DY FJALË PËR NILËN

nga Elsa Demo

Anila Dushin e kam njohur në vitin 2003 kur nisa të punoj në redaksinë e kulturës në gazetën “Shekulli”. Personalisht do takoheshim më vonë kur ajo, si të gjithë korrespondentët, vinte të tërhiqte dorazi ato pak honorare për disa muaj punë.

Duhet të më ketë thënë “çfarë do prej meje?”. E kishte fjalën për njerëzit që bëjnë kulturë, ku janë e nuk janë, të gjallë e të vdekur, sepse edhe të vdekurit e kulturës në Shkodër vazhdojnë ta kenë një lloj jete pas vdekjes. Për shembull, dy nga këta i kam njohur falë Nilës, kur u ndodha në Shkodër për një reportazh dhe fjeta në shtëpinë e saj. Isha akoma në terren, në një fshat në hyrje të qytetit, kur ajo frenoi biçikletën para këmbëve të mia. Më pyeti sa orë punë kisha dhe llogariti që do të ishte zgjuar duke më pritur në shtëpinë e saj, kurdo që të kthehesha. Këmbënguli të shkoja dhe pa e marrë konfirmimin tim, e ngriti peshë me lehtësinë e erës trupin e saj të rëndë mbi pedalet e biçikletës.

Korrespondenti i asaj kohe ishte vërtet ai ose ajo çfarë nënkuptonte kjo fjalë: një njeri që e merr lajmin në vendin e ngjarjes për një gazetë apo agjenci. Në fakt, paguheshin aq pak sa detyroheshin të punonin për disa media njëherësh për të plotësuar një kuotë page mujore. Por këtë punë nuk mund ta bënin pa u zhvendosur fizikisht.

Një “korrespondent rrethesh” ishte së pari një njeri që nuk mund të kuptohej pa veprimin, pa terrenin, pa kontaktin e drejtpërdrejtë me burimet e lajmit. Rrjedhimisht ai sillte me vete edhe burimin vetjak, atë që kapte duke parë, duke dëgjuar, nuhatur e ndier realitetin që prekte, rrëfimet e njerëzve që i takonte ku ta sillte fati, aksidenti, krimi apo bashkimi i vullnetshëm për të jetuar. Sot ky gazetar ka shkuar drejt zhdukjes e bashkë me të edhe një mënyrë e të jetuarit nëpërmjet gazetarisë dhe të informuarit për jetën, po edhe për vdekjen. Mjafton të shohësh titujt dhe raportimet për Covid-19.

Të nesërmen e asaj dite, patëm kohë të shkëmbenim një dorë muhabet me Nilën. Unë haja mëngjesin që më kishte përgatitur ajo me bukë, vezë e djathë dhe mendoja: kur nuk punon dhe nuk vërtitet me biçikletë qytetit e përtej, si e duron vetminë kjo vajzë, si e duron mungesën e shokut të saj që kishte humbur në vitin 1997, si kishte arritur të gjente një ekuilibër që të jetonte pa e mbytur bashkëbiseduesin me mungesat e saj? Përtypja këto mendime bashkë me bukën e Nilës dhe gjurmoja herë pas here me sy titujt e bibliotekës së saj. Qëndrova tek “Oh!” i Anton Pashkut dhe ia kërkova hua. Ajo, si të më kishte kapur shqisën e leximit, tërhoqi nga raftet “Burgjet e mia” të Dom Simon Jubanit dhe “Çinarët” e At Konrrad Gjolajt. Për të parin kisha dëgjuar diçka si “jezuiti i çmendur” që në nëntor ’90, në varret e Rrmajit, çoi meshën e parë qyshse ishin mbyllur institucionet fetare.

Më vinte turp të shfaqja padijen time para Nilës, qoftë duke e pyetur a jeton ky njeri a jo dhe nëse po, mund t’i merrte një intervistë. Ajo, e kujdesshme, nuk më shfaqi asnjë farë epërsie a mendjemadhësie (foleja më e kollajtë ku bien shkodranët e saj), por m’i la librat në tavolinë, pranë bukës. As për At Konrradin nuk kisha dëgjuar gjë prej gjëje, derisa zbulova një autor burgu i papërfillur e i nënvlerësuar. E hapa diku dhe lexova:

“Asnjë shenjë nuk kishim me kuptue në cilën kohë të ditës jemi. Vorfnia ishte e gjithanshme. Jetohej vetëm me të kaluemen e vetvedit, dhe pa asnjë shpnesë për të ardhmen. Jetë e kotë pa asnjë kuptim dhe vazhdimsi. E vetmja gja asht pleqnia e shpejtë dhe e pakuptueshme. E keqja asht se na mendojmë se jemi, kurse në realitet na jetojmë në llogari të tjetërkuj; bile, edhe pa mend në krye. Kujtohemi vetëm kur shohim thinjat e rrudhat, atëherë disprohemi, e pyesim vedin, pse jetojmë e deri kur ma kshtu?”

Kujtoj sytë e Nilës, të zinj e të ngulët si shprehje e kushtit që librat t’ia ktheja një ditë aty ku ia mora. Tani që dua të kujtoj këtë njeri, po nxjerr nga kutitë e kartonit “Çinarët” që ajo më pati sugjeruar (aq më pëlqeu sa ajo më gjeti një kopje) dhe e hap aty ku shkruhet “Jetë pa kalendar” dhe rilexoj:

“…pse jetojmë e deri kur ma kshtu?”

Pas lajmit për vdekjen e Nilës, nuk më vinte ndër mend ndonjë i afërt që të mund ta pyesja për ditët e agonisë. Doja të dija, a kishte gjëkundi shenjë që, prekja e orëve të fundit t’i kishte sjellë sado pak shëlbim?

Atëherë i shkrova një kolegu: “Bepin, uroj të jesh mirë! Di gjë, pati njeri afër në fund Anila Dushi?” M’u përgjigj: “Kishte një kushërirë të sajën që i ka qëndruar afër. Virusi e mbyti për tri ditë. U dorëzua!”

© 2022 Elsa Demo. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

*Ky shënim u shkrua menjëherë pas vdekjes së gazetares Anila Dushi (1967-2021), por redaksia për të cilën u shkrua e citoi aty-këtu.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin