ROMANI ME ENVER (III)

3. Enveri në monolog

Autor i Dimrit të vetmisë së madhe, Kadareja e ka shpjeguar në hollësi – siç e pamë më lart – mënyrën komplekse si kish menduar të ndikonte në “zbutjen” e diktatorit Hoxha, duke i dhënë një model për t’u krahasuar. Pamë edhe si, në kapitujt e romanit kushtuar qëndrimit të delegacionit shqiptar në Moskë, ose ato ku heroi i romanit, Besnik Struga, bie në kontakt me diktatorin dhe ndjek nga afër dramën e konfliktit ideologjik dhe politik shqiptaro-sovjetik, maska për diktatorin fillon të sajohet me disa mënyra njëherësh – nëpërmjet përjetimit të Enver Hoxhës nga Besniku (Enveri i rrëfyer nga Besniku), nëpërmjet përjetimit heterodiegjetik (Enveri i rrëfyer nga jashtë nga rrëfimtari i romanit), nëpërmjet ligjëratës së drejtë, ose fjalëve që thotë Enveri në biseda me të tjerët të raportuara saktë (dhe që, në masë të madhe, u përgjigjen materialeve arkivore me të cilat pat punuar Kadareja) dhe, më në fund, nëpërmjet ligjëratës së zhdrejtë të lirë, të cilën autori e përdor për t’i rrëfyer lexuesit se çfarë “ndodh” në mendjen e diktatorit. Për arsye të vetëkuptueshme, pasazhet në ligjëratën e zhdrejtë të lirë janë edhe më të përshtatshmet për synimin që i pat vënë vetes autori, atë të “dhurimit të maskës”, sepse atje rrëfimtari i romanit nuk i ka duart të lidhura nga arkivi dhe është më i lirë të eksperimentojë, duke e bërë personazhin e vet – Enver Hoxhën – të mendojë ato gjëra që i hyjnë në punë rrëfimtarit, për të çuar përpara operacionin e vet përpunues të krye-lexuesit (Enverit).

Kjo përftesë – e monologut të brendshëm – vjen e bëhet qendrore në një kapitull tjetër të Dimrit, të 19-tin, ku diktatori na jepet në një ditë pune të zakonshme, “në zyrën e tij të madhe, në katin e tretë të ndërtesës së Komitetit Qendror,” (f. 353) teksa shfleton një dosje për një përmbytje që ka goditur Shqipërinë e Mesme dhe pastaj një material për prerjen e kredive dhe çnjohjen e të gjitha marrëveshjeve nga vendet e kampit socialist, i cili në thelb lajmëronte “bllokadën”.

Këtu Enveri u drejtohet me mendje liderëve të Bashkimit Sovjetik, për t’u thënë ca gjëra që ndoshta në sallën Georgievskaja nuk i pat thënë dot:

Krimi juaj i përbashkët, tha me vete, si të niste një fjalim. Do të shkonin vitet, ata do të thinjeshin edhe më, fjalët e tyre me kalimin e kohës do të bëheshin më të qeta, me një tingull gjithmonë e më të përjetshëm, filozofik, gati biblik; ata gjithmonë e më shpesh do të dilnin nëpër presidiume, festa përvjetorësh, në kronika filmash, ekrane, nëpër kujtime, ditarë, parathënie veprash, pranë tufave me lule të pionierëve, të rrethuara nga një mallëngjim, nga një adhurim për thinjat e tyre, për urtësinë, kulturën, humanizmin, shpirtmadhësinë, për duart e tyre të dobëta, gati të tejdukshme, si duar shenjtorësh, që s’kanë vrarë kurrë një mizë, që janë ngritur lart, anash, duke dënuar padrejtësinë, shtypjen e klasës punëtore, dhunën, egërsinë dhe që tani do të dridhen duke marrë lulet; e megjithatë, megjithatë, të gjitha këto nuk do të lanin dot prej tyre njollën që ata i kishin vënë vetes, duke lënë pa bukë, në mes të shekullit XX, një popull të vogël. [theksimi im, A.V.] (f. 354)

Çfarë tërheq vëmendjen, te ky pasazh, është akuza vetë, ku nuk ka gjurmë të “tradhtisë së parimeve të marksizëm-leninizmit”, të “shitjes te imperializmi ndërkombëtar”, të “Titos” e kështu me radhë; por ku liderët sovjetikë qortohen rëndë, ngaqë “kanë lënë pa bukë… një popull të vogël.” Akuza është kombëtariste tipike,[1] por fjalët e Enverit tingëllojnë, më shumë, si të Kadaresë vetë, sidomos kjo rrëmbushja me “popullin e vogël”, “në mes të shekullit XX”.

Enveri fillon të shfletojë, pastaj, letrat që i vijnë nga populli.

“Të gjithë jepnin mendime si mund të dilej nga ky dimër, mendoi […] Të gjithë, madje edhe të burgosurit politikë, letrat e të cilëve ishin shpeshtuar kohët e fundit. Ishin disa nga lavdërimet e tyre, që e trembnin më fort se çdo gjë: më në fund ti bëre diçka për Shqipërinë tonë, e shkëpute atë nga ajo Lindja komuniste…” (f. 357)

Këtu janë të burgosurit politikë që shfaqen si kombëtaristët e mirëfilltë, ata që – edhe pse kundërshtarë – ia njohin Enverit meritën e shkëputjes nga Lindja; letrat e tyre, dhe fjalët e tyre (sërish në ligjëratë të zhdrejtë të lirë) përvijojnë sërish kombëtarizmin si emërues të përbashkët mes atyre që lufta e klasave, në Shqipëri, i kish hedhur në anë të kundërta të frontit; çfarë i sugjeron Enverit vetë, gjithnjë sipas mekanizmit të maskës, se kombëtarizmi, ose nevoja për unitet përballë kërcënimit ekzistencial nga Moska (bllokada, uria, etj.) mund të shërbejë si Arsyeja (me A të madhe) për ta zbutur luftën e klasave dhe vetë regjimin totalitar në Shqipëri. Tek i njëjti pasazh, aludohet edhe se të burgosurit politikë janë, vetvetiu, kombëtaristë; në mos që vetë burgosja e tyre lidhet, njëfarësoj, me kombëtarizmin e tyre; sidomos tek ajo “më në fund”, që parakupton se të burgosurit vetë, me antikomunizmin e tyre, i kanë pasur që herët këto pozicione.

Më pas, Enveri kalon te një “shestim për heqjen e gradave në ushtri dhe uljen e pagave të zyrtarëve të lartë”. Citoj:

Në kujtesë iu lëkundën ngadalë kulmoret e Kremlinit, nën atë qiell të ngrirë të Moskës. Thuhej se komunizmi ishte më i ri se vetë rinia, kurse shteti, po të mbetej i vjetër, do ta vriste e do t’i bënte plagë në trup atij si një këmishë e hekurt, e moçme. Gjer në njëfarë shkalle, kjo ishte e natyrshme. Mijëra vite e ndanin njeriun nga paraardhësi i tij: majmuni antropomorf. Megjithatë, herë pas here, mbi qenien e tij shfaqeshin atavizmat përbindëshore. Kurse shtetin socialist nuk e ndanin veçse pak vite nga paraardhësit e vet. Egërsia e tyre, kreshpërimi i verbër, qimet e lemerishme mbi gjymtyrë do të shfaqeshin aty-këtu, në mënyrë të frikshme, për një kohë të gjatë. Dhe, për një kohë të gjatë, klasës punëtore do t’i duhej të luftonte me to dhe me burokracinë shtetërore për jetë a vdekje.

Ky “Enver”, papritmas anarkist, anti-burokratik pothuajse kuq-gardist, nuk ka gjë të përbashkët me Enverin kombëtarist të paragrafit paraprijës – përkundrazi, përvijohet si para-ardhësi i Enverit te poema Pashallarët e kuq, të cilën Kadareja u orvat ta botonte vetëm pak vite më pas, pa sukses.[2]

Vazhdon monologu i Enverit:

Do t’i duhej të rrëzonte çdo zhgun zotërinjsh, që mund të shfaqej mbi supet e zyrtarëve të vet të lartë, dhe, po të ishte nevoja, pas zhgunave, të rrëzonte të zotët. Atje në Moskë, herën e fundit, i kishte parë dhe nuk i kishte njohur më ish-militantët e revolucionit, të shndërruar në burokratë të ftohtë. Shndërrimi kish qenë i frikshëm… Epidemia frynte si një duhmë mbi gjithë hapësirën e kampit socialist. Revolucioni po zinte dhjamë. Mbi trupin dyzetvjeçar të Bashkimit Sovjetik po dilnin thinjat e perandorisë…

Krijimi i një kaste kish qenë prej vitesh ngashënjimi i tyre i përbashkët. Në fillim mospërfillje për klasën punëtore, pastaj përbuzje, dhe puna do të merrte fund me urrejtje të hapët, pas së cilës nuk pritej veçse ploja.

[…] Me sa duket, fati i kish ruajtur klasës punëtore një ndeshje të fundit, të tmerrshme.

Qelqi i dritares, përpara së cilës ai kish qëndruar, u vesh lehtazi nga frymëmarrja e tij. Duhej goditur pa mëshirë çdo shenjë kaste. Dhe po të ishte nevoja, të shkohej edhe më larg: t’i bëhej e qartë klasës punëtore, gjithë popullit, se Partia nuk kishte të drejta të pakufizuara. Një copë herë ky mendim e përpiu krejt. (f. 359)

Lexuesi këtu fillon të pyesë: nga e ka origjinën ky Enver, që befas artikulohet si të ishte anarko-sindikalist? Me gjasë, te politikat, parashtresat dhe fjalimet e periudhës së “revolucionarizimit të jetës së vendit” në Shqipërinë e viteve 1960, ku një numër lëvizjesh të mëdha politike, si ato të “trekëndëshit revolucionar” mësim-punë-kalitje në arsim, të emancipimit të gruas, të heqjes së gradave në ushtri, të luftës kundër patriarkalizmit dhe e luftës kundër burokratizmit krijuan terrenin e përshtatshëm për liberalizimin e jetës kulturore, duke e paraqitur burokracinë si të keqen e madhe që i kanosej diktaturës së proletariatit nga brenda; lëvizje këto që u kurorëzuan, njëfarësoj, me fjalimin “Socializmin e ndërtojnë masat, Partia i bën ato të ndërgjegjshme” të shkurtit të vitit 1972. Të gjitha këto tema, të kaluar nëpër filtrin e imagjinatës kadarejane, do të rishfaqen në forma të mprehta te poema “Pashallarët e kuq.”[3]

Pas kësaj paranteze, jo dhe aq të çuditshme, Enveri i Kadaresë kthehet në binarët e “pajtimit”:

“Në anën e djathtë të tryezës kishte vënë mënjanë, për ta parë edhe një herë qetësisht, një kumtesë të Komitetit të Partisë të Tiranës, për gjendjen shpirtërore në kryeqytet. Të gjitha shtresat e popullsisë ishin si të ndërkryera. Borgjezët e dikurshëm, klerikët, tregtarët, ish-pronarët e tokave, ndonëse hiqeshin moskokëçarës, ishin në një gjendje përndezjeje të vazhdueshme. Nga ana tjetër, komunistët e vjetër, ish-partizanët, oficerët e dy ministrive, të Brendshme dhe të Mbrojtjes, mblidheshin gjithashtu pasdarkeve te njëri-tjetri. Urrejtja e fashitur disi pas pesëmbëdhjetë vjetësh të regjimit komunist përpiqej të ringjallej, por për çudi s’ishte më ajo e hershmja. Më tepër se pezëm, kishte kureshtje. Kaq vite dukej sikur nuk kishin pasur të bënin me njëri-tjetrin, kishin jetuar secili në punë të vet: komunistët midis bëmave të tyre plot bujë e zjarrmi, borgjezët kokulur e në heshtje. Dhe befas ishin kujtuar prapë se jetonin në të njëjtën botë, pranë e pranë, pothuajse ngjitur. Dhe pyetja e parë që bëhej nga të dyja palët ishte e njëjtë: tani që po dalim prej kampit, do të bëhemi me Perëndimin? Ajo pyetje zgjonte frikë, tmerr, ngazëllim, shpresë, hutim. Por asgjë nuk ishte e qartë si më parë. Edhe tmerri kishte brenda një ëmbëlsi të fshehtë, edhe ngazëllimi errësohej nga ankthi.

[…] Ishin rishfaqur, pra, dy grupime të mëdha njerëzore: besnikët e regjimit dhe të tjerët, të cilësuar herë si kundërshtarë, herë borgjezë e herë thjesht të ftohtë me shtetin. Midis këtyre dy skajimeve ishin grumbujt e soditësve, të atyre që s’çanin kryet për asgjë, të atyre që tmerroheshin nga gjithçka, të kureshtarëve, të thashethemsave e të kurafshamosuvrafshave.

Në dosje kishte thënie, njoftime dhe letra nga të gjithë, por sidomos nga dy grupet kryesore. Te të djathtët, mendimet e skajshme: po vjen koha jonë, tani duan s’duan, do të rishikojnë gjithçka, të na kthejnë pronat, të na hapin burgjet, ishin disi të rralla. Më tepër kishte një frymë pajtimi. Të shkuara, të harruara. Lavdi Zotit, u bë një punë e mirë. Këtë herë, ndonëse na ke futur në burg, na ke me vete, i shkruante dikush. Veç hiqe nga Shqipëria murtajën komuniste, pa ne t’i bëjmë hallall vuajtjet tona. […] Sa herë që shfletonte ato dosje, në mendjen e tij sajohej e njëjta mëdyshje: cila nga të dyja palët ishte tani për tani më e vlefshme për kohën?[4] (f. 361-362)

Sërish lexuesi pyet: i kujt është zëri, në këtë pasazh? I Enverit personazh të Dimrit? I “të djathtëve” dhe i të burgosurve politikë? I Kadaresë, si artisti krijues i maskës?

Përgjigjen e ndërlikon edhe më fakti se i njëjti pasazh, në versionin e romanit të botuar në vitin 1978, me titullin Dimri i madh, del disi ndryshe:

“Dy ditë më parë kishte lexuar me kujdes një relacion të Komitetit të Partisë së Tiranës, për gjendjen shpirtërore në kryeqytet. Të gjitha shtresat e popullsisë ishin të elektrizuara. Ish-borgjezët e dikurshëm, klerikët, ish-pronarët e tokave ishin në një eufori të vazhdueshme, megjithëse përpiqeshin ta fshihnin atë prapa një velloje moskokëçarjeje. Nga ana tjetër, militantët e vjetër të partisë, ish-partizanë, komunistë të rinj entuziastë, mblidheshin pasdarkave te njëri-tjetri, diskutonin me zjarr për gjendjen e re, thoshin “duhen hapur sytë.” Midis këtyre dy poleve ishin grupe sehirxhinjsh, njerëz që i kap paniku lehtësisht për çdo gjë, indiferentë, sentimentalë, ekstremistë të djathtë dhe të majtë. Veçanërisht ishin të rrezikshëm këta dy të fundit. Të djathtët e interpretonin prishjen me Bashkimin Sovjetik si prishje me komunizmin, të majtët përsëritnin gabimin e tyre të vjetër: ngatërronin armikun me njerëzit tanë.” (f. 427)

Mungon, natyrisht, pjesa me të shkuara të harruara, ku të burgosurit politikë dhe ish-armiqtë e regjimit, viktima të luftës së klasave, janë gati t’ia falin Enver Hoxhës krimet, tani që prishja me sovjetikët ka krijuar rrethanat për pajtimin kombëtar. Këtë pjesë, që nuk do t’i kish kaluar censurës së atyre viteve kur u shkrua dhe u rishkrua romani, Kadareja e ka shtuar më pas (mbase edhe rehabilituar); prandaj, më shumë se pjesë e “maskës” që autori kërkonte t’i dhuronte tiranët, ajo duhet interpretuar si pjesë e “maskës” që Kadareja i vonë kërkon t’i vërë Kadaresë së hershëm, çfarë nuk përjashton, megjithatë, që ai autor t’i ketë menduar të gjitha këto, që në kohën kur e shkruante romanin.[5]

Në fund të këtij monologu, Enver Hoxha mendon se si do t’ia shpjegojë “popullit” atë që ka ndodhur në Moskë, dhe përjeton një nga ato çaste kur gati-gati i duket e natyrshme ta nisë një fjalim me fjalët:

Popull shqiptar, e kam të vështirë të shpjegoj gjer në fund atë që ka ndodhur atje në Moskë, ngaqë unë vetë nuk e di… plotësisht. (f. 365)

Për t’u vërejtur se retushimet që ia bën autori Enverit personazh, ose shmangiet nga dokumentacioni historik dhe arkivor, janë më të pranueshme dhe më të lehta kur kanë të bëjnë me “përpunimin” psikologjik të personazhit, sidomos nëpërmjet dhënies së rrjedhës së mendimeve me ligjëratë të zhdrejtë të lirë. Është thënë nga Kadareja dhe të tjerë, dhe deri diku mund ta konfirmoj edhe unë nga krahasimi me materialet arkivore të botuara, se ngjarjet në Moskë dhe dialogët e takimeve me sovjetikët janë dhënë në roman besnikërisht dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe. Megjithatë, të mos harrojmë se Dimri i vetmisë së madhe është roman, jo kronikë; dhe si roman duhet të jetë konsistent me veten, qoftë kjo edhe në dëm të vërtetësisë historike. Moska mund të zërë vend qendror në ekonominë narrative të romanit, por Enver Hoxha, si heroi i Moskës, nuk zë shumë faqe, në krahasim me ngjarjet e tjera, përfshi këtu edhe pjesën e romanit që i kushtohet Bazës së Vlorës (Pashalimanit) dhe mosmarrëveshjeve shqiptaro-sovjetike për fatin e saj.

Prandaj, nuk është për t’u habitur se një nga shmangiet në ligjëratën e drejtë të Enverit personazh në Moskë, në krahasim me çfarë është thënë atje vërtet, ka të bëjë pikërisht me bazën e Vlorës, e cila ishte kthyer në një nga pikat e nxehta të bisedimeve. Acarimet në bazë, mes marinarëve dhe oficerëve të së dyja palëve, kishin filluar, sipas Enver Hoxhës, “pas mbledhjes së Bukureshtit” (Vepra 19, f. 359); dhe se pala sovjetike nuk po ua jepte shqiptarëve nëndetëset në bazë të marrëveshjes në fuqi. Kjo lidhej edhe me të ardhmen e Shqipërisë si vend anëtar i Traktatit të Varshavës. Në takimin që pati me Hrushovin, Enver Hoxha tha: “Ç’interes kemi ne që ushtarakët tanë të grinden në bazën e Vlorës?” (vep.cit. f. 379) dhe pastaj:

“Po të dëgjojë populli sovjetik se ju kërkoni të hiqni bazën nga Vlora, kur ajo shërben për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të vendeve të tjera socialiste të Evropës, këtë nuk do t’jua falë… Nëse do të hiqni bazën, do të bëni një gabim të madh. Ne kemi luftuar edhe pa bukë e të zbathur, por asnjëherë nuk i jemi përkulur askujt.”

Te Dimri, kjo pjesë e debatit është sjellë disi ndryshe. Kur Hrushovi thotë se “në qoftë se baza sjell grindje, ta heqim”, Enver Hoxha i përgjigjet kështu:

Qenia e Pashalimanit do të thotë që, në rast lufte, të digjet më parë Vlora se Sevastopoli” [theksimi im, A.V.].

Si replikë, kjo është nga më të fortat – dhe nxjerr lakuriq shndërrimin e Bashkimit Sovjetik në supershtet; sikurse dëshmon shqetësimin e liderit shqiptar, që Shqipëria mund të sakrifikohej, në emër jo aq të socializmit botëror, sa të kolltukut të Hrushovit dhe synimeve ekspansioniste të Bashkimit Sovjetik.

Çuditërisht, replika mungon te transkripti i takimit me Hrushovit, në Veprën 19 të Enver Hoxhës të cituar më lart, por del në procesverbalin përkatës të ruajtur në AQSH[6]:

[Enver Hoxha]: Në qoftë se populli sovjetik do ta dëgjojë se ju kërkoni ta hiqni bazën nga Vlora kur populli shqiptar e ka kërkuar atë me gjithë shpirt për mbrojtjen e Shqipërisë dhe të gjithë kampit, sepse më parë se sa Sevastopoli do të digjet Vlora…

Që kjo pjesë e bisedës e ka gjetur rrugën te faqet e romanit, por jo Veprën 19 të botuar fare pak vite më pas, kjo jo vetëm tregon se autori i Dimrit ka pasur në dispozicion dokumentet e plota nga arkivi i KQ, por edhe se redaktorët e Veprës 19 do ta kenë gjetur krahasimin e Vlorës me Sevastopolin tepër problematik për lexuesit dhe konsumatorët e librit (mbase ngaqë tregonte sa të afërt ishin atëherë Shqipëria dhe BRSS), prandaj edhe e kanë lënë jashtë.

(vijon)

ROMANI ME ENVER (I)

ROMANI ME ENVER (II)

ROMANI ME ENVER (IV)

© 2020-2021 Ardian Vehbiu & Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptë kopjimi dhe riprodhimi në mediat, e shtypura ose elektronike. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.


[1] Lexuesit nuk duhet t’i shpëtojë edhe se portretet e liderëve sovjetikë, në këtë pasazh, i përshtaten më së miri edhe Enver Hoxhës vetë, bashkë me akuzën se “ka lënë pa bukë një popull të vogël”, për të ruajtur pushtetin e vet.

[2] Nëse Kadareja kërkonte ta modelonte Enverin sipas interesave të tij si shkrimtar, edhe Partia – në personat e aparatçikëve të saj – kish planet e veta, si duhej të ishte Enveri. Njerëz të zgjuar në kupolë, si Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia, e kishin konstatuar tashmë paranojën e liderit dhe frikën e tij nga izolimi; prandaj edhe ata përpiqeshin, me mënyrat e tyre, që t’i tregonin këtij se i kishte me vete.

[3] Antiburokratizmi shpallet nga një numër poemash dhe poezish të viteve 1960; edhe Fatos Arapi ka një poemë të titulluar “Antiburokratike”. Kjo mbase duhet vendosur në kontekstin e luftës së brezave, përpjekjes së “poetëve të rinj” (të kulturës letrare post-staliniste) për t’iu imponuar establishmentit të Lidhjes së Shkrimtarëve (aso kohe, kombinim i idilikës baritore me intrigën dhe toksikologjinë bizantine), por edhe lëvizjes për Revolucionarizimin e përgjithshëm të jetës së vendit, në Shqipërinë e viteve 1960; ku “burokratizmi” po përdorej më tepër si fjalë e koduar për ndikimin ende të fortë sovjetik (si kulturë, si formim profesional dhe si praktikë pune) në strukturat e shtetit, së cilit ndikim Enver Hoxha i druhej shumë. E vështruar nga sot, “burokracia” e anatemizuar e asaj kohe duket më tepër një përpjekje për të vënë rregull dhe për të bërë shtet, nga ana e brezit të kuadrove dhe specialistëve që kishin studiuar në Universitetet e Lindjes në vitet 1950.

[4] Ndoshta duhet lexuar: “më e vlefshme për mua.”

[5] Nuk është objekt i kësaj analize krahasimi mes varianteve të ndryshme të romanit.

[6] AQPPSh-MPKBS-V.1960, L.14/1, D.24. Falënderoj Elidor Mëhillin që ma vuri këtë dokument në dispozicion.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin