SEKRETI I HOMERIT

nga Tannhäuser

Janë bërë shumë vite që kur kam ndeshur një teori interesante për identitetin e Homerit dhe, sa herë që i kthehem Iliadës dhe Odisesë është e pashmangshme që të mos i shikoj këto dy vepra nën këtë prizëm që do parashtroj më poshtë. Teoria është edhe zbavitëse, edhe më plotëson kushtet personale që kam për autorin dhe veprën, por, dhe këtu nuk jam objektiv, më përmbush parafytyrimin tim rreth heronjve homerikë që më kishin pushtuar imagjinatën kur isha fëmijë.

Teoria e artikuluar nga autori Kostas Doukas në librin e tij Sekreti i madh i Homerit (Το Μεγάλο Μυστικό του Ομήρου, v. I-II, bot. «Δωδώνη», Athinë – Janinë 1993) thotë se Homeri dhe Uliksi janë në fakt i njëjti person. E thjeshtë, ashtu siç ndodh shpeshherë me teoritë brilante, qasja e Doukës mbështetet kryesisht në argumente të brendshme të tekstit (faktologjike) por edhe në rezultate të arkeologjisë bashkëkohore (vetë Douka mbështet gjetjet dhe teorinë e arkeologut gjerman Dörpfeld mbi Itakën). Autori i është kushtuar veprës së Homerit për më se tridhjetë vjet duke prodhuar përveç librit të sipërpërmendur edhe një varg librash të tjerë me temë Homerin dhe gjuhën e tij (jo plotësisht shkencorë) por ka bërë edhe një përkthim mjeshtëror të Iliadës dhe Odisesë ku jo vetëm është ruajtur metrika (që është në vetvete një arritje kolosale) por është përpjekur të ruaj edhe fjalët e Homerit që mbijetojnë në greqishten moderne.

Literatura mbi Homerin është e madhe, madje vështirë të ndiqet nëse dikush nuk është ekspert. Në të është trajtuar pothuajse çdo aspekt i veprave, si nga ana letrare ashtu edhe nga ana historike. Mjafton të hedh dikush një sy botimeve The Iliad: A Commentary (nga Cambridge University Press) dhe A Commentary on Homer’s Odyssey (nga Oxford University Press) të përpunuara nga autoritete të fushës dhe që paraqesin dijen e arritur mbi temën, që të kuptojë se edhe pse janë analizuar edhe hollësirat më të vogla, interesi i botës shkencore nuk do shuhet kurrë për këtë perlë të letërsisë greke. Po sjell një shembull; vetëm për të sqaruar episodin e sëpatave dhe të shigjetës ku Penelopa teston mëtonjësit, helenistit të mirënjohur Manuel Fernández-Galiano i duhen rreth pesëmbëdhjetë faqe teksti dhe citime nga po aq autorë dhe vepra shkencore.

Por ndodh që ndonjëherë ekspertëve u mungon një kthjelltësi mendimi apo një frymëzim i çastit, që i pengon të shikojnë një realitet përndryshe të qartë dhe që madje nuk përpiqet të fshihet. Kisha lexuar diku një rast që e përmendte një autoritet i filologjisë greke të shekullit të kaluar, dhe homerist i shquar, Ioannis Kakridis, për botuesin jo-grek të një teksti papirik ku nuk kuptonte shprehjen “bukë të thatë” që gjeti në tekst. Papirusi përmbante një letër ku dikush i ankohej pronarit të tokës t’i ulte taksën sepse toka nuk kishte dhënë prodhim dhe i shkreti nuk kishte as bukë të thatë. Botuesi që nuk e njohtë këtë shprehje që ekziston edhe sot e kësaj dite në greqishte mendonte se kjo shprehje mbase kishte të bënte me ndonjë epokë thatësire. Dikush nga filologët e tjerë, prapë jo-grek e shpjegonte shprehjen në mënyrë alegorike. Pra një shprehje përndryshe e thjeshtë, që nuk shkakton asnjë kokëçarje për një grek të thjeshtë kishte shkaktuar probleme interpretimi për një varg ekspertësh filologë.

Të kemi parasysh këtu rastin e Schliemann-it i cili ndeshi një kundërshtim nga akademikët e kohës e cila arriti kulmet e armiqësisë vetëm se ky i besonte verbërisht Homerit, dhe kur puna e tij dha rezultate, kritika u kthye në metodën sesi i kishte zhvilluar kërkimet arkeologjike (jo tërësisht pa të drejtë). Mirëpo ata që nuk pajtohen me Schliemann-in, nuk pajtohen as midis tyre, dhe kështu polifonia shkencore nuk bie dakord as në gjera elementare, si datimi i varrezave mikenase, diferenca kohore e të cilave arrin dhe i tejkalon treqind vjet. E njëjta gjë ndodhi edhe me kërkimet e Dörpfeld-it i cili lokalizoi Itakën në ishullin e Lefkadës dhe kërkimet e tij sollën në dritë shumicën e vendeve që përmend Odiseja, si Shpella e Eumeut, Kroi i Ujit të Zi etj. Edhe Robert Graves, njohës i thellë i literaturës klasike dhe mitologjisë greke, me gjithë interpretimet e tij shumë herë inovative dhe përmbysëse në veprën e tij The Greek Myths ku gjen heronjtë homerikë të përmenden edhe në Dhiatën e Vjetër, nuk gjeti mbështetjen e duhur në botën akademike.

Pra, nëse historiciteti i Iliadës dhe i Odisesë në pjesët më kryesore të tyre na jep mundësinë të shkojmë një hap më tutje duke inkuadruar edhe personazhet e temës, kjo ngelet për tu provuar. I kthehemi prapë Doukës dhe teorisë së tij. E mbështetur në fakte të brendshme të eposit, teoria nuk ka të meta që ta kufizojnë dhe në dukje nuk dhunon ndonjë rregull të mitit. Dobësia dhe njëanshmëria që ka treguar Homeri për Uliksin është vënë në dukje qysh në lashtësi. Një nga dy veprat kryesore i është kushtuar plotësisht atij. Në fund të fundit me dredhinë e tij ra Troja. I përkëdheluri i Atenës. Po ashtu nuk është diçka e panjohur se nuk flitet keq për të as tek Iliada, as tek Odiseja. Si personazh nuk është as më i pasuri, as më i bukuri, as më shtatlarti (siç dëshmohet nga vetë Helena kur i paraqet Priamit mbretërit e akenjve nga muret e Trojës). Të gjitha këto i kompenson me mençurinë, dinakërinë, shkathtësinë dhe djallëzinë e tij. Por edhe këtu nuk është më i mençuri. Më i mençuri i akenjve që ishte Palamidi nuk përmendet fare në tekst (fakti del nga tradita e mëvonshme ku thuhet se Homeri nuk e përmend nga lakmia e tij. Kështu të paktën shprehen Eskili, Sofokliu dhe Euripidi që kanë shkruar tragjedi për Palamidin). Vetëm ndonjëherë luan me emrin e tij duke e quajtur “fëmija e urrejtjes” (Homeri me anë të etimologjisë popullore e shpjegon emrin Odysseas nga fjala odyssasthai që do të thotë i urryer. Sot kjo etimologji nuk pranohet nga gjuhëtarët), sepse i pëlqen roli i të persekutuarit, i të përndjekurit, i të lodhurit dhe i të vuajturit.

Po ta lexojmë Iliadën (sepse tek Odiseja është personazh kryesor) nën këtë këndvështrim, pra se vetë autori Homer është edhe personazhi Uliks atëherë na dalin parasysh edhe fakte të tjera. Nëse e imagjinojmë Uliksin si qendër të gravitetit, ngjarjet kanë më shumë detaje sa herë ndodhin afër tij, dhe sa më shumë largohemi nga ai aq më shumë zbehen hollësirat. Pra ndodhitë përshkruhen nga ana e Homerit në dy mënyra. E para është kur Homeri i paraqet si dëshmitar okular dhe e dyta kur Homeri i paraqet ato në mënyrë indirekte sikur t’i kishte dëgjuar të rrëfyera nga të tjerë ato. Prandaj kur Homeri tregohet jo-koherent me ngjarjet nuk kemi doemos ndonjë lajthitje të eposit, veçse atëherë kemi një autor që nuk bazohet në informacione të sakta. Po jap një shembull. Priami mbret dhe Priami që shkon tek Akili për të blerë trupin e Hektorit nuk janë i njëjti person. Priami i dytë nuk është gjë tjetër veçse shërbëtori i posaçëm që dërgonin palët kundërshtare njëra-tjetrës për të shkëmbyer ose për të blerë trupat për varrim/djegie. Ka edhe personazhe të tjera që janë në fakt disa personazhe bashkë por nuk do zgjatem më shumë këtu.

Ka dy faktorë kryesorë këtu që përbëjnë pengesë për teorinë e Doukës.

Faktori i parë është koha e shkrimit të veprave. Nëse Homeri është Uliksi atëherë kur janë shkruar Iliada dhe Odiseja? Përgjithësisht sot datimi i veprave bëhet në bazë të hyrjes së alfabetit në arealin grek nga fenikasit në shekullin VIII p.K. të mbështetur tek mbishkrimi i Dipylos. Mirëpo vetë Homeri kur përshkruan episodin e Bellerophontes-it (kënga VI, 155-203) përshkruan njëfarë shkrimi i cili e ka ndarë botën shkencore më dysh. Në ata që e marrin të mirëqenë ekzistencën e shkrimit në epokën e Homerit dhe, në ata që shprehen se nuk kemi të bëjmë me një shkrim por thjeshtë me shenja. Deshifrimi i Linearit B tregoi se greqishtja shkruhej edhe shumë shekuj para datimit standard të hyrjes së alfabetit në Greqi, por tekstet që kanë mbijetuar nga epoka mikenase nuk janë veçse tabela administrative dhe llogari të pallatit. Kaq taksa, kaq prodhim, kaq kafshë. Jo ndonjë poemë epike.

Një të dhënë interesante na e jep fjalori enciklopedik bizantin Suda (ose Souda, ose Suida), i cili tek zëri Corinnus i Trojës (Κόριννος Ἰλιεύς) thuhet se Iliada u përpilua me shkronjat dorike kur lufta e Trojës po vazhdonte ende. Pra nëse i japim varësi kësaj tradite atëherë kemi kapërcyer një problem parësor. Ka një teori këtu, që nuk do zgjatem shumë, që thotë se alfabeti i importuar nga fenikasit ishte përhapur në shtresat e ulëta të popullsisë kurse Lineari B përbënte shkrimin e administratës konservatore. Poemat Homerike nuk përbënin gjë tjetër veçse këngët popullore të kohës, prandaj edhe u regjistruan herët me alfabetin fenikas. Dyndja dorike e cila përbëri edhe fundin e epokës mikenase solli edhe fundin e shkrimit linear duke adoptuar për administratën e re (dhe jo vetëm) alfabetin. Prandaj edhe tradita e quan alfabetin si shkrim dorik. Këtë teori e përforcon edhe fakti se ishulli i Qipros i rezistoi alfabetit gjer në pushtimin e saj nga Aleksandri i Madh ku u imponua me forcë (gjer atëherë vazhdonin të përdornin shkrimin që njihet si Cypriot syllabary, derivat i Linearit A). Ngjall një interes ky dualizëm që ka patur greqishtja gjer në epokën moderne me një koine popullore dhe me një gjuhë arkaike po ashtu edhe me një shkrim me shenja diakritike dhe me një të thjeshtësuar.

Faktori i dytë është vetë gjuha e Homerit (dhe këtu nuk e kam fjalën për gegnishten).

Gjuha e Homerit është kryesisht dialekti jonian me elemente nga dialekte të tjera të greqishtes si eolishtja, e folur kryesisht në brigjet e Azisë së Vogël dhe në ishujt e Egjeut. Ky fakt ka qenë edhe një nga kryesorët për të lokalizuar vendlindjen e autorit nga ato anë. Por duke patur parasysh se Uliksi me akenjtë e tjerë kaloi dhjetë vjet në brigjet joniane, dhe ra në kontakt me qytetërimin dhe dialektin jonian të ishujve përreth, nuk është vështirë të supozohet se mund të ketë adoptuar për lëvrimin e veprës atë dialekt. Shembuj të tillë nuk mungojnë as nga epoka moderne. Gjithsesi gjuha e Homerit ngelet një gjuhë artificiale, me kuptimin që askush nuk e fliste në jetën e përditshme (ashtu siç nuk është folur gjuha e Shekspirit apo e Fishtës), e përpunuar gjer në kodifikimin përfundimtar të eposit në kohën e tiranit Pisistrat të Athinës.

Douka vëren se Homeri ndalet shpesh në shumë të dhëna të jetës materiale që i bëjnë përshtypje, impresionohet me pasurinë dhe plaçkën e luftës. Përshkrimi i personazheve shoqërohet me regjistrin e pasurisë së tyre, kokëve të lopëve dhe të dhenve. Tek episodi i duelit të Diomedit me Glaukun (kënga VI, 119-236), një nga aktet më fisnike të gjithë eposit, ku dy heronjtë përballen me njëri-tjetrin dhe zbulojnë se familjet e tyre lidhen me miqësi të lashtë dhe vendosin të mos luftojnë më si kundërshtarë dhe t’i shmangen përballimit në betejë duke shkëmbyer armët si gjest pajtimi dhe respekti, Homeri, për habi edhe të Schiller-it vetë (që e krahason këtë episod me atë të Ferragutit dhe të Orlandit), ndalet tek fakti se ky shkëmbim i leverdisi Diomedit pasi armët e tij prej bronzi kushtonin nëntë dema, kurse ato të Glaukut që ishin të arta kushtonin njëqind dema! Këtë sjellje të Homerit Douka e shpjegon me faktin se Uliksi ishte nga mbretërit më të varfër të akenjve; në ekspeditën e Trojës edhe pse ishte sundimtar i disa ishujve, mori pjesë vetëm me dymbëdhjetë anije (numër jashtëzakonisht i vogël), kurse pallati i tij përshkruhet pa salltanete e madhështi; madje edhe dyshemeja nuk ka qenë e shtruar por ka qenë prej balte të shtypur.

Realiteti ka qenë pikërisht ashtu. Mbretërit homerikë nuk kanë qenë veçse kryebarinj të glorifikuar që e matnin fuqinë dhe pasurinë e tyre me kafshë dhe kope. Madje edhe njerëzit më afërt të tyre dhe më të besuarit prapë barinj janë. Nëse i perceptojmë me pallate madhështore, princër e princesha, oborr dhe aristokraci, jemi krejtësisht gabim. Kryebarinj, hajdutë dhe piratë, “profesione” fisnike dhe të ndershme për kohën (gjyshi i Uliksit, Autoliku mbahet si një nga hajdutët më të mëdhenj të mitologjisë greke). Iliada përmend me dhjetëra qytete në brigjet e Azisë së Vogël dhe të Trakës që u plaçkitën gjatë luftës dhjetëvjeçare, fat të cilin pati përfundimisht edhe vetë qyteti i Trojës.

Diçka që më ka bërë gjithmonë përshtypje nga leximi i Homerit, dhe e shikoj edhe si argument tek Douka, është se padyshim autori ka patur eksperiencë luftarake. Nëse ju ka rastisur të lexoni intervista apo të shikoni intervista nga veteranë që kanë vuajtur nga Post Taumatic Stress Disorder (PTSD) do gjeni të njëjtat skena që përshkruan Homeri. Janë skena që u janë ngulitur kaq thellë nga betejat saqë përshkrimi i tyre është i mbushur me detaje të frikshme. Për çdo vdekje Homeri jep detaje të frikshme, sikur ato të kenë ndodhur para tij dhe e kanë shënjuar. Hyn shpesh në hollësira që përndryshe nuk i shërbejnë aspak narratives letrare të tekstit. Asnjëri nuk mund të përshkruajë anatominë njerëzore pa patur një eksperiencë personale ose pa një manual, dhe nuk besoj se poetët epikë kishin manuale të tillë. Masakra që ndodh gjatë Këngës XVI ku Patrokli është i zënë nga tërbimi i betejës apo kasaphana e Akilit gjatë Këngës XXI që mbushi lumin me gjak janë të paimagjinueshme dhe përshkruhen nga Homeri pothuajse me ndot. Luftëtarë që mbajnë zorrët me duart e tyre, ushta të futura në segmentin midis zemrës dhe diafragmës, koka të prera që mbahen vetëm nga një copë lëkure të qafës, grahma dhe ulërima, shtiza të ngulura në sy, arterie dhe vena të çara, kafka të thyera, gjak i zi dhe i kuq që përmbyt tokën e etur, lëvizje automatike të gjymtyrëve kur u është prerë një nerv, trupa që bien me thumbim kur vdekja ka qenë e menjëhershme, të gjitha këto tregojnë jo vetëm se autori ka parë me sy ato që po përshkruan por edhe i janë skalitur në shpirt.

Siç thashë më lart, autori i përshkruan këto skena pothuajse me ndot, me një distancim, kur ato duket se shkelin etosin e luftës, por çuditërisht Uliksi nuk ka pjesëmarrje në skena të tilla madje edhe kur është i pranishëm, i ka duart të pastra. Shembull tipik këtu është Kënga X dhe episodi me Dolonin, ku Uliksi tok me Diomedin kanë dalë natën në një operacion zbulimi dhe kapin Dolonin i cili po ashtu kishte dalë për një operacion të tillë. Edhe pse i premtojnë se do ta lënë të gjallë në shkëmbim të informacioneve, përfundimisht e vrasin. Në fakt, e vret Diomedi, gjithmonë sipas Homerit. Një fakt interesant këtu, Merioni e fton Uliksin të vërë një përkrenare dhe tregon historinë e saj, duke përmendur dhjetëra duar që këmbeu ajo para se të përfundojë tek Merioni. Detaje që nuk i hyjnë në punë lexuesit, por për vetë Uliksin janë shumë të rëndësishme pasi del se përkrenarja në fakt është një relike familjare që dikur e kishte vjedhur gjyshi i tij Autolikus. Pra Homeri – Uliks përshkruan diçka që i përkiste.

Homerit nuk i mungon as “humori i kapanonit”, ngacmimet që bëjnë ushtarët midis tyre, sharjet dhe sarkazmat, që tregon se nuk i është e panjohur jeta ushtarake. Kur Patrokli vret Kebrionin i cili ishte mbi karrocën luftarake dhe ra përtokë, e ironizon të vdekurin duke thënë se bëri një zhytje të mirë duke rënë, madje po ta bënte këtë zhytje në det, do ngopte shumë njerëz me peshq. Kur Idomeneu vret Othryoneun (një luftëtar që i kishte premtuar Priamit se do i hidhte akenjtë në det me kusht që të merrte për grua vajzën më të bukur të tij, Kasandrën), i thotë duke e hequr zvarrë nga këmbët se do gjejë nuse më të mira tek anijet e akenjve.

Përfundimisht, nëse kjo ka qenë dredhia më e madhe e Askushit nuk mund ta them me siguri por mua personalisht më pëlqen ta lexoj Homerin këtej e tutje nën këtë këndvështrim. Dhe ajo që më bëri leximi i Doukës ishte ta rivlerësoj Homerin duke i dhënë ato elemente që nuk i ishin shkëputur që nga lashtësia (edhe Thukididi që është nga kritikët më të ashpër të Homerit nuk dyshon për karakterin historik të tij), pra tërësia historike e veprës, natyrisht krahas vlerave artistike. Se non è vero, è ben trovato.

(c) 2022, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: Ulysses and the Sirens, nga Herbert James Draper.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin