DEIRDRE JU PËRSHËNDET

E kisha lënë të hapur faqen kryesore të gazetës “Panorama”, kur nuk di si më kish rrëshqitur poshtë, te rubrika “Lifestyle”, dhe ashtu lexova tituj të tillë si:

“Bëra seks me një burrë. Si ia zbuloi e dashura tradhtinë 36-vjeçarit.”

“Bëmë seks në tualet dhe tavolinën e shefit.”

“Gruaja s’donte, tha ik bëj seks me të tjera.”

“Kreva marrëdhënie seksuale me tre gra, por…”

“Mashtruese seriale, flirton me çdo mashkull që takon”

Dhe të tjera si këto, që gazeta i ka botuar këto 2-3 ditët e fundit.

Shkrime të tilla “Panorama” i merrka nga rubrika “Deirdre” e tabloidit The Sun.

Me gjasë, ato i përkasin “stilit të jetesës” në Britaninë e madhe, edhe pse funksioni i rubrikave të tilla, në tabloidët, është më tepër që të nxitin – si me thënë – të kruarit poshtë.

Ngaqë faqet online të mediave të Tiranës nuk kanë materiale ç’t’i japin rishtas lexuesve, kuptohet se do të rrëmojnë poshtë e lart në ueb.

Që u jepet përparësi, për “stil jetese”, materialeve të tilla, kjo tregon edhe cilëve lexues u drejtohet faqja kryesore e “Panoramës.”

Në parim, është mirë që mediat të flasin për problemet e çifteve dhe seksualitetin; sërish në parim, është mirë që mediat të flasin për problemet e çifteve dhe seksualitetin e lexuesve të vet, jo të lexuesve të tabloidit The Sun.

Dyshimi im është se “Panorama” i nxjerr këto materiale jo sepse kërkon të edukojë lexuesit, por sepse kërkon t’i zbavitë me histori pikante.

Një emër tjetër për këto histori, sidomos kur ato mblidhen bashkë dhe krijojnë masë kritike, është trash.

Problemet dhe konfliktet me natyrë seksuale që të bëhen shkas për stres, vuajtje dhe konflikt, kthehen në trash kur i shërbehen lexuesit për dëfrim.

Edhe tekstet që sillen kanë natyrë konfesionale: lexuesit – sërish në parim – i rrëfehen dikujt për një hall që kanë, me shpresë se do të marrin këshillë dhe se këshilla kushedi do t’u vlejë edhe të tjerëve.

Publikimi i këtyre “konfesioneve” me gjasë “private” nxit instinktet voyeuriste tek ata që i shohin dhe i lexojnë; pa folur pastaj për fotot shoqëruese, të cilat janë edhe më trash se tekstet.

Me gjasë, këto letra dhe rrëfime janë të sajuara, për një operacion mediatik të The Sun, i cili i përshtatet një kategorie lexuesish të atij tabloidi.

Mirë do të ishte që “Panorama” të fliste për problemet e seksit dhe të çiftit që mundojnë vërtet lexuesit e vet, në kontekstin social të Shqipërisë që është shumë i ndryshëm nga ai britanik.

Seksi në Shqipëri sot mbetet i kushtëzuar, madje i rrezikuar sa nga moraliteti patriarkal, aq edhe nga kriza e këtij moraliteti.

Preokupimi i tepruar me seksin dhe seksualitetin, që tradhton ky obsesion i “Panoramës”, flet për një patologji të përgjithshme, e cila meriton vëmendje tjetër nga ajo që mund t’i japë tabloidi.

Njëlloj, varfëria e frikshme e prurjeve për lexuesin, në qindra portalet dhe mediat shqip online, po i orienton këto natyrshëm drejt pornografisë, pa çka se në mënyrë asimptotike.

Këtu problemi nuk është te imoraliteti që implikon pornografia, as te bërja publike e gjërave që duhej të mbeteshin private; por te fakti që këtë përçudnim e shkakton vetvetiu shumëzimi artificial i portaleve, testatave dhe faqeve ueb, të cilat kërkojnë pastaj ethshëm klikime.

Edhe argumenti që dëgjon ndonjëherë, se “po nuk të pëlqeu kjo faqe kalo tek tjetra” ose “nuk të detyron njeri që t’i lexosh” nuk vlen, sa kohë që na intereson jo vetëm shëndeti mendor i lexuesit, por edhe ai i mediave vetë.

Për trajnimin e gazetarëve dhe punëtorëve të mediave janë shpenzuar – nuk besoj ta ekzagjeroj – miliona euro të vëna në dispozicion nga OJQ-të dhe organizata të ngjashme. Faqet që botojnë “lifestyle” si këto të “Panoramës” administrohen nga gazetarë që nuk po arrijnë dot të bashkërendojnë fluturimet, konferencat dhe workshop-et anembanë botës. Fotot e tyre në Facebook ua kalojnë, për nga glamour-i, edhe atyre të David Beckham-it. Disa prej këtyre emrave tashmë i pamë në listat e të super-paguarve nga trustet e lulelakrave dhe nuk mund t’i ç-shohim më.

Prandaj është e mjerueshme të shohësh degradimin e informimit të publikut, këto vite; sikurse është e mjerueshme ta lidhësh këtë degradim me përpjekjet financiare që bëhen, për t’i mbajtur hapur këto media dhe për t’u siguruar administratorëve dhe gazetarëve dhe punëtorëve atje “lifestyle-n” e nevojshëm.

Pornografia dhe voyeurismi në media mund të shqetësojë në vetvete, por mund të shqetësojë edhe kur i ka zënë vendin diçkaje tjetër. Në këtë rast të dytë, lexuesi ka të drejtë të mendojë se po abuzojnë me të; sikurse ka të drejtë të pyesë për çfarë i duhen atij këto faqe.

Të gjithë ata që kanë frikë të protestojnë, sepse mendojnë se nuk është cool të distancohesh nga historitë e Deirdre-s dhe efekti i tyre real, bëjnë mirë të mbajnë parasysh se është e pamundur, për këdo, që t’i rrijë larg këtij pisllëku.

© 2022 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin