FEREXHEJA

(tregim nga Ajkuna Dakli)

 

– Adelina!

– Po zysh.

– Pse vjen në shkollë me pantallona? Shkolla ka uniformë, nuk është han!

– Nuk gjeta copë për përparëse, zysh.

– Posi moj! Po të tjerat ku i gjetën copat? Vjen se do të ndjekësh modën ti, prandaj vjen në shkollë me pantallona! U bëre ti! Apo do tregosh linjat e trupit???!

Adelina nuk u përgjigj. Kishte kapur me të dy duart syprinën e bankës, dhe rrinte në këmbë me njërin sup të zhytur poshtë dhe tjetrin me lart, shpinën të shtrembëruar dhe me sytë e vëngër shikonte me indiferencë mësuesen. Fytyra i kishte marrë një pamje tejet të bezdisur. Nga pas qafës i vareshin ca bishta flokësh të verdhë të prera bisht pëllumbi, modë kjo e huazuar nga revizionistët jugoslllavë, që konsiderohej gjithashtu shfaqje e huaj.

– Po nuk ka copë të zezë zysh! Ku ta gjej? – përtypi nëpër dhëmbë një përpjekje të fundit për vetëmbrojtje.

Kjo e bëri M.L., mësuesen tonë të historisë së PPSH të ngrejë vetullën me zemërim. E gjatë, e thatë, e sigurt te vetja si e afërme e dikujt në komitet, me trikon akrilik rozë me gërsheta dhe fundin veref me kuadrate që konsideroheshin si kulmi i modës (së lejuar), ajo dukej mishërimi i së resë së brumosur me mësimet e partisë që e di mirë se ku është thana e kufirit.

– Po të tjerat ku e kanë gjetur???? Sheh ndonjë tjetër me pantallona ti?

Në këtë çast, klasa ktheu kokën nga unë gjë që e bëri edhe zysh M.L. të kthejë kokën gjithashtu. Edhe unë kisha ditë që vija në shkollë me një palë pantallona teritali ngjyrë kafe me vija, që kishin dalë nga fondi i rrobave të falura nga tezet e mia të reja, këmishë me jakë të bardhë dhe një jelek akriliku ngjyrë qielli, me kuadrata kafe, të gjatë aq sa të fshihte mirë ato linjat që sapo përmendi zysh M.L. Duhet thënë, se jeleku kombinonte për dreq mirë me pantallonat, gjë që mund të interpretohej si tendence për ndjekje mode, po këto të fundit ama qenë të drejta, të gjëra aq sa duhet, dhe, të veshura në rrethana të tjera, nuk do linin asnjë hije për dyshim.

Po jo në këtë situatë.

Prita disa sekonda të dëgjoja emrin tim, po M.L. më hodhi një vështrim të hutuar, i tha Adelinës se të hënën e donte në shkollë me përparëse të zezë, u kthye te regjistri dhe vazhdoi mësimin.

E kuptova që unë kisha qenë dëm kolateral, po sidoqoftë, siç erdhën punët situata kërkonte zgjidhje. Ula kokën dhe hodha sytë në libër, po nuk lexoja dot asnjë rresht. Isha skuqur deri në rrënjë të flokëve, jo për përmendjen e ndjekjes së modës : unë nuk isha shquar ndonjëherë për prirje të tilla dhe nuk kishte arsye të merakosesha për këtë.

Ajo që më dogji ishte përmendja e linjave të trupit në sy të klasës. Më dukej se më kishin marrë nderin. E kuptoja që nuk kishte nisur për mua, po tani që ajo bombë u lëshua dhe, dashur padashur ndjehesha e përfshirë.

Zilja ra për fat, dhe unë u çova dhe vrapova pas M.L. në korridor. I kërkova leje të flas me të për disa minuta dhe i shpjegova duke mu marrë fryma, se, arsyeja që unë vija në shkollë me pantallona, nuk kishte të bënte aspak me dëshirën për të treguar linjat e trupit tim, por me grisjen e papritur e përparëses sime të vjetër në një kohë të papërshtatshme, kur copat e zeza në dyqane ishin mbaruar. Madje edhe në dyqanin demode të fshatit ku punonte mamaja ime mësuese, shtova duke vënë theksin te profesioni fisnik i nënës sime. Dhe meqë ra fjala, vazhdova oratorinë time pa e lënë M.L. të bëjë gëk, prindërit e mi janë në dijeni të faktit, e dinë se si vishem unë kur vij në shkollë, dhe nëse ajo donte, mund t’i sillja të dy të flisnin me të.

Kërkesa e fundit, mesa duket e kapi M.L. gafil, sepse nuk e kishte pritur një kundërsulm të tillë. Më hodhi një vështrim shkurt, nga lart poshtë, hungëroi se nuk ishte e nevojshme të sillja prindërit në shkollë, po duhej sidoqoftë të gjeja një përparëse, ktheu shpinën dhe, duke tundur si një lavjerrës në njërën dorë, çantën e vogël, e cila gjithashtu konsiderohej si kulmi i modës (së lejuar) për kohën, u largua drejt sallës së mësuesve.

***

– Shumë mirë i ke thënë – tha nëna pasi i tregova ngjarjen. Vij unë në shkollë po deshe.

– Problemi është, ma, që duhet gjetur një përparëse. Është rregull.

– Ti e di që kam kërkuar.

– E di – thashë unë – po të mendohemi. Nuk ka ndonjë fustan të zi të vjetër, a një gjë tjetër që mund ta sajosh?

– Nuk di – u përgjigj ajo. – Më duket se i kam kontrolluar të gjitha qoshet. Pashë sot prapë në demodenë e fshatit, po nuk kishte copë të zezë. Në mapo nuk ka e nuk ka. I kam porositur gjithë shoqet e mia po u ra në dorë. Ku ta gjej?

– O ma, – thashë e bezdisur – Unë nuk dua të dëgjoj për linja të trupit në sy të klasës prapë.

Ajo heshti një hop. Të mendohem, tha pastaj, kemi tre ditë kohë deri të hënën, dhe iku të merrej me punët e veta.

Tri ditë nuk janë aq shumë mendova dhe e ndjeva veten pa shpresë. Më dukej e pamundur të shkoja prapë si dele e zezë për një arsye kaq banale. Ajo dreq përparëse që nuk u gris më parë, thashë me vete, atëherë kur ishe akoma në kohë të gjeje një copë të zezë në dyqane.

Po bëja plane të mungoja të hënën, ose të paktën në ditët që kishim histori PPSH, kur gjyshja na thirri të dyjave me nënën në dhomën e saj dhe deklaroi se do hapte sepeten.

Megjithëse e dija pothuaj përmendësh përmbajtjen e saj, hapja e sepetes ishte gjithnjë ngjarje interesante : njëlloj parade mode ose vizitë në një muze artizanal. Prej saj, dilnin me radhë çarçafë e mbulesa të qëndisura me gjergjef, kuverta pajash, xhybja prej kadifeje vishnje e qëndisur me fije ari dhe veshja e linjtë e bardhë që gjyshja i kishte veshur kur kishte ardhur nuse, ca jastëkë ngjyrë vjollcë, edhe këta kadife të qëndisur me fije ari, mbulesa tavoline dhe peceta buke të qëndisura me fije mëndafshi që përdoreshin kur vinin miq…..

Nuk e kisha fort të qartë nëse sepetja ishte zbrazur ndonjëherë deri në fund para syve tanë, po nga ekspozimet e mëparshme, nuk mbaja mënd asgjë të zezë. Prandaj shqeva sytë kur nga ajo, doli një si fustan i gjatë i zi prej kambriku të butë me shkëlqim.

– Ferexheja e nënës sime – tha gjyshja

– Nëna jote ka veshur ferexhe? – iu drejtova gjyshes

– Po – tha ajo – ashtu ishte zakon.

– A të bën punë? – iu drejtua nënës.

– Po – tha nëna.

– Besoj se po. Kambriku qenka shumë i mirë. Shumë më i mirë se këto sintetiket që shesin këto ditë. Faleminderit – shtoi pastaj.

Në të vërtetë, sepetja ishte hapur edhe njëherë tjetër për mua. Isha në fillore, më duhej një pallto, dhe gjyshja nxori që andej një xhubletë shajaku vishnje të tim gjyshi që vinte erë bar mole, megjithëse, nuk i kishte shpëtuar dhëmbëve të tyre të vegjël.

Po me të, nëna ime sajoi një pallto dopiopet, me jaka të rrumbullakëta me shirit ngjyrë rozë, dhe mbi to një jakë pelushi rozë që nuk di nga e gjeti. Merret vesh që palltoja, ose unë me pallton, ramë menjëherë në sy në shkollë. Askush, askund nuk kishte parë një të tillë, dhe thashethemi se ma kishte sjellë dikush nga jashtë u duk për ca kohë i besueshëm. Derisa nëna, e shoi kureshtjen e mësueses kujdestare, dhe të gjithë e morën vesh që, ajo që unë vishja aq krenarisht, ishte një xhubletë shajaku burrash e shekullit të kaluar.

Po ajo qe tjetër histori, sepse xhubleta përveç të ngrënave nga mola nuk kishte gjë për të fshehur. Përkundrazi, mund të mburreshe me ruajtjen dhe transformimin e vlerave dhe traditës kombëtare të përdorimit të materialeve të leshta, për qëllime të dobishme.

Ndërsa ferexheja me karakterin e saj fetar, dhe sidomos fakti që gjyshja e kishte ruajtur kaq gjatë, të jepte ndjesinë e njëlloj kompliciteti me fenë.

– Po pse e ke ruajtur?

Po me intrigonte jo vetëm arsyeja e ruajtjes, po edhe fakti që ajo veshje nuk ishte shpalosur kurrë më parë, në paradën e zakonshme të sendeve të vjetra që ruheshin me aq kujdes.

– Nuk thua shyqyr? – tha nëna – Se më ranë këmbët duke kërkuar. Ja u zgjidh.

Nuk pyeta më. Pas disa orësh në makinën qepëse, përparësja ishte më në fund gati dhe të dy gratë shihnin me kënaqësi pas kurrizit tim, pamjen time në pasqyrë. Një rrip i hollë lëkure që nuk di si u sajua edhe ai, një palë jaka të bardha dhe ja ku isha, e paqtë dhe e rregullt, si dele e bardhë e tufës edhe unë.

***

Të hënën bëra sikur nuk e pashë M.L. kur më kaloi pranë. Po ajo nuk e la t’i ikte rasti nga dora.

– E shikon? – më tha duke më qëndruar përballë – që nganjëherë nuk tregohemi syhapur sa duhet ndaj shfaqjeve të huaja? Ja e paske gjetur copën për përparëse!

E vështrova dhe nuk fola. Preka me dorë kambrikun e butë të ferexhesë se stërgjyshes që m’u kishte gjendur në ndihmë në luftën kundër shfaqjeve të huaja dhe m’u qesh.

© 2022 Ajkuna Dakli. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin