MUSINEJA NË ROMË (I)

Nga Arta Marku

Libri LA MIA VITA UNIVERSITARIA është autobiografia e viteve studentore të Musine Kokalarit.

Ajo ishte ndër të parat studente shqiptare që u nis drejt Romës ku do të studionte letërsi në Sapienza (’37-’41). Pas saj do të niseshin edhe vajza të tjera të cilave ajo do t’u bëhej mbështetje dhe do t’i ndihmonte që të përshtateshin.

Roma, qyteti i përjetshëm, ëndrra e çdo të reje shqiptare të atyre viteve, u bë realitet për Musine Kokalarin. Ajo do të studionte aty letërsinë, pasionin e saj, por do të njihej njëkohësisht me një botë të ndryshme nga ajo e vendit të vet. Prirja e Musinesë ishte ballafaqimi, tipik për njerëz me shpirt antropologu. Romës i takon gjithashtu historia e dashurisë së vajzës së re me një djalosh italian të cilin ajo vetë e identifikon vetëm me nistoret e emrit: P.T.

Në fund të viteve shkollore Kokalari, – gjatë kësaj ndërkohe kishte botuar librat e saj në shqip, kishte shkruar artikuj për shtypin, kishte mbledhur folklor në çdo cep të Shqipërisë ku kishte shkuar por edhe mes arbëreshëve të Italisë që kishte mundur të takonte në Romë – shkruan autobiografinë e vet studentore. Jo një ditar për veten, por një libër kujtimesh dhe interpretimesh, enkas me qëllim botimi. LA MIA VITA UNIVERSITARIA ajo e shkroi në gjuhën italiane, si një sprovë gjuhësore por jo vetëm…

Në 100-vjetorin e lindjes së shkrimtares së parë shqiptare, libri u botua në Itali nga VIELLA i shoqëruar me një ese të Visar Zhitit dhe tekstet studimore të Mauro Geraci-t (antropolog), Simonetta Ceglie-s (arkiviste/historiane).

Menjëherë libri mbërriti edhe në gjuhën shqipe, i përkthyer nga Arta Marku e cila gjithashtu ka zhvilluar intervista të hollësishme me autorët italianë të librit, Geraci-n dhe Ceglie-n.

1. Musineja e butë dhe e fortë

Për jetën universitare të shkrimtares së parë shqiptare në të gjitha hollësitë e saj; për pasionet dhe ëndrrat, për shkollën dhe argëtimet, për botimet origjinale dhe mbledhjet e folklorit deri edhe për dashurinë zhgënjyese me djaloshin italian P.T…

rrëfen antropologu Mauro GERACI

intervistoi Arta Marku

Musine Kokalari u diplomua shkëlqyeshëm në Romë, me notën maksimale me lavdërime, nga një komision i përbërë nga studiuesit më të mëdhenj italianë të kohës. Diplomohet, kthehet në Tiranë, punon me vëllezërit në librarinë Venus…

Ndërsa kishte qenë studente pat vijuar të merrej me mbledhje folklori, kudo ku shkonte në Shqipëri por edhe në Itali mes arbëreshëve. Në të njëjtën kohë, në librari, shfaqeshin libra me emrin e saj në kopertinë. Si një shkrimtare tipike, marrëdhënien me shkrimin e kishte të vazhdueshme. Mes shkrimeve, “Jeta ime universitare”, rrëfimi i viteve studentore .

Asgjë e ngjashme me një ditar tipik. Nëse mund të flasim për një rrëfim kronologjik ajo ka të bëjë vetëm me ndarjet e mëdha sipas viteve të studimit që përbëjnë katër kapitujt e librit. Pjesa tjetër është ndërthurje e rrëfimit me interpretimin dhe analizat sipas këndvështrimit të saj. Janë katër vitet e një studenteje shqiptare në Itali që nisin me ëndrrën e madhe për të studiuar jashtë në një kohë kur Shqipëria nuk kishte nivel studimi universitar, dhe mbyllen me momentin e marrjes së diplomës dhe nisjen drejt “vendit tënd, drejt mjedisit tënd të vjetër, drejt një të ardhmeje përvijimesh të paqarta, sepse për ty ka mbaruar jeta e universitetit, jeta e këndshme plot ëndrra”. Është realisht fillimi i një epoke tjetër, mbi të gjitha plot vuajte, tërësisht e paparashikueshme, me gjithë paqartësinë saj.

Jeta ime universitare” do të bëhej objekt studimi italo-shqiptar. Antropologu Mauro Geraci mbështetur mbi këtë tekst shkruan analizën “Muza shqiptare në Sapienza”, arkivistja dhe historiania Simonetta Ceglie shkruan “Një libër në sirtar” dhe Visar Zhiti shkruan esenë “Poezia dhe burgu te shkrimtarja e parë shqiptare” për ta përcjellë në këtë mënyrë autobiografinë e Kokalarit formën më të plotë dhe analizuese.

Antropologu Mauro Geraci, njëkohësisht njohës i mirë dhe studiues i letërsisë shqiptare, shpjegon lidhur me librin, në intervistën e mëposhtme…

Një studim kushtuar Musine Kokalarit në përgjithësi dhe veçmas veprës së saj autobiografike “Jeta ime universitare”… Pse vendosët ta studionit këtë autore shqiptare? Në ç’mënyrë ratë në kontakt me veprën e saj?

Unë e kam zbuluar Musine Kokalarin teksa bëja një kërkim të gjatë mbi letërsinë shqipe dhe historinë politike shqiptare. Historia politike shqiptare ka qenë shumë e lidhur me figurat e shkrimtarëve e të poetëve. Madje Eqrem Çabej fliste për figurat e shkrimtarëve dhe poetëve si apostuj të kombit, si apostuj kombëtarë të Shqipërisë. Duke studiuar raportet e jetës letrare dhe jetës politike në Shqipëri pata lexuar një libër të vogël që e bleva në panairin e librit në Tiranë…

-E keni lexuar në gjuhën shqipe?

Po, në shqip. Unë shqipen e lexoj dhe e kuptoj, e flas shumë ngadalë dhe shumë keq ndaj preferoj të shprehem në italisht… Libri që gjeta në panair i kushtohej grave të rëndësishme të historisë shqiptare. Mes tyre Musine Kokalari. Aty pashë se ajo kishte studiuar në Itali. Pas kësaj, duke folur me Visar Zhitin, shkrimtar dhe poet i madh, që ka kontribuuar shumë për të më afruar dhe inkurajuar drejt studimit, jo thjesht të Musine Kokalarit, por veçmas ndaj autobiografisë së saj italiane, hyra në kontakt me këtë shkrimtare të parë shqiptare. Në këtë pikë iu vura punës dhe falë Visarit, falë edhe të drejtoreshës së atëhershme të arkivit të shtetit në Tiranë, profesoreshë Nevila Nikës, iu kthyem daktiloshkrimit të ruajtur në arkiv. Kështu filluam. Them filluam sepse unë këtë punë e kam bërë bashkë me Simonetta Ceglie-n, historiane dhe arkiviste pranë arkivit të shtetit në Romë, e cila, ka punuar mjaft për transkriptimin, për analizën filologjike si dhe për të rindërtuar kontekstin universitar në të cilin Musineja ka shkruar librin…

Si mund të përshkruhet përmbledhtas vepra e Musine Kokalarit? Si e gjykon shkrimtaren shqiptare një studiues jo shqiptar?

Bëhet fjalë për një vepër shumë komplekse. Musineja shkruan poezi dhe tregime. Ka shkruar madje edhe një roman që nuk është botuar kurrë, që nuk e ka mbaruar, dorëshkrimi i të cilit ndodhet në arkivin e shtetit… Por ajo është edhe studiuese e dialektologjisë, e folklorit, e përrallave popullore, e këngëve popullore. Si në Itali si në Shqipëri ishte në kontakt me studiuesit më të mëdhenj të glotologjisë, të linguistikës, të historisë së traditave popullore, të folklorit. Ishte në kontakt me Koliqin, me Mit’hat Frashërin me Paolo Toschi-n, Carlo Tagliavini-n studiues shumë i rëndësishëm i gjuhës, që jepte mësim në Padova. Kështu, kur flasim për veprën e Musine Kokalarit themi së është një vepër shumë e rëndësishme. Gjërat që studion janë shumë të rëndësishme edhe për vetë letërsinë e saj, që është një letërsi etnografike. Ajo është autore e Rrëfimeve etnografike, pak a shumë siç ishin mjeshtrit e saj dhe flas në mënyrë të veçantë për Ernest Koliqin me të cilin kishte letërkëmbim. I shkruanin shumë shpesh njëri-tjetrit. Pra Musineja bën një vepër shkencore por edhe poetike. Vepra poetike është një vepër e tipit realist. Ajo tregon për varfërinë, problemet e gruas, të gruas së mënjanuar, të përjashtuar nga shoqëria, për gratë fshatare… Musineja, ndërsa e studion folklorin e përdor atë për të denoncuar gjendjen shumë të keqe të Shqipërisë të viteve ‘30.

Musineja është e para shkrimtare grua shqiptare. A mund të bëjmë një krahasim mes letërsisë së saj dhe letërsisë së shkrimtarëve të tjerë burra të së njëjtës kohë? 

Le të themi se ka shumë lidhje, shumë analogji mes letërsisë së Musine Kokalarit dhe, për shembull, asaj të Ernest Koliqit ose të Migjenit. Edhe Migjeni ka një qëndrim të tillë letrar të ngjashëm me atë të Musinesë. Përgjithësisht autorët e asaj kohe janë autorë të skenës së jetës së përditshme, të jetës së popullit. Letërsia e tyre është një letërsi sociale që analizon në formë poetike, me një gjuhë mes të tjerash shumë realiste. Kokalari, duke shkruar në dialektin tosk të Gjirokastrës, analizon jetën e çdo dite, kontradiktat e jetës sociale të çdo dite. Të njëjtën gjë bën Migjeni, me tregimet e tij të veriut të Shqipërisë, rrethinave të Shkodrës.

A mund ta shohim edhe në një këndvështrim tjetër? Si është cilësisht vepra e Kokalarit? Lartësia e letërsisë së Musinesë, është e njëjtë, e krahasueshme me lartësinë e letërsisë së burrave?

 Varet se çfarë kemi parasysh me fjalën “lartësi”. Le të themi se unë, si antropolog kulturor, nuk kam interes për karakterin estetik të letërsisë, për çështjet e stilit, kërkimin e fjalëve. Unë, sigurisht nuk e gjej letërsinë e Musinesë me frymëmarrjen apo fuqinë e asaj të Ernest Koliqit, por e gjej shumë interesante megjithatë, sepse ajo, për shembull, përkundër Koliqit i kushtohet shumë çështjes femërore. Çështjet e gruas janë më shumë të trajtuara në narrativën e Musine Kokalarit sesa në atë të Koliqit. Ajo, për shembull, në gazetën “Tomori” që ishte një gazetë italo-shqiptare, dygjuhëshe, italisht dhe shqip, shkruan disa artikuj që më pas u mblodhën në vëllimin “SIÇ MË THOTË NËNUA PLAKË” që është letërsi antropologjike. Aty ajo vihet nën lëkurën e një nëne të vjetër shqiptare që vëzhgon realitetin shqiptar që ndryshon, që shndërrohet, që modernizohet. Kësisoj, reflekton në këto tregime, mbi kontradiktat e Shqipërisë rurale që pak nga pak transformohet nga imperializmi dhe fashizmi…

Madje nënua plakë shkon edhe në Itali… 

Po. Sepse Musineja merr porosi nga gazeta “Tomori” për artikuj të tjerë, për NËNON PLAKË NË ROMË: çfarë do të mendonte, çfarë do të kishte thënë një nënë e vjetër shqiptare, nëse do të gjendej në kryeqytetin italian, kryeqytetin e fashizmit, kryeqytetin e krishterimit? Janë rrëfime në të cilat ajo vë në praktikë ndjesitë e saj prej antropologeje. Por nuk është vetëm një ndjesi, është edhe një metodë antropologjike që ajo e ka marrë në Sapienza ku ka dhënë provim me Paolo Toschi-n, një nga antropologët më të mëdhenj italianë në asaj kohe.

Është një fakt shumë interesant por edhe pak i çuditshëm: Ajo i ka shkruar tregimet e saj jo thjesht në shqip, por në dialektin e Gjirokastrës. Ndërsa librin “Jeta ime universitare” e ka shkruar në italisht. Sipas jush, pse kështu? 

Për shumë motive. Para së gjithash për disponimin, për kuriozitetin e saj antropologjik. Ajo e zgjedh italishten edhe për të përdorur një gjuhë të ndryshme nga shqipja që e lejon edhe atë vetë të shohë – siç do të thoshte Verga, një shkrimtar i madh italian realist, i ngjashëm me Musine Kokalarin. Letërsia shqiptare realiste është shumë e ngjashme me verizmin italian: t’i shohësh gjërat nga një farë distance. Ajo e përdor italishten për t’u tëhuajzuar nga Shqipëria por, për t’u tëhuajzuar edhe nga vetja. Në italisht ajo mundet ta shprehë më shumë raportin mes saj dhe Italisë. Ajo është shqiptare por edhe italiane sepse ato vite Shqipëria ishte Itali, bënte pjesë në Mbretërinë e Italisë. Si shqiptare ndodhet me studime në Itali një vend që kishte pushtuar vendin e saj. E kështu, sipas meje, italishtja i duhej për të gjetur edhe atë distancën që i nevojitet rrëfimit.

Është si të shohësh vetveten në një pasqyrë…

 Ekzakt, pikërisht kështu. Pra, ajo kërkon në gjuhën italiane, një mjet tjetërsimi, për t’i parë gjërat nga jashtë. Pastaj ka edhe arsye të tjera. Ajo donte ta vinte veten në provë për të shkruar italishten, për t’i dëshmuar vetes se di të shkruajë italisht. Sipas meje, mbi të gjitha, ajo e shkruan këtë autobiografi për ta botuar. Pra, nuk është një ditar intim.

 Pse mendoni kështu?

Sepse ajo shkruan vazhdimisht në tekst “libri im… libri im… libri im…”. Sepse në fillim e shkruan me stilograf pastaj e shtyp me makinë. Pra e mendon strukturalisht sikur të ishte një libër për botim. E shkruan në italisht sepse mendonte ta botonte në Itali. Edhe në Shqipëri sigurisht sepse italishtja në Shqipëri ishte shumë e përhapur. Ama, sipas meje ishte një tentativë e Musinesë për t’u njohur jashtë. Ajo në Shqipëri ishte mjaft e njohur. Në kohën e studimeve, në vitet ‘36- ’38, kishte botuar “Kolla e vdekjes”, “Siç më thonë nënua plakë”, “Rreth vatrës”. Ky ishte i katërti libër të cilin mendonte ta hidhte në panoramën ndërkombëtare. Dhe nuk është një rast i vetëm. Një nga të parat enciklopedi të letërsisë italiane – të cilës për fat të keq nuk i kemi rënë në gjurmë, por më ka folur Hektor Kokalari, nipi i shkrimtares, – një enciklopedi e botuar nga Sonzogno, një shtëpi e madhe botuese italiane, në zërin Kokalari shënon disa radhë për të. Pra, ajo ishte e njohur sakaq si shkrimtare e re, e afirmuar në panoramën e përgjithshme të letërsisë shqiptare.

Në parathënien e librit ajo shkruan: “Nuk kanë për të munguar kritikat për librin tim, veçanërisht lidhur me italishten, që është gjuhë e bukur dhe shumë e pasur, por që unë nuk e njoh në mënyrë të përsosur: pavarësisht kësaj dua të përpiqem t’i shpreh mendimet e mia”. Çfarë mund të themi për italishten e Musinesë? Çfarë gabimesh bën? 

Së pari le të mos i quajmë gabime. Ajo përdor një italishte shumë të bukur, lineare. Ndodh që edhe vetë italianët ndonjëherë nuk arrijnë të shkruajnë si Musineja. Ajo arrin, në mënyrë të thjeshtë të thotë disa gjëra të komplikuara. Arrin të jetë filozofike pa përdorur fjalë të komplikuara. Arrin të jetë historiane arti sepse, kur shkon në Romë, viziton Koloseun, Muzeun etrusk, sheh statujat greke dhe reflekton mbi to. Shkon në Firenze, shkon në Napoli, në gërmimet e Pompeit dhe flet për këto gjëra të vështira të historisë së artit dhe të filozofisë por me një italishte të kuptueshme nga të gjithë. E kuptojnë fëmijët, e kuptojnë filozofët sepse disa herë ato që shkruan janë skica filozofike. Sigurisht, kur shkruan bën disa gabime të vogla të ortografisë, të ndërtimit të fjalisë, por këto janë të lidhura me faktin se ajo mendon në shqip dhe shkruan në italisht. Për këto ka punuar shumë Simonetta Ceglie, e cila, në transkriptimin e saj, ka nxjerrë në pah edhe gabimet.

Muza shqiptare në Sapienza, jeta dhe vdekja e një ëndrre universitareështë teksti juaj studimor mbi autobiografinë e Kokalarit. Shkruani: “Ideja për të marrë në shqyrtim dhe për të botuar për herë të parë në Itali Jeta ime universitare, erdhi e u poq si një detyrë për të cilën ndiheshim gjithnjë e më shumë të cytur nga lart, përmes pikave të ngutshme të përkimit që vinin e i përforconin rastësitë e atykëtushme.” Çfarë do të thotë “të cytur nga lart”? Cilat janë përkimet për të cilat bëhet fjalë?

Në një kuptim, ajo na ka udhëhequr nga lart. Për të arritur deri te botimi i librit ne patëm shumë vështirësi: filluam të punojmë në vitin 2009 dhe mbaruam në 2017, pothuaj 10 vjet. Gjatë kësaj kohe vështirësitë që na shfaqeshin pak e nga pak shpërbëheshin, a thua se ajo nga lart, në një farë mënyre, na ndihmonte për ta botuar këtë libër… Libri në italisht u botua në 2016, një vit para 100 vjetorit të saj. Në shqip erdhi saktësisht në 100-vjetorin e shkrimtares. Ky ishte një përkim. Një tjetër ka të bëjë me gjetjen e dosjes së saj në Sapienza: Po kërkonim në universitet fashikullin e Musine Kokalarit dhe na thonin se nuk mund ta gjenim pasi arkivi po shpërngulej dhe nuk kishte katalogim. Angelino Iona, që dua të falënderoj më këtë rast, ishte një rojë…

Një rojë engjëll… 

Pikërisht, një rojë engjëll, sepse nuk ishte arkivist. Ai na tha: më lini numrin e telefonit dhe nëse arrij ta gjej ju telefonoj. Një javë më pas, ky rojë, mori në telefon Simonettën dhe i thotë: jeni me shumë fat, fashikulli u gjet. Ishte një fashikull shumë interesant, kishte shumë të dhëna dhe fotografi të pabotuara: ishte diploma e gjimnazit, pasaporta, certifikatat, libreza e notave… Menjëherë pasi gjetëm dosjen, arkivin e shpërngulën. Një javë më pas nuk do të kishim mundur ta gjenim. Ja ku u bënë dy përkime. I treti përkim: Në vitin 1972, asokohe fëmijë, unë shkoja në Romë, një qytet me 5 milionë banorë, dhe vizitoja disa miq të familjes, Fusco-t, që banonin në rrugën 21 prilli/ 8. Kjo ndodhte pra në vitin 1972. Në vitin 2009 apo 2010 zbuloj se saktësisht në atë pallat ku unë shkoja kur isha i vogël, Musineja pat banuar kur sapo kishte mbërritur në Romë. Të gjitha këto përkime interesante dhe shumë të tjera si këto, më kanë bërë të mendoj se ajo na udhëhiqte prej së lartmi, për të na ndihmuar për atë që ne e quajmë libri i saj dhe që përbën një lloj HAKMARRJEJE, një si shlyerje të vuajtjeve të saj… Dihet, ajo ka qenë në burg, ka dalë në gjyq, e kanë dëbuar në Rrëshen, dënuar me izolim të plotë, është sëmurur nga tumori i gjirit, nuk e shtruan në spital, vdiq praktikisht pa njeri pranë, në vetmi të plotë, e varrosën me nxitim. Regjimi u përpoq t’ia fikë zërin Musine Kokalarit, por nuk arriti sepse kjo shkrimtare shqiptare u rishfaq. Për mua është një gëzim i madh që shoh sot studentët italianë të Mesinës dhe të Romës, të cilët studiojnë kujtesën e kësaj ish-studenteje dhe zbulojnë nëpërmjet kësaj kujtese, vështrimin antropologjik që ka aftësinë të shohë në mënyrë kritike, në mënyrë të kujdesshme dhe të mprehtë gjërat që rrethojnë historinë tonë.

Në kohën e studimeve të Musine Kokalarit, Shqipëria ishte një vend i prapambetur: analfabetizëm, nivel i ulët kulturor, shumë varfëri. Mbi të gjitha ishte një nivel i ulët i emancipimit të gruas. Si e shpjegoni të qenit ndryshe të Musinesë në këtë panoramë gri?

Musineja ishte ndryshe sepse ishte pjesë e një familjeje intelektuale. Pra lindi e u rrit në një klimë intelektuale. Vëllai i saj kishte një librari. Por, të thuash librari është pak. Se ai nuk ishte thjesht librar, ishte intelektual. Ne kemi studiuar porositë për librat që bënte nga Shqipëria në Itali por edhe në Francë dhe kemi zbuluar te Vesimi, jo figurën e një shitësi librash por të një njeriu që bënte, nëpërmjet librarisë, një politikë kulturore… Jetonte me dhe për librin. Vëllai tjetër kishte një shtëpi botuese edhe mendonte madje, të ngrinte një fabrikë letre sepse donte që ta kishte të gjithë ciklin e prodhimit të librit nga letra te shpërndarja dhe promovimi.

Dhe pastaj, Musineja ishte ndryshe sepse hyri shumë shpejt në kontakt  me mjeshtrit e tjerë të letërsisë shqipe. Pastaj shkoi në Romë, studioi dhe poqi një vetëdije shkencore, njëkohësisht kritike, po ashtu letrare shumë të fuqishme e cila dha frute edhe në fushën politike sidomos në  çështjen e emancipimit të gruas, të çlirimit të klasave të ulëta që shfrytëzoheshin nga një sistem ende feudal. Ajo themeloi, bashkë me intelektualë të tjerë, gazetën “GRUAJA SHQIPTARE”, një gazetë klandestine ku autorët firmosnin me pseudonime. Pseudonimet e Musinesë ishin MUZA dhe TACITA. Aty shkruheshin artikuj që denonconin izolimin, margjinalizimin, maskilizmin, paternalizmin shpesh të dhunshëm të familjeve shqiptare. Madje Musineja bën kritika lidhur me martesën. Në shoqërinë tradicionale shqiptare, martesa është e shenjtë, është elementi qendror i jetës. Ajo përkundrazi nis të thotë: pa shikojini këto gra që i martojnë pa dëshirën e tyre. Janë të rritura e megjithatë detyrohen nga familjet të jenë amvisa a thua se gratë nuk munden të shkruajnë, të mendojnë, të merren me filozofi, me politikë. Pra Musineja është një figurë e modernitetit në panoramën e Shqipërisë së atyre viteve.

Musineja ishte nga të parat që mbërriti në Romë. Më pas mbërritën studente të tjera që ajo i ndihmonte të përshtateshin. Qeveria italiane ofronte shumë bursa studimi. Bënte ulje të mira që studentët shqiptarë të vinin e të studionin në universitetet italiane e sidomos në Sapienza. Dhe pikërisht në Sapienza, Musineja njohu shumë studentë shqiptarë që më pas u bënë studiues. Njohu Pashko Gjeçin edhe ai i përndjekur më pas nga regjimi komunist, përkthyesi i Dantes në shqip, një përkthim mjaft i bukur. Njohu Kolë P. Ashtën, gjuhëtar, studiues linguist, glotolog. Njohu Lazër Radin. Lazër Radit, i biri Jozef Radi, sapo i ka botuar të gjitha rrëfimet, shpesh autobiografike …

Ju jeni gjithnjë në kontakt me letërsinë tonë, me botimet tona… 

Po sepse, për këto raste, unë mendoj se janë tuajat por janë edhe tonat. Musine Kokalari është interesante për Shqipërinë por është interesante edhe për Italinë. Edhe të tjerët. Sepse Musineja nuk është e vetmja ndër shkrimtarët shqiptarë që kanë shkruar italisht. Sidomos sot që ka shumë shkrimtarë shqiptarë që jetojnë në Itali. Po ashtu, shumë shkrimtarë italianë kanë shkruar për Shqipërinë nga Indro Montanelli, “Kujtimet e luftës” së Fuscolit, ose “Lufta më e gjatë” e Franco Benantit, që sapo është përkthyer në shqip… Mes Italisë dhe Shqipërisë ka historikisht, një shkëmbim të madh shkencor e letrar. Dhe nuk po flas vetëm për përkthimet por për intelektualë shqiptarë që interesohen për botën italiane. Për të mos shkuar larg, mund të përmendim Koliqin që ka themeluar në Itali, të famshmin Institut të Albanologjisë në Sapienza, pikërisht ku është diplomuar Musine Kokalari…

Në libër veç tekstit tuaj dhe të arkivistes dhe historianes Simonetta Ceglie është edhe një ese e Visar Zhitit… 

Po, një tekst shumë i bukur që hapet me citimin e një poezie të Musinesë: “T’isha një lule” në të cilën Musineja reflekton mbi vetminë e saj. Sepse është një motiv shumë interesant ky i vetmisë së Musinesë. Për të kuptuar biografinë e saj, jetën dhe mënyrën me të cilën Musineja e raportonte regjimin komunist që e dënoi, është e rëndësishme të kuptohet dimensioni i solipsizmit, i vetmisë që, veç të tjerash, rikthehet edhe te shumë shkrimtarë shqiptarë. Kjo është një poezi shumë e bukur. Pra teksti i Visarit hapet me këtë poezi. Por është një tekst ku ai reflekton shumë mbi poetikën e Musine Kokalarit, për vëmendjen e saj ndaj natyrës, për vëmendjen e saj mbi dramat e vogla të jetës së përditshme që ajo i zbulon në Shqipëri por edhe në Romë. Dhe pastaj, mbi të gjitha të tjerat, duke pasur parasysh edhe veten – si shkrimtar e poet i dënuar nga regjimi, – Visari analizon në themel pjesën e fundit të jetës së Musinesë, pasi ajo u kthye në Shqipëri e u përndoq. Analizon raportet mes poezisë dhe dënimit. Analizon se si Musineja, e dënuar, reagon me një izolim të mëtejshëm, më të lartë. Një izolim të vetëdijshëm. Ajo, në Rrëshen, dilte gjithnjë në rrugë me një libër në dorë për të dëshmuar se regjimi nuk mundej kurrë t’i merrte mundësinë që në heshtje të lexonte e të reflektonte. Ajo shkonte e ulej gjithnjë në lulishten publike dhe lexonte libra. Kështu, këto tema të poetikës së Musinesë të lidhura me jetën e burgut, të lidhura me dëbimin, janë objekti specifik i esesë së Visar Zhitit.

Ndërsa lexoja autobiografinë “Jeta ime universitare”, Musineja më dukej një natyrë pak depresive. Gjithnjë e vetmuar, gjithnjë e pakënaqur… Si mund ta pikturojmë karakterin e Musine Kokalarit me dy fjalë? 

Me dy fjalë: Shumë e fortë dhe shumë e butë. Butësi dhe forcë. Një forcë atomike, çeliku. Ajo nuk i përkulet kurrë regjimit. Regjimi përpiqet që ajo të bëjë një vetërrëfim, një autokritikë. Madje thuhet se ajo ka marrë një letër nga Enver Hoxha në burg, në qeli. E sigurt është që Beqir Balluku dhe ministra të tjerë kanë shkuar ta takojnë në përpjekje për ta bërë që të tërhiqet. Por ajo absolutisht nuk ka pranuar. Kurrë! Dhe kjo është forcë. Por, njëkohësisht është edhe shumë e butë. Mallëngjehet lehtë. Ka një moment shumë të bukur në libër ku  mallëngjehet sepse sheh një fëmijë duke qarë, në një kishë të Romës. Ai qan sepse, kur i kanë bërë kungimin, e ka përtypur osten e shenjtë e cila si rregull nuk duhet përtypur… Ja pra ku shfaq një butësi të jashtëzakonshme. Ama ajo nuk shfaq kurrë dobësi. Shfaq butësi por jo dobësi. Ajo është e fortë edhe në lidhje me episodet e përjashtimit, për të mos thënë të racizmit, që përjeton në Romë. Ajo, shqiptare, ka një histori dashurie me një djalë të ri, i cili, në disa raste, shprehet në mënyrë raciste. Musineja, gjëra të tilla i merr në analizë, distancohet nga ato, por nuk i vuan kurrë. Në butësinë e saj, shohim një butësi të vendosur. Ka vetëdije.

Te historia e dashurisë do të ndalim. Musine Kokalari dhe P.T., kanë një lidhje të gjatë por në fund prishet. Pse nuk funksionoi marrëdhënia? Si e shpjegon Musineja? 

Ajo nuk ishte e dashuruar, ose ishte pak e dashuruar, sepse ajo gjithnjë zhgënjehet nga ai njeri. Dhe jo vetëm nga ai, por nga shoqet e saj, nga familja e tij. Ai niset për në luftën e Afrikës. Kur  zbulon Afrikën nis ta shohë Musinenë si dikë që i përkiste asaj bote të prapambetur. Pra, kishte një qëndrim pothuaj mëshirues, primitivist ndaj Musinesë. Dhe ajo këtë gjë, me të drejtë, nuk e duron dot. Ajo i dallon këto forma racizmi në letrat që P.T. i dërgon nga Afrika. P.T. i shkruan: “këtu në Afrikë janë njerëz të egër, nuk janë të pastër…”. Janë gjëra që Musineja nuk i duron dot sepse kishte një shpirt antropologjik: ajo që për dikë është ndyrësi, për dikë tjetër është një mënyrë e ndryshme e organizimit të jetës. Prandaj nuk binin dakord. Ai ishte ushtarak, familje e kamur, fashiste. Musineja ishte antifashiste, antropologe, grua, kritike në lidhje me botën. Për këto arsye, sipas meje, lidhja mbaroi. Pastaj u zhgënjye edhe se ai, siç duket, joshte shoqet e saj. E ëma e tij përpiqej ta afronte P.T., me një tjetër vajzë, shoqe të Musinesë. Pra është një kompleks gjërash, një zhgënjim të themi nga kjo histori që i mbivendoset edhe zhgënjimit nga bota imperialiste që Musineja, në fund të autobiografisë së saj, e denoncon.

A do të vijojë angazhimi juaj studimor mbi letërsinë shqipe? 

Po. Jam duke punuar tani mbi një shkrimtar, në shumë aspekte të ngjashëm me Musinenë. Është i të njëjtës periudhë, pak më i ri. Ngjajnë në aspektin që edhe ky shkrimtar shkruan fshehtas dhe shkruan në italisht. Është Robert Prifti. Pra puna ime e ardhshme do të jetë për Robert Priftin, një shkrimtar që nuk ka dalë kurrë, veçse për 15 ditë, nga Shqipëria e megjithatë shkruan 5 romane dhe shumë poezi, që të gjitha në italisht. Por, me një italishte të nivelit të lartë. Është një letërsi shumë e ndryshme nga ajo e Musinesë. Letërsia e Musinesë është realiste, kjo e Priftit është abstrakte, hermetike, por përbën një denoncim, një analizë kapilare të mekanizmave të pushtetit. Jo vetëm të regjimit por të mekanizmave të pushtetit social, më shumë në kuptimin e përgjithshëm.

Me këtë po punoj dhe jo vetëm mbi veprën por edhe mbi arkivin e Priftit, falë ndihmës së Edgar Priftit, të birit. Ky e ka përkthyer dhe po përgatit botimin e veprës së plotë të të atit këtu në Shqipëri dhe në Itali. Unë e shoh këtë si një gjë shumë të bukur: bijtë vijojnë punët e ndërprera të baballarëve. Kjo është shumë shqiptare. Tek ne nuk është kështu. Këtu unë shoh se të afërmit e një shkrimtari të vdekur apo të censuruar, me një mënyrë të butë dhe të fortë, kujdesen për projektet…

Më pëlqen që qenka një karakteristikë e jona një gjë e tillë. 

Po, po. Mund të përmendim në këtë aspekt një liste të gjatë që nga Kokalari, Prifti, Lazër Radi…

(c) 2019, autorja. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Gazetarja, publicistja, shkrimtarja dhe përkthyesja Arta Marku drejton programin e njohur televiziv BIBLIOTEKË (RTSH). Materiali më sipër, që po e botojmë në dy pjesë, i kushtohet librit Jeta ime universitare, të Musine Kokalarit.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin