Ç’JENA QELL’ MËR JA HU

nga Sait Saiti

Herën e fundit kur pati një tallaz në përroin psiqik të fshatit tonë për prodhimin kinematografik të periudhës së regjimit, u shprehën njerëz me atribute, anëtarë bordesh institutesh, u mbushën panelet dhe për javën që vijoi mediat nuk hoqën keq me e mbushë minutazhin për debatin kulturor. Ku nuk munguen – sigurisht që pinjojt e pellazgëve do të jenë pionierë – propozime për atë që këtë vitin e fundit mori dhenë dhe u quejt cancel culture. M’u pat dukë se nguti për të propozue zgjidhje të tilla me pretendime shterruese dhe totale vinin ngaqë donin me i ikë përgjegjësisë edhe personale të atyne që flitnin, përgjegjësi e vetëdijshme ngaqë i kishin pasë mjetet dhe mundësitë me e ba sadopak detyrën për dekomunistizimin përmes ndonjëfarë dekonstruktimit të asaj vepre si tanësi.

Në komunikim online me një shok që po studjonte në Prishtinë për regjizurë, radhitëm pak a shumë ato qasjet që na e rrokte mendja se duheshin ba, si muhabet tavoline në chat, por unë i dhashë lirinë vetes që me i hartue fjalët e tij dhe i nisëm një artikllë Tirana Observerit. Tash që doli edhe njëherë “dimni me kosë në dorë”, mbas katër vjetëve na i ngacmoi perdet e përgjumjes shfaqja “Prefekti” me regji të Spiro Dunit, por diskutimi ngelet po ai. Disa prej autoriteteve të debatit të atij marsi të para 4 viteve nuk u ndihet ma zani në publik, por vendin ua kanë zanë disa të tjerë me argumente edhe ma rokoko deri te pretendimi se komedia i fyen e “banorët autoktonë”.

Kur b.f. Hafiz Ibrahim Dalliu, Mit’hat Araniti, Ibrahim Hasnaj, Xhemal Farka dhe Mustafë Greblleshi (Araniti i vetmi jotirons, mallakastriot i lemë në Selanik) e ndoshta edhe ndonjë tjetër, shkruenin me dialekt tirons gjatë viteve ’30, të shumtën e herëve në pjesë publicistike satiristike që u botuen postum si libërtha, nuk i ban kush me gisht se kanë fye autoktonët. Kjo ndoshta edhe ngaqë vepra e tyne nuk njihet, por edhe për faktin se nuk i jepet za autoritetit përkatës me i dhanë përmasë diakronike satirës shqiptare. Kështu kuptojmë edhe tironsen si mjet tek komedia e Levonjës dhe nuk çimentojmë daljet në përfundime, mundet që Levonja të jetë ndikue nga shkrimet e të naltpërmendunve. Madje, tipari ma ashiqar që mund të perceptohet nga komedia, që asht dialekti tirons, aty gjen kremtimin dhe performimin ndoshta të vetëm në rrafsh kinematografik.

Askush nuk duket se shqetësohet me e gjetë njohësin e përshtatshëm për ta diskutue si temë, askush nuk sjell b.f. shembuj se si asht trajtue prodhimi kinematografik komunist në Gjermaninë Lindore, në Çeki apo Rumani. Askush nuk e çon ndërmend se diskutimi meriton një hierarki dhe një referencë, ku ma dinjitozja kam përshtypjen se asht katërvëllimshi Indoktrinimi komunist përmes kulturës, letërsisë dhe artit, botim i Akademisë së Studimeve Albanologjike me mbështetjen e institutit Konrad Adenauer. Meqë derdhim lotë krokodili për dekomunistizimin, do të ishte interesante me i kërkue instituteve të këtij lloji një pasqyrë të fondeve që kanë mundësue për projekte dekomunistizimi, dhe me pa sa prej tyne u asht ba vend nëpër tekste shkollore, kalendaret kulturore të bashkive dhe muzeve vendorë të kujtesës. Sa për me e hekë merakun domethanë.

“Prefekti” shumë mirë që u shfaq edhe njëherë, sepse përgjumjen nuk e trazoka gja tjetër përveçse fantazmat që kujtojmë se do të rrijnë bodrumeve që mos me na e prishë terezinë. Ndonëse regjizori deklaroi që e ka rishkrue, ka heqë disa pjesë që i kishte cilësue “marrina” dhe se e kishte risjellë si lexim/interpretim, ku theksi t’i vihej fjalëve gati-profetike të Prefektit që Levonja i serviri në paketën e komedisë. Dhe sigurisht Levonjës së ndjerë mbi gjysë shekullit ma parë nuk i kanë ngelë në kambë konjuktura për ta nxjerrë si autor antikomunist.

(c) 2021 Sait Saiti. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin