MAT NJI PËLLAMBË E SHKEP NJI PASH

nga Lisandri Kola

Artikullit ‘Vdis, pa të të dua’ shkrue nga kolegu Sokol Çunga (botue në PTF, më 16 nandor, 2021), po i përgjigjem në këtë kohë kur puna vlerësuese e jurisë për Çmimet Kombëtare për Kezet e hueja, përkthye nga italishtja prej Mons. Ernest Çobës, asht mbyllë. Më datën 15 dhetor, 2021, QKLL-ja shpalli vendimin e jurisë për nji listë të reduktueme prej pesë përkthyesish, ku vepra përkthimore e Çobës nuk bante pjesë në këtë listë të ngushtë.

Këtë reagim nuk e kam ba ma heret për dy arsye konkrete edhe pse shkrimin e debatin e tij e kam ndjekë në kohë. Arsyeja e parë lidhet me statusin profesional. Gjykova se nuk do të ishte profesionale nga ana ime si përkujdesës i edicionit Keze të hueja me folë përpara nji procesi në dinamikë vlerësimi, dhe e dyta për me shmangë ndërlidhjen time me edicionin në fjalë prej konfliktit të interesit. Këto janë motivet pse i kam rezervue vetes të drejtën e heshtjes! Tashma sendet janë kthjellue, vendimet janë marrë dhe mundemi me e pleqnue punën ma përkadalë.

Historia e artikullit të Sokol Çungës, mbi praninë e Mons. Ernest Çobës në listën e ngushtë të kandidimit për çmimin e përkthimit, muer shkas prej nji reagimi në faqen e tij të facebook-ut, i cili ma shumë sesa shqetësim parimor ishte nji humor alogjik. Dhe me e prodhue këtë humor me nji që nuk asht ma në këtë jetë, e për ma shumë martir i regjimit enverian kisha me thanë se asht disi paradoksale prej nji personi të vaditun në punë të letrave. Kashelashën mbi motivin e Ko(n)standinit, që ‘konkurron i vdekuri me të gjallë’, e shoqnoi edhe me nji nënshkrim përçmues i cili ia uli edhe ma shumë pahun të ndertit Çunga. Asht me vend me i sqarue këtij të mbramit, se me krijue paprecedencë për raste që kanë (pasë) precendecë në kulturën shqiptare, asht nji veprim i pamatun. Në Çmimet Kombëtare, krejt pak vite ma parë, kanë fitue vlerësim Havzi Nela (i varun nga regjimi i Ramiz Alisë në 1988, e i vorrosun vertikalisht në nji gropë të shtyllës elektrike) dhe Llambro Ruci në vlerësimet e vjetshme, gja që Çunga e mësoi rrugës te ‘qit e prit’, d.m.th. komentet në faqen e tij sociale. Rasti i mosdijes se në çmimet e vjetshme ka fitue Ll. Ruci, edhe pse e përmendë mbas pilafit në artikullin e tij, nuk asht gja e re për të. Ai, kund nji vit ma heret, deklaronte publikisht se përkthimi i tij (SÇ) i 1984 ishte versioni i tretë, ndërkohë që ishte i katërti. I pata thanë se nuk ia xa për të madhe këtë mungesë informacioni. Fundja, dhandri së parit edhe mundet mos me ia ditë rendin nuses që nuk asht nuse së parit. Mandej zgjedhja që me folë për rastin e Çobës e jo të Gëzim Qendros (gja që do të shtjellohet ma poshtë) e ban qëndrimin e autorit jokorrekt dhe të njianshëm. Si muer m’thue pra në krye të herës në Monsinjorin, kolegut Çunga nuk i ndêjtën grêthat pa shkrue edhe nji artikull. Shkrim i cili në dukje kërkon me ‘ndreqë’ ndonji notë emotive në përqeshjen e ‘petkave’ të dikujt, apo me ulë disi harbimin ofensiv ba prej rrethit të tij shoqnor, jo doemos fizik. Nëse asht puna me u gjykue njerëzit prej paraqitjes së jashtme, si në mue si në Çungën kanë çka tjerrin njerëzit lesh boll, qoftë edhe në kuptimin e parë.

Kolegu Çunga ende nuk e ka kuptue, pavarësisht tentativave për me ‘prû debat’ se në qëndrimet e tij nominale, në rastin e Çobës, asht në konflikt interesi sepse asht vetë përkthyes në 2020 (Orwell, 1984). Pse ky zotni nuk foli vjet për të njejten precedencë në të njejtin institucion publik? Edhe bufi mundet me e marrë me mend se diku i ka djegë miza. Po me i djegë miza aq shumë saqë me u ba grêth, këto punë nuk janë fort të ‘kështena’ për nji njeri të leçitun në kartat e gjuhës së zjarrtë. Gjithsesi, për çudi kolegut nuk ia vrau synin, po as veshin, se veç pak ditë ma heret se shpallja zyrtare në facebook-un e QKLL-së për 10-shen e veprave të shortlistueme në kategorinë e përkthimit, në listën e sivjetshme për kategorinë studime-ese-publicistikë kandidonte edhe Gëzim Qendro (ndjestë pastë). Çunga s’e përmendë aspak. Madje për paradoks, nji autoreje të nominueme, thjesht nji foto larg Qendros, në 10 emnat e bamë publik prej QKLL-së, rasti i Çobës i dukej ‘ueue e turpshme’. Kjo tregon mungesë kohezioni dhe provokim të nji debati të pasinqertë, për të cilin nuk i intereson adresimi konkret publik por interesat e ngushta, mjerisht jashtëprofesionale. Me guxim të çuditshëm Çunga pyetë për rastin e Mons. Ernest Maria Çobës: ‘Mirëpo, teksa lehtësisht bie në sy përkthyesi që ka ndërruar jetë mes të gjallëve, lind dhe pyetja e natyrshme: ç’kuptim ka të konkurrojë mes përkthyesve në jetë dikush që nuk jeton prej mbi 40 vitesh?’ Po a thue kishte kuptim konkurrimi i Havzi Nelës me Veprën e plotë poetike (që mori edhe çmimin si vëllimi poetik ma i mirë për vitin 2018)? Po i përjashtoj Qendron e Rucin se janë nda nga jeta respektivisht në 2018, në dijeninë time. E po deshtët edhe Pader Zef Pllumin e Petrit Rukën, mbasi QKLL i shpalli në 10-shen e autorëve për vëllimin poetik ma të mirë (dt. 24 nandor, 2021). Madje edhe për këta të dy Çunga e bani harkun gati, por u pá se biseda e tij ishte pemë pa kokrra. Ndërsa me e përmendë Qendron kund, për të do të ishte sakrilegj. Se cila asht arsyeja pse e amniston nji autor në paqe me Zotin në listën e të njejtit institucion, ka me na e shpjegue nji njeri ‘i drejtë’ si Sokol Çunga. Megjithëse hokat e tij, për kê xên në gojë, çojnë aq shumë kandar sa edhe ‘luga m’fyt t’nji mazi’.

Që artikulli dhe debati mbi Mons. Çobën asht vetëm nominal, kjo nuk ka asnji dyshim sepse autorit i mungon njohja elementare me veprën Keze të hueja. Qoftë edhe në Google me pasë kërkue, dy informacione dikund i kishte gjetë. Çunga po të kishte lexue, vetëm paragrafin e parë të hymjes përgatitë nga unë (Kunora e përkthimeve të Monsinjor Ernest Çobës) i cili thotë: ‘Dorëshkrimi i titulluem Keze të hueja, i ruejtun në AQSH Fondi 727, Dosja 3, asht nji fletore me përkthime e Monsinjor Ernest Çobës, e cila për fat ka mbijetue (herë tue humbë herë tue u gjetë) pothuejse e plotë tash 90 vjet’ (KH. 2020. Shkodër: Fiorentia, 7) me siguri se do të ishte kacagjelue edhe ma shumë, dhe nuk do të kishte hamendsue nji shifër rromapërtoma të fazës së punës mbi Kezet. Ai shton: ‘mes kohës në të cilën ka përkthyer imzot Çoba dhe çastit kur ndodh kandidimi kanë kaluar 50 a më shumë vite’ (Çunga, PTF, 16.11.2021). Prej te 50 deri te 90, nuk janë ‘më shumë’ po rrumbullak 40 vite! Ai ka aludue, për fat keq të tij, se ky përkthim asht ba në fazën e pjekunisë së përkthyesit, pa e ditë se Çoba e ka përkthye atë grusht poezish mes moshës 18-21 vjeçare dhe i asht rikthye korrigjimit 60 vjeç, mbasi i ka gjetë dorëshkrimet e tij, deri në atë kohë të konsiderueme të humbuna. Kjo përzgjedhje poetike, 19 poezi/568 vargje, dhe trashëgimí përkthimore e Mons. Çobës: ‘nuk mund të barabitet me atë të Frano Alkajt, Nikollë Dakajt, Lazër Shantojës a të disa ’tjerëve që kanë qenë përkthyes fragmentarë a selektivë’ (KH, 12). Por në gjykimin tim, ‘Çoba në thelb asht mjedjan, minimalist kualitativ, i aksiomës elitiste jezuite’. (ibid.) Nëse kolegu i nderuem, që muer iri në nji përkthyes kahmot të shkuem në Amshim, po të kishte lexue sinorët filologjikë të vendosun prej meje në atë edicion, ma do mendja se do të ishte kallëxue ma i përkorë.

Sa u takon çêshtjeve proceduriale të QKLL-së, dhe transparencës në vendime, rregullore etc., i jap të drejtë Çungës mbasi ato problematika i kam renditë vetë në rastin e debatit publik për Poetin Laureat të Shqipërisë (‘Nji kunorë për nji krye’, S’bunker, 20 tetor, 2020). Asokohe nuk kam vû re se Çunga ka pasë ndonji shqetësim për QKLL-në, nga pikëpamja proceduriale. Për habi ka sivjet, dhe për ma tepër për sektorin e përkthimit, dhe për Kezet e cila u prezantue në faqen e  QKLL-së si Antologji e poezisë italiane. Koincidencë? Të gjithë treguesit thonë se nuk asht krejt koincidencë. Nji përkthyes i vitit kalendarik 2020, dhe nji përpilues/përkthyes i Antologjisë së Poezisë Bashkëkohore Greke (Berk, 2021), matë e shmatë punët e nji institucioni tue ba referenca veçse nominale, arbitrare. Cili asht parimi profesional atëherë këtu? Po ashtu s’kam vû re që përfshîmja aktive e poetëve në shërbim të diktaturës, çka e theksoja së tepërmi në atë artikull timin mbi PL, i ka ba ndonji përshtypje konkrete sa me i shërbye angazhimit të Çungës në debatin publik.

Aspekt tjetër shqetësues, çka e ceka sipri, para artikullit ‘Vdis…’, asht bullizmi në rrjetin social ndaj nji të vdekuni, ku grupe të caktueme interesi, nuk e frenuen aspak gjuhën por morën aq për mbrapsht saqë u kthye në hajgare të rëndomtë. Meraku kryesor për këtë grup interesi ishte se kush do ta tërhiqte çmimin nëse do të fitonte Keze të hueja si vepra ma e mirë përkthimore. Në këtë rast, as i ndjemi e as Selia e Shêjtë, por thjesht familjarët e tij. Nipi i Mons. Çobës, z. Ernesto Andracchio asht gjallë e jeton në Itali e mund ta kishte tërheqë vetë ai besoj. Për kujt ia rrokë kaploqja edhe celibati ka familjarë e farefis. Por për fat të keq familja e Monsinjorit, po e ripërjeton si përsëgjalli ashtu edhe së vdekuni përbaltjen shqiptare ndaj figurës së tij. Po ta kishte lexue, kolegu i nderuem, rrëfimin e Pader Konrrad Gjolajt kur dëshmon për Mons. Çobën, tham se do ta kishte rrudhë gojën disi. Gjolaj, në veprën e tij Çinarët, pohon: ‘Tregonte radiologu i spitalit të Shkodrës, sesi një ditë erdhën dy oficera me një thes në radiologji. I kishin thanë me ba një radiografi. Kishte përgatitë aparatin e po priste radiologu se cili don me e ba prej tyne. Kur i ka thanë, jam gadi, ata kanë hapë thesin e kanë nxjerrë një femij me fytyrë të plakun… e kanë vue tek aparati dhe, mbasi asht krye radiografia, e kanë futë prap në thes. Mbasi i kanë lidhë grykën, kanë kërkue filmin për me e çue në Tiranë. Radiologu e ka pregatitë filmin shpejt, dhe ka kërkue me i shkrue emnin e të smurit, edhe pse filmi ishte i lagun. Oficerat kanë ngurrue me i diftue emnin. Ky ka kambëngulë, mbasi simbas rregullit, nuk lejohej që filmi me u dorzue pa emën. Ata tue pa kambënguljen e këtij, i kanë thanë emnin: “Monsinjor Ernest Çoba”… E shkrova thonte radiologu, e kishte njoftë përpara, por kurr nuk do ta kishte besue se asht Ai, po të mos më kishin thanë vetë ata emnin e Tij’ (Át Konrrad Gjolaj (Tomë Marku). 2015. Bot. II. Çinarët. Shkodër: Biblioteka Françeskane, 130). Me sa duket, Çunga njeh shumë pak prej martirizimit të Mons. Çobës. Fundja nuk asht shkandull sepse nuk asht detyra e tij me ditë gjithçka. Referue dëshmisë së masipërme dhe asaj që Çunga ka shkrue në artikullin e tij për ‘makinerinë e diktaturës dhe përgjegjësinë shtetërore për falje publike ndaj klerikut’ gjykoj se i ka shkue dam, ose i kanë shërbye sa me la ‘t’trashtë me t’hollët’ ka pa’ thanë gjyshi im.

Pra mbasi Çunga u ba me dalë për hat’llash nja dy ditë me ‘shtrimin e sinqertë të debatit’, tevona e ndërroi pllakën e gramafonit. Befas në artikull, figura e Çobës, i ngjallka respekt aq sa me pohue se po të ishte anëtar i jurisë së sivjetshme do i vinte turp mos me i dhanë çmimin Monsinjorit. Pra, i njejti rob me ‘syze e kapello’ asht! Mjerisht, ky qëndrim aspak etik tregon se niveli objektiv i gjykimit mungon qoftë edhe ndër persona me karrierë akademike (të re, të mesme apo afatgjate). Ndoshta në nji rrafsh tjetër, kjo panoramë e trishtueshme intelektuale tregon për shkarkesa neurotike të rastit në nji rrjet social, tue qitë njiherësh mbas shpine përgjegjësinë profesionale. Nësa deduksione disi populiste se ‘çmimi pas vdekjes sikur kërkon të thotë se i ndjeri nuk ishte bërë ende për rafmet dhe s’kishte si të krenoheshin institucionet me të para vdekjes’, të lanë me kuptue se njimend qëllimi i autorit ka qenë me gjetë ‘halën në përpeq’. E këtë ka dashtë me e gjetë tek Mons. Ernest Çoba, dhe Kezet e hueja, e cila asht fatlumsí që i ka mbijetue ‘përgjakjes komuniste, tranzicionit, mungesës së shtetit dhe institucioneve, dalldisë civile në 97-ën, epokës së indiferencës e deri neglizhencës akademike’ (KH, 8). E meqë dorëshkrimi ruhet në AQSH, Çungën si arkivist në profesion duhet ta kishte gëzue ky lajm e jo ngjallë efekt të kundërt. Ndoshta e këndon dikur veprën e mund t’i ulet yryshi të paktën për raste të tjera, se për këtë rast e ka djegë barutin që ka pasë në qese.

Në artikullin e Çungës nuk mungojnë as përcaktime të kësaj natyre: ‘Çmimet letrare periodike, siç mund ta shohim në raste të ngjashme me çmimet më të mëdha të letërsisë nëpër botë, u jepen autorëve të gjallë. Sepse ka disa arsye krejt praktike dhënia e një çmimi të tillë. Në fillim, evidentohen, aq sa lejon objektiviteti i një jurie, autorët a përkthyesit që meritojnë të veçohen për shkak të punëve të tyre. Nga ana tjetër, në përfytyrimin tonë, synimi i jurisë nuk duhet të jetë thjesht zgjedhja e një individi, por prezantimi i gjithë listës së shkurtër të të veçuarve’. Kjo ‘platformë propozuese’, paraqitet në kuadrin e nji prolegomene për me qenë herëdokur anëtar jurie, çka në gjykimin tim s’ka asgja të keqe mbasi anëtarësia në nji juri asht proces rotativ në atë pak Shqipni. Ose ndoshta asht edhe nji vigmë për me e konsiderue në çmimet e ardhshme si përkthyes, në mos si autor. Që edhe këtu asgja të keqe nuk shoh, nëse debatin do ta kishte shtrue ma heret, jo sivjet, dhe do të ishte tregue i paanshëm dhe ma i informuem në procedimet e viteve ma parë, qofshin të MK apo QKLL-së.

Ajo çka mbetet në fund, asht me lutë Zotin që juria e ardhshme e Çmimeve të përvitshme Kombëtare mos me e pasë si kriter përjashtues të gjithë sasisë e përkthimeve të kryeme nga nji përkthyes përgjatë nji viti kalendarik. Ndoshta edhe QKLL-ja, apo kompetencat apriori të nji komisie të caktueme, munden me futë në rregulloren e vet (!?) nenin politik të njipërnjisё: nji përkthyes nji përkthim… Kushedi… Deri atëherë urojmë që kolegut Çunga mos t’i thahet mellani i zi në punët e bardha.

(c) 2021 Lisandri Kola. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin