Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Ekonomi / Histori

IDEALIZIMI I SISTEMIT EKONOMIK AMERIKAN

Pas disa ideve themelore të ndërgjegjes kombëtare që pamë në artikujt e kaluar, një aspekt më i veçantë, por po aq i rëndësishëm, i shoqërisë amerikane është idealizimi i sistemit të sipërmarrjes së lirë. Për këtë konteksti historik ishte zhvillimi i vrullshëm i ekonomisë në kapërcyell të shekujve XIX-XX, kur tregu i lirë e i parregulluar filloi të shihej si mënyra e vetme dhe e natyrshme e zhvillimit të shoqërisë, në përputhje të plotë me atë se “gjërat janë ashtu siç duhet të jenë”. Pati edhe disa faktorë objektivë që ndikuan në tiparet e theksuara individualiste të sistemit në fjalë, si popullsia e rrallë dhe e izoluar, distancat e mëdha, apo larmia e përbërjes etnike, racore e fetare të vendit, që shtonte mosbesimin ndërmjet krahinave të ndryshme. Por ishte ideja e “shtetit natyror” ajo që dha ndihmesën kryesore në justifikimin dhe idealizimin e tregut e të sipërmarrjes së lirë.

Autorë të ndryshëm në fund të shekullit XIX theksonin se Perëndia ja kishte dhënë njeriut dëshirën e zotërimit të gjërave me një qëllim të mirë e fisnik, dhe se “kërkimi e grumbullimi i pasurisë është shenjë e një karakteri natyral, të fortë e të fuqishëm, aq e natyrshme për njeriun sa dhe shtrirja e rrënjëve për pemën”. Prirja e paepur për ekspansion argumentohej si diçka natyrore, po ashtu kërkimi i tregjeve e mundësive të reja të investimit konsiderohej si ligj po aq natyror i zhvillimit të ekonomisë dhe të racës. Konfirmohej kështu përsëri ajo që shqyrtuam në artikullin për “shtetin natyror”, d.m.th. që ata që i referoheshin “natyrës dhe Zotit të natyrës” gjenin tek natyra atë që kërkonin. Kjo edhe sepse në fakt ideja e “shtetit natyror” ishte asokohe aq e fuqishme saqë çdo element i kulturës amerikane dukej sikur pasqyronte një farë të vërtete të vetëkuptueshme.

Edhe “populli i zgjedhur” pati një rol të posaçëm në argumentet për tregun e lirë e të pakontrolluar, sidomos si pasojë e Luftës Civile. Pamë se edhe Veriu edhe Jugu hynë në luftë duke besuar secila në qenien popull i zgjedhur, me kauzë të sanksionuar nga Zoti, e me bindje të patundur për fitore të shpejtë. Konflikti mbaroi me fitoren e Veriut dhe pati si efekt zhvillimin e vrullshëm ekonomik, shtimin e madh të popullsisë në qytete dhe grumbullimin e pasurisë në nivele të papara. Meqë në Jug disfata u shoqërua me një periudhë të gjatë varfërie të skajshme, e gjithë kjo u interpretua si dëshmi të bekimit të Zotit për kauzën e Veriut. E tillë u quajt edhe dalja në skenë e një numri individësh të shquar që grumbulluan pasuri të mëdha në procesin e industrializimit, si Morgan, Carnegie, Rockefeller, Vanderbilt etj. Ndërkaq vërshimi i gati 14 milion imigrantëve ndërmjet viteve 1865-1900 krijoi ofertë të tepërt për krahë pune, me varësinë e plotë të të punësuarve nga pronarët, pa asnjë pretendim për kushte të mira pune (këtë e përshkruan mjeshtërisht autori Upton Sinclair në romanin e famshëm “Xhungla”, të përkthyer edhe në shqip).

Në këtë kohë pabarazie të theksuar, në Shtetet e Bashkuara filloi të predikohej një ideologji që interpretonte pasurimin e individëve si dëshmi të bekimit të Zotit. Meqë Veriu siç thamë e shikonte pasurinë e vet si shpërblim për drejtësinë e kauzës kombëtare, ishte e lehtë të kalohej tek i njëjti interpretim edhe për pasurinë e individëve. Dhe ashtu si Jugu që ishte dënuar prej Zotit për arsye të skllavërisë, edhe varfëria e masave në qytetet veriore u interpretua si ndëshkim për përtacinë apo dështimin e tyre moral. Duket pra që barazimi i pasurisë me ndershmërinë e i varfërisë me mëkatin ishte i kuptueshëm në kontekstin e ideve që kemi trajtuar më parë. Nëse Amerika i ofronte gjithkujt mundësi të barabarta, e nëse sipërmarrja e lirë ishte krejt natyrore dhe e sanksionuar nga Zoti, atëherë rrjedhimi logjik do të ishte që, për ata që dështonin, fajin e kishin ata vetë e askush tjetër. Ky ishte thelbi i të ashtuquajturit “ungjill të pasurisë”, një ide dominuese ndër elitat amerikane prej mbarimit të Luftës Civile deri në fillimet e shekullit XX.

Një shumicë e madhe predikimesh të kohës (si mesazhi tepër popullor ‘Hektarët prej diamanti’ i pastorit R. Conwell) pasqyronin të njëjtën ide themelore, atë që ndershmëria e individit sillte bekimin prej Zotit në formë të mirash materiale, ndërsa përtacia, pija e shthurja morale kishin pasojë mallkimin hyjnor në formën e varfërisë. Kemi pra një transformim rrënjësor të konceptit të “popullit të zgjedhur”, sepse versioni i vjetër i besëlidhjes me Zotin në shkallë vendi zëvendësohej me besëlidhjen individuale, të karakterizuar nga “individët e zgjedhur”.

Ndërkaq edhe teoria e evolucionit ndikoi në një ndryshim tjetër të vetë idesë së zgjedhjes, e kjo sidomos nëpërmjet filozofit anglez Herbert Spencer, i cili e shtriu parimin e “mbijetesës së më të aftit” edhe në fushën sociale. Ky “darvinizëm social” u përhap me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara, dhe më 1889 Andrew Carnegie, industrialist e filantrop i shquar, botoi artikullin e rëndësishëm “Pasuria”. Mbështetur tek parimet e Spencer, autori pasqyron me besnikëri botëkuptimin e shoqërisë së lartë të kohës, dhe thelbin e dukurisë për të cilën po flasim. Ai argumentonte se “për përparimin e racës është më mirë që shtëpitë e një pakice të jenë plot me lukset e qytetërimit, se sa të mos kemi asnjë shtëpi të tillë”, se “ligji i konkurrencës është i dobishëm për racën në përgjithësi, sepse siguron mbijetesën e më të aftëve në çdo sektor” dhe se “i gjithë qytetërimi mbështetet në shenjtërinë e pronës”. Ky “ungjill i vërtetë i pasurisë” do të çonte detyrimisht një ditë tek zgjidhja e problemit të varfërisë dhe tek “paqja mbi tokë e vullneti i mirë mes njerëzve”.

Artikulli i Carnegie e shprehte fare qartë “ungjillin e pasurisë” të fundshekullit XIX, dhe duket që “shenjtëria e pronës” është kryesore në argumentin e tij, e rrjedhimisht edhe sipërmarrja e lirë si një rend natyror i sanksionuar nga Zoti. Ideja e “individëve të zgjedhur” është e pranishme, sepse flitet për “shtëpitë e një pakice”, ndërsa ajo e “shtetit natyror” duket në paraqitjen e tregut të lirë si të mbështetur në ligjin natyror e konstant të konkurrencës. Ky bashkim i “shtetit natyror” me “individët e zgjedhur” e bënte dyfishe zgjedhjen e këtyre të fundit: prej Zotit sepse ishin të virtytshëm, dhe prej natyrës sepse ishin të aftë. Edhe mallkimi për të tjerët ishte gjithaq i dyfishtë: prej Zotit për mangësitë morale (përtacinë), e prej natyrës për shkak të paaftësisë për të konkurruar. Pikërisht konkurrenca e lirë dhe mbijetesa e më të aftëve do të çonin, sipas Carnegie, në zhdukjen e varfërisë e në epokën e lumtur të “paqes mbi tokë”. Autori me idealizëm i supozonte të pasurit si të virtytshëm, duke i quajtur vetëm “administratorë në emër të të varfërve”. Ai vetë e dha në fakt shembullin personal të një idealizmi të tillë duke e zbatuar deri në fund atë që predikonte e duke ja kushtuar pothuaj krejt pasurinë e tij veprave të bamirësisë.

Në mënyrë të kuptueshme shtresat e privilegjuara të kohës e mbështesnin këtë idealizim të sistemit ekonomik amerikan, dhe arsyetimet për zgjedhjen e dyfishtë të pakicës së virtytshme për të dalë fitimtare në treg, e të shumicës mëkatare për të dështuar. Por nga ana tjetër, kundërshtime të mëdha u ngritën nga disa grupe të rëndësishme, siç ishin lëvizja punëtore, dhe lëvizja kristiane e “ungjillit social”. Vitet 1880 shënuan sidomos ashpërsimin e ndjeshëm të konflikteve mes punëtorëve e punëdhënësve, ku vend të veçantë zenë protestat e mëdha të majit 1886 në Chicago (nga gjen zanafillën edhe festa e 1 majit). Kjo situatë e rënduar tregonte se nga perspektiva e punëtorëve, i famshmi ligj i konkurrencës s’ishte as i shenjtë e as i bazuar në rendin e natyrshëm të gjërave. Po ashtu tregu i lirë e i parregulluar s’po sillte ndonjë epokë të lumtur apo zhdukjen e varfërisë, por përkundrazi mungesa e vuajtje, dhe prandaj sindikatat e kundërshtonin me forcë vënien e të drejtave të pronës mbi ato të vetë njeriut.

Megjithë përhapjen e “ungjillit të pasurisë” të veshur qartësisht në terma fetare, burimi më i fuqishëm i kritikave ndaj sistemit u bënë në fakt besimtarët kristianë. Duke e cilësuar atë si ideologji të rreme e si përmbysje të moralit kristian, shumë anëtarë të kishave katolike e protestante u angazhuan fuqimisht në një lëvizje kundërproteste që u njoh me emrin “ungjilli social”. Veprimtarët e saj shpallnin se duhej kthyer “forca shpirtërore e kristianizmit kundër materializmit dhe adhurimit të parasë”, ndërsa kishat kristiane duhej të përfshiheshin në përpjekje madhore për të zbutur krizën sociale duke ndihmuar të varfrit me ushqime, veshje e kujdes shëndetësor. Këta besimtarë theksonin se “diferencat ndërmjet shtresave të shoqërisë janë krijime të njeriut, jo të Zotit”, e prandaj kundërshtimi i “mëkatit shoqëror”, të mishëruar nga shfrytëzimi e nga dallimet e mëdha sociale, ishte për ta po aq me rëndësi sa edhe kundërshtimi i mëkatit personal. Por e rëndësishme në morinë e kritikave ndaj teprimeve të sistemit është se pothuaj të gjithë autorët e tyre, si nga radhët e besimtarëve kristianë, të lëvizjes punëtore, apo të pakicave me ngjyrë, e ruajtën besimin e tyre tek shpresat e premtimet e kredos amerikane.

Pikërisht ky fakt, pra besimi tek sistemi amerikan edhe nga ana e atyre që vuanin padrejtësitë e tij, nënvizon edhe një herë paradoksin e ideve bazë të ndërgjegjes kombëtare amerikane. Megjithëse ato ide shpesh janë korruptuar dhe kanë errësuar parimet e kredos amerikane, kjo e fundit përsëri qëndron në plot kuptimin e saj si një vizion i fuqishëm për barazinë e njerëzve e për të drejtat e tyre themelore të patjetërsueshme. Dhe e vërteta është se shumë gjëra kanë ndryshuar në Amerikë qysh nga fillimet e shekullit të kaluar dhe tregu i lirë e i parregulluar është lënë tashmë pas, krahas me zbatimin e masave e politikave për mbrojtjen e shtresave të paprivilegjuara nga shfrytëzimi. Shtetet e Bashkuara janë bërë vendi i mundësive për të gjithë në plot kuptimin e fjalës, dhe po ashtu, qysh prej viteve ’50-’60 zezakët e pakicat e tjera me ngjyrë kanë parë përmirësimin e ndjeshëm të gjendjes së tyre materiale.

Por nga ana tjetër shumë gjëra s’kanë ndryshuar, dhe disa nga idetë që mbështetën zhvillimin e vrullshëm të tregut të pakontrolluar në fund të shekullit XIX janë të pranishme edhe sot, duke justifikuar veprime që çojnë në skandale si ato të viteve 2001-2002, apo të krizës së fundit financiare të vitit 2008. Për shkak të korrupsionit e të këtyre skandaleve, pakkush do të ishte sot dakord me tezën se “ata që pasurohen janë më të ndershmit e qytetit”, por nga ana tjetër po aq të paktë janë edhe ata që do të kundërshtonin idenë se të varfrit e kanë vetë fajin për gjendjen ku ndodhen. Edhe e ashtuquajtura “ëndrra amerikane” vazhdon të përkufizohet në terma të zotërimit të sa më shumë të mirave materiale, e prandaj mjaft pastorë e mendimtarë kristianë kanë vënë në dukje se një obsesion i tillë ushqen individualizmin e skajshëm, që është padyshim në dëm të shëndetit moral të kombit e në kundërshtim me karakterin kristian të Amerikës. Shprehje e këtyre tipareve individualiste ishte edhe dalja e lëvizjes Tea Party si fraksion brenda Partisë Republikane në vitin 2009, lëvizje e cila është prononcuar për privatizime masive, duke kundërshtuar çdo ndërhyrje rregulluese nga ana e shtetit e përgjithësisht çdo politikë të fokusuar sadopak tek e mira publike. Pikëpamjeve të tilla po u bën jehonë edhe administrata e re presidentit Trump që është shprehur për zvogëlim masiv të rolit të shtetit e për pakësim drastik të ligjeve e rregullave në fushën ekonomike.

Mund të themi si përfundim se në kuadrin e koncepteve bazë që po trajtojmë në këtë cikël shkrimesh, çështja përsëri është ajo e absolutizimit e idealizimit të tyre. Edhe ideja e tregut të lirë ka pësuar disa herë një fat të tillë e është çuar në ekstrem, dhe, duke pasur parasysh se kredoja amerikane nuk u referohet vetëm shtresave të pasura e të mesme, por të gjithë njerëzve, pikërisht këtu qëndron edhe një nga sfidat më të mëdha të zbatimit të saj.


Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni, që të merrni postimet më të reja dërguar drejt e në email-in tuaj.

1 Koment

  1. Idealizimi, (pra edhe venia ne jete) i sistemit te sipermarrjes se lire ka ne te ashtuquajturen bote anglo-saksone rrenje te vjetra qysh ne kohra te lashta, te zhvilluara keto ne sistemin e pas 2000 vjeteve, ate kapitalist. Por kjo eshte teme e gjate. Ndaj shkrimi mbetet model per brezin e ri mesimor.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin