AFORIZMA NGA OSCAR WILDE (I)

përkthyer nga Alen Bejko


DISA DEVIZA PËR NXËNIEN E TË TEJARSIMUARVE

Arsimi është i admirueshëm. Sidoqoftë, është mirë të kujtohet hera-herës se asgjë çka ia vlen të dihet nuk mund të mësohet.

Opinioni publik ekziston vetëm aty ku nuk ka ide.

Anglezët i ulin përherë të vërtetat në fakte. Kur e vërteta kthehet në fakt, ajo e humbet të gjithë vlerën intelektuale.

Është tepër e trishtë që ditët e sotme ka kaq pak informacion të padobishëm.

E vetmja lidhje që na ka mbetur mes Letërsisë e Dramës tani në Angli, është programi i shfaqjes.

Në kohërat e moçme librat i shkruanin letrarët dhe i lexonte publiku. Ndërsa sot i shkruan publiku dhe nuk i lexon askush.

Shumica e grave janë kaq artificiale sa që e nuk kanë shqisën e Artit. Ndërsa shumica e burrave kaq natyralë sa që nuk e kanë shqisën e Bukurisë.

Miqësia është shumë më tragjike se dashuria. Zgjat më tepër.

Ajo çka është anormale në Jetë ka marrëdhënie normale me Artin. Është e vetmja gjë në jetë që i ka marrëdhëniet e këtilla.

Subjekti që është i bukur në vetvete nuk i jep kurrfarë sugjerimi artistit. I mungon papërsosmëria.

E vetmja që nuk arrin ta shquajë artisti është e dukshmja. Ndërsa e vetmja gjë që arrin ta shquajë publiku është po ajo. Rrjedhoja është Kritika e Gazetarit.

Arti është e vetmja gjë serioze në botë. Dhe artisti i vetmi person që nuk është kurrë serioz.

Për të qenë vërtet mesjetar duhet të jesh pa trup. Për të qenë vërtet modern duhet të jesh pa shpirt. Ndërsa për të qenë vërtet grek duhet të jesh pa rroba.

Dandizmi është pohimi i modernizmit absolut të Bukurisë.

I vetmi ngushëllim i mundshëm për varfërinë është shkapërdarja. Ndërsa për pasurinë, kursimi.

Nuk duhet dëgjuar asnjëherë. Të dëgjuarit është shenjë mospërfilljeje ndaj dëgjuesve.

Edhe dishepulli e ka dobinë e vet. Ai rri pas fronit dhe në çastin e ngadhënjimit të pëshpërit në vesh se, fundja, je i pavdekshëm.

Klasa kriminele është kaq pranë nesh sa mund ta shohin dhe policët. Dhe kaq larg sa mund ta kuptojë veç poeti.

Ata që i dashurojnë zotat, rinohen.

 

Botuar për herë të parë në Saturday Review më 17 nëntor 1894.

 

 

 

 

About the Author

Alen Bejko është historian dhe përkthyes e redaktor letrar. Shkruan më së shumti për tema të kulturës dhe të shoqërisë. Është i dhënë pas aventurave në det të kapiten Aubrey-t e dr. Maturin-it, si dhe muzikës së Mahlerit.

Author Archive Page