PORTRET NË KANAVACË PA KORNIZË

Tregim nga Ajkuna Dakli

– Do vish brenda për një çaj?

Gruaja qëndron në hyrje të shtëpisë së saj me një vështrim lutës. Është e gjatë e hollë, me flokë të rëndë të kuqërremtë. Duket fare qartë që vjen nga Evropa lindore. E ka të shkruar në fytyrë.

Është veshur me shumë shije me ngjyra vjeshte : bluzë ngjyrë mustarde dhe një fund ngjyrë burgundi, syve u ka shkuar një vijë të hollë me laps të zi dhe buzëve një vijë me laps gjithashtu, po i kuqi i buzëve i hedhur mbi to me shumicë pothuajse derdhur bën kontrast me fytyrën e zbehtë.

Në fytyrë i shquhen ca pjesë të thara lëkure të cilat i ngacmon herë pas here me nervozizëm me majat e gishtërinjve të gjatë.

– Ose për një biskotë? Kam bërë pazar sot dhe gjeta ca biskota shumë të shijshme. Vetëm për pak?

Matem të them që jam e zënë po pastaj pranoj. Kam ardhur vetëm të marr tim bir që luan me djalin e saj, jam e lodhur dhe nuk kam dëshirë po nuk mund ti them jo. E di që vizita nuk ka për të zgjatur pak. Bisedat me të kurrë nuk zgjasin pak. Fëmijët tanë janë një moshë dhe e njoh prej disa vitesh, ndonëse jo mirë po kaq gjë e di : Nëse ndeshesh me të në rrugë, në atë të tatëpjetën e shkollës ku ajo ecën gjithnjë vetëm ose me fëmijën e saj përdore, ose në oborrin e shkollës ku ajo gjendet gjithnjë vetëm ose me fëmijën e saj përdore dhe fillon të flasësh me të, asnjë bisedë nuk zgjat vetëm për pak.

Ngjis shkallët ndërsa ajo me ndjek e gëzuar. Shtëpia është rrëmujë po me ngjyra të kombinuara mirë dhe që në hyrje duket qartë që aty banon dikush që merr vesh nga arti.

Nuk jam fort e ditur për punë pikturash ndonëse me pëlqejnë po me aq sa marr vesh unë shijet e saj duken diçka midis Klimt dhe Picasso duke anuar më shumë nga ky i dyti.

Mbi tavolinën e mesit në dhomën e ndenies gjendet një grumbull katalogësh pikture. Dalloj përsëri një Klimt dhe një Picasso. Të tjerët nuk i njoh.

– Të pëlqen shtëpia ime?

– Po, shumë e këndshme. Më pëlqejnë ngjyrat. Ato portretet janë Picasso? – Në murin përballë dalloj riprodhime të “The weeping woman” dhe “Dora Maar” pa kornizë.

– Oh, i njohe? – me pëlqejnë shumë këto të dyja.– Picasso është i madh. Më i madhi fare për mua!

– Nuk është se kuptoj shumë nga piktura, – them dhe buzëqesh.

– Oh, jeta është e komplikuar. Sikur fytyrat e njerëzve të mund të nxirrnin në sipërfaqe atë që kanë brenda, do dilte diçka e copëtuar. Faqe, sy të copëtuar. Ja si këto. – Ajo tregon me dorë murin.

– Po të duash rrimë në verandë – thotë pastaj – është mot i bukur.

Pohoj me kokë. Në verandë ka rënë dielli dhe është mrekulli. Kompleti i karrigeve dhe tavolinës aty është gjithashtu i zgjedhur me shije dhe i kombinuar mirë me ngjyrat e tjera. Ajo ulet përballe meje dhe më sheh me gëzim. Pas një çasti ngryset dhe kruan me majat e gishtave lëkurën e fytyrës.

– Ti mendon që evropiano -lindorët janë njerëz të mirë?

– Nuk e di – përgjigjem. Pyetja më befason– mendoj se ka të mirë dhe të këqij në çdo vend.

– Nuk jemi aspak të mirë. Jemi të poshtër. Spiunë. Nuk ia duam të mirën njëri-tjetrit.

– Oh – them – mendoj që sidoqoftë nuk mund t’i futësh të gjithë në një thes.

– Po, ke te drejtë. Nuk mund t’i futësh në një thes.

– Me se merresh?

– Unë? jam designer.

– E mora me mend – them e lehtësuar që biseda ndryshoi drejtim – nga ngjyrat, shtëpia, veshja jote. Dukesh që merresh me art. Designer, po për çfarë? Mobilim? Veshje?

– Nuk merrem me art. Artistët nuk ecin përpara këto kohë. Unë zemërohem kur njerëzit më pyesin nëse jam artiste. Nuk jam artiste. Kam studiuar për arte të bukura, dhe design. Pastaj vazhdon: – Ma bëjnë vazhdimisht këtë pyetje: “ Oh, me se merresh? “ Nuk e di pse. Njerëzit futin hundët vend e pa vend. Ç’u duhet atyre se çfarë bëj unë a me se merrem! Apo mendojnë që jam një hiç, një grua që rri në shtëpi e pa zonja të gjejë një punë. Oh! njerëzit janë kaq paragjykues… – vazhdon. – Të gjithë të paragjykojnë. Sapo mësojnë që ti nuk je rritur këtu, qe ke ardhur nga Lindja, të paragjykojnë.

– Nuk më duket ashtu, – them – Ndonjë mbase, po jo të gjithë. Duhet sidoqoftë kohë që të përshtatesh në një vend të huaj. Keni kohë në Kanada?

– Po unë nuk jam artiste. Jam designer.

– Shumë mirë, – them – Është bukur të krijosh.

– Oh, – thotë ajo. – Të falemnderit. Është vërtetë unë krijoj. Edhe pikturoj. – Papritur kërcen me gëzim– Ah! – Do të të tregoj pikturat e mia.

– Do më pëlqente t’i shihja – them. – Më pëlqejnë pikturat.

Ajo hyn brenda pothuaj duke vrapuar dhe kthehet me pesë a gjashtë kanavaca pikturash pa korniza. Janë të gjitha portrete njerëzish me pjesët e fytyrës si copa të thyera e ringjitura keq. Ose pjesë të shpërndara dhe të pangjitura. Ngjyrat dhe format janë të harmonizuara shumë bukur, po duhet t’i shohësh një copë herë që të marrësh vesh ç’kish dashur të thoshte ajo dhe unë nuk jam fort e ditur në këtë fushë.

Në njërën shquhet një figurë e shtrembëruar burri dhe pastaj hunda që ka formën e një kollareje te gjelbër.

– Kjo më pëlqen i them. Si titullohet?

– Politikani – thotë ajo – ata njerëz që venë firma në letra që vendosin fatet e të tjerëve. Shikon nga unë me vëmendje – Të gjithë janë derra – thotë. Pigs. Jam endur me vite nëpër rrugët e Evropës prej tyre. Letra. letra…– thotë.

– Të emigrosh asnjëherë nuk është e lehtë.

– Po pse erdhët këtu?

– Ah edhe kjo është një pyetje që ma bëjnë shpesh.

– Oh! – them. – Me ndje, nuk desha të …

– Im atë ishte arkitekt. E urrente komunizmin me ato ndërtesat uniforme të zymta. E futën në burg. – Ajo qesh. – Ne ikëm. Bashke me vajzën 3 muajshe. U sëmur ndërsa kalonim kufirin …

– Oh – them unë.

– S’ka gjë. – ajo hesht një moment – ishte aq e dhimbshme sa kujtova që do vdisja. Pastaj qesh dhe vë gishtin mbi tëmth. – Më duket se më krisi diçka këtu.

– Ah, them unë prapë. – Më vjen shumë keq!

– Sikur të mos e kisha kaluar kufirin me foshnjë në gji, im bir do kishte një motër tani.

– Njeriu përpiqet për mirë.

– Po. Për mirë. E di? – ajo kërcen prapë dhe më ulet afër. – Kohët e fundit kam zbuluar Zotin. Kam një ndjenjë shumë të ngrohtë. Ti beson? Beson që ka zot, right?

– Po, – them. – Besoj, por sipas mënyrës sime.

– Sigurisht, çdokush ka mënyrën e vet të besimit. Unë besoj që ka zot, se ndryshe kush do bënte dallimin midis njerëzve të mirë dhe të ligj? Dhe kush do jepte shpresë që vuajtjet tona këtu do të shpërblehen? Dhe që të vuash ka kuptim dhe një arsye.

– Po – them. Ke të drejtë. Nuk është keq të besosh. Në fund të fundit ke diçka ku mund të mbështetesh. Më duhet të çohem.

– Patjetër, patjetër. E di që ke patur një ditë të gjatë dhe je e lodhur. E kuptoj. – Hesht një çast. Nuk mendoj se shkolla është në nivelin e duhur. Dhe e gjitha kjo bëhet me qëllim.

– Ka gjëra që mund të përmirësohen – them – po në përgjithësi nuk është keq.

– E di me siguri! – këmbëngul ajo– këtë ma ka thënë një miku im shumë i pasur. Një mik që e kam njohur online. Kam shumë miq online. Të bëj një çaj? – shton.

– Jo, të falemnderit. Duhet të iki vërtet, vajti vonë.

Ajo ngrihet e pezmatuar, i bie rrotull tavolinës së vogël dhe përkulet në parmak t’u thërrasë fëmijëve. Pastaj kthehet nga unë dhe shikon e hutuar. Me të njëjtën shprehje si ajo që ka të mbërthyer në fytyrë sa herë e shoh vetëm në të përpjetën që çon në shkollë; vetëm ose me fëmijën e saj përdore, pastaj prapë vetëm pastaj prapë me fëmijën e saj për dore, pa folur me askënd, pa u përshëndetur nga askush dhe pa përshëndetur askënd.

– Je e sigurt që nuk do një çaj?

– Jo, – them. – Të falemnderit vërtet, po është vonë dhe duhet të çohem.

Ngrihem dhe thërras me zë të lartë emrin e tim biri. Në shkallë dëgjohen hapat e fëmijëve që hyjnë me vrap në verandë me fytyra të skuqura. Ajo përkulet, i jep të birit një të puthur në faqe dhe pastaj qesh përsëri me gëzim.

– Të falemnderit për vizitën. Do shihemi prapë, right?

– Patjetër, them unë. – Kur të jem pak më e ngeshme.

– Oh, ti je shumë e sjellshme. Më pëlqen kur njerëzit janë të sjellshëm. Shumë pak njerëz janë të tillë.

– Të falemnderit. Mirupafshim.

– Mirupafshim ! – Ajo përkulet drejt meje në një përqafim të cekët formal.

I them prapë mirupafshim dhe largohem. Në krye të udhëzës që të nxjerr në rrugë e kthej edhe njëherë kokën.

Ajo vazhdon të qëndrojë të dera me dorën e ngritur lart zhytur në rrobat e saj me ngjyra të vjeshtës, me fytyrë të hutuar si një zog që udhëton gjithnjë drejt një vendi që përgatitet vazhdimisht për dimër.

(c) 2018, autorja.

Ilustrimi: Portreti i Dora Maar i Picasso-s.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin