PËRKTHIM ME PARAGJYKIM?

– Neni 29 i Kanunit të Lekës në gjermanisht –

Në vitin 2004 më thirrën si përkthyese në një emision radiofonik 60-minutësh për radion kombëtare të Gjermanisë, Deutschlandfunk. Emisioni fliste për një qendër në Vlorë që strehonte gra të shfrytëzuara për prostitucion. Dhe si titull kishte nenin 29 të Kanunit të Lekë Dukagjinit (KLD) që në gjermanisht njihet si më poshtë:

“Die Frau ist der Schlauch, in dem die Ware transportiert wird.”

M’u duk ca si e sajuar të lidhje prostitucionin e kohëve të sotme me kanunin, por më thanë se titulli nuk ndryshohej më, sepse kish disa muaj që reklama për dokumentarin ishte shtypur në revistën programore. Në fakt, vajzat që intervistuam nuk kishin të bënin me kanunin, por kanuni dhe historitë e lidhura me të, janë nga ato evergreen që gjithmonë do të gjejnë dy veshë të ngrehur nëpër redaksitë e mediave perëndimore. Kështu që fjalia mbeti. Dhe në shqip ajo kishte këtë kuptim:

“Gruaja është shakulli në të cilin transportohet malli”.

Edhe pse më dëgjohej ca e çuditshme, me thënë të drejtën, nuk e pashë të udhës të dyshoja në saktësinë e përkthimit, pasi bëhej fjalë për një tekst bazë për studimin e kulturës shqiptare.

Kjo fjali m’u shfaq sërish para ca ditësh teksa punoja për një projekt të ri, një instalim zanor me monologë fiktivë imigrantësh. Monologët, që do të lexohen të përkthyera në gjuhët e secilit imigrant, janë fjali të shkëputura nga kronikat e mediave gjermane për vendet e prejardhjes. Dhe meqë tani këtë fjali, që është pjesë e monologut për Shqipërinë, m’u desh ta përktheja në shqip, konsultova fjalinë origjinale në KLD:

“Grueja asht shakull për me bajt”

Nuk ka nevojë për vëmendje të madhe për të shquar së paku dy mospërputhje mes origjinalit dhe përkthimit: “bajt” (gjerm.: tragen) është përkthyer me “transportieren” (mbart, transportoj); dhe “mall” që në origjinal nuk e gjejmë.

Përkthimin e ka bërë Marie Amelie von Godin, e cila njihet si përkthyesja e parë e KLD në gjermanisht. Është botuar në krye në vitet ‘50 të shekullit të kaluar dhe albanologu Robert Elsie e ka ribotuar në vitin 2001. Siç thotë ai në parathënie, ribotimi është thuajse i njëjtë me variantin e botuar në vitet pesëdhjetë, me përjashtim të disa rasteve kur gabimet kishin qenë shumë të dukshme.

Gruaja si mjet transporti?

Pamja që ngrihet para syve tanë kur lexojmë këtë fjali në gjermanisht është një grua duke mbajtur pesha mbi shpinë. Që ky përfytyrim nuk është vetëm prodhim i fantazisë sime, e dëshmon për shembull ky pasazh që lexojmë në një shkrim të Robert Elsie-s të vitit 1991.

“Jo më larg se një brez më parë, gratë në fakt ishin analfabete dhe ngarkoheshin si kafshët, një shakull për me bajtë sipas Kanunit.”

“Heroes” nga Krypa

A thua vërtet mesazhi i nenit 29 të KLD paska qenë që gruaja s’është veç një thes për t’u ngarkuar?

Po të qe kështu, atëherë ai kanun që përcakton me saktësi, fjala vjen, se sa “okë mish e vjamë” duhet të  qesë “kau i darsmës”, do të duhej të na caktonte neve grave edhe sa okë oriz dhe sa babune grunë duhet të mbartnim në ditë, dhe se si duhej vepruar nëse gruaja në funksionin e shakullit, fjala vjen, bie shakull në vend?

Do të thotë ndonjëri: Kjo fjali duhet kuptuar në mënyrë simbolike, dhe jo tekstualisht. Pra, si metaforë që simbolizon mosvlerësimin e gruas në kanun.

Edhe Rovena Vata, studiuese e kanunit nga Shqipëria, kam përshtypjen se aty do të dalë kur ma shpjegon fjalinë si më poshtë:

“Gruaja nuk ka asnjë tagër (të drejtë) mbi familjen e saj dhe sidomos të fëmijëve. Atë nuk e pyet njeri për edukimin, fejesën apo martesën e fëmijëve që ajo lind. Ajo nuk ka tagër me mendue për fejesën apo martesën e saj, por e bëjnë të tjerët për të (gjinia mashkullore). Femra ne kanu është vetëm shakull me mbajtë dhe nuk ka asnjë të drejtë për veten e saj. Shakull me mbajtë që do thotë vetëm të durojë ça të vendosin të tjerët për të dhe asgjë më shumë.”

Ky interpretim përkon me mesazhin që implikojnë variantet e kësaj fjalie në italisht e anglisht:

“La donna è un otre, fatto solo per sopportare” përkatësisht “The woman is a sack, made to endure”.

Madje në variantin italisht,  nëse burimi që gjeta në internet e ka cituar drejt, rezulton të jetë shtuar edhe ndajfolja “solo” (vetëm).

Se si mund ta kuptojë lexuesi italian këtë fjali, mund ta kuptojmë nga një tekst i Patrizia Resta-s që e zbulova nga një gugullimë e shpejtë: Sipas saj funksioni i grave në kanun

“…è  assimilata a quella dell ‘otre fatto per sopportare pesi e fatiche’”

Pra, sipas këtij interpretimi, kanuni ka dashur të na thotë me këtë fjali se gruaja është bërë për të duruar, e madje jo vetëm ngarkesa mbi shpinë, por në përgjithësi, çdo lloj mundimi e lodhjeje.

Ky imazh vërtet që mund të përkojë me perceptimin e përgjithshëm për situatën e grave në zonat ku vepronte Kanuni dhe në të shumtën e herëve  edhe me jetën e tyre të vërtetë. Ka të ngjarë madje që shumë burra dhe gra ta kenë përdorur për t’i mbyllur gojën gruas, ose kjo për të shpjeguar fatin e saj të zi.

Ta provojmë njëherë me Niklas Luhmann

Ndoshta për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje mund të na vijë në ndihmë një metodë që sociologu gjerman Niklas Luhmann u këshillon studentëve fillestarë dhe përkthyesve, kur hasin në tekste me të cilat nuk janë ushtruar ende sa duhet.

Për të dalluar fjalët e rëndësishme nga fjalët e rastësishme, pra e thënë vendçe: shapin nga sheqeri, ai këshillon që të mbahen shënime në një copë letër, ku të shkruhet jo se çfarë përfshihet në nocionin për të cilin dyshojmë se është kyç, por se çfarë nuk përfshihet në të.

Në rastin tonë pra mund të pyetet: Kur neni 29 thotë gruaja, atëherë çfarë janë të tjerët që nuk përfshihen në këtë nocion? Janë meshkujt, pra kemi të bëjmë me gruan si gjini femërore? Apo janë vajzat e pamartuara, pra kemi të bëjmë me gruan e martuar për dallim nga ato që janë ende të pamartuara? Apo, për të treguar pafundësinë e interpretimeve që na ofrohen, mos kemi të bëjmë gjë me gruan (si shakull), për dallim nga veglat e tjera të punës në stan, ta zëmë hanxhari për të prerë mishin?

Këtu mjafton t’i hedhim një sy shpjegimit që vetë kanuni i bën këtij neni. Në fjalinë pasuese lexojmë:

“Grueja njifet si një calikë per me bajtë sa të jetë në derë të burrit…”

Pra, këtu bëhet fjala për gratë që vijnë si nuse në fisin e burrit. Vetëm ato janë shakuj a calikë. Femrat e tjera, si për shembull motra e burrit, nuk janë shakuj, për sa nuk janë martuar ende. Pra, nuk kemi të bëjmë me gruan si gjini femërore, por me një kuptim specifik të saj.

Se çfarë do të thotë kjo fjali, kanuni e shpjegon më tej në të njëjtin shpjegim, kur thotë:

“…se prindja se hjekin dorë prej sojet, e ndalin per vedi e mbi vedi të të pergjegjmen per te, por edhe me lypë arsye, me ba me gjetë gja.”

Pra, nga ky sqarim, del në pah se neni 29 as nuk na thotë se sa pesha dhe mundime duhet të durojë gruaja, dhe as nuk na flet për mungesën e të drejtave të saj në krahasim me burrin.

Neni thjesht kërkon të përcaktojë – për arsye ndoshta tepër pragmatike – se nusja e ardhur tek fisi i burrit nuk është e një gjaku me burrin, pra nuk është fis me burrin. Impakti është se fisi i burrit nuk mban përgjegjësi për të, nëse ajo bën gabim. Dhe as nuk angazhohet për të, nëse i ndodh diçka. Kjo del në pah edhe nga neni 28, ku për shembull thuhet:

Me vra grueja burrin e vet a kedo, prindja e kësaj do t’apin arsye per at gjak.

ose

Me gjetë gja gruen per faj të burrit, prindja e kësaj i lypin arsye më kanu.

ose

Me plyrë burri gruen, e po bani vaj kjo ke prindt, burri do t’u apë arsye.

Thes lëkure apo diçka tjetër?

Tani që e dimë që bëhet fjala për gruan e fisit të huaj, e cila ka ardhur në shtëpinë e burrit për të lindur pasardhësit, por edhe si krah pune (për këtë shih pjesët e tjera të kanunit ku flitet për gruan si amvisë), rezulton se nocioni shakull përjashton të gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes që sipas kanunit kanë lidhje gjaku me burrin e saj.

Atëherë çfarë figure duhet të zgjedhim ne në mendjen tonë për pjesëtarët e fisit, kur gruan, që përjashtohet nga kjo përkatësi, e përshkruajmë si shakull?

Këtu ia vlen ndoshta t’i hedhim një vështrim edhe mënyrës së përftimit të shakullit ose calikut, si mjet mbajtës.

Falënderoj profesorin e albanologjisë në Mynih, Bardhyl Demiraj, që ma përshkroi në mënyrë shumë plastike këtë proces:

“Është lëkura e bagëtisë së imët, kur shqitej me forcë pa e prerë së gjati në zonën e barkut. Kjo përpunohej/thahej pastaj si e tillë, duke shërbyer në stan për të mbajtur kryesisht produkte të lëngëta qumështi, por edhe për pije e vaj, deri ujë të freskët.”

Teza që më duket më afër kuptimit të synuar në kanun është se nëse gruaja është shakulli, të tjerët mund t’i përfytyrojmë si gjënë që mban brenda  shakulli: pra, ose produktet e lëngëta, ose mishi a gjaku i kafshës prej nga  prodhohet ky thes lëkure.

Se cilën prej këtyre mbushjeve të shakullit ka pasur parasysh kanuni, më duket ca e vështirë ta vendos që tani. Dhe me thënë të drejtën, këtë zgjedhje do të preferoja t’ua lija më mirë gjuhëtarëve.

Ndoshta shakulli është simbol i enës, i thesit, i një hapësire boshe që mbushet me diçka, fjala vjen me farën e fisit, pa qenë vetë pjesë e fisit. Nëse është kështu, atëherë përkthimi i fjalës shakull, me Schlauch, sack, otre, në gjermanisht, anglisht dhe italisht rezulton të jetë i drejtë.

Por shakulli mund të ketë edhe kuptime të tjera.

Njëri, që më duket interesant për t’u diskutuar, është kuptimi që i jep Eqrem Çabej shakullit kur e lidh me “shark”, që do të thotë

“lëvozhga e gjelbër që mbështjell kokrrat e disa pemëve”.

(Këtu dua të falënderoj veçanërisht Rovena Vatën që ma kujtoi këtë lidhje.) Nëse është ashtu, atëherë në gjermanisht mund të shkonte fare mirë edhe Hülse, “lëvozhgë”.)

Dhe nëse është i vërtetë edhe informacioni që na jep një koment i Phainos, bërë para dy vjetësh në PF, nuk përjashtohet mundësia që fjala “shakull” të jetë thjesht një sinonim i fjalës “folikul”.

Por këto janë vetëm disa ide dhe pyetje të cilave nuk mund t’u jepen përgjigje në këtë shkrim.

Qëllimi i këtij shkrimi ishte të pyeste se mos vallë kjo fjali është përkthyer gabim jo vetëm në gjermanisht, por në shumë gjuhë të Evropës, duke e shndërruar atë padashur në një furnizuese “fast food” për çdo tru që kërkon një shpjegim ekspres, sapo dëgjon histori grash të munduara a burrneshash të lumtura nga Shqipëria.

Që pozita e gruas në KLD ka qenë shumë inferiore, kjo nuk ka nevojë për t’u diskutuar. Por ky është një gjykim dhe si i tillë nuk ka pse të përvidhet në përkthim.

21 Komente

  1. kuptimi eshte ky : gruaja eshte shakulli / caliku qe bart faren e burrit, ajo qe mban ne bark embrionin, femijen. Pra gruaja shenjohet ne funksionin e saj riprodhues.

  2. Shpjegimi qe jep Pika.S eshte sipas mendimit tim i sakti dhe i pari qe te vjen ne mend kur lexon nenin 29 te KLD.

  3. Për fat të keq, siç e dëshmon edhe shkrimi më lart, përkthimet e Kanunit të Lekës në gjuhët kryesore të Europës e kanë interpretuar këtë nen ndryshe dhe, pas gjase, gabim. Gabimet në përkthim edhe ndodhin – por nuk duhej të kish ndodhur që askush nga ekspertët antropologë dhe albanologë që kemi në të drejtën zakonore të mos e kish vënë gabimin në dukje… deri më sot. Sepse anembanë Europës besohet – në ato qarqe ku i jepet vëmendje kësaj pune – se Kanuni i Lekës e trajton gruan si kafshë barre. Si nuk është ngritur njeri xhanëm, nga gjithë të diturit e fushës, që ta diskutojë këtë?

  4. Nuk ka shume per te diskutuar ketu. Teksti ne shqip eshte i qarte: “Grueja asht shakull per me bajte. Grueja njifet si nje calike per me bajte sa te jete ne dere te burrit, se prindja se hjekin dore prej sojet…”

    Perkthimin italisht e ka bere At Pal Dodaj nen drejtimin dhe mbikeqyrjen e Gjergj Fishtes. Te dy keta e njihnin kanunin me mire se te diturit e sotem dhe njihnin po aq mire italishten. Ja perkthimi italisht:

    “La donna è un otre, fatta solo per sopportare. La donna, finché si trova in casa del marito, è considerata come un piccolo otre, che sopporta pesi e fatiche; ma non perciò i suoi parenti si disinteressano di lei…”

    Shprehja nuk i referohet vetem funksionit riproduktiv te gruas, por edhe pozites se saj ne familje. Nenet e tjera te kanunin e shtjellojne me tej kete pozite. Per ta thene me pak fjale, gruaja sipas kanunit ka vetem nje te drejte: te mos vritet per gjak, pastaj ka vetem detyra. Nuk merr pjese ne asnje vendim, nuk ka te drejta mbi femijet, nuk ka pjese ne pasuri, mund te rrihet nga burri sa here t’i teket ketij, me kusht qe rrahja te mos shkaktoje gjakderdhje etj.

    1. I nderuar Relaspo,

      faleminderit për këtë citat në italisht. Unë po e sjell edhe njëherë të plotë në shqip:

      NYE I NJIZETENANDËT.„Grueja asht shakull per me bajt“.Grueja njifet si një calikë per me bajtë sa të jetë në derë të burrit, se prindja sehjekin dorë prej sojet, e ndalin per vedi e mbi vedi të të pergjegjmen per te, poredhe me lypë arsye, me ba me gjetë gja.

      Me sa e njoh unë italishten, këtu nuk shoh as “pesi” e as “fatiche”. E le më pastaj zbukurime të tipit “solo” e “piccolo”.

      Por respekti që kam për emrat e përmendur nga ju dhe, meqë ra fjala, edheh për Eqrem bej Vlorën, që ka mbikqyrur përkthimin e kanunit në gjermanisht, nuk më pengon t’u shtrojë një pyetje të diturve të sotëm, se Fishtës nuk ia shtroj dot.

      Vetëm emri i Fishtës, më vjen keq, por nuk më mjafton si argument. Se kjo më kujton atë batutën: “Kush të tha ty të mendosh? Këtu mendoj vetëm unë dhe shoku Shu”.

      Me respekt, Anila Shuka

      1. Anila, nuk te tha kush te mos mendosh. Artikulli yt e ve theksin me te drejte ne interpretimet e gabuara te kanunit ne gjuhe te ndryshme. Edhe une mendoj se ne gjermanisht ne rastin konkret ka nje gabim perkthimi, sepse kuptimi i origjinalit jepet shume i ngushtuar.

        Komenti im ishte nje pergjigje per komentin e Ardianit, i cili permendi “te diturit e fushes”. Nuk e kisha fjalen per ty, por per “te diturit” qe permendi Ardiani. Desha vetem te thosha se kuptimi i shprehjes ne fjale nuk kufizohet vetem ne funksionet riproduktive te gruas.

        Tani te vijme te çeshtja ne fjale:

        Kanuni eshte shkruar ne nje gegerishte arkaike dhe tejet figurative, per kete arsye perkthimet nuk mund te jene te fjaleperfjaleshme, por duhet edhe te perifrazojne e te interpretojne. Si mund te perkthehen, fjala vjen, shprehje si “gjaku shkon per gisht”, “kufini nuk ban lak” e qindra te tjera te ngjashme pa perifrazuar? Edhe “pesi e fatiche” hyjne ne kete kuader. Jani interpretimi i kuptimit te vertete te origjinalit. Ajo “piccolo otre” perkthen shqipen “calike”, sepse ne fakt “calike” eshte nje “shakull i vogel”.

        Njohesit dhe interpretuesit me te mire te kanunit kane qene pikerisht ata qe e kodifikuan dhe na e perçuan ate, pra kleriket katolike, si Gjeçovi, Fishta, Valentini, Dodaj etj. te cilet kane shkruar edhe studime te shumta juridike, etnografike dhe antropologjiko-kulturore mbi kanunin. Shume pyetje si ajo qe ti do te deshiroje t’i drejtoje Fishtes e gjejne pergjigjen pikerisht ne ato studime.

        Perkthimin ne italisht e bene pikerisht keta klerike. Une e kam lexuar gjithe tekstin e kanunit ne origjinal, kam lexuar edhe perkthime ne gjuhe te tjera dhe te siguroj se perkthimi me i sakte eshte ai ne italisht.

        Edhe mos kerce perpjete kot.

        1. Se pari, falemnderit per konsideraten, por do te deshiroja te flisnim per kanunin dhe problemet eventuale te perkthimit te tij, jo mua.

          Se dyti, mos i zer shume bese tekstit ne ate pdf-ne qe citove, sepse eshte plot me gabime. Me sa duket kane skanuar tekstin nga libri dhe pastaj nuk e kane korrigjuar.

        2. Relapso, une nuk jam njohese e mire e KLD por, thjesht si perkthyese (e dipllomuar ne perkthim) mund te them qe versioni italian i saj, nga pikpamja teknike, paraqet dy elemente qe ne proçesin e perkthimit duhen evituar (sidomos kur behet fjale per tekste me te tille peshe historike e kulturore) :

          1) overtranslating (qe nuk duhet konsideruar si parafrazim, sepse permban nocione te pashprehura ne origjinal, pra shton elemente jo te pranishme);
          2) konotacione jo te pranishme ne origjinal.

          Sigurisht qe interpretimi eshte i paevitueshem ne perkthim, por nuk duhet te bazohet as ne bindjet personale, as ne perkthimet e tekstit ne gjuhe te tjera. Kur dituria apo burimet e saj nuk jane te mjaftueshem, hyne ne loje teknika edhe mjeshteria e perkthyesit, i cili sidoqofte nuk ndalon kurre se veni ne dyshim rezultatin e punes se tij.

          1. Je, ne po diskutojme pikerisht per nocionet dhe konotacionet e shprehjes ne fjale. Kemi te bejme me nje shprehje frazeologjike, nje lloj fjale te urte a proverbi qe nuk mund te kuptohet e te perkthehet fjale per fjale, por duhet patjeter interpretuar, parafrazuar e shpjeguar. Ti, fjala vjen, je ne gjendje sot te perkthesh dhe te parafrazosh shprehje si “e hengri sapunin per djathe”, “i bie fyellit ne nje vrime”, “eja baba te te tregoj arat” etj. sepse i ke degjuar dhe i ke perdorur vete qindra here. Keto nuk kane kuptim po t’i perkthejme fjale per fjale, por duhet t’i parafrazojme e t’i shpjegojme.

            Si ta kuptojme shprehjen “grueja asht shakull per me bajte”?. Nuk jemi te sigurt, prandaj po e diskutojme ketu, sepse nuk ben pjese ne bagazhin tone gjuhesor dhe kulturor, nuk eshte nje shprehje qe ne e perdorim ne jeten e perditshme. Prandaj une them se duhet t’u besojme atyre qe ia dinin kuptimin, sepse e degjonin perdite, e kishin pjese te shqipes se tyre. Jane pikerisht ata qe bene perkthimin italisht. Si mund te thuash se perkthimi ka konotacione jo te pranishme ne origjinal? Ku i di ti konotacionet e kesaj shprehjeje? A e ke degjuar ndonjehere te perdoret ne situata reale te jetes se perditshme?

            Kam gjithe diten qe po perpiqem te them vetem kete gje: duhet t’u besojme perkthyesve te variantit italisht, sepse ndryshe nga ne, ata ia dinin mire kuptimin, e kishin shprehje te gjuhes se tyre te perditshme.

            1. Kam një dyshim për rastin konkret – dhe pikërisht ngaqë Gjeçovi e zëvendëson fjalën “shakull” me fjalën “calikë” në komentin përkatës, a thua se e ndien se fjala “shakull” nuk do të ketë qenë shumë e qartë për lexuesin ose përdoruesin e tekstit të tij. Çfarë më bën të mendoj se “grueja asht shakull për me bajtë” ka pasur nevojë të shpjegohet edhe në atë kohë, madje edhe midis njohësve të dialektit dhe të kontekstit social të Kanunit.

          2. Relapso, per sa i perket pyetjes tende se si duhet ta kuptojme fjaline, secili e lexon e kupton i me syte e boten e tij. Personalisht jam dakort me Anilen, dhe them qe duhen marre ne konsiderate opcionet e ndryshme. Faktikisht, ajo nuk te dikton interpretimin por thjesht shtron pyetje apo dyshime te arsyeshme. Kjo si lexuese.

            Si perkthyese, po vij te pyetja jote e dyte, pra se si do e perktheja une. Ka disa rruge te mundshme por, personalisht, ne vend te parafrazimit do te preferoja nje note perkthimi, ne te cilen do te perfshija edhe arsyetimet e Aniles.

  5. Artikull shumë interesant dhe i argumentuar. Sipas meje mund të shkojë edhe kështu (i përkthyer, sigurisht) fill e në një revistë shkencore

  6. Relapso, po i kthehem edhe unë përkthimit italisht që ke sjellë:

    “La donna è un otre, fatta solo per sopportare. La donna, finché si trova in casa del marito, è considerata come un piccolo otre, che sopporta pesi e fatiche; ma non perciò i suoi parenti si disinteressano di lei…”

    Siç ta vuri në dukje Anila, ky tekst është edhe përkthim, edhe koment i origjinalit shqip, sepse fjalët “che sopporta pesi e fatiche” nuk gjenden në shqip.

    Ti thua me të drejtë se “perkthimet [e Kanunit] nuk mund të jenë të fjalëpërfjalshme, por duhet edhe të perifrazojnë dhe të interpretojnë.”

    Le ta zbatojmë këtë kriter ndaj pasazhit më lart; dhe pikërisht komentit të shtuar “che sopporta pesi e fatiche.”

    Ky koment, që NUK gjendet në origjinal, duket se i mëshon interpretimit të gruas “shakull” si “kafshë barre.” Po atij interpretimi që pastaj është përhapur gjerësisht, jo vetëm në përkthimet e Kanunit në gjuhë të tjera si gjermanishtja dhe anglishtja, por edhe në kulturën shqiptare pop. Është përhapur dhe ka zënë vend.

    Anila e kundërshton këtë interpretim, duke sjellë një interpretim të vetin – sepse gruaja shakull që bart farën e burrit nuk mund të jetë e njëjtë me gruan “che sopporta pesi e fatiche.” Ti si mendon? Mund të jetë e njëjtë?

    Tezën e Anilës, që interpretimi i deritashëm për “gruan si kafshë barre” nuk qëndron, unë e gjej të drejtë. Nëse ti po më thua se kështu e kanë interpretuar edhe “klerikët katolikë”, unë të them se ky është argument ad verecundiam; që ndoshta nuk mjafton. Edhe Homeri dremiste… etj.

  7. Po sjell komentin e mëposhtëm nga përkthyesi dhe studiuesi Hans-Joachim Lanksch, me kërkesën dhe miratimin e autorit, të cilin përfitoj për ta falënderuar për kontributin.

    Për përkthimin e Kanunit

    Lidhur me pyetjen në është përkthyer gabim dhe me paragjykim neni 29 i Kanunit duhet thënë se Amelie von Godin nuk ka qenë as përkthyese dhe as albanologe. Ajo ka qenë mike e Shqipërisë dhe e shqiptarëve që e mësoi shqipen gjatë qëndrimeve në Shqipëri dhe e bëri punën e madhe dhe mjaft të vështirë ta përkthente gjermanisht Kanunin. Do përmendur edhe se ajo e bëri këtë punë duke bashkëpunuar me mikun Eqrem Bej Vlora dhe me disa françeskanë. Anila Shuka është marrë me skrupulozitet të madh me fjalinë “Grueja asht shakull për me bajt”, gjë që s’ka mundur të bënte A. von Godin ngase e përkthente Kanunin e tërë me shumë fjali të tilla, një punë gjiganteske. Ajo e ktheu gjermanisht fjalinë e përmendur më lart: “Die Frau ist der Schlauch, in dem die Ware transportiert wird” (“Grueja asht shakulli me të cilin transportohet malli”). Pa dyshim, folja “transportieren” (transportoj) për “mbajtë” është gabim. Edhe fjala “mall” këtu s’ka vend. Ky version gjermanisht, edhe më shumë versionet italisht (“Un otre, fatto solo per supportare”) dhe anglisht (“a sack, made to endure”) lënë një mbresë më se negative.

    Duhet pasur parasysh një fakt që nuk përmendet shpesh: A. von Godin e përktheu Kanunin nga një version i mëparshëm i Gjeçovit (shkruan Robert Elsie në hyrjen e botimit të tij të përkthimit të A. von Godin). Në përkthimin e saj fjalia “Die Frau ist shakull (Schlauch), in dem die Ware transportiert wird” nuk përfundon këtu, por vijohet nga: “d.h. sie ist dazu bestimmt, die Kinder eines fremden Mannes (d.h. nicht eines Blutsverwandten) zu tragen, sonst aber, dem Blute nach, gehört sie ihrem Elternhause” (d.m.th. ajo është e përcaktuar t’i mbajë fëmijët e një burri të huaj (d.m.th. jo të një të afërmi të gjakut), përndryshe ajo i takon shtëpisë së prindërve).

    Përveç kësaj, në përkthimin e von Godin neni 29 thotë “Die Frau gilt als anvertraut für ihren Unterhalt” (“Grueja shifet si e besueme për jetesën e saj”) dhe jo “Grueja asht shakull për me bajtë” si në versionin e botuar të Kanunit gjeçovian. Nga versioni i von Godin (jo i mbështetur në versionin përfundimtar të Gjeçovit) – poqese citohet plotësisht – del pozita juridike e gruas sa jeton në derë (shtëpi) të burrit.

    Gabimet që mund të dalin në përkthimin e Kanunit në cilëndo qoftë gjuhë, besoj se nuk bazohen në paragjykimet, por në mosdijen a moskuptimin e përkthyesve si në rastin anglisht dhe italisht. Përkthimi i Kanunit është një detyrë tepër e vështirë. Shohim se sa probleme shkakton një fjali e vetme. Duket se qarkullonin versione të ndryshme me shkrim të Kanunit. Përkthimi i Kanunit do kërkonte hulumtime shkencore ekspertësh dhe patjetër bashkëpunimin e përkthyesit me ekspertë shqiptarë që e njohin mirë të drejtën kanunore.

  8. Unë kam në shtëpi një version të Kanunit të Lekë Dukagjinit të botuar nga shtëpia botuese “Kuvendi” në 1998.

    Duke e shfletuar, edhe në lidhje me argumentin e shkrimit të Anilës, vërej se disa nga nenet – por jo të gjitha – përmbajnë një thënie në formë proverbi ose aforizme, të mbyllur në thonjëza.

    Në raste të tilla, pjesa tjetër e nenit, e ndarë shpesh edhe nën pika, e komenton këtë thënie të mbyllur në thonjëza.

    Ndonjëherë, përveçse në thonjëza, thënie të tilla janë edhe me shkronja korsive (italike); ndonjëherë tjetër me shkronja të theksuara (të zeza).

    Por ka edhe pasazhe të tjera të tekstit që janë në korsive, por jo në thonjëza.

    Për shembull, neni 29, të cilin e përmend Anila, frazën “Grueja asht shakull për me bajtë”, e ka me shkronja të theksuara, dhe të formatuar si titull; ndërsa pjesa tjetër, dhe pikërisht “Grueja njifet si calikë për me bajtë sa të jetë në derë të burrit…” del pa thonjëza.

    Po ashtu, neni 28, frazat “Grueja s’bjen në gjak” dhe “Grueja l’shon më gjak prinden” i ka në thonjëza dhe me shkronja të theksuara dhe të formatuara si titull; por pastaj vijon si tekst i zakonshëm.

    Më ndihmon ndonjë koleg për të kuptuar statusin e këtyre teksteve? Mos vallë teksti në thonjëza është i cituar nga Gjeçovi njëlloj siç e ka gjetur ky në popull, ndërsa teksti tjetër është parafrazim ose koment i Gjeçovit?

    Për shembull, pikërisht te Neni 29, e njëjta metaforë jepet me fjalën shakull në titullin në thonjëza, por me fjalën calikë në trup të nenit. Kjo do të thotë, për mua, se subjekti që thotë “shakull” nuk është i njëjtë me subjektin që thotë “calikë” – meqë arsye tjetër për ndërrim të shënjuesit të metaforës nuk po gjej dot.

    Çfarë nënkupton që statusi i këtyre teksteve, përkatësisht në thonjëza dhe jo në thonjëza, nuk është i njëjtë, sa kohë që subjekti i thëniezimit (enoncimit) jo vetëm ndryshon, por edhe shfaqet nëpërmjet ndërrimit ose kalimit nga “shakull” në “calik” brenda të njëjtit kontekst.

    1. Kanuni s’eshte gje tjeter veçse nje teresi parimesh ne forme shprehjesh te shkurtra a proverbash qe perçoheshin vetem gojarisht nga brezi ne brez e qe sherbenin si norma zakonore per rregullimin e jetes se komunitetit. Ne tekstin e Gjeçovit do te gjesh mes thonjezash pikerisht keto shprehje te shkurtra a parime ne forme proverbash si:

      “Ndera e marrun giobë nuk ka”, “Shpija e Shqyptarit asht e Zotit dhe e mikut”, “Ne kandar te vet secilli peshon katerqind derhem”, “Puna e luen shtegun”, “Fjala mort s’ban”. “Gjaku shkon per gisht”

      Vetem keto jane “kanuni” i vertete. Pjesa tjeter, perfshire strukturen, ndarjen ne pjese, krere, nene etj. si edhe gjithçka qe nuk eshte ne thonjeza, perben ate qe quhet “kodifikimi Gjeçovit”, thene ndryshe, interpretimi qe i ka bere Gjeçovi se drejtes zakonore te trasheguar gojarisht.

      Shprehja “Grueja asht shakull per me bajte” eshte pjesa autentike e kanunit, pjesa tjeter e nenit eshte interpretimi i Gjeçovit.
      Meqenese jemi te kjo shprehje e fundit, une pajtohem me shpjegimin qe ka i ka dhene Aniles Rovena Vata: “shakull me bajte do te thote te duroje çka vendosin te tjeret per te”. Thene ndryshe, gruaja ka lindur per te vuajtur.

      Keto shprehje malesoret i dinin permendsh si proverba dhe i perserisnin sa here ta sillte puna. Per shembull, sa here qe gruaja ankohej nga puna e rende, ose se e kishte rrahur burri, degjonte si justifikim ose si ngushellim: grueja asht shakull per me bajte”. Kur dikush perfliste dike duke e quajtur budalla ose te shemtuar etj. tjetri ia priste “Ne kandar te vet secilli peshon katerqind derhem”. Kur dikush ia vononte pagen punetorit, ky ia kujtonte duke i thene: “E folmja âsht në fund të kuletës” e keshtu me radhe. Ky eshte kanuni i vertete. Te tjerat jane interpretimet e Gjeçovit.

    2. Lanksch-i ne komentin e vet fliste per disa variante. Ne fakt ka pasur nje larmi te madhe normash dhe zakonesh te ndryshme, sipas krahinave te ndryshme. Edhe brenda zones ku vepronte Kanuni i Lekes ka pasur variante te ndryshme nga njeri fshat ne tjetrin.

      Edhe sot çdo krahine ka zakonet e veta te veçanta. Mendo per nje çast larmine e madhe te zakoneve dhe praktikave qe ndjekin shqiptaret per rite si fejesat, martesat, vdekjet. Ka shkruar Rando Devole per rregullat e sotme ne rastet e vdekjeve: si hapet shtepia, si behen ngushellimet, sa leke duhen hedhur ne tabakane e kafes, formulat dhe shprehjet e rastit etj. Te gjitha keto do te perbenin kanunin modern. Kanuni i Leke Dukagjinit ishte e njejta gje: nje mori rregullash, normash dhe praktikash shoqerore. Asgje me shume!

      Teksti i Gjeçovit nuk duhet lexuar si te ishte nje kod ligjor i miratuar nga ndonje parlament i lashte, i sanksionuar njehere e pergjithmone dhe i gdhendur ne gur. Eshte vetem interpretimi i rregullave dhe normave qe ishin ne fuqi ne kohen kur i mblodhi dhe i kodifikoi ai. Ka shume subjektivizem aty, jo vetem ne interpretim, por edhe ne zgjedhjen e normave, parimeve dhe rregullave.

  9. Te neni 90, lexoj sa më poshtë (citoj verbatim):

    Kanuni thotë: “Beja nuk merr” e “Marrsit s’i bjen beja”.

    Pra, brenda një teksti që përndryshe quhet “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, gjejmë të cituar Kanunin.

    Pyetja që kam unë është: bazuar në këto vërejtje të shpejta, çfarë është Kanun dhe çfarë jo?

    Doemos, teksti “Kanuni thotë” nuk është pjesë e Kanunit, por pjesë e një teksti që e citon Kanunin.

    Ma do mendja se tekstin “Kanuni thotë” e ka prodhuar Gjeçovi.

    Dhe nëse kjo qëndron, të paktën në parim, vallë nuk duhet të kujdesemi dhe të dallojmë Kanunin e mirëfilltë nga komenti që ia ka bërë Gjeçovi Kanunit?

    Me ç’rast, “grueja asht shakull për me bajtë” i përket Kanunit, ndërsa “grueja njifet si calikë…” i përket komentarit?

    Më në fund, a mund të jenë thonjëzat ose ndonjë përftesë tjetër tipografike (p.sh. fjalitë që fillojnë me vizë ndarëse ose korsivi) lajmëruese të citimit nga Kanuni?

  10. Relapso,

    dakord jam. Me të besuar është kjo punë. Të besuarit te autoriteti i dijetarëve është padyshim i vlefshëm, se po të mos ekzistonte, do të na duhej t’i zgjidhnim vetë të gjitha pyetjet që na brejnë. Por ka ca përgjigje dijetarësh që nuk na bindin. Dhe shkenca nga mosbindjet përparon.

    Dua ta ruaj naivitetin tim prej të pabindure dhe të ofroj për diskutim edhe një përshkrim të fjalës shakull, ose calik, këtu përdoren si sinonime të plota, të cilën na e sjell Luga e Argjendtë. (https://www.shije.al/article/1516/shakulli-frigoriferi-i-barinjve-e-malesoreve-shqiptare/). Edhe pse nuk e di se sa i besueshëm është burimi, por mua më duket shumë logjik.

    Shpejegimi që jepet në këtë artikull është shumë interesant, sepse aty thuhet diçka që të kujton procesin e ngjizjes:

    “Nëpër shekë, kaçupë, calikë apo urta rruhej dhe djathi, i cili për t’u transportuar futej në lëkurë, ku më parë ishte hedhur qumështi. Nga transporti dhe tundja e qumështit, krijohej një salcë me shije të jashtëzakonshme, e cila quhej dhe quhet salcë e shakullit, salcë kaçupi etj. Salca e shakullit ruhej dhe ruhet gjatë gjithë dimrit deri në dalje të pranverës”.

    Mos vallë: ç.d.v.?

    1. Anila, une qysh ne nderhyrjen e pare qe bera, nuk e perjashtova kuptimin e funksionit riprodhues te gruas. Ne fakt thashe se “kuptimi nuk kufizohet vetem ne kete funksion”. Pra shprehja mund ta kete pasur edhe kete kuptim, paçka se teksti nuk na e konfirmon. Mirepo ky kuptim hipotetik nuk perjashton ate tjetrin, te gruas si kafshe pune, te cilin na e konfirmojne ne perkthimin italisht dy njohes te shkelqyer te gegerishtes dhe te kanunit si Dodaj dhe Fishta.

      Perveç konfirmimit tekstor, e gjithe fryma dhe mentaliteti qe deshmon kanuni na thote se gruaja konsiderohej si kafshe. Gruaja nuk vritej per gjak, jo se u dhimbsej, por se gjaku i saj nuk vlente sa ai i burrit. Ne pjesen ku flitet per marrjen e gjakut, po pertoj te gjej nenin e sakte, thuhet se kur vritet nje grua shtatzene, duhet t’i hapet barku per te pare nese foshnja eshte djale apo vajze: nese eshte djale, kris pushka, nese eshte vajze, paguhet nje gjobe, njesoj sikur te ishte vrare nje derr.

      Na pelqen apo s’na pelqen neve sot, ky ishte mentaliteti i kanunit. Pra une nuk kam arsye dhe argumente qe te mos e pranoj ate kuptim. Perkundrazi, kam shume arsye dhe argumente qe ta pranoj ate.

      Te kuptohemi, edhe une e ndiej veten keq kur gjej perkthime te tilla qe sot na e nxijne faqen para te huajve. Por s’kam ç’i bej. Ky ishte realiteti i atehershem dhe kam frike se edhe sot ne disa zona te Shqiperise nuk ka ndryshuar shume.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin