SHËNIME GJUHËSORE TË KARANTINËS (I)

nga Tannhäuser

Kush na mbron burrat?

Në shekujt e kaluar, kryesisht në shek. e XIX dhe XX, gjuhëtarët e shikonin veten shumë më të aftë sesa sot kur vinte puna për zbërthimin e emrave të përveçëm, ishin këto të onomastikës greke apo jo. Madje nuk është ekzagjerim sikur të thuhet se nuk kishte ngelur asgjë pa u etimologjizuar në lëmin e onomastikës, dhe jo gjithmonë në mënyrë të suksesshme. Ndonjë emër i greqishtes supozohej kështu i burimit lindor, ose i substratit, i superstratit apo i adstratit. Kështu që, kur Hasan Ceka shkruan “Siç dihet, kohët e fundit u provua se edhe emri Aleksandër, që është një emër tipik për krahinat maqedone e epirote, por nuk mungon as në Ilirinë e Jugut, nuk është aspak grek, por me origjinë nga Azia e Vogël[1] nuk është se sjell ndonjë tronditje në helenistikë, por riciklon një teori të vjetër të filologut gjerman Ferdinand Sommer i cili tek emri i Aleksandrit në tekstin homerik të Iliadës (emri i Paridit), gjente atje një shfaqje të emrit Alakšandruš të hetitishtes.[2]

Këtu nuk do ndalem në teorinë e Sommer-it, që edhe pse numëron vetë me dhjetëra emra të greqishtes të formuara me pjesën –ανδρος, si edhe jep edhe etimologjinë e versionit standard, të formuar me foljen αλέξω (Αbwehr + Männer ),[3] në shqip “mbrojtës burrash”, prapëseprapë dyshon për origjinën greke të emrit,[4] por do ndalem në lehtësinë me të cilën arkeologu shqiptar pranon një tezë të tillë. Këtu shikoj dy shkaqe kryesore; i pari është një mungesë serioze e formimit helenistik, gjë që nuk mund ta them me siguri për formimin akademik të H. Cekës (por mund ta them me albanologë të sotëm të cilët ndonjëherë i qasen problemeve që lidhen me greqishten dhe do i parashtroj më poshtë) dhe, i dyti është besoj aplikimi i metodës së seleksionimit të fakteve (cherry picking) ku, nga të gjitha faktet e disponueshme, parapëlqehen ato që na vijnë për shtat. Kështu që Ceka, që të tregojë se onomastika epirote nuk predominohet nga elemente greke, mjafton të tregojë se edhe ato elemente që njihen apo mbahen si të tilla (greke) nuk i përkasin greqishtes.

Në vitin 1965 kur doli artikulli i Cekës ishte deshifruar Lineari B dhe ishin botuar tabela të mikenishtes, madje edhe fjalorë me leksikun e deriatëhershëm që e kishin thelluar njohurinë tonë të greqishtes. Në këto tabela ishte deshifruar edhe emri A-re-ka-sa-da- ra (Aleksandra) si edhe A-re-ke-se-u (Alekseus) të cilat konfirmuan edhe onomastikën pre-homerike të emrit Aleksandër si edhe formimin e emrave me foljen αλέξω (mbroj).[5] Të gjitha këto fakte shuan përgjithmonë edhe dyshimet më vogla që mund të ngjallte teoria e Sommer-it,[6] por nuk merren parasysh nga Ceka.

Argumenti i Cekës në fund të fundit është i cekët edhe nga ana logjike pasi dështon të realizojë se emri Aleksandros, edhe sikur origjina e tij të ishte hetitishte, i përket traditës onomastike greke ashtu sikurse emri Gjon i përket traditës onomastike shqiptare, dhe jo asaj hebraike.

***

 

Emri i karafilit.

Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe ka për fjalën karajfile “Pushkë e gjatë, që mbushej nga gryka dhe shkrehej me strall.”[7] Nga ana etimologjike e fjalës tani, Topalli shkruan: “Huazim prej it. Carlo e Figlio “Karli dhe i biri”, prej emrit të një fabrike në Itali, që i prodhonte”, duke cituar për burim Ndrecën dhe Çabejnë.[8] Nga këta autorë i pari shkruan: “karajfile/-lja f. (it. Carlo e Figlio – emri i konstruktorit) … (prodhim italian)”[9] kurse i dyti: “Është një emër arme prej emrit të fabrikës a të markës, prej it. Carlo e Figlio “Karli e i biri”, emri i një fabrike armësh t’ Italisë”.[10] Mirëpo për këtë etimologji nuk sillet ndonjë fakt mbështetës as ndonjë provë për fabrikën italiane të armëve, dhe s’ka sesi pasi një fabrikë armësh e tillë nuk ekziston.

Ngatërresën për këtë etimologji e ka sjellë gjuhëtari grek Nikolaos Andriotis i cili në fjalorin e vetë etimologjik[11] kodifikoi një mit të përhapur në Greqi në shek. e XIX për origjinën e një prej armëve më të përhapura në kohën e Revolucionit grek të vitit 1821, të karajfiles (gr. καριοφίλι). Që burimi i kësaj etimologjie është Andrioti dëshmohet edhe nga fakti që fjalorë të tjerë etimologjikë të gjuhëve ballkanike ku është përhapur fjala, si p.sh. i bullgarishtes i referohen këtij autori.[12] Kërkimet për një firmë apo fabrikë armësh italiane me emrin Carlo e Figlio apo Figli nuk kanë dhënë ndonjë rezultat[13] dhe përgjithësisht pranohet se fjala ka hyrë nga turqishtja karanfil (kjo prej gr. καρυόφυλλον) dhe për kuptimin e armës është në fakt ajo që shënon Çabej: “Në shqipen emri italian i kësaj pushke ka pësuar një ndryshim të formës, nën ndikim të emrit botanik të karafil-it karajfil-it, kjo mbase nga lajlet e gdhendura në tytë të pushkës, që japin idenë e një luleje.[14] Ndonjëherë shpjegimi i fjalëve është më i thjeshtë nga sa mund të mendohet.

***

Kurveleshi.

Për prejardhjen e emrit të Kurveleshit nuk di të ketë pasur ndonjë mendim të prerë, por supozimi i Pëllumb Xhufit shprehur tani së fundmi në veprën e tij voluminoze Árbërit e Jonit[15] duket mjaft i bindshëm. Pasi paraqet mendimin e Milan Šufflay-t, i cili tek emri i Kurveleshit shihte atje një ndikim të greqishtes në formë të klithmës luftarake “[Kyrie] eleison,”[16] (mëshiro [o Zot]) dhe, pasi paraqet format e dokumentuara të emrit, siç ndeshet në dokumente perëndimore (Chirileisi, Curlesey, Creliesi), sllave (Krueleši) ose në regjistrimin e Sanxhakut Arvanid (Kurelaş), shprehet se këto të dhëna na shpien tek kompozita Krye-lesh sipas emrave Kryezi, Kryekuq etj.[17] Përfundimi i Xhufit nuk ka të sharë, por më duhet të shënoj se i pari që e ka bërë këtë lidhje dhe që në fakt duhet t’i atribuohet etimologjia e emrit është autori i njohur grek Panagiotis Aravantinos, në veprën e tij Përshkrim i Epirit në tri pjesë. Vepra e shkruar më 1864, e ngelur në dorëshkrim, nuk u botua veçse në vitin 1984 nën redaktim të Eleftheria Nikolaidou me një hyrje nga Konstantinos Dimaras.[18] Në pjesën e tretë të veprës (f. 363), në përshkrimin e Kurveleshit, Aravantinos shkruan: “Το Κ ο ρ ο β ε λ έ σ ι  ή  Κ ρ ο υ ε λ ε σ ι (Μαλλοκέφαλον)…” pra, “Koroveleshi ose Krueleshi (lesh – μαλλο, krye –  κέφαλον)”. Nëse e ka patur parasysh këtë botim Xhufi, i cili përndryshe shquhet si gjurmues i literaturës greke, nuk mund ta them, por nëse jo atëherë ja një rast i vyer për të pasuruar bibliotekën e tij mbi Epirin.

***

Man e mal.

Meqë jemi tek vepra e sipërpërmendur e Xhufit do ndalem në një pjesë ku autori dhunon të dhënat historike e gjuhësore në lidhje me disa toponime. Shkruan Xhufi në shënimin nr. 90 (f. 1384): “Për t’u shënuar ndonjë mikrotoponim i Manit, veç atij vetë, që lidhet me gjuhën shqipe, si Bardhunia apo edhe Mal (Malea mons), ekzistencën e të cilit në gjuhën e banorëve të Manit na e përcjell një udhëtar anonim i vitit 1404, përshkrimi i të cilit ruhet në një kodik të Bibliotekës Ambrosiana në Milano (N. Jorga, “Un viaggio da Venezia alla Tana”, Nuovo Archivio Veneto 11, Venezia 1896, f. 8-9)”.

Pa cituar ndonjë autor apo punim shkencor, Xhufi shprehet se emri i Manit lidhet me gjuhën shqipe. Nga buron ky pohim nuk mund ta them me siguri por e sigurt është që Xhufi këtu riciklon supozimin e gjuhëtarit grek (me origjinë arvanitase) Petros Furikis i cili gjente tek emri i Manit apelativin e shqipes man (morus).[19] Nga katër a pesë teoritë që qarkulluan për të shpjeguar origjinën e emrit kjo kishte edhe dobësitë më të mëdha[20] pasi emërtimi ndeshet për herë të parë në shek. e X (gjë që do kërkonte prezencën arbërore në Peloponez të paktën nga ky shekull), trajta fillestare e emrit ka qenë Μαΐνη (maini me theksin në /i/-në e parë, pra maíni) dhe argumenti praktik, vetë Mani nuk ka man, madje  terreni është i shkretë me shumë pak pemë! Përgjithësisht sot pranohet mendimi i gjuhëtarit grek Demetrios Georgakas për origjinën e emrit, se ajo buron nga epiteti μανός/ μανή[21] (i rrallë, jo i dendur, për me kuptimin i shkretë, pa pemë, siç është në të vërtetë edhe krahina e Manit), mendim i aprovuar nga gjuhëtari gjerman Max Vasmer etj.[22]

Kurse për toponimin Malea mons që Xhufi gjen këtu fjalën shqipe mal, mjafton të hapim Odisenë e Homerit në rapsodinë IV, v. 514: “Po, kur afërohej në cepin e ashpër Maléas, era e stuhishme rrëmbeu anijet e tij e i flaku…[23] dhe ta sqarojmë toponimin e famshëm që sot njihet me emrin Ακρωτήριο Μαλέας (Kepi Maléas) apo Καβομαλιάς (Cavo Maleas). Dhe, që të mos dali ndonjë i mençur të fusë në ekuacion ilirët, ju lutem, i kam lexuar edhe unë ato që shkruan Çabej për etimologjinë e fjalës mal.[24] Që fjala man e mal ka dhënë toponime në Greqi e sidomos në Peloponez kjo nuk vihet aspak në diskutim, madje vetë Georgakas në regjistrin e tij të toponimeve të Peloponezit ka një kapitull të veçantë për toponimet me origjinë arbërore (arvanitika)[25] ku për sqarimin e tyre ishte konsultuar me letërkëmbim me E. Çabejnë. Me këtë dua të them se nuk është nevoja të veprohet me seleksionim faktesh apo të dhënash për të mbështetur një idé, sa kohë që nuk ka kuptim pse të veprohet ashtu.

(c) 2020, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Ceka H., Në kërkim të historisë Ilire, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Arkeologjisë, Tiranë 1998, f. 201-202. Botuar fillimisht si artikull “Përputhje onomastike ilire-epirote” Studime Historike 2 (1965), ff. 85-92.

[2] Sommer F., “Ahhijava und kein Ende?” Indogermanische Forschungen 55 (1937), f. 169-197, më vonë e plotësuar në Zur Geschichte der griechischen Nominalkomposita, Abhandlungen der Bayerischen Akademie der Wissenschaften, Neue Folge, Heft 27, Mynih 1948, ff. 186-202. Shih edhe Scherer A., “Ferdinand Sommer” Gnomon 34/8 (1962), ff. 844-847, sidomos f. 846.

[3] Sommer F., Zur Geschichte der griechischen Nominalkomposita, Abhandlungen der Bayerischen Akademie der Wissenschaften, Neue Folge, Heft 27, Mynih 1948, f. 187.

[4] Sommer, Ibidem, f. 202.

[5] Ventris M. & Chadwick J., Documents in Mycaenaean Greek, Cambridge at the University Press, Keimbrixh 1959, f. 416; Chadwick J. & Baumbach L., “The Mycenaean Greek Vocabulary”, Glotta 41, 3/4 (1963), f. 170; Landau O., Mykenisch – Griechische Personennamen, Göteborg 1958, f. 27, 28, 179; Morpurgo A., Mycenaeae Graecitatis Lexicon, [Incunabula Graeca III], Edizioni dell’Ateneo, Romë 1963, s.v. αλέξω, ανήρ.

[6] Khs. edhe Beekes R., Etymological Dictionary of Greek, v. I, Brill, Leiden – Boston 2010, s.v. αλέξω.

[7] Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, Akademia e Shkencave e RP të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 1980, s.v. karajfile.

[8] Topalli K., Fjalor Etimologjik i Gjuhës Shqipe, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë 2017, s.v. karajfile.

[9] Ndreca M., Fjalor fjalësh të huaja në gjuhën shqipe, Toena, Tiranë 2007, s.v. karajfile.

[10] Çabej E., Studime etimologjike në fushë të shqipes, bleu V (K-M), Çabej, Tiranë 2014, s.v. karajfile.

[11] Ανδριώτης Ν.Π., Ετυμολογικό λεξικό της κοινής Νεοελληνικής, Αριστοτέλειο Πανεπιστήμιο Θεσσαλονίκης, ΙΝΣ, Selanik 1983 (bot. I Athinë 1951).

[12] Bъlgarski Etimologičen Rečnik, v. II, Bъlgarska Akademija na Naukite, Institut za Bъlgarski Ezik, Sofje 1979, s.v. karafila.

[13] Elgood R., Τα όπλα της Ελλάδας και των Βαλκανικών γειτόνων της κατά την Οθωμανική περίοδο [=The Arms of Greece and Her Balkan Neighbors in the Ottoman Period], Polaris Εκδόσεις, Athinë 2009, f. 175.

[14] Çabej, op. cit. f. 47, khs. Elgood, op. cit. f. 176 si dhe Μπαμπινιώτης, Ετυμολογικό Λεξικό της Νέας Ελληνικής Γλώσσας, Κέντρο Λεξικολογίας, Athinë 2011 (bot. II), s.v. καριοφίλι.

[15] Xhufi P., Árbërit e Jonit. Vlora, Delvina e Janina në shekujt XV-XVII (bot. II i plotësuar), Onufri, Tiranë 2017, f.132.

[16] Shih për këtë, Shuflaj M., Serbët dhe Shqiptarët, Bargjini, 2001, f. 159.

[17] Xhufi P., op. cit., f. 132-133.

[18] Αραβαντινός Π., Περιγραφή της Ηπείρου εις μέρη τρία (Εισαγωγή Κ.Θ. Δημαρά, Επιμέλεια, ευρετήριο Ε.Ι. Νικολαΐδου), Εκδόσεις Εταιρείας Ηπειρωτικών Μελετών, Janinë 1984.

[19] Φουρίκης Π., «Παρατηρήσεις εις τα τοπωνύμια των Χρονικών του Μορέως. Μάνη, θέσις, κάστρα, όρια», Αθηνά 40 (1928), f. 55.

[20] Khs. edhe Çabej, op. cit., f. 278-279, s.v. man.

[21] Γεωργακάς Δ.Ι., «Συμβολή εις την τοπωνυμικήν έρευναν», Αθηνά 48 (1938), f. 32-44.

[22] Khs. edhe Συμεωνίδης Χ.Π., Ετυμολογικό Λεξικό των Νεοελληνικών Οικωνυμίων, v. I, Κέντρο Μελετών Ιεράς Μονής Κύκκου, Nikosia – Selanik 2010, f. 873.

[23] Homeri, Odisea (këngët I-XII), përktheu Spiro Çomora, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1973, f. 38-39.

[24] Çabej, op. cit., f. 274-276, s.v. mal.

[25] Georgacas D.J., – McDonald W.A., Place names of southwest Peloponnesus, Register and indexes, [Society for Peloponnesian Studies], Distributed by the University of Minnesota Press, Athinë 1967, f. 287-361 (Greek-Albanian Toponyms).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin