LEDA DHE MJELMA

Nga Arben Dedja

 

Kur këtu e njëzet vite të shkuara erdha në Itali (pa ikur dot më), punoja në një projekt kërkimor-shkencor multicentrik mbi ksenotransplantin. Ksenotransplanti është, me përkufizim, transplant qelizash, indesh e, bile, organesh, midis dy lloje të ndryshme gjallesash [atëherë ne përdornim modelin e transplantit të veshkës nga derri në majmun (macaca fascicularis)].

Ideja ka lindur dhe është zhvilluar pastaj shkencërisht si nevojë për të gjetur një burim të ri dhe, potencialisht, të pashtershëm organesh e indesh për transplantim. Sot për sot dhuruesit e organeve (duhet, në një farë mënyre, të jenë shprehur gjatë jetës që janë pro dhurimit) zgjidhen nga viktimat e aksidenteve me makinë, hemorragjive difuze dhe të papritura cerebrale e nga pak patologji të tjera. Përndryshe, sëmundjet e ndërlikuara sistemike, shpesh me natyrë kronike dhe të sëmurët me kancer nuk mund të shërbejnë si dhurues organesh. E pra, në vitet gjashtëdhjetë, kur transplanti i organeve ishte në fillesat e veta dhe si barna imunosupresivë përdoreshin vetëm azatioprina dhe kortizonikët (ciklosporina do të zbulohej në vitet shtatëdhjetë) rrugëve të Britanisë së Madhe, për shembull, vdisnin rreth 25.000 veta në vit, ndërkohë që sot që përvoja e kirurgëve dhe gama e imunosupresorëve është rritur mjaft, përkundrazi dhe siç është e natyrshme, vdekjet kanë rënë në 2.000 në vit. Duket e pamundur, pra, të mbushet hendeku midis kërkesës për organe (dhe inde) dhe mundësisë për t’i siguruar ato, ndaj sytë janë drejtuar tjetërkund. Çështja është rrahur parë e prapë dhe, për një sërë arsyesh që do të ishte punë e gjatë t’i përmendja në këtë shkrim që, siç do ta shihni, synon tjetër gjë, është pikërisht derri kafsha e përzgjedhur nga shkencëtarët për t’u përdorur si burim organesh e indesh në një të ardhme (hipotetike), kur të gjitha pengesat imunologjike (dhe, kujdes, me ç’po na shohin sytë, edhe ato virale) të jenë kaluar. Kurse çështja se – gjithmonë në një ardhme hipotetike – a do të pranohet apo jo derri si dhurues organesh nga përfaqësues e ndjekës besimesh të caktuara (shih edhe shkrimin e pakdokohshëm, “Të duash derrin”, të Dash Kokonozit), të paktën në grupin e Padovës isha i vetmi që e ngrija – me gjasë pse i vetmi me një gjysh që quhej Ibrahim. Çështja nuk është aq infantile sa ç’ngjan në pamje të parë, se në të transplantuarit vërehet rëndom ajo që quhet kimerizëm, bashkëprania e popullsive qelizore me prejardhje gjenetike të ndryshme (në rastin e një ksenotransplanti qelizat e derrit do të qarkullonin lirshëm në organizmin pritës).

E kotë të shtoj se, megjithëse shumë hapa janë hedhur, sidomos në prodhimin e derrave – të domosdoshëm – transgjenikë, imunologjia mbetet kokëfortë.

Kurse përsa i përket literaturës historike-mjekësore mbi ksenotransplantin – ndryshe nga ç’mund të mendohet – shekulli i XX është dëng me eksperimente në këtë lëmë. Kolegëve nuk u interesonte historia, gjë për të cilën nuk bija dakord. Dhe pikërisht në një nga librat e shfletuar apo leksionet e shumta që dëgjoja mbi argumentin asikohe më kish bërë përshtypje që William Butler Yeats-i (ngaqë ishte një poet që e njihja mirë, jo për gjë tjetër) i ishte nënshtruar dikur një operacioni “këndelljeje” (rejuvenation), mjaft në modë në vitet njëzet-tridhjetë të shekullit të kaluar (ka edhe mjekësia modat e veta): i transplantuan në testikuj ind testikular majmuni; hiç më pak se një ksenotransplant, pra. Me njohuritë e sotme mjekësore e marrim me mend lehtë ç’ndodhi: indi i transplantuar u nekrotizua dhe aq, ndonëse Poeti betohej që falë operacionit potenca e tij seksuale ish rritur mjaft (efekti placebo). Biografët më vonë e vunë në dyshim nëse kjo ndërhyrje ishte kryer vërtet, duke u prirë drejt pohimit se Poeti gjashtëdhjetë e ca vjeçar i ishte nënshtruar një procedure tjetër, ca më të thjeshtë dhe akoma më të padëmshme: një lloj vazektomie (gjithnjë me qëllim “këndelljen” seksuale) të quajtur: Steinach procedure.

Sot kjo nuk ka rëndësi. Mua më mbeti në mend lidhja e Yeats-it me ksenotransplantin, që do të ketë sjellë te ky një lloj kimerizmi, ndonëse minimal dhe, shoqërimi i ideve më çoi te poezia e mëposhtme e Mjeshtrit që flet për një bashkim, ndonëse hyjnor, burim kimerizmi edhe ky: atë të Ledës magjepsëse, mbretëreshë e Spartës, bashkëshorte e Tindarit, e ëma e Klitemnestrës (e shoqja e Agamemnonit) dhe e Helenës (së Trojës), dhe Zeusit të dashururar me të, që u shndërrua në mjelmë për t’iu futur në shtrat. Lindën kështu binjakët Dioskurë (por Yeats-i nuk mbërrin deri këtu me poezinë e vet – ne po, një çikë, duke folur mbi kimerizmin):

 

Leda and the Swan | Leda dhe Mjelma

 

A sudden blow: the great wings beating still
Above the staggering girl, her thighs caressed
By the dark webs, her nape caught in his bill,
He holds her helpless breast upon his breast.

How can those terrified vague fingers push
The feathered glory from her loosening thighs?
And how can body, laid in that white rush,
But feel the strange heart beating where it lies?

A shudder in the loins engenders there
The broken wall, the burning roof and tower
And Agamemnon dead.
Being so caught up,

So mastered by the brute blood of the air,
Did she put on his knowledge with his power
Before the indifferent beak could let her drop?

 

Ja beh një hov: flatrat rrahin ende
mbi vashën që luhatet, kofshët dhelur
nga shputat-terr, me qip qafën ia ngre,
gjinjtë e pafrymë të saj në gji i mban kredhur.

Qysh bën ta shtykan gishtat ngjethje-e-lëpé
lavdinë puplore prej shalëve që hapen?
E qysh një shtat nën t’bardhin ngut, përdhé,
zemrës së huaj mos t’ia kapë vrapin?

Një drithërimë në ijë buthton së thelli
murin e mrrolur, kullën, kulmin-shkrumb
dh’Agamemnonin vdekur.
Ndryrë kësisoj,

sunduar nga i breshti gjak i qiellit,
dijën me fuqinë e tij ajo a i mbrun
gjer sqepi, indiferent, ta lërë të shkojë?

Mbërrita, pra, te stacioni ku desha të zbres: te përkthimi, gjithnjë me atë ndërdyshjen që njeriu ka kur zbret dhe, kësaj radhe edhe me një mendimth më shumë, mos kjo puna e kimerizmit është një çikë si puna e përkthimit… por metafora duket tepër e guximshme për të qëndruar pa kukëza.

 

(c) 2020, Arben Dedja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Imazhi në kopertinë: Leda dhe mjelma, gravurë nga Cornelis Bos (1540)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin