SKËNDERBEU, AKADEMIA E RE DHE FTESA E FUGËS

nga Nebi Bardhoshi

Artan Fuga, emër i njohur në letrat shqipe, na fton të bisedojmë për figurën e Skënderbeut e jo vetëm kaq; prej kësaj ftese buron një tjetër ftesë që është ajo e rishikimit të historisë çka na kthen tek arsyeja se përse duhet të kemi – apo të kishim prej kohësh – reformën për kërkimin shkencor në Shqipëri.

Nevoja për të pasur një figurë të re të Skënderbeut, të shkëputur prej projektimeve ideologjike, e bën Fugën të na kërkojë që t’i bashkohemi për një “historiografi idealiste” përkundrejt asaj ideologjike. Kjo ftesë vjen kur politika e Tiranës (nën drejtimin e kryeministrit) po përpiqet t’i japë teh “Vitit të Skënderbeut” si një mënyrë për të promovuar modelin kulturor dhe historik. Gjasat janë që ky debat të sjellë edhe njëherë në arenën publike, debate të nxehta për Skënderbeun. Vera që lamë pas u shoqërua nga një debat për Skënderbeun, po aq i nxehtë sa vetë kjo stinë. Por, siç e dimë mirë, stinët post-socialiste për Skënderbeun kanë qenë dinamike; ato stinë janë vetëm dy, verë dhe dimër duke kaluar turravrap sa nga vera në dimër e anasjelltas. Kësisoj, edhe kësaj here furia ka gjasë të vijojë gjatë sepse Skënderbeu bën gjithë jetët politike që ia japin autorët sipas pikëpamjeve të tyre ideologjike apo identitare të politikave të momentit. Skënderbeu bëhet kufi, mastar, vlerësues i vetes dhe tjetrit.

Megjithatë, le të përqëndrohemi pak te termi “historiografi idealiste”. Shumëkujt mund t’i pëlqejë fort fjala “idealiste”. Sidoqoftë, do të shprehesha me droje për kuptimin me të cilin e ka përdorur atë Fuga, por nga sa mundem të nxjerr në dritë prej shtjellimit të argumentit, me del se po kërkohet që figura e Skënderbeut të shihet si ajo e një vizionari që kishte kapur çastin e së ardhmes historike në Evropë. Në këtë rast termi “historiografi idealiste” shërben së pari, për ta na krijuar idenë se ne na mungon historiografia idealiste dhe ajo që ekziston mbi Skënderbeun është ideologjike. Kuptimi i dytë që merr “historiografia idealiste” është ajo e një fushe dije që nuk i jep peshë “shpatës”, por në vend të saj i jep përparësi idesë a idealit që urdhëron krahun të ngrejë shpatën e jo e kundërta. Pra, këtu duket se kemi të bëjmë me kërkesën për kalimin nga një historiografi ideologjike, në një historiografi mbi idetë prandaj termi “historiografi idealiste” nuk tingëllon të jetë fort i qëlluar.

Një nga shembujt që përdor Fuga për të mbështetur argumentin e një historiografie idealiste është ky: “ … kur prifti Pal Engjëlli thoshte në shqip formulën e pagëzimit në Durrës, kjo nuk është një çështje thjesht linguistike sikurse e kanë trajtuar. Është e dhëna më e madhe e antropologjisë kulturore arbërore. E dini se çfarë do të thotë kur një bashkësi besimtarësh do ta dëgjojë në kishë besimin e vet në gjuhën amtare? …”. Për Formulën e Pagëzimit dhe potencialin dhe kulturën faktike arbërore e ka dhënë një përgjigje të plotë studiuesi Ardian Vehbiu. Kur Fuga vijon tek ideja se si ishte konteksti kulturor arbëror etj., duket sikur tashmë është duke na ftuar në një platformë të mirëmenduar se si duhet, dhe jo se si është apo se si mund të kishte qenë historia kulturore e asaj periudhe. Megjithatë, le të qëndrojmë paksa te ky përfytyrim duke shtruar një pyetje tjetër: a ekziston vërtetë një historiografi e stisur prej dhe nën lentet sovjetike a staliniste që e hedh poshtë këtë ide? Në fakt, jo. Historiografia staliniste nuk e pajis aq peizazhin historiografik me malësorë, sa me klasë punëtore apo klasë të fshatarësisë etj. Sigurisht, peizazhe krejt idealiste e ideologjike. Një jetë e Skënderbeut për hir të stalinizmit në Shqipëri. Filmi mbi Skendërbeun është përplot imazhe të kësaj natyre, por jo historiografia.

Nga shqetësimi që ka për rishikimin e historisë, Fuga na fton për t’i bërë një analizë dëshirave, ideve dhe vizioneve të Skënderbeut. Ndër të tjera, ai shprehet: “Jo, nuk është thjesht dëshira për feudin e babait. Nuk është trishtim disfate në karrierë, as tradhëti ndaj Baba Sulltanit. As shkrepje vegimesh fëmijënore! Mos u tallni!” . Këtu nuk është e qartë se kujt po i referohet, kush po tallet me kë por gjasat janë se këtu kemi shumë qëndrime të cilat prapë nuk gjenden në historiografinë ideologjike, pra atë sovjete. Nuk kemi ndonjë stalinist të kohës së komunizmit në Shqipëri që argumentin për luftën e Skënderbeut e sjell si tradhti ndaj babait, as si lojë fëminore dhe as si kthim për hir të pronës së babait. Këto janë teza, sigurisht jo ajo e lojës fëminore, të artikuluara në forma të ndryshme nga historianë, kryesisht të periudhës post-socialiste. Këta e bëjnë herë nën petkun e dekonstrutivizmit, herë të deorientalizmit, herë-herë të një lloj kitsch-historiografie. Fakt është se, shumë ftesa të Fugës përkojnë jo pak me idetë e promovuara nga historiografia që vetë Fuga e kritikon. Si fjala vjen, historisë i kërkohet një rol, një rol për t’u ndier krenarë për çfarë jemi sot.

Fuga vijon: “Ai [kupto Skënderbeun] shihte larg, sepse po qe se e shihte çështjen se nuk do të fitonte dot, nuk do ta fuste veten dhe familjen, klanin dhe fisin, popullin, në një aventurë. Kush e nis një betejë pa shpresë se do ta fitojë atë?” Një përgjigje e shpejtë do të ishte se ekziston edhe një opsion fatal. Një betejë pa shpresë për të fituar. Këtë mund ta bëjë dikush i cili s’ka rrugë tjetër pos vetëm atë të jetës ose vdekjes. Ja pra, që hapësira interpretative mund ta na lejojë të gjejmë një shkak personal, siç ka qenë ftesa e “gjakmarrjes” (të cilën nuk e gjej të bazuar), sipas së cilës çon në marrjen e një lufte jo vizionare, por krejt të kushtëzuar nga fataliteti. Mund të vijojmë edhe te logjika e aventurierit e me radhë, por dikush mund të na kërkojë të ndalojmë ndoshta duke na kritikuar rëndë me arsyetimin se kush mund ta konsiderojë një mundësi të tillë sidomos kur jemi duke folur për Heroin Kombëtar…

Skënderbeu vendoset si paraprijës a pjesë e një konteksti kulturor, me bashkëkohas si Ian Husin (1370-1415), Gutenbergun, (1434–1444), Makiavelin (1469–1527), Dekartin (1596 – 1650), Galileo Galiein (1564-1642). Gjithsesi, siç mund të shihet nga ditëlindjet, dy prej tyre, pra të parët, kanë një lidhje më të afërt kohore me Skënderbeun, por të tjerët janë diku një shekull më vonë. E kur vjen puna për idenë, idetë, ideologjitë, kozmologjitë e ndërkalluara për/dhe nga shteti modern, apo rreth konceptit dhe ekzistencës së kombit, këta studiues kanë pak ose aspak lidhje midis tyre me çka do të shfaqej politikisht, filozofikisht ose antropologjikisht si ide e kombit dhe e shtetit komb. Sa di unë, deri më sot nga goja e Skendërbeut kemi vetëm një frazë të thënë në Itali kur gjatë kohës ndihmonte djalin e suzerenit të tij, Alfonsit të Napolit. Do të ishte shumë e vështirë të ndërtonim një ngrehinë historike për vegimet apo ngazëllimet e Skënderbeut ama, nëse një historian ia del ta realizojë këtë, atëherë duhet parë me vëmendje se ç’teknikë historiografike ka ndjekur. Këto interpretime historike i lexoj zakonisht me ëndje dhe nuk shqetësohem kur ato nuk ngrenë një hero sipas shijes sime.

Neologjizmin “albanistezologë” përdorur nga Fuga nuk e kam kuptuar ende, por ky argument s’duhet ngarkuar shumë pasi Fuga e ka shkruar me sa duket në ritmin që kërkon komunikimi virtual. Jam kurioz të di nëse termi “abanistezologë” do të thotë studiues të shqiptarëve kafshë apo studiues kafshë të shqiptarëve. Nga toni ka gjasë ta ketë fjalën për këtë të dytin, por shpeshherë ndoshta e mira do të ishte të ndalurit e vetes prej interpretimeve pasi ato janë lojacake e të pafundme. Fundja, kjo është loja me historinë dhe loja që historia bën me mendjet tona.

Në një tjetër moment shkrimi i Fugës merr trajtën e një ftese për një historiografi që të shestojë disa çështje njëherazi: “…përse duhet bërë çmos pa asnjë oportunizëm për ta hequr kapakun prej hekuri që ka mbyllur brenda një guve të vërtetat dhe që na pengon të jemi krenarë për atë që duhet të dimë se nga vijmë. Ne jemi bërë komb pa projekt prandaj djemtë dhe vajzat ikin. Ja përse duhet një rithemelim i akademizmit shqiptar, jo vetëm me njerëz të rinj, por edhe me hipoteza e me energji të reja intelektuale”.

Sipas kësaj ftese, Skënderbeu do të duhet të përditësohet në kontekstin bashkëkohor . Pra, ai s’duhet të shihet si një projekt personal apo thjesht kombëtar, por edhe si një projekt panevropian dhe evropian, dhe mbi të gjitha të na bëjë të ndihemi krenar për çka jemi. Këtë detyrë duhet ta plotësojë një akademizëm i ri, i cili ka kurajon dhe dijen e duhur. Di që ka botime nga autorë shqiptarë që e konsiderojnë Skendërbeun si pararendësin apo si një nga vizionarët e Europës së Bashkuar, por libra të tillë mund t’i lexosh vetëm për të analizën diskursive të në literaturën post-staliniste në Shqipëri. Çështja është se si ftohesh të bësh shkencë kur e ke përcaktuar se çfarë do të ndërtosh? Këtë jam i bindur se Fuga e di shumë mirë që nuk ecën. Sigurisht, nëse bëhet fjalë për një historiografi terapeutike e cila ka për qëllim t’i bëjë njerëzit të ndihen mirë, ndoshta mund ta marrim njëfarësoji në konsideratë ftesën e Fugës por kjo qasje është rrokur nga shumë studiues –tashmë- në kushtin e traumave kolektive identitare të pas rënies së komunizmit, dhe këta nuk janë të prirë drejt mendimit kritik por drejt atij shamanik.

Si t’ia bëjmë? Të shkojmë drejt një historigrafie idealiste e cila preh tehun për nga sajimi, apo për nga shqyrtimi; për nga terapia duke i bërë njerëzit të ndihen mirë; apo të shkojmë drejt një historigrafie shqyrtuese që i bën njerëzit të mendojnë në mënyrë kritike? Në çdo rast, nëse kërkojmë të jemi sadopak kritikë, s’mund të kemi përpara një platformë e cila paracakton konkluzionet, por do të duhet një platformë e cila hap shtigje të shqyrtimit kritik, e trualli më i mirë, më i begatë për këtë, është ai i figurës, trupit, shpirtit dhe veprës së Heroit Kombëtar. Përndryshe, do të inkurajojmë një kitsch-historiografi ose thënë më butë një pop-historiografi. Dhe batuta e filmit, përdorur me humor nga Fuga: “A don ti Gjin me luftu kundër truqve? Du si s’duuuuuuuu!” do të mund të kthehet “A do ti Gjin një histori që të ta bëjë qejfin për çka ke qenë, je e do të jesh? Po du dhe pikë.

(c) 2018, Autori.

 

6 Komente

  1. citoj autorin: Sipas kësaj ftese, Skënderbeu do të duhet të përditësohet në kontekstin bashkëkohor . Pra, ai s’duhet të shihet si një projekt personal apo thjesht kombëtar, por edhe si një projekt panevropian dhe evropian, dhe mbi të gjitha të na bëjë të ndihemi krenar për çka jemi.

    Ne fakt, gjithnje keshtu ka qene.
    – Ajo me te cilen kemi te bejme nuk eshte historia si shkence, por historia si politike. Ne kete kendveshtrim Skenderbeu eshte nje software, i cili ka nevoje konstante per update..

    Dikur qarkullonte nje vargezim si pjese e nje barsolete me nje dhender humbameno:
    ” bere reformen agrare
    kapedan o Skenderbe”

    Me poshe keni versionin e ri te kesaj kenge..
    https://www.botimeshqip.com/histori-arkeologji/5530-skenderbeu-ideator-i-bashkimit-europian-978-9928-116-.html

  2. Kam përshtypjen se po bëhen përpjekje – pa e lypur nevoja – për ta drejtuar debatin publik në një fushë ku ka analistë a intelektualë që ndihen mjaft mirë, si në shtëpinë e tyre: drejt një “historiografie idealiste”, ose në debatin ideologjik. Nikolla Jorga në “Notes et extraits pour servir à l’histoire des croisades au XVe siècle”, vëll. IV, jep një përmbledhje të mirë të dokumentit “Ashburnham 1167” në të cilën ndodhet edhe Formula e Pagëzimit. Siç e tregon edhe pasazhi në fjalë, bëhet fjalë për rregullime brenda kishës dhe aspak për ndonjë “institucionalizim të gjuhës”. Institucionalizim të gjuhës do kishim në rastin kur arbërishtja e shek. XV të bëhej gjuhë kancelerie apo të përdorej në meshë, që në rastin në fjalë do ishte mesha katolike.
    (Pason një përkthim nga frëngjishtja i pjesës që na intereson.).

    8 nëntor 1462.
    Ligje dhe rregulla të Pal Engjëllit, arqipeshkvit të Durrësit, shpallur “in ecclesia Sancte Trinitatis de Emathia”, të hënën, më 8 nëntor 1462, në indikcionin e dhjetë, në vitin e pestë të pontifikatit të Piut II “presentibus ibidem venerabile fratre nostro domino Andrea, episcopo Lisign. (i Lezhës?), suffraganeo nostro, et tam nostre quam ejus diocesis omnium ecclesiarum rectoribus et presbiteris in multitudine copiosa, clamantibus constitutiones justas, bonas et sanctas, ac presentibus nobilibus et plebis innumeris.”
    Dioqeza dhe provinca e tij nuk ishin vizituar që prej shumë kohësh prej arqipeshkve, “tum de Turcharum olim tirannide, tum ob alia regionis incommoda, que eam diutius affecerunt, et propterea corruptos mores inolevisse”. Ai vendosi ta bënte këtë personalisht, “et maxime tempestate qua sub Illustri domino Schenderbehg, Albanie domino, ecclesiastica dignitas libertate tuituque plurimum gaudet”. Pasi kish gjetur shkelje, ai në fillim mblodhi një sinod vendas “apud monasterium S. Trinitatis de Emathia, locum ad celebrandum valde idoneum”. Duke ndjekur këshillën e sufraganëve [s. – ipeshkv i emëruar për ndihmë të ipeshkvit dioqezan] të tij dhe klerikëve të tjerë, ai vendosi në lidhje me sa më poshtë vijon: mbi larjen e petkave priftërore, mbi mirëruajtjen e sakramentit të shenjtë, zëvendësimin e tij “sub pena yperperorum trium”, përgatitjen e “cotta-s” kundrejt një gjobe prej katër hyperperësh, vizitat te të sëmurët dhe vajimin e shenjtë, nën po të njëjtin ndëshkim, mirëruajten e tij, kundrejt një gjobe prej 2 hyperperësh, rrëfimi dhe pagëzimi në vendin e banimit, i mbrojtur nën rrethanat e zakonshme, kundrejt një gjobe prej 15 hyperperësh për çdo herë. Rregullon formulën e pagëzimit, mënyrën me të cilën prindërit mund të pagëzojnë fëmijët e tyre në vdekje e sipër, dicendo saltim in vulgari Albanico: “Vnte etc”. Duhet pasur, kundrejt një gjobe prej 5 hyperperësh, fontana në kisha dhe “crisma-n”. Mbrojtja nga përvetësimi i një famullie të huaj, kundrejt një gjobe “trium florenorum et aliis penis in synodo bone memorie domini Antonii, predecessoris nostri, contentis”. Nuk duhen pranuar në kungim që nuk janë rrëfyer dhe që janë ende në moshë, kundrejt një gjobe prej 15 hyperperësh. Të mos pranohen në absolucion kurorëshkelësit që mbajnë pranë gratë e të tjerëve, kundrejt 20 hyperperësh; t’u ndalohet qasja në kishë atyre që nuk rrëfehen të paktën një herë në vit. Fiksohet formula e absolucionit, rastet e veçanta, kremtimi me kushte i meshës, mënyra e dhënies së ujit të bekuar, vaji i shenjtë, që duhen marrë nga “officialis… noster seu vicarius in Emathia… , a sacristia ecclesie nostre majoris durachiensis”, kremtimi i së dielës së shenjtë. Mbrohet kurora e dytë (“secunde nuptie”), si edhe përfundimi i aleancave gjatë kreshmëve. Dëbimi i konkubinave. Rregullimi i katekizmit. Shtëpia e priftit duhet të jetë ngjitur me kishën, “et non in domo patrimonii… etc.”. Mbrohet përvetësimi i sendeve të braktisura prej grigjës, “stolla” etc. Rritja në vlerë i shkon kishës nëse prifti “non laboraverit in bastina sua” me mjetet e veta. Mbrohet shitja ose dhënia me qira e pronave të kishës. Fiksohet suksesioni i priftërinjve gjatë meshës. Ai që neglizhon në recitimin e “Ave Marias” lirohet kundrejt “pena grossorum LI pro qualibet vice”. Tagret e kishës do të paguhen një herë në vit, në fund të tetorit etc. etc.

  3. Po,nga ky kend veshtrimi,studiuesi Bardhoshi ka te drejte.Ka kapur Fugen ne gabim konceptual.
    Bashke me reagimin e zotit Vehbiu,tashme,u bene dy reagimet nga studiuesit serioze ndaj shkrimit te Fuges ne Facebook.
    Gjithe duke vene ne dukje njelloj mospershtatje mes shkrimit ne facebook dhe reagimeve serioze dhe,mbase,pikerisht per kete,duhet te kete patjeter nje reagim te Fuges,por tashme ne nivelin e ketyre dy shkrimeve dhe jo si ajo pergjigja flake per flake,prape ne Facebook ,ku vura re se e kishte fshire,ndaj shkrimit te zotit Vehbiu dhe ku e etiketonte kete te fundit(edhe pse nuk e permendte me emer,dukej qarte se per te e kishte) me fjale te papershtatshme.
    Paqartesia e zotit Bardhoshi per termin “albanistezolog”,me beri te ditur nje kuptim qe me paskesh mbetur krejt si pandjere kur e lexova per here te pare,dhe qe krejt instiktivisht e paskam marre si te mireqene: kuptimin qe i jep ketij neologjizmi,termi “anestezi”.

  4. Besoj se me idealiste nenkuptohet me hegeliane duke e spastruar nga mbeturinat e materializmit dialektik te kohes se komunizmit.
    Figura e malesorit blegtor ose bujk qe mbante ne dore shpaten ne tjetren qengjin ose lopaten ne fakt zevendesonte klasen punetore, e cila mbante ne njeren dore kazmen e ne tjetren pushken.
    Ne te vertete ushtria nuk perbehej nga malesore qe linin lopaten e parmenden e merrnin shpaten e ushten, por ndiqte rregullat feudale te kohes; perpos feudaleve te medhenj kishte nje sistem te qarte hierarkik deri te feudali i vogel qe kontrollonte nje apo dy fshatra, si ka qene vete gjyshi i Skenderbeut.
    Ne raste emergjence si rrethimet e Krujes shtohej me rekrute te rinj nga fshataresia, po jo kushedi cfare, ne radhe te pare sepse nuk sillte asnje leverdi te mbaje me buke e armatim nje ushtar qe donte disa muaj trajnim qe te mesonte te mos bente deme, lere pastaj qe te ishte i dobishem.
    Kur e lejonte gjendja financiare ka pasur kalores perendimore si mercenare, te cilet ne ate kohe paguheshin 2 dukata ari ne muaj, qe jane rreth 7 gr ar.

    Nqs Skenderbeu do te kishte pasur nje ushtri ku cdo mashkull mbante ne njeren dore lopaten ne tjetren shpaten, do kishte pushtuar boten. Ne fakt mobilizimi i pergjithshem eshte fenomen fisnor e/o kombetar qe nuk i takonte botes feudale.
    Psh sot shteti qe do hiqte dore nga kombi dhe mobilizimi i pergjithshem do pushtohej sa hap e mbyll syte nga nje shtet komb edhe disa here me i vogel numerikisht. Shqiperia psh me 8 mije ushtaret e rregullt pa mobilizim, do pushtohej brenda 3-4 ditesh nga Mali i Zi, 2 dite do iu duheshin malazezve per mobilizim te pergjithshem( 100-120 mije meshkuj) dhe 1-2 dite per te mberritur ne Kakavije e Kapshtice .

    Pra ketu Fuga ka te drejte; ”A don ti Gjin me i luftue turqit?”. i takon me te drejte humorit dhe jo historise.

  5. Meqë më jepet rasti, po shkruaj dy radhë në lidhje me historiografinë idealiste.
    Kalimin nga idealizmi metafizik te historiografia e kanë mundësuar filozofë si Wilhelm von Humboldti (1767-1835) dhe historiani Leopold von Ranke (1795-1886). Humboldti i mëshon supozimit idealist klasik se ngjarjet historike kanë një «të vërtetë të brendshme» që është «vetëm pjesërisht e dukshme në botën e ndjesive»; synimi i historianit për të është «paraqitja e luftës së një ideje për ta realizuar apo mishëruar veten në realitet (Realität)». Në esenë e tij «Mbi detyrën e historianit» (1821), Humboldti shpreh tre parakuptimet e historiografisë idealiste gjermane: 1. doktrinën e ideve (Ideenlehre), sipas së cilës «fenomenet historike janë thjesht manifestimi i jashtëm i ideve të përjetshme që ndodhen në themel të tyre»; 2. konceptin e «individualizmit», d.m.th. besimi se këto ide nuk mund të rroken e kuptohen në mënyrë abstrakte, por duhen studiuar ndërsa «e shprehin veten në individualizma konkrete historike» (si p.sh. personazhe të veçanta, institucione shoqërore, kombe, situata); dhe 3. konceptin e «mirëkuptimit» ose «kuptimit dashamirës» (Verstehen), dmth. ideja se historiani duhet të përshkojë pamjen e jashtme të ngjarjeve për të rrokur thelbin e individualizmave historike në veçanësinë e tyre unike, dmth. falë kriticizmit të burimeve dhe përsiatjen intuitive (ahnen), që i jep atij mundësi të masë thellësinë e «strukturës së brendshme të individualizmës historike nën studim». (Harry Ritter, Dictionary, 207-208). Nuk besoj se Artan Fuga me «idealiste» nënkupton pikërisht «historiografinë në sensin hegelian», pasi përndryshe do ta shprehte këtë fakt. Ndërsa «kritika e ideologjisë» është një koncept i teorisë kritike që ia nënshtron arsyen tradicionale një qasjeje të re kritike, me qëllim emancipimin njerëzor. Emancipimi njerëzor është në vetvete një koncept i ndërthurur ngushtë me emancipimin politik. Marksit, për shembull, i përket vëzhgimi se emancipimi njerëzor është një lloj riorganizimi i shoqërisë, falë së cilit individi shndërrohet në një «qenie lloji» (Gattungswesen) në jetën e tij empirike. Pra, njeriu real individual mesa duket e përmbledh «qytetarin abstrakt» brenda vetes dhe forca sociale nuk është më e ndarë nga individët në formën e «forcës politike».
    Vetë kritika e ideologjisë mundësohet nga «distancimi» dhe kufizohet nga «marrëdhëniet e përkatësisë», që janë e kundërta e distancimit. Kritika nuk mund të kryhet e zhvillohet kurrë nga një pozitë jashtë historisë dhe shoqërisë ku jetojmë. (John Thompson, Studies in the Theory of Ideology).
    P.S. Nuk po më pëlqen kahja në të cilën po shkon ky debat në PTF, pasi kur shkruajmë për figurën e malësorit blegtor ose bujk, historianët kanë mirësinë që të paktën të citojnë burimet: Si e kanë emrin këta zotërinj, nga cila krahinë janë, cilit fis u përkasin dhe cili është statusi i tyre shoqëror, a janë fshatarë të lirë apo të lidhur me tokën, çfarë angarish paguajnë, a janë nënshtetas të Venedikut, mbretërisë serbe, pronë e feudalëve vendorë apo të regjistruar nën turqit, etj. etj. Skënderbeu ishte një kryezot feudal klasik, që sillej si i tillë, p.sh. nuk pati kurfarrë skrupulli kur shkoi në Itali të plaçkiste Tranin; siç shkruajnë shkrimtarët napoletanë: “pillao subito Trane” (kërkoj ndjesë, se e citoj nga memorja). Mbetet ende më këmbë pyetja: «Përse e studiojmë historinë?».

  6. Nga edion petriti: “Vetë kritika e ideologjisë mundësohet nga «distancimi» dhe kufizohet nga «marrëdhëniet e përkatësisë», që janë e kundërta e distancimit.” etj.-etj..
    Ah, ky litar i tendosur cirku qe na kane lene tashme tekstet e reja anglo-saksone, nga te cilat po arsimohet brez i ri shqiptar!.. Llogjike analitike, apo moral i fshehur?!.. -1+1=0
    Mendoj se me pak analize do te thoshte me shume!

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin