SI VIS PACEM, PARA BELLUM

nga Ledi Shamku-Shkreli

(parathënie e botimit shqip të “Lufta e Gjuhëve“, nga Louis-Jean Calvet)

1. NJË CEKASË E QËLLIMSHME

“Kush don paqe, të gatitet për luftë“. Titulli i mësipërm, i zgjedhur enkas për parashtresën e botimit në shqip të “Lufta e Gjuhëve“ është në fakt një nga ato sentencat latine me udhakimin më të gjatë në kohë, po aq të gjatë dhe sa dualiteti njerëzor më jetik, ai mes luftës e paqes. Formuluar pak a shumë në këtë formë, pra “Igitur qui desiderant pacem, praeparet bellum“ (shq.: Kush dëshiron paqe, le të gatitet për luftë), e gjejmë te Vegetius, Epitoma rei militaris, një traktat luftarak hartuar në shek. IV; por si koncept i dualitetit ai shfaqet qysh te Ligjet e Platonit. Sentenca mandej ka “ndaluar” nga njëri kontekst historiko-kulturor në tjetrin, nga Seneka te Ciceroni, te Car Nikolla, e deri te grupi i mirënjohur i rokut Metallica; pikërisht kënga e këtyre të fundit “Don’t tread on me”, ndërtohet rreth kësaj maksime që ata e kanë shprehur me fjalët: “të sigurosh paqen do të thotë të jesh gati për luftë”. E madje këtë sentencë, të cilën dashnorët e luftës e patën shkruar në ballinën e një fabrike gjermane predhash e fishekësh, përdorimi popullor arriti ta shndërrojë në një emër opak: parabel – revole Parabel – ku fjala “bellum” (luftë) bëhej një me parafjalën si për ta humbur egërsinë. Kujtojmë se po të njëjtin akomodim formal, thuajse eufemik, kish bërë edhe Shqipja me pushkën e gjatë të markës “Carlo e figli” duke e quajtur Karajfile.

Në vështrimin e kujt shkruan këto radhë, paqja nuk mund të jetë asesi mohimi i vetvetes, pra paqja nuk mund të jetë një casus belli. Askund, e aq më pak në punë të gjuhës, për të cilën biem dakord me Saussure se revolucioni e dëmton. Porse koncepti i luftës është një koncept i ndërlikuar në të cilin ia vlen së pari të ndalemi e të dallojmë luftën e vetvetishme të bashkëjetesës ndryshe quajtur edhe ndeshje, nga lufta e organizuar nga lart, si mjet ideologjish hegjemone. E nëse e para është formë e natyrshme e zhvillimit, e cila do njohur dhe ndoruar, e dyta është një fushë e përgjakshme ku fati i gjuhëve është i pandashëm (e madje përcaktohet) nga shortja e folësve të cilëve këto gjuhë u përkasin.

Ndaj edhe radhët që pasojnë do t’i kushtohen pikërisht këtyre tri koncepteve: paqe, ndeshje dhe luftë, duke hetuar në këto tri koncepte jetën e ligjërimeve dhe politikat gjuhësore, shpesh si përligjje të politikës së madhe.

2. GJUHË DHE PAQE

Pyetja e parë që mund t’i vijë ndërmend një sociolinguisti kur heton luftën dhe uron paqen, është: a ekziston paqja në gjuhë? Kjo pyetje ndiqet menjëherë nga një tjetër pyetje: gjuhë apo ligjërim? Apo më hollë: ligjërime, variante, kontekste, dialekte, sociolekte, zhargone, akrolekte, basilekte, teknolekte, standard, neostandard, substandard…, babytalk, eldertalk, teachertalk…, monolinguizëm, bilinguizëm, plurilinguizëm…? Le ta nisim aty ku e pat lënë Saussure, pra në ndarjen e parë mes gjuhës dhe ligjërimit (langue et language), duke thënë: “Po ç’të jetë gjuha? Për mendimin tonë, ajo s’mund të ngatërrohet me ligjërimin; fakti është se ajo përbën veç një pjesë të caktuar e thelbësore të tij. Ajo është frut i përbashkët i aftësisë së të folurit dhe i një tërësie marrëveshjesh të nevojshme, të pranuara nga qenia sociale për t’u lejuar individëve ushtrimin e kësaj aftësie. Parë në tërësinë e vet, ligjërimi është i shumëtrajtshëm e i paqendrueshëm; ndërkohë që ngërthen disa fusha, si atë fizike, fiziologjike dhe psikologjike bashkë, ai i përket si individit ashtu edhe shoqërisë“ (Saussure, KGjP 2002). Parë kësisoj gjuha del të jetë një përftesë historike e komunikimit (gojor e shkrimor) e gatshme kurdoherë për t’iu ofruar nevojave të komunikimit, i cili mandej do ta përthyejë atë sipas nevojave të rastit (situatë, folësa, kontekst, referent, qëllim etj.). Me fjalë të thjeshta përdorimi ka tagër të shndërrojë kompetencën gjuhësore të Chomskyt në kompetencë sociolinguistike (apo komunikuese) të Hymesit, pra të shndërrojë gjuhën në ligjërime. Afërmendsh këtu kemi ende parasysh një situatë endolinguistike, pra brenda një gjuhe të vetme. Situatë e cila sot është deri diku laboratorike, pasi për gjuhë të vogla, sikundër Shqipja, jeta në plurilinguizëm është rrojmja e vërtetë. Kësisoj, plurilinguizmi del të jetë i pari casus belli mes gjuhëve, apo për ta thënë me fjalët e vetë Calvet: “Lufta e gjuhëve as që do të ekzistonte në një botë njëgjuhëshe dhe plurilinguizmi është parakushti themeltar i idesë së luftës. Plurilinguizmi nuk është arsyeja e vetme e kësaj lufte por mbetet kushti sine qua non që ajo të ndodhë”. Pak prej shkollimit, pak prej ekonomisë së bazuar gjithnjë e më fort mbi turizëm e pak prej emigracionit, çdo shqipfolës sot është së paku biling në kuptimin aloglot të fjalës. Po të donim ta përshkruanim me një metaforë blinguizmin, metafora e lojës me muzikën dhe karriget do të na dukej më e përafërta. Në fund të lojës mbeten dy lojtarë e një karrige. Në mbarim të muzikës do të ulet veç njëri, mbasi me shkathtësi mendore dhe trupore të ketë mundur tjetrin. Kështu edhe në mendjen e një bilingu rrojnë dy sisteme të ndryshme. Muzika është koha për t’u shprehur. Duke qenë se të folurit është një vektor njëkahësh, në segmentin e kohës do mbërrijnë të dalin ‘fakte gjuhësore’ vetëm nga njëri sistem, pikërisht ato fakte që i ofrohen më shpejt e më mirë nevojës për t’u shprehur (kjo ofertë varet nga shkalla e lëvrimit gjuhësor të secilës gjuhë tek i njëjti individ). Lindin kësisoj idiolektet hibride të ngarkuara me ardhurizma, code-mixing, kalke e gjithfarë. E gjitha kjo nuk është aspak paqësore, pasi sistemet ndeshen dhe si në çdo ndeshje fiton ai që është stërvitur më shumë. I njëjti arsyetim vlen edhe kur e shtrojmë çështjen në plan endolinguistik, pra kur flasim për regjistra, kode, variable, variante, stilema, shkallë implikuese, consecutio kohësh dhe vetash, pra gjithë çka ka të bëjë me variacionin e brendshëm të një gjuhe. Madje, mund të themi pa drojë se sa më i thellë alfabetizimi i dikujt në gjuhën e vet, aq më e madhe zgjedhja, dhe sa më e madhe zgjedhja aq më e pagjasë paqja.
Në kushte lirie nuk ka paqe në gjuhë.

3. GJUHË DHE NDESHJE

Secili nga ne mund të pohojë se po jeton në epokën e ndeshjes së gjuhëve me njëra-tjetrën po edhe të gjuhës mes vetes. Të parën shtysë për ndeshje e dha afërmendsh industrializimi. Ai solli me vete lëvizjet e mëdha demografike brenda dhe jashtë. Dialektet e ndjenë të parat këtë trandje. Kapërcyem drejt e tek industrializimi, pa përmendur luftrat, ndonëse është i rëndësishëm kontakti që ato sjellin mes gjuhëve e të folmeve, i lamë mënjanë pasi luftra ka pasur gjithnjë, qysh në ag të kohëve. Dhe, me sa duket kanë qenë një faktor i vijuar nxitës që gjuhët a të folmet të ndeshen (e madje edhe të luftohen, por në këtë syzim po qëndrojmë te ndeshja).
Epoka e re e teknologjisë që vijoi pas industrializimit, solli me vete kërkesën e ngutshme për alfabetizim masiv. Pikërisht këtu nis edhe variacioni i madh brendagjuhësor. Nëse varieteti standard para shkollimit masiv ishte “pronë” e një grushti njerëzish (sa për një shembull që na përket, sipas të dhënave në Shqipërinë e paraluftës vetëm 8% e popullatës shkonte në shkollë), pasi shkolla u bë e detyruar dhe dija hyri në stadin e vet social, varietet vehikulare standarde nisën të kalojnë atë që Saussure quante “prova e zjarrit”, pra të shkruhen nga miliona duar e madje edhe të synohet të fliten nga miliona gojë. Kësisoj gjuha e përbashkët nisi të jetëzohej në miliarda akte komunikimi. Sa më shumë shkolloheshin bashkësitë, aq më të shumta ishin varietetet që përftoheshin. Nëse dikur hapësirat ligjërimore populloheshin nga varietete diatopike dhe një cep i ngushtë, tejet i ngushtë diamezik që përfaqësohej nga varieteti shkrimor pa ndonjë interferencë të qenësishme me të parat, shkollimi solli me vete pashmangësisht përdorimin e vehikulares në diatopi të ndryshme në diafazi të ndryshme (sipas konteksteve), në diamezi të ndyshme (me shkrim a me gojë), e sidomos në diastrati të ndryshme (shtresa të ndryshme socio-kulturore kishin inercitë e veta konservatore ndaj varieteteve natyrore, ndaj mësonin të reja por pa harruar të vjetra). Shkollimi masiv dhe thuajse përmbushja e alfabetizimit bëri më në fund që pas thuajse një shekulli çdo individ që flet të jetë edhe një individ që shkruan. Pra që homo locuor të jetë edhe një homo scribens. Veçse ky dualitet nuk është njëkahësh, por ciklik, pasi dhe çdo homo scribens tanimë nuk di të mos jetë njëherësh edhe një homo loquor i varietetit shkrimor (o së paku përpiqet, sigurisht pa ia dalë asesi plotësisht). Kjo marrëdhënie binare e ndërsjellë, që themelohet mbi ndjeshjen fillestare mes dy strukturave krejt të ndryshme (gjuhë e shkruar e gjuhë e folur) si edhe bashkëjetesa në qendrat urbane e suburbane, solli me vete lindjen e një morie variantesh e ligjërimesh, të cilave i duhet të popullojnë të njëjtën hapësirë të mëparshme, aty ku varietetet diatopike zdërhalleshin lirshëm, thuajse të pastresuara nga erozioni i përditshëm i shkrimit. E po ashtu edhe shkrimi, i strukur në një cep, jetonte në metafizikën e vet laboratorike duke i shërbyer veç një grushti njerëzish. Shkollimi solli me vete lindjen e continuumit sociolinguistik, i cili është tejet më i larmishëm se continuumi dialektologjik. Hapësira komunikuese u tejmbush me variante e realizime ligjërimore gjithfarë, dhe nisi ndeshja për të krijuar pole (dendësime). Neostandardi është njëri nga këto dendësime. Neostandardi ka moshën e shkollimit masiv.

Kuptohet, u ndalëm hollësisht vetëm në ndeshjen intraliguistike (pra brenda së njëjtës gjuhë), pa folur edhe për ndeshjen ekstralinguistike, atë ku falë shkollimit, teknikës, televizionit e kulturës, gjuhët hyjnë në stadin masiv të bashkëjetesës, duke u shndërruar nga “gjuhë me kontakt” në “gjuhë në kontakt”, për ta thënë sipas konceptit të Berrutos, me të cilin ai modernizon konceptin e Weinreich (“lingue a contatto e lingue in contatto”, Berruto 2008). E sikur të mos mjaftonte gjithë kjo tektonikë, aty nga fundi i shekullit të njëzetë një tjetër revolucion teknologjik e fuqizoi edhe më ndeshjen në gjuhë, pikërisht se shtoi ligjërimet “banore” të variacionit gjuhësor. Futja masive e internetit (e cila solli me vete whatsapp, facebook, instagram, portale online e çdo log komunikimi virtual) i dha shkas lindjes së asaj që po konsiderohet si Netlekt. Po ç’është Netlekti në strukturën e vet? Në thelb ai paraqet zbutjen e skajme për herë të parë të hendekut diamezik (shkrim/e folme). Madje ka teori të sotme, të cilat mëtojnë se nuk ka më kuptim të flitet për dallime diamezike; kush shkruan këto radhë, nuk e beson këtë pohim ekstrem. Po gjithsesi, ku qëndron dallimi kryesor mes të shkruarit e të folurit? Koha është më i pari dallim: marrëdhënia mes shkruesit dhe lexuesit është e shkëputur në kohë, pra shkruesi nuk është i pranishëm kur lexuesi “merr” mesazhin (marrëdhënie asinkrone), ndërsa folësi dhe dëgjuesi janë të njëkohshëm (marrëdhënie sinkronike). Kjo, veç shumë aspektesh tjera, sjell me vete një lloj shtendosjeje të atij që flet, pasi ai që dëgjon ka mundësi ta pyesë po qe se nuk kupton. Ndërsa, shkrimi duhet të jetë si një fotografi “me rezolucion” shumë të lartë pasi lexuesi nuk ka ku ta gjejë shkruesin për sqarime. Çfarë të reje solli teknologjia e bazuar në komunikimin virtual? Ajo shprishi pikërisht këtë ndarje themelore: kohën. Në whatsapp, në komente online, në mesazhistikë e deri diku edhe në mail, shkruesi dhe lexuesi rrojnë për të parën herë në sinkroni si të ishin folës e dëgjues. Lindin kështu netlektet, komunikimet e mundësuara nga teknologjia, në të cilat për herë të parë të shkruarit dhe të folurit janë bashkë.

Më kryesorja është se Netlektet i japin mundësi gjithkujt të shkruajë publikisht, pra jo veç atyre që shkruajnë për shkak të profesionit. Nga njëra anë kjo i mban njerëzit më të lidhur pas gjuhës së shkruar, me të cilën përndryshe do t’i kishin rralluar a shuar krejt marrëdhëniet pas shkollimit. Por, më anë tjetër në diapazonin e shkrimeve publike depërtimin e gjuhës së folur apo të pambikëqyrur. Gjithë ky revolucion teknologjik mbipopullon me një mori variantesh repertorin e përdorimeve, ndaj ndeshja në gjuhë përveçse e pashmangshme vjen e bëhet edhe tejet domethënëse. Kjo epokë për rrjedhojë është epoka e sociolinguistikës që studion ndeshjet intra dhe ekstralinguistike. Për vetë gjuhën, epoka e ndeshjeve të tilla është në thelb një epokë e artë, pasi një gjuhë gëzon shëndet të mirë kur ka marrëdhënie të vijuar dykahëshe mes të shkruarit e të folurit si dhe kur gjuha realizohet në të katërta funksionet: lexim, shkrim, dëgjim, të folur.
Falë teknologjisë është rritur në mënyrë eksponenciale numri i atyre që vijojnë të shkruajnë dhe të lexojnë, pavarësisht sa u përmbahen normave, ndaj le ta përmbyllim këtë çështje me fjalët e Frank Zappas: “Nuk ka progres po nuk iu shmange normave”. Veçse, gjithë këto procese kërkojnë vetëdijësimin e institucioneve dhe sidomos të shkollës, pasi ndeshja, edhe po u la në punë të vet, mund të shndërrohet në luftë. Gjuhëtari e di këtë.

4. GJUHË DHE LUFTË

Koncepti i luftës ndryshon nga ai i ndeshjes, pasi çdo përkufizim që i jepet luftës mbështetet gjithnjë mbi tiparin e papajtueshmërisë së ndërluftuesve. Lufta nuk ka konkurrentë, por fitimtarë dhe të mundur. Lufta në një farë mënyre është “mors tua, vita mea”. Thënë kësisoj, gjuhët nuk luftojnë, porse jo rrallë gjuhët përdoren si armë lufte. Madje jo vetëm gjuhët, por edhe varietetet e gjuhëve e sidomos këto të fundit. Pra nëse ndeshja në gjuhë është një dukuri objektive e vetvetishme, lufta me gjuhët përkundrazi është një arteficë e shpikur nga njeriu. Shumica krijon gjuhën, përmes një marrëveshjeje të përtërirë ad perpetum, ndërsa pakica krijon prestigjin gjuhësor, dhe si të mos mjaftojë, edhe e absolutizon atë. Kësisoj cilësohet si fakt i padiskutueshëm se prestigjin e ka varieteti standard, por nuk thuhet se ky prestigj është relativ si çdo gjë tjetër e kësaj bote. Fjala vjen, mjafton të duash të jesh pjesë e aksh grupi social, i cili ka ligjërimin e vet identitar, dhe do mbetesh te dera së bashku me standardin prestigjoz nëse nuk replikon dot me sociolektin e pranuar nga grupi. Absolutizmi i epërsisë së një varieteti ndaj të tjerëve është “krisma” e parë e gjuhës si armë për luftë. Për ta thënë me fjalët e don Lorenzo Milanit: “Le lingue le creano i poveri e poi seguitano a rinnovarle all’infinito. I ricchi le cristallizzano per poter sfottere chi non parla come loro. O per bocciarlo”.

Asnjëherë absolutizimi i prestigjit të një varieteti apo gjuhe nuk ndërmerret për motive gjuhësore apo shkencore, por gjithnjë për motive ideologjike. Të një ideologjie që ka paramenduar një luftë sociale, etnike, apo kulturore, të cilën e ndërmerr përmes imponimit gjuhësor. Kjo luftë nis duke zhveshur një grup apo një bashkësi njerëzish nga ligjërimi i vet. Parë kësisoj, në Shqipëri tingëllojnë tejet kuptimplota fjalët e Roland Barthes te Mytologie kur thotë se “t’i vjedhësh ligjërimin një njeriu në emër të vetë ligjërimit, është pikënisja e çdo vrasjeje të ligjshme”. Vendosja e diktaturës nisi pikërisht me vrasjen e koinesë gegë, fillimisht të prestigjit të saj historiko-kulturor, e më pas të çdo përdorimi të saj publik, me shkrim e me gojë. Afërmendsh problem nuk qe gegnishtja, por kultura e sendërtuar me të, si edhe bartësit e saj. Rrugët që u ndoqēn ishin të ndryshme. E ndërsa gegnishtja veriperëndimore evitohej (e më pas ndalohej), e folmja gegë e kryeqytetit u stigmatizua si “e trashë, e pa prestigj”. Kërkohej një pol i ri gjuhësor, epiqendër e njeriut të ri ideologjik. A nuk ndodhi e njëjta gjë në BRSS, apo në Kinë pas Revolucionit Kulturor? A nuk ndodhi po ashtu i njëjti mohim ligjërimi në vendet e kolonizuara? Shtigjet e luftërave që përdorin gjuhët si armë janë të ngjashme edhe kur bashkësitë as nuk njihen me njëra-tjetrën, ose kanë rrojtë në kohë krejt të ndryshme. Ndaj janë më se të qarta fjalët e Calvet kur shkruan se “këto politika gjuhësore hedhin dritë mbi atë çka qëndron pas nacionalizmit. Urrejtja, racizmi, mohimi i tjetrit shfaqen këtu jo në lidhje me ngjyrën e lëkurës por në lidhje me huazimet leksikore, rregullat drejtshkrimore, shqiptimin, alfabetin, etj.: luftë gjuhësh, me pak fjalë. Shembulli i Bashkimit Sovietik në lidhje me pakicat është dhe më domethënës. Kalimi nga alfabeti arab, në alfabetin latin dhe më pas në atë cirilik, mund të varet padyshim nga mungesa e rregullit të planifikimit, apo nga disa ndryshime të pashqyrtuara mirë, mirëpo siç e vumë re bëhej fjalë më shumë për një vullnet për t’i afruar sa më shumë që të ishte e mundur gjuhët minoritare me atë ruse, në mënyrë që t’i shtrohej rruga epërsisë së kësaj të fundit”.

Për ta bërë të duket më pak barbare luftën përmes gjuhës, ideologjia sanksionoi termin e “planifikuesit gjuhësor”, duke lënë të kuptohet se me gjuhën u veproka njësoj si me një parcelë të mbjellash apo me ca troje ndërtimi, duke shpërnjohur kësisoj se gjuha është përftesë e kohës dhe e shoqërisë. Ajo realizohet përmes ndërveprimit të miliona idiolekteve, dhe në këtë mori idiolekti i planifikuesit objektivisht nuk ngre kurrëfarë peshe. Ndërsa subjektivisht po, nëse planifikuesi është dhe ai vegël e luftës përmes gjuhëve e në shërbim të një regjimi. Planifikimi gjuhësor është diçka krejtësisht in vitro, sepse siç thotë Calvet “në fund të fundit mungon folësi në këtë ndërhyrje zyrtare mbi gjuhën”.

Është mbresëlënëse sa shumë ngjajnë përdorimet e gjuhës si armë lufte të do njerëzve kundër do të tjerëve. Te “Lufta e gjuhëve” Calvet përshkruan rastin e diktatorit të Republikës Dominikane Trujillo, i  cili vendosi të përjashtonte punëtorët haitianë, dhe kallëzon se “për të dalluar zezakët dominikanë (të cilët flasin spanjisht) nga zezakët haitianë (që flasin frëngjisht), policia thjesht u kërkonte atyre të shqiptonin emrin Trujillo, duke qenë se shkronja “jota” përbën një problem për cilindo nuk flet spanjisht. Ju e dini mjaft mirë, se zezakët frëngjishtfolës e kanë të vështirë të shqiptojnë tingullin “r”; kjo vlen edhe për haitianët. Përkundrazi zezakët e Santo Domingos, që flasin spanjisht, e shqiptojnë atë për mrekulli. Me sadizmin që e karakterizonte, Trujillo dha urdhërin që t’i bënte të gjithë të burgosurit të shqiptonin fjalën perro, që në spanjisht do të thotë qen. Të gjithë ata që e shqiptonin pego u ekzekutuan”.

Ky rast, i cili nuk është rasti i vetëm i përndjekjes gjuhësore, të kujton konfliktin e madh mes Bargjinasve tiranas dhe Toptanëve krutanë kur tiranasit, në kulm të konfliktit, vendosën të mos lenë më këmbë krutani të hynte në qytet. Kësisoj në një nga hymjet e qytetit vendosën një tra, si postbllok për karvanet që qaseshin te Urë e Limuthit. Roja që rrinte aty, kishte vetëm një detyrë: të pyeste çdo kënd që avitej se si quhej ajo pengesë e drunjtë. Nëse përgjigja ishte “trau”, atëherë trau ngrihej dhe udhëtari kalonte. Po nëse përgjigja ishte “trani”, folësi kishte denoncuar padashje të qenit krutan, të cilët duke qenë edhe më gegë se tiranasit shquajnë “tra – trani” sikundër “sy – syni, mi – mini” dhe jo “tra – trau, sy – syu, mi – miu” siç haset në të folmet e Tiranës. Përgjigja “trani” i kushtonte së paku një prapakthehu shtegtarit, për të mos thënë se mund të nxeheshin gjakrat edhe më keq.

Do të zgjateshim edhe më në shembuj të rinj e të vjetër kur me anë të vetë gjuhës janë vrarë gjuhë e të drejta, janë tjetërsuar troje a janë shuar tradita. Po mjaftohemi me kaq sa shtjelluam në këtë çështje, duke dashur ta përmbyllim me një besojmë tonën: Gjuhët nuk luftojnë; njerëzit luftojnë. Dhe thuajse gjithnjë gjuhët shndërrohen në armë të kësaj lufte. Jo rrallë gjuhëtarët janë parë të shndërrohen në fabrikues armësh gjuhësore.

EPILOG

“Nëse don paqen, gatitu për luftë”. Për sa paradoksale mund të ngjajë kjo shprehje, për gjuhëtarin nuk ka paqe. Atij i duhet për së pari të luftojë me kaosin që lind nga ndeshja e gjuhëve. Dhe ka vetëm dy armë në këtë luftë: shkencën dhe shkollën. Shkencën për të kuptuar ç’drejtime po merr ndeshja, dhe shkollën për të rritur kompetenca të reja gjuhësore, pa humbur të vjetrat. Për të ndërtuar ligjërime aulike pa humbur ligjërimet e fëmijërisë, të pasionit, të inatit, të gjyshërve e të rrugicave qorre. Shkencën për të kuptuar sa e natyrshme (dhe e papërbuzshme) është antigjuha e adoleshentëve që lind si rebelim ndaj autoritetit, si shfaqje e anarkisë moshore, dhe Shkollën për t’ia futur këtë antigjuhë aty ku i takon në repertorin e përdorimeve që shkojnë nga akrolektet te bazilektet. Shkencën për ta kuptuar ku ndan gjuhësisht demokracia nga diktati dhe shkollën për ta kultivuar demokracinë e cila s’është tjetër në thelb përveçse një demokraci me baza ligjërimore.

Gjuhëtari duhet të jetë në luftë me pushtetet e çdo rendi, pasi pushteti ushtron fuqinë e vet jo vetëm përmes luftës me armë gjuhët, por edhe përmes manipulimeve tinëzare gjuhësore. Pasi gjuhëtari e di se gjuhët kanë fuqi të krijojnë edhe realitete, e se njerëzimi jep e merr objekte linguistike. Pakkush arrin ta kuptojë se roli i gjuhëtarit është rol kyç si në luftë ashtu edhe në paqe. Veçse paqja është një gjendje e përkohshme e njerëzimit, pasi dinamikat e pushteteve dhe ideologjive e shtyjnë atë vijimisht drejt luftës. Kësodore po i bashkohemi zërit të Calvet, duke thënë tok me të: “Kjo e bën të qartë si drita e diellit faktin se ndorimi i çështjeve të gjuhës e të ligjërimeve nuk i duhet lënë në dorë asesi pushtetit. Nëse lufta është vazhdimi i politikës, por me mjete të tjera, atëherë politika gjuhësore është forma më e qytetëruar e luftës së gjuhëve. Ndaj dhe, pasi është tretur çdo vegulli pacifiste, gjuhëtarit i bie barra që në punën e vet të sillet si qytetar dhe të ushtrojë mbi të gjitha politikat një vigjilencë të përhershme demokratike”.

(c) Ledi Shamku-Shkreli
Fillimverë 2021

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin