HABEMUS PAPAM

nga Ridendo Mores

Java tjetër do ta gjejë Shqipërinë me kryetar të ri shteti, një personalitet të shquar nga ushtria shqiptare. Kandidimi i tij ishte fryt i një mbledhjeje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste pasi kishin dështuar tri raundet e zgjedhjes me 3/5 e Presidentit të Shqipërisë. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 parashohin se në rast të tillë presidenti zgjidhet në raundin e katërt me shumicë të thjeshtë, çka praktikisht e ka kthyer vetë procesin në farsë.

Siç dihet, përzgjedhja e kandidatit pati filluar herët. Qysh më 20 prill 2022 “deputetët socialistë zhvilluan publikisht procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për president. Në mbledhjen e grupit parlamentar, secili nga deputetët dhe anëtarët plotësoi një fletë me tre emra dhe e futi në një zarf e më pas në një kuti”. Lista me 222 emra [74 deputetë x 3 preferenca] më pas “do të përpunohej nga grupi të punës”. [Shih: Valentina Madani, “Panorama”, 21 prill 2022]. Pra, procesi ishte “publik”, por rezultatet e tij u mbajtën sekret.

Pyetja e parë që ngrihet këtu është se përse nuk u bë publike lista me 222 emrat e 20 prillit 2022? Politikanët shqiptarë, djathtas e majtas, betohen shpesh për transparencën, për vjeljen e mendimit të popullit, apo për institute vendase e rajonale “të hapura”. Po ashtu, çdo pozicion që është emërtesë e Kuvendit i nënshtrohet kontrollit rigoroz dhe të imtë të kandidaturave, të kryer nga sekretari i Kuvendit. A iu përcoll sekretarit të Kuvendit nga “grupi i punës” lista me kandidatë të përzgjedhur nga deputetët socialistë, për të verifikuar pajtueshmërinë me kriteret kushtetuese dhe ligjore të tyre?

Nga sa më sipër, vështirë të mos pranohet se i tërë procesi i përzgjedhjes së kandidatit për Presidentit të Republikës së Shqipërisë mbeti opak, i mjegullt, enigmatik, njëlloj si procedurat për zgjedhjen e Papës.

Vijmë më tej. Më 3 qershor 2022 u mbajt mbledhja e “shumicës parlamentare”, ku u zgjodh si “kandidat” për president “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë”. Më në fund, pra, “tymi i bardhë” doli mbi Tiranë, njëlloj siç ngrihet mbi Bazilikën e Shën Pjetrit kur kolegji i kardinalëve zgjedh Papën.

Po atë mbrëmje Kryeministri i vendit zhvilloi “një takim informues” në zyrën e vet me “kandidatin e sapozgjedhur për President të Republikës së Shqipërisë”, që prezantohej gjithnjë në detyrën e tij të rëndësishme, si “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura”. [Njoftim i Newsroom-it të Kryeministrisë, 3 qershor 2022].

Opinioni publik e priti lajmin sa me gëzim, aq edhe me habi a me indiferencë. Një takëm ngrinin lart cilësitë e kandidatit. Një tjetër takëm thjesht ngrinin supet, duke thënë se “s’e njeh populli”. Të tjerë përmendën takimin e tij të paradokohshëm me homologun amerikan Gjeneral Milley, a thua se kjo bënte pjesë tek “kriteret”.  Kurse një tjetër takëm protestoi.

Në realitet, për vetë detyrën e lartë si kryetar i shtetit, vetëkuptohet që presidenti i Republikës duhet të jetë edhe dikush që të gëzojë besimin publik, të jetë i pajisur me cilësi qytetare e virtyte të larta karakteri, të cilat me siguri mjeku ushtarak nga Rrogozhina i përmbush më së miri.

Këtu na vjen të përmendim se në Tiranë u përhapën spekulime edhe për Lea Ypin si presidente e ardhshme e vendit. Mirëpo profesoresha e LSE-së, me elegancë dhe finesë deklaroi se nuk i plotësonte kushtet. “Unë nuk e di nëse shqiptarët e kanë lexuar Kushtetutën e Shqipërisë, sepse unë e kam lexuar …, por në Shqipëri e përmban Kushtetuta që presidenti duhet të ketë jetuar në vend për 10 vitet e fundit. Pra, sipas Kushtetutës Lea nuk mund të bëhet Presidente”. [Intervistë e Lea Ypit për “Tirana Post”, 1 maj 2022, teksti në anglisht].

Mirëpo mund të argumentohet se kandidati për president i Republikës duhet t’u përmbahet minimalisht edhe kritereve të kandidimit dhe zgjedhjes së deputetit, të parashikuara në Nenin 69 të Kushtetutës. Më konkretisht, askush nuk mund të kandidojë dhe as të zgjidhet si deputet nëse nuk heq dorë paraprakisht nga detyrat apo funksionet e veta publike, shtetërore, ushtarake, diplomatike etj. Përndryshe, mandati i tij është i pavlefshëm.

Pra, pyetja e tretë që bëhet është nëse presidenti i zgjedhur i përmbushi kriteret që i kërkohen kandidatit për deputet, gjegjësisht “heqjes dorë nga detyra e ushtarakut të shërbimit aktiv”? Këtu, gjithsesi duhet të kemi parasysh një dallim thelbësor, kandidimi i deputetit është proces aktiv, pasi deputeti e përmbush dhe e shpall vetë kandidimin e tij/saj. Kurse për presidentin, procesi i “kandidimit” është pasiv, ose vjen si rrjedhojë e propozimit nga një palë e tretë që, gjithsesi, ka pushtet vendimmarrës dhe zgjedhës.

Dihet se gjenerali kandidat “e kuroi” anomalinë kushtetuese dhe u dorëhoq menjëherë nga shërbimi sapo emri i përzgjedhur nga socdeputetët u shpall botërisht. Presidenti në largim, i ndodhur në Stamboll, ose në kryeqytetin e Shqipërisë parapavarësore, e nënshkroi me ngutje dekretin e lirimit të nesërmen, më 4 qershor 2022. Në një paralelizëm humoristik, kjo do të ishte njëlloj sikur presidenti i parë amerikan George Washington të nënshkruante nga Londra një dekret të ngjashëm për presidentin e dytë amerikan, John Quincy Adams.

A u krye, pra, para apo pas momentit të “kandidimit” akti i “kurimit” të mospajtimit të të qenët ushtarak i shërbimit aktiv? Nëse momenti i kandidimit ka rëndësi materiale për zgjedhjen e presidentit, sikurse ka edhe për deputetin, atëherë ngrihen pikëpyetje të arsyeshme, nëse si “moment i kandidimit” mund të konsiderohet përzgjedhja e bërë nga “grupi i punës” i deputetëve socialistë. Dhe, përgjithësisht, a është në pajtim me Kushtetutën procesi në tërësi i “përzgjedhjes” dhe i “kandidimit” të kryetarit të ri të shtetit?

Sa më sipër nuk mëton kurrsesi të hedhë hije dyshimi ndaj presidentit të zgjedhur. Madje koha mund të tregojë se ai mund të dalë si më i miri kryetar shteti që nga koha e Princ Vidit.

Mirëpo, në praktikë, disa kryetarë shtetesh a qeverish nëpër botë, edhe pse në detyrë, konsiderohen jo rrallë si “patokë të çalë”, në kuptimin, sipas zhargonit, e “një politikani të paaftë që të bëjë diçka thelbësore.” I tillë, për shembull, është konsideruar Kryeministri italian Draghi, pasi ai nuk erdhi në pushtet si përfaqësues i një partie, i zgjedhur nga populli. Apo Presidenti francez Macron, sidomos kur partia e vet humbi shumicën në Parlament. Ose Presidenti amerikan Biden, kur u mësua se partia e tij nuk mund të ndërmerrte reformat e thella në funksionimin e Senatit. Nëse Presidenti i sapozgjedhur i vendit do të jetë “patok i çalë”, ende pa filluar detyrën, këtë nuk mund ta themi.

Pavarësisht nga kjo, ndofta e gjithë procedura e kandidimit dhe e zgjedhjes së kryetarit të shtetit, për vetë rëndësinë e postit dhe dinjitetin e shtetit, lyp transparencë dhe kontroll të thellë e të posaçëm. Si minimum, rezultatet e preferencave të deputetëve socialistë duheshin shpallur publikisht. Përveç kritereve të komanduara politikisht, populli duhet të dinte se cilët kandidatë kishin marrë shumicën e votave parapëlqyese nga deputetët socialistë. Përse, pra, nuk u shpall lista?  Përse u mbajt gjithçka e fshehtë, më keq sesa në këshillat e kardinalëve gjatë zgjedhjes së Papës?

Këtu ka vend edhe për një koment sugjerues për gazetarët e kronikave të zeza, të verdha apo të ngjyrave të tjera në tregun mediatik shqiptar. Në një vend ku sekretet janë fare të pakta dhe ku gazetarët marrin vesh thuajse gjithçka që ndodh, çuditërisht atyre u ka munguar kureshtja më themelore profesionale për të mësuar përmbajtjen dhe renditjen e listës “sekrete” të deputetëve socialistë.

Përfundimisht, ka rreth 15 vjet që zgjedhja e presidentit në Shqipëri bëhet me shumicë të thjeshtë parlamentare. As populli nuk pyetet fare dhe as opozita nuk e ka mbështetur zgjedhjen e presidentit të kandiduar, që, në fund të fundit, përfaqëson unitetin e popullit. Kjo gjë nuk shkon më. Në rastin më të mirë, për zgjedhjen e presidentit ose duhet të rivendosen dispozitat kushtetuese të shfuqizuara me amendamentet e vitit 2008, që detyronin arritjen e pajtimit dhe konsensusit midis palëve për gjetjen e një personaliteti vërtet përbashkues, ose përndryshe ka ardhur koha e një amendamenti kushtetues, që të mundësojë zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli.

© 2022 autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin