DOWNTOWN ONE TIRANA

nga Nevis Isaj

Në Tiranë është nën ndërtim godina më e lartë në Shqipëri. Kjo kullë do të jetë 140m e lartë dhe do të ngrihet buzë lumit të Lanës, pranë këndit të lojërave 7 Xhuxhat. Krijuesit janë firma holandeze me famë botërore MVRDV. Në faqen e tyre online ndërtesa përshkruhet si një shprehi që feston progresin e Shqipërisë. Tipari më i rëndësishëm i saj do të jetë, mesa duket, vetëm njëra nga fasadat, e cila nëpërmjet relievit të pikselizuar të shtëpive dhe zyrave të mbivendosura, do të formojë hartën e Shqipërisë.

Arkitektët thonë se ky dizajn jo vetëm luan rol ikonografik, falë së cilit njerëzit do të mund të identifikojnë banesat e tyre me qytetin përkatës në hartë, por mundëson për banorët, falë kësaj mbivendosjeje, pamje panoramike spektakulare të qytetit dhe maleve. Megjithëse shumë nga fjalitë e ofruara nga arkitektët në përshkrimin e projektit meritojnë një ese tjetër ku të mund të verifikohen për kuptimin që mbartin (nëse realisht mbartin kuptim), këtu do trajtoj dy shqetësime që më krijohen nga ky projekt:

Shqetësimi i parë është ndërtimi i një kulle (aq më tepër asaj më të lartës) në Shqipëri, dhe shqetësimi i dytë është stampa e hartës së shtetit në trupin e ndërtesës. Para se të vazhdoj, dua të theksoj që këto shqetësime dhe qëndrime të mijat nuk janë shprehje e një analize dhe kritike gjithëpërfshirëse profesionale apo reflektuese të praktikave ku bëj pjesë. Këto janë reagime personale kundrejt ndërhyrjeve që Tirana pëson vazhdimisht, dhe janë të mbrujtura nga një seri vendimesh të paarsyeshme nga aktorët e përfshirë në prodhimtarinë e arkitekturës në kryeqytet.

Po e filloj nga e para: problemi që kam me idenë e ndërtimit të kullave në Shqipëri. Nuk mendoj që kullat e larta janë një problem në vetvete, sido që për arsye të ndryshme, të diskutueshme gjetiu, nuk jam ende krejtësisht i bindur për këtë. Kullat shumë të larta shndërrohen në problem kur ndërtohen pa arsye vend e pa vend. Kur flas për kulla në kontekstin shqiptar, i referohem 2 tipologjive: kullat si ndërtime vernakulare ballkanase dhe kullat si investment towers (kulla të ndërtuara me qëllim parësor investimin dhe përfitimin e zhvilluesit). Kulla për të cilën po diskutoj këtu i përket kategorisë së dytë sepse, siç mësohet dhe nga faqja e arkitektëve, kjo ndërtesë është investimi i një zhvilluesi privat dhe do të jetë një miks apartamentesh banimi dhe zyrash.

Kullat e investimit në kontekstin shqiptar për mendimin tim janë të papërshtatshme. Për të kuptuar pse mendoj kështu po i referohem historisë së ndërtimit të kullave në qytetet amerikane ku dhe u ngjizën fillimisht. Qiellgërvishtësit e parë ishin rrjedhojë e natyrshme e kushteve të kohës në të cilën u krijuan, ashtu sikundër ishin kullat vernakulare në alpet shqiptare. Autenticiteti i tyre rrjedh nga një dialog direkt dhe i sinqertë me rrethanat historike, sociale, ekonomike, dhe veçanërisht teknologjike. Krijimi i qiellgërvishtësve të para në Chicago ishte një event i paprecedent në historinë e arkitekturës, i nxitur nga zhvillimi i shpejtë ekonomik dhe i mundësuar falë arritjeve në inxhinierinë e kohës. Këtu po i referohem, së pari, krijimit të çelikut falë procesit të Bessemer-it: bashkimi i hekurit me karbonin për të krijuar metalin e nevojshëm për qëndrueshmërinë vertikale të ndërtesave; së dyti, krijimit të telefonit: mundësoi komunikimin duke qenë se tashmë distancat brenda ndërtesave ishin të tilla që e bënin bashkëbisedimin me zë të thjeshtë të kotë; dhe së treti, krijimit të ashensorit: kullat do të ishin të pamundura nëse funksionimi i tyre do të varej nga ngjitja e vazhdueshme e shkallëve të pafundme. Nëse kullat në Amerikë ishin rezultati i natyrshëm i kushteve të kohës, a nuk janë ato në Shqipëri sot gjithashtu rezultat i kushteve të kohës? Në kontrast me qiellgërvishtësit e fundshekullit XIX dhe fillimshekullit XX, kullat e sotme në Tiranë vuajnë, në rastin më të mirë, nga një indiference ndaj jetës së qytetarëve të zakonshëm në qytetet ku ato po instalohen dhe përgjegjësisë që kanë kundrejt shfrytëzimit të përgjegjshëm të resurseve të planetit. Pavarësisht se krahasimi çalon, kjo kullë, dhe të tjerat që po ngrihen në Tiranë së fundmi, do të ishin analoget e kullave që po ngrihen njëkohësisht në vendet e gadishullit Arabik apo kudo në vendet e tjera në zhvillim në botë. Është e qartë që ndërtimi i këtyre kullave në Tiranë nuk dëshmon për një bum ekonomik të Shqipërisë ashtu si ShBA gjatë the roaring 20s, dhe aq më pak për pjekjen e kushteve teknologjike për zgjidhjen e problemeve qoftë të arkitekturës bashkëkohore dhe qoftë të infrastrukturës në Tiranë. Pranëvënia e kullave të tilla në kryeqytet me problematikën e paadresuar të ndërtesave të ngritura pa asnjë planifikim infrastrukturor dhe sens estetik, jo vetëm në rrethinat e qytetit, përshfaq një ndarje groteske midis qendrës së qytetit, ku supozohet të ngrihen godina me standarde europiane, dhe periferisë, ku shkel në baltë sapo del jashtë derës së shtëpisë.

Nëse arkitektët në Chicago ishin në dialog direkt me dendësinë dhe probleme të tjera të qytetit industrial dhe, për rrjedhojë, përfaqësues të avangardës në arkitekturë si vegël për zgjidhjen e tyre, arkitektët e përfshirë në dizenjimin e kullave sot në Tiranë (apo edhe në Doha apo Dubai) stonojnë kur përpiqen të trajtojnë problemet e periudhës sonë me mendësi dhe qasje të vjetra tashmë prej më se një shekulli. Ndryshimet klimatike lusin që arkitektët të shikojnë, para së gjithash, drejt traditave dhe praktikave të ndërtimit lokal, të cilat stoikisht i kanë rezistuar kohës. Argumenti kryesor për ndërtimin e kullave në qytete është reduktimi i problemeve me dendësinë. Qiellgërvishtësit mund të mbajnë një numër të lartë banorësh në një sipërfaqe të vogël toke, duke lënë kështu më shumë hapësirë në qytet për funksione të tjera. Mendoj që ky argument, edhe pse teorikisht legjitim dhe i vlefshëm veçanërisht për megaqytete si New York-u apo Londra që mbajtën mbi supe revolucionin industrial, në kontekstin e Tiranës nuk është domosdo i vlefshëm. Problemi i dendësisë së Tiranës është një problem që mund të adresohet duke i dhënë arsye të mira banorëve të qyteteve dhe fshatrave nga të cilët lëvizin, për të mos lëvizur. Pra, ndërtimi i kullave në Tiranë nëse realisht është një tentative për të zgjidhur problemet e dendësisë në qytet, është tentativa e kurimit të një simptome dhe jo i shkaqeve të sëmundjes. Nëse një zhvillues kërkon të investojë për të përfituar dhe njëkohësisht zgjidhur problemet e shumta të Tiranës, le ta bëje këtë duke investuar në qytete të tjera me të njëjtin impakt që kërkon të investojë në Tiranë. Kështu do t’u japë arsye të gjithë qytetarëve që kërkojnë të lëvizin nga qytetet e tjera për të mos e bëre këtë. Njëkohësisht investimi në infrastrukturën e transportit do t’u jepte mundësinë banorëve të Tiranës të udhëtonin diku tjetër për të punuar duke reduktuar kështu dhe dendësinë në qytet. Më shumë se tentativa për të zgjidhur problemet e shoqërive ku po ndërtohen, kullat sot janë një emulacion anakronik i idesë së zhvillimit amerikan nga shtete që tentojnë të reklamojnë zhvillimin ekonomik duke rikrijuar imazhin e një skyline.

Shqetësimi i dytë që më vjen nga kulla është vendosja e hartës së Shqipërisë në njërën nga fasadat e saj. Informacioni që marrim nga arkitektët është që kjo do të luajë rol ikonografik, ku qytetarët mund të identifikojnë apartamentin apo zyrën e tyre me qytetin përkatës në hartë. Pra godina do të luajë një rol komunikues me qytetarin dhe do të shërbejë si një tekst apo imazh për t’u lexuar.

Historikisht arkitektura ka komunikuar me qytetarët nëpërmjet ndërtesave të mëdha publike përgjithësisht të ndërtuara nga drejtuesit politikë apo fetarë të kohës. Që nga Piramidat e Obeliskët e Egjiptit, agorat greke, Partenoni, Panteoni, harqet e triumfit, katedralet gotike, e deri tek ekranet e qiellgërvishtësve të sotëm, ndërtesat mbartnin mbi trupin e tyre narrativa që synonin komunikimin jo vetëm metaforik, por edhe direkt me lexuesin. Objektet fetare mbartnin histori fetare, të shprehura me skulptura të ndryshme në pjesë të ndryshme të godinës, dhe objekte si harqet e triumfit mbartnin në trup histori të lavdive ushtarake të drejtuesve të kohës. Në periudhat kur alfabetizimi ishte një mundësi vetëm për një pjesë të vogël të popullsisë, këto tekste në trupin e ndërtesave luanin një rol edukues sepse i komunikonin masave histori të ndryshme të cilat përndryshe nuk i merrnin dot. Pa dyshim, këto narrativa kishin rol kontrollues të popullsisë për ta bindur dhe homogjenizuar nën logon e fesë apo perandorisë. Simboli që kërkohet t’u komunikohet qytetarëve të Tiranës nëpërmjet kullës është harta e Shqipërisë. Nëpërmjet thjeshtëzimit mjeran dhe reduktimit të mesazhit të përcjellë deri në një ikonë (në kontrast me kompleksitetin e skulpturave dhe muraleve më të arrira në historinë e artit: timpanoni i Partenonit në Athinë, kapela sistine në Vatikan, fasada e Notre-Dame në Paris apo dhe dekoret e ndërtesës së Chrysler-it në New York evokuese të pjesëve të makinave dhe ornamentet e Louis Sullivan ne Chicago evokuese te natyralitetit nëpërmjet bimësisë), kjo narrativë u kujton qytetarëve thjesht që janë shqiptarë. Vendosja e hartës së shtetit mbi trupin e ndërtesës si një tatuazh 3 dimensional krijon një metaforë qesharake të ngjashme me shqiponjën që qëndronte në rrethrrotullimin para hyrjes në Tiranë: të dyja dëshmuese të një ndjeshmërie që nuk arrin dot të flirtojë me asgjë përtej kiçit.

Për të kuptuar më mirë dhe theksuar kotësinë e imazhit të hartës mbi ndërtesë, po ndërtoj një paralelizëm të ekzagjeruar të një fakti historik: kam dëgjuar që kur Faik Konica mbërriti fillimisht në ShBA, ai u shfaq në aeroport me një kostum popullor shqiptar. Kjo ndoshta për të treguar atë çka është gjenuine në kulturën shqiptare dhe për t’ia përshfaqur botës qoftë edhe si kontribut në etnografi ose dhe modë. Përfytyro për një moment Tiranën si ambasadore të Shqipërisë në BE e në botë. Nëse ajo do të vishte një kostum ashtu siç bëri Konica, dhe nëse ky kostum do t’ishte kjo kullë, atëherë Tirana nuk do t’i bashkohej mozaikut kulturor europian duke shfaqur atë çka është esenciale në identitetin e saj, por duke veshur një kostum të qepur sipas stilit europian nga një stof të printuar me flamurin kuq e zi. Mendoj që kjo as nuk do t’i shtonte kulturës europiane ndonjë vlerë (prerja europiane e kostumit është diçka që ekziston tashmë, dhe nuk vjen nga Shqipëria dhe stofi prej flamuri, në rastin më të mirë, do të përforconte idenë e Ballkanit nacionalist) dhe as do të tregonte krijimtarinë në traditën e ndërtimit në Tiranë.

Një tjetër digresion i shkurtër në lidhje me identitetin e Tiranës. Vëre sesi është vendzënë hapësira përgjatë kësaj pjese të lumit të Lanës, midis urës së rrugës George Bush dhe urës në bulevardin Dëshmorët e Kombit: ndërtesat më prominente aty vizualisht në radhë madhësie do të jenë një bankë, Katedralja Katolike, piramida, Xhamia e Namazgjasë, dhe kjo kullë hartë. Ndodh që dhe Parlamenti i Republikës të jetë diku aty, i shkrefur e i strukur me bisht ndër shalë nën hijen e katër minareve të xhamisë së re vezulluese dhe kullës kombëtare. Arkitektura është shprehja fizike para së gjithash, e identitetit, kulturës, dhe jetës së qytetarëve të qytetit nga ajo buron. Nëse ky segment në Tiranë do të përdorej si shembull studimi për të lexuar identitetin e kryeqytetarëve, atëherë (në përpjesëtim të drejtë me madhësinë e këtyre ndërtesave) ata do të ishin ushtarë të rekrutuar, të gatshëm për të braktisur pavarësinë e mendjes, fillimisht nga kampi i nacionit, më pas nga kampi i fesë, dhe më pas nga kampi i konsumit, në unison me popullatat analfabete që përmenda më lart. Vetëm në fund do të ishin tiranasit individë të lirë, me bindje të pavarura që vlerësojnë përplasjen e ideve në agorën e sotme që quhet parlament dhe që në këtë rast është një shaka impotente e mbytur nga serioziteti provincial i përplasjeve të tribuve të egra mashkullore. I refuse to join any club that would have me as a member. Vëreni gjithashtu sesi ky segment nuk thotë asgjë për arkitekturën si shprehje e dashurisë për të bukurën thjesht dhe vetëm për hir të bukurisë. Kujto fasadat e Parisit të baronit Haussmann apo fasadat e Gaudí-së në Barcelonën e modernizmit katalan dhe krahasoji ato me ngjyrat e shpëlara nga shiu dhe ojna-bojnat e betonit të ftohtë të tranzicionit shqiptar. Sido që të jetë, godina do t’u bashkohet 2 ndërtesave fetare në anën tjetër të lumit për të thënë dhe ajo të sajën për sa i përket identifikimit me grupin, dhe në këtë rast jo grupin fetar por grupin kombëtar meqë të gjithë e dimë që feja e shqiptarit është shqiptaria.

Nëse Tirana duhet të jetë një shtrat eksperimentesh arkitektonike le të jetë një shtrat i tillë, ku operacionet dhe eksperimentet të mos vazhdojnë të prodhojnë një monstër si ajo e Dr. Frankenstein-it, ku zhvillimi imponohet nga lart, por një cyborg të përmirësuar ku teknologjia të bashkëjetojë harmonisht me traditën, dhe këtu nuk i referohem traditës së arkitekturës me A të madhe si shprehje e pushtetit të radhës. Arkitektura është, dhe ka qenë historikisht, skena dhe korniza e jetëve të gjithë njerëzve që kanë ekzistuar ndonjëherë dhe të gjithë atyre që do të ekzistojnë në të ardhmen. Si e tillë, ajo ka jo vetëm privilegjin por dhe përgjegjësinë që t’i amplifikojë këto jetë kur ato janë shfaqje të sinqerta gëzimi dhe festimi të ekzistencës dhe t’i lehtësojë ato kur shfaqja të godasë si dramë. Nëse arkitektura është muzika që shërben si kolona zanore e këtyre jetëve atëherë le të jenë arkitektët dirigjentë të zanatçinjve muzikantë që luajnë veglat e tyre të punimit të drurit, gurit, rërës, apo gëlqeres. Së bashku le të ndërtojnë një identitet lokal të arkitekturës si shprehi e burimeve natyrore të zonës. Kështu arkitektura do të mund të lirohet nga ideologjitë e grupit të ndërtuara mbi tipare të zgjedhura arbitrarisht që historikisht kanë normalizuar ndarjet ekonomike, politike, kombëtare, apo fetare. Arkitektura nuk do të jetë më asgjë tjetër përveç vetes: një eksperiencë fenomenologjike me natyrë materiale dhe taktile, e zhveshur nga kuptimet abstrakte të projektuara mbi të nga grupi i radhës.

Në fund mendoj që Shqipëria nuk ka nevojë të tërheqë starkitektët e botës për të dëshmuar që dhe ajo është pjesë e diskursit bashkëkohor të arkitekturës. Është ironike që arkitekti përgjegjës për rinovimin e piramidës (gjithashtu shprehje e simbolit kombëtar të shqiponjës), i cili kërkon të tejkalojë të kaluarën duke e hapur këtë ndërtesë drejt inovacionit, dizenjon njëkohësisht këtë kullë me simbolin kombëtar të kufijve në hartë. Ndoshta në të ardhmen, kur Shqipëria të jetë pjesë e BE-së dhe kufijtë e shteteve në botë të jenë tashmë irrelevantë, tironcit do të kenë fatin që një arkitekt jo vetëm europian, por tashmë botëror, akoma më progresiv se Winy Maas, t’a rinovojë këtë kullë dhe t’a shpjerë larg simboleve të ndarjeve territoriale.

(c) 2020, Nevis Isaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

7 Komente

  1. Nuk kuptohet se ciles tradite i referohet autori, kur sforcohet te beje paralelizmin me kostumin popullor te Konices. Cila tradite eshte ajo qe duhet zhvilluar ketu ne vend te vendosjes se kullave ( ca kullave) ?

    Ne skemi kurrfare tradite ne arkitekture, cdo qytet eshte nje mish-mash stilesh nga periudha turke deri me sot, ku pjesen e luanit e ka koha e komunizmit. Dihet edhe se ndertesat e komunizmit kane vlere arkitektonike zero, pavaresisht se urbanistika nuk ishte e keqe.

    Kulla qe po flitet, ne mos gaboj ka probleme ligjore, te cilat jane anashkaluar nga Samir Mane me mbeshtetjen e shtetit. Problemi i kesaj kulle eshte se ndertohet maskarallekshe nepermjet kapjes se shtetit nga oligarku Mane, nderkohe qe pelqimi apo mospelqimi i kullave ne vetvete, eshte muhabet qe nuk con askend askundi, si cdo ceshtjeje shijeje, behet debat per hir te debatit.

    1. Për të kuptuar traditën vendase po bëj një krahasim të dy arkitekturave lokale të dy ishujve grekë (meqë përmenda dhe fustanellën): Hydra dhe Mykonos. Edhe pse të dy ishujt janë në Egje dhe janë pak a shumë në të njëjtët kushte klimatike, ata kanë gjithsesi shprehje të ndryshme arkitektonike: Hydra me shtëpi guri me çati me tjegulla të kuqe dhe Mykonos me ndërtesa të bardha me tarraca të sheshta. Hydra (ishull i populluar gjatë perandorise otomane nga shqiptarët) zotëroi autonomi nga perandoria, e megjithatë, në sytë mi, arkitektura e shtëpive të Hydra-s është më pak e ndryshme nga ajo e shtëpive të Qeparoit apo kullave në Orosh të Mirditës, sesa nga ajo e ishullit Mykonos. Kjo arkitekturë që unë po e quaj tradicionale (shqiptare ose ballkanase, përfshirë edhe Beratin, dhe qytete të tjera otomane në Shqipëri) për mendimin tim, është po aq shqiptare se dhe gjuha shqipe është gjuha shqipe, edhe pse ka fjalë latine, sllave, dhe turke. Këto arkitektura janë të ndryshme nga, për shembull, ndërtesat otomane në Medinë, apo ndërtesat otomane në Irak, të cilat edhe pse janë otomane, shprehin identitetin lokal.

      1. Nese osmane eshte thjesht nje term ombrelle, per shkak te zbatimit brenda sulltanatit osman, atehere do te ishte interesante nese ka studime per ndonje arkitekture rumeliote/ballkanike, siriane apo arabike.
        Gjithsesi nqs ekziston dhe nuk u zhvillua ne kohen e Enverit veshtire se mund te zhvillohet keto kohe.

  2. Skyscrapers jane edhe ceshtje prestigji si paraqitje forces,pushtetit,pasurise e aftesive inxhinierike.Nese infrastruktura e renduar e Tiranes eshte ne gjendje te perballoje ndertesa te cilat rrisin trafikun e ndotjen e mjedisit eshte nje pyetje qe iu duhet bere atyre qe kane dhene lejen.
    Qyteti ku banoj ka nje infrastructures pa e ekzagjeruar 100 here me te mire se Tirana.E kam fjalen edhe per zonat residenciale me rruge te gjera ku nje maune mund te hyje lirisht dhe prape ndertesat nuk lejohen me shume se 10 kate.

  3. Do shtoj diçka, në lidhje me hartën e Shqipërisë që shfaqet si tatuazh arkitektonik, në fasadën e kësaj ndërtese. Autori – të cilin edhe dua ta falënderoj sërish për këtë seri – shkruan:

    Simboli që kërkohet t’u komunikohet qytetarëve të Tiranës nëpërmjet kullës është harta e Shqipërisë. Nëpërmjet thjeshtëzimit mjeran dhe reduktimit të mesazhit të përcjellë deri në një ikonë …kjo narrativë u kujton qytetarëve thjesht që janë shqiptarë. Vendosja e hartës së shtetit mbi trupin e ndërtesës si një tatuazh 3 dimensional krijon një metaforë qesharake të ngjashme me shqiponjën që qëndronte në rrethrrotullimin para hyrjes në Tiranë: të dyja dëshmuese të një ndjeshmërie që nuk arrin dot të flirtojë me asgjë përtej kiçit.

    Dhe pikërisht, që duket – kështu në qasje të parë – se imazhi ikonik në fasadë është një shkelje syri ndaj kombëtarizmit, por pastaj u kujtova se, në qoftë se ka një gjë që të gjithë kombëtaristët shqiptarë, pa dallim feje, krahine dhe orientimi seksual, bien dakord, është se kufijtë shtetërorë të Shqipërisë së sotme (dhe konfigurimi i tyre në trajtën përkatëse) janë të gabuar dhe të papranueshëm; sepse nuk i përgjigjen shtrirjes së popullsisë shqiptare në Ballkan. Sipas narrativës kombëtariste, Shqipëria e vizatuar në hartë është rezultat i një gjymtimi a një krimi historik – jo një gjë për t’u krenuar, por një shenjë plage si simbol i amputacionit që iu bë hapësirës shqiptare. Prandaj edhe harta, më shumë se t’u kujtojë qytetarëve “thjesht që janë shqiptarë”, u tregon këtyre një imazh të hapësirës ku sundon pushteti politik në Tiranë – ose projeksionin gjeografik të këtij pushteti. Është ikonë politike, jo kombëtariste (as etnike si shqiponja), sepse “Shqipëria”, si truall i shqiptarëve, identifikohet me konfigurimin e territorit ku ushtron pushtetin klika e radhës në Tiranë. Më tepër se një përshëndetje e shqiptarisë, ajo hartë më duket si orvatje, nga ana e po atyre autoriteteve politike që frymëzojnë ndërtesa të tilla, për ta identifikuar shqiptarinë me sundimin e tyre, të mishëruar tashmë edhe në arkitekturë.

    1. Jam dakord me sa shkruan dhe nëse e vazhdoj arsyetimin edhe pak më tutje, më vjen të them se shqiptaria që kërkohet të identifikohet me sundimin, është ajo europiane, në kontrast me (pardon my french) shqiptarinë orientale. Nuk dua dhe të flas për gjëra që nuk jam i fushës, mëgjithëse kam lexuar disa pjesë nga Edward Said. Gjithsesi, këtë e them edhe sepse kulla mund të interpretohet si simbol zhvillimi perëndimor (i ka ardhë koha Tironës me u duk si Nju Jorku (ai i 1900?!)), edhe sepse arkitektët janë të mirëpranuar botërisht në perëndim, edhe sepse harta e shtetit është ajo që vetë fuqitë europiane literalisht vizatuan, me anë të së cilës edhe i qasen konceptit të Shqipërisë. Në këtë mënyrë, duke hedhur tashmë edhe në beton kufijtë e 1913, pushteti mendon të riprodhojë veten ndaj BE-së si një pushtet europian, qartësisht pa pretendime kombëtariste territoriale. (Ndoshta është në kontradikte me veten kur, për shembull, në vend të ndërtojë një ndërtesë të re kuvendi si tempull demokracie, ndërton një stadium futbolli kuq e zi.) Në të njëjtën kohë tenton të riprodhojë veten edhe ndaj ndonjë force tjetër, që për kundërpeshë, duhet ta identifikojë pushtetin e saj të mëparshëm me shqiptarinë orientale, me anë të arkitekturës së xhamisë, (anakronike dhe jo kontekstuale sepse emulon xhamitë mesjetare të Stambollit), e cila, po me aq prepotencë sa dhe kulla, u ngrit mbi një park në mos gaboj, në tentativë për t’i treguar muskujt edhe parkut edhe parlamentit.

      Në këto kushte, Tirana “zhvillohet”, “modernizohet”, dhe “emancipohet” me anë të maskave, që si props në Monopoly, i vishen sipas rastit për të markuar territorin, në kurriz të një rritjeje organike të qytetit.

  4. Është ikonë politike, jo kombëtariste (as etnike si shqiponja), sepse “Shqipëria”, si truall i shqiptarëve, identifikohet me konfigurimin e territorit ku ushtron pushtetin klika e radhës në Tiranë. Më tepër se një përshëndetje e shqiptarisë, ajo hartë më duket si orvatje, nga ana e po atyre autoriteteve politike që frymëzojnë ndërtesa të tilla, për ta identifikuar shqiptarinë me sundimin e tyre, të mishëruar tashmë edhe në arkitekturë.

    Nuk besoj se te jene nisur nga ato motive. Pavaresisht prej qejfmbetjes shqiptaret e kane pranuar faktin se Republika e Shqiperise , kufijte e se ciles u aprovuan ne vitin 1913 dhe te cilit shqiptaret ne trojet etnike te mbetura jashte ketyre kufijve i referohen si “shteti ame”, eshte shteti i tyre.Shqiponja dykrenare, simboli yne etnik hasell hasell eshte simbol bizantin te cilin ne e ndajme edhe me ruset e serbet.

    Problemi duhet diskutuar nga ana teknike .Eshte estetike ,apo vulgare?A jane keto materialet e duhura apo duheshin zgjedhur me elegante?A eshte i perpashtatshem nga ana urbanistike? A eshte ne vendin e duhur ne zonen e duhur?Cfare procedure ndiqet kur vendoset te ndertohet? A behet konkurs ndermjet arkitekteve te ndryshem? Sa variante te projektit paraqiten? A merren opinione te pavarura konsulentesh i.e profesore arkitekture vendas e te huaj me kredenciale te duhura? Te kesh parate dhe mundesite per te ndertuar eshte vetem gjysma e punes, gjysma tjeter eshte prokurimi i arkitekteve e urbanisteve te duhur.

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: