SHKRUAJ PRISHTINËS

Kur institutet e librit në Kosovë nuk organizojnë dot as garë letrare si duhet.

nga Bardhyl Beka

Në fund Prillin e vitin 2020, trinomi Komuna e Prishtinës, Libraria Dukagjini dhe organizata joqeveritare ETEA bashkuan forcat për të organizuar një garë letrare me temë Prishtinën. Dy vite më vonë, në prillin që sapo lamë pas, gara mori përfundim zyrtar, me jurinë që kishte fjalën e fundit të vlerësimit të shkrimtarëve garues. Gara u mbyll, ashtu si filloi: për faqe të zezë. Në këtë shkrim do të shpalos një grumbull dëshmish që pasqyrojnë organizimin e mjerë të kësaj gare, me shpresë për t’i hapur rrugë debatit të domosdoshëm për librin dhe vendin e tij në shoqërinë kosovare. Fundja, kur institutet me profile të ndërtuara rreth librit, dështojnë kaq keq, çfarë mund të presim nga të tjerët? Në veçanti, për keqardhje është roli i Komunës së Prishtinës në krejt këtë mes. Institutet që nuk paguhen nga taksat e qytetarëve mund edhe t’i falim në këtë drejtim, por kur ata që kanë përgjegjësi zyrtare për organizimin e gjithë jetës kulturore të kryeqytetit nuk organizojnë si duhet një garë të thjeshtë letrare, kjo është diçka që do të na duhej të na shqetësonte të gjithëve. Më poshtë po sjellë kronologjinë e gjithë ngjarjes.

Një grumbull të metash në organizim: Çfarë besueshmërie mund të kenë organizimet e tilla?

Sipas detajeve që u bënë publike në prill 2020, tema e kësaj gare letrare ishte kryeqyteti, Prishtina. Kriteret për pjesëmarrje ishin të thjeshta. Pranoheshin shkrime në prozë e poezi, kishte një kufi të sipërm të numrit të fjalëve dhe shkrimet duhet të lidheshin disi me Prishtinën. Më poshtë po rendis disa prej të metave në organizim, që ranë në sy qysh në fillim.

  1. Publikimi i shkrimeve duhet të fillonte me 27 prill dhe të mbaronte me 4 maj 2020, dhe çdo ditë do të publikoheshin disa prej shkrimeve të dorëzuara, pas një vlerësimi fillestar. Fatkeqësisht, data që ishte përzgjedhur nga vetë organizatorët, nuk ishte e përshtatshme për ta. Publikimi i shkrimeve filloi me vonesë disa-ditore dhe shkrimi i parë që doli, s’kishte të bëjë me Prishtinën.
  2. Ndërkohë që shkrimet po publikoheshin, organizatorët vazhdonin të pranonin shkrime të tjera. Rrjedhimisht, vërehej një tendencë plagjiature në shkrimet e reja. Ishte e qartë që disa nga “shkrimtarët” po lexonin shkrimet që po publikoheshin dhe po përpiqeshin t’i përdornin ato. Në një organizim të rregullt, pranimi i shkrimeve do të duhej të mbyllej para fillimit të publikimit.
  3. Fillimisht, tre fituesit caktoheshin me pëlqime Facebook-u. Kjo u hapi rrugë disa garuesve të shpërfaqnin një mungesë të theksuar të etikës thelbësore: organizonin njerëzit e tyre që t’u jepnin më shumë like (pëlqime). Kjo, kombinuar me pikën 2 më lart, bënte që njerëzit me mungesë etike, gabime të shumta drejtshkrimore e edhe tendenca plagjiati të shpallen fitues. Në fakt të paktën njëri nga tre shkrimet fituese kishte ngjashmëri të theksuar me një tjetër shkrim që kishte dalë më parë.
  4. Edhe me këto kritere, fitueses së garës iu mohua fitorja. Gara duhej mbyllur me 4 maj dhe shkrimi me më shumë pëlqime duhej të shpallej fitues. Mirëpo, këta organizatorë as kritereve që i kishin caktuar vetë, s’u përmbaheshin dot. Afati u shty arbitrarisht për 10 Maj dhe zonjës S.T. me shkrimin, “Prishtinë, përqafimin tënd të parë, nuk e ruaj si kujtimin më të bukur”, iu mohua fitorja, pa kurrfarë shpjegimi të arsyeshëm.
  5. Organizatorët pohonin që kishin pranuar qindra shkrime. Siç ishte thënë qysh në fillim, kishte hapësirë për të publikuar vetëm tre a katër shkrime në ditë. Pra, lypej përzgjedhje e kujdesshme. Mirëpo, nuk duhej sy eksperti për të parë që shkrimet publikoheshin pa kurrfarë vlerësimi. Madje u publikua edhe një shkrim si ky më poshtë, me dy rreshta, që nuk dihej as a ishte i menduar si prozë a poezi, e as që lidhej me Prishtinën, dhe fare lehtë mund të mos i referohej as pandemisë. Për ironi, edhe ky mori më shumë pëlqime se shumë shkrime cilësore.
  6. Edhe aspekti estetik linte shumë për të dëshiruar. Shkrimet po dilnin me shkronja të bardha në të kaltër, sfond që s’ishte aspak i këndshëm për syrin. Pastaj, ato po publikoheshin në kohë krejt arbitrare, duke krijuar diskriminime kohore: Shkrimet që publikoheshin në mbrëmje kishin më shumë gjasë që të lexoheshin e rrjedhimisht të fitonin. Çdo ditë, koha në të cilën dilnin shkrimet ishte krejt arbitrare. Mirëpo, duke parë organizimin skandal të organizatorëve tonë, këto teknikalitete duken tepër fine e me gjasë as që u kanë shkuar në mëndje. Për me keq, shkrimet kishin gabime të tmerrshme drejtshkrimore e gramatike, që me gjasë, duke mos njohur dallimin në mes të dialekteve e drejtshkrimit/gramatikës, organizatorët u munduan t’i fshehin nën pretekstin se pranonin shkrime të cilitdo dialekt.
  7. Shpejt filluan të qarkullonin zëra se organizatorët nuk kishin parashikuar vëllimin e shkrimeve që do të pranonin, ndaj ishin krejt të papërgatitur t’i trajtonin si duhej. Si për të shuar zërat kritike, organizatorët deklaronin që do të formonin një juri profesionale për vlerësim. Mirëpo sa herë që hapej tema e garës, nga lexues kureshtarë që donin të dinin ç‘kish ndodhur me vlerësimin e fundit, organizatorët kërkonin të shmangin prononcime publike. Garat e tjera që kërkonin juri, siç ishte ajo e fotografisë më të bukur, u mbyllen shpejt, por për garën e librit nuk dihej gjë. Arsyet e zgjatjes nuk diheshin saktësisht, por ndihej se kishin të bënin me më shumë sesa me punën e madhe që duhej kryer. Tashmë po mbusheshin dy vite, kur, kah mesi i prillit 2022, më në fund u shpall lista e 40 shkrimeve që do të publikoheshin si përmbledhje, në librin që u titullua, “Prishtinë- muza ime”. Juri u tha se kishin qenë Arbër Selmani, Azem Deliu e Fatime Mehmetaj. Lexuesi i vëmendshëm e kupton që edhe përzgjedhja e teksteve këtu linte shumë për të dëshiruar. Për më tepër, përfaqësuesja e Librarisë Dukagjini pohoi publikisht se shkrimet u ishin ndarë në mënyrë proporcionale tre anëtarëve të jurisë- pra, shkrimet nuk ishin vlerësuar nga tre persona, por shumica prej tyre u ishte nënshtruar vlerësimit të vetëm njërit prej tyre, shijes së tij individuale, ose edhe për më keq, mbase tekave të tij a disponimit ditor. Një organizim profesional nuk do të duhej të varej kaq shumë nga kushte kaq relative.

Po tani? Si t’i japim librit pozitën e duhur në shoqërinë kosovare, në veçanti në organizimet publike?

Le t’i hedhim një sy profileve të organizatorëve, Komunës së Prishtinës, Librarisë Dukagjini dhe OJQ-së, ETEA. Të fillojmë nga këto dy të fundit, që mbase janë më pak të rëndësishme. Fundja, Libraria Dukagjini është biznes që shet libra dhe nuk paguhet drejtpërdrejt nga taksat tona. Ndoshta kjo edhe u jep të drejtë të bëjnë organizime amatore të garave letrare. Në fakt, vitin e kaluar ata organizuan një garë tjetër, po kaq të mjegullt, ku juri e parë u tha që ishin vetë punonjësit e librarisë, e shkrimet e përzgjedhura prej tyre (5 nga 96) vetëm më pas iu dorëzuan një shkrimtari (A.A.) për t’u vlerësuar. As në këtë garë, nuk u publikuan kriteret që ishin përdorur, nuk kishte juri të mirëfilltë e për më tepër as këtu nuk iu përmbajtën dot afateve që i kishin caktuar vetë – fituesit u shpallën me vonesë. Ngjashëm edhe ETEA, një OJQ me organizime, diskutime e punishte rreth librit, që në fund të ditës, organizimet i ka në baza vullnetare, dhe nuk paguhet drejtpërdrejtë nga taksat tona. Po të ishte vetëm për këto të dyja, mbase do të mund të mbyllim një sy edhe për gabimet. Por gjërat i ngatërron prania e Komunës së Prishtinës mes organizatorëve.

Prishtinasit kanë të freskët në mendjet e tyre, zgjedhjen e Shpend Ahmetit në postin e kryetarit të Prishtinës. Ai ishte pritur me entuziazëm nga qytetarët, me shpresën se “njeriu i Harvardit” do të sillte ndryshimet e mëdha. Por në dy mandate të tij, nuk pamë zhvillim të theksuar. I dyti ishte veçanërisht zhgënjyes. Dëshmi, sado e vogël, e këtij keqmenaxhimi të kryeqytetit është edhe vetë organizimi i garës letrare në fjalë. Drejtori i asokohshëm i Drejtorisë së Kulturës, Adrian Berisha, që shpesh dilte më fort si zëdhënës i garës, “Shkruaj Prishtinës”, duke postuar njoftime për garën, do të duhej të sqaronte rolin e drejtorisë që e udhëhiqte në organizim dhe të merrte përgjegjësi për dështimet. Ai rishtazi u shfaq edhe në ekran, bashkë me përfaqësuesit e Dukagjinit e ETEA-së (duke i rrahur shpatullat njëri-tjetrit), duke aluduar për një organizim të suksesshëm – megjithëse as dy vite-gjysmë mandati, nuk i mjaftuan të mbyllte garën, dhe tanimë nuk dihej në çfarë roli fliste për garën. Pse Komuna e Prishtinës, me kryetar të ri, sot nuk ka qëndrime zyrtare për garën? Mos z. Berisha e ka keqpërdorur pozitën e tij për promovime personale? Ai nuk është drejtor kulture më, prandaj roli i tij në organizim do të ishte i përmbyllur.

Njëri nga anëtarët e jurisë (A. S.), duke u përpjekur t’u përgjigjej kritikave, pohoi që të gjithë ata që kishin marrë pjesë në garë e dinin që mund edhe të mos botoheshin – në fakt, kjo ishte përsëritur edhe nga të tjerët para tij. Çfarë arsyetimi patetik! Thuajse kjo e arsyeton këtë organizim skandal. Fakti se e dinin se mund të mos publikoheshin, nuk arsyeton inkompetencën totale në organizim e vlerësim. Kur organizon një garë letrare me premtimin se shkrimet më të mira do të publikohen, domosdoshmërisht duhet të përzgjedhësh më të mirat. S’mund të diskriminosh në bazë të moshës së shkruesve (nëse nuk e ke vendosur në kriteret paraprake), gjinisë apo edhe shijes personale të vlerësuesit!

Unë kam ndjekur garën “Shkruaj Prishtinës” me shumë vëmendje. Kam lexuar të gjitha shkrimet. Ka pasur shkrime shumë cilësore, ka pasur të tjerë që mezi lexoheshin nga gabimet thelbësore. Kam shpresuar në organizim cilësor, trajtim me dinjitet të shkrimtarëve pjesëmarrës dhe përfundimin me një përmbledhje cilësore të shkrimeve. Mjerisht s’kam marrë asnjërën nga këto.

Organizatorët, në veçanti ata që paguhen nga taksat e qytetarëve, nuk duhet t’i lejojnë vetes të bëjnë gabime që nuk ua fal dot as letërsia e as kultura e një vendi. Ju duhet ta dini për ndikimin psikologjik që mund të keni mbi garuesit që kanë shkruar shkrime shumë të bukura, kanë dhënë nga koha e tyre, nga vetja, nga shpirti i tyre, por pastaj janë keqvlerësuar. Shumë prej tyre, nga modestia, kanë heshtur para padrejtësive që u janë bërë. Kam shkruar këtë shkrim me ta në mendje dhe ua dedikoj atyre. Dua që të mos ndalen së shkruari, sepse nga dhoma e tyre, nga tavolina ku shkruajnë mund t’i japin botës shumë. Mua më kanë dhënë. I kam lexuar me qejf.

Ndërkohë, me aq sa gjykoj unë, më e pakta që mund të bënin organizatorët është të kërkonin falje për gabimet. E kuptoj se diskutimet për librin rrallë marrin vëmendjen e opinionit publik, megjithatë desha t’i shpreh mendimet e mia, në mënyrë që ajo që unë e konsideroj si të vërtetë të mos humbet pa gjurmë. Qëndrimet e mia këtu nuk shprehin një shpërthim emocional, por një përpjekje për të zbuluar gjerë në detaj prapaskenat e organizimit dhe një ftesë për vëmendje e përmirësim. Shpresoj se organizatorët do t’i adresojnë gjithë pikëpyetjet e ngritura.

Po e mbyll me shpresën se do të nxjerrim konkluzione të shëndetshme nga gjithë kjo ngjarje e se Republikës së Kosovës do t’i shtohet numri dhe cilësia e organizimeve letrare e kulturore.

© 2022 Bardhyl Beka. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Këshillohuni drejtpërdrejt me autorin, për ndonjë ribotim të mundshëm.


Shënim i redaksisë: nuk i kemi verifikuar dot faktet e sjella nga autori, më mbështetje të kritikave që bën. Ftohen palët e prekura të përgjigjen, duke na dërguar për botim kundër-argumentet e tyre. Në “Peizazhe të fjalës” debati është i vetmi autoritet.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin