MUZIKA BURON NGA KOZMOSI

Evokim nga provimi i Estetikës

Gjatë ditënetëve të rrugëtimit jetësor më ndodh, jo rrallë, që të udhëtoj nëpër labirintet e kujtimeve të paharruara duke ndërtuar në arkitekturën time subjektive konstruksione romantike që notojnë mbi oqeanin e trishtuar të nostalgjisë së pafundme. Flas me veten dhe e përsëris, për të satën herë, se nuk e kuptoj jetën, ndërkaq ka goxha kohë që nuk e kam përmendur as vdekjen. Po, si të vdes kur nuk më vdiset… Ndoshta unë kam vdekur që moti, por janë kujtimet që ma frymojnë kufomën. Nuk e di, nuk e kuptoj!…  Jo, jo nuk kam vdekur! Por edhe sikur të vdes dua që ta shikoj reagimin e të tjerëve, dua të marr pjesë në varrimin tim, dua që vetë ta vendosë epitafin mbi varrin tim. Bile tani, në këto orë të vona, unë mundohem që ta shkruaj edhe rekuiemin e vdekjes, sepse i kam humbur të gjitha fuqitë, jam helmuar nga djallëzia e të tjerëve, nga paaftësia e tyre për t’u bërë më artistikë, jam helmuar nga shpresa e humbur. Por, si ta refuzoj maestron që më detyron ta dëgjoj “Simfoninë hyjnore” dhe t’i bindem porosisë universale të saj, t’i bindem dashurisë ndërnjerëzore, vëllazërisë, pastaj lirisë, asaj  që më përplas në shkëmbinjtë e thepisur të kufijve të paprekshëm të pasurisë ideore. Më është bërë mendja fushëbetejë iluzionesh, dëshirash, ambiciesh, ëndrrash, kontradiktash, orbitë e hapur për lëvizjen e plagëve të mbyllura, e aftësive të kufizuara, e kuptimeve abstrakte,  e ndjenjave të frikës; më është bërë mendja burim i lëvizjeve të pavullnetshme. Dhe unë sërish e dua lëvizjen, sepse është e kundërta e qetësisë, është një veprim që më bën të ndihem i gjallë, e dua lëvizjen sepse mbi të ndërtohet ritmi, melodia, dashuria. Lëvizja më detyron që ta dua të paarritshmen, të panjohurën, të paprekshmen, të papërsëritshmen… O sa kureshtar që jam! Dua ta zbërthej enigmën për gjithësinë, për jetën, për muzikën. Për muzën dua të di o milet, sepse kjo shpeshherë më sjell në siklet. Për procesin e ndërlikuar të imagjinatës dua të di, për frymëzimin, për idenë, për meditimin, për… Po ta zbërtheja muzën do ta shpalosja edhe muzikën, pastaj do ta përtypja lehtë edhe filozofinë e muzikës…

Dhe ja tani, ngadalë por sigurt, po më ringjallet vetvetishëm përfytyrimi për provimin e Estetikës, kur profesori i nderuar më nxiste që të zhytem në thellësinë e fshehtësive të botës së Euterpës… Isha i ri dhe kisha guxim që të lëviz mbi ato ujëra të turbullta, ndërkaq sot qëndroj në breg dhe mendoj për rreziqet e atij lundrimi të parealizuar…

Koleg i nderuar, përse vendose të studiosh muzikën?

Për shkak të idealit të kalokagatisë.

Mendon se bukuria, mirësia, përsosmëria, harmonia, arrihen vetëm përmes muzikës?

Vetëm përmes muzikës. Këtu më duhet t’i referohem filozofit zviceran Henri Amiel i cili thotë se, muzika është harmoni, harmonia është përsosmëri, përsosmëria është ëndrra jonë, ndërkaq ëndrra jonë, është qielli.

Ç’kanë të përbashkët qielli me muzikën?

Muzika është e ndërtuar në kozmos ose, thënë më mirë, kozmosi është i ndërtuar në kuptimin muzikor. Bile që në kohën e Pitagorës është folur se muzika qëndron në themelet e botës. Pra, ekziston një harmoni qendrore e cila e përfshin tërë kozmosin, gjegjësisht në kaosin e tillë ekziston kozmosi, por i rregulluar sipas raporteve të caktuara. Këtë e ka vërtetuar edhe fizikani Hajzenberg. Sistemi ynë diellor është i organizuar në mënyrën më të përsosur. Dielli rreth të cilit rrotullohen toka me planetët e tjerë, me një përpikëri matematikore, është si bërthama e atomit, ku gjenden protone dhe neutrone, rreth së cilës lëvizin elektronet. Pra, atomi si pjesë përbërëse e materies ka strukturën e njëjtë sikurse sistemi diellor. Fakti që një materie dallon nga tjetra është numri i protoneve dhe neutroneve, si dhe numri e drejtimi i lëvizjes së elektroneve. Me fjalë të tjera, atomi është miniaturë e sistemit diellor. Sipas raporteve të njëjta janë të ndërtuara mikroorganizmat dhe gjithçka tjetër. Mjafton që ta lexojmë studimin e Shopenhauerit, “Për metafizikën e muzikës” dhe të bindemi në analogjinë muzikore të ndërtimit themelor të natyrës. Sipas Pitagorës nuk është kënga e bylbylit muzikë, por vetë bylbyli është i ndërtuar sipas parametrave muzikorë. Bile, Sejid Husein Nasr përmend se, edhe njeriu është i ndërtuar sipas ligjeve muzikore dhe se Islami, si tërësi komplekse, e pranon faktin që njeriu në parim është muzikë e Zotit.

Pitagora ka shtjelluar edhe lidhjet e fshehta mes sferave më të largëta duke tentuar që t’i gjejë ngjashmëritë mes tyre. Pra, sipas tij, parimi i njëjtë përsëritet, me mijëra herë në forma të ndryshme, te qeniet dhe dukuritë. Mund të na thuash ndonjë shembull konkret?

Fantastik është zbulimi i paradokohshëm se tingujt që i prodhon një guacë në fund të detit përputhen me melodinë e një kënge zvicerane (këngë bariu). Me këtë nuk dua t’i jap të drejtë Platonit, i njohur për mendjemprehtësinë e argumentimit, konsekuencën e deduksioneve si dhe metafizikën e së bukurës, i cili artin e kupton si imitim, pasqyrim, përshkrim, hije të natyrës, por dëshiroj të theksoj se njeriu nuk është i lirë as në krijimtarinë e vet. Artisti nuk krijon nga vetja, por gjithnjë nga materiali jashtë tij. Ai thjesht kombinon elemente të cilat në botën e përvojës së thjeshtë janë të radhitura ndryshe. Pra, artisti asnjëherë nuk “zgjidh probleme”, ai vetëm tregon, transmeton, paraqet. Ai na çel sytë për atë që deri diku e kemi parë, por që nuk e kemi vërejtur. Të kompozuarit nuk do të thotë krijim muzikor, por zbulim, gjetje e lidhjeve ekzistuese muzikore, vërtetim i një gjendjeje faktike.

Po ta rikujtoj, me këtë rast, thënien e Kantit se “një Homer (apo një Viland) nuk mund të tregojë se si idetë e tij përplot imagjinatë dhe mendime paraqiten dhe takohen në kokën e tij, sepse as ai vetë nuk e di”! Pra, ky proces i frymëzimit dhe i krijimit që është vërtet tepër kompleks, a mund të shpjegohet me parametra shkencorë?   

Se si në shpirtin (imagjinatën) e kompozitorit nis e tingëllon një temë, një motiv, këtë nuk mund ta sqarojmë me njohuritë planetare. Bëhet fjalë për një fuqi të fshehtë dhe këtë, thjesht, duhet ta pranojmë si fakt.

Po, kush mund të flasë për muzikën, në përgjithësi?

Në shikim të parë duket se për të gjykuarit e muzikës më kompetentë janë vetë muzikantët. Kush mund ta dijë një gjë më mirë se ai i cili çdo ditë ka punë me të. Megjithëkëtë shpresat në këtë drejtim shumicën nga ne do t’i dëshpërojnë, sepse ata janë të papërgatitur teorikisht. Ç’është e vërteta, ata që shkruajnë për muzikën kanë të drejtë që nuk e vrasin mendjen për ta fisnikëruar me fjalën e tyre, por ja që ajo e fisnikëron më së miri veten, nuk e ndien fort nevojën për t’u ndihmuar nga të tjerët. Në këtë kuptim ajo u ngjan krijimeve më të përsosura të natyrës. Në s’kanë mundur t’i shpjegojnë vetë muzikantët krijimet e tyre, në s’kanë arritur ta shndërrojnë atë në shkencë, s’kemi si e bëjmë me faj muzikën. Nga kjo mangësi muzika nuk u bë më pak fisnike. Nuk prishet shumë punë që numërohen me gishta muzikantët, shkrues profesionistë të penës. Ka në mesin e tyre teorikisht shumë të përgatitur bile me mençuri të jashtëzakonshme, por gjithmonë është treguar se: teoricienët e mirë janë kompozitorë të dobët ose e kundërta. Stravinski në “Poetika e muzikës” nuk është sipërfaqësor, por prapëseprapë të gjithë muzikantët e mëdhenj kanë prezantime qesharake për natyrën e artit me të cilin merren, ato nuk “mbijetojnë” as pas pesë minutash vështrimi kritik. Nëse e shfletojmë librin “Estetika e muzikës e kompozitorëve të mëdhenj” ku Feliks Gac i ka mbledhur tekstet më të mira të artistëve të njohur, do të vërehen dy gjëra: e para, se më shumë tekst ka te kompozitorët relativisht të dobët, dhe e dyta, se deklaratat e kompozitorëve të mëdhenj e të njohur janë naive. Kjo situatë na çon në një burim tjetër të arsyes, përse nuk mund të presim shumë nga muzikantët kur bëhet fjalë për zbulimin e fshehtësisë së muzikës. Ata, arti me të cilin merren i ka mësuar të mos flasin. Ata krijojnë dhe nuk flasin.

Atëherë, kush mund ta ndriçojë fshehtësinë e muzikës?

Filozofia e muzikës. Muzikantët nuk mund të depërtojnë në filozofi, ndërkaq filozofët merren me problemin e muzikës jo se e duan muzikën, por se përmes saj mundohen që ta kompletojnë sistemin.

Pra, thua që studimet filozofike për muzikën kanë filluar me lindjen e Estetikës si shkencë e pavarur, apo…?

Kur themi që Estetika si disiplinë e pavarur ka lindur në vitin 1743 atëherë kur e ka marrë emrin nga Baumgarteni, kjo nuk do të thotë se problematika me të cilën merret sot nuk ka qenë e trajtuar edhe para kësaj date.

Çka studion Estetika?

Estetika nuk merret me realitetin, gjegjësisht ajo nuk i shpjegon arritjet konkrete artistike gjatë historisë së artit, por mundohet vetëm rreth kuptimit të artit apo pyetjes: “çka është arti?”. Njerëzit e kanë gabim kur nga Estetika presin që ajo t’ua lehtësojë përthithjen e disa veprave dhe t’u ndihmojë në kuptimin e vlerës së mirëfilltë artistike. Karl Dalhausi dëshmoi se vetë sistemi i Estetikës është historia e saj, “histori në të cilën gërshetohen mendime dhe përvoja me origjinë heterogjene”. Sipas të tjerëve, padyshim se lëndë e vetme e Estetikës është e bukura. Mirëpo e bukura në këtë kontekst nuk duhet të kuptohet thjesht, si gjithçka që nuk është e shëmtuar. Estetika nuk kufizohet në objekte dhe fenomene të cilat i quajmë të bukura për shkak se e nxisin pëlqimin tonë, por në objekte dhe fenomene që kanë vlerë estetike. Edhe atëherë kur nuk merret me shqyrtimin e këtyre objekteve dhe fenomeneve ajo vazhdon të quhet estetikë sepse rrjedh nga fjala greke aisthesis dhe ka kuptimin – ngacmim shqisor, kurse me anë të shqisave mund të pranojmë edhe diçka që nuk është e bukur.

Flet për një reagim shqisor që vjen si rezultat i një përjetimi të caktuar. Cili drejtim i filozofisë e studion raportin art-njeri?

Subjektivizmi me përfaqësuesin e vet Kant është një filozofi që lëndën estetike e mbështet në burimin e përshtypjeve subjektive. Pra, muzika ekziston vetëm në aktin e pëlqimit. Emocionalizmi, si drejtim më i shprehur brenda subjektivizmit, në krye me përfaqësuesin Imanuel Kant nuk e ka vlerësuar lart muzikën për arsye se ajo luan me ndjenjat e njeriut dhe në mesin e arteve i ka dhënë vendin më të ulët. Emocionalistët thonë se muzika është gjuhë afektesh, shprehje ndjenjash, se detyra e muzikës është që t’i nxisë ndjenjat, se muzika është art i shprehjeve, se përmes çdo melodie parafytyrojmë një afekt etj.

Majnongu ka vërtetuar se emocionet nuk janë të pavarura dhe autonome në aktin e vetëdijes, por epifenomene, (dukuri të dorës së dytë), dukuri përcjellëse, rregullatore, përmes akteve sensitive, imagjinare apo racionale. Ato lindin kur vërejmë diçka, duam, mendojmë apo imagjinojmë. Nuk ka emocione pa elementin paraprak, ato lindin nga apo rreth diçkaje. Pra, si mundet që muzika të mbështetet në diçka jo të pavarur? Çka mund të mësojmë nga muzika nëse atë e shikojmë përmes këndvështrimit të reaksioneve afektive. Askush nuk mund të thotë se muzika te ne nuk ngjall ndjenja. Mirëpo duhet pasur parasysh se, çdo gjë te ne mund të ngjall emocione. Edhe kur bie borë, edhe kur çel pranvera, edhe kur dikush të shikon me sy të mrrolur, vaji i fëmijës, gënjeshtra për të cilën dëgjon, gjithçka mund të të prekë jo më pak se muzika më e mirë… A mendon se emocionet mund të jenë parametër për vlerësimin e veprës artistike?

Jo! Se emocionet nuk mund të jenë parametër për vlerësimin e veprës artistike po përmendim një shembull: sa për eksperiment kur një sonatë të Moxartit e kanë lëshuar në një pllakë magnetofoni para banorëve të një fisi primitiv afrikan, ata kanë filluar t’i kapin flokët, të lëshojnë piskama dhe të bien në humbjen e vetëdijes. Ja se si njeriu është “matës”. “Nuk duhet të shkojmë deri në Afrikë, majmunë mund të takojmë në çdo manifestim popullor”, thotë Eduard Shprangeri. Komenti i vetëm i tyre për muzikën e Moxartit është: “sikurse gjermani tra-la-la”. Në anën tjetër  Suzan Langer, zonja e parë e semiotikës, dëshiron që muzika të jetë “shprehje logjike e emocioneve”. Në librin e saj “Filozofia në çelësin e ri”, ajo thotë se ‘muzika është gjuhë’, një gjykim me të cilin unë nuk pajtohem, sepse nëse muzika do të ishte gjuhë, atëherë të gjithë njerëzit përmes tingujve të saj do të kuptonin përmbajtjen e njëjtë. Të themi, p.sh. fa-diezi – etje për pushtet, do-diezi – etje për para, la-minori dëshpërim në bashkëshorten, re-minori dëshpërim në prindërit. Me sa kemi njohuri, kësi marrëveshjesh nuk ka, dhe çdokush nën tinguj të njëjtë mund të mendojë për përmbajtje të ndryshme. Sikur muzika të ketë kuptimin e njëjtë me gjuhën që flasim, gjegjësisht qëllimor, atëherë ajo do të ishte e tepërt, sepse të gjitha ato përmbajtje mund të shprehen me gojë. Muzika nuk mund të përkthehet, jo pse gjuha e saj është ndryshe nga ajo e zakonshmja, por thjesht nga që muzika nuk është kurrfarë gjuhe. Lamartini thotë që, muzika fillon aty ku mbaron të folurit. Bile edhe Mendelsoni kishte shkruar në letër (kur disa njerëz e kishin pyetur për kuptimin e veprave të tij) se nuk do të shkruante më asnjë notë, sikur muzika të mund të shkruhej me anë të fjalëve.

Atëherë, si mund ta zbërthejmë thelbësoren në muzikë?

Hansliku në veprën “Për të bukurën muzikore”, thotë: “ai që interesohet për thelbësoren në muzikë duhet t’u ikë emocioneve, të mos dirigjohet nga to… Pra, hulumtimi duhet të bëhet me ndihmën e metodave natyrore dhe shkencore… Përcaktimi artistik apo shkencor i muzikës, assesi nuk duhet të niset prej ndjenjave, por vetëm nga faktorët muzikalë”.

Kuptimi i vetëm dhe i vërtetë i artit muzikor është forma e brendshme muzikore, e cila e ofron të bukurën muzikore, dhe nëse e bukura është para së gjithash e natyrës shpirtërore, nëse ajo përmban p.sh. ide, ato janë muzikore dhe assesi ide që vijnë nga logjika apo prirja intelektuale. Me fjalë të tjera, kuptimi në muzikë është i natyrës muzikore.

Po, përse gjatë zbërthimit të qenësores në art nuk përfshihen edhe pikëpamjet subjektiviste edhe ato objektiviste?

Pikërisht Sharl Lalo u mundua që t’i sintetizojë edhe mundësitë objektiviste edhe subjektiviste për të arritur te një estetikë tërësore, mirëpo estetika e tij mbetet çështje e së ardhmes, për shkak se fenomeni i artit ka mbetur i pa hulumtuar në dimensionin sociologjik.

Desha të flasim edhe për pikëpamjet e Ernest Blohut, të Trazibul Georgijadesit, të … Johan Herderit, por janë parimet që më detyrojnë ta përmbyll këtë takim protokollar. Para se ta heshtim bashkëbisedimin, dua të më thuash, përse disa kompozitorë të avangardës përpiqen që edhe heshtjen ta kuptojnë si muzikë?

Sepse muzika është lidhje tingullore, pikërisht, ndërmjet qetësisë dhe gjithësisë.

Koleg i nderuar, tashmë provimin nga lënda e Estetikës mund ta llogaritësh akt të kryer. Të uroj suksese dhe shumë fat!

Ju falënderoj për të gjitha, por me theks të veçantë për ethet estetike që m’i keni shkaktuar gjatë jetës studentore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin