TË VEJAT E REVOLUCIONIT

Sa më shumë që kalojnë vitet, aq më fort bindem se liderët politikë në regjimet totalitare nuk kanë pasur gra, por vejusha; dhe jo vetëm ngaqë, për vetë postet e larta që kanë mbajtur, kanë qenë me kokën në torbë.

Këtë e kam dyshuar që kur, ende fëmijë, lexoja gjithfarë rrëfimesh pedagogjike për Krupskajën, gruan heroike të Leninit; në mendjen time, kushedi jo dhe aq të pafajshme, Krupskaja kish gjithnjë fytyrën e Nexhmije Hoxhës.

Përtej Nexhmijes, nga bashkëshortet e dikurshme të kupolës totalitare, sot më duket se ka mbetur gjallë vetëm Vito Kapoja: kristaline, në rolin e saj prej gruaje të ve, gjithnjë e gatshme për t’u treguar edhe pjesë e nomenklaturës, edhe e distancuar prej saj.

Gratë e tjera tashmë kanë vdekur. Ndonjëra, si ajo e Ramizit, pat vdekur që herët, madje para të shoqit; e megjithatë unë nuk do të hezitoja, sot, që ta quaja edhe atë vejushë.

Këto gra ndanin të gjitha shortin me burrat e tyre, që ndërkohë kishin lidhur martesë me idealin; dhe e kishin një këmbë në varr, sepse një regjim totalitar vetëm ashtu mund të drejtohet, në kontakt intim dhe të përditshëm me vdekjen.

Në një kuptim, Nexhmija e fëmijërisë sime ishte vejusha e Leninit dhe Stalinit.

Këtij të fundit, Stalinit, i patën vdekur të dy vejushat: Kato Svanidze në 1907, Nadezhda Alillujeva në 1932, e dyta e vetëvrarë.

Përndryshe, vejushat përzihen gjithnjë në punët e shtetit, edhe kur i kanë burrat gjallë, duke shkaktuar kundërshtime, reaksione të flakjes dhe mizogjini (pa çka se këtë të fundit Partia e dënonte).

Të gjithë kemi vënë re si urrejtja që kanë disa për Nexhmijen e tejkalon urrejtjen e po këtyre për Enverin; a thua se ky i fundit ishte force majeure, ose Act of God, si një lloj vullkani ose uragani; ndërsa e veja e tij gjithnjë mund të zgjidhte mes së mirës dhe së keqes.

Vejushat jo vetëm përzihen në punët e shtetit, por ruajnë në kasafortë edhe versionet e tyre të historisë, të cilat mund të bien ndesh me versionet zyrtare.

Ato janë tmerri i ekipeve të mjekëve, meqë ndajnë me këta administrimin e trupit të liderit, teksa ky i fundit pengohet, prej lëngatës, që të kryejë detyrën e vet, ose të respektojë arsyen e ekzistencës.

Vetë marrëdhëniet e tyre me vdekjet e bashkëshortëve – që kanë ndodhur ose që do të ndodhin – krijojnë gjithnjë probleme për organizatorët e së vërtetës.

Vito Kapoja për disa shërben akoma si dëshmi që Hysni Kapon e kanë vrarë; Fiqirete Shehu mund të ketë qenë dëshmi që Mehmet Shehun e patën vrarë.

Pas vdekjes së Leninit, Krupskaja – që u afrua për një farë kohe me opozitën trockiste, para se të vinte mend dhe të kthehej në rrugë të drejtë – pat thënë se, “po të ishte gjallë Iliçi sot, do të kish qenë në ndonjë prej burgjeve të Stalinit.”

Me atë rast, Stalini i dërgoi fjalë që mos i hapte më punë, përndryshe Partia “do të detyrohej t’i gjente Leninit një vejushë tjetër.”

Kjo për disa mund të jetë batutë, por për disa të tjerë provë se vejusha, në ekonominë e posteve dhe të përgjegjësive të kupolës totalitare, nuk ishte veçse rol politik.

Të marrim për shembull Anna Larinën, gruan e Nikolai Bukharinit, bolshevik i rëndësishëm, që u pushkatua prej Stalinit në 1938.

Larina jetoi si vejushë për 58 vjet – ose deri shkurt të vitit 1996; pati fatin të përjetonte, në 1988, rehabilitimin e plotë të burrit të saj, për çka kish luftuar prej dekadash; por edhe vetëm dy vjet para se këtij, Bukharin-it, t’i jepej shansi për t’u riderdhur në rolin e ri të armikut të hershëm dhe humanitar të totalitarizmit sovjetik.

Fat të mbrapshtë pati edhe e veja e Mao-s, Jiang Qing (Çian Çin, në traditën drejtshkrimore shqipe), e cila u arrestua dhe u dënua si pjesëtare e “bandës së të katërve” pas vdekjes së të shoqit; dhe pastaj kreu vetëvrasjen në maj të vitit 1991.

Edhe Jang Qing-u ish familjarizuar në rolin e vejushës shumë vite para se të vdiste Maoja. Me vdekjen e të shoqit, vetëm sa erdhi dhe i mungoi mbrojtja e mbrame, ose xhaketa anti-plumb.

Pa çka se, para saj, Maoja kish pasur edhe tri vejusha të tjera; prej të cilave kjo u shquajt jo vetëm ngaqë ishte e fundit, por edhe ngaqë, si ish-aktore, i kuptonte mirë mundësitë e papërsëritshme që i jepte roli.

Ose të marrim edhe Polina Semionovna Zhemçuzhinën, bashkëshorten e Molotovit, shokut të armëve të Stalinit. Edhe pse kjo pat shërbyer si drejtoreshë e Trustit Sovjetik të Kozmetikës për shumë vjet, Stalini nuk ia kish besën, prandaj e arrestoi në 1949, e akuzoi për Zionizëm dhe e degdisi në Internim.

Pas vdekjes së Stalinit, Polinën e liruan menjëherë nga kampi i punës me urdhër të ministrit të Brendshëm, Berias; i cili dërgoi njerëzit e vet që ta marrin nëpër natë dhe t’ia çojnë sërish Molotovit në derë.

Kur burrë e grua u takuan sërish dhe ranë në krahët e njëri-tjetrit, pyetja e parë që ia bëri Polina Molotovit ishte: “Si është Stalini?” Dhe kur i shoqi ia dha lajmin e keq, se Stalini sapo kish vdekur, ajo humbi ndjenjat.

Ndoshta ngaqë e pa veten të shndërruar në vejushë sërish?

Polina vdiq në 1970; ndërsa i shoqi, Molotovi, jetoi deri në vitin 1986 – pa çka se gjithnjë kishin qenë njëri më i vdekur se tjetri.

Ka pasur një traditë, në disa komunitete Hindu në Indi, por edhe në familje aristokratike Sikh dhe gjetiu, që gruaja të varrosej ose të digjej në turrën e druve së bashku me burrin e vdekur.

Kjo traditë praktikisht nuk e lejonte institucionin e vejushës.

Mes familjeve të kupolës totalitare, ka ndodhur e kundërta: pushtetarët e lartë të regjimit do ta kishin gjithnjë shortin të lidhur me vejushat e tyre.

Për dijeni të historianëve.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: