MIKU IM!

Facebook-u është vendi ku lidhen dhe zgjidhen miqësitë, por edhe vendi ku riprodhohen dhe i shfaqen botës. Kjo edhe për fytyrat dhe figurat publike.

Kemi zhvilluar një huq që rrezikon të na e sheqerosë mjedisin e dialogut: jemi bërë të gjithë miq: autorë, botues, producentë, kuratorë, kritikë. T’ia përmendësh dikujt emrin – në një ese, në një studim, more edhe në një status, duhet ta shoqërosh me “miku im Adnan Adnani”, ose “mikja ime Teuta Tefta.”

Bukur. Rrjetet sociale prandaj edhe janë thurur – që të ushqejnë miqësitë.

Por, a nuk ju duket edhe ju, se kështu shkurtohen distancat? Se jo vetëm i jemi afruar shumë njëri-tjetrit, por edhe jemi të detyruar të mos i largohemi dot, se na janë ngjitur shollët në mjaltë?

Guy de Maupassant e pat përkufizuar kështu një herë martesën: “Është shkëmbim i humorit të keq gjatë ditës dhe i erërave të këqia gjatë natës.”

Si mund ta përshtatim këtë për poli-martesat kolektive që na ofron socialiteti virtual?

Anembanë sheh miq që lëvdojnë miqtë, miq që recensionojnë miqtë, miq që botojnë miqtë, miq që intervistojnë miqtë, miq që përkthejnë miq, miq që vënë në skenë miqtë, miq që ulen në tavolina me miqtë, miq që fotografohen me miqtë.

Do të më thonë: kështu ka qenë gjithnjë. Mbase, por tani të gjitha këto miqësi jo vetëm shpallen orë e çast, por edhe – kam frikë – lidhen e farkëtohen për t’u shpallur.

Këtu mbase do të më vijë pyetja karakteristike: po ç’të keqe ka?

E keqja ka të bëjë pikërisht me distancën.

Distanca mundëson atë lloj komunikimi publik të nevojshëm që miqësia e pengon. Në kuptimin që, kur miku im Adnan Adnani bën një përkthim të keq, jep një intervistë paçavure, nxjerr një status budalla, unë stepem, para se ta kritikoj në publik.

Për shkak të një llogarie të thjeshtë: nuk dua ta humbas miqësinë, për një çikërrimë. Sepse në ekonominë e veprimtarisë sime publike, miqësia me Adnan Adnanin, dhe aq më tepër miqësia E SHPALLUR me Adnan Adnanin vlen më shumë se konstatimi publik i një të vërtete elementare për këtë njeri.

Dhe kjo nuk ka të bëjë me karakterin e dobët të Adnan Adnanit, por me atë gjënë tjetër, se miqësi të tilla publike, të cilat luhen në skenë, mbahen gjallë dhe riprodhohen shpesh për të amortizuar kritikat dhe për të lubrifikuar aleancat.

Përballë politikës, ku marrëdhëniet ndërpersonale mes palëve janë me përkufizim armiqësore, në kulturë u dashka të dominojë miqësia, sherbeti dhe gota e rakisë.

Me gjasë, i gjithë ky spektakël i miqësisë vetëm sa mbulon thashethemet, akuzat, bërrylat, sharjet, shpifjet dhe shkopinjtë në rrota, të cilat në kulturë janë po aq të pamëshirshme sa gjetiu.

Ndodh pastaj kështu: ti si kritik e lexon librin e Adnan Adnanit vetëm ngaqë ky ta ka dhuruar me autograf; dhe nuk mund të shkruash për të veçse mirë – ndërsa për librin e Lekë Aleksit as ke dëgjuar kurrë që ka dalë. Por edhe Lekë Aleksi ka miqësitë dhe aleancat e veta, që vihen në veprim kur i del libri.

Produksionit kulturor nuk i përgjigjet reagimi i duhur, dhe as filtrimi i duhur. Të gjitha gjërat që dalin janë “të mira”, derisa harrohen sakaq. Numrit të sukseseve nuk i përgjigjet ndonjë numër dështimesh – edhe pse një masë e madhe e veprave që botohen, që vihen në skenë, që realizohen janë të dështuara që në rrënjë.

Kritika ndaj produktit kulturor, edhe kur arrin të dalë mbi ujë, perceptohet menjëherë si e motivuar nga qëllime jashtë-kulturore, çështje klanesh, fondesh ose mërish homerike.

Ndryshe nga klanet dhe në përgjithësi palët në politikë, klanet në kulturë i shmangin përplasjet publike, duke parapëlqyer injorimin. Libri i Adnan Adnanit? Nuk e di, s’e kam lexuar. Kjo, nga i njëjti person që, para një muaji, si anëtar i një jurie letrare, desh u mbyt me shkumën që i dilte nga goja, kur argumentonte pse çmimi i madh të mos i jepej Adnan Adnanit.

Ky rrjet i ndërliqshëm miqësish të shpallura dhe armiqësish të heshtura ka edhe një efekt anësor fatal: e kthen çdo event kulturor në performativ: botohet një libër, por nuk ka nevojë të lexohet; vihet në skenë një dramë, por nuk ka nevojë të ndiqet në sallë; realizohet një film artistik, por nuk ka nevojë të shfaqet.

Dhe performativi, si i tillë, i rri jashtë kritikës: një libër mund edhe ta kritikosh, por botimin e tij jo. Aq më tepër kur këtë e bën “miku” yt, të cilin në raste të tilla veç mund ta urosh. Urime për filmin e ri (që nuk do ta shohë kush)! Urime për çmimin e madh (edhe pse romanin tënd nuk kam ndërmend ta lexoj…)! Urime për pjesëmarrjen në bienale!

E kundërta e urimit nuk është kritika, por mallkimi. Po kush është aq shpirtkazmë, sa të mallkojë mikun?

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin