LEXUESI VIKTIMË

Këto ditë mbarova së lexuari La Pelle Curzio Malaparte-s, roman i jashtëzakonshëm në më shumë se një kuptim. E mbaj mend që qarkullonte në Tiranë herët në vitet 1980, në një përkthim të botuar në Kosovë, por nuk e pata lexuar dot – dhe ja ku i erdhi radha, dyzet vjet më vonë, por të paktën tani mund ta lexoj dhe ta shijoj në origjinal.

Që në dy-tre kapitujt e parë, më erdhi në mend Kronikë në gur, e Ismail Kadaresë; dy veprat takojnë në shumë pika dhe sidomos në tablonë e një qyteti që shpërbëhet, duke pasur luftën në sfond. Gjirokastra nga njëra anë, Napoli nga tjetra. Vetë estetika e shpërbërjes ose e degradimit, në një skenografi që përndryshe mund të përfshijë edhe elemente heroike dikur diku, e mban narrativën në këmbë, në të dy herët.

La Pelle është shoqëruar gjithnjë me polemika, që kur u botua të parën herë; shpesh e kanë censuruar, madje për arsye të ndryshme – çdo censor i kohës ka gjetur atë që nuk shkonte dhe e ka krasitur. Edhe Kronikë në gur, sado e filtruar në redaksitë e realizmit socialist, nuk pat munguar së ngjalluri protesta, duke filluar nga familje të Gjirokastrës që panë emrat e tyre të përdorur në roman (nga Aqif Kashahu te Dino Çiçoja).

Një kapitull të La Pelle-s e patën ndaluar, të paktën në Britaninë e Madhe, ngaqë përshkruante, gjerë e gjatë, një koklavitje mes spiunazhit, politikës dhe orientimit homoseksual, me pak salcë pedofilike. M’u kujtua se, në një analizë që ia pat bërë romanit të Kadaresë, edhe Arshi Pipa është ndalur te homoseksualiteti që nxjerr kokë në rrëfim, madje duke përsiatur se autori ashtu aludonte edhe për shijet seksuale të Hoxhës – çfarë do ta shqetësonte Kadarenë tmerrësisht (dhe me të drejtë).

Sërish, dhe pavarësisht subversionit në tekstet e Kadaresë dhe të Malapartes, a në kritikën e Pipës, të dy romanet gjejnë një element gati melodramatik tek dekadenca – të thuash se njeriut, edhe kur i reduktuar në minimumin njerëzor nga Lufta, i mbetet një lloj vezullimi, një si damar drite, që e shquan nga balta.

Të dyshosh se Kadareja mund ta ketë lexuar dhe pëlqyer La Pelle aq shumë, sa t’ia ketë përvetësuar edhe estetikën, është më se legjitime, por jo ngacmuese. Janë zakonisht ata që kanë lexuar shumë pak, që i marrin a priori seriozisht dyshime të tilla, sidomos në rrethanat kur është më e arsyeshme të flasësh për konvergjenca. Edhe Malaparte edhe Kadareja ditën ta rrëfejnë luftën jashtë skemave, por nuk është kundërvënia ndaj skemave dhe skematizmit, që i shquan këto romane ndaj të tjerave.

Për më tepër, romani i Kadaresë m’u pat kujtuar edhe kur lexoja një vepër të Bora Ćosić, Roli i familjes sime në revolucionin botëror, edhe ajo lapidare në rrëfimtarinë e Luftës II, në perspektivën jo-heroike. Dhe kam frikë se është vetëm padija ime, ose numri i madh i librave që s’kam lexuar, që më ka penguar ta gjej romanin Kronikë në gur në çdo vepër të letërsisë europiane, kushtuar efekteve të Luftës jo ndaj atyre që luftojnë, por atyre të tjerëve, që lufta u troket në derë dhe u ulet këmbëkryq te votra.

Dhe kjo jo sepse vepra e Kadaresë ka ndonjë natyrë unike ose primordiale, por sepse është ajo që mua, lexuesin, më ka mësuar si t’i afrohem këtij lloji letërsie. Në këtë kuptim, lexuesi është gjithnjë viktimë e letërsisë që lexon, edhe kur nuk është produkt i saj. Në kuptimin dashnia e parë nuk harrohet, etj.

Madje jo vetëm kaq. Sepse leximet e hershme, sidomos kur janë aq mbresëlënëse sa Kronikë në gur, vijnë e shndërrohen në çerniera, që mbajnë të lidhura mes tyre edhe objekte përndryshe pa lidhje, siç mund të ishin La pelle, nga njëra anë, dhe Roli i familjes sime në revolucionin botëror, nga ana tjetër. Vërtet, mund të thuhet se këto dy vepra të fundit kanë “tematikë” të përbashkët – por unë flas për filiacion, jo tematikë.

Nga pikëpamja e shkrimtarit, vepra që po shkruan është gjithnjë kushërirë – të paktën kushërirë – veprash të tjera; siç është Eneida kushërirë e Iliadës, sa për të sjellë një kryeshembull. Formalistët rusë kanë folur për bijtë që u kthehen me dashuri gjyshërve, ngaqë rebelohen ndaj baballarëve (Tinianovi) ose për filiacionin letrar që kalon nga ungji te nipi (Shklovski) nëpërmjet një linje “kolaterale”; por këto nuk vlejnë shumë, nga perspektiva e lexuesit, i cili është i lirë t’i renditë veprat sipas kronologjisë kur i ka lexuar vetë.

Kjo do të shpjegojë edhe pse, kur isha në 100 faqet e para të romanit të Malaparte-s, m’u duk sikur dëgjova dihatjet stilistike të Edison Ypit, në momentet e tij më ekstatike; edhe pse nuk di të them, dhe në fakt nuk më intereson, nëse Ypi e njeh apo jo Malaparte-n dhe nëse është kolonizuar prej këtij, sikurse nuk më intereson nëse Malaparte te La Pelle e citon Hemingway-n, apo thjesht ndikohet prej tij. Tashmë e di se akti i të lexuarit, çdo akt të lexuari, është edhe një “vënie në lidhje” e veprave, stileve dhe autorëve të ndryshëm; pa përjashtuar këtu edhe atë lexuesin fëmijë, që vërtet lexon fiction-in e vet të parë, por që i kujton sakaq zërin e gjyshes që i tregonte dikur përrallën.

© 2021 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin