MOS MËSONI GJUHË TË HUAJ

Na kanë thënë që në fëmijëri se mësimi i gjuhëve të huaja është diçka e mirë, se na ndihmon në jetë e na bën të ditur. Nuk është e vërtetë, janë idiotësi me okë.

E mora vesh kur mbarova së lexuari një lajm. Kuptova më së fundi se jo vetëm të dish gjuhë të huaj është e dëmshme, por edhe të jesh përkthyes nuk bën aspak mirë.

Mediat njoftojnë se në Itali, në datën 20 janar 2016, u arrestua në Brennero një shqiptar së bashku me një bashkëkombës të vet. U kapën se kishin me vete 93 kile kokainë jashtëzakonisht të pastër, me vlerë më shumë se 18 milionë euro. Njëri prej tyre u lirua, si të thuash, për një “kleçkë formale” juridike.

Problemi ishte se përkthyesit të caktuar për seancën e konfirmimit të arrestimit, i ishte ndaluar ushtrimi i profesionit për shkak të një dënimi që kishte marrë ndërkohë. Si rrjedhim, avokati kërkoi lirimin për klientin e tij shqiptar, i cili nuk e dinte gjuhën italiane. Sipas gjasës, thonë mediat, trafikanti i drogës tani gjendet në Holandë ku është edhe rezident.

Shoku i tij, ai që e shoqëronte me makinë, gjithashtu shqiptar, mbeti në burg. Arsyeja? Sepse duke mos pasur nevojë për përkthyes, pra ngaqë e dinte gjuhën e huaj, procesi vazhdoi dhe iu konfirmua qëndrimi në burg. (Për mosbesuesit lajmi gjendet ImolaOggi, 6 shkurt 2016).

Çfarë na mëson kjo histori? – do të thoshte mësuesja e fillores. Kjo ndodhi e vërtetë na mëson se në shoqërinë e sotme dituria ndëshkohet, se është e panevojshme dhe se nuk duhet të mësojmë gjuhë të huaja. Edhe përrallat që na tregojnë studimet kinse moderne, se gjuhët e huaja zhvillojnë trurin dhe inteligjencën, janë gjepura fund e krye. Gjithashtu na mëson se drejtësia është drejtësi, forma është formë dhe përmbajtja është përmbajtje. Pastaj forma shndërrohet në përmbajtje e përmbajtja në drejtësi.

Nga ana tjetër kemi zanatin e përkthyesit, i cili ka kohë që ka humbur prestigjin e vet social. Tani jemi të gjithë përkthyes, me në krye Google-n. Por të jesh përkthyes me profesion është e rrezikshme, jo vetëm se bie në burg, si në rastin e mësipërm (edhe pse enigmatik nga motivet), por edhe për faktin se fatkeqësia jote është lumturia e tjetrit, e atij që nuk di gjuhë të huaj. Mors tua vita mea, do të thoshte ndonjë hajvan që di latinisht.

Pastaj është çështja ekonomike. Sa e leverdishme është njohja e gjuhëve të huaja sot? Sa mund të fitosh, sa të ndihmon në jetë? Ato 18 milionë euro, as në ëndërr nuk ka për t’i parë, qoftë përkthyesi më i mirë i botës. Kurse tjetrit, pa ditur asnjë fjalë, i mjafton një rrugë, që të marrë aq para sa është buxheti i shtetit shqiptar. Ndoshta duhet një ngarkesë pak më e madhe, por nuk është e vështirë.

Sido që ta kapësh çështjen, gjuhët e huaja janë të dëmshme. Tani, kemi pak kureshtje për njohurinë e gjuhës së nënës, shqipes, nga ana e atij tipi, që shpëtoi nga injoranca e gjuhëve të huaja; se nga çka shohim në televizionin shqiptar, nuk na duket se suksesi në ekonomi e politikë varet prej njohjes së saj. Por as nga kultura e përgjithshme. Përkundrazi. Ndoshta kemi të drejtë, se gjindje pa shkollë, helbete.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin