MBI XHELOZINË

nga Svenja Flaßpölher, Philosophie Magazin

Përkthyer nga Irma C.

 

«Xhelozia është një pasion, i cili kërkon me zell, çka shkakton dhimbje[1]» shkruan Franz Grillparzer më 1830, në Epigramme. Disa mendimtare dhe mendimtarë e morën këtë ndjenjë me themel – këtu sjellim katër pozicione mbi frikën e humbjes.


CHARLES FOURIER 1772 – 1837

«Sepse jetojmë në një shoqëri borgjeze»

Xheloz mund të jetë veç kush mendon se e zotëron tjetrin. Dhe pikërisht ky lloj të menduari është rrënjosur thellë në shoqërinë borgjeze dhe kapitaliste. Socialisti i hershëm Fourier përkrahte jo vetëm abrogimin e martesës dhe të drejtat e barabarta për të gjitha gjinitë, por dhe një botë të re të dashurisë së lirë, të cilën ai e quan «harmoni». Kërkesa e tij për të ardhurat minimale të pakushtëzuara dhe rend ekonomik kolektiv përkon me përkrahjen e tij për kolektivizimin e seksit: Vetën kur ne të dorëzojmë të drejtat tona mbi pronësinë dhe në fushën erotike, mund të sjellim parajsën mbi tokë, shkruan Fourier në Die neue Welt der Industrie und Vergesellschaftung.


SIGMUND FREUD 1856 – 1938

«Për të fshehur homoseksualitetin tonë»[2]

Për Freud-in, xhelozia e fiksuar, është fasada që mbulon homoseksualitetin e ndrydhur. Nuk dëshirohet aspak kryesisht ai, apo ajo, besnikëria e të cilit/ së cilës vihet në pikëpyetje. Përkundrazi objekti i vërtetë i zjarrmisë është rivali, apo rivalja. Por për shkak se ndjenja homoseksuale censurohet, projektohet pra mbi partnerin/partneren. «Si përpjekje për t’u mbrojtur nga një ndjenjë homoseksuale tejet e fortë, do të ishte e mundur (tek burri) të zëvendësohej me formulën: Unë nuk e dua atë, ajo e do atë», shkruan themeluesi i psikoanalizës në traktatin Über einige neurotische Mechanismen bei Eifersucht, Pranoia und Homosexualität.

Xhelozia: një efekt i nënvetëdijes.


SIMONE DE BEAUVOIR 1908 – 1986

«Sepse nuk jemi të barabartë»

Sfera e burrit është hapësira publike, ajo e gruas: shtëpia dhe kuzhina. Për atë, ajo është «vetëm një argëtim»; për gruan në të kundërt, ai është «kuptimi dhe justifikimi e jetës». Këto shkruan De Beauvoir në veprën e saj kryesore Seksi i dytë. Ky çekuilibër ka pasoja mbi ekonominë e dëshirës heteroseksuale –  ku jo vetëm burri e shikon gruan si pronë të vetën, por dhe gruaja kufizon lirinë e tij nga pozicioni i të fikëtit ku ndodhet. «Gruaja e detyruar në imanencë, kërkon ta tërheqë burrin, në burgun, ku ajo vetë ndodhet», shkruan De Beauvoir. Vetëm barazia i lejon burrit dhe gruas lirinë. Me Sartre, filozofja jetoi një lidhje të hapur.


RENÉ GIRARD 1923 – 2015

«Sepse ngatërrojmë ndërmjetësit me rivalët»

Konkurrenti nuk është një pengesë, por një udhërrëfyes i dëshirës sonë, thotë René Girard. Vetëm sepse ne fshehurazi e admirojmë rivalin tonë, duam atë që do ai. «Kush urren, urren pikë së pari veten e vetë, dhe pikërisht prej adhurimit të fshehur në urrejtjen e vetë», shkruan antropologu francez i kulturës në librin e tij Mensogne romantique et vérité romanesque, 1961. «Për të fshehur këtë admirim të pakufishëm para tjetrin, por edhe vetes së vetë, shikohet tek ndërmjetësi veç pengesa: roli dytësor pra i ndërmjetësit merr përparësi dhe fsheh rolin e tij parësor; atë të shembullit që imitohet devotshmërisht.»

*shënimet janë të përkthyeses


Përkthyer dhe plotësuar nga Irma C. Artikulli origjinal: https://www.philomag.de/artikel/warum-sind-wir-eifersuechtig

[1]Në gjermanisht thënia është e bazuar mbi një lojë fjalësh, ku dy fjalët që përbëjnë termin “xhelozi” përdoren rishtazi për ta shpjeguar këtë të fundit “Eifersucht ist eine Leidenschaft, die mit Eifer sucht, was Leiden schafft.”

[2]Kjo është vetëm një nga tre tezat që Freud-i ngre mbi shkaqet e xhelozisë në traktatin në fjalë.


Kopertina: Xhelozia, tablo nga artisti hungarez, Tihamer Margitay, 1892.

Rreth Autorit

Irma jeton si artiste e pavarur në Gjermani. Dedikimi i saj i përket kryesisht fotografisë dhe tekstit. Fotografia e Irmës hulumton vështirësinë e harresës përkundrejt kujtimeve joekzistuese. Ka studiuar Gjuhë të Huaja dhe Letërsi në Itali, si dhe pjesërisht Filozofi në Gjermani. Mbi shiun që derdhet mbi dritaren nën çati përgjatë një mbrëmjeje vere, nuk vë asgjë. I pëlqen të përtypë ndonjëherë një croissant aux amandes duke u endur tutje-tëhu nëpër Le Marais, apo të gëlltisë ekzistencën para një vinili me Goldberg Variationen të Bach-ut, që ndoshta nëpërmjet interpretimit të një Glenn Gould-i bëhet më e durueshme.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin