FJALË MIKU

[Më poshtë po përcjellim të plotë fjalën e mbajtur nga kryeministri, z. Edi Rama, në prezantimin e librit Për Ardian Klosin, gjermanin nga Shqipëria dhe ceremoninë e dorëzimit të çmimit “Ardian Klosi” për vitin 2015. A.V.]

 

Mirëmbrëma të gjithëve!

Në fakt, mua më ndodh shumë rrallë që ta kem të vështirë të flas përpara njerëzve dhe kjo është një nga ato herë!

Ajo që ma vështirëson edhe më shumë fjalën sonte, është fakti se kemi bërë një premtim mes nesh, me Ardianin; kush do mbetej mbrapa në këtë jetë nuk do të bëhej qesharak në sytë e tjetrit në atë botë, duke u bërë shumë serioz tek fliste për tjetrin që kishte ikur. Bëra një provë, u thashë ndihmësve të çmuar që kam, të më bënin një draft.  Kur e lexova draftin, thashë sikur ta lexoj kështu siç e kanë bërë, – ata e kanë bërë shumë mirë me të tyren, – premtimi është shkelur me të dyja këmbët. Kështu që po them disa fjalë këtu, duke kombinuar atë që kanë shkruar seriozisht ndihmësit e mi dhe atë që më takon mua të them për të mbajtur premtimin ndaj Danit.

“Bëhu i ditur që të jesh i lirë” shkruante Ardian Klosi në një artikull në vitin 2008, duke cituar një shprehje latine. Kështu nis drafti i ndihmësve të mi dhe vazhdon – Ardian Klosi njihet si publicist, albanolog, shkrimtar dhe përkthyes. Në fakt, – këtu vazhdoj unë – unë e kam njohur atë si një shpirt shumë të trazuar dhe me një mendje tejet të mprehtë. Citimi i fjalës latine, “Bëhu i ditur që të jesh i lirë”, ishte për të, them unë, përpjekja që përmes dijes, ai vetë të çlirohej nga injorantët përreth! Të cilët e mundonin jashtëzakonisht shumë dhe ia rëndonin në mënyrë të pangushëllueshme gjendjen e tij të trazuar prej natyre.

Ai ka dhënë një kontribut të madh në përkthimin e gjuhës shqipe, duke sjelle veprat e autorëve të mëdhenj, Friedrich Dürrenmatt, Max Frisch, Mark Twain, Franz Kafka, Bertolt Brecht, Heinrich Böll, Georg Büchner, Ernest Gellner dhe François Pouqueville, – shkruhet në draftin e ndihmësve të mi, me të drejtë, kështu është. Por arsyeja pse Ardiani përkthente, mendoj unë, ishte një nevojë jetësore për higjienë. Jam i bindur se nëse Ardiani do të ishte lindur diku tjetër dhe nuk do të kishte atë trazim të madh që i vinte së brendshmi, por që i agravohej shumë nga injoranca dhe pisllëku lokal, nuk do të kishte përkthyer.

Po ashtu, për shkak të nevojës për të bashkëjetuar me njerëz të sërës së tij, çka me sqimën që kishte nuk e plotësonte dot normalisht në mjedisin ku zgjodhi të jetonte, përkthimi për Ardianin ishte nevoja për të bashkëjetuar në një shoqëri me njerëz të tjerë. Të cilët i zgjidhte vetë, në bibliotekë, dhe me të cilët pastaj bënte një copë rrugë së bashku, duke folur me ta. Ardiani komunikonte prej vërteti me autorët që përkthente. Fliste me librin si të kishte përballë shkrimtarin. Ishte një lloj arratie, siç ishte po ashtu një lloj flirti me të vdekurit.

Vdekja ishte një fuqi, që tek Ardiani nuk vepronte siç vepron normalisht tek njerëzit kur mendojnë për të në mënyrë të vetëdijshme, ajo vepronte tek ai edhe kur ai nuk mendonte për të. Ardiani, vdekjen e kishte gjithnjë e më vazhdimisht me vete dhe nuk e shmangte, po e mbante si hijen e tij.  Kemi folur shpesh për vdekjen dhe në flirtin me të përmes të vdekurve që i zgjidhte vetë me dorë në raftin e bibliotekës, trazimi i tij fashitej. Përndryshe, mendja e mprehtë që nuk ia lehtësonte trazimin, nuk e racionalizonte dot ankthin e brendshëm që në mungesë të mikroklimës higjienike i bëhej tejet i mundimshëm.

Veprimtaria e tij përkthyese u nderua me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare. Në fakt, Ardiani ishte shumë indiferent ndaj çmimeve. Arlinda [Dudaj] me siguri do të gjejë si arsye që unë s’e kam mbështetur sa duhet, për faktin që Vetonit i dha thjesht një copë letër në dorë, për një çmim kaq të madh. Por e vërteta është që çfarëdolloj statuje apo simboli tredimensional që të kishim bërë për këtë çmim, do ta bënte çmimin për Ardianin, qesharak në sytë e tij! Ndërkohë që ajo copa e letrës, “certifikata” që mori Vetoni në dorë, është edhe mënyra më e rafinuar për të bërë gjënë e duhur dhe për të mos ngacmuar sensin e aversionit që ai kishte ndaj ritualeve zyrtare e ceremoniale. Kështu që shpresoj se Vetoni atë certifikatën do ta vendosë në kornizë, e pastaj në mur, ashtu siç vendoseshin ato fletët e lavdërimit të partisë dikur, sepse kështu do t’ia bënte qejfin pamasë edhe Ardianit.

Vazhdon drafti i ndihmësve të mi, me faktin që Ardian Klosi njihet gjithashtu për angazhimin e tij të përditshëm në aktivitete të shoqërisë civile, çështje të trashëgimisë kulturore e të mjedisit dhe nënvizon se kur ishte rasti i Piramidës, ai ishte në krye të mbledhjes së firmave kundër prishjes të këtij objekti.

Në fakt, Ardiani qysh në krye të herës, qëkur e kam njohur unë, që në kontaktin e parë, i përkiste një shkolle që nuk e pranonte intelektualin si një status jashtë angazhimit publik. Faktikisht për Ardianin, John Lennon-i, për të cilin ai organizoi edhe atë festën e 10-dhjetorit të famshëm të vrasjes, që ishte edhe momenti kur në Akademinë e Arteve u përshkallëzua lëvizja studentore antikomuniste, ishte intelektual, ndërsa shumë të tjerë, të cilët mund të kishin shkruar shumë volume të tëra në heshtjen e tyre, jo!

the-trial-kafka

Skenë nga filmi “Procesi” i Orson Welles, 1962

Për Ardianin, intelektuali ishte njeri që jetonte me të vërtetën, medoemos i lidhur me jetën politike, ama jo si politikan, por si kundërpushtet natyral. Kur ra regjimi u bë modë të flitej shumë për “intelektualët, intelektualët, intelektualët” dhe Ardiani e kishte makth këtë glorifikim të njerëzve që me të vërtetën kishin pasur e kishin halle të mëdha. Ai përktheu asokohe librin e Vaclav Havel-it, “Të rrosh me të vërtetën”, që u bë si trakt për pjesën antikonfomiste të lëvizjes anti-regjim. Për Ardianin, intelektuali është ai që rron me të vërtetën. Kur diskutonim se çfarë është ai që di shumë, që shkruan e thellohet në fushën e tij, po nuk flet e nuk ngatërrohet, ai thoshte me buzën në gaz, mbase njeri inteligjent, por jo intelektual.

Një eveniment si “Tirana Open”, panairi i librit,  – shkruajnë ndihmësit e mi, – ishte i pazakonshëm në përcjelljen e mesazheve me anë të artit  e të fjalës së shkruar. E mbaj mend, ishte eventi që ai e kërkoi shumë dhe për të cilin u mundua shumë, bashkë me disa miq të tjerë. Ishte një nga ato shfaqjet e utopisë së tij për t’u socializuar me të tjerët dhe për të bërë gjëra të përbashkëta. Përpiqej që të bashkonte njerëz, të bënte gjëra në grup dhe pastaj, thuajse gjithmonë, dilte i dëshpëruar nga këto iniciativa e ikte në rrugën e tij të flirteve me të vdekurit e nxjerrë nga rafti i bibliotekës.

Për nder të tij jepet edhe çmimi “Ardian Klosi” në fushën e letrave. Fituesi i parë i këtij çmimi ishte Ardian Vehbiu, me veprën e tij  “Sende që nxirrte deti”, – këtë e kanë shkruar ndihmësit e mi. Ndërsa unë dua t’ju tregoj se, Ardian Vehbiun, e kam njohur nga Ardian Klosi dhe për mua, Ardian Vehbiu s’ka qenë fizikisht i materializuar deri shumë vonë. Kisha një Ardian fizikisht të materializuar përballë meje dhe një Ardian tjetër, të cilin Ardiani i parë e sillte në bisedë sa herë flisnim për marrëzitë e Realizmit Socialist. E mua më dukej sikur njëri flirtonte me të vdekurit e botës së njerëzve të vetmuar, ndërsa tjetri flirtonte me të marrët e lumtur kolektivisht të kohës së vjetër.

Në këtë binom kishte diçka fantastike, ku njëri personazh reflektonte tjetrin si në pasqyrë. Ardiani thoshte Vehbiu, sikur thërriste një mbiemër të dytë të vetin, sa herë donte t’i jepte më shumë gaz qesëndisjeve të tij plot humor të hollë.

Ndarja e tij nga jeta ishte një fatkeqësi për kulturën shqiptare, ndërsa gjykimi për të është rëndom, ai i njeriut të madh e të artë, përfundon drafti. Në fakt, edhe këtu, unë jam dëshmitar i faktit që ne kemi folur e jemi tallur shpesh për mënyrën si mund të ndodhte ndarja jonë nga jeta. Unë gjithmonë i thosha se të  parafytyroj duke vrarë veten! Ai gajasej me skenat e mundshme që i përshkruaja për vetëvrasjen imagjinare, të cilën asnjëherë në fakt s’e kam besuar se realisht do të ndodhte.

Kur ai ndërtonte shtëpinë tek liqeni, më çonte deri te papafingoja nën çati. Unë shkoja pasditeve vonë e qëllonte aty lart një muzg me një qetësi të jashtëzakonshme dhe i thosha se, ja, pak a shumë në këtë orë, këtu lart, do të dëgjohet një krisëm e thatë, pastaj do të ngrihen në fluturim dy rosa nga pasqyra e liqenit dhe do të merret vesh që i madhi Ardian Klosi iku pa na thënë lamtumirë, por na tha “Ikni p…!”, që të gjithë!


 

(C) Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen e një administratori të faqes.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin