje përmbi re, ndërmjetësues midis tokës dhe qiellit, të ishim veç shpirt, shpirtra të çliruar nga gjithë tokësorja ndër ne, nëse do të ishim atje nga ku mund të vëzhgohet çdo gjë, me siguri ne do të pinim verë e do të flisnim me lotë ndër sy për parajsën dhe ferrin e poezisë, për humbjet tona, sepse humbjet na bashkojnë, nuk na ndajnë. Kush shkruan për të vërtetën konsiderohet humbës këtu poshtë, por poezia, ah… poezia… ajo është triumfuese kudo dhe gjithmonë.

Unë jam e sigurtë se ne do të pinim verën që buron nga gjaku i jetës së vërtetë dhe do të ngrinim dolli. Po, po, dolli! Dolli me kupat tona të mbushura me lotë që hidhësojnë ndryshe, por dhembin e shërojnë njësoj.

Do të ngrinim dolli, së pari për dinjitetin e poezisë dhe bukurinë e saj.

Do të ngrinim dolli për dashurinë dhënëse pa pretenduar shpërblime.

Do të ngrinim dolli për Kosovën, Çamërinë, Ulqinin, Hotin, Grudën…

Do të ngrinim dolli për Shqipërinë, për atë që duam, për atë që duhet të jetë…

Pastaj, në vallen e entuziazmuar estetike, ne do të ngrinim dolli edhe për burgjet tona, ato që na bënë këta që jemi. Burgjet tona të ndryshme në shprehje, por të njëjtë në përmbajtje.

Në fund, unë besoj se ne do t’i përplasnim kupat si dy parzmore dioniziake e do të çoheshim në këmbë

për lirinë,

për lirinë dhe dinjitetin njerëzor,

për lirinë, dinjitetin njerëzor dhe të vërtetën,

për dashurinë, energjinë vëlladashëse që bashkon e që nuk e lë këtë botë të shpërthejë në mijëra copa guri të pajetë.

I dashur Visar, juve atdheu ju varrosi në këmbë, kur ishit ende gjallë. Ju u kthyet prej së vdekuri dhe guxoni jo veç të qëndroni në këmbë, por madje të ndërtoni ura, jo veç njerëzore, por dhe kombëtare.

Lejomëni t’ju bashkohem!

© 2022 Marsela Neni (Haxhimusai). Të drejtat janë të autores.

Kopertina: Photo by Jeffrey Hamilton on Unsplash


(titulli i shkrimit sipas një përcaktimi të Visar Zhitit)

[i] Maria Vargas Losa në pasthënie të librit “Letra një shkrimtari të ri”, Onufri, Tiranë, 2008, përkthyer nga E. Shqarri.

 

About the Author

Marsela Neni Haxhimusai ka studiuar në Universitetin e Elbasanit në degën gjuhë-letërsi dhe ka kryer studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës për gjuhësi. Ajo është bashkautore e disa teksteve shkollore të arsimit të mesëm të lartë, si dhe autore e një vëllimi poetik. Është aktive në shtypin e kohës me shkrime, artikuj e cikle poetike.

Author Archive Page