A ËSHTË NË RREZIK DEMOKRACIA AMERIKANE?

nga Dr. Ernest Nasto

Kohët e fundit në mediat e Shteteve të Bashkuara janë shtuar polemikat lidhur me të ardhmen e sistemit politik të vendit, dhe, siç po ndodh gjithmonë e më shpesh, diagnozat e shprehura nga secili krah i spektrit politik, janë krejt të ndryshme. Gjithashtu, para pak ditësh, 100 studiues amerikanë të demokracisë, një grup që askurrë s’mund të cilësohet si partizan, botuan një deklaratë ku shprehnin shqetësimin pikërisht lidhur me këtë temë, gjë që ve në dukje situatën e rënduar nga kërcënimet ndaj demokracisë më jetëgjatë të epokës moderne. Ajo që po vihet re në analizat e shumta janë si ndryshimet e mëdha mes rrugëdaljeve të propozuara, ashtu edhe fakti që vetë alarmizmi po bëhet një element realisht destabilizues.

E vërteta e pakëndshme është se sot në Shtetet e Bashkuara dallimet ndërmjet dy partive të mëdha politike kanë kaluar në plan të dytë në krahasim me pasionin e anëtarëve të secilës për të etiketuar kundërshtarin si armik, antiamerikan, etj. Dhe kjo është një dëshmi e polarizimit të skajshëm, për të cilin kam shkruar edhe më parë, e që mbetet në fakt kërcënimi kryesor. Me fjalë të tjera, perceptimi se “sistemi po merr fund” është shumë më i fortë se sa rreziqet konkrete ndaj lirisë së amerikanëve, ndaj ekonomisë së vendit dhe ndaj mirëqenies së familjeve të tyre. Kësisoj është frika për të gjitha këto që ka dalë tashti në pah, dhe vetë ajo frikë bëhet pengesa kryesore për zgjidhjen e problemeve, përndryshe jo të vogla. Asnjë rrezik i jashtëm s’mundet ta minojë demokracinë më tepër se humbja e besimit tek vetë ajo, pra sa rreziku i brendshëm. Dhe fakti që për herë të parë në historinë 245 vjeçare të republikës amerikane një ish-president vazhdon të mos e pranojë rezultatin e zgjedhjeve e bile të veprojë si qendër pushteti alternativ, nuk ndihmon aspak në qetësimin e gjendjes.

Për krahun e djathtë të spektrit politik, përkatësisht partinë republikane, testi më i rëndësishëm gjatë këtyre muajve ka qenë reagimi ndaj ngjarjeve të 6 janarit 2021. Pati shpresa për momente reflektimi, për “t’i thirrur mendjes” e për t’u distancuar qoftë nga besnikëria pa kushte ndaj Donald Trump, qoftë nga teoritë konspirative ekstreme që gëlojnë ndër përkrahësit e tij. Për fat të keq ato shpresa u shuan shpejt: kudo në mediat, si klasike apo sociale, republikanët fajësuan fillimisht anarkistët e majtë të lëvizjes Antifa, megjithë mungesën e çdo prove konkrete. Më pas shumë ekspertë e analistë u fokusuan tek minimizimi i dhunës dhe përgjithësisht i ngjarjeve të shëmtuara të asaj dite. Dhe kështu krahu i majtë, si dhe kundërshtarët e Trump brenda së djathtës, ranë nën akuzat e ekzagjerimit të rëndësisë së atij incidenti.

Prej atëhere s’po vihet re absolutisht asnjë ngadalësim i retorikës katastrofike, e jo vetëm lidhur me 6 janarin.

Kështu, drejtuesi i njërit prej emisioneve televizive më të ndjekura në Amerikë, Tucker Carlson, po komentonte së fundi rreth rregullave të vendosura nga disa organizma lokale dhe nga një numër kompanish private për vaksinat anti-covid. Ato rregulla, të cilat synojnë rritjen e numrit të vaksinimeve, ai i cilësoi si “Jim Crow (1) mjekësor”. Një cilësim i tillë është krejt absurd, sepse stigmatizon masa të shëndetit publik, të cilat padyshim mund të kritikohen në shumë aspekte. Por t’i quash ato Jim Crow është në radhë të parë tallje me të keqen historike reale të shkaktuar nga sistemi i ligjeve Jim Crow. Pra një akuzë po aq e vlefshme sa ato që quajnë detyrimin për mbajtjen e maskave si të barabartë me komunizmin, duke dëshmuar kësisoj se hedhësit e akuzave të tilla jo vetëm që s’kanë asnjë ide se ç’është komunizmi, por edhe nënvlerësojnë kësisoj vuajtjet dhe të keqen reale të shkaktuar nga ai sistem. Si mund të reagojnë ndaj një akuze të tillë milionat e qenieve njerëzore që pësuan realisht shtypjen dhe mizoritë e atij sistemi? Si mund të ndjehen hebrenjtë kur një kongresiste amerikane e quan mbajtjen e maskës si të barabartë me holokaustin e viteve ’30?

Në një mjedis të shëndetshëm politik e kulturor, këto cilësime të skajshme duhet të ishin diskredituese dhe të shoqëroheshin me pasoja konkrete për autorët e tyre. Por kjo nuk ndodh në Amerikën e sotme, miliona amerikanë dëgjojnë akuza të tilla dhe mendojnë se demokratët vërtet po rikthejnë sistemin Jim Crow, dhe po shkatërrojnë Amerikën. Edhe konservatorët anti-Trump gjenden akuzohen po ashtu sepse gjoja u treguan syleshë ndaj rrezikut që përfaqësonte Biden.

Një numër i madh analizash e deklaratash në mediat e djathta e deklarojnë Amerikën “në krizë” e flasin për vendin si në prag të shkatërrimit. Kjo retorikë është aq e theksuar sa duket sikur nuk synon thjesht përshkrimin apo analizën e realitetit, por shpreh më tepër një dëshirë për përmbysje, kataklizëm e konfrontim.

Një fjalor i tillë dëgjohet sidomos në disa skuta të errëta të së djathtës ku flitet hapur për grusht shteti. Kështu p.sh. gjenerali Michael Flynn, ish-këshilltari i sigurimit kombëtar të Trump, vërtet është figurë e skajshme, por s’mund të nënvlerësohet kurrsesi, sepse grumbullon turma të konsiderueshme ndjekësish në mitingjet e tij. Para disa ditësh ai deklaroi në një prej tyre se s’kishte arsye përse një grusht shteti si ai në Myanmar të mos ndodhte dhe në Amerikë, dhe turma e priti me duartrokitje. Të nesërmen gjenerali bëri një nga ato shfajësimet e rraskapitura ku akuzoi mediat liberale për shtrembërim të fjalëve të tij, pavarësisht se videon mund ta shohin të gjithë.

Kjo lloj retorike katastrofike do të ketë detyrimisht pasoja të dhunshme, sepse duket që klasa politike po refuzon, për të keqen e saj, edhe mësimet më elementare që mund të nxirren nga 6 janari. Sepse nëse u thua dhjetëra miliona amerikanëve se një parti politike po përpiqet të vjedhë zgjedhjet, atëherë do të ketë patjetër individë apo grupe mes tyre që do ta marrin për të vërtetë e rrjedhimisht do duan të bëjnë diçka.

Një përfundim tjetër është se sado të ekzagjeruara, e bile absurde, të jenë pretendimet, kjo s’mjafton aspak për t’i hedhur poshtë e për të zbutur tensionet publike. Dihet se një parim bazë i logjikës klasike është ai se sa më të forta e të jashtëzakonshme të jenë pretendimet, aq më të forta e të jashtëzakonshme duhet të jenë edhe provat përkatëse. Mirëpo në rastin e 6 janarit, absurditeti i provave s’pati asnjë rol në zhvlerësimin e tyre, sidomos për pjesën më të radikalizuar të votuesve. Pothuaj të 60 paditë e proceset gjyqësore të ngritura nga mbështetësit e Trump për gjoja manipulimin e zgjedhjeve u hodhën poshtë nga gjykatat përkatëse, shumë nga të cilat të përbëra nga gjyqtarë republikanë, apo të emëruar nga vetë Trump. Mirëpo ky përfundim i procesit ankimor të parashikuar në kushtetutën amerikane s’i zhvlerësoi aspak pretendimet në fjalë: ato janë bërë tashti, përkundrazi, kërkesa e vetme për t’u konsideruar një republikan apo djathtist i mirë.

Arrestimi gati i menjëhershëm i qindra sulmuesve të Kapitolit mund ta ketë zbutur pak përkohësisht forcën goditëse të kokëdashit trumpist që po sulmon portën e kështjellës së demokracisë amerikane, por do të ishte naive të besohej se sulmuesit janë larguar. Procesi i radikalizimit faktikisht po vazhdon, siç dëshmohet përditë nga tubimet e nga rezultatet e sondazheve: sot mëse 73 përqind e republikanëve besojnë se zgjedhjet e 2020 u manipuluan dhe se Biden është president i paligjshëm. Janë pikërisht këta që formojnë bazën e partisë, besnikë pa kushte ndaj ish-presidentit dhe të palëkundur në bindjet e tyre për pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Dhe çdo argument për të kundërtën futet menjëherë në hullitë e njohura të “krizës amerikane”, “tiranisë së FaceBook, Apple etj”, “komploteve sorosiane”, apo komploteve të kujtdoqoftë, vetëm e vetëm që bindja e tyre të mbetet e pacenuar.

Shqetësimet e këtyre votuesve janë vërtet aspekte e probleme që kërkojnë diskutim e zgjidhje, por e keqja është se ajo çka quhet e vërtetë sot nuk synohet të arrihet me rregullat klasike të arsyetimit logjik, për të cilat të dy palët bien dakord. E vërteta sot shfaqet vetëm si deklamacion, me shprehje të revoltimit ndaj “paturpësisë” së kundërshtarit, me ekuivalentimin e tij si “tjetër”, si të “tëhuajzuar”, bile si “armik”. Dhe debat me armikun s’bëhet, ai vetëm duhet asgjësuar.

Këto tipare s’janë karakteristike vetëm për të djathtën, e majta i ka po aq të theksuara, paçka se të shprehura në mënyrë më të shpërndarë, dhe jo si besnikëri ndaj një individi të vetëm. Por edhe teprimet e së majtës e shtojnë pështjellimin dhe alarmizmin që në fund të fundit vetëm e dobësojnë demokracinë.

Sepse demokracia s’është në rrugë të mbarë kur amerikanëve u thuhet në mënyrë të përsëritur se vendi i tyre është racist, e bile se racizmin e ka tipar gjenetik qysh nga fillimi.

Sepse demokracia s’është në rrugë të mbarë kur forcat e rendit përbuzen, akuzohen për racizëm e kërcënohen me shkurtime fondesh, ndërsa anarkistët që shkatërrojnë e djegin ndërtesa publike, si në Portland, në shtetin Oregon, ose lihen të lirë ose dënohen thjesht me gjoba qesharake e simbolike.

Sepse demokracia s’është në rrugë të mbarë kur, gjoja nën pretekstin e luftës kundër racizmit, fëmijëve të bardhë 7-8 vjeçarë u mësohet se ngjyra e lëkurës së tyre i bën automatikisht pjesë të një grupi “shtypës” e “të privilegjuar”. Brezave të rinj u rrënjoset kësisoj se ky tipar, mbi të cilin ata s’kanë asnjë kontroll, përbën thelbin i tyre si qenie njerëzore.

Dhe e veçanta që dallon situatën e sotme është prania e mediave sociale, të cilat mundësojnë fryrjen e menjëhershme të çdo problemi dhe kthimin në shqetësim kombëtar, me fjalë të tjera që zjarrit të ankesave t’i hidhet vazhdimisht benzinë. Amerika është vend i madh dhe diku do ketë gjithmonë shqetësime e bile edhe zemërim. Por të mos e shprehësh haptazi zemërimin apo revoltën s’do të thotë doemos të mbrosh incidente apo institucione të caktuara. Kështu mjaft korporata të mëdha amerikane kanë plane trajnimi për “diversitet” të cilat janë absurde e qesharake. Një numër institucionesh elitare arsimore janë thellësisht intolerante, e bile edhe në ushtri ka elementë që i kushtojnë tepër vëmendje prirjeve kulturore. Mirëpo të pranosh një problem s’është se duhet të pranosh doemos një krizë kombëtare: për të qëndruar tek shembulli i ushtrisë, konstatimi i pranisë së elementëve që përmendëm është shumë larg akuzës nga e djathta se “disa herë ushtria s’duket e interesuar të mbrojë vendin”.

Tashti, reagimet e dy krahëve të politikës amerikane ndaj këtyre problemeve janë tërësisht të ndryshme, me të djathtën që tregon ngurrim në rritje për të respektuar lirinë e fjalës, në favor të masave shtrënguese. Ndërkaq e majta vazhdon e patundur në rrugën e ekstremizmit dhe hedhjes së ideve gjithmonë e më radikale (për të mos thënë të çmendura) si ajo e konsiderimit automatik të të gjithë të bardhëve si “racistë” dhe për pasojë edhe të nevojës së “riedukimit” të tyre, që ka filluar të zbatohet tashmë në disa kompani të mëdha. Dhe qëndrimi i saj ndaj lirisë së fjalës është edhe më intolerant se i së djathtës, paçka se jo duke u mbështetur tek forca e ligjit, por tek sulmet e shfrenuara ndaj “fajtorëve” në mediat sociale (e ashtuquajtura “kulturë e fshirjes”, cancel culture). Të dyja palët injorojnë kështu parimin themelor të fjalës së lirë: kundërshtimin me argumente bindëse, e jo me forcë.

Sidoqoftë pozitive është se ende nuk vërehet ndonjë prirje e sistemit gjyqësor federal, duke përfshirë edhe të emëruarit prej Trump, drejt së njëjtës përbuzje të lirisë së fjalës. Dhe në fund të fundit, pikërisht atij sistemi i takon merita e ndalimit të përpjekjes trumpiane për përmbysjen e rezultatit të votimeve: kur gjyqtarët republikanë u gjendën para nevojës për të zgjedhur ndërmjet kushtetutës nga njëra anë dhe Trump nga ana tjetër, ata zgjodhën në mënyrë konsistente kushtetutën, duke shpëtuar kësisoj demokracinë dhe republikën amerikane nga një goditje shkatërruese me pasoja të pallogaritshme për të ardhmen.

Por nga ana tjetër retorika e pandalshme katastrofike që përmendëm më lart tregon se rreziku i ringjalljes së dhunës është kurdoherë i pranishëm dhe ndoshta kriza e ardhshme do jetë më shqetësuese e me pasoja më të rënda. Sepse një retorike e tillë pikërisht atje e ka prirjen të përfundojë. Nëse amerikanëve u thua orë e çast se po përballen me Jim Crow, disa do të besojnë vërtet se po përballen me Jim Crow. Nëse u thua pa pushim që kombi është në kolaps, disa do ta besojnë dhe do ta shohin të nevojshme të bëjnë diçka për ta parandaluar. Dhe nëse nga ana tjetër u thua që vendi i tyre është thellësisht racist dhe imoral, atëherë kush do të jetë i interesuar të mbrojë një vend apo sistem të tillë? Kush do të ketë interes për karrierë në forcat e armatosura apo ato të ruajtjes së rendit?

Si përfundim mund të thuhet se demokracia amerikane ka tashti vërtet mjaft probleme, ku më kryesoret janë prirjet totalitariste dhe kërcënimet ndaj fjalës së lirë. Dhe alarmizmi nga të dy palët vetëm se i ashpërson ato, prandaj e vetmja shpresë është qetësimi i retorikës, si edhe një qendër e fortë që të bashkojë prirjet më të shëndosha të të dy krahëve, duke larguar skajet. Në këtë kohë të mbizotërimit total të mediave sociale e të fragmentarizimit të burimeve të informacionit, kjo mund të jetë e vështirë, por ende jo krejtësisht e pamundur.

 

(c) 2021, Ernest Nasto. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

=========

(1) me këtë emër njihet tërësia e ligjeve që mbajtën në fuqi diskriminimin racor në shtetet e Jugut deri më 1964-1965, d.m.th. edhe për 100 vite të tjera pas disfatës së tyre në Luftën Civile.

 

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin