KONICA SIKUR I GJALLË

nga Agron Alibali

Pamje të rralla filmike të Faik Konicës në një regjistrim të panjohur në Nju Jork,  shkurt 1938

Rilindasit apo themeluesit e shtetit shqiptar, si imazh figurash historike, na vijnë sot kryesisht përmes riprodhimeve të rralla në pikturë ose fotografi. Imazhe filmike për ta kemi pak ose aspak.

Për fat, sot njihen mjaft foto të Faik Konicës, dhe të reja zbulohen vazhdimisht. Mirëpo fakti që Konica arriti ta jetojë shkapërcimin teknologjik të imazhit të zëshëm dhe lëvizës, me fjalë të tjera, zbulimin e radios dhe kinemasë, sugjeronte që zëri dhe figura e gjallë e autorit dhe diplomatit të shquar do të mund të pluskonin diku, dikur.

Zëri i Konicës

Zëri i Konicës u zbuluar për herë të parë në gusht 2004 në koleksionin e pasistemuar të Bibliotekës së Kongresit Amerikan në Uashington. Merita u takon dy ekspertëve të bibliotekonomisë, përkatësisht Dr. Etleva Domi të BKSH-së, dhe Z. Grant Harris të Bibliotekës së Kongresit. Bëhej fjalë për intervistën e Konicës të nesërmen e pushtimit fashist të Shqipërisë, dhënë gazetarit Hilmar Robert Baukhage [1889v- 1976], në zyrat e NBC-së [National Broadcasting Corporation], Red Network, në kryeqytetin amerikan.

Duke cituar prof. Aurel Plasarin, Grant Harris do të më shkruante se kjo besohej të ishte e para dëshmi e njohur e regjistrimit të zërit të Konicës.

E dhënë në rrethana tragjike për kombin shqiptar, intervista e Konicës e 8 prillit 1939 është model i ligjërimit publik nga një diplomat i sprovuar, para opinionit të vendit pritës.

Sipas z. Harris, në 9 dhjetor 2004 dy kopje të regjistrimit të intervistës së plotë të NBC-së me zërin origjinal të Konicës iu dhuruan përkatësisht Ministrit të Kulturës së Shqipërisë dhe Drejtorit të BKSH-së të asaj kohe në një aktivitet të posaçëm të organizuar në Bibliotekën e Kongresit.[1]

Mirëpo, sikurse ka përmendur me mprehtësi prof. Nasho Jorgaqi, Konica do të vijojë të na befasojë me gjetje të ndryshme të pranisë dhe veprës së tij në vendet ku ka jetuar.

Një foto e panjohur

Dhe vërtet, një foto të rrallë të Faik Konicës e hasëm vetëm para disa javësh. Fotoja ishte marrë me rastin e vizitës së tre motrave të Mbretit Zog në Sh.B.A. në shkurt – mars 1938.

Foto 1 – Princeshat Myzejen, Ruhije dhe Maxhide, në hollin e vaporit italian që i barti në portin e Nju Jorkut, 28 shkurt 1938. Në sfond, Faik Konica; burimi ACME, Hoff Jackson [Arkiva personale, A.A.].

Vizitën e tre princeshave shqiptare e kemi mbuluar tjetërkund.[2] Këtu mund të përmbledhim vetëm kaq: vizita e Princeshave Ruhije, Sanije dhe Mexhide u përdor me zgjuarësi nga Mbreti Zog për të forcuar marrëdhëniet dyshtetërore në një periudhë tejet delikate të gjendjes ndërkombëtare, si dhe për të arritur pajtimin e madh me Nolin.

Mirëpo vizita e grave të hirshme nga Shqipëria u prit me interes të pazakontë edhe nga shtypi amerikan.[3] Kurse shtypi sensacional deklaroi se princeshat shqiptare vinin në Amerikë për të gjetur burrë, çka e kishte irrituar pa masë Konicën.

Në fund gjithçka shkoi më së miri. Princeshat u pritën për çaj në Shtëpinë e Bardhë nga Zonja e Parë, Eleanor Roosevelt. Kurse komuniteti shqiptaro-amerikan i Bostonit, si dhe vetë Fan S. Noli Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, dhe dikur kundërshtar i ashpër politik i Zogut, u rezervuan atyre një pritje vërtetë të ngrohtë.[4]

Takimi i parë me shtypin amerikan i princeshave të shoqëruara nga Konica u krye në hollin e klasit të parë të vaporit transoqeanik italian Conte di Savoia, pasi të gjithë udhëtarët e tjerë ishin larguar.

Foto 2:  Holli Gran Colonna, i klasit të parë të vaporit italian Conte di Savoia, ku u filmuan tri motrat e Zogut bashkë me Konicën. [5]

Sikurse shihet në foton e rrallë historike, të sjellë më sipër, tri motrat e Zogut, princeshat Maxhide, Ruhije dhe Myzejen, paraqiten të ulura në poltronë dhe të veshura plot shije. Në krah të tyre, në qendër të fotos, shpaloset Faik Konicës, në një nga daljet më të gjalla të tij. I veshur si përherë, plot sqimë, Faiku mban një pallto ngjyrë të errët, me shallin e çelët dhe me kapelën e mbajtur me dorën e djathtë. Rreth 70 gazetarë dhe fotoreporterë amerikanë e britanikë bombardojnë vizitoret e shquara nga vendi i vogël dhe ekzotik ballkanas me pyetje dhe me shkrepje fotosh e kërcëllitje flashesh.

Mirëpo pritësi i princeshave, Ministri shqiptar Faik Konica, dhe shoqëruesi i tyre, Asim Jakova, nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve. Ata lexuan vetëm një deklaratë të shkurtër për shtypin, duke u justifikuar se princeshat ishin të lodhura nga udhëtimi i gjatë. “Myzejeni, Ruhija dhe Maxhidja buzëqeshin para kamerave, por diplomati-përkthyes as që e vuri ujët në zjarr të pyeste nëse ato kanë ardhur këtu për të gjetur burrë”, shkruante më shpoti gazeta New York Herald Tribune. [6]

Konica me zë dhe figurë

Fotoja e panjohur e princeshave me Konicën shërbeu si udhërrëfyes për hulumtim të mëtejshëm. Po të vërejmë me kujdes, ajo na sjell në plan të parë, me shpinë, edhe disa kameramenë. Çka do të thotë se, për ngjarjen, duhet të kenë ekzistuar edhe kronika filmike.

Në fakt, regjistrimin e parë e kemi si pjesë të një kronike të Pathé News, shërbim lajmesh filmike dhe dokumentarësh, i ofruar në Britaninë e Madhe dhe SHBA nga vitet 1910 deri më 1970.

Kronikë filmike 1 – Albanian Princesses Visit New York, British Pathé, 1 mars 1938[7]

Kronika e shkurtër prej 24 sekondash e Pathe Gazette fillon me mbërritjen e princeshave në Nju Jork me transoqeanikun italian Conte di Savoia.Më tej, gazetari amerikan hamendëson nëse qëllimi i vizitës së princeshave është për pushime apo për motive politike? Kronika përfundon me supozimin e një komentatori amerikan, së cilës Konica i trëmbej më shumë se gjithshka: “Flitet se ato janë në kërkim të ethshëm [sharp lookout] për një burrë të pasur amerikan…” Edhe pse Konica këtu nuk na shfaqet, zemërimin e tij mund ta parafytyrojmë lehtazi.

Sikurse u përmend më lart, Konica kreu rolin e përkthyesit dhe kontrolloi me kujdes të gjithë ceremoninë. Ai nuk ngurroi aspak që të ndërhynte kur vërente se gazetarët amerikanë bënin pyetje që, sipas tij, ishin të papërshtatshme.

Disa nga batutat e Konicës ndaj gazetarëve ishin:

I thought you were going to ask decent questions”, [“Mendova se do të bënit pyetje të përshtatshme…”]…Dhe kur një gazetar këmbënguli, Konica nuk përtoi t’ia përplaste: “Why don’t you grow up”? [“Sa i papjekur që jeni, xhanëm?”].[8]

Ndërsa këto shkëmbime të Konicës me gazetarët amerikanë ende nuk i kemi të përcjella në kronikat filmike të kohës [në foto shfaqen jo pak por pesë kameramenë], gjithsesi kërkimi këmbëngulës rezultoi në gjetjen e imazhit filmik të këtij takimi, ku Konicën më në fund e shohim të gjallë, me zë dhe figurë, bash me temperamentin e tij të shpenguar dhe sfidues.

Videoklipi historik është regjistruar nga British Movietone News, një shërbim dokumentar lajmesh që veproi nga vitet 1929  deri më 1979, dhe mban gabimisht datën 8 mars 1938.

KING ZOG’S SISTERS – SOUND
Story No: 32786
The three sisters of King Zog of Albania pose in New York, where they are staying, for Movietone’s Camera.

Foto 3 – Paraqitje e titullit dhe numrit rendor të videoklipit të British Movietone.

Merita për gjetjen e rrallë vjen edhe falë bashkëpunimit me studiuesen e re dhe të pasionuar të Konicës, Dr. Loreta Loli, autore e një disertacioni shterues për prozën e Faik Konicës.[9] Me të vërtetë, duke kërkuar një inçizim tjetër zanor të intervistës së Konicës të shtatorit 1930 për rrjetin CBS [Columbia Broadcasting Corporation], që Dr. Loli e përcjell si përshkrim në disertacionin e saj[10], dhe duke vijuar hulumtimin tonë në linjën e vizitës së motrave të Zogut, mbështetur në foton e mësipërme, befas hasëm në imazhet e gjalla filmike të Faik Konicës, të shkurtit 1938.

Foto 4 – Pamje e videoklipit të British Movietone.[11]

Movietone dhe arkiva përkatëse u blenë më pas nga Associated Press [AP]. Regjistrimi filmik i kësaj të fundit është paksa më i gjatë dhe i ndryshëm nga Movietone, pasi në fillim ka material të tepërt. Rrjedhimisht, imazhet tona nisin pak më vonë, dhe Faik Konicën e shquajmë – të gjallë më në fund – në sekondat 5 – 8.

Përherë perfeksionist, xhentëllmen dhe “kujdestar” i rreptë i princeshave përballë ndërhyrjeve shpotitëse të reporterëve vendas e të huaj, Konica shfaqet aty duke iu vikatur gazetarëve në anglisht: “Wait a minute!”[Prisni një minutë!]. Pastaj Konica tund kokën me mosbesim të dukshëm, por të përmbajtur. Ai qetazi tërhiqet, pasi kameramenët thonë “Ready” [gati], dhe menjëherë Konica jep miratimin e vet duke thënë edhe ai “Ready“. Mund të konkludojmë me saktësi se batutat e përcjella më sipër do të kenë qenë vijuese të këtij shkëmbimi hyrës.

Me sa kemi dijeni, ky është imazhi i vetëm filmik, me zë dhe figurë, i njohur deri tani, i Faik Konicës, autorit dhe diplomatit të shquar shqiptar.[12]

Viedoklipi historik i Faik Konicës dhe princeshave shqiptare, me gjatësi prej 29 sekondash, mund të shikohet i plotë këtu poshtë, i bërë tashmë publik drejtpërdrejt nga arkiva e AP-së dhe British Movietone.[13]

Kronikë filmike 2 – Imazhi, me zë dhe figure, i Faik Konicës me tri princeshat shqiptare, Nju Jork 28 shkurt 1938, [Arkiva AP].

Tragjikisht, vetëm 13 muaj më vonë, me 8 prill 1939, Faik Konica do të mbetej pa atdhe dhe pa punë, dhe do të protestonte fuqishëm kundër pushtimit fashist të vendit të tij në intervistën me z. Baukhage të përcjellë në krye.

Kurse të tri motrat, princesha të pafata, do të nisnin kalvarin e gjatë dhe tronditës të mërgimit të detyruar, ku kujtimet e vizitës në SHBA do të mbeteshin tashmë veç një vegim i largët, i bukur por i hidhur, dhe si mirazh që kurrë nuk kishte qenë i vërtetë.

 

© 2019, autori. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


[1] Në aktivitet u luajt për herë të parë në publik edhe regjistrimi i intervistës së Konicës. Për më shumë në lidhjen:  https://www.zeriamerikes.com/a/a-30-a-2004-12-10-10-1-85539627/372801.html Në prill 2019 intervista e Konicës u transkriptua, u përkthye dhe dhe u ridha e plotë nga gazetari Ilir Ikonomi gjatë konferencës me rastin e 110 vjetorit të gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, the Heart, në Nju Jork.

[2] Agron Alibali, “Faik Konica – Dritëhijet e një diplomati”, Argeta Sh.p.k. Tiranë, 2016, ff. 422 – 433.

[3] Shih p.sh. The New York Times, February 20, 1938, Sisters of King Zog Will Visit This Country, Hope to Reconcile Exiled Bishop in Boston.

[4] Shih citimin 2 më lart. Edhe Nash Rabler, A Balkan Sister Act! “Rule Ruritania!” Myzejen, Ruhije & Maxhide, Fly The Albanian Flag On A Semi-Official Visit To The States!

[5] Burimi: http://theesotericcuriosa.blogspot.com/2014/10/a-balkan-sister-act-myzejen-ruhije.html

[6] Agron Alibali, “Faik Konica – Dritëhijet e një diplomati”, Tiranë, 2016, Argeta, f. 427.

[7] https://www.britishpathe.com/video/albanian-princesses-visit-new-york

[8] Po aty. A nuk mund të konsiderohet kjo batutë si e përshtatshme për klasën e sotme politike shqiptare?

[9] Dr. Loreta Loli, Proza e Faik Konicës – Tiranë, tetor 2018, tek http://www.doktoratura.unitir.edu.al/wp-content/uploads/2018/12/LORETA-LOLI-Proza-e-Faik-Konic%C3%ABs.pdf

[10]Kur Shqipëria mbretëron në Amerikë”, nga Naum Th. Trebicka, Dielli, 16 shtator 1930, ff. 2-3, përcjellë në disertacionin e Dr. Loreta Lolit, f.  257.

[11] Dokumentari i shkurtër gjindet në arkivën digjitale të British Movietone, tek www.movioetone.com me këto të dhëna:

Film Title: No Title
 Play Clip

 

Card Title: KING ZOG’S SISTERS – SOUND
Location: New York, America
Date: 08/03/1938
Length: 21 secs
Story Number: 32786
Description: N/
Shot List.: The three sisters of King Zog of Albania pose in New York, where they are staying, for Movietone’s Camera.
Keywords: Princess Myzejen of Albania, Princess Ruhije of Albania, Princess Maxhide of Albania

 

[12] Për plotësi, ekziston edhe një kronikë e tretë e ngjarjes, por pa zë, ku Konica – dhe princeshat në atë moment – shfaqen me shpinë. Kronika prej 19 sekondash titullohet: Sisters of King Zog on U.S. Tour, Clip ID 61340. Konica shfaqet në sekondën 5-8. Kronika pa zë gjindet tek https://www.efootage.com/stock-footage/61340/Sisters_Of_King_Zog_On_U.s._Tour/

[13] Ndërkohë, arkivës së AP-së i drejtuam një kërkesë me shkrim për mundësinë e dhurimit të një kopjeje të saktë e të plotë të dokumentarit të British Movietone për Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit dhe për Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë.

 

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin