Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Gjuhësi / Media

TË FLASËSH DHE TË THUASH (III)

flasësh dhe të thuash – dallimi mes këtyre dy foljeve shkon më thellë se “forma e tyre e brendshme”, meqë prek drejtpërdrejt marrëdhëniet që ne si aktorë vendosim me njëri-tjetrin në skenën e komunikimit. Nëse flas e vështron të folurit si veprimtari të subjektit, them i jep përparësi mesazhit që shkëmbehet, ose objektit; çfarë do të thotë se në ato rrethana ku rolet sociale përcaktojnë edhe përmbajtjen e komunikimit, flas do të jetë më e rëndësishme se them; ndërsa në ato rrethana të tjera, ku informacioni i shkëmbyer i përfton edhe rolet sociale përndryshe fluide, them do të jetë më e rëndësishme se flas. Një mënyrë tjetër për ta rrokur dallimin do të ishte ta përfytyronim flas si një folje që shënjon procesin ose produksionin e ligjërimit, ndërsa them si një folje që shënjon produktin e atij procesi. Sa më të shtangëta (rigjide) të jenë rolet sociale në komunitet, aq më e rëndësishme është marrja e fjalës, si akt; dhe aq më pak e rëndësishme përmbajtja e fjalës, sepse pak a shumë të gjithë do të thonë atë çfarë pritet prej tyre, sipas rolit që kanë – patriarku do të flasë si patriark, prifti si prift, tagrambledhësi si tagrambledhës, lypësi si lypës, nëna si nënë, motra si motër, gënjeshtari si gënjeshtar dhe i ligu si i lig. Shpesh flasim me njëri-tjetrin vetëm e vetëm për të mbajtur një lidhje – një funksion i ligjërimit ky që Malinovski dhe Jakobsoni e kanë quajtur “komunion fatik”; dhe këtu përmbajtja e ligjërimit është praktikisht e parëndësishme. Nga ana tjetër, shqipja përdor të njëjtën leksemë, fjalë, edhe për të folurit edhe për njësinë e vargut ligjërimor; me gjithë një farë ambiguiteti që krijohet në shumës (fjala vs. fjalët); mjafton të themi këtu se fjala mund të jetë emër veprimi, ose të shënjojë veprimin sipas foljes flas; por mund të jetë edhe emri i njësive ose i “tullave” të gjuhës, jo vetëm në metagjuhë, por edhe në ligjërimin e përditshëm (“nuk ia kuptoja mirë fjalët”). Për t’u shënjuar, gjithnjë në këtë kontekst, se foljes them nuk i përgjigjet, në shqipen e zakonshme, ndonjë emër veprimi specifik: të thënët është tejet diturore (le dire), ndërsa thënie shënjon thjesht rezultatin e një procesi të produksionit ligjërimor (le dit). Më në fund, që të thuash diçka duhet të flasësh, edhe pse mund të flasësh pa thënë asgjë; sikurse mund të flasësh përçart ose në gjumë – sepse të folurit është edhe akt fiziologjik, ku marrin pjesë organet e të folurit (goja, dhëmbët, qiellza, buzët, gjuha, gryka, gjuha e vogël, faringu, laringu, hunda, mushkëritë, diafragma); çfarë nuk ka fare lidhje me them, e cila i qaset dukurisë nga një anë tjetër, ajo e informacionit të përcjellë. Dhe për ta mbyllur këtë parantezë pak a shumë teorike, folja them ka prirje të shoqërohet gjithnjë nga ligjërata e zhdrejtë (“tha se ishte vonuar ngaqë e kish lënë autobusi”), ose nga përsëritja e një ligjërimi tashmë të përftuar. Përndryshe, flas është mjaft më e rrënjosur në kontekstin jo-gjuhësor se them; jo vetëm ngaqë dikush që flet e bën këtë si rregull me dëshirë, me vullnet, ose intencionalitet; por edhe ngaqë të folurit mbetet i lidhur me subjektin folës edhe në hapësirën jashtëgjuhësore; p.sh. nëpërmjet zërit, i cili është jo vetëm bartës i ligjërimit të folur, por edhe amplifikues i disa karakteristikave të këtij ligjërimi – pse nëpërmjet zërit mund të dallojmë emocionin, vendosmërinë ose, në një rrafsh tjetër, edhe identitetin e atij që flet, ose të subjektit të ligjërimit; dhe jo vetëm duke njohur dialektin ose akcentin; ose fundja edhe gjininë. Një shembull kurioz, për ta ilustruar këtë rol të zërit: Pasi terroristët e IRA-s vranë 11 vetë me një bombë në Enniskillen, qeveria britanike vendosi që të mos i transmetojë në radio ose në TV zërat e të gjithë atyre që bënin thirrje ose shfajësonin veprimet e dhunshme, duke i dubluar. Aktorit irlandezo-verior Conor Grimes iu kërkua, me këtë rast dhe për gjashtë vjet rresht, të ofronte zërin për udhëheqësin e Sinn Fein Gerry Adams; madje duke u përpjekur ta riprodhonte shqiptimin karakteristik të Belfastit perëndimor. Me sa duket, qeveria e Thatcher-it e konsideronte si tejet subversiv riprodhimin e zërit të eksponentëve të Sinn Fein-it. Madje edhe kur Gerry Adams lajmëroi para kamerave armëpushimin në 1994, publiku britanik e dëgjoi këtë nëpërmjet zërit të aktorit Grimes. Në fakt, zëri e humanizon ligjërimin e folur, duke i kujtuar publikut se ka gjithnjë një njeri të gjallë prapa fjalëve dhe gjithçkaje që thuhet dhe pastaj, nëpërmjet një metonimie, duke i dhënë folësit njëfarë agjencie dhe përgjegjësie për çfarë thuhet; ndoshta për këtë arsye organet e informacionit dhe të propagandës, në Shqipërinë totalitare, i jepnin shumë pak vend, në mos aspak, zërit të kundërshtarit – qoftë ky brenda Shqipërisë ose jashtë, sa kohë që nuk e kontrollonin dot. Një riprodhim publik, bie fjala, i deponimeve live të anëtarit të mbijetuar të grupit të Xhevdet Mustafës as që mund të përfytyrohej; në një kohë që në pjesët teatrale dhe në filmat artistikë me temë nga Lufta Na-Çl dhe më pas rolet e tradhtarëve, kolaboracionistëve, kuislingëve, priftërinjve katolikë dhe “diversantëve” shpesh vinin të bashkëlidhura me dialektin geg, preferueshmërisht veriperëndimor ose verilindor. Vetë spikerët e lajmeve dhe drejtuesit e emisioneve politike në Radio Tirana dhe më pas në RTSH kishin zërin e tyre karakteristik, që vinte si rezultat dhe efekt i shkollës shqiptare së të folurit skenik, por me siguri u detyrohej edhe porosive për mënyrën si duhej të tingëllonte ligjërimi zyrtar ose “zëri i shtetit”; çfarë do të dallohej menjëherë, që nga momenti kur dëgjoje – rastësisht ose me qëllim – një emision shqip të Zërit të Amerikës, radios Europa e Lirë, radio Moskës, radio Vatikanit, radio Sofjes ose radio Pekinit; përshtypja ime atëherë ishte se të gjitha këto radio flisnin më butë se Tirana, duke u përpjekur të argumentonin atje ku Tirana impononte.

[vijon]


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading