Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Arsim / Politikë

MBI KORRUPSIONIN NË ARSIMIN E LARTË

nga Arjan Shahini

Kur studentët u revoltuan në 2018, nisma e parë e qeverisë ishte të hapte një portal për denoncimin e korrupsionit, sikurse është vepruar me shumë portale të tjera që janë hapur e mbyllur për këtë qëllim nga qeveria, p.sh. “Shqipëria që duam” apo “Pyet Shtetin” (Agjencia për Dialog dhe Bashkëqeverisje). Edhe pse problemi më i madh i studentëve ishte financimi dhe cilësia e mësimdhënies. Ky ligjërim i shkonte për shtat qeverisë, se njëkohësisht hiqte vëmendjen nga vetja, e ua dërgonte sherrin pedagogëve. Sidomos atyre që E. Rama mendonte se ishin pas tyre. (Studentë të juridikut dhe të ekonomikut të Universitetit të Tiranës p.sh., kanë gjasa të jenë nxitur nga dekanët respektivë, që njihen për aftësi të hatashme kompromisi me këdo që ulet në karrigen e kryeministrit. Ndryshe nga Departamenti i Shkencave Politike apo Fakulteti i Shkencave Shoqërore në UT, ku prezenca e Organizatës Politike është më e fortë.)

Ligjërimi mbi korrupsionin ishte edhe inercia e qeverisë (nga fushata elektorale e 2013) për të emëruar problemet si të atilla, edhe pse nuk ka as çekiçin që ta quajë çdo problem gozhdë. Është i njëjti ligjërim i ardhur nga shoqatat jo-qeveritare që merren kryesisht me identifikimin dhe matjen e përmasave të problemit, për shkak edhe të rolit të tyre. Mbas këtij ligjërimi mbi anti-korrupsionin fshihet pikërisht mungesa e vullnetit të qeverisë për të rritur financimin dhe mungesa e angazhimit të saj për të përmirësuar cilësinë, e ca më shumë dëshira për të injoruar gjynahet e personave përgjegjës në rektorat dhe administratën e universitetit, që tani janë dekanër.

Nga gjashtë sondazhe që kam parë së fundmi mbi korrupsionin në arsimin e lartë, të gjitha janë të financuara nga entitete të huaja (në tabelën më poshtë paraqitur në kllapa). Këto përcaktojnë në këtë mënyrë edhe prioritetet e shoqërisë civile dhe të qeverisë, e më pak të popullit që nuk lodhet së përgjigjuri në qindra sondazhet që organizohen nga qindra shoqata në vit. Nga sondazhet rezulton se pjesa më e madhe e studentëve mendojnë se korrupsioni është i pranishëm në institucionet e tyre. Do të ishte paksa e guximshme të pretendohej se korrupsioni është rritur: krahasimi është thuajse i pamundur për arsye të problemeve teknike me kampionimin në një pjesë të sondazheve (shih tabelën, në katër sondazhet e fundit marzhi i gabimit, m.e. për 95%, FPCF-Finite Population Correction Factor, është relativisht i lartë.) Ndërkohë, edhe pse studentët e perceptojnë si të lartë praninë e korrupsionit në universitete, tregojnë më pak gatishmëri (të pranojnë!) të përfshihen në një sjellje të tillë (shih tabelën).

Permbledhje e sondazheve mbi korrupsionin ne arsimin e larte

 

Permbledhje e disa sondazheve per korrupsioin në arsimin e larte ne Shqiperi

Dmth., pikërisht kur qeveria po ulte financimin, filloi t’i shtynte studentët të nxirrnin më shumë para nga xhepat e tyre dhe të binte në ujdi me kastën e vjetër universitare që të mbanin studentët urtë, një pjesë e organizatave të shoqërisë civile filluan të merreshin me çështjet e korrupsionit në arsim. Patjetër punë e lavdërueshme, por unë e shoh me dyshim agjendën e tyre. Jo vetëm se disa prej këtyre punëve janë bërë shkel e shko (shih p.sh. problemet me kampionimin, apo raportimin e Mjaft 2015 që në raportin e publikuar përsërit të njëjtin grafik me shifra të ndryshme), por sepse nuk besoj se ky është problemi kryesor që ka universiteti!

Raporti i MJAFT 2015 per korrupsionin ne arsimin e larte

Studiues të shumtë e lidhin korrupsionin në arsimin e lartë me uljen drastike të financimit dhe rritjen e numrit të studentëve[1] . Por në Shqipëri kjo dukuri ka qenë edhe më parë, sikur dokumentohet edhe nga Zhllima et al. për shkollat e natës apo filialet (Vlorës, Durrës, Berat, Korçë, Lushnje) e Universitetit Shtetëror të Tiranës në vitetë 1960-70 [2]. Në Shqipëri veç mungesës së financimit nga shteti, është komodifikimi i marrëdhënieve klienteliste që ka sjellë rritjen e perceptimit të korrupsionit. D.m.th., jo kur shqiptarët kanë shkëmbyer favore e darka, por kur filluan të këmbejnë para dhe këto punë nisën të maten nga “industria e anti-korrupsionit”[3] dhe shoqatat e financuar nga jashtë, atëherë i vendosëm emër. Kjo çështje, pra sesi emërtimi krijon të tjera realitete, besoj unë ia vlen të shihet me sy kritik. Se sa për qeverinë, besoj se B. Kajsiu[4] ka të drejtë kur mendon se ligjërimi i anti-korrupsionit fsheh agjenda të tjera politike, që ai, ndoshta paksa konspirativ, e mendon se janë politikat neo-liberale – a thua se Shqipëria ka të tjera alternativa.

(c) 2019, autori.


[1] David W Chapman and Samira Lindner, “Degrees of integrity: the threat of corruption in higher education,” Studies in Higher Education 41, no. 2 (2016).

[2] Edvin Zhllima et al., “Corruption in Education during Socialism and the Postsocialist Transition: The Case of Albania,” Region: Regional Studies of Russia, Eastern Europe 7, no. 2 (2018).

[3] Musaraj, Smoki. “Indicators, Global Expertise, and a Local Political Drama: Producing and Deploying Corruption Perception Data in Post-Socialist Albania.” In The Quiet Power of Indicators: Measuring Governance, Corruption, and Rule of Law, edited by Sally Engle Merry, 222-47. Center for Law, Justice, and Culture, Ohio University, United States: Cambridge University Press, 2015.

[4] Blendi Kajsiu, “The birth of corruption and the politics of anti-corruption in Albania, 1991–2005,” Nationalities Papers 41, no. 6 (2018).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin