SHMANGIE PËR TË MBËRRITUR TEK E VËRTETA

 – për Louise Glück si Mësuesja ime

nga Ani Gjika,
shqipëroi nga origjinali Sokol Çunga

Në fillim të shtatorit 2009 mbërrita 15-20 minuta më herët në orën e parë të workshop-it për poezinë në Boston University. Pedagoge kisha Louise Glück. Ia doja punën që kur e pata zbuluar në fund të viteve ’90, dhe ajo kishte qenë arsyeja pse aplikova në programin Master në Artet e Bukura (MFA) në Boston University. Atë mëngjes Louise ishte e para që hyri në të famshmen sallë 222, ku Robert Lowell dikur i kishte dhënë mësim Sylvia Plath-it, Anne Sexton-it dhe George Starbuck-ut. Pasi u prezantua, shtyu flokët prapa veshit, duke rrëzuar vëthin në formë rrethi, i cili u rrotullua drejt këmbëve të mia. Bëra ta kapja, por ajo qe më e shpejtë. Më kujtohet tek vrisja mendjen nëse gjithë kjo bartte ndonjë metaforë: mos vallë vëthi i saj më zgjodhi mua? Sigurisht që në atë kohë bota rrotullohej rreth meje dhe, ndonëse e di se ajo ngjarje nuk kishte asnjë domethënie, do ta lejoj veten rioshe ta shtrëngojë fort atë fantazi.

Gjatë atij viti u takuam me Louise një herë në javë, qoftë gjatë mësimit, qoftë në shtëpinë e saj në Cambridge, Massachusets. Ndonjëherë thërriste gjithë klasën në shtëpi, herë të tjera shkonim dhe e takonim vetëm për vetëm dhe flisnim për poezitë tona. Muret e bardhë dhe orenditë e bardha përziheshin me dritën që hynte prej dritareve. Shtëpia e saj ishte rrezëllitëse dhe kishte një zbrazëti mikpritëse: prej asaj hapësire të bardhë, si fleta e bardhë, mund të merrje frymë dhe të shkruaje për ç’të doje.

Që prej fillimit të mësimit me Louise, nuk e parashikoja dot se çfarë do të shihte në poezitë tona. Zakonisht, në fillim na linte të reagonim ndaj poezive të njëri-tjetrit, pastaj ngjante sikur kishte qenë duke pritur për të na u kundërvënë. Në atë kohë nuk e dija se Louise po bënte atë që di të bëjë më mirë – në poezi dhe në punën si mësuese ishte mjeshtre e shmangies, duke më çuditur me mënyrën e papritur me të cilën sodiste sendet. Nuk ishte ajo lloj çudie që vjen prej trukeve akrobatike dhe gjuhësore. Louise është mjeshtre për t’u shmangur, pasi tek e vërteta nuk mbërrijmë kurrë në rrugë lineare. Për dekada me radhë ka punuar për të shkatërruar konceptet e paraformësuara të dashurisë, vdekjes, humbjes, gëzimit, vetmisë, me qëllim për të na vënë përballë një realiteti më të qartë.

Më 2013, dy vjet pasi përfundova studimet, u botua libri im i parë me poezi, Bread on Running Waters. Nuk e kisha takuar Louise nga afër për më shumë se një vit, por i dërgova me postë një kopje të librit, e ngacmuar nga mendimi se do të kishte librin tim në shtëpi. Ca kohë më vonë në kutinë e postës më mbërriti një letër e futur në një zarf të Departamentit të Anglishtes të Universitetit të Yale-it. E kishte zakon të dërgonte letra me zarfe që kishin adresën e Universitetit Stanford të Yale-it, së cilës i vinte një kryq, dhe poshtë shkruante adresën e shtëpisë së saj. E mbajta letrën kundër dritës, filigrani “Lux et Veritas” qëndronte në qendër. Kjo më pëlqente shumë tek ajo – nuk e di se kujt tjetër i ka shkruar letra të tilla, por ma merr mendja se u ka shkruar të gjithë studentëve, dhe ky veprim i thjeshtë e bënte më të prekshme ndjesinë se, si studentë, për të ishim të gjithë njësoj të rëndësishëm.

Për mua ajo letër ishte dhe gjithmonë ka për të qenë e shtrenjtë sa bota. Libri im i parë u botua nga Fenway Press, një botues i vogël dhe i pavarur në Newton, Massachusetts, ndaj marrja e kësaj letre shkruar me dorë nga Louise më jepte shijen e një recensioni të pakohshëm.

Duke u kthyer tek workshop-et, kujtoj se e kam parë tek punonte si kirurge kur kritikonte, i skanonte poezitë si rreze x, vështronte eshtrat dhe tregonte ku qëndronte pezmatimi. Shpesh e përfytyroja si një kirurge me bisturi shumë kohë përpara se të na thoshte se i ati dhe kunati i tij kishin qenë përgjegjës për mbërritjen në këtë botë të bisturive X-acto.

Louise më sillte në vete kur bëhesha dembele, apo kur një poezi ishte më e dobët se punët e tjera të mia. Prandaj, kur mora letrën e saj, mësova se më kishte ndjekur gjithë kohës. Duke qenë se edhe unë vetë kam dhënë mësim të fjalës së shkruar për thuajse njëzet vite, kam vënë re sa shpesh jam emocionuar nga puna e studentëve të mi, aq sa ndonjëherë shqetësohem se mos vallë duke mos përmbajtur gëzimin tim, dëmtoj procesin e tyre të rishikimit.

Pulla e postës, që kishte ngjitur në zarf, bartte pamjen e një kane të Peter Muller-Munk, të cilën s’e kisha vënë re deri tani. Kana e krijuar prej një flete të plotë tunxhi, për të imituar bashin e një anijeje, ishte frymëzuar nga anija oqeanike SS Normandie, prej së cilës mori dhe emrin. E lëmuar, elegante, tërheq vëmendjen. Duke e vështruar është e lehtë ta përfytyrosh sikur derdh ujë të freskët e të kristaltë.

Më kujton se si gjatë bisedave dhe workshop-eve, Louise na mësonte t’i zinim besë drejtimit për ku na çonte kureshtja dhe vëmendja. Përmes librave si Ararat, The Wild Iris, Meadowlands, më mësoi se poezia duhet të ecë dy hapa përpara lexuesit, deri pak përpara fundit, ku perceptimi i të dyve, autorit dhe lexuesit, piqen në një pikë.

(c) Ani Gjika

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin